Xhamia e Haxhi Ymerit
Gjakovë

Trashëgimia në Islam



Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”





 

 

Autor: Sejjid Sabik

Përkthyer nga një grup përkthyesish

Nxjerrja e Haditheve: Bledar Karaj el Albani

 

 

 

Trashëgimia në Islam.

 

Përkufizim

El Feraid është shumësi i fjalës ferida që vjen nga fjala El Fard e që do të thotë vlerësim, përcaktim. Allahu i Lartësuar thotë:

فَنِصْفُ مَا فَرَضْتُمْ

“Gjysma e asaj që keni caktuar”. (El-Bekare, 237). Ndërsa në legjislacionin islam me termin ferida është pjesa e caktuar e trashëgimtarit. Shkenca që merret me këtë quhet shkenca e trashëgimisë apo shkenca e El Feraid.

 

Ligjshmëria e saj

Arabët para Islamit i jepnin trashëgimi burrave e jo grave, të mëdhenjve e jo të vegjëlve dhe trashëgimia mund të ndahej edhe sipas aleancave. Allahu i Lartësuar e zhvlerësoi këtë lloj trashëgimie dhe zbriti ajetin e mëposhtëm kuranor:

يُوصِيكُمْ اللَّهُ فِي أَوْلَادِكُمْ لِلذَّكَرِ مِثْلُ حَظِّ الْأُنثَيَيْنِ فَإِنْ كُنَّ نِسَاءً فَوْقَ اثْنَتَيْنِ فَلَهُنَّ ثُلُثَا مَا تَرَكَ وَإِنْ كَانَتْ وَاحِدَةً فَلَهَا النِّصْفُ وَلِأَبَوَيْهِ لِكُلِّ وَاحِدٍ مِنْهُمَا السُّدُسُ مِمَّا تَرَكَ إِنْ كَانَ لَهُ وَلَدٌ فَإِنْ لَمْ يَكُنْ لَهُ وَلَدٌ وَوَرِثَهُ أَبَوَاهُ فَلِأُمِّهِ الثُّلُثُ فَإِنْ كَانَ لَهُ إِخْوَةٌ فَلِأُمِّهِ السُّدُسُ مِنْ بَعْدِ وَصِيَّةٍ يُوصِي بِهَا أَوْ دَيْنٍ آبَاؤُكُمْ وَأَبْنَاؤُكُمْ لَا تَدْرُونَ أَيُّهُمْ أَقْرَبُ لَكُمْ نَفْعًا فَرِيضَةً مِنْ اللَّهِ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلِيمًا حَكِيمًا

“Allahu ju urdhëron për trashëgiminë tuaj: mashkullit i takon aq sa pjesa e dy femrave; nëse trashëgimtarë janë dy e më tepër femra, atyre u takojnë dy të tretat nga trashëgimia; nëse është një femër – i takon gjysma e pasurisë; e për çdonjërin prind të të vdekurit – u përket një e gjashta nga pasuria e trashëguar, nëse i vdekuri ka lënë fëmijë; e nëse nuk ka fëmijë, e trashëgojnë prindërit dhe nënës i bie një e treta; nëse i vdekuri ka vëllezër, nënës së tij i bie një e gjashta, pas kryerjes së testamentit të lënë dhe larjes së borxhit. Ju nuk e dini se cili është më i afërt për ju nga dobia: prindërit tuaj apo fëmijët tuaj. Ky caktim është nga ana e Allahut. Pa dyshim Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë”. (En-Nisa, 11).

Shkaku i zbritjes së ajetit

Shkakun e zbritjes së këtij ajeti na e tregon Xhabiri, i cili thotë: “Gruaja e Sa’d ibën Rabiut shkoi tek Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) me dy vajzat që kishte me Sa’din dhe i tha: “O i dërguari i Allahut, këto janë dy vajzat e Sa’d ibën Rabiut. Babai i tyre luftoi me ty në Uhud dhe ra dëshmor por xhaxhai i tyre mori tërë pasurinë e tyre dhe nuk u la asgjë. Ata nuk mund të martohen pa pasuri”. Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) i tha: “Allahu do të vendosë për këtë”. Kështu zbriti ajeti i trashëgimisë. Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) dërgoi lajm xhaxhait të tyre dhe e urdhëroi: “Jepi dy vajzave të Sa’dit dy të tretat dhe nënës së tyre një të tetën dhe ç’mbetet, është e jotja”.[1] Këtë hadith e transmetojnë të pestë autorët e përmbledhjeve të haditheve, përveç Nesaiut.

Vlera e njohjes së trashëgimisë

  1. Transmetohet nga Ibn Mes’udi se Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Mësojeni Kuranin dhe mësojani atë njerëzve. Mësojini rregullat e trashëgimisë dhe ua mësoni atë të tjerëve, sepse unë do të vdes, dija do të ngrihet dhe ka mundësi të përzihen dy emra në trashëgimi apo në një çështje e nuk do të gjejnë kënd t’ia sqarojë”.[2] Këtë e përmend Ahmedi.
  2. Nga Abdullah ibën Amër transmetohet se Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Dija është tre llojesh dhe ç’ka është përveç tyre, është shtesë: mësimi i një ajeti të qartë, i një suneti të praktikuar dhe ndarje e drejtë e trashëgimisë”.[3] Transmeton Ebu Daudi dhe Ibn Maxheh.
  3. Gjithashtu, transmetohet nga Ebu Hurejra se Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Mësojeni ndarjen e trashëgimisë dhe ua mësoni atë të tjerëve, sepse ajo është gjysma e dijes, ajo harrohet shumë shpejt dhe ajo është gjëja e parë që ngrihet nga umeti im”.[4] Transmeton Ibn Maxheh dhe Darekutni.

Trashëgimia (Et Terika)

Përkufizim

Ajo është pasuria e përgjithshme që lë i vdekuri[5]. Këtë e deklaron edhe Ibn Hazmi dhe thotë: “Allahu ka detyruar ndarjen e pasurisë që njeriu lë pas vdekjes së tij, atë që konsiderohet pasuri por jo atë që s’konsiderohet e tillë”. Ndërsa prej të drejtave nuk trashëgohen veçse ato që ndjekin pasurinë apo janë në kuptimin e pasurisë, p.sh. të drejtat e përbashkëta, e drejta e qëndrimit në një tokë monopol për ndërtesë apo mbjellje.

Sipas Malikive, Shafive dhe Hanbelive trashëgimia përfshin tërë atë që lë i vdekuri, pasuri dhe të drejta, qofshin këto të drejta financiare apo jo.

Të drejtat që kanë lidhje me trashëgiminë

Të drejtat që kanë lidhje me trashëgiminë, janë katër. Të tëra këto nuk janë në të njëjtën pozitë, disa prej tyre janë më të forta nga të tjerat, kështu që kanë përparësi ndaj tyre që të nxirren nga trashëgimia sipas rendit të mëposhtëm:

E drejta e parë: Nxirret nga trashëgimia e të vdekurit për qefinosjen dhe përgatitjen e tij, siç është përmendur në kapitullin e xhenazes.

E drejta e dytë: Shlyerja e borxheve të tij. Ibn Hazmi dhe Shafiu i japin përparësi borxheve të Allahut si zekati dhe shpagimet ndaj borxheve të njerëzve.

Hanefitë i hedhin poshtë borxhet e Allahut me vdekjen kështu që trashëgimtarët nuk e kanë për detyrë t’i shlyejnë ato. Në rast se ai e ka lënë porosi, ato konsiderohen sikurse porosia (testamenti) për të huajin kështu që testamentlënësi apo trashëgimtari e nxjerr atë nga një e treta e mbetur pas përgatitjes së xhenazes dhe shlyerjes së borxheve të njerëzve. Kjo, nëse ai ka trashëgimtarë. Nëse nuk ka trashëgimtarë, ajo nxirret nga e tërë pasuria. Hanbelitë i barazojnë mes këtyre dy të drejtave siç gjejmë se ata kanë rënë dakord se borxhet e caktuara[6] të njerëzve kanë përparësi nga borxhet e zakonshme.

E drejta e tretë: Zbatimi i testamentit të tij nga një e treta e mbetur pas shlyerjes së borxheve.

E drejta e katërt: Ndarja e asaj që mbetet nga pasuria mes trashëgimtarëve.

Bazat e trashëgimisë

Trashëgimia kërkon ekzistencën e tre gjërave bazë:

  1. Ekzistencën e trashëguesit që është personi i cili lidhet me të vdekurin me një nga shkaqet e trashëgimisë.
  2. Ekzistencën e personi që lë trashëgim, që është i vdekuri në realitet apo me dispozitë që mund të jetë i humburi për të cilin vendoset se ka vdekur.
  3. Ekzistenca e vetë trashëgimisë, që është pasuria apo e drejta e zhvendosur nga i trashëguari tek trashëguesi.

Shkaqet e trashëgimisë

Trashëgimia meritohet me një nga tre shkaqet e mëposhtëme:

  1. Afërsia e vërtetë e bazuar në ajetin kuranor :

وَأُوْلُوا الْأَرْحَامِ بَعْضُهُمْ أَوْلَى بِبَعْضٍ فِي كِتَابِ اللَّهِ

“Sipas Librit të Allahut, besimtarët që kanë lidhje farefisnore, janë më të afërt për njëri-tjetrin (në ndarjen e trashëgimisë)”. (El-Enfal, 75).

  1. Prejardhja me dispozitë[7] e bazuar në hadithin e Profetit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem): “Lidhja e besës është sikurse lidhja e gjakut”.[8] Transmeton Ibn Maxheh, i cili e vlerëson si të saktë këtë hadith.
  2. Martesa e vlefshme e bazuar në ajetin kuranor:

وَلَكُمْ نِصْفُ مَا تَرَكَ أَزْوَاجُكُمْ

“Juve ju takon gjysma e asaj që lënë gratë e juaja” (En-Nisa, 12).

Kushtet e trashëgimisë

Për të përfituar trashëgimi, duhen plotësuar tre kushte:

  1. Vdekja e vërtetë apo me gjykim e të trashëguarit, si p.sh. gjykatësi të gjykojë e të vendosë për vdekjen e të humburit. Ky vendim e konsideron atë sikurse ai që ka vdekur me të vërtetë. Të tillë kemi edhe vlerësimin për vdekjen e tij, si p.sh. kur një person kryen agresion ndaj një gruaje shtatzënë duke e rrahur dhe ajo dështon fëmijën e saj të vdekur. Në këtë rast vlerësohet se ai ka qenë i gjallë, edhe pse nuk është hetuar një gjë e tillë.
  2. Jeta e trashëgimtarit pas vdekjes së të trashëguarit, qoftë edhe me gjykim apo vendim si p.sh. fetusi. Ai, legjitimisht, konsiderohet i gjallë, ngaqë mendohet se i është fryrë shpirti. Nëse nuk dihet jeta e trashëguesit pas vdekjes së të trashëguarit, si p.sh. të mbyturit, të djegurit apo atij nën rrënoja, në këtë rast nuk ka trashëgimi mes tyre nëse trashëgojnë prej njëri-tjetrit dhe pasuria e secilit ndahet mes trashëgimtarëve të tyre të gjallë.
  3. Të mos gjendet ndonjë prej pengesave të mëposhtme të trashëgimisë.

Pengesat e trashëgimisë

I penguar nga trashëgimia është ai person tek i cili janë siguruar shkaqet e trashëgimisë, porse ai përshkruhet me diçka që ia kanë hequr atij të drejtën e trashëgimisë. Ky person quhet i privuar. Pengesat e trashëgimisë janë katër:

  1. Skllavëria, qoftë ajo e plotë apo e mangët.
  2. Vrasja e qëllimshme e ndaluar. Nëse trashëgimtari vret atë nga i cili trashëgon pa të drejtë, ai, me konsensus, nuk trashëgon prej tij. Nesaiu transmeton se Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Vrasësi nuk merr asgjë”.[9]

Dijetarët kanë diskutuar nëse ai kryen tjetër lloj vrasje, jo vrasje me qëllim. Shafiu ka thënë: “çdo vrasje pengon nga trashëgimia qoftë edhe nga i vogli, i sëmuri mendor apo edhe në qoftë me të drejtë si p.sh. ndëshkimet”.

Malikitë kanë thënë: “Vrasja që pengon nga trashëgimia është vrasja e qëllishme me agresion, qoftë direkt apo me shkak”.

  1. Dallimi fetar. Muslimani nuk trashëgon prej jomuslimanit dhe as jomuslimani nuk trashëgon prej muslimanit. Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh transmetojnë nga Usama ibën Zejdi se Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Muslimani nuk trashëgon prej jomuslimanit dhe jomuslimani nuk trashëgon prej muslimanit”.[10]

Tregohet nga Muadhi, Muavija, Ibn Musejebi, Mesruku dhe Nehaiu se kanë thënë: “Muslimani trashëgon prej jomuslimanit por jo anasjelltas, ashtu si edhe muslimani mund të martohet me jomuslimanen dhe jomuslimani nuk mund të martohet me muslimanen. Ndërsa jomuslimanët mund të trashëgojnë njëri-tjetrin, sepse ata konsiderohen si pjesëtarë të një bashkësie”.

  1. Dallimi i vendbanimeve. Me të nënkuptohet dallimi i nënshtetësisë. Dallimi i vendbanimeve nuk është pengesë në trashëgiminë mes muslimanëve. Kështu, muslimani trashëgon prej muslimanit sado që mund të ndryshojnë vendbanimet. Ndërsa për sa i përket dallimit të vendbanimeve mes jomuslimanëve, kjo është çështje për të cilën është diskutuar nëse është pengesë në trashëgimi mes tyre apo jo. Shumica e dijetarëve shprehen se kjo nuk është pengesë që jomuslimanët të trashëgojnë njëri-tjetrin, ashtu siç nuk ndalohen muslimanët.

Në librin “El Mugni”, autori ka thënë: “Analogjia tek unë tregon se anëtarët e një bashkësie mund të trashëgojnë njëri-tjetrin edhe nëse ndryshojnë vendbanimet e tyre, sepse tekstet e përgjithshme dëftojnë lejimin e trashëgimisë mes tyre. Gjithashtu nuk ka ardhur ndonjë tekst e as ndonjë miratim i dijetarëve për kufizimin e tij dhe as analogjia nuk është e saktë, kështu që duhet të punohet me përgjithshmërinë e këtyre teksteve.

Ndërsa sipas Ebu Hanifes, nëse legjislacioni i shtetit të huaj e ndalon dhënien e trashëgimisë jashtë shtetasve të tij, ndryshimi i vendbanimeve konsiderohet pengesë për trashëgimi.

Përfituesit nga trashëgimia

Përfituesit nga trashëgimia, në medh’hebin Hanefi, renditen sipas rendit të mëposhtëm:

  1. persona që kanë pjesë të detyruar
  2. meshkujt me lidhje gjaku
  3. meshkujt me shkaqe të tjera lidhjeje
  4. rikthimi tek personat me pjesë të detyruar
  5. të afërmit
  6. personi i lidhur me besë
  7. vetëpranuesi i prejardhjes së një tjetri
  8. testamentmarrësi me më shumë se një e treta
  9. buxheti i shtetit

Personat që marrin pjesë të detyruar (fard)

Këta persona janë ata të cilët përfitojnë një pjesë të detyruar nga gjashtë pjesët e detyruara që janë: 1/2; 1/4; 1/8; 2/3; 1/3; 1/6

Këta persona që përfitojnë nga pjesa e detyruar janë dymbëdhjetë: katër meshkuj që janë babai, gjyshi nga babai e më lart, vëllai nga nëna dhe burri, dhe tetë gra që janë: gruaja, vajza, motra prej nëne e babai, motra prej babai, motra prej nëne, vajza e djalit, nëna, gjyshja e vërtetë e lart. Më poshtë po japim pjesën që i takon secilit prej tyre me detaje.

Rastet e babait

Allahu i Lartësuar thotë:

وَلِأَبَوَيْهِ لِكُلِّ وَاحِدٍ مِنْهُمَا السُّدُسُ مِمَّا تَرَكَ إِنْ كَانَ لَهُ وَلَدٌ فَإِنْ لَمْ يَكُنْ لَهُ وَلَدٌ وَوَرِثَهُ أَبَوَاهُ فَلِأُمِّهِ الثُّلُثُ

“Për prindërit, secilit prej tyre u takon një e gjashta nga ajo që ka lënë (i vdekuri) nëse ka fëmijë[11], e nëse (i vdekuri) nuk ka fëmijë e atë e trashëgojnë (vetëm) prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta”.

Babai ka tre raste: një rast në të cilin ai merr pjesë të caktuar, një rast ku merr me afrimitet (ta’sib)[12] dhe rasti i tretë në të cilën ai trashëgon detyrimisht dhe me afrimitet.

Rasti i parë:

Ai trashëgon në mënyrë të detyrueshme nëse me të ekziston edhe një pasardhës trashëgimtar mashkull, qoftë i vetëm apo me tjetër person. Në këtë rast ai merr një të gjashtën.

Rasti i dytë:

Ai trashëgon nëpërmjet ta’sibit nëse me të vdekurin nuk ka pasur pasardhës trashëgues, mashkull qoftë apo femër. Në këtë rast ai merr tërë trashëgiminë nëse është i vetëm apo pjesën që mbetet nga pjesa e trashëgimtarëve që marrin detyrimisht nëse me babain ekziston njëri prej tyre.

Rasti i tretë:

Ai trashëgon detyrimisht dhe me afrimitet. Kjo ndodh nëse me të ekziston një pasardhës trashëgues femër. Këtu ai merr një të gjashtën detyrimisht si dhe pjesën që mbetet nga personat që marrin detyrimisht.

Rastet e gjyshit nga babai:

Trashëgimia e gjyshit nga babai vërtetohet me konsensus. Transmetohet nga Umran ibën Hasin se një person i kishte shkuar Profetit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) dhe e kishte pyetur “Djali i djalit tim ka vdekur, ç’pjesë të trashëgimisë më takon mua?” Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) i tha: “Një e gjashta”. Kur ai po largohej, Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) e thirri dhe i tha: “Ti ke edhe një të gjashtën tjetër”. Kur u largua, përsëri e thirri dhe i tha: “Një e gjashta tjetër është dhuratë”.[13] Transmetojnë Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu i cili e vlerëson si të saktë.

Trashëgimia e gjyshit nga babai bie, nëse ekziston babai. Kur ai mungon, gjyshi zë vendin e babait veç katër rasteve:

  1. Nëna e babait nuk trashëgon kur ekziston babai, sepse ajo lidhet me të dhe trashëgon me ekzistencën e gjyshit.
  2. Nëse i vdekuri lë dy prindërit dhe një nga gratë, në këtë rast nëna merr një të tretën nga ç’mbetet pas ndarjes së pjesës së detyruar të njërit prej bashkëshortëve. Nëse në vend të babait është gjyshi, nëna merr një të tretën e tërë trashëgimisë. Kjo quhet edhe rasti i Omerit, sepse Omeri ka gjykuar dhe ka vendosur kështu. Gjithashtu quhet edhe El Guraija për shkak të famës që kjo çështje mori. Këtë vendim e ka kundërshtuar Ibn Abasi që ka thënë: “Nëna merr një të tretën e tërë pasurisë e bazuar në ajetin kuranor: “Nënës së tij i takon një e treta”.
  3. Nëse babai ekziston, ai i pengon nga trashëgimia vëllezërit dhe motrat prej nëne e babai si dhe vëllezërit e motrat prej babai. Këta nuk pengohen nga gjyshi. Ky është medh’hebi i Shafiut, Ebu Jusufit, Muhamedit dhe Malikut.

Ebu Hanife ka thënë: “Ata pengohen nga gjyshi ashtu si pengohen nga babai, sepse s’ka dallim mes tyre”.

Rastet e vëllait prej nëne

Allahu i Lartësuar thotë:

وَإِنْ كَانَ رَجُلٌ يُورَثُ كَلَالَةً أَوْ امْرَأَةٌ وَلَهُ أَخٌ أَوْ أُخْتٌ فَلِكُلِّ وَاحِدٍ مِنْهُمَا السُّدُسُ فَإِنْ كَانُوا أَكْثَرَ مِنْ ذَلِكَ فَهُمْ شُرَكَاءُ فِي الثُّلُثِ

“Nëse i vdekuri, qoftë burrë ose grua, është pa prindër dhe fëmijë, por ka vëlla ose motër (prej nënës), atëherë çdonjërit prej tyre u takon një e gjashta; e nëse ka më shumë nga ata, atëherë marrin pjesë bashkërisht në një të tretën e pasurisë” (En-Nisa, 12).

El Kelala është emërtim i personit që s’ka as baba e as fëmijë, mashkull apo femër. Me vëlla e motër këtu nënkuptohen vëllai dhe motra prej nëne. Nga ajeti del se ata kanë tre raste dhe përfitojnë:

  1. një të gjashtën për një person të vetëm, qoftë mashkull apo femër;
  2. një të tretën për dy dhe më shumë ku meshkujt dhe femrat janë të barabartë;
  3. nuk trashëgojnë asgjë nëse ekziston pasardhësi trashëgues, si p.sh. djali apo djali i djalit dhe as nëse ekziston prejardhja trashëguese mashkull, si p.sh. babai dhe gjyshi. Nëse ekziston nëna apo gjyshja, ata nuk pengohen.

Rastet e bashkëshortit

Allahu i Lartësuar thotë:

وَلَكُمْ نِصْفُ مَا تَرَكَ أَزْوَاجُكُمْ إِنْ لَمْ يَكُنْ لَهُنَّ وَلَدٌ فَإِنْ كَانَ لَهُنَّ وَلَدٌ فَلَكُمْ الرُّبُعُ مِمَّا تَرَكْنَ

“Juve ju takon gjysma e asaj (pasurie) që e lënë gratë e tuaja nëse ato nuk kanë fëmijë. Nëse ato kanë fëmijë, juve ju takon një e katërta nga ajo që ato lënë”. (En-Nisa, 12).

 

Rasti i parë

Ai trashëgon gjysmën nëse nuk ekziston pasardhës trashëgues që është djali e poshtë, vajza, vajza e djalit edhe nëse bie babai i saj, qoftë prej tij apo prej tjetri.

Rasti i dytë: Trashëgon një të katërtën nëse ekziston pasardhësi trashëgues[14].

Rastet e bashkëshortes

Allahu i Lartësuar thotë:

وَلَهُنَّ الرُّبُعُ مِمَّا تَرَكْتُمْ إِنْ لَمْ يَكُنْ لَكُمْ وَلَدٌ فَإِنْ كَانَ لَكُمْ وَلَدٌ فَلَهُنَّ الثُّمُنُ مِمَّا تَرَكْتُمْ

“Atyre (grave) ju takon një e katërta nga ajo që ju lini nëse nuk keni fëmijë. Nëse keni fëmijë, atyre ju takon një e teta nga ajo që lini”. (En-Nisa, 12).

Ky ajet tregon se gruaja ka dy raste:

Rasti i parë: Ajo përfiton një të katërtën kur nuk ekziston pasardhësi trashëgues, qofshin prej saj apo prej ndonjë tjetre.

Rasti i dytë: Përfiton një të tetën kur ekziston pasardhësi trashëgues. Nëse janë më shumë se një grua, ato e ndajnë mes tyre në mënyrë të barabartë një të katërtën apo një të tetën.

Gruaja e divorcuar

Gruaja e ndarë në divorcin e parë rikthyes (raxhi’) trashëgon prej burrit të saj nëse ajo vdes para mbarimit të kohës së pritjes. Hanbelitë shprehen se e divorcuara para marrëdhënies intime apo para veçimit me burrin, aty ku nuk i sheh njeri, trashëgon nga burri i saj nëse ky është në sëmundjen e vdekjes nëse ai vdes nga kjo sëmundje përderisa ajo nuk është martuar me tjetër. Kështu ndodh edhe pas veçimit, përderisa ajo nuk është martuar. Në këtë rast ajo ka për detyrë të mbajë kohën e pritjes për shkak të vdekjes.

Rastet e vajzës së drejtpërdrejtë

Allahu i Lartësuar thotë:

يُوصِيكُمْ اللَّهُ فِي أَوْلَادِكُمْ لِلذَّكَرِ مِثْلُ حَظِّ الْأُنثَيَيْنِ فَإِنْ كُنَّ نِسَاءً فَوْقَ اثْنَتَيْنِ فَلَهُنَّ ثُلُثَا مَا تَرَكَ وَإِنْ كَانَتْ وَاحِدَةً فَلَهَا النِّصْفُ

“Allahu ju urdhëron për trashëgiminë tuaj: mashkullit i takon aq sa pjesa e dy femrave; nëse trashëgimtarë janë dy e më tepër femra, atyre u takojnë dy të tretat nga trashëgimia; nëse është një femër – i takon gjysma e pasurisë; (En-Nisa, 11).

Ky ajet tregon se vajza e drejtpërdrejtë përfiton në tre raste:

Rasti i parë: Ajo përfiton gjysmën nëse është vetëm.

Rasti i dytë: Dy të tretat nëse janë dy ose më shumë dhe me to nuk ekziston ndonjë djalë apo më shumë.

Ibn Kudama ka thënë: “Tërë dijetarët kanë rënë dakord se pjesa e dy vajzave është dy të tretat përveç një transmetimi jo të fortë nga Ibn Abasi. Ibn Rushdi ka thënë se nga Ibn Abasi njihet se ka thënë sikurse shumica e dijetarëve.

Rasti i tretë: Ajo trashëgon me afrimitet nëse me të ekziston një djalë apo më shumë. Në këtë rast, mashkulli merr sa dy pjesë të femrës. E njëjta gjë aplikohet nëse numri i vajzave apo i djemve është më shumë se një.

Rastet e motrës prej nëne e babai

Allahu i Lartësuar thotë:

يَسْتَفْتُونَكَ قُلْ اللَّهُ يُفْتِيكُمْ فِي الْكَلَالَةِ إِنْ امْرُؤٌ هَلَكَ لَيْسَ لَهُ وَلَدٌ وَلَهُ أُخْتٌ فَلَهَا نِصْفُ مَا تَرَكَ وَهُوَ يَرِثُهَا إِنْ لَمْ يَكُنْ لَهَا وَلَدٌ فَإِنْ كَانَتَا اثْنَتَيْنِ فَلَهُمَا الثُّلُثَانِ مِمَّا تَرَكَ وَإِنْ كَانُوا إِخْوَةً رِجَالًا وَنِسَاءً فَلِلذَّكَرِ مِثْلُ حَظِّ الْأُنثَيَيْنِ

“Ata kërkojnë nga ti (Muhamed) gjykim (për dikë që vdes pa pasur trashëgimtarë). Thuaju: “Allahu ju udhëzon juve për një njeri të tillë. Nëse një burrë vdes pa pasur fëmijë (dhe prindër), ndërkohë që ka një motër, atëherë asaj i takon gjysma e trashëgimisë. Në qoftë se një grua vdes pa pasur fëmijë (dhe prindër), atëherë vëllai i saj është i vetmi që do ta trashëgojë. Në qoftë se një burrë pa fëmijë (dhe prindër) ka dy motra, atëherë ato do të trashëgojnë dy të tretat e pasurisë; por, nëse ai ka edhe vëllezër edhe motra, atëherë mashkullit i takon trashëgim sa pjesa e dy femrave”. (En-Nisa, 176).

 

Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Motrat vërini së bashku me vajzat mbështetëse”.[15] Motra prej nëne e babai ka pesë raste dhe përfiton:

  1. Gjysmën kur është vetëm një nëse me të nuk ekziston asnjë djalë apo djalë fëmije, as babai, as gjyshi dhe as vëlla prej nëne e babai.
  2. Dy të tretat për dy motra e më shumë nëse mungojnë meshkujt.
  3. Nëse me to është një vëlla prej nëne e babai e nuk ekzistojnë ata që përmendëm më sipër, ai i mbulon ato dhe merr sa dy pjesë të femrave.
  4. Ato kthehen në mbështetëse (asaba) me vajzat ose vajzat e djalit dhe marrin pjesën e mbetur pas pjesës së vajzave apo vajzave të djalit.
  5. Ato bien poshtë me ekzistencën e pasardhësit trashëgues mashkull, si p.sh. djali dhe djali i tij, e paraardhësit trashëgues mashkull si babai, me konsensus, dhe gjyshin tek Ebu Hanife ndryshe nga Ebu Jusufi dhe Muhamedi. Sqarimi i këtij diskutimi është përmendur më parë.

Rastet e motrave prej babai

Motrat prej babai kanë gjashtë raste:

  1. Nëse është një e vetme e s’ka vëlla prej babai apo motër prej nëne e babai, ajo merr gjysmën.
  2. Nëse janë dy apo më shumë marrin dy të tretat.
  3. Një të gjashtën nëse është vetëm me një motër prej nëne e babai, plotësim i dy të tretave.
  4. Trashëgojnë me afrimitet me të tjerë kur është një apo më shumë dhe bashkë me to është edhe një vëlla prej babai. Në këtë rast mashkulli merr sa dyfishi i femrës.
  5. Trashëgojnë me afrimitet bashkë me të tjerë nëse me njërën apo më shumë është një vajzë apo vajzë e djalit. Në këtë rast ato marrin pjesën që mbetet pas ndarjes së pjesës së vajzës apo vajzës së djalit.
  6. Ato bien nga trashëgimia në rastet e mëposhtme:
  7. me ekzistencën e paraardhësit ose pasardhësit mashkull trashëgues;
  8. Me ekzistencën e vëllait prej nëne e babai;
  9. Me ekzistencën e motrës prej nëne e babai, nëse ajo mbështetet me vajzën ose vajzën e djalit sepse ajo në këtë rast ajo zë pozitën e vëllait prej nëne e babai. Ajo ka përparësi ndaj vëllait prej babai dhe motrës prej babai kur ajo mbështetet me të tjerë.
  10. Me ekzistencën e dy motrave prej nëne e babai vetëm nëse me to, në gradën e tyre, është një vëlla prej babai i cili i mbulon ato. Pjesa e mbetur ndahet mes tyre ku mashkulli merr dyfishin e femrave.

Nëse i vdekuri lë pas dy motra nga nëna e babai, motra nga babai dhe një vëlla nga babai, dy motrat prej nëne e babai marrin dy të tretat dhe pjesa e mbetur ndahet mes motrave dhe vëllait prej babai, ku mashkulli merr dyfishin e femrave.

Rastet e vajzave së djalit

Vajzat e djalit kanë pesë raste

  1. Nëse është vetëm dhe nuk ekziston djali i vërtetë merr gjysmën.
  2. Kur janë dy e më shumë marrin dy të tretat kur nuk ekziston djali i vërtetë.
  3. Nëse është një apo më shumë marrin një të gjashtën së bashku me vajzën e drejtpërdrejtë si plotësim i dy të tretave vetëm nëse me to është edhe një djalë në nivelin e tyre i cili i mbulon ato dhe marrin së bashku. Kështu, pjesa e mbetur pas pjesës së vajzës së drejtpërdrejtë ndahet mes tyre ku mashkulli merr dyfishin e femrave.
  4. Vajzat e djalit nuk trashëgojnë kur ekziston djali i drejtëpërdrejtë.
  5. Vajzat e djalit nuk trashëgojnë kur ekzistojnë dy apo më shumë vajza të drejtëpërdrejta vetëm nëse me to ekzsiton një djalë djali[16] në nivelin e tyre apo më poshtë se ato një shkallë i cili në këtë rast i mbulon dhe trashëgojnë prej tij.

Rastet e nënës

Allahu i Lartësuar thotë :

وَلِأَبَوَيْهِ لِكُلِّ وَاحِدٍ مِنْهُمَا السُّدُسُ مِمَّا تَرَكَ إِنْ كَانَ لَهُ وَلَدٌ فَإِنْ لَمْ يَكُنْ لَهُ وَلَدٌ وَوَرِثَهُ أَبَوَاهُ فَلِأُمِّهِ الثُّلُثُ فَإِنْ كَانَ لَهُ إِخْوَةٌ فَلِأُمِّهِ السُّدُسُ

“Për çdonjërin prind të të vdekurit – u përket një e gjashta nga pasuria e trashëguar, nëse i vdekuri ka lënë fëmijë; e nëse nuk ka fëmijë, e trashëgojnë prindërit dhe nënës i bie një e treta; nëse i vdekuri ka vëllezër, nënës së tij i bie një e gjashta” (En-Nisa, 11).

Nëna ka tre raste:

  1. Merr një të gjashtën nëse me të ekziston një djalë apo djalë djali, dy vëllezër apo motra, qofshin këta nga ana e babait dhe nënës apo vetëm nga ana e babait vetëm apo vetëm nga ana e nënës.
  2. Merr një të tretën e tërë pasurisë nëse nuk ekziston ndonjë nga ata që u përmendën më lart.
  3. Merr një të tretën e mbetur kur nuk ekzistojnë ata që u përmendën më lart pas marrjes së njërit prej bashkëshortëve pjesën e tyre. Kjo ndahet në dy çështje të quajtura El Guraija.

E para : në rastin kur gruaja lë pas vetes burrin dhe dy prindërit

E dyta : kur burri lë gruan dhe dy prindërit

Rastet e gjysheve

Transmetohet nga Kubejsa ibën Zuejb që ka thënë: “Një gjyshe i shkoi Ebu Bekrit dhe e pyeti për pjesën e saj të trashëgimisë. Ai i tha: “S’ka gjë pë ty në Librin e Allahut. As në Sunetin e Profetit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) nuk di që ti të kesh gjë. Kthehu derisa të pyes njerëzit”. Kështu ai pyeti shokët e tij. Mugira ibën Shu’ba i tha: “Kam qenë i pranishëm kur Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) i dha gjyshes një të gjashtën”. Ebu Bekri e pyeti: “A dëshmon kush për këtë që the?” Atëherë u ngrit Muhamed ibën Mesleme El Ensari dhe tha të njëjtën gjë që tha edhe Mugira ibën Shu’ba. Kështu, Ebu Bekri i dha asaj në bazë të këtij hadithi. Më pas një tjetër gjyshe i shkoi Omerit dhe e pyeti për pjesën e saj të trashëgimisë e ai i tha: në librin e Allahut nuk ka gjë për ty porse ja ku është një e gjashta, nëse jeni dy gjyshe, kjo pjesë ndahet mes juve të dyjave e cila prej jush është e vetme, kjo është e saj”.[17] Transmetojnë të pestë veç Nesaiut. Këtë transmetim e saktëson edhe Tirmidhiu.

Gjyshet e vërteta[18] kanë tre raste:

  1. Atyre u takon një e gjashta ku, nëse është një, e merr ajo të tërën e nëse janë më shumë, marrin të tëra pjesë në të por me kusht të ekzistojë barazia në nivel, si p.sh. nëna e nënës dhe nëna e babait.
  2. Gjyshja e afërt, nga cilado anë qoftë, e pengon të largëtën, si p.sh. nëna e nënës pengon nënën e nënës së nënës, gjithashtu edhe nënën e babait të babait.
  3. Gjyshet, nga cilado anë qofshin, bien poshtë me nënën. Gjithashtu gjyshja që është nga ana e babait bie me babain por me të nuk bie ajo që është nga ana e nënës. Gjyshi gjithashtu pengon nënën e vet, sepse ajo lidhet me anë të tij me të vdekurin.

El Asaba

Përkufizim

Asaba do të thotë lidhje e fortë. Ata janë bijtë e personit dhe të afërmit e tij nga ana e babait. Janë quajtur kështu, sepse ata shtrëngojnë fort njëri-tjetrin.

Kjo fjalë vjen nga shprehja arabe asaba – njerëz që janë bashkë dhe të lidhur me njëri-tjetrin. Djali dhe babai janë linja vertikale, ndërsa vëllai dhe xhaxhai janë linja horizontale. Me asaba nënkuptohen personat që marrin pjesën e mbetur nga trashëgimia, pasi trashëgimtarët që kanë pjesë të caktuara (As’hab El Faraid), të kenë marrë pjesën e tyre. Nëse, pas kësaj nuk mbetet më gjë, atëherë këta nuk marrin asgjë, me përjashtim të rastit kur një nga pjesëtarët e asaba-s është i biri i të vdekurit. Ai nuk privohet në asnjë rast nga trashëgimia.

El Asaba janë edhe ata që përfitojnë nga tërë trashëgimia nëse nuk ka asnjë person i cili merr me detyrim. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ibn Abasi se Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Jepuni personave pjesën e detyruar që u takon[19], ndërsa pjesa që mbetet, i jepet mashkullit më të afërt”[20].[21]

Transmetohet nga Ebu Hurejra se Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “S’ka besimtar që unë mos të jem më i afërt për të në jetën e kësaj bote dhe në ahiret. Lexoni po të doni:

النَّبِيُّ أَوْلَى بِالْمُؤْمِنِينَ مِنْ أَنْفُسِهِمْ

“I Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri-tjetrin”. (El-Ahzab, 6).

Cilido besimtar që vdes dhe lë pas vetes pasuri, le ta trashëgojnë meshkujt e familjes nga ata që janë. Kush lë borxh apo fëmijë pa asnjë pasuri, le të më vijë mua se unë jam kujdestari i tij”.[22]

Llojet e tyre:

Ata ndahen në dy grupe :

  1. të afërm sipas gjakut 2. të afërm prej ndonjë shkaku

Të afërmit prej gjaku

Këta janë tre llojesh:

  1. me veten e tyre 2. prej të tjerëve 3. me të tjerë

Afërsia me veten e tyre

Çdo mashkull që në lidhjen e tij me të vdekurin nuk hyn asnjë femër. Ata kufizohen në këto katër lloje:

  1. djemtë që quhen pjesë e të vdekurit;
  2. baballarët që quhen baza e të vdekurit;
  3. vëllezërit që quhen pjesë e babait;
  4. xhaxhallarët që quhen pjesë e gjyshit;

Afërsia prej të tjerëve

Femrat të cilat marrin detyrimisht gjysmën në rast se janë të vetme, dy të tretat nëse ka një motër apo më tepër, e nëse me të apo me to është një vëlla, atëherë të tëra mbulohen me të (asaba). Këta janë katër llojesh:

  1. vajza ose vajzat;
  2. vajza ose vajzat e djalit;
  3. motra ose motrat prej nëne e babai;
  4. motrat ose motrat prej babai.

Secili nga këta katër grupe formojnë afrimitet (asaba) prej të tjerëve që është vëllai. Në këtë rast, trashëgimia ndahet mes tyre, ku mashkulli merr dyfishin e femrës[23].

Afërsia me të tjerë

Çdo femër që ka nevojë për një tjetër femër për t’u bërë e afërt (asaba). Kjo lloj afërsie kufizohet vetëm në dy femra që janë:

  1. Motra apo motrat prej nëne e babai me vajzën apo vajzat e djalit.
  2. Motra apo motrat prej babai me vajzën apo vajzat e djalit. Ato marrin pjesën që mbetet nga trashëgimia pas ndarjes së pjesëve të detyrueshme.

Mënyra e ndarjes së trashëgimisë së të afërmëve me veten e tyre

Në kapitullin e mëparshëm u përmend mënyra e trashëgimisë së të afërmëve prej të tjerëve dhe të afërmve me të tjerët. Ndërsa mënyra e trashëgimisë së të afërmve (asaba) me veten e tyre është si më poshtë:

Të afërmit me veten e tyre janë katër grupe dhe trashëgojnë sipas renditjes së mëposhtme:

  1. Djemtë, që përfshijnë djemtë, djemtë e djemve e poshtë.
  2. Nëse nuk ekziston ana e djemve, trashëgimia apo ajo që mbetet kalon në anën e baballarëve që përfshin babain, gjyshin e vërtetë e sipër.
  3. Nëse nuk ekziston asnjë i gjallë nga ana e baballarëve që meriton trashëgiminë apo atë që mbetet prej saj, trashëgimia kalon në anën e vëllazërisë që përfshin vëllezërit prej nëne e babai, vëllezërit prej babai, fëmijët e vëllait prej nëne e babai dhe fëmijët e vëllait prej babai e ata që zbresin prej të dyve.
  4. Nëse nuk ka asnjë të gjallë nga kjo anë, trashëgimia apo ajo që mbetet prej saj kalon në anën e xhaxhallarëve pa dallim mes xhaxhallarëve të vetë të vdekurit apo xhaxhallarëve të babait apo gjyshit të tij. Xhaxhallarët e vetë të vdekurit kanë përparësi ndaj xhaxhallarëve të babait dhe këta ndaj xhaxhallarëve të gjyshit e kështu me radhë. Nëse ekzistojnë disa persona nga i njëjti nivel, më të drejtë për trashëgiminë ka ai që është më i afërt me të vdekurin. Nëse ekzistojnë disa persona që kanë të njëjtën lidhje me të vdekurin sipas anës dhe nivelit, më të drejtë për trashëgiminë ka ai që e ka afërsinë më të fortë. Nëse i vdekuri lë persona të barabartë në lidhjen e tij me ta sipas anës, nivelit dhe forcës së lidhjes, ata e meritojnë të tërë trashëgiminë në mënyrë të barabartë sipas numrit të tyre. Ky është edhe kuptimi i thënies së juristëve: “Paraprirja në afërsinë (asaba) me veten e tyre merret sipas anës, nëse janë të njëjtë sipas nivelit, nëse janë të barabartë sipas forcës e nëse janë të njëjtë në nivel, anë dhe forcë, e meritojnë të gjithë trashëgiminë në mënyrë të barabartë e ajo ndahet sipas numrit të tyre”.

Afërsia (asaba) prej ndonjë shkaku

I afërmi prej ndonjë shkaku është skllavi i liruar, mashkull qoftë apo femër. Nëse nuk ekziston një i tillë, trashëgimia i takon të afërmve të tij meshkuj.

Pengimi dhe privimi

Kuptimi i pengesës

Me të nënkuptohet pengimi i një personi të caktuar nga e tërë apo një pjesë e trashëgimisë së tij për shkak të ekzistencës së një personi tjetër.

Privimi: me të nënkuptohet ndalimi i një personi të caktuar nga trashëgimia e tij për shkak të vërtetimit të ndonjë prej pengesave të trashëgimisë, si p.sh. vrasja.

Llojet e pengesës

Pengesa është dy llojesh:

  1. pengesë pakësuese;
  2. pengesë privuese

Pengesa pakësuese është pakësimi i trashëgimisë së ndonjërit prej trashëgimtarëve për shkak të ekzistencës së një tjetri. Kjo bie mbi pesë persona:

–       burrit i pakësohet trashëgimia nga gjysma në një të katërtën kur ekziston fëmija;

–       gruas i pakësohet trashëgimia nga një e katërta në një të tetën kur ekziston fëmija;

–       nënës i pakësohet trashëgimia nga një e treta në një të gjashtën kur ekziston pasardhësi trashëgues;

–       vajza e djalit;

–       motra prej babai;

Ndërsa pengesa privuese është ndalimi i tërë trashëgimisë ndaj një personi për shkak të ekzistencës së një tjetri, si p.sh. ndalimi i trashëgimisë së vëllait kur ekziston djali. Ky lloj nuk hyn në trashëgiminë e gjashtë personave trashëgues edhe pse pengesa e pakësimit mund të hyjë në to. Ata janë:

1, 2. prindërit: babai dhe nëna ;

3, 4. fëmijët: djali dhe vajza ;

5, 6. bashkëshortët: burri dhe gruaja.

Ndërkohë, në të tjerë trashëgues kjo pengesë privuese mund të ndikojë. Kjo lloj pengese mbahet mbi dy baza:

  1. Cilido person që lidhet me të vdekurin me anë të një personi, nuk trashëgon nëse ekziston ky person si p.sh. djali i djalit. Ky nuk trashëgon nëse ekziston djali përveç fëmijët e nënës të cilët trashëgojnë së bashku me nënën e tyre edhe pse ata lidhen me të vdekurin nëpërmjet saj.
  2. Përparësi i jepet më të afërmit ndaj më të largëtit. Kështu, djali e pengon djalin e vëllait të tij. Nëse janë të njëjtë në nivel, bazohet në forcën e afërsisë, si p.sh. vëllai prej nëne e babai e pengon vëllanë prej babai

Dallimi mes të privuarit dhe të penguarit

Dallimi mes tyre duket qartë në dy pikat e mëposhtme:

  1. I privuari nuk e ka fare të drejtën e trashëgimisë, si p.sh. vrasësi ndryshe nga i penguari i cili ka të drejtën e trashëgimisë, porse është penguar për shkak të ekzistencës së një tjetër personi që ka përparësi ndaj tij.
  2. I privuari nga trashëgimia nuk ndikon tek të tjerët dhe nuk pengon kënd, porse konsiderohet sikurse nuk ekziston. Nëse vdes një person dhe lë një fëmijë jobesimtar dhe një vëlla musliman, trashëgimia i takon e tëra vëllait e të birit nuk i takon asgjë.

Ndërsa i penguari ndoshta mund të ndikojë tek të tjetërt pasi mund të pengojë, qoftë pengesë privimi apo pengesë pakësimi. Dy apo më shumë vëllezër me ekzistencën e babait dhe nënës nuk trashëgojnë për shkak të ekzistencës së babait porse ata e pengojnë nënën dhe ia pakësojnë pjesën nga një e treta në një të gjashtën.

Shtimi apo pakësimi i pjesës (El Aul)

Përkufizim

El Aul në gjuhën arabe do të thotë ngritje, por edhe mund të vijë me kuptimin anim kah padrejtësia, siç është edhe ajeti kuranor:

ذَلِكَ أَدْنَى أَلَّا تَعُولُوا

“Kjo është më e pakta që të mos gaboni” (En-Nisa, 3).

Tek juristët, me fjalën El-Aul kuptohet shtimi apo pakësimi i pjesëve të caktuara të trashëgimisë të personave që marrin pjesë të caktuara.

Transmetohet se çështja e parë në të silën është përdorur kjo mënyrë i është paraqitur Omerit (radijAll-llahu anhu). Ai vendosi të pakësohej pjesa e burrit dhe dy motrave dhe i tha sahabëve që ishin me të: “Nëse e filloj me burrin dhe dy motrat nuk do t’i mbetet tjetrit asgjë. Më këshilloni”.[24] Abas ibën Abdul Mutalibi e këshilloi të merrte për bazë pakësimin. Thuhet se këtë e ka bërë Aliu (radijAll-llahu anhu) dhe thuhet Zejd ibën Thabiti.

Çështje të kësaj teme

  1. Një grua vdiq e la pas burrin, dy motra prej nëne e babai, dy motra nga nëna dhe nënën. Kjo çështje quhet edhe si Çështja Shurejhija, sepse i shoqi qortoi Shurejhin, gjykatësin e njohur, sepse ai i kishte dhënë në vend të gjysmës tre të dhjetat. Ai filloi të bridhte nëpër fise duke thënë: “Shurejhi nuk më dha as gjysmën e as një të tretën. Kur Shurejhi e mori vesh këtë, e arrestoi, e ndëshkoi dhe i tha: Fole keq dhe fshehe aulin (pakësimin e pjesës)”.
  2. Një burrë vdiq dhe la pas gruan, dy vajza, babanë dhe nënën. Kjo çështje quhet minberija, sepse Aliu (radijAll-llahu anhu) ishte mbi minberin e Kufes duke thënë në ligjëratë: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili gjykon me të drejtë dhe shpërblen çdo njeri për atë që bën, tek Ai do të kthehemi. Pikërisht aty ai u pyet për këtë çështje dhe ai u përgjigj me rimën e ligjëratës: një e teta e gruas bëhet një e nëntë, pastaj vazhdoi pjesën tjetër të ligjëratës”.[25]

Çështjet në të cilat mund të hyjë auli janë ato që kanë për emërues numrat: 6, 12 dhe 24.

Gjashta mund të bëhet shtatë, tetë, nëntë, dhjetë dhe dymbëdhjeta mund të bëhet trembëdhjetë, pesëmbëdhjetë ose shtatëmbëdhjetë. Njëzet e katra mund të bëhet njëzet e shtatë. Ndërsa çështjet në të cilat nuk mund të hyjë auli janë ato që kanë për emërues numrat: 2, 3, 4 dhe 8.

Mënyra e zgjidhjes së çështjeve të aulit:

Duhet të dihet emëruesi e çështjes dhe pjesët që i takon secilit person që merr pjesë të caktuara. Emëruesi të mos llogaritet ndërsa pjesët e tyre të mblidhen, shuma e dalë të bëhet emërues dhe pastaj trashëgimia të ndahet mbi këtë emërues. Në këtë mënyrë, secilit do t’i pakësohet pjesa në bazë të numrit të pjesëve që i takojnë. Kështu evitohet padrejtësia. Shembull kemi kur një grua vdes e lë burrin dhe dy motra prej nëne e babai. Emëruesi i përbashkët i kësaj çështjeje është gjashtë: burri i takon gjysma që është tre dhe dy motrave dy të tretat që është katër. Shuma është shtatë e mbi këtë emërues ndahet trashëgimia.

Rikthimi (Er-rad)

Përkufizim

Ai ka kuptimin kthim, pra kujt i kthen të drejtën dikujt. Merr edhe kuptimin zbrapsje. Tek juristët, me këtë kuptohet dhënia e pjesës që mbetet nga ndarja e pjesëve të detyrueshme vetë trashëgimtarëve kur nuk ka kush tjetër që meriton prej saj.

Bazat e saj

Kthimi nuk mund të realizohet, përveçse nëse sigurohen tre shtylla:

  1. ekzistenca e personit që merr pjesë të caktuar;
  2. mbetja e diçkaje nga trashëgimia;
  3. mosekzistenca e të afërmit (asib);

Mendimet e dijetarëve për këtë çështje

Rreth kësaj çështje nuk ka ardhur asnjë tekst ku mund të bazohet. Për këtë arsye dijetarët kanë diskutuar.

Disa prej tyre kanë shprehur moskthimin e saj tek asnjëri nga personat që marrin pjesë të caktuar. Pjesa që mbetet pasi ata marrin pjesët e tyre i jepet buxhetit të shtetit nëse nuk ekziston i afërmi që merr pjesën që mbetet[26].

Disa të tjerë kanë thënë se mund t’i kthehet personave që marrin pjesë të caktuar deri edhe bashkëshortët sipas pjesëve që u takon[27].

Disa të tjerë kanë thënë se ajo u kthehet tërë personave që marrin pjesë të caktuar përveç bashkëshortëve, babait dhe gjyshit. Kështu, ajo u kthehet tetë personave:

  1. vajzës; 2. vajzës së djalit; 3. motrës prej nëne e babai; 4. motrës prej babai; 5. nënës; 6. gjyshes; 7. vëllait prej nëne; 8. motrës prej nëne.

Ky është edhe mendimi i zgjedhur dhe medh’hebi i Omerit, Aliut dhe shumicës së sahabëve dhe tabi’inëve, medh’hebi i Ebu Hanifes dhe Ahmedit dhe mendimi bazë tek Shafitë dhe disa prej dijetarëve Malikitë në rast se institucioni i buxhetit të shtetit është i korruptuar. Ata kanë thënë se ajo pjesë nuk i kthehet bashkëshortëve, sepse kthimi meritohet me anë të lidhjes së gjakut dhe ata të dy nuk e kanë këtë lidhje nga ana e martesës. Nuk i kthehet babait dhe as gjyshit se kthimi nuk bëhet vetëm në rast se nuk ekziston i afërmi (asib) por secili – babai dhe gjyshi – janë të afërm (asib) që marrin pjesën e mbetur. Kështu ata e marrin pjesën e mbetur me afërsi dhe jo me rikthim (Er- Rad).

Mënyra e zgjidhjes së çështjes së rikthimit

Në rast se me personat që marrin pjesë të caktuara ekziston ndonjë nga ata që nuk mund t’u kthehet, si p.sh. njëri prej bashkëshortëve, ai e merr pjesën e tij të caktuar të llogaritur nga trashëgima. Pjesa e mbetur pas ndarjes i kthehet personave të tjerë që marrin pjesë të caktuar sipas numrit të tyre, nëse janë një lloj i vetëm, është vetëm një i vetëm si p.sh. një vajzë apo disa, si p.sh. disa vajza. Nëse janë më shumë se një lloj, si p.sh. nënë dhe vajzë, atëherë pjesa e mbetur ndahet mes tyre në bazë të pjesës së caktuar që i takon dhe nëse mbetet diçka, ajo i rikthehet po atyre mbi po të njëjtën bazë.

Nëse me personat që marrin pjesë të caktuar nuk ekziston njëri prej bashkëshortëve, pjesa e mbetur pas ndarjes së pjesëve të caktuara u kthehet atyre sipas numrit nëse janë një lloj i vetëm, është një apo më shumë. Nëse janë më shumë se një lloj, pjesa e mbetur u kthehet atyre sipas pjesës së caktuar që u takon. Kështu, pjesa e secilit person që merr detyrimisht është rritur në përpjestim me pjesën që i takon. Në tërësi, ai ka përfituar pjesën e caktuar si dhe shtesën.

Të afërmit e tjerë

Të afërmit e tjerë, janë çdo i afërm i cili nuk merr as pjesë së caktuar (fard) e as pjesën që mbetet.

Për trashëgiminë e tyre juristët kanë patur diskutime.

Maliku dhe Shafiu kanë thënë që ata nuk marrin trashëgimi dhe pasuria i kthehet buxhetit të shtetit. Ky është edhe mendimi i Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit, Zejdit, Zuhrit, Euzait dhe Daudit. Ebu Hanife dhe Ahmedi shprehen se ata trashëgojnë. Kjo gjë tregohet edhe nga Aliu, Ibn Abasi dhe Ibn Mes’udi në rast se nuk gjenden persona që trashëgojnë pjesë të caktuara dhe ata që marrin pjesën e mbetur. Ndërsa sipas Said ibën Musejeb, daja trashëgon bashkë me vajzën.

Nëse nuk ekziston ndonjë nga të afërmit lidhës (asaba) me prejardhje dhe as trashëgimtarë të drejtpërdrejtë që marrin pjesë të caktuara, e tërë trashëgimia ose ajo që mbetet i takon të afërmve të tjerë.

Këta të afërm janë katër llojesh, ku disa kanë përparësi ndaj të tjerëve në trashëgimi. Ata renditen si më poshtë:

Lloji i parë: Fëmijët e vajzave dhe pasardhësit e tyre; fëmijët e vajzave të linjës së djalit.

Lloji i dytë: Gjyshi e gjyshja nga nëna dhe paraardhësit e tyre.

Lloji i tretë: Djemtë e vëllezërve prej nëne, fëmijët e tyre sado të zbresin, fëmijët e motrave prej nëne e babai apo prej njërit prej tyre sado të zbresin, vajzat e vëllezërve prej nëne e babai apo prej njërit prej tyre sado të zbresin, vajzat e djemve të vëllezërve prej nëne e babai apo prej babai sado të zbresin dhe fëmijët e tyre sado të zbresin.

Lloji i katërt: Ky lloj përfshin gjashtë grupe, ku këta kanë përparësi ndaj njëri-tjetrit në trashëgimi sipas rënditjes së mëposhtme:

  1. Xhaxhallarët e të vdekurit prej nëne, hallat, dajat dhe tezet e tij prej nëne e babai apo njërit prej tyre.
  2. Fëmijët e atyre që u përmendën më lart dhe pasardhësit e tyre. Vajzat e xhaxhallarëve të të vdekurit prej nëne e babai apo prej babai, vajzat e djemve të tyre sado të zbresin dhe fëmijët e këtyre vajzave sado të zbresin.
  3. Xhaxhallarët e babait të të vdekurit prej nëne, hallat, dajat dhe tezet e tij prej nëne e babai apo njërit prej tyre. Xhaxhallarët e nënës së të vdekurit, hallat, dajat dhe tezet e saj prej nëne e babai apo njërit prej tyre.
  4. Fëmijët e atyre që u përmendën më lart sado të zbresin. Vajzat e xhaxhallarëve të babait të të vdekurit prej nëne e babai apo prej babai dhe vajzat e djemve të tyre sado të zbresin. Fëmijët e këtyre vajzave që u përmendën sado të zbresin.
  5. Xhaxhallarët e babait të babait të të vdekurit nga nëna, xhaxhallarët e babait të nënës së të vdekurit dhe hallat, dajat dhe tezet e atyre të dyve prej nëne e babai apo njërit prej tyre. Xhaxhallarët e nënës së nënës së të vdekurit dhe nënës së babait të tij, hallat, dajat dhe tezet e tyre të dyve prej nëne e babai apo njërit prej tyre.
  6. Fëmijët e atyre që u përmendën më lart sado të zbresin, vajzat e xhaxhallarëve të babait të babait të të vdekurit prej nëne e babai apo vetëm prej babai, vajzat e djemve të tyre sado të zbresin, fëmijët e atyre vajzave që u përmendën këtu sado të zbresin.

Pika e parë: Në llojin e parë të të afërmve, të parët në trashëgimi janë ata që janë më afër me të vdekurin në shkallë afërsie. Nëse janë të barabartë në shkallë afërsie, fëmija e personit që merr pjesë të caktuar (fard) ka përparësi ndaj fëmijës së të afërmve të tjerë. Nëse përsëri janë të barabartë në shkallë afërsie dhe mes tyre nuk ka fëmijë të personit që merr pjesë të caktuar apo të tërë lidhen me këtë person, atëherë të tërë marrin pjesë në trashëgimi.

Pika e dytë: Në llojin e dytë të të afërmve, përparësi në trashëgimi ka ai që është më i afërti me të vdekurin. Nëse të tërë personat e llojit janë të barabartë në shkallë, përparësi ka ai që lidhet me personin që merr pjesë të caktuar. Nëse janë të barabartë dhe nuk ka mes tyre person që lidhet me personin që merr pjesë të caktuar, apo të tërë lidhen me këtë person, atëherë: nëse kanë të njëjtën rang afërsie p.sh. të jenë të tërë nga ana e babait, marrin të tërë pjesë në trashëgimi. Nëse dallojnë, atëherë të afërmit nga babai marrin dy të tretat dhe të afërmit nga nëna marrin një të tretën.

Pika e tretë: Në llojin e tretë të të afërmve, përparësi në trashëgimi kanë ata që janë më afërm me të vdekurin për nga shkalla e afërsisë. Nëse janë të barabartë në shkallë dhe mes tyre ka ndonjë fëmijë të ndonjë lidhësi (asib), atëherë ky ka më përparësi ndaj fëmijës së të afërmit. Përndryshe, përparësia i jepet atij që ka lidhjen më të fortë me të vdekurin. Kush e ka lidhjen me anë të babait dhe nënës ka më përparësi se ai që lidhet vetëm me anë të babait, e kush lidhet me anë të babait ka më përparësi ndaj atij që lidhet vetëm me anë të nënës. Nëse janë të barabartë në shkallë dhe në forcën e afrimitetit, marrin të tërë pjesë në trashëgimi.

Pika e katërt: Në grupin e parë të llojit të katërt, grupi i babait, që janë xhaxhallarët e të vdekurit nga nëna dhe grupi i nënës që janë dajallarët dhe tezet, nëse njëri prej tyre është i vetëm, atëherë përparësi i jepet atij që ka afërsinë më të fortë. Kush lidhet me anë të dy prindërve, ai ka më përparësi ndaj atij që lidhet vetëm me anë të babait e ai që lidhet me anë të babait ka më përparësi ndaj atij që lidhet me anë të nënës. Nëse janë të barabartë në afërsi, marrin të tërë pjesë në trashëgimi. Nëse të dy grupet bashkohen, pra të babait dhe nënës, të afërmit nga babai marrin dy të tretat dhe të afërmit nga nëna marrin një të tretën. Pjesa e secilit ndahet siç është përmendur më sipër. Dispozitat e kësaj çështjeje zbatohen edhe për grupin e tretë dhe të pestë të llojit të katërt.

Pika e pestë: Në grupin e dytë të llojit të katërt, përparësi i jepet më të afërmit në shkallë afërsie ndaj më të largëtit, edhe nëse dallon nga rangu. Nëse janë të barabartë në shkallë afërsie apo në rang, nëse janë fëmijë lidhësi (asib) apo fëmijë të ndonjë të afërmi, përparësi i jepet më të afërmit. Nëse dallojnë, përparësi i jepet fëmijës së lidhësit ndaj të afërmit tjetër. Nëse rangu ndryshon, dy të tretat i marrin të afërmit nga babai dhe një të tretën të afërmit nga nëna. Pjesa e secilit ndahet siç është përshkruar më parë dhe dispozitat e kësaj pike zbatohen edhe në grupin e katërt dhe të gjashtë të llojit të katërt.

Pika e gjashtë: Llojshmëria e anëve të lidhjes nuk ndikon në trashëgimtarin që është prej të afërmve vetëm në rast se ndryshon rangu, pra a lidhet me anë të babait apo nënës.

Pika e shtatë: Në ndarjen e trashëgimisë mes të afërmve, mashkullit i jepet sa dyfishi i femrave.

Shtatëzënia

Me të nënkuptohet fëmija që ende është në barkun e nënës. Këtu do të flitet për të për sa i përket lidhjes së tij me trashëgiminë si dhe për periudhën e shtatëzënisë.

Dispozita e tij në trashëgimi

Fëmija ose mund të shkëputet nga nëna e tij, ose të mbetet në barkun e nënës. Në secilin rast ai ka dispozita të veçanta që do i përmendim si më poshtë:

Fëmija kur shkëputet nga nëna e tij

Kur fëmija shkëputet nga nëna e tij, mund të dalë ose i gjallë, ose i vdekur. Nëse lind i vdekur, ai ose ka lindur pa shkak agresioni ndaj nënës së tij, ose për shkak të agresionit. Nëse lind i gjallë, mund të trashëgojë apo të trashëgohet nga të tjerët, sepse transmetohet nga Ebu Hurejra se Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nëse fëmija lind i gjallë, ai trashëgohet”.[28]

Shenjat e jetës janë zëri, frymëmarrja, teshtima etj.

Ky është mendimi i Theurit, Euzait, Shafiut dhe shokëve të Ebu Hanifes.

Nëse foshnja lind i vdekur pa shkak agresioni ndaj nënës së tij, ai, me konsensus, as nuk trashëgon e as nuk trashëgohet.

Sipas Hanefive, nëse foshnja lind i vdekur për shkak të agresionit ndaj nënës së tij, ai trashëgon dhe trashëgohet.

Ndërsa sipas Shafive, Hanbelive dhe Malikut, nëse foshnja lind i vdekur për shkak të agresionit ndaj nënës së tij, ai nuk trashëgon asgjë porse i takon vetëm pagimi i gjakut të tij (gurra) si domosdoshmëri. Prej tij nuk trashëgohet gjë tjetër veç kësaj shume. Atë e trashëgojnë tërë ata që mund të trashëgojnë prej tij.

Lejth ibën Sa’d dhe Rabia ibën Abdurrahman mendojnë se fetusi, nëse lind i vdekur për shkak agresioni ndaj nënës së tij, ai as nuk trashëgohet e as nuk trashëgon, porse nëna e tij merr pagesën e gjakut të tij. Këtë e merr vetëm ajo sepse agresioni ra mbi një pjesë të saj, që është fëmija dhe kur agresioni ka rënë vetëm mbi të, shpërblimi do të jetë vetëm i saj.

Fëmija në barkun e nënës

  1. Fëmijës që është në barkun e nënës së tij nuk i lihet gjë nga trashëgimia nëse nuk është trashëgimtar apo është i penguar nga ndonjë tjetër në tërë rastet që mund të ekzistojnë.

Kështu, nëse një person vdes dhe lë gruan, babanë dhe nënën shtatzënë jo nga babai i tij, fëmija në këtë rast nuk përfiton trashëgimi, sepse ai është vëlla apo motër prej nëne dhe vëllezërit e motrat prej nëne nuk trashëgojnë nëse ekziston baza e trashëgimisë që është babai.

  1. Nëse fëmija është i vetmi trashëgimtar apo me të është një trashëgimtar i penguar prej tij, tërë trashëgimia pezullohet derisa ai të lindë. Për këtë bien dakord tërë juristët.

Trashëgimia gjithashtu pezullohet nëse bashkë me të ekzistojnë trashëgimtarë të papenguar prej tij dhe të tërë pranojnë shprehimisht apo nënkuptojnë se nuk duan të trashëgojnë duke heshtur apo duke mos e kërkuar atë.

  1. Çdo trashëgimtar që nuk i ndryshon pjesa e caktuar me ndryshimin e gjinisë së fëmijës, atij i jepet pjesa që i takon dhe pjesa që mbetet pezullohet.

Për shembull, nëse i vdekuri lë gjyshen dhe një grua shtatzënë, gjyshja merr një të gjashtën, sepse pjesa e saj nuk ndryshon, qoftë fëmija mashkull apo femër.

  1. Trashëgimtari, i cili bie në njërën prej rasteve të shtatëzënisë, për shembull në rast se fëmija është mashkull, por nuk bie në tjetrën, atij nuk i jepet asgjë, pasi vihet në dyshim meritimi i tij prej trashëgimisë. Kush vdes dhe lë gruan shtatzënë dhe një vëlla, vëllai nuk meriton asgjë, sepse supozohet që fëmija të jetë mashkull. Ky është edhe mendimi i shumicës.
  2. Kujt i ndryshon pjesa e caktuar me ndryshimin e gjinisë së fëmijës në bark, i jepet pjesa më e vogël që meriton dhe fëmijës i lihet pjesa më e madhe që mund t’i takojë. Nëse fëmija lind i gjallë dhe meriton pjesën më të madhe, e marr atë, e nëse nuk e meriton atë por meriton një pjesë më të vogël, merr atë dhe pjesa që mbetet i kthehet trashëgimtarëve të tjerë. Nëse lind i vdekur, ai nuk meriton asgjë dhe tërë trashëgimia u shpërndahet trashëgimtarëve duke mos e marrë në konsideratë fëmijën.

Periudha më e shkurtër dhe më e gjatë e shtatëzënisë

Periudha më e shkurtër në të cilën fëmija formohet dhe lind i gjallë është gjashtë muaj. Kjo bazohet në ajetin kuranor:

وَحَمْلُهُ وَفِصَالُهُ ثَلَاثُونَ شَهْرًا

“Shtatëzënia dhe mëkimi i tij janë tridhjetë muaj” (El-Ahkaf, 15).

Si dhe:

وَفِصَالُهُ فِي عَامَيْنِ

“Koha e mëkimit të tij është dy vjet” (Lukman, 14).

Meqë shkëputja prej gjidhënies është dy vjet, shtatëzënisë nuk i mbeten veçse gjashtë muaj. Këtë mendim kanë dhënë shumica e juristëve.

Kemal ibën Humam, prej dijetarëve Hanefi, ka thënë: “Tradita e vazhdueshme ka treguar se shtatëzënia është më tepër se gjashtë muaj. Mund të kalojë një jetë e tërë e të mos dëgjohet për një lindje në gjashtë muaj”.

Disa dijetarë Hanbeli kanë thënë: “Periudha më e shkurtër e shtatëzënisë është nëntë muaj hënorë (270 ditë)”.

Raste të trashëgimisë së fëmijës

Sipas dijetarit Muhamed ibën Hakem, fëmija nuk trashëgon vetëm nëse lind një vit pas datës së vdekjes apo ndarjes mes nënës dhe babait të tij.

Fëmijës në bark i ndalet pjesa më e madhe që mund të meritojë duke marrë në konsideratë gjininë e tij.

Nëse një burrë vdes dhe lë gruan e tij apo gruan që është në pritje pas divorcit, fëmija që ajo ka në bark nuk trashëgon prej tij vetëm nëse ai është i gjallë në më të shumtën 365 ditë që nga dita e vdekjes apo ndarjes. Fëmija që është në barkun e nënës nuk trashëgon tjetër person përveç babait të tij vetëm në dy raste:

  1. Të lindë i gjallë në më të shumtën 365 ditë nga dita e vdekjes apo ndarjes nëse nëna e tij është në kohën e pritjes prej vdekjes apo divorcit dhe i ati vdes gjatë kësaj periudhe.
  2. Të lindë i gjallë në më të shumtën 170 ditë nga dita e vdekjes së trashëguesit të tij nëse martesa është akoma e lidhur në momentin e vdekjes.

Nëse pjesa e lënë fëmijës është më e pakët se ajo që ai meriton, atij i jepet pjesa e mbetur që i është shpërndarë si shtesë trashëgimtarëve të tjerë. Nëse pjesa e lënë është më e madhe se ajo që meriton, pjesa e mbetur i jepet trashëgimtarëve të tjerë që e meritojnë.

I humburi

Personi që mungon dhe lajmet prej tij janë prerë, nuk dihet vendi i tij, nuk dihet a është i gjallë apo i vdekur dhe gjykatësi merr vendim për vdekjen e tij, thuhet se është i humbur.

Vendimi i gjykatësit ose është i bazuar në ndonjë argument si p.sh. dëshmia e dëshmitarëve të drejtë, ose është i bazuar në shenja që nuk mund të jenë argumente si p.sh. kalimi i një kohe të gjatë.

Në rastin e parë, vdekja e tij vërtetohet që në momentin që paraqitet argumenti për vdekjen e tij. Në rastin e dytë, në të cilën gjykatësi gjykon se i humburi ka vdekur në bazë të kalimit të kohës, vdekja e tij është vendim gjyqësor për shkak të pamundësisë që ai të jetë i gjallë.

Koha pas të cilës gjykohet se i humburi ka vdekur

Juristët kanë diskutuar për kohën pas të cilës gjykohet se i humburi ka vdekur. Nga Maliku transmetohet se ka thënë: “Katër vjet, sepse Omeri (radijAll-llahu anhu) ka thënë: “Cilado grua që ka humbur burrin e saj dhe nuk e di ku është ai, ajo duhet të presë katër vjet pastaj të presë katër muaj e dhjetë ditë e më pas mund të martohet”. Këtë rrëfim e përmend Buhari dhe Shafiu.

Por, mendim i shquar tek Ebu Hanife, Shafiu dhe Maliku është mospërcaktimi i kohës duke ia lënë këtë përpjekjes së gjykatësit sipas kohës.

Autori i librit “El Mugni” në një prej dy transmetimeve rreth të humburit për të cilin mendohet se ka vdekur, ka thënë: “Pasuria e tij nuk ndahet, gruaja e tij nuk martohet me tjetër derisa vdekja e tij të jetë e sigurt apo të kalojë aq kohë sa nuk mund të jetojë aq gjatë. Kjo i mbetet përpjekjes së gjykatësit”.

Këtë gjë e kanë shprehur Shafiu, Muhamed ibën Haseni dhe ky është mendim i shquar nga Maliku, Ebu Hanife dhe Ebu Jusufi pasi në origjinë pranohet se ai është i gjallë dhe vlerësimi i tij si i vdekur nuk mund të merret për bazë vetëm nëse argumentohet, gjë që s’e gjejmë këtu, kështu që mbetemi tek origjina.

Imam Ahmedi mendon se ai vazhdon në një mungesë ku ka shumë mundësi që të ketë vdekur[29]. Pas hetimi të imët për të, gjykohet se ka vdekur me kalimin e katër vjetëve pasi supozohet që tashmë ka vdekur. Pra, imam Ahmedi e përngjason këtë me rastin kur kalon një kohë e gjatë pas së cilës ai nuk mund të jetojë më. Nëse ai është në një mungesë ku ka shumë mundësi të jetë gjallë[30], çështja e tij i lihet në dorë gjykatësit, i cili merr vendim për vdekjen e tij pas çfarëdolloj kohe që ai e sheh të arsyeshme dhe pas hetimit për të me tërë mjetet e mundshme të cilat të çojnë në sqarimin e të vërtetës së qenies së tij, gjallë apo vdekur.

Trashëgimia e tij

I humburi mund të jetë i trashëguar ose trashëgues. Në rastin kur është i trashëguar, pasuria e tij mbetet në posedimin e tij e nuk ndahet mes trashëgimtarëve derisa të vërtetohet vdekja e tij apo gjykatësi të vendosë për të. Nëse del se është gjallë, ai merr pasurinë e tij dhe nëse vërtetohet vdekja e tij apo gjykatësi vendos për të, atë e trashëgon ai që është trashëgimtar i tij në momentin e vdekjes apo në momentin e dhënies së vendimit. Atë nuk e trashëgon ai që ka vdekur më parë apo merr të drejtën e trashëgimisë pas saj nëse eleminohet njëra prej pengesave të trashëgimisë, si p.sh. pranimi i Islamit nga ana e trashëgimtarit të tij.

Kjo, në rast se vendimin për vdekjen e tij nuk e ka marrë më parë se ai të publikohej, ndryshe atë e trashëgojnë ai që është trashëgimtar në momentin që është marrjë vendimi.

Ndërsa në rastin e dytë, kur ai trashëgon prej një tjetri, atij i ndalet pjesa e tij e trashëgimisë dhe pas vendimit për vdekjen e tij, kjo pjesë i kthehet trashëgimtarëve të tjerë.

Trashëgimia e dezertorit

Dezertori nuk trashëgon nga të tjerët, atë nuk e trashëgon kush dhe trashëgiminë e tij e merr buxheti i shtetit. Ky është mendimi i Shafiut, Malikut dhe mendimi më i shquar nga Ahmedi.

Hanefitë kanë thënë: “Atë që ai ka fituar para dezertimit, e trashëgojnë të afërmit muslimanë dhe atë që ka fituar pas tij, e merr buxheti i shtetit. Për të është folur më gjerësisht në kapitullin e ndëshkimeve (hudud)”.

Fëmija i paligjshëm dhe fëmija i lindur pas mallkimit të prindërve

Fëmija i paligjshëm është i linduri jashtë martese dhe fëmija i lindur pas mallkimit është ai fëmijë, për të cilin babai legjitim ka mohuar prejardhjen e tij prej vetes.

Këta të dy nuk trashëgojnë e nuk trashëgohen nga baballarët e tyre me konsensusin e dijetarëve, për shkak të mohimit të prejardhjes legjitime. Trashëgimia kryhet mes tyre dhe nënave të tyre. Transmetohet nga Ibn Omeri se një person kishte mallkuar gruan e tij në kohën e Profetit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) dhe njëkohësisht kishte mohuar edhe fëmijën e saj. Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) i ndau ata të dy dhe fëmijën ia dha gruas”.[31] Transmetojnë Buhariu dhe Ebu Daudi me shprehjen e tij: “Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ia la trashëgiminë e fëmijës së të mallkuarës nënës së tij dhe trashëgimtarëve të saj pas saj”.[32]

Dalja prej trashëgimisë (Et Teharuxh)

Et Teharuxh quhet kur trashëgimtarët bien në ujdi që disa prej tyre të heqin dorë nga pjesa e tyre e trashëgimisë në këmbim të diçkaje të caktuar, qoftë ajo nga trashëgimia ose jo. Ujdija mund të jetë edhe mes dy trashëgimtarëve që njëri prej tyre të zërë vendin e tjetrit në pjesën që i takon në këmbim të një shume të hollash që i ofrohet.

Dispozita e saj

Ajo është e lejuar kur ekziston dëshira. Tregohet se Abdurrahman ibën Aufi kishte ndarë gruan e tij, Temadur bint Esbag Kelbija, gjatë sëmundjes së vdekjes. Ai vdiq kur ajo ishte në periudhën e pritjes. Gruan e tij e trashëgonte Othmani me tre gra të tjera. Ata ranë në ujdi me të që t’i jepnin tetëdhjetë e tre mijë në vend të çerekut të një të tetës së saj. Thuhet që shuma ka qenë në dinarë e thuhet se ka qenë në derhemë.

Nëse një prej trashëgimtarëve bie në ujdi me një tjetër, ai merr pjesën e tij dhe zë vendin e tij në trashëgimi. Kur njëri prej tyre bie në ujdi me tërë trashëgimtarët, atëherë, nëse atij i jepet diçka në këmbim nga vetë trashëgimia, pjesa e tij e trashëgimisë nga e cila ai hoqi dorë ndahet mes të tjerëve në bazë të pjesës që secilit i takon. Nëse atij i jepet diçka nga pasuria e trashëgimtarëve të tjerë dhe në kontratën e ujdisë nuk është përshkruar mënyra e ndarjes së pjesës së atij që ka dalë, ajo ndahet mes tyre në mënyrë të barabartë.

Marrja e pasurisë pa të drejtë trashëgimie

Nëse trashëgimtarët nuk ekzistojnë, trashëgimia u ndahet sipas renditjes personave të mëposhtëm:

  1. personit të cilin i vdekuri e ka njohur si fëmijën e tij;
  2. kur ka lënë testament më shumë se kufiri në të cilin lejohet testamenti, pra një e treta.

Nëse nuk ekziston ndonjë prej tyre, trashëgimia apo pjesa e mbetur i dorëzohet buxhetit të shtetit. Kjo do të thotë se kur i vdekuri nuk ka asnjë trashëgimtar, pasurinë e tij e meritojnë tre grupe :

  1. ai që i vdekuri ka pohuar prejardhjen e tij prej tij;
  2. personi të cilit i është lënë testament mbi një të tretën;
  3. buxheti i shtetit.

Personi që i pohohet prejardhja

Nëse i vdekuri pohon prejardhjen e ndokujt se ai është prej tij, ky meriton prej trashëgimisë kur nuk i dihet prejardhja, prejardhja e tij nuk është vërtetuar ende dhe pohuesi nuk është tërhequr nga pohimi i tij. Kushtëzohet që i pohuari të jetë gjallë në momentin e vdekjes së pohuesit apo në momentin e marrjes së vendimit për vdekjen e tij si dhe të mos ekzistojë ndonjëra prej pengesave të trashëgimisë.

“El Mudhekira El Idahija” përmendet :

I pohuari nuk është trashëgimtar, sepse trashëgimia bazohet në vërtetimin e prejardhjes dhe nuk mund të vërtetohet vetëm me pohimin e personit. Por juristët e kanë konsideruar atë si trashëgimtar në disa raste, si p.sh: atij i jepet përparësi ndaj testamentmarrësit kur testamenti është më shumë se një e treta dhe ai konsiderohet si pasardhës i të vdekurit në lidhje me shitblerjet që ai ka bërë. P.sh., atij i lejohet të kthejë një mall mbrapsht për një të metë që mund të ketë si dhe ai mund të privohet nga trashëgimia për çdo lloj pengese. Kështu, është parë si më e mirë konsiderimi i tij trashëgimtar pa të drejtë trashëgimie për t’i dhënë përparësi realitetit dhe së vërtetës.

Testameti me më shumë se një e treta

Kur një njeri vdes dhe nuk lë pas vetes as trashëgimtarë apo person për të cilin ka pohuar prejardhjen e tij, lejohet që ai t’ia lërë testament një të huaji çfarëdo pjese të pasurisë së tij apo të tërën, pasi kufizimi me një të tretën është për shkak të ekzistencës së trashëgimtarëve, ku asnjëri prej tyre nuk gjendet në këtë rast.

Buxheti i shtetit

Kur një njeri vdes e nuk ka lënë trashëgimtarë, pohues të prejardhjes së tij apo testamentmarrës të cilit i ka lënë tërë pasurisë së tij, pasuria e tij i jepet buxhetit të shtetit që të shfrytëzohet në dobi të të tërëve.

Testamenti i detyrueshëm

Dispozitat e tij:

  1. Nëse i vdekuri nuk ka lënë testament për pasardhësit e fëmijës së tij të vdekur në të gjallë të tij apo ka vdekur bashkë me të, qoftë edhe me konsideratë, në të njëjtën masë pasurie, të cilën ky fëmijë e meritonte si trashëgimi nga pasuria e babait po të ishte i gjallë kur ai të vdiste, këtyre pasardhësve u takon testament nga trashëgimia në masën e pjesës së babait (nënës) të tyre brenda kufijve të një të tretës, me kusht që të mos jenë trashëgimtarë, si dhe që i vdekuri të mos i ketë dhënë pjesën që i takon në një formë tjetër p.sh. dhuratë. Nëse i ka dhënë më pak se ç’u takon, atyre u takon testamenti në masën që e plotëson këtë mungesë.

Ky lloj testamenti u takon pjesëtarëve të shtresës së parë prej fëmijëve të vajzave, fëmijëve të djemve të djemve sado të zbresin, në mënyrë që çdo paraardhës ta pengojë pasardhësin e tij, por jo pasardhësit e të tjerëve. Pjesa e çdo paraardhësi të ndahet mes pasardhësve të tij edhe në zbrittë ndarja e trashëgimisë, p.sh., nëse paraardhësi apo paraardhësit e tij me të cilët ai lidhet me të vdekurin vdesin pas tij dhe vdekja e tyre renditet sipas rendit të shtresave.

  1. Nëse i vdekuri i lë testament atij që e ka detyrë t’i lërë testament, por më shumë se pjesa që i takon, shtesa e testamentit është me përzgjedhje. Nëse i lë më pak se pjesa që i takon, duhet ta plotësojë. Nëse i lë vetëm disave që u takon testamenti, atij që nuk i ka lënë duhet t’i jepet pjesa që i takon. Atij që nuk i është plotësuar pjesa e caktuar e testamentit, i jepet nga pjesa e mbetur e një të tretës. Nëse nuk plotësohet, atëherë i jepet nga shtesa që iu dha të tjerëve si testament me përzgjedhje.
  2. Testamenti i detyrueshëm ka përparësi ndaj testamenteve të tjera. Nëse i vdekuri nuk i lë testament atij që i takon dhe u lë të tjerëve, secilit prej atyre që u takon testamenti i jepet në masën që i takon nga pjesa e mbetur e një të tretës, nëse i del, e nëse jo, plotësohet nga pjesa që ai u ka lënë të tjerëve.

Mënyra e zgjidhjes së çështjeve që përmbajnë testament të detyruar

  1. Djali i cili ka vdekur në të gjallë të njërit prej prindërve të tij konsiderohet si trashëgimtar i gjallë dhe i jepet pjesa që i takon sikur të ishte gjallë.
  2. Pjesa e të vdekurit nxirret nga trashëgimia dhe u jepet pasardhësve të tij që meritojnë testamentin e detyruar nëse kjo pjesë është e barabartë me një të tretën apo më pak. Nëse është më shumë se një e treta, i jepet vetëm një e treta dhe ajo ndahet mes fëmijëve të tij ku mashkullit i jepet dyfishi i femrës.
  3. Pjesa e mbetur e trashëgimisë ndahet mes trashëgimtarëve që janë gjallë sipas pjesëve që u takon.

[1] - Hadith Hasen – i mirë. “El Irva” 1677. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2892, Tirmidhiu 2092, Darakutni 458, El Hakim 4/333-334, Bejhakiu 6/229.

[2] - Hadith Daif. “El Irva” 1664. E ka nxjerrë El Hakim 4/333, Darakutni 459, El Uahidi në “El Vesit” 1/153, Taberani në “El Eusat” 1/153.

[3] - Hadith Daif. “El Mishkat” 239, “Daiful Xhami” 3871. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2885, Ibën Maxheh 54.

[4] - Hadith Daif – i dobët. “El Irva” 1665. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 2719, Darakutni 453, Ibën Udej 100/2, El Hakim 4/332, El Vahidi 1/153, Bejhakiu 6/209.

[5] - Ky është përkufizimii i Hanefive.

[6] - Borxh i caktuar është ai që lidhet me vetë qenien e mallit.

[7] - Kjo është besa dhe afërsia e përftuar prej lirimit të skllavit. Ndryshe quhet edhe besa e të çliruarit apo afërsia e arritur për shkak të besës. Kjo është kontratë mes dy personave ku njëri prej tyre nuk është trashëgimtar me lidhje gjaku. Ai i thotë tjetrit: “Ti je i besuari im apo kujdestari im nëse vdes, paguan për mua nëse bëj ndonjë krim pa dashje (pra pagesën legjitime të gjakut), vrasje apo më pak se ajo. Me këtë kontratë vërtetohet besnikëria mes dy kontratuesve. Kjo lloj lidhjeje konsiderohet shkak për trashëgimi sipas Ebu Hanifes, por nuk konsiderohet e tillë sipas shumicës e dijetarëve.

[8] - Hadith Sahih. “El Irva” 1668. E ka nxjerrë Shafiu 1232, El Hakim 4/341, Bejhakiu 10/292.

[9] - Hadith Sahih Mursel. El Irva” 6/116,118. E ka nxjerrë Ebu Daudi 4564, Ibën Udej 10/2, Darakutni 465-466, Bejhakiu 6/220.

[10] - Buhariu 6764,4283, Muslimi 4116, Ebu Daudi 2909, Tirmidhiu 2107, Ibën Maxheh 2729.

[11] - Me fëmijë nënkuptohet pasardhësi trashëgues, mashkull qoftë apo femër. Nga ky ajet kuptohet pjesa e nënës dhe heshtja për babain kur nuk ekziston kjo degë trashëguese tregon se atij i takon pjesa që mbetet.

[12] - Nëse nga ndarja e trashëgimisë ka mbetur ndonjë pa marrë dhe ai meriton të marrë prej saj apo dikush që nuk merr prej ndonjë pengese por duke u afruar me ndonjë që merr detyrimisht ai përfiton, kjo ndarje quhet ta’sib. (Shënim i përkthyesit).

[13] - Hadith Daif. “El Mishkat” 3060. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2896, Tirmidhiu 2099, Ahmedi 19004.

[14] - Ndërsa pasardhësja jotrashëguese, si p.sh. vajza e vajzës, nuk e pakëson pjesën e burrit apo gruas.

[15] - Nuk ka transmetim nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) me këtë shprehje, por ka ardhur tek Buhariu 6741 se Muadh ibën ibën Xhebel ka gjykuar në kohën e Pejgamberit duke i dhënë gjysmën e trashëgimisë vajzës së të vdekurit dhe gjysmën tjetër motrës së tij.

[16] - Djali i djalit i mbulon ata që janë në nivelin e tij qoftë motra e tij apo vajza e xhaxhait të tij. Gjithashtu ai mbulon ato femra që janë mbi të, nëse ajo është person që merr me detyrim. Gjithashtu ai rrëzon nga trashëgimia atë që është në nivel më poshtë se ai.

[17] - Hadith Daif – i dobët. “El Irva” 1680. E ka nxjerrë Maliku 2/513, Ebu Daudi 2894, Tirmidhiu , Ibën Maxheh 2724, Ibën Xharudi 959, Ibën Hibani 1224, Darakutni 465, El Hakim 4/338, Bejhakiu 6/234.

[18] - Gjyshe e vërtetë është ajo tek e cila nuk ndërhyn në lidhjen e saj me të vdekurin ndonjë gjysh jo i vërtetë.

[19] - Pra jepni pjesët e caktuara atyre që i meritojnë ato sipas ndarjes që është sqaruar në Kuran dhe ç’mbetet, i jepet mashkullit më të afërt me të vdekurin.

[20] - Ibn Abasi mendon se i vdekuri, nëse lë një vajzë, një motër dhe një vëlla, vajza merr gjysmën dhe pjesën që mbetet e merr vëllai, ndërsa motra nuk merr asgjë.

[21] - Buhariu 6732,6735,6737,6746, Muslimi 4117,4118,4119, Ebu Daudi 2898, Tirmidhiu 2098, Ibën Maxheh 2740.

[22] - Buhariu 2399.

[23] - Ato femra që nuk marrin pjesë të detyrueshme në rast mungese të vëllait që i afërson, nuk kthehet në të afërme (asaba) me të kur ai ekziston. Nëse një person vdes dhe lë pas vetes një xhaxha dhe një hallë, e tërë pasuria është e xhaxhait dhe halla nuk merr asgjë. Ajo nuk bëhet e afërt prej vëllait të saj, sepse asaj nuk i takon pjesë e detyrueshme, kur i vëllai nuk ekziston. E njëjtë me këtë është edhe djali i vëllait me vajzën e motrës.

[24] - Bejhakiu 6/253, Seid ibën Mensur 1/43.

[25] - Hadith Daif. “El Irva” 6/146. Bejhakiu 6/253, Seid ibën Mensur 1/43.

[26] - Këtë mendim e ka shprehur Zejd ibën Thabit dhe atë e ka ndjekur Urua, Zuhri, Maliku dhe Shafiu.

[27] - Ky është medh’hebi i Othmanit.

[28] - Hadith Sahih. “Es Sahiha” 153. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2920, Ibën Maxheh 2750, Bejhakiu 6/257, El Hakim 4/348,349,

[29] - P.sh., të humbë në fushën e betejës, pas ndonjë sulmi apo edhe të humbë në mes të afërmve të tij. P.sh. dikush del për namazin e jacisë dhe nuk kthehet apo del për të kryer ndonjë nevojë të shpejtë e nuk kthehet dhe nuk dihet asnjë lajm prej tij.

[30] - P.sh. udhëtari për në haxh, në kërkim të dijes apo tregti.

[31] - Buhariu 6748, Ebu Daudi 2259.

[32] - Hadith Sahih. Ebu Daudi 2907, Bejhakiu 6/259.


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free