Xhamia e Haxhi Ymerit
Gjakovë

Hutbe




Rëndësia e hytbes së xhumasë



Hytbja vazhdon të mbetet një nga mjetet më ndikuese në përhapjen e thirrjes Islame, për këtë arsye ajo zë një vend të veçantë në ndikimin e përhapjes së thirrjes dhe kumtimin e saj, që në kohën kur filloi të përhapej mesazhi muhamedan.

Sekreti qëndron në faktin se hytbja është gjëja më e shpejtë që kuptojnë njerëzit e thjeshtë dhe lë gjurmë të mëdha duke ndikuar tek të gjithë. Veç të tjerash ajo zotëron ndikim të shpejtë dhe drejtpërdrejt në drejtimin e mendimit të shumicës. Për këtë arsye hytbja e xhumasë duhet të realizojë qëllimet e mëposhtme:

01 - Këshillimin dhe përkujtimin për Allahun, ditën e fundit dhe idetë që ngjallin zemrat, pa lënë mënjanë thirrjen në gjërat e mira, urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja.

02 - T’u mësojë muslimanëve të vërtetat rreth fesë së tyre nga libri i Allahut dhe Suneti i Profetit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem), duke i kushtuar

një rëndësi të veçantë besimit të pastër larg nga legjendat, ruajtjen e adhurimit nga depërtimet e bidateve, ruajtjen e moraleve dhe normave nga shmangiet dhe gjërat e neveritura.

03 - Korrigjimi i mendimeve të gabuara rreth Islamit duke iu kundërvënë dyshimeve dhe kotësive që publikohen nga armiqtë e Islamit, të cilët kanë si qëllim çoroditjen e mendimeve duke përdorur metoda bindëse, larg injorimeve dhe sharjeve. Pra, duhet t’u bëjmë ballë mendimeve shkatërruese duke parashtruar Islamin e vërtetë.

04 - Kërkohet që hytbja të ketë lidhje me jetën dhe aktualitetin që jetojnë njerëzit, gjithmonë të jetë në shërbimin e kurimit të sëmundjeve shoqërore, duke parashtruar zgjidhjen konkrete të problemeve sipas dritës së Legjislacionit Islam.

05 - Shfrytëzimi i rasteve të volitshme Islame, siç është muaji i Ramazanit, haxhi, sprovat dhe fatkeqësitë e ndryshme e gjëra të tjera, të cilat u interesojnë dëgjuesve dhe kërkojnë që të hidhet sadopak dritë në kuptimin e tyre.

06 - Të rrënjosë tek ata kuptimin e saktë të Vëllazërisë Islame dhe solidaritetin e umetit të tij, duke luftuar çdo lloj fanatizmi, racizmi apo medhhebizmi të sëmurë, e shumë gjëra të tjera, të cilat e përçajnë unitetin e umetit. Nga ana tjetër t’u kushtojë rëndësi gjërave që e mbajnë të lidhur me muslimanët, pra, duhet të lidhet mendërisht dhe shpirtërisht me vëllezërit e tij muslimanë.

07 - Kërkohet që hytbja të jetë larg shndërrimit të saj në vend ku bëhen reklama apo sharje ndaj një personi. Ajo duhet të jetë e pastër vetëm për Allahun e Madhëruar, kumtimin dhe lartësimin e fesë së Tij. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt, krahas Allahut!” (Sure Xhin, 18.)

Vlerat e ditës së xhuma:

Nuk ekzistojnë polemika mes dijetarëve se dita e xhuma është dita më e vlefshme e javës, madje është dita më e mirë në të cilën shkëlqejnë rrezet e diellit.

Ebu Hurejra përcjell se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Dita më e mirë në të cilën shkëlqejnë rrezet e diellit është dita e xhuma. Të xhumanë u krijua Ademi, atë ditë ai hyri në xhenet dhe po atë ditë doli nga xheneti. Edhe kiameti do të ndodhë të xhumanë.” (E përcjell imam Muslimi.)

Allahu e ruajti këtë ditë për këtë umet dhe e veçoi atë me anë të kësaj dite, duke i shmangur nga gjetja e saj hebrejtë dhe të krishterët.

Ebu Hurejra dhe Hudhejfja përcjellin se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Allahu i shmangu nga gjetja e xhumasë ata që ishin para nesh, prandaj hebrejtë zgjodhën të shtunën, ndërsa të krishterët të dielën. Allahu na solli neve dhe na orientoi në gjetjen e ditës së xhuma, duke e radhitur atë para së shtunës dhe të dielës. Në të njëjtën mënyrë ata do të jenë pas nesh Ditën e Gjykimit, pra, ne ishim (umeti) të fundit në dunja, por të parët nga krijesat që do të llogaritemi Ditën e Gjykimit.” (E përcjell imam Muslimi.)

Shpërblimet për atë që shkon në namazin e xhumasë:

Buhariu në Sahihun e tij ka shënuar se Selman Farisiu ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kushdo që merr gusul ditën e xhuma dhe pastron veten e tij sa ka mundësi, pas kësaj parfumoset në shtëpinë e tij, niset për në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes dy njerëzve (që janë ulur), pastaj falet aq sa ka shkruar Allahu të falet dhe më pas dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, këtij njeriu do t’i falen të gjitha mëkatet ndërmjet kësaj xhumaje dhe xhumasë që vjen.”

Eus bin Eus eth-Thekafiu përcjell se e ka dëgjuar Profetin (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Kush lahet mirë ditën e xhuma dhe më pas niset herët për të shkuar në xhami, ecën duke mos hipur në ndonjë mjet dhe i afrohet imamit dhe e dëgjon atë pa folur, në çdo hap të tij do të ketë shpërblime sikur ka agjëruar dhe është falur natën për një vit.” (E përcjell imam Ahmedi, ndërsa Albani këtë hadith e konsideron të saktë.)

Ebu Hurejra përcjell se Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kushdo që merr gusul ditën e xhuma dhe pastron veten e tij sa ka mundësi, pas kësaj parfumoset në shtëpinë e tij, niset për në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes dy njerëzve (që janë ulur), pastaj falet aq sa ka shkruar Allahu të falet dhe më pas dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, këtij njeriu do t’i falen të gjitha mëkatet ndërmjet kësaj xhumaje dhe xhumasë që vjen.” (E përcjell imam Ahmedi, ndërsa Albani këtë hadith e konsideron të saktë.)

Veçoritë e ditës së xhuma:

Rreth ditës së xhuma janë përmendur vlera të panumërta, e si e tillë muslimani duhet t’i kushtojë interes dhe të mos e neglizhojë atë.

Këtu po përmendim disa prej këtyre veçorive:

01 - Në këtë ditë ka një orë në të cilën Allahu i përgjigjet çdo personi që lutet. Në të dy librat e saktë të hadithit (Buhariu dhe Muslimi)

Shënohet nga Ebu Hurejra, se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ditën e xhuma është një orë, e cila nëse përputhet me një rob musliman që falet dhe kërkon diçka prej Allahut, Ai i përgjigjet lutjes së tij.” Pas kësaj Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) bëri shenjë me dorën e tij për të treguar se janë të pakët ata që e shfrytëzojnë këtë çast.

02 - Leximi i sures “Elif lam mim, tenzil” (Sexhde) dhe sures “Hel eta alel insani” (Insan) gjatë namazit të sabahut ditën e xhuma. Këtë lexim e praktikonte i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem). Disa dijetarë duke e komentuar këtë gjest shprehen: I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) i lexonte këto dy sure në mëngjesin e ditës së xhuma, sepse në përmbajtjen e tyre pasqyrojnë gjërat që kanë ndodhur dhe që do të ndodhin në ditët e mëvonshme. Në këto dy sure përmendet krijimi i Ademit, pasqyrohet bota e ardhshme dhe ringjallja e njerëzve, gjë e cila do të ndodhë ditën e xhuma, prandaj leximi i këtyre dy sureve është si përkujtim që i bëhet umetit për gjërat që kanë ndodhur dhe që do të ndodhin. Ndërsa sexhdja që ndodhet në sure vjen si pjesë e sures dhe jo e qëllimshme, e bëjmë këtë sqarim në mënyrë që namazliu gjatë leximit të saj (Sures Sexhde) të mos ketë qëllim vetëm rënien në sexhde.

03 - Ditën e xhuma pëlqehet të dërgohen sa më shumë salavate mbi Profetin (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem). Eus bin Eusi përcjell se i Dërguari i Alllahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Dita më e virtytshme e ditëve tuaja është dita e xhuma. Në atë ditë u krijua Ademi dhe në atë ditë vdiq, në atë ditë do t’i fryhet surit dhe njerëzit do të ngrihen nga varret! Shtojini salavatet për mua pasi salavatet për mua do të paraqiten para meje. Njerëzit i thanë: O i Dërguari i Allahut! Si do të paraqiten salavatet tona, kur ti do të jesh larguar? Ai tha: Allahu ia ka ndaluar tokës të tretë trupat e profetëve.” (E përcjell Ebu Daudi, Nesaiu, Ibn Maxhe dhe e ka saktësuar Albani.)

Imam Shemsudin Muhamed bin Ebi Bekri ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) është zotëria i të gjithë njerëzve, ndërsa dita e xhuma është dita më e mirë e javës. Prandaj salavatet për të gjatë asaj dite përmbajnë një të veçantë, që nuk e kanë ditët e tjera.

Duhet ditur se kjo vepër përmban edhe një urtësi tjetër që është: çdo e mirë që i ka ardhur këtij umeti në këtë jetë dhe në jetën tjetër ka ardhur nëpërmjet tij. Allahu i Lartësuar i ka mbledhur të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër për këtë umet dhe nderi e suksesi më i madh do t’u jepet atyre në ditën e xhuma. Në atë ditë do t’u jepen shtëpitë dhe pallatet e tyre në xhenet, dhe ajo është dita ku do t’u dhurohet shpërblimi shtesë.

Ajo është një ditë feste për ta në këtë botë, gjithashtu është dita në të cilën Allahu i Lartësuar i plotëson nevojat e tyre dhe u përgjigjet lutjeve dhe kërkesave të kësaj bote. Ata janë të vetëdijshëm për të gjitha këto dhe kanë mundësi t’i përfitojnë ato në sajë të Profetit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem), nëpërmjet të cilit u pajisën me mësime të tilla. Kështu që në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për këto të mira që na janë dhënë duhet të bëjmë shumë salavate për të gjatë ditës dhe natës së xhuma.”

04 - Pëlqehet të lexohet surja Kehf gjatë ditës dhe natës së xhuma. Ebu Seid Hudriu përcjell se Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush e lexon suren Kehf ditën e xhuma, këtij njeriu do t’i jepet ndriçim prej drite nga kjo e xhuma e deri në xhumanë tjetër.” (E përcjell Sujuti në “El Xhami”, ndërsa Albani e konsideron hadithin të saktë.)

[Hytbet e Xhumasë]


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free