Fetva
Fetvaja Pa Dituri.
01 - Gjynahu më i madh: Të flasësh në fenë e Allahut pa dije!
Vlera e dijes fetare është e madhe. I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – thotë: “Kush nis një rrugë për të kërkuar dituri, Allahu do t’i lehtësojë atij një rrugë për në Xhennet. Dhe me të vërtetë melaiket i shtrijnë krahët e tyre nga kënaqësia që kanë nga kërkuesi i dijes. Dhe për dijetarin kërkon falje kush është në qiell dhe në tokë, deri edhe peshqit në det. Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit, është si vlera e hënës kundrejt gjithë planetëve të tjerë. Me të vërtetë dijetarët janë trashëgimtarët e Profetëve. Dhe Profetët nuk kanë lënë trashëgim dinar e as dirhem (pasuri), por kanë lënë trashëgim dijen, prandaj ai që e merr atë, ka marrë një fat të madh”(Transmeton: Ebu Daud, Tirmidhi, Ibn Maxheh, dhe e saktëson Ibn Hibbani nga Ebu Derdaja)
Engjëjt kënaqen nga kjo vepër madhështore, nga kërkimi i dijes dhe i shtrijnë krahët për kërkuesin e dijes, ashtu siç ka ardhur në hadith tjetër se ata i rrethojnë dhe i mbulojnë tubimet ku përmendet Allahu dhe mësohet fjala e Tij. Mjafton si nder për dijen se ajo është trashëgimi e profetëve dhe se ai që e merr atë ka marrë një gjë të shtrenjtë. Dhe vlera e dijetarit ndaj adhuruesit është si vlera e hënës së plotë, a e keni parë hënën e plotë se si ndriçon? Ashtu është edhe dijetari, ai u ndriçon udhën njerëzve për të shkuar tek Allahu dhe kënaqësia e Tij, dhe për të qëndruar larg nga Xhehennemi dhe zemërimi i Allahut. Pra dijetari ka mision madhështor. Udhëzon njerëzit në rrugë të drejtë dhe i largon nga humbja.
Ashtu si dijetari që flet me dituri për fenë e Allahut ka shpërblim të madh, po ashtu nga ana tjetër, e kundërta e kësaj: ai që flet pa dije në fenë e Allahut kryen një gjynah të madh, dhe atë pa e ndjerë. Argument për këtë është fjala e Allahut – Subhanehu ue Te‘Ala – në suren Ea’raf, 33.
“Thuaj: Me të vërtetë Zoti im ka ndaluar nga veprat e turpshme, ato që bëhen haptas dhe ato që bëhen fshehtas, gjynahet dhe padrejtësinë, dhe t’i bëni shok Allahut gjë për të cilën Ai nuk ka zbritur argument, dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini”
Thotë Ibnul Kajjim: “I renditi haramet në katër grada dhe filloi me më të lehtën prej tyre: veprat e turpshme, pastaj të dytën përmendi atë që është më e rëndë se e para, që janë: gjynahet dhe padrejtësia, pastaj atë që është më e rëndë se dy të parat: i cili është shirku, t’i shoqërosh Allahut dikë në ato gjëra që i meriton vetëm Ai – i Patëmeta -, pastaj të katërtën më të rëndën nga të gjithat: Të flasësh për Allahun pa dije. Dhe kjo përfshin të folurit për Allahun pa dije, në Emrat dhe Cilësitë e Tij, në veprat e Tij, në fenë e Tij dhe në sheriatin e Tij” [“I’lamul muuek-kiin”/ vëll.1./ fq.39.]
Dmth imoraliteti, nuk është gjë para të folurit pa dije në fenë e Allahut, as padrejtësia, e as shirku. Të folurit pa dije në fenë e Allahut është më e madhe nga të gjitha ato.
Dhe për ata që marrin përsipër të flasin pa dije në fenë e Allahut dhe të japin fetva(përgjigje fetare) me injorancë, ka ardhur kërcënim i ashpër nga Profeti – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – i cili thotë: “Kush thotë për mua atë që nuk e kam thënë, le të bëjë gati për veten një shtëpi në Xhehennem. Dhe kush jep fetva pa dije, ai ka gjynahun e atij që i kërkoi fetva, dhe kush e orienton vëllanë e tij në diçka duke e ditur se e drejta është në diçka tjetër, ai veçse e ka tradhtuar atë” [Transmeton Ebu Daudi në “Sunen”-in e tij, dhe zinxhiri i tij është i mirë]
Prandaj kur ti pyet për fenë e Allahut dikë që nuk ka dije, nuk e ke nderuar atë, e as e ke ngritur, përkundrazi e ke futur në gjynah, dhe edhe vet ke gjynah nëse nuk pyet atë që ka dije, por pyet injorantin. Sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Pyesni njerëzit e dijes nëse nuk dini” (Nahl: 43)
Thotë Imam Kurtubiu: “Nuk ka kundërshtim mes dijetarëve se është detyrë për popullin e thjeshtë që të imitojnë, të pasojnë dijetarët e tyre, dhe kjo është qëllimi i fjalës së Allahut: “Pyesni njerëzit e dhikrit (njerëzit që njohin Kuranin dhe Sunetin) nëse nuk dini”… dhe po ashtu nuk ka kundërshtim mes dijetarëve se: popullit të thjeshtë nuk i lejohet të japë fetva, sepse ata nuk i dinë kuptimet dhe shkaqet e lejimit apo të ndalimit të diçkaje në fe” [“Tefsir el Kurtubi” ose “El xhamiu li ahkamil Kur’an” Suretl Enbija, ajeti (7).]
“Kështu ajeti pohon ‘farzin ajn’ (detyrimin individual) dhe ‘farzin kifajeh’ detyrimin kolektiv. Detyrim individual (për çdo person) është që ai i cili nuk di, të pyesë atë që di; ndërsa detyrimi kolektiv është që në çdo lagje, në çdo zonë ku jetojnë muslimanë, të jetë një grup njerëzish të cilët plotësojnë nevojat e tyre. Dmth është detyrë që në çdo fshat, (në çdo qytet) të jetë dikush që pyetet (për çështjet e fesë).”[Nga fetvatë e shejkh Mesh’hur Hasen, hafidhahUllah.]
Thotë Profeti – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem-: “Allahu nuk e merr diturinë duke e tërhequr atë nga njerëzit (nga mendjet dhe zemrat e tyre), por e merr dijen duke marrë dijetarët. Derisa të mos lerë më asnjë dijetar, atëherë njerëzit marrin (për dijetarë dhe drejtues) disa injorantë, dhe ata pyeten e japin fetva pa dije, dhe kështu humbasin vet e i humbasin edhe të tjerët” (Muslim: 2673) Profeti u siguron humbjen atyre që flasin pa dije.
Kjo që po ndodh sot është pikërisht ajo që na ka njoftuar Profeti – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem– i cili ka thënë: “Do tu vijnë njerëzve disa vite mashtruese. Në ato vite do t’i besohet gënjeshtarit, dhe do t’i thuhet të sinqertit: ‘gënjeshtar’, do t’i besohet tradhtarit, dhe besnikut do t’i thuhet tradhtar. Dhe në ato vite do të flasin ‘ruuejbidat’. – i thanë – O i Dërguari i Allahut, e ç‘janë ‘ruuejbidat’?! – tha – Njeriu mendjelehtë, i cili flet në çështjet e mëdha”
Jetuam dhe i pamë mendjelehtët që flasin në çështjet e mëdha të ummetit. “Ky është xhihad, përpjekje në rrugë të Allahut”, në një kohë që ajo është vetëm kryengritje dhe rebelim ndaj qeveritarëve e cila po sjell shkatërrim të madh në tokë, apo vetëvrasje që është prej gjynaheve të mëdha, dhe nuk ka lidhje me fenë e Allahut.
Kjo është sunet, kjo është bidat! Kjo është hallall, kjo është haram.
Ti po flet në fenë e Allahut, dmth po flet në emër të Allahut, po firmos në emër të Tij. Po thua Allahu ka lejuar, Allahu ka ndaluar, Allahu e do këtë, Allahu e urren këtë, prandaj shiko mirë se çfarë po thua, dhe në emër të kujt po flet, dhe i mjeri ti nëse flet pa dije!
Ti po gjykon për dikë se ka dalë nga feja, apo ka dalë nga suneti, apo ka devijuar nga rruga e drejtë, dhe të gjitha këto gjykime u takojnë vetëm gjykatësve fetarë siç thotë shejkh Salih Ali Shejkh, ministri i fesë së Arabisë Saudite, dhe prej dijetarëve të mëdhenj. Gjykimi ndaj njerëzve është punë e gjykatësve, dhe jo e njerëzve të thjeshtë. Sepse nëse i thua dikujt ‘kafir’ (pabesimtar) dhe ai nuk është pabesimtar, atë cilësi do ta meritojë njëri prej të dyve, ose ti ose ai. Nëse ai nuk e meriton, të kthehet ty. Siç ka ardhur në hadith të saktë nga Profeti – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -.
E po ashtu nëse i thua dikujt “bidatçi”! D.t.th se ai është i kërcënuar me Zjarrin e Xhehennemit, sepse “Çdo bidat është humbje dhe çdo humbje e ka vendin në Zjarr”, po i thua: “O ti, po lodhesh kot duke pasuar Kuranin, Sunetin, sahabët dhe dijetarët e mëdhenj të ummetit, sepse ti je duke shkuar për në Zjarr. Nderi i muslimanit është i shenjtë, por akoma më i shenjtë është nderi i dijetarëve dhe njerëzve të dijes. Ai që e ha atë i vdes zemra, dhe ai që e nuhat atë sëmuret.”
Nëse ti bëhesh gjykatës, dmth e vendos veten tënde në pozitën e gjykatësit dhe gjykon për njerëzit pa dije, ti je i kërcënuar nga vet Profeti – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – me Zjarr:“Gjykatësit janë tre llojesh: dy janë në Zjarr dhe një në Xhennet. Një njeri që e njeh të vërtetën dhe gjykon me të, ai është në Xhennet. Dhe ai që gjykon mes njerëzve pa dije, ai është në Zjarr, dhe ai që e njeh të vërtetën dhe bën padrejtësi, ai është në Zjarr” [Saktësoi Albani në “Sahih el xhami’ es-saghir” (4322, 4323/ 4)]
Gjykatësi kur gjykon pa dije është i kërcënuar me Zjarrin e Xhehennemit, po ti që nuk je gjykatës dhe për më tepër gjykon pa dije?! Po kur çështja për të cilën ti gjykon nuk është unanime dhe ka kundërshtim mes dijetarëve për të, si mund të ndërtosh mbi të dashuri dhe urrejtje (pretenduan) për hir të Allahut?! Po kur çështja që ti pason është bërë shkak për përçarjen e ummetit dhe nuk i ka bashkuar ata, por i ka bërë grupe grupe, në krye të çdo grupi vendoset nga një injorant?!
Jo uallahi nuk e ke kuptuar fenë e Allahut dhe as qëllimet e saj: prej të cilave është bashkimi i njerëzve dhe jo përçarja e tyre. Nga qëllimet e fesë është bashkimi i njerëzve, dhe këtë e thotë Allahu në Kuran: “Ai ju ligjëroi juve prej fesë, atë me të cilin porositi Nuhun, dhe atë që ta shpallëm ty, dhe atë me të cilën porositëm Ibrahimin, Musain dhe Isain: (dhe ajo porosi ishte: ) Zbatojeni fenë dhe mos u përçani në të” [Shura, 13.]
Ka thënë dijetari i madh i Islamit Ibnul Kajjim: “Sheriati është i ndërtuar mbi urtësinë dhe (prej qëllimeve të tij është) që tu sjellë dobi njerëzve në këtë botë dhe në botën Tjetër, dhe ai është i gjithi drejtësi, i gjithi mëshirë, dhe i gjithi përfitime dhe dobi, dhe i gjithi urtësi. Prandaj çdo çështje që del nga drejtësia në padrejtësi, nga mëshira në të kundërtën e saj, nga përfitimi në dëmtim, nga urtësia në tallje, nuk është askund prej sheriatit, edhe nëse përpiqet të paraqitet si pjesë e saj me ndonjë lloj interpretimi” [“I’lamul muek-kiin” (vëll. 3/ fq. 5)]
Një çështje që sjell dëme të mëdha në ummet, nuk ka lidhje me fenë e Allahut, një çështje e debatuar, dhe e diskutuar mes dijetarëve, të bëhet çështje themelore, bazë për të gjykuar mbi njerëzit, dhe për të shkaktuar përçarje dhe trazira, dhe grupe dhe banda në krye të secilës prej tyre qëndron dikush që nuk e njeh Islamin, i cili fut dhe nxjerr nga suneti kë të dojë ai, fut dhe nxjerr nga feja kë të dojë ai, kjo nuk është prej fesë Islame.
Ai që pyetet mund të jetë njëri shumë i mirë, por nuk ka dije në fenë islame. Ai që pyetet mund të jetë njeri shumë i devotshëm, por nuk ka dije në fenë e Allahut, dhe nuk lejohet që të pyetet. Mund të jetë shumë i aftë në çështjet e dynjasë dhe mund të jetë drejtues në fushën e tij, specialist, profesionist, zanatçi i mirë, por nuk ka dije në fenë e Allahut. Nuk lejohet që të pyetet dhe të flasë pa dije, sepse do të humbasë për vete, do t’i humbasë edhe të tjerët.
Në çdo gjë njerëzit kërkojnë më të diturin, më të aftin, më të zotin dhe më të mirin. Kur janë sëmurë kërkojnë për doktorin më të mirë. Kur duan të ndërtojnë një shtëpi marrin inxhinierin më të mirë. Kur duan të martohen zgjedhin bashkëshortin më të mirë. Pse kur vjen puna te feja pyesin kë tu dalë përpara? Feja është gjëja më e shtrenjtë për ty o njeri, sikur ta dije. Më e shtrenjtë se jeta, më e shtrenjtë se shtëpia, pasuria, dhe se gjithçka tjetër. Si shkon dhe e merr fenë tënde prej kujtdo?! Prej atij që ka studiuar Islamin dhe prej atij që s’e ka studiuar Islamin?
A do të pranoje që operacionin kirurgjikal në zemër të ta kryente një njeri që ka mësuar prej videove në youtube? A do t’ia lije jetën tënde në dorë një njeriu të tillë?! Po atë që është më e shtrenjtë për ty se jeta, fenë tënde, si ja lë në dorë atij që e ka mësuar fenë nga interneti (interlaneti) Youtube-i?!
“Dhe mos e paso atë për të cilën nuk ke dije, sepse me të vërtetë, dëgjimi, shikimi dhe zemra, për të gjitha ato do të pyetet njeriu” [Isra, 17]
Ibn Abbasi ka thënë për këtë ajet: “Mos thuaj dhe mos paso atë për të cilën nuk ke dije” Dhe njëri prej dijetarëve të hershëm i quajtur Ebu Is’hak është argumentuar me këtë ajet për të thënë se: “Nuk lejohet fetvaja pa dije.” [“I’lamul muuek-kiin” (vëll.1/ fq. 44)]
Paraqitja para njerëzve përpara se të marrë dije është ajo që na ka shkatërruar dhe na ka përçarë. Pa mësuar gjuhën arabe, pa u ulur në bankat e shkollës, pa u ulur në gjunjë tek dijetarët, pa e njohur tefsirin (komentimin e Kuranit), pa e njohur hadithin dhe shkencat e tij, pa e lexuar të Saktin e Bukhariut, të Muslimit – e lëri më të tjerët, pa i njohur bazat e fikhut (jurisprudencës islame). Si mund të ulesh dhe tu mësosh njerëzve fenë e Allahut?! Si mund të ndash mes të drejtës dhe të gabuarës, mes sunetit dhe bidatit, mes humbjes dhe udhëzimit?! Si?!
Jetojmë në një kohë ku të gjithë flasin me kompetenca të plota për fenë e Allahut, me dije dhe pa dije, me aq lehtësi, sikur po flasin për një ndeshje futbolli. Dhe kjo uallahi është shenjë e Kijametit. Thotë Profeti – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -, siç ka ardhur tek Bukhari: “Kur çështja të lihet në dorë të atij që s’është i aftë për të, atëherë prite Kijametin” Kur të padrejtët vendosen në krye të drejtësisë, kur tradhtarëve tu lihen në dorë amanetet, kur pasuritë të lihen në dorë të hajdutëve, dhe, më e keqja e të gjithave: kur në fenë e Allahut të flasë ai që nuk ka dije, atëherë prite Kijametin!
Selefët (dijetarët e parë) frikësoheshin shumë nga fetvaja dhe nga të folurit pa dije në fe.
“Nuk jam ulur të jap mësim derisa dëshmuan për mua 70 dijetarë” - Imam Maliku.
Dhe kur pyetej për ndonjë çështje bëhej sikur ishte mes Xhennetit dhe Xhehennemit. Prandaj le t’i kemi frikën Allahut dhe të ruajmë vetet tona dhe fenë tonë. Dhe Allahu e di më së miri!
02 - Të Dhënit Fetva pa Dije.
Autor: Asim el Karjuti
Ka thënë Ibn Kajjim el Xheuzijeh – RahimehUllah: “Kush u jep fetva njerëzve duke mos qenë i aftë për fetva është gjynahqar, kundërshtues i Allahut. Dhe ai që e miraton atë prej pushtetarëve (përgjegjësve) është gjithashtu gjynahqar, kundërshtues i Allahut.”
Ka thënë Ebul Ferexh ibnul Xheuzij – RahimehUllah: “Është detyrë për pushtetarin që t’i pengojë ata, ashtu siç bënë Benu Umejjet. Këta (që japin fetva pa qenë dijetarë) janë si ata që udhëheqin karvanet dhe nuk i njohin rrugët, apo si i verbri që u tregon njerëzve kiblen, apo si ai që nuk ka dije për mjekësinë dhe kuron njerëzit, madje ai është më keq se të gjithë ata. E nëse është detyrë për pushtetarin që ta ndalojë nga mjekimi i të sëmurëve (pseudo-mjekun), si është puna atëherë me atë që nuk e njeh Kuranin dhe Sunetin dhe nuk e kupton fenë?! Dhe shejhu ynë ishte shumë i rreptë në kundërshtimin e atyre. Një ditë e dëgjova të thoshte: ‘Më tha njëri prej tyre: A ke vendosur ndonjë inspektor (mbikqyrës) për fetvatë? (ndoshta duke u tallur me të) – i thashë – Të ketë kontrollues (mbikqyrës) për bukpjekësit dhe guzhinierët dhe të mos ketë kontrollues për fetvatë?!”
Dhe thoshte Imam Maliku - RahimehUllah: “Ai që pyetet për diçka, duhet që para se të përgjigjet ta mendojë veten përpara Xhennetit dhe Zjarrit, dhe se si do të shpëtojë në Botën Tjetër, pastaj të përgjigjet.”
Dhe u pyet për një çështje e tha: “Nuk e di.” I thanë – Ajo është një çështje e lehtë, e kollajtë! Atëherë ai u nxeh dhe tha – Nuk ka në dije çështje të lehta! A nuk e ke dëgjuar fjalën e Allahut që thotë: “Ne do të hedhim (shpallim) ty një fjalë të rëndë”[Muzzemmil: 5], prandaj dija është e gjitha e rëndë dhe sidomos ajo për të cilën do të pyetesh Ditën e Gjykimit.
Dhe ka thënë gjithashtu (Imam Maliku): “Nuk kam dhënë fetva veçse pasi dëshmuan për mua 70 (dijetarë) se unë jam i aftë për këtë punë.” Dhe ka thënë: “Nuk duhet që njeriu ta shohë veten të aftë për diçka derisa të pyesë atë që është më i dijshëm se ai (në atë fushë), dhe unë nuk kam dhënë fetva derisa pyeta Rabian dhe Jahja ibn Seiid-in dhe ata më urdhëruan për këtë gjë, e sikur të më kishin ndaluar nga kjo, do të ndalohesha prej kësaj.”
Dhe ka thënë: “Kur shokët e Profetit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem– i kishin të rënda disa mesele (çështje fetare) dhe nuk guxonte ndonjë prej tyre të përgjigjej derisa të merrte mendimin e shokut të vet, me gjithë maturinë dhe pjekurinë dhe pastërtinë që kishin, si është gjendja jonë, me gjynahet që kanë mbuluar zemrat tona?!”
Dhe kur pyetej për ndonjë çështje (Imam Maliku) – RahimehUllah – bëhej sikur ishte përpara Xhenetit dhe Zjarrit.
Thotë Ata ibn ebi Rabah: “Arrita disa njerëz që kur pyetej ndonjëri prej tyre, përgjigjej dhe trupi i dridhej.” (ndoshta nga frika prej Allahut).
U pyet Profeti – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem: “Cilat janë vendet më të këqia” dhe tha:“Nuk e di! Dersa të pyes Xhibrilin?!” E pyeti atë dhe tha: “Tregjet”
Ka thënë Imam Ahmedi: “Kush e ka parashtruar veten e tij ndaj fetvasë, e ka paraqitur atë përpara një çështjeje të madhe, veçse kur kjo është një gjë që nuk i ikën dot për shkak se është e domosdoshme.”
U pyet Sha’biu për diçka dhe tha: “Nuk e di”. I thanë: “Nuk të vjen zor që pyetesh për diçka dhe thua: ‘Nuk e di’, në një kohë që ti je fakihu (dijetari) i Irakut?! Tha – Por Engjëjt nuk patën turp të thoshin: “Ne nuk kemi dije veç asaj që ti na mësove.”!
Ka thënë njëri prej dijetarëve: “Mësoje ‘Nuk e di’-në, sepse nëse ti thua ‘Nuk e di’, do të të mësojnë derisa të dish, e nëse thua: “E di”, do të të pyesin derisa të mos dish (e të dalë në shesh mosdija jote dhe do të turpërohesh).”
Thotë Utbeh ibn Muslim: “E shoqërova Ibn Umerin 34 muaj, dhe shpesh ndodhte që të pyetej dhe thoshte: ‘Nuk e di!’”
Seiid ibnul Musejjib gati sa nuk kishte fetva që jepte dhe nuk thoshte diçka pa u lutur: “O Allah më ruaj dhe ruaji prej meje!”
U pyet Imam Shafiu për një çështje dhe heshti. I thanë: A nuk po përgjigjesh?! Tha: “(Jo) Derisa ta di (ta pyes zemrën time) nëse është më mirë të përgjigjem apo të hesht.”
Ka thënë Ibn ebi Lejla: “Arrita 120 prej ensarëve, prej shokëve të Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Pyetej ndonjëri prej tyre për ndonjë çështje dhe e kthente mbrapsht atë (refuzonte të përgjigjej).” “I’lamul muuekki-in” (4/217)
03 - Fetvaja Pa Dituri.
Autor: Shejkh Muhamed ibën Salih el-Uthejmin.
Të dhënit fetva është post i rëndësishëm, me të përballët pronari i saj për të sqaruar atë që është e dyshimtë tek masa, për çështjet që kanë të bëjnë me fenë e tyre, i udhëzon drejt rrugës së drejtë, prandaj ky post është shumë i rëndësishëm dhe nuk e drejton atë përveç atij që është kompetent. Për atë kërkohet nga robërit e Allahut që të kenë frikë Allahun dhe të mos flasin përveçse me dituri dhe shkathtësi, dhe ta mësojnë se vetëm Allahut i takon krijimi dhe urdhërimi, andaj nuk ka Zot që krijon pos Allahut, e as udhëzues për njerëzit pos Tij, e as sheriate pos sheriatit të Allahut. Ai (Allahu) është që urdhëron dhe ndalon nga diçka, Ai është që lejon dhe pëlqen diçka, ka ndaluar Allahu që dikush të lejojë apo të ndalojë diçka me teket-epshet e veta.
Allahu ka thënë: Thuaj: “Ku keni parë ju, ushqimin që ua jep Allahu, njërin e konsideroni të ndaluar e tjetrin të lejuar? Thuaj: “A ju ka lejuar Allahu këtë (gjykim) apo ju shpifni në llogari të Allahut?” Dhe ç’mendojnë ata, të cilët kundër Allahut shpifin gënjeshtra, në ditën e kijametit?” (Junus, 59-60)
Allahu ka thënë: “Dhe më gjuhët tuaja mos flisni të pavërteta, Kjo është e lejuar, kjo është e ndaluar, me qëllim që të përhapni të pavërteta për Allahun. Ata të cilët shpifin gënjeshtra ndaj Allahut nuk do të shpëtojnë. Pak do të kënaqen, por i pret dënim i dhembshëm.” (Nahl, 116-117)
Vërtetë prej krimeve më të mëdha është që njeriu të thotë për diçka kjo është e lejuar(hallall) duke mos e ditur dispozitën e Allahut për atë çështje, apo të thotë për diçka është e ndaluar (haram) duke mos ditur dispozitën e Allahut për atë çështje, apo të thotë për diçka është vaxhib (detyrë) e ai nuk e din a është detyrë ajo, apo të thotë për diçka nuk është vaxhib (detyrë) e ai nuk e din që nuk është detyrë ajo. Ky është krim dhe mos edukatë ndaj Allahut.
O rob i Allahut, si ka mundësi ta dish që gjykimi i takon vetëm Allahut, e pastaj merr iniciativën dhe guximin të thuash në fenë dhe sheriatin e Allahut pa dije?
Allahu të folurit pa dije e ka krahasuar me shirkun, Allahu ka thënë: Thuaj: “Zoti im e ka ndaluar amoralitetin edhe haptazi edhe fshehurazi, mëkatet, shtypjen pa të drejtë, dhe që Allahut t’i bëni shok, për të cilën gjë nuk ju ka shpallur kurrfarë argumenti, dhe që për Allahun të flisni atë çka nuk e dini.” (A’raf, 33)
Shumica i japin fetva njëri-tjetrit për atë që ata nuk kanë dituri, i gjen duke thënë kjo është hallall, apo haram, vaxhib, apo jo-vaxhib, e ata për këtë nuk dinë asgjë. A nuk e dinë ata se Allahu do t’i pyes për atë që kanë thënë në ditën e gjykimit.
A nuk e dinë ata se nëse e humbin-lajthitin një person, ia lejojnë atij atë që Allahu e ka bërë haram, apo ia ndalojnë atë që Allahu e ka bë hallall, veç ke pohuar mëkatin e tij dhe do të bartësh mëkatin e atyre që kanë punuar ata. Kjo si rezultat i asaj që ke dhënë fetva pa dije.
Disa njerëz nga masa bëjë një krim tjetër, kur shohin dikë që dëshiron të pyes ndonjë dijetar, i thonë: “S’ke nevojë ta pyesësh, kjo është çështje e qartë, kjo është haram edhe pse në realitet ajo është hallall, d.m.th ia bën haram atij atë që Allahu e ka lejuar.” Apo i thotë: “Kjo është vaxhib dhe e detyron me atë që Allahu nuk e ka detyruar, apo i thotë: “Kjo nuk është vaxhib, e në realitet ajo është vaxhib në sheriatin e Allahut dhe me këtë ai anulon atë që e ka bërë vaxhib Allahu.” Apo thotë:“Kjo është hallall e në realitet ajo është haram, ky është një krim të cilin ai e bën ndaj sheriatit të Allahut, dhe njëherit llogaritet tradhti ndaj vëllait të tij që iu është përgjigjur pa dituri.”
A keni parë, nëse një person pyet për një rrugë prej rrugëve të qytetit, dhe ti i thua rruga është këndej duke mos e ditur atë, a thua këtë njerëzit nuk e llogarisin si tradhti prej teje?
Atëherë si flet për rrugën e Xhenetit, kur ajo është sheriati të cilin e ka zbritur Allahu dhe ti për atë (sheriatin) nuk din asgjë?!
Disa prej të shkolluarve bien në atë që bien shumica e masës nga guximi që kanë mbi sheriatin, në lejim, ndalim, obligim, ku flasin për atë që ata nuk dinë, përgjithësojnë dhe detajizojnë në sheriat, përderisa ata janë nga më injorantët në dispozitat e Allahut, nëse dëgjon ndonjërin prej tyre duke folur mendon se atij është duke i zbritur shpallja, në atë që thotë me aq vendosmëri dhe maturi. S’ka mundësi të flasë diçka e të thotë se nuk e di, edhe pse mos dituria tek ai është hak-e vërtetë dhe e përhershme, megjithatë këmbëngul duke u mbështetur në injorancën e tij se ai është alim-dijetar dhe në këtë mënyrë i bën keq masës, sepse ka mundësi që masa t’i besoj fjalëve të tij dhe të mashtrohen.
Ah, sikur ata njerëz të ndaleshin dhe t’i atribuohen këto gjëra vetëm atyre, por i sheh që atë ia veshin islamit dhe thonë se Islami thotë kështu, islami e sheh kështu. Dhe kjo nuk lejohet përveç nëse thënësi e din se ajo është prej fesë islame, e kjo nuk mund të arrihet përveçse me librin e Allahut - Kur’anin dhe sunnetin e Muhamedit, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, apo konsensusin e muslimanëve.
Disa njerëz nga guximi, mos devocioni, mos turpi nga Allahu dhe frikës ndaj Tij, për haramin e qartë thonë nuk mendoj se kjo është haram, apo për një gjë që është vaxhib i qartë, thonë nuk mendoj se kjo është vaxhib, kjo vjen nga ata si rezultat i injorancës së tyre, inatit, mendjemadhësisë, apo futjes së dyshimit tek robërit e Allahut për fenë e Allahut.
Vëllezër të nderuar, prej imanit, mendjes së shëndoshë, devocionit dhe madhërimit të Allahut është që njeriu të thotë për atë që nuk e dinë, “nuk e di”, pyete dikë tjetër. Kjo është nga mendja e plotë, e kur njerëzit shohin verifikimin e tij, i besojnë pastaj, kështu njeriu e din peshën e tij dhe e vendon atë në vendin e vet, dhe kjo është nga imani i plotë dhe devocioni në Allahun, kështu që nuk nxiton të flet për Allahun, e as për fenë e Tij pa dije.
I Dërguari i Allahut, alejhi selam, edhe pse ishte njeriu më i ditur për fenë e Allahut, kur pyetej për diçka që nuk kishte ardhur shpallja, priste derisa atij t’i vinte shpallja dhe Allahu të përgjigjej për atë që është pyetur i dërguari i Tij. Kur të pyesin çka u lejohet, Thuaj: “ju lejohen ushqimet e mira…” (Maide, 4)
Pastaj, “Dhe të pyesin për Dhulkarnejnin, thuaj: Për këtë do t’iu rrëfej disa lajme.”(Kehf, 83)
Pastaj, “Të pyesin për ditën e kijametit kur do të ndodhë. Thuaj: Atë e din vetëm Zoti im, Ai do ta zbuloj kohën e tij…” (A’raf, 187)
Shokëve të ndershëm të Muhammedit, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, kur u shtrohej ndonjë pyetje për të cilën nuk e dinin dispozitën e Allahut, frikoheshin dhe ndaleshin.
Ja Ebu Bekri, radijAllahu ‘anhu, i cili thotë: “Cili qiell më mbulon dhe cila tokë më mbanë nëse them për librin e Allahut pa dituri.”
Ja dhe Omeri, radijAllahu ‘anhu, kur i ndodhte ndonjë telashe i mblidhte sahabët dhe i konsultonte. Ibn Sirini ka thënë: “As kush nuk ka qenë më i ndrojtur për atë që nuk e din, se sa Ebu Bekri, dhe pas Ebu Bekrit askush nuk ka qenë më i ndrojtur për atë që nuk e dinë se sa Omeri, Allahu qofte i kënaqur me ta.”
Ibn Mes’udi, radijAllahu ‘anhu, ka thënë: “O ju njerëz, kush pyetet për atë që e din le të flase, ndërsa ai që nuk ka dituri le të thotë: “Allahu e din më mirë, sepse prej diturisë është të thotë për atë që nuk e di “Allahu e dine me mire.”
Imam Sha‘biu, Rahimullah, është pyetur për një çështje të fesë dhe ka thënë: “Nuk e di mirë.”
Shokët e tij i kanë thënë: të turpëruam; i ka thënë Imam Shabiu: “Por melaiket e Allahut nuk janë turpëruar kur kanë thënë: “Ne nuk dimë përveç asaj që na ke mësuar Ti…” (Bekare, 32)
Ka shembuj të ndryshëm në dhënien e fetvave pa dituri, prej tyre p.sh: “Nëse i sëmuri ka bërë pis rrobat e tij me ndyrësirë dhe nuk ka mundësi t’i pastrojë ato, i jepet fetvaja se ai nuk duhet të falet derisa t’i pastroj, kjo fetva është gënjeshtër, gabim dhe e kotë. Sepse i sëmuri falet edhe nëse i ka rrobat e pista, bile edhe nëse trupi i tij është i pistë me ndyrësirë dhe s’ka mundësi ta pastrojë atë, prapë duhet të falet,Allahu ka thënë: “Prandaj, frikojuni Allahut sa të mundeni…” (Tegabun, 16)
I sëmuri falet sipas gjendjes dhe mundësisë së tij, falet në këmbë, nëse nuk mundet atëherë shtrirë, nëse nuk mundet atëherë në ije duke bërë shenjë me kokën e tij nëse mundet, nëse nuk mundet bënë shenjë me sytë e tij sipas disa dijetarëve, e nëse nuk mundet as këtë dhe ai ka vetëdije – atëherë le të bëjë nijet veprimin me zemër, ndërsa fjalën le ta thotë me gjuhën e tij, p.sh: “thotë Allahu Ekber, pastaj këndon Fatihan-Elhamin dhe një sure, pastaj thotë: Allahu Ebker dhe e bën nijet se ai është ne ruku, pastaj thotë: semiAllahu limen hamideh, dhe e bënë nijet se është ngritur nga rukuja, e kështu vazhdon në sexhde dhe veprimet tjera të namazit, e bënë nijet veprën të cilën nuk ka mundësi ta bëjë, e bënë nijet me zemrën e tij dhe nuk e vonon namazin nga koha e tij.”
Për shkak të kësaj, fetva të rrejshme dhe të kotë, disa musliman vdesin duke mos u falur si pasojë e kësaj fetvaje, dhe sikur ata ta dinin se njeriu i sëmurë falet në cilën do gjendje, do të vdisnin ata (të sëmurit) duke u falur.
Sikur këto mesele-çështje të fesë dhe të ngjashme me këto që ka shumë, është obligim mbi masën-popullin që ti marrin dispozitat nga dijetarët-hoxhallarët ashtu që të dinë sheriatin e Allahut, dhe mos të thonë diçka për fenë e Allahut pa dituri.
04 - Ndalesa për të mos folur pa pasur dije.
Autor: Imam Alij bin Alij bin Muhamed bin Ebil-‘Izz ed-Dimeshkij el-Hanefij (RahimehUllah)
Burimi: “Sherh Akidetit-Tahauijeh”, faqe 307-308
Nuk duhet folur në asnjë aspekt në qoftë se nuk ke dije, posaçërisht në çështje të fesë. Thotë Allahu Tebarake ue Te‘ala:
وَلاَ تَقْفُ مَا لَيْسَ لَكَ بِهِ عِلْمٌ إِنَّ السَّمْعَ وَالْبَصَرَ وَالْفُؤَادَ كُلُّ أُولـئِكَ كَانَ عَنْهُ مَسْؤُولاً
“Mos shko pas diçkaje (mos fol) për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.” 17-36
Dhe thotë Allahu Tebarake ue Te‘ala:
وَمِنَ النَّاسِ مَن يُجَادِلُ فِي اللَّهِ بِغَيْرِ عِلْمٍ وَيَتَّبِعُ كُلَّ شَيْطَانٍ مَّرِيدٍ {3} كُتِبَ عَلَيْهِ أَنَّهُ مَن تَوَلَّاهُ فَأَنَّهُ يُضِلُّهُ وَيَهْدِيهِ إِلَى عَذَابِ السَّعِيرِ
“Ka disa njerëz që diskutojnë për Allahun, pa kurrfarë dijenie dhe ndjekin rrugën e çdo djalli të ndërkryer, e është caktuar për të (djallin), se kush e bën mik, ai (djalli) do ta shmangë (mikun) e do ta sjellë atë në dënimin e zjarrit.” 22:3-4
Dhe thotë Allahu Tebarake ue Te‘ala:
وَمِنَ النَّاسِ مَن يُجَادِلُ فِي اللَّهِ بِغَيْرِ عِلْمٍ وَلَا هُدًى وَلَا كِتَابٍ مُّنِيرٍ {8} ثَانِيَ عِطْفِهِ لِيُضِلَّ عَن سَبِيلِ اللَّهِ لَهُ فِي الدُّنْيَا خِزْيٌ وَنُذِيقُهُ يَوْمَالْقِيَامَةِ عَذَابَ الْحَرِيقِ
“Disa njerëz diskutojnë për Allahun pa kurrfarë diturie, pa udhërrëfyes dhe pa Libër ndriçues. Ata e kthejnë mënjanë kokën (nga mendjemadhësia), që të largojnë të tjerët nga rruga e Allahut. Këta njerëz do të poshtërohen në këtë botë, kurse në Ditën e Kiametit Ne do t’i bëjmë, që të shijojnë dënimin e zjarrit të ndezur fort.”22:8-9
Dhe thotë Allahu Tebarake ue Te‘ala:
وَمَنْ أَضَلُّ مِمَّنِ اتَّبَعَ هَوَاهُ بِغَيْرِ هُدًى مِّنَ اللَّهِ إِنَّ اللَّهَ لَا يَهْدِي الْقَوْمَ الظَّالِمِينَ
“E kush është në humbje më të madhe, se ata që udhëhiqen nga dëshirat e veta, pa udhëzim prej Allahut? Sigurisht, Allahu nuk i udhëzon njerëzit keqbërës.” 28:50
Dhe thotë Allahu Tebarake ue Te‘ala:
إِن يَتَّبِعُونَ إِلَّا الظَّنَّ وَمَا تَهْوَى الْأَنفُسُ وَلَقَدْ جَاءهُم مِّن رَّبِّهِمُ الْهُدَى
“Ata ndjekin vetëm hamendjet dhe atë që ua ka qejfi, ndonëse u ka ardhur prej Zotit të tyre udhëzimi (për rrugën e drejtë).” 53:23
Dhe ajete të tjera të shumta që kanë këtë kuptim.
Transmetohet nga Ebu Umameh radijallahu anhu, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem ka thënë:
ما ضل قوم بعد هدى كانوا عليه إلا أوتوا الجدل ثم تلا : مَا ضَرَبُوهُ لَكَ إِلَّا جَدَلًا
“Nuk kanë lajthitur ndonjë popull pasi që ishin të udhëzuar, veçse u bënë polemizues.” Pastaj lexoi ajetin: “Ata ta paraqesin këtë shembull vetëm për shkak se janë polemizues.” 43:58. (Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se hadithi është Hasen).
Transmetohet nga Aishja radijallahu anha, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem ka thënë:
إن أبغض الرجال إلى الله الألد الخصم
“Njerëzit më të urryer tek Allahu janë kundërshtarët grindavec (polemizues të tepërt).” (Buhariu dhe Muslimi).
Nuk ka dyshim se, ai i cili nuk pranon fjalën e të Dërguarit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, është i mangët në besimin (teuhidin) e tij. Sepse, i tilli flet me mendjen dhe teket e veta, apo pason dikë i cili flet nga mendja dhe teket e tij pa u mbështetur në udhëzimin e Allahut. I tilli ka mangësi në çështje të besimit në proporcion me kundërshtimin e Sunnetit profetik. Me këtë gjë, anasjelltas i bie që ai ka marrë për zot dikë tjetër pos Allahut. Thotë Allahu:
أَفَرَأَيْتَ مَنِ اتَّخَذَ إِلَهَهُ هَوَاهُ
“Mendo pak! Kush, përveç Allahut, mund ta udhëzojë atë njeri, që dëshirat e veta i ka bërë zot.” 45:23
Do të thotë, adhuron atë që i përshtatet dëshirave të veta.
05 - Këshillë për ata që nguten për të dhënë mësim dhe fetva.
Autor: Shejkh Rabij' Ibën Hadij el-Medkhalij
Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=36206
Pyetje: I nderuar Shejkh - Allahu Xhel-le ue 'Alaa ju ruajt – me të vërtetë prej gjërave që të gëzojnë është shfaqja e davetit Selefij, përhapja e Sunetit në çdo vend e në çdo qytet, ngritja lart e flamurit të tij dhe rënia poshtë e flamujve të njerëzve të bidatit dhe epsheve. Mirëpo, ka disa vërejtje, e ato janë: se kanë dalë në krye të davetit Selefij disa që nuk janë të kualifikuar për të, ose për shkak të moshës së vogël apo për shkak të injorancës apo për shkak të entuziazmit të tepruar e të pakontrolluar, sipas Kur'anit dhe Sunetit. Dhe problemi më i madh është se shumë prej të rinjve selefijinë janë lidhur mbas tyre dhe i madhërojnë ata më shumë se ç'duhet, aq sa dikush e cilësoi njërin prej atyre si “imami i Ehli-Sunetit në vendin e tij”. Atëherë, cili është komenti juaj për këtë fenomen?
Përgjigje: UAllahi ne i këshillojmë të rinjtë Selefijinë që të merren me kërkimin e dijes dhe të jenë lidhur me Ulematë, të përfitojnë prej tyre dhe të marrin prej tyre,
sepse ai mund të lexojë ndonjë libër dhe nuk e kupton saktë dhe bie në gabim. Dhe ky kuptim i gabuar mund të përsëritet në një numër rastesh, kështu që gabimet do të mblidhen dhe rrjedhimisht do të shtohet dëmi. Prandaj, ne i këshillojmë vëllezërit tanë, nëse atyre u jepet mundësia që të vijnë tek Ulematë dhe të mësojnë e të marrin akijden dhe bazat nga ata, atëherë rruga e saktë dhe e sigurtë e cila e ruan dhe e garanton davetin nga ndarjet dhe përçarjet, është pikërisht si kjo rrugë. Respektojini dijetarët o vëllezër!
Besimi tek dijetarët është sunet. Kjo është një çështje tejet e rëndësishme. Vetëmashtrimi dhe madhërimi i vetvetes janë rrugë e rrezikshme që e shpërben unitetin e Selefive. Prandaj, ne i këshillojmë të rinjtë që të mos nguten të dalin në krye – Allahu ju bekoftë -!
Dhe kjo është këshillë nga ai që i do bijtë dhe vëllezërit e tij, sepse Selefët tanë kanë thënë:“Nëse e shikon të voglin duke folur në prani të të madhit, atëherë dëshpërohu nga ai se kjo është prej edukatës së keqe!!” Sepse ai kur fillon (të flasë) e shikon veten e tij si imam dhe del në krye të njerëzve, ndërkohë që ai nuk ka arritur dhe nuk është pjekur deri në këtë gradë.
Kështu që ky njeri e ka detyrë që të ketë frikë Allahun për veten e tij dhe të kthehet, derisa të vijë koha kur të dëshmojnë për të Ulematë dhe t'i japin tezkije. Maliku thoshte: “Nuk kam dalë për të dhënë fetva e për të dhënë mësim përveç se pasi që dëshmuan për mua shtatëdhjetë e disa dijetarë se unë jam i aftë.”
Ti shko shiko nëse Ibën Bazi të jep tezkije dhe të propozon për fetva apo të propozon që të japësh mësim. Shko tek Ibën 'Uthejmini, shko tek Feuzani, shko tek ata e thuaju kam studjuar këtë e këtë, a të dal për të bërë davet apo të dal për të dhënë fetva? Nëse të thonë: “Jo UAllahi, akoma!” Ik, vazhdo të studjosh. E nëse të thonë: “Tani arrite në gradën që je i kualifikuar për fetva dhe për të dhënë mësim”, atëherë shko.
Kështu vepronin Selefët. Kështu pra, duhet t'i respektojmë Ulematë që janë të pranishëm pasi ata janë çfarë ka mbetur nga Selefët e Devotshëm, si dhe të pijmë nga dija e madhe që kanë ata, të përballojmë vështirësitë derisa të arrijmë aty ku arritën ata ose t'u afrohemi, pastaj do të na e kenë nevojën njerëzit dhe ata do të shohin se ne kemi dije të mjaftueshme.
Prandaj, të mos shkëputemi nga kërkimi i diturisë, të mos shkëputemi nga kërkimi i diturisë. Kërkimi i diturisë është që nga djepi gjer në varr. UAllahi, sikur të gjeja ndonjë rrugë për të mësuar tek Shejkh Ibën Bazi dhe Shejkhul-Albanij, UAllahi nuk do të ngurronim që të studjonim tek ata, mirëpo ata janë larg nesh dhe ne jemi plakur tashmë. Andaj mos u ngutni o vëllezërit tanë, ju këshillojmë - nëse e respektoni davetin Selefij – që të mos nguteni për të dhënë fetva e as për të dhënë mësim, derisa të piqeni, pastaj të dilni për të dhënë mësim.
06 - Të folurit ndaj Allahut pa dituri.
Burimi: “Medarixhul Salikin”, (1/644-649)
Sa i përket fjalës së Allahut “Thuaj: “Zoti im i ndaloi vetëm të këqijat e turpshme, le të jenë të haptë ose të fshehta, ndaloi mëkatin, ndaloi shtypjen e tjetrit pa të drejtë, ndaloi t’i mvishni Allahut shok pa patur për të kurrfarë argumenti, dhe ndaloi të thoni për Allahun atë që nuk e dini se është e vërtetë” (Araf: 33). është gjynahu më i rëndë se të gjitha gjynahet e tjera te përmendura në këtë ajet. Prandaj është përmendur në gradën e katërt prej gjërave të ndaluara për të cilën kanë ndaluar të gjitha legjislacionet e feve, si dhe kjo nuk lejohet në asnjë lloj mënyre apo gjendje, si dhe nuk është vetëm se e ndaluar. Kjo nuk është si mishi i ngordhur, apo gjaku i mpiksur, apo mishi i derrit të cilat lejohen në disa raste.
Gjërat që janë të ndaluara janë dy lloje: të ndaluara në vetveten e tyre të cilat nuk lejohen në asnjë rrethanë, si dhe të ndaluara prej rrethanave, ndalohen në një kohë e lejohen në një tjetër.
Allahu i Lartësuar ka thënë për ata që janë të ndaluara në vetveten e tyre:
قُلْ إِنَّمَا حَرَّمَ رَبِّيَ الْفَوَاحِشَ مَا ظَهَرَ مِنْهَا وَمَا بَطَنَ
“Thuaj: “Zoti im i ndaloi vetëm të këqijat e turpshme, le të jenë të haptë ose të fshehta”, pastaj përmendi gjynahet më të mëdha prej tyre ku thotë:
وَالإِثْمَ وَالْبَغْيَ بِغَيْرِ الْحَقِّ
“ndaloi mëkatin, ndaloi shtypjen e tjetrit pa të drejtë”, më pas përmendi atë që është më e madhe se këto dhe tha:
وَأَن تُشْرِكُواْ بِاللّهِ مَا لَمْ يُنَزِّلْ بِهِ سُلْطَاناً
“ndaloi t’i mveshni Allahut shok pa pasur për të kurrfarë argumenti”, pastaj përmendi atë që është më e madhe dhe tha:
وَأَن تَقُولُواْ عَلَى اللّهِ مَا لاَ تَعْلَمُونَ
“dhe ndaloi të thoni për Allahun atë që nuk e dini se është e vërtetë.” Ky është gjynahu më i madh tek Allahu dhe më i rëndi në mëkat, sepse kjo përmban në veten e tij përgënjeshtrimin ndaj Allahut, si dhe t’i atribuosh Atij atë që nuk i takon Atij, si dhe ndryshimin e fesë së Tij dhe zëvendësimin e saj, të mohosh atë që Ai e ka vërtetuar si dhe të vërtetosh atë që Ai ka mohuar, ta konsiderosh të saktë atë që Ai e ka konsideruar të kotë si dhe të konsiderosh të kotë atë që Ai ka konsideruar të saktë, të armiqësosh ato që Ai donë dhe të duash ato që Ai armiqëson, të duash atë që Ai e urren dhe të urresh atë që Ai donë, si dhe t’i atribuosh Atij gjëra që nuk i takojnë Atij në veten e Tij, cilësitë e Tij, fjalët e Tij dhe veprat e Tij.
Nuk ka prej gjërave që ka ndaluar Allahu gjë më të madhe se ajo, e as mëkat më të madh se kjo. Si dhe kjo është baza e shirkut, si dhe mbi të u ngritën bidati dhe gjërat e humbura. Çdo bidat i humbur në fe bazën e ka tek fjala ndaj Allahut padituri.
Prandaj selefët (të paret) e kanë refuzuar më të madhe një gjë të tillë, si dhe kanë folur për pasuesit e saj në çdo cep të tokës, si dhe kanë folur për fitnen e tyre shumë, si dhe e kanë ekzagjeruar refuzimin e tyre në atë mënyrë të madhe që nuk e kanë bërë me gjynahet e tjera si padrejtësia e armiqësia; sepse dëmi i bidatit dhe shkatërrimi që ai i bën fesë është shumë më e madhe. Allahu i Lartësuar e ka refuzuar atë që i atribuon Atij diçka të lejuar në fenë e Tij për të cilën Ai e ka ndaluar ku thotë:
وَلاَ تَقُولُواْ لِمَا تَصِفُ أَلْسِنَتُكُمُ الْكَذِبَ هَـذَا حَلاَلٌ وَهَـذَا حَرَامٌ لِّتَفْتَرُواْ عَلَى اللّهِ الْكَذِبَ
“Mos i thoni asaj rrenës së gjuhëve tuaja: “Kjo është hallall e kjo është haram” e të shpifni ndaj Allahut rrenën” (Nahl: 116).
E si mund të jetë puna që t’i atribuosh Atij në cilësitë e Tij diçka që Ai nuk e ka cilësuar veten me të? Apo mohon prej cilësive të Tij diçka që Ai e ka cilësuar veten me të?
Disa prej selefëve kanë thënë: Të ketë kujdes ndonjëri prej jush që të thotë: Allahu e ka lejuar këtë apo e ka ndaluar Allahu atë, e Allahu t’i thotë atij: Ke gënjyer, nuk e kam lejuar atë e as nuk e kam ndaluar këtë.
Është për qëllim lejimi dhe ndalimi në bazë të mendjes vetëm pa argument prej Allahut dhe të dërguarit të Tij.
Baza e shirkut dhe e kufrit është: të flasësh ndaj Allahut me padituri; sepse ai i cili bën shirk pretendon se atë të cilin ai e adhuron e afron atë tek Allahu, si dhe ndërmjetëson për të tek Ai, si dhe ia kryen Allahu nevojën që ka nëpërmjet tij, siç janë ndërmjetësuesit tek mbretërit. Çdo person i cili bën shirk flet ndaj Allahut me padituri dhe jo e kundërta; sepse të flasësh ndaj Allahut me padituri mund të përmbajë mohim dhe bidat në fenë e Allahut. Kjo është më e përgjithshme se shirku, kurse shirku është diçka prej saj.
Për këtë rrena ndaj të dërguarit të Allahut –paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- është shkak që personi të hyj në zjarr, si dhe të ketë një vend në të të përgatitur, i cili është vend që nuk i ndahet atij, sepse ajo përmban në veten e saj të thuash ndaj Allahut diçka me padituri, njëjtë sikur po gënjen ndaj Allahut të Lartësuar. Sepse ajo që i mvishet të dërguarit i mvishet edhe Atij që e ka dërguar, e të flasësh ndaj Allahut me padituri është qartë të shpifesh ndaj Tij:
“E kush është më gjynahqarë i madh se sa ai që trillon rrenë ndaj Zotit” (Enam: 93).
Kështu që të gjitha gjynahet e pasuesve të bidatit hyjnë nën këtë lloj prandaj nuk plotësohet pendimi prej tij vetëm nëse pendohet prej bidatit.
E sit ë pendohet ai prej bidatit ku ai nuk e din se ka bërë bidat, apo mendon se është sunet, ai i thërret të tjerët në të dhe si nxit të tjerët në të?! Nuk i largohen gjynahet të cilat kanë nevojë për pendim prej tij vetëm nëse ai mbushet me sunet, si dhe të mësojë shumë rreth sunetit, e të jetë gjithmonë në kërkim të sunetit, porse ai i cili pason bidatin nuk e gjen asnjëherë në gjendje të tillë.
Sepse suneti - në veten e tij - e largon bidatin dhe nuk e lën atë të qëndrojë, e nëse lind dielli në zemrën e robit largohet prej tij retë e çdo bidati, si dhe largon errësirën e çdo devijimi.
Sepse errësira nuk ka fuqi ndaj fuqisë së diellit dhe se nuk e shikon robi dallimin mes sunetit dhe bidatit, dhe ta ndihmojë atë që të dali prej errësirës së bidatit në dritën e sunetit vetëm se pasi i plotë i sunetit dhe emigrimi me zemrën e tij në çdo kohë tek Allahu, duke kërkuar mbrojtje dhe me sinqeritet dhe kthim të vërtetë tek Allahu. Si dhe të emigrojë tek i dërguari i Tij, duke dhënë mundin e tij që të arrijë tek fjalët, veprat, udhëzimi dhe sunetin e tij:
فمن كانت هجرته إلى الله ورسوله،فهجرته إلى الله ورسوله
“E nëse emigrimi i tij është për Allahun dhe të dërguarin e Tij, atëherë shpërblimi i tij është tek Allahu dhe i dërguari i Tij” [Transmeton imam Buhari dhe imam Muslimi.], e nëse emigron në diçka tjetër atëherë fati i tij është ajo çka ka bërë ne dynja dhe ne Ahiret. Allahut i kërkojmë ndihmë.
01 - Gjynahu më i madh Të flasësh në fenë e Allahut pa dije!: Përgatiti: Emin Bilali
02 - Të Dhënit Fetva pa Dije Përktheu: Emin Bilali
03 - FETVAJA PA DITURI Përktheu dhe Përshtati: Valdet Kamberi
04 - Ndalesa për të mos folur pa pasur dije: Përkthyes nga gjuha arabe: Bekim Gashi
05 - Këshillë për ata që nguten për të dhënë mësim dhe fetva: Përktheu: Alban Malaj
06 - Të folurit ndaj Allahut pa dituri. Përktheu: Abdurrahman Rama