Xhamia e Haxhi Ymerit
Gjakovë

TESTAMENTI



Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”





 

 

Autor: Sejjid Sabik

Përkthyer nga një grup përkthyesish

Nxjerrja e Haditheve: Bledar Karaj el Albani

 

 

TESTAMENTI NË ISLAM.

 

Përkufizim.

Fjala testament vjen nga fjala arabe uesija, që do të thotë të përçosh diçka. Kështu, testamentlënësi përçon atë që ka pasur në jetën e tij pas vdekjes.

Në legjislacionin islam me fjalën uesija kuptohet dhurimi i një personi një tjetri i diçkaje, i një borxhi apo dobie, me kusht që përfituesi i testamentit ta shtjerë në dorë dhuratën pas vdekjes së testamentlënësit.

Disa e përkufizojnë se ajo është lënie në pronësi pas vdekjes në mënyrë donacioni. Nga ky përkufizim del qartë dallimi mes dhuratës dhe testamentit. Pronësia e përfituar nga dhurata arrihet në moment ndërsa pronësia e përfituar nga testamenti nuk arrihet veçse pas vdekjes. Kjo nga njëra anë dhe nga ana tjetër dhuratë nuk jepet veçse vetë malli, ndërsa testamenti mund të jetë me mall, borxh dhe dobi.

 

Ligjshmëria e tij.

Ai është legjitim me Kuran, traditë të Profetit dhe konsensus.

Në Kuran, Allahu i Lartësuar thotë:

كُتِبَ عَلَيْكُمْ إِذَا حَضَرَ أَحَدَكُمْ الْمَوْتُ إِنْ تَرَكَ خَيْرًا الْوَصِيَّةُ لِلْوَالِدَيْنِ وَالْأَقْرَبِينَ بِالْمَعْرُوفِ حَقًّا عَلَى الْمُتَّقِينَ

“Ju është urdhëruar që, nëse ndonjërit prej jush i afrohet vdekja dhe ka pasuri për të lënë pas, atëherë të lërë testamentin në mënyrë të drejtë për prindërit dhe farefisin; ky është detyrim për besimtarët e devotshëm”. (El-Bekare, 180).

مِنْ بَعْدِ وَصِيَّةٍ يُوصِي بِهَا أَوْ دَيْنٍ

“(Kjo e drejtë në trashëgim bëhet) pas kryerjes së testamentit të lënë dhe larjes së borxhit.” (En-Nisa, 12).

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا شَهَادَةُ بَيْنِكُمْ إِذَا حَضَرَ أَحَدَكُمْ الْمَوْتُ حِينَ الْوَصِيَّةِ اثْنَانِ ذَوَا عَدْلٍ مِنْكُمْ

“O besimtarë! Kur t’ju afrohet vdekja, me rastin e lënies së testamentit, le të dëshmojnë dy të ndershëm prej jush”. (El-Maide, 106).

Në Sunet transmetohen hadithet e mëposhtme:

  1. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ibn Omeri (radijAll-llahu anhu) se Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Detyrë e besimtarit që ka pasuri dhe dëshiron testament është që të mos kalojnë dy netë[1] pa e patur të shkruar testamentin e tij”.[2]

Ibn Omeri ka thënë: “Që kur dëgjova Profetin (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ta thotë këtë, nuk ka kaluar asnjë natë pa patur të shkruar testamentin tim”.

Kuptimi i hadithit është se kjo është parapërgatitje, pasi njeriu mund të kapet nga vdekja në befasi.

Shafiu ka thënë: “Përgatitja dhe siguria e muslimanit është që ta shkruajë testamentin e tij, nëse ka diçka për të cilën do të porosisë, pasi ai nuk e di se kur i vjen vdekja e cila do të jetë pengesë mes tij dhe dëshirës që mund të ketë patur”.

  1. Ahmedi, Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe Ibn Maxheh transmetojnë nga Ebu Hurejra se Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Burri apo gruaja mund të punojnë duke iu bindur Allahut gjashtëdhjetë vjet. Atyre do t’u vijë vdekja, do t’u bëhet dëm në testament e kështu do të bëhen pjesë e zjarrit”.[3] Pastaj Ebu Hurejra recitoi:

مِنْ بَعْدِ وَصِيَّةٍ يُوصَى بِهَا أَوْ دَيْنٍ غَيْرَ مُضَارٍّ وَصِيَّةً مِنْ اللَّهِ وَاللَّهُ عَلِيمٌ حَلِيمٌ

“Pasi të kryhet testamenti e të lahet borxhi, duke mos e dëmtuar askënd. Kjo është porosia e Allahut! Allahu është i Gjithëdijshëm dhe shumë Durues”. (En-Nisa, 12).

  1. Ibn Maxheh transmeton nga Xhabiri se Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush vdes dhe ka lënë testament (porosi), ka vdekur sipas Sunetit tim, ka vdekur me devotshmëri e dëshmi dhe ka vdekur i falur”.[4]

Të gjithë dijetarët kanë rënë dakord për ligjshmërinë e testamentit.

Testamenti që linin sahabët.

Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) kur diq nuk la testament, sepse ai nuk la pas vetes pasuri që të kishte arsye për të lënë testament. Buhariu transmeton nga Ibn Ebu Eufa se “Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) nuk ka lënë testament”.[5]

Dijetarët, duke e motivuar këtë, kanë thënë:

Ai nuk la pas vetes pasuri. Toka e kishte vendin e saj kujt t’i jepej, ndërsa për armët dhe mushkën ai ka njoftuar se ato nuk trashëgohen.[6] Këtë e përmend Neveviu.

Ndërsa sahabët kanë lënë testamente prej një pjese të pasurisë së tyre si afrim me Allahun. Ata linin testament të shkruar për trashëgimtarët e tyre.

Abdurazaku përmend nëpërmjet një vargu të saktë transmetimi se Enesi (radijAll-llahu anhu) ka thënë se sahabët shkruanin në krye të testamenteve të tyre:

“Në emër të Allahut, Mëshirëplotit, të Gjithëmëshirshmit ! Këtë testament e lë filani i biri i filanit se dëshmon se s’ka zot tjetër veç Allahut të vetëm të pashoq dhe dëshmon se Muhamedi është robi i Tij. Pa dyshim që Dita e Kiametit do të vijë dhe se Allahu do të ringjallë ata që janë në varre. Porosis familjen time, që lë pas, të kenë frikë Allahun e të shkojnë mirë me njëri-tjetrin, t’i binden Allahut dhe të dërguarit të Tij, që të jenë besimtarë të mirë. Porosis ashtu siç Ibrahimi dhe Jakupi porositi fëmijët e tij:

إِنَّ اللَّهَ اصْطَفَى لَكُمْ الدِّينَ فَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنْتُمْ مُسْلِمُونَ

“Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe, veçse duke qenë myslimanë të nënshtruar ndaj Atij!” (El-Bekare, 132).[7]

Urtësia e testamentit.

Në një hadith nga Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) thuhet: “Allahu ju dha lëmoshë një të tretën e pasurisë suaj, shtesë për punët tuaja, lërini ato aty ku të doni apo pëlqeni”.[8] Porse ky hadith është i dobët.

Ky hadith tregon se testamenti është mjet afrimi me Allahun në momentet e fundit të jetës së njeriut, që të mirat e tij të shtohen apo të mund të arrijë plotësojë nga ato që ia kanë kaluar sepse testamenti është bamirësi ndaj njerëzve dhe ngushëllim për ta.

Dispozita e testamentit.

Për përshkrimin legjitim të tij, pra a është ajo i kërkuar për t’u bërë apo për t’u lënë[9], dijetarët kanë diskutuar dhe kanë dhënë disa mendime të cilat i përmbledhim si më poshtë:

Mendimi i parë:

Shpreh se testamenti është detyrim për cilindo që lë pasuri, qoftë ajo e vogël apo e madhe. Këtë mendim e shpreh Zuhri dhe Ebu Milxhez.

Ky është edhe mendimi i Ibn Hazmit i cili transmeton detyrimin e tij nga Ibn Omeri, Talha, Zubejri, Abdullah ibën Ebu Eufa, Talha ibën Mutarif, Tausi dhe Sha’bi. Ky i fundit ka thënë se ky është mendimi i Ebu Sulejmanit dhe tërë shokëve tanë. Ata e argumentojnë këtë me ajetin kuranor:

كُتِبَ عَلَيْكُمْ إِذَا حَضَرَ أَحَدَكُمْ الْمَوْتُ إِنْ تَرَكَ خَيْرًا الْوَصِيَّةُ لِلْوَالِدَيْنِ وَالْأَقْرَبِينَ بِالْمَعْرُوفِ حَقًّا عَلَى الْمُتَّقِينَ

“Ju është urdhëruar që, nëse ndonjërit prej jush i afrohet vdekja dhe ka pasuri për të lënë pas, atëherë të lërë testamentin në mënyrë të drejtë për prindërit dhe farefisin; ky është detyrim për besimtarët e devotshëm”. (El-Bekare, 180).

Mendimi i dytë:

Shprehet se ai është i detyrueshëm për prindërit dhe të afërmit të cilët nuk e trashëgojnë të vdekurin. Ky është medh’hebi i Mesrukut, Ijasit, Katadës, Ibn Xheririt dhe Zuhrit.

Mendimi i tretë:

Ky është mendimi i katër imamëve: Ebu Hanifes, Malikut, Shafi’iut, Ahmedit dhe Zejdive. Ata janë të mendimit se testamenti nuk është detyrim ndaj asnjërit që lë pasuri siç thotë mendimi i parë, as detyrim për prindërit dhe të afërmit që nuk trashëgojnë siç shprehet mendimi i dytë, porse dispozita e tij ndryshon sipas rastit.

Ai mund të jetë i detyrueshëm, i pëlqyer, i ndaluar, i urryer apo i lejuar.

Kur është i detyruar?

Testamenti është i detyruar në rast se personi ka borxh një të drejtë legjitime dhe ka frikë se ajo mund të humbë nëse nuk lë testament, si p.sh. diçka të lënë në depozitim, borxh ndaj Allahut apo njeriut, zekati të cilin nuk e ka dhënë, haxhi të cilin nuk e ka kryer apo ka nën vete një amanet që duhet ta çojë në vend, ka borxh që nuk e di tjetër njeri veç tij apo diçka të depozituar pa dëshmuar kënd për të.

Kur është i pëlqyer?

Testamenti është i pëlqyer në raste veprash të mira, për të afërmit e varfër dhe njerëzit e devotshëm.

Kur është i ndaluar?

Në rast se me lënien e testamentit u bëhet dëm trashëgimtarëve, atëherë ai është i ndaluar. Abdurrezaku transmeton nga Ebu Hurejra se Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Një person mund të punojë me veprat e bamirësve shtatëdhjetë vjet e nëse lë testament, bën padrejtësi në të. Kështu atij i vuloset me punën më të keqe dhe hyn në Zjarr. Një person mund të punojë me veprat e të këqinjve shtatëdhjetë vjet, por bën drejtësi në testamentin e tij. Atij i vuloset me më të mirën punë dhe hyn në Xhenet”.[10] Ebu Hurejra më tej ka thënë: “Lexoni nëse doni ajetin:

تِلْكَ حُدُودُ اللَّهِ فَلَا تَعْتَدُوهَا

“Këto janë kufijtë e Allahut e mos i kapërceni ato” (El-Bekare, 229).

Said ibën Mensur transmeton me zinxhir të saktë se Ibn Abasi ka thënë: “Dëmi në testament është prej mëkateve të mëdha”. Këtë e transmeton Nesaiu në formë merfu dhe transmetuesit e tij janë të besueshëm.

Një testament i tillë me të cilin synohet të bëhet dëm është i pavlefshëm, edhe në qoftë më pak se një e treta.

Gjithashtu është e ndaluar që dikush të lërë testament alkool, për ndërtimin e një kishe apo shtëpi argëtimi.

Kur është i papëlqyer?

Testamenti është i papëlqyeshëm nëse ai që lë testament ka pak pasuri dhe ka një apo më shumë trashëgimtarë që kanë nevojë për të. Ai gjithashtu është i papëlqyer kur i lihet mëkatarëve nëse dihet apo mendohet se ata do ta përdorin atë për mëkate. Nëse testamentlënësi e di apo mendon se përfituesi prej testamentit do ta përdorë atë për të mirë, ai është i pëlqyer.

Kur lejohet?

Testamenti është i lejuar nëse i lihet një të pasuri, qoftë nëse ai që përfiton prej testamentit është i afërt apo i largët.

Baza e tij.

Baza e testamentit është oferta nga ana e atij që lë testamentin.

Oferta mund të jetë me tërë shprehjet që dalin prej tij kur kjo shprehje është tregues i pronësimit të lidhur me vdekjen pa shkëmbim, p.sh.: “I lë testament filanit pas vdekjes sime, i dhuroj atij këtë apo i jap pronësinë e kësaj pas vdekjes sime”.

Testamenti, ashtu siç lidhet me shprehje, lidhet edhe me shenja të kuptueshme kur personi që lë testamentin nuk ka mundësi të flasë. Gjithashtu ai është i vlefshëm edhe me shkrim.

Kur testamenti është i pacaktuar, p.sh. është për xhamitë, shkollat apo spitalet, ai nuk ka nevojë për pranim por plotësohet vetëm me ofertë, sepse në këtë rast konsiderohet lëmoshë. Por, nëse testamenti është i caktuar në person, ai ka nevojë për pranimin e atij që e merr testamentin pas vdekjes apo pranimin e kujdestarit të tij nëse ai që e merr testamentin nuk është i mençur. Nëse ai pranon, plotësohet e nëse e refuzon atë, testamenti është i pavlefshëm dhe mbetet pasuri e trashëgimtarëve të testamentlënësit.

Testamenti është prej kontratave të lejuara në të cilat testamentlënësit i lejohet ta ndryshojë apo të tërhiqet nga cilado pjesë e saj të dojë apo të tërhiqet nga sendi të cilin ka lënë testament.

Tërheqja mund të jetë e qartë me fjalë si p.sh. të thotë: jam tërhequr nga testamenti, apo mund të jetë me tregues si p.sh. veprim, duke vepruar mbi testamentin në atë mënyrë që e nxjerr nga pronësia e tij, si p.sh. ta shesë atë.

Kur meritohet testamenti?

Testamentmarrësi e meriton testamentin pas vdekjes së testamentlënësit dhe pas shlyerjes së borxheve. Nëse borxhet zënë tërë pasurinë e lënë, testamentmarrësit nuk i takon asgjë, sepse Allahu i Lartësuar thotë:

مِنْ بَعْدِ وَصِيَّةٍ يُوصِي بِهَا أَوْ دَيْنٍ

“(Kjo e drejtë në trashëgim bëhet) pas kryerjes së testamentit të lënë dhe larjes së borxhit.” (En-Nisa, 11).

Testamenti i varur apo i kushtëzuar.

Testamenti i varur, i kushtëzuar me kusht apo i shoqëruar me të është i vlefshëm kur kushti është i vlefshëm.

Kusht i vlefshëm është ai kusht në të cilin përfitojnë testamentlënësi, testamentmarrësi apo të tjerë dhe nuk është kusht i ndaluar apo në kundërshtim me synimet e legjislacionit islam.

Kur kushti është i vlefshëm, duhet që ai të respektohet përderisa prej tij ka përfitim. Nëse nuk ka interes prej tij apo është i pavlefshëm, respektimi i tij nuk është i detyrueshëm.

Kushtet e testamentit.

Procesi i lënies së testamentit kushtëzon ekzistencën e testamentlënësit, testamentmarrësit dhe të vetë testamentit. Secili prej tyre ka kushte që po i përmendim si më poshtë:

Kushtet e testamentlënësit.

Tek ai kushtëzohet të jetë i aftë për të dhënë lëmosha, pra të ketë aftësi të plotë.

Aftësia e plotë arrihet kur ai është i shëndoshë mendërisht, i pjekur, i lirë dhe me vullnet të plotë, i pakufizuar për mendjelehtësi apo pavëmendësi. Nëse testamentlënësi është me aftësi të mangëta, pra të jetë i vogël, i sëmurë mendërisht, skllav, i detyruar apo i kufizuar, atëherë testamenti i tij nuk vlen.

Nga kjo bëjnë përjashtim dy çështje:

01 - Testamenti i veçantë i të voglit dallues për sa i përket përgatitjes së xhenazes dhe varrimit të tij, përderisa kjo është brenda kufijve të interesit.

02 - Testamenti i të kufizuarit për shkak të mendjelehtësisë në ndonjë nga fushat e bamirësisë, p.sh. mësimin e Kuranit, ndërtimin e xhamive dhe ngritjen e spitaleve.

Nëse ai ka trashëgimtarë dhe ata e miratojnë, testamenti i tij mund të jepet nga tërë pasuria e tij.

Gjithashtu edhe nëse ai nuk ka fare trashëgimtarë.

Por, nëse ka trashëgimtarë dhe ata nuk e miratojnë këtë testament, ai merret vetëm nga një e treta e pasurisë së tij. Ky është medh’hebi i Hanefive.

Këtë e kundërshton imam Maliku i cili e lejon testamentin e mendjelehtit dhe të voglit i cili e kupton afrimin tek Allahu i Lartësuar dhe ka thënë: “çështja për të cilën kemi rënë të tërë dakord është se testamenti i mendjelehtit, personit me mendje të dobët dhe i të sëmurit i cili herë shërohet lejohet nëse kanë aq mend sa të dinë se për çfarë po lënë testament. Kështu edhe fëmija i vogël i cili e di se ç’po lë testament dhe nuk ka thënë asnjë fjalë mohuese, testamenti i tij është i lejuar dhe i zbatuar”.

Kushtet e testamentmarrësit.

Tek testamentmarrësi kushtëzohen kushtet e mëposhtëme:

  1. Të mos jetë trashëgimtar i testamentlënësit. Autorët e ‘El Magazi’[11] transmetojnë se Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) në vitin e çlirimit të Mekës ka thënë: “Nuk lejohet testmaneti për trashëgimtarin”.[12] Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu i cili e cilëson si të mirë.

Ky hadith, edhe nëse është lajm i vetëm, dijetarët e kanë pranuar atë dhe të tërë kanë rënë dakord për të argumentuar me anë të tij. Në një tjetër transmetim është thënë: “Allahu i ka dhënë secilit të drejtën e tij. Trashëgimtarit nuk i lejohet të marrë testament”.[13] Shumica e dijetarëve kanë thënë se ajeti i mëposhtëm është i anuluar:

كُتِبَ عَلَيْكُمْ إِذَا حَضَرَ أَحَدَكُمْ الْمَوْتُ إِنْ تَرَكَ خَيْرًا الْوَصِيَّةُ لِلْوَالِدَيْنِ وَالْأَقْرَبِينَ بِالْمَعْرُوفِ حَقًّا عَلَى الْمُتَّقِينَ

“Ju është urdhëruar që, nëse ndonjërit prej jush i afrohet vdekja dhe ka pasuri për të lënë pas, atëherë të lërë testamentin në mënyrë të drejtë për prindërit dhe farefisin; ky është detyrim për besimtarët e devotshëm”. (El-Bekare, 180).

Shafiu ka thënë se Allahu i Lartësuar ka zbritur ajetin e testamentit dhe atë të trashëgimisë. Ka mundësi që ajeti i testamentit të ketë mbetur me atë të trashëgimisë dhe ka mundësi që ajeti i trashëgimisë ta ketë anuluar testamentin. Dijetarët kanë kërkuar të saktësojnë njërën prej mundësive dhe e kanë gjetur në Sunetin e Profetit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem), ku autorët e ‘El Megazi’ transmetojnë se Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë në vitin e çlirimit të Mekës: “S’ka testament për trashëgimtarin”.[14]

Ata kanë rënë dakord në konsiderimin e testamentmarrësit trashëgimtar në momentin e vdekjes. Kështu, nëse i lë testament vëllait të tij trashëgues ndërkohë që testamentlënësi nuk ka fëmijë pastaj atij i lind një fëmijë pak para vdekjes së tij, testamenti për vëllain e përmendur është i vlefshëm. Por, nëse lë testament për vëllain dhe ka një djalë e ai vdes para vdekjes së testamentlënësit, ky testament konsiderohet testament për trashëgimtarin.

  1. Medh’hebi i Hanefive tregon se testamentmarrësi, nëse është i caktuar, kushtëzohet që testamenti të jetë i vlefshmëm për të, të ekzistojë në momentin e testamentit me të vërtetë apo me vlerësim, pra të ekzistojë praktikisht në momentin e testamentit apo ekzistenca e tij të vlerësohet gjatë saj për shembull, nëse i lë testament shtatzanisë së filanes dhe shtatzania ekziston në momentin e përmendjes së testamentit. Por, nëse testamentmarrësi nuk është i përcaktuar në person, kushtëzohet që të jetë i pranishëm në kohën e vdekjes së testamentlënësit realisht apo me vlerësim.

Nëse testamentlënësi thotë: Shtëpinë time ia lë testament fëmijëve të filanit por nuk i cakton këta fëmijë pastaj vdes dhe nuk është tërhequr nga testamenti, shtëpia bëhet pronë e fëmijëve që ekzistojnë në momentin e vdekjes së testamentlënësit, ekzistojnë në realitet apo me vlerësim si p.sh. shtatzania, edhe sikur të mos kenë ekzistuar në momentin e shprehjes së testamentit. Për ekzistencën e shtatzanisë hetohet në momentin e testamentit apo në momentin e vdekjes së testamentlënësit, pra nëse fëmija lind në më pak se gjashtë muaj prej kohës së lënies së testamentit apo prej kohës së vdekjes së testamentlënësit. Shumica e dijetarëve kanë thënë: “Kush lë testament të shpërndahet një e treta e pasurisë së tij aty ku testamentlënësi e do, testamenti i tij është i vlefshëm dhe kujdestari i testamentit e shpërndan atë për bamirësi. Ai nuk ha asgjë dhe nuk i jep asgjë prej saj trashëgimtarëve të të vdekurit”. Këtë gjë e kundërshton Ebu Theuri që e deklaron edhe Sheukani në ‘Nejl El Eutar’.

  1. Kushtëzohet që testamentmarrësi të mos e vrasë testamentlënësin direkt pa të drejtë. Nëse testamentmarrësi vret testamentlënësin direkt pa të drejtë, testamenti për të është i pavlefshëm, sepse kush përshpejton diçka para se t’i vijë koha, ndëshkohet me privim nga ajo. Ky është medh’hebi i Ebu Jusufit. Ebu Hanife dhe Muhamedi kanë thënë: “Testamenti i tij nuk zhvleftësohet, por mbetet peng i miratimit të trashëgimtarëve”.

Kushtet e pasurisë së lënë testament.

Tek testamenti, kushtëzohet që pas vdekjes së testamentlënësit, të jetë i mundur pronësimi i tij me çfarëdolloj mënyre të pronësisë. Testamenti vlen me çdo lloj malli të vlefshëm, qoftë vetë malli apo dobia prej tij. Testamenti i prodhimit të pemëve apo pjellën e lopës që ende është në bark vlen, sepse këto mund të përfitohen me trashëgimi dhe, përderisa ai ekziston në momentin e vdekjes së testamentlënësit, testamentmarrësi e meriton atë.

Ndryshe ndodh nëse ai lë testament diçka që nuk ekziston. Lënia testament e borxhit apo dobisë, si p.sh. banimi në shtëpi lejohet dhe vlen, por nuk vlen për diçka që nuk konsiderohet pasuri si p.sh. e ngordhura apo që nuk është i vlefshëm për sa u përket dy kontratuesve, si p.sh. alkooli për muslimanët.

Masa e pasurisë për të cilën pëlqehet të lihet testament.

Ibn Abdul Berri ka thënë: “Të parët kanë diskutuar për masën e pasurisë për të cilën pëlqehet apo detyrohet testamenti tek ata që e konsiderojnë atë të detyrueshëm. Transmetohet nga Aliu se ka thënë: “Gjashtëqind apo shtatëqind derhemë nuk është pasuri që të ketë testament. Gjithashtu transmetohet nga ai se ka thënë: “Njëmijë derhemë është pasuri që në të lihet testament”. Ibn Abasi ka thënë: “Nuk ka testament në tetëqind derhemë”.

Aishja, për një grua e cila që kishte katër fëmijë dhe tremijë derhemë, ka thënë: “Ajo nuk duhet të lërë testament në pasurinë e saj”. Katada, për ajetin kuranor “Nëse lë diçka pas vetes”, ka thënë se kjo shumë vlerësohet për një mijë derhemë e sipër.

Nga Aliu transmetohet: “Kush lë pasuri të paktë, ta lërë atë për trashëgimtarët e tij është më mirë”. Nga Aishja transmetohet të ketë thënë për personin që lë tetëqind derhemë e jo tjetër gjë veç tyre, të mos lërë testament.

Testamenti me një të tretën e pasurisë.

Testamenti me një të tretën e pasurisë lejohet. Mbi të nuk lejohet dhe më mirë është që të jetë më e paktë se kjo. Për këtë kanë rënë dakord tërë dijetarët.

Buhariu, Muslimi dhe autorët e Sunen-eve transmetojnë nga Sa’d ibën Ebu Uekas (radijAll-llahu anhu) që ka thënë: “Kur isha sëmurë, e atëkohë në Mekë, erdhi tek unë Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) të më vizitonte – ai urrente të vdiste në tokën nga e cila kishte emigruar – dhe më tha: “Allahu e mëshiroftë Ibn Afra’-në !”. E pyeta: “O i dërguar i Allahut, a të lë testament tërë pasurinë time?” Ai më tha: “Jo!” I thashë: “Po gjysmën?” Përsëri më tha: “Jo!” I thashë: “Një të tretën?” Atëherë më tha: “Një të tretën dhe ajo shumë është. Ti nëse i lë trashëgimtarët e tu të pasur është më mirë se sa t’i lësh ata të varfër duke lypur njerëzit. Ti, çfarëdo lloj shpenzimi të bësh, ai do të konsiderohet lëmoshë deri edhe kafshata e ushqimit që e vë në gojën e gruas tënde. Ndoshta Allahu i Lartësuar do të të marrë shpirtin dhe prej teje do të përfitojnë njerëz dhe do të dëmtohen të tjerë”.[15] Ai, atëkohë, nuk kishte veçse një djalë[16].

Një e treta llogaritet nga e tërë pasuria.

Shumica e dijetarëve kanë deklaruar se një e treta llogaritet nga tërë pasuria, të cilën personi lë testament.

Maliku ka thënë: “Një e treta llogaritet nga ajo që testamentlënësi di si pasuri të tijën e jo nga ajo që nuk e di apo është rritur pa e ditur ai. Por, a merret në konsideratë një e treta në momentin e testamentit apo në momentin e vdekjes?

Maliku, Nehaiu dhe Umer ibën Abdul Azizi mendojnë se në konsidratë merret një e treta e pasurisë në momentin e testamentit. Ebu Hanife, Ahmedi dhe Shafiu në mendimin më të saktë të tij shprehen se në konsideratë merret një e treta në momentin e vdekjes. Kjo është edhe thënia e Aliut dhe disa Tabi’inëve.

Testamenti me më shumë se një e treat.

Testamentlënësi mund të ketë trashëgimtarë ose jo. Nëse ka trashëgimtarë, atij nuk i lejohet testamenti me më shumë se një e treta, siç u përmend më lart. Nëse lë më shumë se një e treta, testamenti i tij nuk zbatohet, përveçse me miratimin e trashëgimtarëve. Për zbatimin e tij, kushtëzohen dy kushte:

  1. Të jetë pas vdekjes së testamentlënësit, sepse para vdekjes së tij, miratuesi nuk ka asnjë të drejtë, kështu që miratimi i tij nuk merret në konsideratë. Nëse e miraton testamentin gjatë jetës, ai ka të drejtë të tërhiqet prej tij kur të dojë. Por, nëse e miraton atë pas vdekjes, testamenti zbatohet.

Zuhri dhe Rabia kanë thënë: “Ai nuk ka të drejtë fare të tërhiqet”.

  1. Miratuesi, në momentin e miratimit, duhet të jetë me aftësi të plota, i pakufizuar për shkak të mendjelehtësisë apo pakujdesisë. Edhe nëse nuk ka trashëgimtarë, ai s’ka të drejtë të shtojë mbi një të tretën. Ky mendim është sipas shumicës së dijetarëve. Hanefitë, Is’haku, Sheriku, Ahmedi në një transmetim, Aliu dhe Ibn Mes’udi shprehin lejimin e shtesës mbi një të tretën, sepse testamentlënësi në këtë rast nuk ka lënë ndonjë gjë që mund të kihet frikë se mbetet i varfër. Gjithashtu, testamenti në ajet është përmendur i pakufizuar, por Suneti e ka kufizuar për atë që ka trashëgimtarë. Kështu, ai që nuk ka trashëgimtarë, mbetet i pakufizuar sipas ajetit në fjalë.

Zhvlerësimi i testamentit.

Testamenti është i pavlefshëm kur humbet njërin prej kushteve të mësipërme, ashtu siç zhvleftësohet edhe në rastet e mëposhtme:

01 - Nëse testamentlënësi çmendet plotësisht deri në momentin e vdekjes[17]

02 - Nëse testamentmarrësi vdes para testamentlënësit

03 - Nëse testamenti është i caktuar dhe dëmtohet para pranimit të testamentmarrësit


[1] - Kjo periudhë kohore për afërsi e jo për përcaktim.

[2] - Buhariu 2738, Muslimi 4180,4183, Ebu Daudi 2862.

[3] - Hadith Daif. “El Mishkat” 3075, “Sahihu ue Daifu et Targib” 2038, “Daiful Xhami” 1457.  E ka nxjerrë Ebu Daudi 2867, Tirmidhiu 2117, Ibën Maxheh 2704.

[4] - Hadith Daif. “El Mishkat” 3076, “Sahihu ue Daifu et Targib” 2035, “Daiful Xhami” 5848. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 2701.

[5] - Buhariu 2740.

[6] - Buhariu 2739.

[7] - Ether Sahih. “El Irva” 1467. E ka nxjerrë Seid ibën Mensur 3/1/84/297, Bejhakiu 6/287.

[8] - Hadith Hasen pa shtesën “lërini aty ku të doni…”. “El Irva” 1641, “Sahihul Xhami” 1733. E ka nxjerrë Ibën Maxheh 2709, Tahaviu 2/419, Bejhakiu 6/269, El Bezar 4/400.

[9] - Dispozita e tij sipas ndikimit është pronësia e testamentmarrësit të testamentit kur vdes ai që lë testamentin.

[10] - Hadith Daif. “El Mishkat” 3075, “Daiful Xhami” 1457. E ka nxjerrë Ebu Daudi 495 (Daifu Ebi Daud), Ibën Maxheh 2704.

[11] - Libra që përshkruajnë betejat e Profetit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem).

[12] - Hadith Sahih. “El Irva” 1635,1655. Ai është përcjellë nga një grup i madh sahabesh.  E ka nxjerrë Seid Ibën Mensuri 427, Ebu Daudi 3565, Tirmidhiu 2120, Nesai 3641, Ibën Maxheh 2713, Bejhakiu 6/264, Tajalisi 1127, Ahmedi 5/267.

[13] - Nxjerrja e tij është njësoj si hadithi i mësipërm.

[14] - U përmend më sipër.

[15] - Buhariu 56,1295,3936,4409,5668,6373,6733, Muslimi 4185,4191, Ebu Daudi 2864, Tirmidhiu 2116, Nesai 3628, Ibën Maxheh 2708.

[16] - Kjo ishte para se atij t’i lindnin fëmijë meshkuj. Më vonë atij i lindën katër meshkuj. Këtë e përmend Uakidiu.

[17] - Sipas Muhamedit çmenduri e plotë konsiderohet ajo që vazhdon një vit. Ebu Jusufi ka thënë: “Bëhet fjalë për atë çmenduri që vazhdon një muaj e mbi këtë bazë është dhënë edhe fetvaja”.


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free