Fillestar në islam
çdo religjion, i vërtetë apo i falsifikuar, çdo shoqatë, e dobishme apo e dëmshme, çdo parti, e mirë apo e keqe, i ka themelet dhe bazat e veta ideore dhe parimet ideologjike të cilat përcaktojnë qëllimin e saj dhe orientojnë drejtimin e saj, duke i shërbyer anëtarëve dhe pasuesëve të saj si statut.
Ai që dëshiron të anëtarësohet në ndonjërën prej shoqatave të përmendura së pari shikon në parimet e saj, e nëse pajtohet me to, me subkoshiencë dhe me vetëdije i pranon pa kurrfarë dyshimi në to, kërkon të hyjë në shoqatën përkatëse, të inkuadrohet në radhët e anëtarëve dhe ithtarëve të saj. E atëherë bëhet i detyruar t'i kryejë të gjitha aktivitetet me të cilat e obligon statuti i shoqatës dhe e paguan anëtarësinë e caktuar. Pas kësaj është i obliguar që me veprimtarinë e tij të tregojë sinqeritet në pranimin e parimeve dhe principeve të shoqatës, pandërprerë duke i rikujtuar ato, në mënyrë që të mos veprojë diç që u kundërvihet atyre. Me moralin dhe sjelljet e tij të paraqet shembull të bukur të atyre principeve, si dhe të misionarit praktik të tyre.
Anëtarësimi në shoqatë, pra, do të thotë: njohja e sistemit të saj, besimi në parimet e saj, të nënshtruarit përcaktimeve të saj, si dhe veprimi praktik në përputhje me ato përcaktime. Ky është qëndrimi i përgjithshëm, i cili është i aplikueshëm edhe në fenë islame. Prandaj, ai që dëshiron të hyjë në Islam së pari duhet t'i aprovojë parimet e tij dhe pa ngurrim t'i përvetësojë, ashtu që të bëhet musliman. Këto principe, shkurtimisht, përbëhen në besimin që kjo botë materiale nuk është e vetmja që ekziston, dhe se kjo jetë e dunjasë nuk është e tërë jeta. Njeriu ka ekzistuar para lindjes, do të ekzistojë edhe pas vdekjes. Nuk e ka krijuar veten, por ka qenë i krijuar para se të ketë njohur veten. Njeriun nuk e kanë krijuar krijesat joorganike që gjenden rreth tij, sepse ai posedon mendjen, kurse ato jo, porse e ka krijuar i Vetmi All-llahu i Madhërishëm nga asgjëja (nga mosekzisentca), sikurse edhe të gjitha këto botëra. Ai është i Vetmi që jep jetë dhe vdekje, Ai të gjitha i ka krijuar, dhe nëse dëshiron do t'i shkatërrojë. Ky Zot nuk i gjason asnjërës nga këto krijesa.
çdoherë ka qenë, nuk është i krijuar, gjithmonë do të jetë dhe kurrë nuk do të zhduket. Është i Fuqishëm dhe fuqia e Tij nuk njeh kufij. Të gjitha i di dhe asgjë nuk i është e fshehur diturisë së Tij. Është i drejtë, por drejtësia e Tij nuk përcaktohet me kriteret e drejtësisë njerëzore. Ai i ka vendosur ligjet e gjithësisë, të cilat ne i quajmë ligje natyrore dhe të gjitha i ka krijuar me masë. çdo sendi i ka caktuar detaje dhe formë, si dhe krejt çka do t'u ndodhë qenieve të gjalla dhe jo të gjalla nga: lëvizja e qetësia, konstantja e ndryshueshmëria, aktiviteti e pasiviteti. Njeriut ia dhuroi mendjen me të cilën ai gjykon për shumë gjëra, të cilat ia ka nënshtruar atij, dhe me të cilën realizon atë çka vet e zgjedhë. Pas kësaj jetë të përkohshme e ka krijuar jetën e përhershme - botën tjetër, në të cilën bamirësi do të shpërblehet me Xhennet, ndërsa mëkatari do të dënohet me Xhehennem.
Zoti është Një, i Vetmi, nuk ka shok i cili krahas Tij adhurohet, nuk ka kush që të afron tek Ai dhe që ndërmjetëson pa lejen e Tij. Ibadet i sinqertë i bëhet vetëm Atij - në të gjitha format.
Të gjitha krijesat e dukshme, që dallohen me shqisa, si dhe ato të padukshme i takojnë Atij. Disa nga ato janë jo të gjalla, e disa të gjalla, me obligime të ngarkuara. Disave nga ato krijesa të gjalla iu është veçori vetëm e mira, e ato janë melekët (engjëjt); disa kanë veçori vetëm të keqen, e ata janë shejtanët (djajtë); ndërsa karakteristikë e disa krijesave është edhe e mira edhe e keqja, e këta janë xhinnët dhe njerëzit. Ai, All-llahu i Madhërishëm, i zgjedh disa nga njerëzit dhe u dërgon melekë me ligj të Tij - sheriat - që t'u shpallë njerëzve, e ata janë pejgamberët.
Këto sheriate (ligje) të All-llahut të Madhërishëm janë të përfshira (përmbledhura) në libra dhe suhufe (fletushka), të cilat janë të shpallura nga lartë (qielli). E fundit nga ato e abrogon të mëparshmen, apo e korrigjon. Libri i fundit është Kur'ani. Të gjitha librat para Kur'anit janë shtrembëruar, apo janë zhdukur dhe harruar. Kur'ani është i vetmi që ka mbetur i ruajtur nga ndryshimet dhe shkatërrimi. Ndërsa i fundit nga pejgamberët është Muhammed Ibën Abdull-llah El-Arebi El-Kurejshi. Me të është vulosur pejgamberia, kurse fetë me shpalljen e tij, kështu që nuk ka pejgamber pas tij.
Kur'ani është kodi islam. Ai që pohon se Kur'ani është nga All-llahu i Madhërishëm dhe beson në të, përgjithësisht dhe në detaje, quhet besimtar. Besimi në këtë aspekt nuk është i njohur askujt përveç All-llahut të Madhërishëm, sepse njerëzit nuk i hapin zemrat, e as që dinë se ç'ka në to. Prandaj, që muslimanët dikë ta konsiderojnë si njërin prej tyre, është obligim ta deklarojë këtë besim në shqiptimin e shehadetit. Ky shehadet është: "Besoj se nuk ka të adhuruar tjetër pos All-llahut, dhe besoj se Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është i dërguar dhe rob i Tij."
Kur i shqipton këto fjalë, bëhesh musliman, d.m.th. banorë i vërtetë i shtetit islam, në të cilin muslimani i gëzon të gjitha të drejtat, duke pranuar që t'i kryejë të gjitha obligimet me të cilat e obligon Islami.
Këto obligime, apo detyrime fetare, janë të pakta, të lehta, dhe në to nuk ka kurrfarë mërzie e as vështirësi.
E para nga këto është: Që në mëngjes, para lindjes së diellit, t'i falë dy rekate të namazit të sabahut, qetë, duke thirrë në të Zotin e tij, duke lutur për mirëbërësi dhe duke mbështetur nga dënimi. Para kësaj merr abdest, apo thënë ndryshe i lanë pjesët e caktuara të trupit, apo nëse është xhunub (i papastër) lahet i tëri. Në mes të ditës t'i falë katër rekate të namazit të drekës, e pastaj pak më vonë edhe katër rekate - ikindinë. I falë pas përëndimit të diellit tri rekate të namazit të akshamit dhe në fillim të natës katër rekate të namazit të jacisë.
Këto janë pesë namazet e obligueshme. Kryerja e tyre nuk zgjatë më tepër se gjysmë orë. Për kryerjen e tyre nuk është i caktuar vendi apo personi i caktuar - personeli fetar - pa të cilin nuk do të ishin të plota. Në to, sikurse edhe në të gjitha obligimet fetare, nuk ka ndërmjetësues në mes të muslimanit dhe Zotit të tij.
Obligimi i dytë: Në vit ekziston muaji i caktuar në të cilin muslimani e ndryshon kohën e ushqimit, ashtu që mëngjesin e ha në fund të natës në vend se në fillim të ditës, kurse e shtyen drekën deri në përëndim të diellit, duke u përmbajtur gjatë ditës nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet seksuale. Ky është për shpirtin e tij muaji i spastrimit, për stomakun e tij muaji i pushimit, për trupin e tij muaji i riprovimit të sjelljes dhe shëndetit të tij. Ky muaj është një nga format e angazhimit në bamirësi dhe barazi në jetë.
Obligimi i tretë: Nëse pas plotësimit të nevojave të veta personale dhe nevojave të familjes së tij mbetet si tepricë një pjesë e caktuar e pasurisë, për të cilën ai gjatë tërë vitit nuk ka pasur nevojë, është i obliguar që nga ajo pasuri - pas kalimit të një viti - të ndajë dy e gjysmë për qind (2,5%) të varfërve dhe të mjerëve. Për muslimanët kjo dhënie nuk paraqet kurfarë barre, ndërsa është në dobi të madhe për ata që kanë nevojë, dhe kjo paraqet shtyllë të fortë të ndihmesës së ndërsjellë dhe ilaç për sëmundjen e varfërisë - njërës nga sëmundjet më të rënda të shoqërisë.
Obligimi i katërt: Islami në bashkësinë e vet i ka rregulluar takimet familjare, edhe atë:
- Takimin në nivel të mbledhjeve të lagjeve, të cilat mbahen pesë herë në ditë - si orët e mësimit në shkollë. Kjo është kryerja e namazit me xhemat, me të cilën çdo anëtar e përforcon dëgjueshmërinë e tij ndaj All-llahut të Madhërishëm gjatë takimit pranë Tij. Frytet e këtij takimi janë që të fortët t'u ndihmojnë të dobtëve, të diturit t'i mësojnë të paditurit, të pasurit t'u ndihmojnë të varfërve. Kohëzgjatja e këtij takimi përafërsisht është pesëmbëdhjetë minuta, ashtu që nuk i paraqet pengesë punëtorit në punë, e as tregtarit në tregti. Nëse takimi përfundon, e ndonjë musliman nuk është i pranishëm në të, ai nuk dënohet për mungesë, por i mbetet shpërblimi i mangët për mospjesëmarrje në të;
- Takimi në nivel të tubimit të lagjeve të qytetit, i cili mbahet një herë në javë, e që është namazi i xhumasë. Zgjatë më pak se një orë, ndërsa pjesëmarrja në të është e domosdoshme për muslimanët;
- Takimi në nivel të mbledhjes së qytetit, i cili mbahet një herë gjatë vitit, e ky është namazi i bajramit. Pjesëmarrja në të nuk është e obligueshme, ndërsa kohëzgjatja e saj është më pak se një orë;
- Takimi në nivel të kongresit të gjithmbarshëm musliman, i cili mbahet çdo vit në vendin e caktuar. Ky, në të vërtetë, është cikli drejtues, veprimor dhe ideor. Muslimani është i obliguar që të jetë i pranishëm bile një herë gjatë jetës - nëse ka mundësi - e ky është haxhxhi.
Këto janë obligimet themelore fetare me të cilat obligohet muslimani. Në obligimet fetare bën pjesë, gjithashtu, edhe të përmbajturit nga veprat e caktuara, vepra për të cilat të gjithë njerëzit e mençur në botë pajtohen se janë të dëmshme dhe se është obligim që të largohemi nga ato, siç janë: mbytja e padrejtë, sulmi i njerëzve, dhuna e të gjitha llojeve, pijet dehëse nga të cilat humb vetëdija, amoraliteti i cili shkatërron nderin, shëndetin dhe ngatërron farefisninë, kamata, gënjeshtra, mashtrimi, tradhtia, padëgjueshmëria ndaj prindërve, betimi i rrejshëm, dëshmia e rrejshme, e të ngjashme që u përngjajnë këtyre veprave të shëmtuara dhe të dëmshme, shëmtueshmërinë e të cilave e ndjen çdo mendje e shëndoshë.
Nëse muslimani e lë pasdore kryerjen e ndonjë obligimi, apo vepron diç nga ajo që është e ndaluar, e pastaj kthehet dhe pendohet duke kërkuar falje nga All-llahu i Madhërishëm - Ai me të vërtetë do t'ia falë. Nëse nuk pendohet dhe nuk kthehet nga vepra e ndaluar, mbetet ende musliman dhe llogaritet në radhët e muslimanëve, mirëpo konsiderohet mëkatar dhe meriton dënim në botën e ardhme - ahiret, me dallim se dënimi i tij është i përkohshëm, e jo i përhershëm, siç është dënimi i pabesimtarit.
Por, nëse e mohon ndonjërën nga bazat, principet e besimit, apo dyshon në to, e refuzon obligimin apo ndalesën e bazuar në ixhma (ixhma - pajtueshmëria e të gjithë dijetarëve mbi një çështje), apo mohon madje një fjalë nga Kur'ani, ai del nga feja - konsiderohet renegat dhe i mirret shtetësia islame. Dezertimi nga feja është mëkati më i madh në Islam, ashtu që është në shkallë të tradhtisë së madhe në ligjet bashkëkohore, dënimi i së cilës është - nëse personi nuk pendohet - vdekja.
Muslimani ndonjëherë e lëshon ndonjë obligim apo bën diç nga ajo që është e ndaluar, duke e pranuar obligimin dhe ndalesën, por megjithatë mbetet ende musliman, me atë se bëhet mëkatar. Ndërsa, sa i përket besimit imanit, ai është i pandashëm, ashtu që sikur të besonte p.sh. 99% të principeve të besimit, kurse një e ka mohuar, ai konsiderohet si mosbesimtar.
Ndonjëherë muslimani nuk është mu'min, ngjashëm sikur ai që anëtarësohet në ndonjë shoqatë, prezenton në mbledhjet e saj, paguan anëtarësinë dhe i kryen obligimet e anëtarëve të saj, por nuk i pranon principet e saj e as që është i bindur në vërtetësinë e tyre. Ai i bashkangjitet asaj shoqërie vetëm e vetëm që ta spiunojë atë apo që t'i sjell dëm. Ai është hipokriti-munafiku, i cili në gjuhë e shqipton shehadetin dhe sipërfaqësisht i kryen obligimet fetare. Mirëpo ai, në realitet, nuk është besimtar, e as që është i shpëtuar tek All-llahu i Madhërishëm, ndonëse te njerëzit llogaritet si musliman, sepse njerëzit gjykojnë sipas manifestimeve të jashtme, kurse vetëm All-llahu i Madhërishëm i njeh fshehtësitë dhe atë që gjendet në zemra.
Prandaj, kur njeriu pranon principet ideore të Islamit, e ato principe janë: besimi absolut në All-llahun e Madhërishëm, pa i i përshkruar Atij ndonjë shok apo ndërmjetësues, besimi në melekët (engjëjt), në pejgamberët, në librat - shpalljet, në jetën e ardhshme, në caktimin e All-llahut të Madhërishëm - kaderin, si dhe shqiptimi i shehadetit. Kush beson thellë në të gjitha këto, e pastaj i falë namazet e obliguara - farzet, e agjëron ramazanin, nëse është i pasur e jep zekatin në pasuri, nëse ka mundësi e kryen haxhxhin një herë gjatë jetës, largohet nga veprat e ndaluara të cilat me ixhma janë të ndaluara, ky person konsiderohet se është musliman - mu'min. Mirëpo fryti i besimit nuk vërehet në njeriun, as që ndjehet kënaqësia e tij, e as që konsiderohet musliman i plotë derisa në jetën e vet nuk ta ketë pasuar rrugën e muslimanit - mu'minit.
I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] shumë shkurt, në një fjali, e cila konsiderohet si një nga thëniet më thelbësore dhe më koncize, e ka paraqitur programin e asaj rrugë. Në fjali e cila përmban në vete çdo të mirë, të mirën e kësaj dhe botës së ardhme.
Kuptimi i asaj fjalie është që, besimtari gjatë kohës së punës dhe pushimit, kur është në vetmi dhe në shoqëri, në seriozitet dhe shaka, në çdo situatë në të cilën gjendet, e ka ndërmend se All-llahu i Madhërishëm është i informuar për të dhe se e shikon. Kështu, duke e pasur në mendje se Ai e shikon, nuk bën mëkate e as që frikësohet e dëshpërohet, duke e ditur se Ai është me të. Nuk ndjen vetmi duke e kujtuar Atë, e as që ndjen nevojë për dikë duke kërkuar nga Ai dhe duke e lutur Atë. Po edhe nëse e bën ndonjë mëkat apo gabon - e natyrshme është që të gabojë - kthehet dhe pendohet, e All-llahu i Madhërishëm me të vërtetë ia falë atij (gabimin).
E gjithë kjo është marrë nga definicioni i bamirësisë (ihsanit) në fjalët e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: "Ta adhurosh All-llahun e Madhërishëm ashtu sikur ta shohësh, sepse edhe pse ti atë nuk e sheh, Ai ty me të vërtetë të sheh."
Kjo është në pika të shkurtëra feja islame