Martesa
Martesa (Nikahu)
Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
Falënderimet i takojnë All-llahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë dhe tek Ai pendohemi. Kërkojmë mbrojtjen e All-llahut nga të këqijat e vetes sonë dhe nga të këqijat e veprave tona. Atë që All-llahu e udhëzon, s’ka kush që e humbë, e atë që e humbë, s’ka kush që e udhëzon.
Thotë All-llahu i lartësuar:
”O ju që besuat, kini frikë All-llahun me një sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!” (Ali imran 102).
“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një vete (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra. Dhe kini frikë All-llahun që më emrin e Tij përbetoheni. Ruajeni farefisin (akraballëkun), se All-llahu është mbikëqyrës mbi ju” (En- Nisa 1).
“O ju besimtarë, përmbajuni mësimeve të All-llahut dhe thoni fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen juve mëkatet tuaja. Kush e respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ai ka arritur një sukses të madh” (El-Ahzab 70-71).
- Kapitulli i parë -
Martesa (Nikahu)
Nikah gjuhësisht d.m.th. akti i kurorëzimit apo të kryerit e marrëdhënieve më gruan. Ka thënë Ebu Alij-j el-Kalijj:
“Arabët kanë bërë një dallim të thjeshtë në mes te aktit të kurorëzimit dhe të kryerit të marrëdhënieve më gruan. Nëse thonë ‘E ka kurorëzuar filanen apo të bijën e filanit’, kanë për qëllim aktin e kurorëzimit; nëse thonë: ’E ka kurorëzuar gruan e tij apo bashkëshorten e tij’, nuk kanë për qëllim diçka tjetër pos marrëdhënieve intime”.
Kurse në terminologjinë islame nikah d.m.th. kurorëzimi në mes burrit dhe gruas, me qëllim për të gjetur kënaqësi mes njëri-tjetrit, si dhe formimi i një familjeje të mirë dhe shoqërie të shëndoshë. Nga këtu nxjerrim në pah se, me aktin e kurorëzimit, nuk synohet vetëm kënaqësia seksuale, por synohet një kuptim tjetër, e ai është: Formimi i familjeve të mira dhe i shoqërive të shëndosha.
Mirëpo, ndodh ndonjëherë që njëri prej synimeve të jetë më i theksuar se tjetri, varësisht nga gjendja e njerëzve (personave).
- Kapitulli i dytë -
Vendimi i Islamit për martesën
Nikahu në vetveten e tij është legjitim, i preferuar për çdonjëri që posedon epsh dhe ka mundësi materiale për të. Ai është dhe prej traditës se Pejgamberëve, alejhimus-selam. All-llahu i lartësuar thotë:
“Ne dërguam edhe para teje të dërguar dhe atyre u mundësuam të kenë gra e fëmijë…” (Err-Rrad 38).
Gjithashtu, edhe Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, është martuar dhe ka thënë:
“Unë martohem. Ai i cili nuk është i kënaqur me Sunnetin tim, nuk është prej meje”. 1
Për këtë edhe dijetarët kanë thënë:
“Të jesh i martuar në kohën kur ke epsh, është me e vlefshme se ibadeti vullnetar (nafilet)”.
Kjo, për arsye se, pas kësaj martese, pasojnë dobi të mëdha dhe rezultate të këndshme, disa prej të cilave do t’i sqarojmë me poshtë, in sha All-llah.
Nganjëherë nikahu është i obliguar (vaxhib), si p.sh. nëse mashkulli ka epshin e fortë dhe ka frikë se do bie në haram nëse nuk martohet; në ketë rast, martesa për ta ruajtur vetveten dhe për ta ndalur nga harami, është vaxhib.
I Dërguari, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë:
“O ju të rinj, kush ka mundësi të martohet, le të martohet, sepse ajo e ruan shikimin e tij dhe e mbron organin (nderin) e tij. E kush nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse kjo është mburojë për të”. 2
- Kapitulli i tretë -
Kushtet e martesës
Prej mirësisë se legjislacionit islam dhe saktësisë së tij në vënien e dispozitave është që për çdo akt, çfarëdo qoftë, ai ka vendos rregulla me të cilat rregullohen ato dhe përcaktohet vlefshmëria e tyre për t'u zbatuar dhe për të funksionuar. Kështu, çdo akt ka kushte pa të cilat nuk realizohet, e ky është argument i qartë për vërtetësinë e sheriatit dhe përkryerjen e tij, dhe se ai (sheriati) ka ardhur prej të Urtit dhe të Gjithëdijshmit, i Cili e di çfarë është e dobishme për krijesat, që ua lejon atë që u bën dobi në fenë e tyre dhe në këtë botë, që të mos çrregullohet gjendja e të kalojë në kaos.
Në mesin e këtyre akteve është edhe akti i nikahut, i cili ka disa kushte të cilat do t’i përmendim më poshtë, nga të cilat më e rëndësishmja është:
01. - Pëlqimi i ndërsjellë mes dy bashkëshortëve. Nuk lejohet të detyrohet burri të martohet me atë që nuk e do. Gjithashtu, nuk lejohet të detyrohet femra që të martohet me atë që nuk e do. All-llahu i lartësuar thotë:
”O ju që besuat, nuk është e lejuar për ju të trashëgoni gratë (e të vdekurve ) në mënyrë të dhunshme…” (En-Nisa 19).
Gjithashtu, edhe i Dërguari, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë:
”Nuk lejohet martesa e vejushës përderisa të mos pyetet e as e vajzës së virgjër përderisa të mos kërkohet leje prej saj. Sahabet i thanë:’O i Dërguar i All-llahut, e si është leja e saj (të virgjërës)?,’Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, tha:’Që të heshtë”. 3
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, e ka ndaluar martesën e femrës pa pëlqimin e saj, pavarësisht se a është virgjëreshë apo e vejë, përveçqë e veja patjetër duhet të pohojë më fjalë, kurse të vajza e virgjër mjafton heshtja e saj, sepse ndoshta turpërohet të pohojë më fjalë pëlqimin për martës. Nëse nuk pranon të martohet, nuk është e lejuar për askënd ta detyrojë të martohet, qoftë edhe prindi, bazuar në fjalën e Pejgamberit, sal-all-llahu alejhi ue sel-lem:
”Vajzën e virgjër e pyet prindi (babai)”.4
Ndaj, në këtë rast për prindin nuk ka mëkat, nëse nuk e marton, ngase ajo vetë nuk ka dashur të martohet. Mirëpo, prindi e ka obligim ta ruajë dhe të kujdesët për të. Nëse dy persona e kërkojnë (dorën e saj) dhe ajo thotë e dua këtë person ndërsa veliu
(shiko kushtin nr. 2) thotë fejohu për tjetrin, në këtë rast femra duhet të martohet më atë që e dëshiron ajo, nëse është i përshtatshëm për të. E nëse nuk është i përshtatshëm për të, veliu ka të drejtë të ndërhyjë dhe ta pengojë nga martesa më të, dhe në këtë rast nuk ka fare mëkat.
02. - Veliu. Kurorëzimi nuk është i vlefshëm pa veliun, bazuar në fjalën e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ku thotë:
”Nuk ka nikah, përveç me veli”. 5
Nëse femra e marton vetën pa dijen e veliut, nikahu i saj konsiderohet i pavlefshëm, pavarësisht a e ka bërë nikahun vetë apo e ka autorizuar dikë.
Veliu është a i cili ka arritur moshën e pjekurisë, është i shëndosh mendërisht, i mençur (e di realitetin e martesës) dhe duhet te jetë i afërm i saj, si p.sh. babai, gjyshi nga ana e babait, djali, nipi etj., vëllai, vëllai prej babe, axha, vëllai i babait prej babës, si dhe fëmijët e tyre të afërm e më të afërm. Kështu, veli nuk mund të jenë vëllezërit nga nëna, fëmijët e tyre, gjyshi nga ana e nënës dhe dajallarët.
Për derisa nikahu nuk bëhet pa veliun, atëherë për veliun është obligim të zgjedhë atë që është më i miri, nëse kërkesat për ta fejuar janë të shumta. E nëse e kërkon vetëm një dhe është i përshtatshëm dhe femra gjithashtu e pëlqen, e ka obligim ta martojë me të.
Këtu do ndalemi pak, kështu që ta kemi të njohur se çfarë përgjegjësie që ka veliu ndaj atij që All-llahu i lartësuar e ka bërë përgjegjës, ngase kjo punë me të vërtetë është amanet prej All-llahut, e ka obligim të kujdeset për të dhe ketë amanet duhet ta vendosë në vendin e vetë. Atij nuk i lejohet të manipulojë më të për qëllime personale ose ta martojë më dikë që nuk përshtatet, për shkak se ai lakmon në diç që i afrohet për të, sepse kjo konsiderohet tradhti. All-llahu az-ze ve xhel thotë:
”O ju që besuat, mos e tradhtoni All-llahun dhe të dërguarin, e kështu të tradhtoni amanetet tuaja ndërsa e dini sa e keqe është kjo” (El-Enfalë 27)
Gjithashtu, All-llahu i lartësuar në një ajet tjetër thotë:
”All-llahu nuk e do asnjë tradhtar e bukëpërmbysët” (El-Haxh-xh 38) Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë:
”Çdonjëri është kujdestar dhe do të japë përgjegjësi për atë që i është dhënë në dorëzim”. 6.
Mund të vëresh disa persona që ua kërkon vajzën e tyre ndokush që është i përshtatshëm për ta fejuar, pastaj e refuzon atë dhe të tjerë. Kush është i tillë, pozita e tij si veli bie, dhe kështu të drejtën e martesës se saj e merr dikush tjetër nga me të afërmit e saj.
03. - Dëshmitarët. Ibën Abbasi, radij-jall-llahu anhu, ka thënë:
”Nuk ka nikah, përveç me dy dëshmitarë dhe veli të drejtë” (Ibën Rushdi, el- Bidaj-jeh, 3/964).
04. - Meh’ri. All-llahu thotë:
”Grave jepni dhuratën e kurorës se tyre (nikahin) më të mire…” (En-Nisa 4), (el-Bidajeh, 3/966).
- Kapitulli i katërt -
Cilësitë e femrës më të cilën duhet martuar
Më nikah është për qëllim arritja e kënaqësisë mes dy bashkëshortëve, formimi i familjes se mirë dhe i shoqërisë së shëndoshë, ashtu siç e kemi cekur me fillim. Sipas kësaj, femrën të cilën duhet martuar është ajo e cila i përmban dy cilësi: bukuri fizike dhe bukuri shpirtërore.
- Bukuria trupore është që ajo të jetë pa pasoja fizike, sepse femra sa më e bukur të jetë e sa më gojëmbël, të pushojnë sytë në të shikuarit e saj, të përqendrohen veshët në fjalët e saj, të hapet zemra për të, të zgjerohet gjoksi, si dhe shpirti të gjen prehje në të. Kjo vetëm se i vërteton fjalët e All-llahut të lartësuar:
”Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë.” (Err-Rrum 21).
- Bukuria shpirtërore (devotshmëria) është që ajo të jetë e kapur për feje plotësisht, të ketë moral, sepse sa më e devotshme dhe sa më moralshme të jetë gruaja, do të jetë më e dashur për bashkëshortin dhe do të kanë një përfundim të suksesshëm.
Femra e devotshme është e përkushtuar ndaj urdhrave të All-llahut. Është e kujdesshme ndaj bashkëshortit të saj, nderit, fëmijëve dhe pasurisë së tij. Është përkrahëse e bashkëshortit të saj në nënshtrim ndaj All-llahut të lartësuar. Nëse harron diçka, ia përkujton. Nëse lodhet, e rehaton. Nëse hidhërohet, e bën të kënaqur.
Femra e edukuar është e dashur te burri i saj dhe ajo e respekton atë. Nuk vonohet në ndonjë gjë të cilën burri dëshiron të shpejtohet, apo nuk nxiton në atë qe bashkëshorti dëshiron të vonohet. Është pyetur i Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ue se-lem:
”Cilat gra janë më të mirat? Tha:’Është ajo që e bën burrin të lumtur. Nëse e shikon, i përulet. Kur e urdhëron, nuk e kundërshton (qoftë të kundërshtuar në urdhra të tij apo në diç tjetër), si dhe nuk e shpenzon pasurinë aty ku ai nuk ka dëshirë”. 7
Po ashtu, Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
”Martoni ato gra që janë të dashura (tërheqëse) e që lindin shumë, sepse unë do të krenohem para Pejgamberëve tjerë më numrin tuaj të shumtë” ose ka thënë:”Para umeteve”.8
Nëse ka mundësi të gjejë femër e cila ka bukurinë e jashtme (fizike) dhe të brendshme (shpirtërore), kjo më të vërtetë është përkryerje dhe lumturi me ndihmën e All-llahut të Lartësuar.
- Kapitulli i pestë -
Martesat e ndaluara
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
”All-llahu ka bërë obligime, pra, mos i lini. Ai ka caktuar kufij, pra, mos i tejkaloni”.9
Prej këtyre përcaktimeve ligjore, kufijtë e të cilave All-llahu i ka kufizuar, është martesa. Ai ka bërë të ndaluar martesën për burrin me gra të caktuara, qoftë ajo për shkak të farefisnisë apo gji-dhënies, apo dhëndërisë a për ndonjë shkak tjetër.
Martesa e ndaluar më gra ndahet në dy lloje:
- E ndaluar përgjithmonë
- E ndaluar përkohësisht
Martesa e ndaluar përgjithmonë dhe llojet e saj:
a) - Martesa e ndaluar, për shkak të farefisnisë. Këto janë shtatë kategori të cilat i ka përmend All-llahu i lartësuar në thënien e Tij:
”U janë ndaluar juve (të martoheni me) nënat tuaja, bijat tuaja, motrat tuaja, hallat tuaja, tezet tuaja, bijat e vëllait, bijat e motrës…” (En-Nisa 23).
01. - Nënat. Këtu hynë edhe gjyshet, qoftë nga ana e babait apo nënës.
02. - Bijat. Këtu hynë edhe bijat e djemve dhe bijat e bijave.
03. -Motrat (nga babai dhe nëna). Këtu hynë edhe motrat nga babai si dhe motrat nga nëna.
04. - Hallat. Këtu hynë edhe hallat e babait, hallat e gjyshërve, hallat e nënës si dhe hallat e gjysheve.
05. - Tezet. Këtu hynë edhe tezet e babait, të gjyshërve, tezet e nënës si dhe tezet e gjysheve.
06. - Vajzat e vëllait (nga babai dhe nëna). Këtu hynë edhe vajzat e vëllait nga babai, vajzat e vëllait prej nënës, vajzat e djemve të vëllait si dhe vajzat e vajzave të tyre.
07. - Vajzat e motrës (nga babai dhe nëna). Këtu hynë edhe vajzat e motrës nga babai, vajzat e motrës prej nënës, vajzat e djemve të motrës si dhe vajzat e vajzave të tyre.
b) - Martesa e ndaluar nga qumështi. Këto janë po të njëjtat që ndalohen nga farefisi. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
“Ndalohet nga qumështi çdo gjë që ndalohet nga farefisi“ .10
Mirëpo, ndalesa nga qumështi patjetër duhet t’i plotësojë disa kushte, e ato janë siç vijon:
01. - Të ketë pirë qumësht pesë herë e më shumë. Nëse foshnja ka pirë katër herë, nuk konsiderohet nënë e tij nga qumështi, bazuar në hadithin e transmetuar në Muslimi, nga Aisheja, radijall-llahu anha, e cila thotë:
”Në fillim të zbritjes së Kur’anit ka qenë e njohur se dhjetë thithje te gjirit e kanë bërë haram martesën, pastaj është zvogëluar në pesë. I Dërguari, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, vdiq dhe kjo ka mbetur ashtu si lexohet në Kur’an”.11
02. - Të jetë pirja e qumështit para ndarjes se foshnjës nga gjiri, d.m.th. është kusht që pesë thithjet e gjirit të jenë para kësaj kohe. Nëse pi pas ndarjes ose disa thithje i bënë para ndarjes e disa pas, gji-dhënësja në ketë rast nuk konsiderohet nënë nga qumështi.
Në qoftë se plotësohen kushtet e gji-dhënies, foshnja konsiderohet fëmijë i gji-dhënëses dhe fëmijët e saj konsiderohen vëllezër të tij, varësisht se a janë lindur para apo pas tij. Gjithashtu, fëmijët e burrit të gji-dhënëses janë vëllezër të tij, pavarësisht se a janë prej gruas së cilës ka thithur gji apo prej ndonjë gruaje tjetër.
Këtu duhet të dimë se të afërmit e fëmijës që ka pirë gji nga një grua nuk kanë lidhje me këtë thithje të gjirit dhe nuk ndikon fare tek ta, me përjashtim te pasardhësve të tij. Dhe është e lejuar për vëllain e tij të martohet me nënën e vëllait të vet nga qumështi si dhe më motrën e vëllait te vet nga qumështi.
Kurse, pasardhësit e fëmijës (që ka pirë gji), konsiderohen fëmijë të gji- dhënëses, ashtu siç konsiderohet babai i tyre.
c) - Martesat e ndaluar nga ana e dhëndërisë janë:
01. - Gratë e prindërve dhe të gjyshërve, qoftë nga ana e babait apo nënës, bazuar në thënien e All-llahut të Lartësuar:
”Mos u martoni me ato gra me të cilat kanë qenë të martuara prindërit tuaj…” (En-Nisa 22)
Në momentin kur njeriu e bën aktin e kurorëzimit me ndonjë grua, gruaja e tij konsiderohet haram për bijtë e tij, bijtë e djemve, për djemtë e djemve të tyre, si dhe për bijtë e bijave të tyre e kështu me radhë, pa marrë parasysh a ka pasur marrëdhënie intime me të apo jo.
02. - Gratë e djemve e kështu më radhë. All-llahu i lartësuar thotë:
”… dhe (janë të ndaluara) gratë e bijve tuaj që janë të lindjes suaj (jo të bijve të adoptuar)…” (En-Nisa 23)
Sapo të kurorëzohen burri e gruaja, gruaja e tij konsiderohet haram për babanë dhe gjyshërit e tij e kështu më radhë, qofshin gjyshërit nga ana e babait apo nënës. D.m.th. pas kryerjes se aktit të nikahut, edhe nëse nuk ka bërë marrëdhënie më të.
03. - Nëna e gruas, gjyshet e saj e kështu më radhë, bazuar në thënien e All- llahut të lartësuar:
”… nënat e grave tuaja (vjehrrat)…” (En-Nisa 23).
Do të thotë se, me kryerjen e aktit të kurorëzimit, nëna dhe gjyshet e saj konsiderohen të ndaluara, edhe nëse nuk ka pasur marrëdhënie intime më të, pa marrë parasysh se a janë gjyshet nga ana e babait apo nënës.
04. - Bijat e gruas, vajzat e bijve si dhe vajzat e bijave të saj e kështu më radhë. Këtu hyjnë vajzat e gruas dhe pasardhëset e tyre, mirëpo me kusht që të ketë marrëdhënie më nënën e tyre. Nëse ndodh shkurorëzimi para kryerjes se marrëdhënieve intime, atëherë vajzat e gruas dhe pasardhëset e tyre nuk janë të ndaluara, sepse All-llahu i lartësuar thotë:
”… dhe vajzat që janë nën kujdesin tuaj e të lindura (prej tjetër babai) nga gratë tuaja më të cilat patët kontakt (marrëdhënie intime), e nëse nuk keni pasur kontakt me to (me gratë), atëherë s’ka pengesë (të martoheni me ato vajza)…” (en Nisaë 23)
Pra, sapo të martohet burri më ndonjë grua dhe bën marrëdhënie më të, vajzat e saj, vajzat e bijve dhe bijave të saj e kështu më radhë konsiderohen haram për të, pa marrë parasysh a janë nga martesa më burrin e parë apo me të dytin.
Nëse shkurorëzimi është bërë para marrëdhënieve intime, atëherë vajzat e gruas dhe pasardhëset e tyre nuk janë haram për të.
Martesa e ndaluar përkohësisht dhe llojet e saj
01. - Motra e gruas, halla dhe tezja e saj, përderisa nuk ndahet nga gruaja dhe derisa ta kryen kohën e idetit të saj. Allahu i lartësuar thotë:
”… dhe të bashkoni (përnjëherë në një nikah) dy motra…” (En-Nisa 23) Gjithashtu edhe Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
”Nuk lejohet të bashkohet gruaja me hallën e saj, e as gruaja me tezen e saj”.12
02. - • Ideti i burrit të kaluar. Nëse gruaja është duke e kryer idetin e burrit te parë nga i cili është ndarë, atëherë nuk lejohet kurorëzimi me të para kryerjes se idetit. Gjithashtu, nuk lejohet fejesa me të, nëse është në kohën e idetit, derisa të kryhet ideti.
03. - Në kohën e haxhit apo umres, nuk lejohet të bëhet akti i martesës përderisa është në ih’ram. Këtu duhet të kemi parasysh se ka edhe gjëra tjera që e bëjnë martesën haram përkohësisht, mirëpo nuk po i cekim nga frika se mos po e zgjasim shumë. Kurse haidi/menstruacionet nuk janë pengesë për kryerjen e aktit martesor, pra, lejohet akti i nikahut, edhe nëse është në kohën e haidit, mirëpo nuk lejohet kryerja e marrëdhënieve, derisa t’i ndërpritet haidi dhe të pastrohet.
- Kapitulli i gjashtë -
Poligamia e lejuar
Pasi që martesa më shumë gra është shkak për çrregullime dhe padrejtësi e, gjithashtu, pamundësia për t’i përmbushur obligimet ndaj tyre, kurse në anën tjetër kufizimi i njeriut më një grua sjell të këqija ndërsa shuarja e epshit në forma tjera është e ndaluar, si rrjedhojë e tërë kësaj sheriati islam e ka bërë të lejuar martesën me katër gra. Ngase ky është numër ku njeriu ka mundësi ta realizojë drejtësinë, ta përmbushë obligimin si bashkëshort ashtu si duhet si dhe ta plotësojë nevojën e vet, nëse ka nevojë për më shumë se një grua. All-llahu i lartësuar thotë:
”… atëherë martohuni me ato gra që ju pëlqejnë; me dy, tri e me katra. E nëse i frikoheni padrejtësisë (ndaj tyre), atëherë vetëm më një…” (En-Nisa 3)
Në kohën e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, e kishte pranuar islamin Gujlan eth-Thekafiu, i cili kishte dhjetë gra. I Dërguari i All-llahut e urdhëroi që t’i zgjidhte katër prej tyre dhe të tjerat t’i shkurorëzonte.
Kajs Ibnul-Harith thotë:
”Hyra në Islam dhe kisha tetë gra. Erdha te i Dërguari, sal-lall-llahu alejhi ue sel- lem, i tregova dhe ai më tha:’Zgjedh katër prej tyre’”.13
• - Ideti është pengesë e cila e detyron gruan të qëndrojë përkohësisht e pa martuar si shkak i zhvleftësimit të nikahit apo diç e ngjashme më të.
Dobitë e poligamisë
01. - Në disa raste, kjo është e domosdoshme, si p.sh. nëse gruaja është e moshuar ose është e sëmur dhe, nëse nuk martohet më ndonjë grua tjetër, kjo nuk i mjafton për ta ruajtur vetveten dhe për të pasur fëmijë. Po ashtu, nëse e mban (gruan e sëmurë), frikohet se do të përballet më vështirësi të ndryshme ose ndoshta frikësohet nga zinaja, por, nëse shkurorëzohet, e ndan nga fëmijët e saj. Ky problem nuk ka mundësi te tejkalohet pos përmes poligamisë.
02. - Nikahu është shkak për lidhje dhe afrim mes njerëzve dhe All-llahu e ka bërë të ngjashëm me farefisin. All-llahu i lartësuar thotë:
”Dhe Ai nga uji (fara) krijoi njeriun dhe e bëri atë të ketë fis dhe miqësi …” (El-Furkan 54)
Poligamia është shkak për lidhjen e shumë familjeve. Ajo i afron me njëri-tjetrin, dhe ky ka qenë njeri prej shkaqeve që e ka shtyrë Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, të martohet me më shumë gra.
03. - Përkujdesja ndaj shumë grave, të kryerit e nevojave të tyre, siç është furnizimi, strehimi. Pastaj të shtuarit e fëmijëve dhe shtimi i pasardhësve, ngase kjo është gjë e kërkuar nga sheriati.
04. - Ka meshkuj që, për shuarjen e epshit, nuk i mjafton një grua. Është i devotshëm dhe i ndershëm, dhe frikësohet nga zinaja, mirëpo dëshiron të kënaqet në mënyrë të lejuar. Për këtë shkak, ka qenë prej mëshirës se All-llahut az-ze ve xhel-l ta bëjë të lejuar poligaminë në formë të rregullt.
- Kapitulli i shtatë -
Urtësia e nikahut
Para se te fillojmë të flasim rreth thelbit të kësaj çështjeje, duhet ta dimë bindshëm se dispozitat e sheriatit janë të stërmbushura më urtësi dhe të gjitha janë të vendosura në vendin e duhur e nuk ka diçka të kotë apo të panevojshme, për arsye se janë prej të Urtit, të Dijshmit.
Mirëpo, këto urtësi, a janë të njohura të gjitha për krijesat?
Me të vërtetë, njerëzimi janë të kufizuar në dituri, në reflektim dhe në mendje. Ata nuk kanë mundësi të njohin çdo gjë dhe nuk mund të arrijnë çdo gjë. All-llahu i lartësuar thotë:
”… e juve ju është dhënë fort pak dije” (El-Isra 85)
Pra, është detyrë e jona të pajtohemi me dispozitat e sheriatit, të cilat All-llahu i lartësuar i ka bërë obligim ndaj robërve të vet, pavarësisht se a e kemi të njohur urtësinë e tyre, apo jo. Sepse, nëse nuk e kemi të njohur urtësinë e tyre, nuk do të thotë se nuk ka fare urtësi në to, por kjo do të thotë se mendjet dhe perceptimet tona janë të mangëta për ta kuptuar urtësinë e tyre.
Prej urtësive të nikahut janë
01. - Ruajtja dhe mbrojtja e të dy bashkëshortëve. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë:
”O ju të rinj, kush ka mundësi për t’u martuar, le të martohet, sepse kjo e ruan shikimin dhe e mbron moralin”.14
02. - Ruajtja e shoqërisë nga të këqijat dhe nga shthurja morale. Sikur të mos ishte nikahu, do të përhapeshin vese të këqija dhe të ulëta mes meshkujve dhe femrave.
03. - Kënaqësia e të dy bashkëshortëve, duke i përmbushur obligimet ndaj njëri-tjetrit si dhe mirësjellja reciproke në mes tyre. Burri kujdeset për gruan, e furnizon me ushqim dhe me pije, i siguron vendbanim dhe veshmbathje aq sa ka mundësi. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
”E keni obligim t’i furnizoni dhe t’u siguroni veshmbathje aq sa keni mundësi”.15
Gjithashtu, gruaja kujdeset për burrin duke i përmbushur obligimet që i takojnë në shtëpi, duke u përkujdesur dhe interesuar për shtëpinë. Pejgamberi, sal-lall- llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
”Gruaja është kujdestare në shtëpinë e burrit të saj dhe është përgjegjëse ndaj asaj që i është dhënë në përgjegjësi”.16
04. - Vendosja e lidhjeve mes familjeve dhe fiseve. Sa prej familjeve të largëta nuk e kanë njohur njëri-tjetrin, por nëpërmjet martesës janë njohur dhe kanë pasur lidhje mes veti. Për këtë shkak, All-llahu i Lartësuar e ka bërë dhëndrin si pjesëtar të farefisit, siç e kemi cekur më lart.
05. - Ruajtja e gjinisë njerëzore në formë të shëndoshë. Nikahu është shkak për shtimin e pasardhësve nëpërmjet të cilëve raca njerëzore vazhdon të mbijetojë. All-llahu i lartësuar thotë:
”O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një vete (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra …” (En-Nisa 1)
Sikur mos të ishte nikahu, do të shfaqej njëra prej dy gjërave:
- shuarja e njerëzimit
- ardhja në ekzistencë e njeriut të zhvilluar nga kurvëria, që nuk i dihet (baza) familja dhe nuk është i ngritur në moral
Këtu më duhet të ndalem një çast për të sqaruar se çka është vendimi i Islamit lidhur me planifikimin familjar.
Them: Planifikimi i fëmijëve me numër të caktuar është në kundërshtim me kërkesën e sheriatit, sepse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka urdhëruar për t'u martuar me gruan që lindë shumë fëmijë dhe na e ka sqaruar se më ketë do të mburret para umeteve tjera apo para Pejgamberëve, alejhimus-sel-lam. Dijetarët kanë thënë se martesa me gruan që njihet se lindë shumë është obligim, e kjo dihet ose duke e njohur personalisht atë grua, nëse ka qenë e martuar me parë, ose duke i njohur të afërmet e saj, si nënën e saj apo motrën e saj, nëse nuk ka qenë e martuar me parë.
Cili është shkaku që i detyron në caktimin e numrit të fëmijëve?
A mos është frika nga rrizku (furnizimi), apo frika e lodhjes nga edukimi i tyre? Nëse është e para, atëherë ky është paragjykim i keq ndaj All-llahut të Lartësuar, sepse All- llahu, nëse krijon krijesa, patjetër i furnizon ato. All-llahu i Lartësuar thotë:
”Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që All-llahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj” (El-Hudë 6)
Gjithashtu, në një ajet tjetër thotë:
”Sa e sa gjallesa nuk kanë mundësi për furnizimin e vet e All-llahu i furnizon ato edhe juve. Ai është dëgjuesi, i dijshmi” (El-Ankebut 60)
All-llahu i plotfuqishëm iu thotë atyre të cilët i vritnin fëmijët e tyre nga frika e varfërisë:
”… se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve…” (El-Is’ra 31)
Nëse shkaku për caktimin e numrit të fëmijëve është frika e lodhjes nga edukimi i tyre, kjo është gabim, ngase ka shumë që kanë fëmijë pak dhe janë lodhur duke i edukuar. Gjithashtu, ka prej tyre që kanë fëmijë shumë dhe edukimi i tyre ka qenë i lehtë për ta. Çështja e edukimit se a është i rëndë apo e lehtë është e lidhur ngushtë me lehtësim nga All-llahu i lartësuar. Sa më shumë që robi ia ka frikën All-llahut dhe vazhdon rrugës së drejtë, All-llahu ia lehtëson problemet. All-llahu i lartësuar thotë:
”E kush i frikësohet All-llahut, Ai atij ia lehtëson punën” (Et-Talak 4)
Pasi të bëhet e qartë se caktimi i numrit të fëmijëve është në kundërshtim me sheriatin, shtrohet pyetja: A bie në këtë kategori planifikimi familjar për shkak të gjendjes së nënës? Përgjigjja është: jo, nuk është planifikimi familjar për shkak të gjendjes së nënës i ngjashëm me caktimin e numrit të fëmijëve. Me shprehjen ‘planifikim familjar’ kam për qëllim që të dy bashkëshortët apo ndonjëri prej tyre të përdorë masa që e pengojnë përkohësisht shtatzëninë, dhe kjo është e lejuar, nëse bëhet me pëlqimin e të dy palëve, si p.sh. të jetë femra e dobët, kurse shtatzënia e shton dobësinë apo sëmundjen; atëherë, më pëlqimin e bashkëshortit, ajo përdor hapa (ilaçe) që e pengojnë përkohësisht shtatzëninë, dhe në këtë nuk ka fare të keqe. Sepse sahabet kanë bërë azel • në kohën e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, dhe nuk janë ndaluar nga kjo, kurse dihet se azeli është një prej shkaqeve që e pengon shtatzëninë.
- Kapitulli i tetë -
Gjërat që pasojnë nikahun
Gjërat që e pasojnë nikahun janë të shumta. Do t’i përmendim siç vijon:
01. - Dhënia e mehrit. Meher d.m.th. dhuratë apo, siç quhet në gjuhën popullore, përgatitje (xhehaz apo çeiz). Mehri bëhet obligim ndaj gruas me rastin e martesës, pavarësisht se a e kushtëzon apo nuk e kushtëzon. Ai (mehri) është: Pasuria që i jepet gruas, për shkak të kurorëzimit.
Nëse mehri është i përcaktuar, ai mbetet aq sa përcaktohet, qoftë pak apo shumë. Nëse nuk përcaktohet, por vetëm bëhet akti i nikahut dhe nuk i jepet mehri e as nuk përmendet fare, atëherë ndaj bashkëshortit është obligim t’ia japë gruas mehrin e ngjashëm me gratë tjera. Pra, shuma e këtij mehri është sipas traditës së atij vend.
• - Azel është ejakulimi i spermës jashtë vagjinës apo, siç është e njohur tanimë, përdorimi i mjeteve prezervativë.
Pasi që mehri mund te jetë pasuri, gjithashtu mundet me qenë edhe ndonjë gjë e dobishme, ngase Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, e martoi një grua me një burrë, më kusht që t’ia mësonte një pjesë nga Kur’ani. 17
Është e preferuar që mehri të jetë i ulët, ngase sa më i ulët dhe i lehtë të jetë, është më mirë, duke pasur për shëmbëlltyrë Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ue sel- lem dhe duke shpresuar të jetë më i begatshëm.
Më të vërtetë, nikahu më i begatshëm është ai që është më i lehtë në përgatitje. Transmeton Muslimi në koleksionin e tij të vërtetë:”Një njeri i kishte thënë Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem:
- Jam martuar me një grua’.
- Sa i ke dhanë mehër?, - i tha Pejgamberi.
- Katër evakë • (160 dërhemë).
- Për katër evakë!! Ju po mendoni sikur po nxirrni argjend prej kësaj kodre - nuk kam çfarë të jap, mirëpo ndoshta të dërgojmë në ndonjë aksion dhe do të fitosh prej tij diçka.18
Umeri, radijall-llahu anhu, ka thënë:
”Mos e teproni në mehrat (dhuratat) e grave. Me të vërtetë, po të ishte e dobishme në ketë botë apo në ahiret, Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, i pari do e bënte ketë. Nuk i ka dhënë ndonjë gruaje prej grave të veta e as ndonjërës nga vajzat e veta më shumë se dymbëdhjetë evkijeh, kurse një evkijeh është katerdhjetë dërhem”.
Me të vërtetë, në kohët e fundit, është bërë ngritja e mehrit, gjë që ka lënë gjurmë të këqija, duke pamundësuar kështu martesën e shumë burrave dhe grave, dhe si rrjedhojë burrit i është dashur shumë kohë të kalojë për të arritur shumën e duhur te mehrit. Pra, kjo ka sjell shumë dëme dhe prej tyre i veçojmë:
- ua ka pamundësuar martesën shumë burrave dhe grave
- familja e femrës shikon në vlerën e mehrit, se sa është pak apo shumë, dhe në shumicën e rasteve mehr është ajo që e përfitojnë familja e gruas nga burri për vajzën e tyre. Në qoftë mehri është i madh, e martojnë vajzën e tyre, duke mos shikuar në pasojat e asaj martese; nëse është mehri i vogël, e refuzojnë, edhe në qoftë se janë të kënaqur në fenë dhe moralin e tij (burrit).
- nëse ka mospajtime bashkëshortore dhe mehri është i lartë, në shumicën e rasteve divorci nuk bëhet me mirëkuptim, por burri e torturon (gruan e tij), më qëllim për t'i kthyer gruaja diç nga mehri që i ka dhënë. E sikur të ishte më i vogël, edhe
• - Një “evak” është 40 dërhem, që gjithsejtë është 160 dërhem.
ndarja, pa dyshim, do të ishte me lehtë. Sikur njerëzit të ishin më modestë në mehr dhe sikur të bashkëpunonin mes veti, do të kishte dobi e gjithë shoqëria dhe do të gjente një rehati të madhe, që do t'i ruante shumë meshkuj dhe femra nga haramet. Mirëpo, më keqardhje i vërejmë disa njerëz duke garuar në ngritjen e mehrit dhe shtimin e tij. Çdo vit shohim gjëra të shtuara (në mehr), që nuk ishin të njohura më parë, dhe nuk e dimë se ku do të ndalen. Me të vërtetë, kishte njerëz, e sidomos prej atyre nga zonat rurale, që bënin disa lehtësime në lidhje me mehrin. Ky lehtësim ishte mosmarrja e menjëhershme e një pjesë të mehrit, si p.sh. ta martojë femrën me një meher të caktuar dhe një pjesë e jep menjëherë e një pjesë e jep më vonë, duke e vonuar deri një vit, më pak apo më shumë, e kjo i bënë shumë lehtësime burrit.
- Furnizimi. Për bashkëshortin është obligim furnizimi i bashkëshortes me të mirë, siç është ushqimi, pija, veshmbathja dhe vendbanimi. Në qoftë se është koprrac në ndonjë nga këto obligimet, atëherë është mëkatar dhe femra në këtë rast ka të drejtë të marrë nga pasuria e tij aq sa i nevojitet, apo huazon diku ndërsa burri e ka për obligim kthimin e borxhit.
Prej llojit të furnizimit konsiderohet edhe velimja, e ajo është të përgatiturit e ushqimit gjatë ceremonisë së martesës, duke i ftuar të tjerët në ushqim, gjë e cila është prej Sunnetit me të cilin jemi obliguar, sepse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka vepruar kështu dhe ka urdhëruar të veprohet. Duhet të kemi parasysh se e kemi obligim të largohemi nga shpenzimi i tepërt në velime. Ai të jetë aq sa ka mundësi bashkëshorti. Kurse, ajo që e bëjnë disa njerëz duke shpenzuar gjëra të shumta dhe të ndryshme, kjo më të vërtetë nuk duhet, ngase ky është shpenzim i padobishëm i pasurisë.
02. - Marrëdhëniet mes bashkëshortëve dhe familjeve te tyre. All-llahu ka bërë që mes bashkëshortëve të ketë dashuri dhe mëshirë, dhe kjo lidhje tërheq pas vete obligime të njohura nga tradita. Sa më shumë që forcohet kjo lidhje, shtohen obligimet.
03. - Ndalesa që ka të bëjë me martesë (mahremi). Burri e ka të ndaluar martesën me nënat e grave të tij dhe me gjyshet e tyre. Gjithashtu, e ka të ndaluar të martohet më vajzat e tyre dhe me bijat e vajzave të tyre. Nëse ka pasur marrëdhënie intime me nënat e tyre, gruaja e ka të ndaluar të martohet me prindin apo me gjyshin e burrit si dhe me djemtë e tij.
04. - Trashëgimia. Posa të bëhet akti i kurorëzimit mes burrit dhe gruas, aty për aty, fillon çështja e trashëgimisë mes njeri-tjetrit. All-llahu i lartësuar thotë:
”Juve ju takon gjysma e asaj (pasurie) që e lënë gratë tuaja ... pas kryerjes se testamentit që keni përcaktuar ose borxhit” (En-Nisa 12)
Dhe nuk ka dallim a ka pasur marrëdhënie intime apo nuk ka pasur, a është vetmuar me të, apo nuk është vetmuar.
- Kapitulli i nëntë -
Dispozitat e divorcit
Shkurorëzim apo divorc do të thotë: ndarja e burrit nga gruaja, qoftë me fjalë, me shkrim apo duke i dhënë shenjë.
Parimisht, shkurorëzimi është mekruh, sepse nëpërmjet tij behët shuarja e dobive që rrjedhin si shkak i nikahut të cekura më lart, si dhe bëhet shthurja e familjes. Për këtë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
”Hallalli më i urryer tek All-llahu është divorci”. •
Mirëpo, pasi që divorci në disa raste është i domosdoshëm, për shkak se gruaja ka zullum nga burri i vet apo burri ka zullum nga gruaja e vet, apo për ndonjë shkak tjetër, All-llahu i lartësuar, nga mëshira e Tij, e ka bërë të lejuar divorcin për robërit e vet dhe nuk e ka dashur t’i vejë në siklet krijesat e veta. Nëse bashkëshorti e urren bashkëshorten e vet dhe nuk mund të bëjë durim ndaj saj, atëherë nuk ka të keqe nëse e shkurorëzon, mirëpo është obligim t’i ketë parasysh disa çështje, siç janë:
01. - Të mos shkurorëzohet duke qenë gruaja në kohën e menstruacioneve. Nëse shkurorëzohet duke qenë në haid (menstruacione), vetëm se ka bërë mëkat ndaj All-llahut dhe të Dërguarit të Tij, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, dhe është zhytur në një haram, kështu që e ka obligim ta kthejë dhe të presë, derisa të pastrohet e pastaj mundet të shkurorëzohet, nëse dëshiron, por më mirë është të presë, derisa t’i shfaqet haidi për herë të dytë. Kur të pastrohet, nëse dëshiron, e mban; nëse jo, shkurorëzohet.
02. - Të mos shkurorëzohet, nëse ka bërë marrëdhënie me gruan pas menstruacioneve (d.m.th kur është e pastër), vetëm në qoftë se e di se ajo është shtatzënë. Nëse njeriu vendos të shkurorëzohet me gruan e tij, por ka pasur marrëdhënie intime me të pas menstruacioneve, në ketë rast nuk lejohet të shkurorëzohet, derisa t’i shfaqet haidi dhe të pastrohet përsëri, edhe nëse kjo periudhë zgjat. Pastaj, nëse dëshiron, shkurorëzohet para se të ketë kontakt me të. Në qoftë se i bëhet e qartë se ka mbetur shtatzënë apo vërtetohet se është shtatzënë, nuk ka të keqe nëse shkurorëzohet. All-llahu i lartësuar thotë:
• - Shejh Albani thotë se hadithi është daif; el-Iruaul-Galil (8/2040), Daif el-Xhamius-Sagir (f.8).
”O ti pejgamber, kur t’i lëshoni gratë, lëshoni ato në vigjilje të fillimit të pritjes së tyre (në kohën e pastërtisë së tyre)…” (Et-Tal-lak 1)
Ka thënë Iben Abbasi, radijall-llahu anhuma:
”Mos u shkurorëzoni duke qenë gruaja në kohën e haidit e as duke qenë në kohën e pastërtisë nga haidi përderisa keni marrëdhënie më të. Mirëpo le të presë deri sa të shfaqet haidi dhe të pastrohet prej tij, e pastaj të shkurorëzohet”.
03. - Të mos shkurorëzohet më shumë se një herë. Le të mos i thotë ’Ti je e lëshuar dy herë apo tri herë’, apo të mos i thotë ‘Ti je e lëshuar, ti je e lëshuar, ti je e lëshuar’. Divorci në këtë formë është i ndaluar, bazuar në atë që transmetohet nga Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, t’i ketë thënë një njeriut që kishte shkurorëzuar gruan e vet duke i thënë tri herë ‘Ti je e lëshuar’: ”A po tallet me Librin e All-llahut e unë jam në mesin tuaj?”, derisa është ngritur një njeri dhe ka thënë: ”A ta vras?!” 19
Shumë prej njerëzve nuk i dinë dispozitat e shkurorëzimit. Në çfarëdo kohe që u teket, i shkurorëzojnë gratë e tyre, duke mos marrë parasysh kohën apo numrin e shkurorëzimit. Është obligim për njeriun që t’iu përmbahet dispozitave te All- llahut te Plotfuqishëm dhe të mos i tejkalojë ato, sepse All-llahu i Lartësuar ka thënë:
”… e kush del jashtë dispozitave të All-llahut, ai e ka dëmtuar vetveten.” (Et- Tal-lak 1)
Në një ajet tjetër thotë:
”… kush i tejkalon dispozitat e All-llahut, pikërisht të tillët janë zullumqarët” (El-Bekare 229)
- Kapitulli i dhjetë -
Gjërat që e pasojnë divorcin
Pasi që divorci konsiderohet ndarje e gruas nga burri, atëherë këtë e pasojnë dispozita të shumta. Prej tyre veçojmë:
01. - Për gruan është obligim ideti (pritja pas divorcit), në qoftë se burri ka kryer marrëdhënie intime me të apo është vetmuar me të.
Nëse e shkurorëzon para kontaktit seksual dhe veçimit bashkë me të, gruaja nuk e ka obligim idetin. All-llahu i lartësuar thotë:
”O ju që besuat, kur të keni lidhur kurorë me besimtaret e pastaj i lëshoni ato para se të keni kontaktuar me to, ju nuk keni të drejtë të kërkoni që ato të presin afatin e caktuar (iddetin)…” (El-Ahzab 49)
Ideti/afati i pritjes është tri periudha të haidit, nëse femra është prej atyre që i është shfaqur haidi dhe tre muaj nëse nuk është prej atyre që i shfaqet haidi. Ndërsa, nëse është shtatzënë, derisa të lindë . 20
02. - Gruaja bëhet haram për burrin, në qoftë se para kësaj here e ka shkurorëzuar dy herë, d.m.th. nëse e shkurorëzon e pastaj e kthen gjatë kohës se idetit, apo e marton pas idetit e pastaj prapë e shkurorëzon për të dytën herë dhe e kthen gjatë kohës se idetit, apo e marton pas idetit e pastaj prapë e shkurorëzon për të tretën herë; në këtë rast nuk i lejohet të martohet me të, përveç nëse ajo (gruaja) martohet më një burrë tjetër dhe bën martesë të vërtetë, dmth kryen marrëdhënie intime me të e pastaj atij (burri) nuk i pëlqen ajo dhe ndahet prej saj, pra, pas kësaj here, i lejohet burrit të parë të martohet më të, bazuar në fjalën e All-llahut të lartësuar:
”Lëshimi (pas së cilit mund të bëhet rikthimi) është dy herë e (pastaj) ose jetë e njerëzishme (bashkëshortore), ose shkurorëzim me mirëkuptim” (El-Bekare 229),
derisa ka thënë në ajetin tjetër:
”E në qoftë se ai (burri) e lëshon atë…”, për herën e tretë, “ … pas atij (lëshimi) nuk i lejohet më derisa të martohet ajo për një burrë tjetër. E nëse ai e lëshon atë…” d.m.th. burri i dytë, “…atëherë për ata të dy, po që se mendojnë se do t’i zbatojnë dispozitat e All-llahut, nuk ka pengesë…”, d.m.th. burri i parë dhe gruaja e tij me të cilën është shkurorëzuar, “…të rikthehen (në bashkëshortësi). Këto janë dispozita të All-llahut që ia sqaron një populli që kupton” (El- Bekare 230)
All-llahu i lartësuar e ka bërë të ndaluar martesën e gruas me burrin i cili e ka shkurorëzuar tri herë, përveç nëse martohet me një burrë tjetër pas tij, sepse njerëzit në fillim të islamit i kanë shkurorëzuar gratë dhe i kanë rikthyer ato duke mos marrë parasysh numrin e shkurorëzimit.
Sa që një njeri është hidhëruar në gruan e vet dhe i ka thënë: ”Për All-llahun!, nuk të afrohem e as nuk të ndaj!” Gruaja i është drejtuar duke i thënë: ”E si bën kjo?!” Tha: ”Të shkurorëzoj e pastaj, sapo të afrohet koha e skadimit të afatit të pritjes, të rikthej, pastaj prapë të shkurorëzoj, pastaj, sapo të afrohet koha të rikthej”. Bashkëshortja e tij shkoi te i Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, dhe i tregoi për këtë, pastaj All-llahu zbriti ajetin Kur’anorë:
”Lëshimi (pas së cilit mund të bëhet rikthimi) është dy herë…” (El-Bekare 229)
Për këtë arsye, përkufizimi i shkurorëzimit me tri herë është konsideruar mëshirë për gratë prej padrejtësisë se burrave të tyre.
Vëllezër të nderuar, shpresoj se kemi sjell fjalë të bollshme rreth dispozitave të nikahut, duke pasur kujdes që kjo të jetë në një mënyrë të përshtatshme, jo gjatë a tepër apo shkurt a mangët.
E lus All-llahun e lartësuar që të ketë dobi në këtë dhe t’i bëjë veprat tona të sinqerta për Të (All-llahun), në pajtim me kënaqësinë e Tij subhanehu ue te’ala, dhe të bëjë prej këtij ummeti gjenerata të dijshme, që i respektojnë ligjet e Zotit dhe u përmbahen dispozitave të Tij, si dhe të jenë udhëzues për robërit e Tij! Zoti ynë, mos na i devijo zëmrat tona pasi na i drejtove! Na dhuro mëshirën Tënde, ngase vetëm Ti je dhuruesi i madh. Zoti ynë, na jep të mira në këtë jetë dhe në botën tjetër, dhe na ruaj prej dënimit me zjarr!
Ue sal-lall-llahu ala nebij-jinaa Muhammedin ue ala alihi ue sahbihi ve sel-lem.
__________________________________________
01 - E transmeton. Buhariu (5063), Muslimi (1401).
02 - E transmeton. Buhariu (5066, Muslimi (1400).
03 - E transmeton. Buhariu (5136), Muslimi (1419).
04 - E transmeton. Muslimi ( 1421).
05 - E transmeton. Ebu Davudi (2085), Tirmidhiu (1101), Iben Maxheh (1881).
06 - E transmeton. Buhariu (5188), Muslimi (1829).
07 - E transmeton. Ahmedi (2/251), Nesaiu (3231).
08 - E transmeton. Ebu Davudi (2050), Nesaiu (3227).
09 - Tra. Darekutni ne sunenin e tij (4/184).
10 - E transmeton. Buhariu (2645, 2646), Muslimi (1444, 1447).
11 - E transmeton. Muslimi (1452).
12 - E transmeton. Buhariu (5109), Muslimi (1408).
13 - E transmeton. Ebu Davudi (2241).
14 - E transmeton. Buhariu (5066), Muslimi (1400).
15 - E transmeton. Ahmedi (5/73), Ebu Davudi (1905), Iben Maxheh (3074).
16 - E transmeton. Buhariu (5188), Muslimi ( 1829).
17 - E transmeton. Buhariu (5087), Muslimi (1425).
18 - E transmeton. Muslimi (1424).
19 - E transmeton. Nesaiu (2401).
20 - Sh.p. ndërsa, nëse i vdesë burri, pritja e gruas është katër muaj e dhjetë ditë, në qoftë se nuk është shtatzënë. Ndërsa, nëse i vdes burri e ajo është shtatzënë, atëherë derisa të lindë.
__________________________________________
Përktheu Besim Gjelaj, Medine Recensoi: Gazmend Mehmeti