Pasojat e fitneve
Pasojat e fitneve.
Autor: Dr. Abdurrezak el Bedër.
Lavdërimet dhe falënderimet i takojnë Allahut. Atë e lavdërojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë dhe te Ai pendohemi. Lusim Allahun të na mbroj nga të këqijat e shpirtrave dhe veprave tona. Atë që Allahu e udhëzon s’ka kush që e devijon dhe atë që Allahu e lë në devijim s’ka kush që e udhëzon.
Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush tjetër veç Allahut dhe dëshmoj se Muhammedi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) është rob dhe i dërguar i Tij.
Këtë temë kemi nevojë që ta mësojmë mirë dhe të qëndrojmë pranë saj, në mënyrë që të jemi sa më të kujdesur dhe të matur; sepse njohja e pasojave dhe dëmeve të diçkaje i jep njeriut një mbrojtje dhe e paralajmëron që mos të bie në të, sepse siq thotë një fjalë evjetër: “Si mund të ruhesh kur s’e din prej kujt të ruhesh?!”
Ai i cili nuk i njeh fitnet e as ndikimin dhe pasojat e tyre, ndodhë që të bie në to, të njolloset dhe ta dëmtojë jetën e tij, dhe në fund të ndjej keqardhje.
Njohja e pasojave të fitneve i sjell një dobi të madhe njeriut; sepse kjo bëhet në aspekt të shqyrtimit dhe vrojtimit të përfundimit të gjërave, kurse kjo konsiderohet një mendjemprehtësi e njeriut, dmth para se të veprojë ndonjë gjë duhet të shikoj në pasojat dhe ndikimin e saj.
Në biografinë e imam Ahmedit (RahimehUllah) është përmendur se një grup dijetarësh nga Bagdadi kishin ardhur në shtëpinë e tij duke e pyetur: “O Ebu Abdullah! kjo gjë është përhapur në të gjitha anët (kishin për qëllim përhapjen e mendimit se “Kurani është i krijuar”).
Ai i pyeti: “Andaj, çfarë kërkoni nga unë?”.
Ata i thanë: “Kemi ardhë që të këshillohemi me ty, sepse nuk jemi të kënaqur me udhëheqjen dhe pushtetin e halifes!”.
Ai debatoi me ta për një çast dhe u tha: “Duhet ta urreni këtë mendim dhe keni kujdes mos të ngriteni kundër halifes, dhe mos derdhni gjakun tuaj dhe të muslimanëve. Shikoni në pasojat e kësaj çështjeje dhe bëni durim, që të ketë rahati ai i miri dhe të kihet rahati nga i keqi”[1].
Pra, kjo ishte një thirrje e tij që të shikohet se çfarë përfundimi kanë dhe çfarë pasojash sjellin fitnet, dhe çka përfitojnë ata që bëjnë fitne.
Ai vazhdoi t’ua përkujtoj këto gjëra, por ata dolën nga shtëpia e tij duke mos i pranuar fjalët e tij por vazhduan me mendimet e tyre. Ata i bënë thirrje edhe djalit të vëllaut të Imam Ahmedit që t’i bashkohet mendimit të tyre, por atë e ndaloi i ati i tij duke i thënë: “Ke kujdes! mos u shoqëro me ta; sepse Imam Ahmedi nuk i ka ndaluar për gjë tjetër përpos të keqes”, por ai refuzoi thirrjen e të atit.
Në fund të rrëfimit të tyre tregohet se ata ishin ngritur kundër halifes dhe si pasojë kishte ngjarë ajo që u kishte paralajmëruar Imam Ahmedi (RahimehUllah), me ç’rast disa njerëz ishin vrarë dhe disa ishin burgosur, duke mos arritur të përmirësojnë asgjë.
Kjo dëshmon se shikimi në pasojat dhe përfundimin e gjërave si dhe maturia janë gjërat më të dobishme për njeriun.
Nga sahabiu i ndershëm Abdullah Ibën Mesudi (radij Allahu anhu) është transmetuar të ketë thënë: “Do të ndodhin gjëra të paqarta; andaj mos nxitoni, sepse më mirë është të jesh pasues në të mirën sesa të jesh prijës në të keqen”[2].
Kurse Imam Buhariu (RahimehUllah) në librin e tij Edebul Mufred transmeton nga Aliu (radij Allahu anhu) të ketë thënë: “Të mos jeni të nxituar, mos u merrni me thashetheme dhe mos përhapni fitnet; sepse do t’u vie një bela e rëndë dhe situatë e vështirë”.
Me këto fjalë ai porositi për tri çështje: “Të mos jeni të nxituar, mos u merrni me thashethëme dhe mos përhapni fitnet”.
Çështja e parë:
Ndaloi nga të nxituarit, sepse njeriu duhet të jetë i matur, të mendohet mirë dhe të shikojë përfundimin dhe pasojat e më pas të veprojë.
Çështja e dytë:
Të preokupuarit me thashethëme është një çështje që duhet tërhequr vërejtjen shumë nga ajo. Sepse kur fitnet ndezen dhe ashpërsohen, atëherë nuk duhet që njeriu me fjalët e tij të ndikoj në ashpërsimin e tyre.
Çështja e tretë:
Ndaloi nga përpjekja në përhapjen dhe publikimin e fitneve. Kurse Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ia tërhoqi vërejtjen ummetit, duke njoftuar se fitnet do të ekzistojnë, por tërhoqi vërejtjen për mospjesmarrje në to, sikurse është transmetuar nga Ebu Hurejre (radij Allahu anhu) të ketë thënë: Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Do të ndodhin disa fitne, ku ai i cili qëndron ulur gjat tyre është më i mirë sesa ai që është duke ecur në to, dhe ai që është duke ecur në to është më i mirë sesa ai që është duke vepruar në to”[3], dmth sa më larg ndezjes së fitnes të qëndroj njeriu, aq më mirë dhe më e dobishme do të jetë për të. Pra duhet të largohet prej tyre dhe ta lus Allahun (Subhanehu ue Te'Ala) që ta ruaj atë dhe muslimanët tjerë nga dëmi i tyre dhe të mos bëhet mjet i ndezjes dhe përhapjes së tyre.
Kurse tek Muslimi[4] është transmetuar nga Zejd Bin Thabit se Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kërkoni mbrojtje te Allahu që t’ju ruaj nga fitnet e hapura dhe të fshehura”, atëherë sahabet thanë: “Kërkomë mbrotje te Allahu që të na ruaj nga fitnet e hapura dhe të fshehura”.
Pra, duhet të kërkohet mbrojtje nga fitnet, të kërkohet nga Allahu (Subhanehu ue Te'Ala) që t’i ruaj muslimanët nga to, nga pasojat, rreziqet dhe dëmet e tyre. Ekzistojnë shumë dua të transmetuara, ku kërkohet mbrojtje nga Allahu që të na ruaj
nga e keqja dhe devijimet e fitneve.
Andaj kjo është një çështje që muslimani duhet të kujdeset për të; sepse Allahu është mbrojtës dhe robi sinqerisht duhet të drejtohet tek Allahu dhe ta lus që ta mbrojë dhe ta ruaj atë dhe të gjith muslimanët nga fitnet, dhe ky është një obligim për çdo musliman.
Kapitulli i fikhut (të kuptuarit) të pasojave të fitneve është i dobishëm për njeriun; sepse shqyrtimi i pasojave të fitneve dhe njohja e përfundimit të tyre para se të hyj në to, i jep njeriut mbrojtje dhe e paralajmëron që mos të bie në to, sikurse është thënë: “I lumturi është ai që merr mësim nga të tjerët”
Pra duhet të vështroj, të mendoj mirë dhe t’i kuptoj pasojat. Po ashtu duhet t’i pyes njerëzit e dijes para se t’i vërsulet fitnes me nguti, sepse ndodhë që të jetë prijës në fitne dhe t’ia hapë vetes dhe të tjerëve derën e së keqes.
Në librin e sunenit të Ibën Maxhes dhe në librin sunneh të ibën Ebi Asim është transmetuar nga Enesi (radij Allahu anhu) se Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ka disa njerëz që e hapin të keqen dhe e mbyllin të mirën, por ka disa që e hapin të mirën dhe e mbyllin të keqen; lum për atë që Allahu e ka bërë që ta hapë të mirën me duart e tij, dhe mjerë për atë që Allahu e ka bërë që ta hapë të keqen me dorën e tij”[5].
Muslimani e ka obligim të jetë i kujdesur që mos ta hapë të keqen dhe mos të bëhet prijës i saj dhe thirrës tek ajo, që pastaj të përzihet në të dhe t’i përziej të tjerët duke i hudhur ata në humnera që pasojat e tyre nuk janë të mira për ta as në dunja e as në ahiret.
Nga këtu dëshmohet se kapitulli i fikhut të pasojave, rreziqeve dhe dëmeve të fitneve i jep dobi të mëdha muslimanit.
Pasojat e fitneve janë të shumta, andaj t’i numërosh dhe të flasësh për to zgjatet shumë. Por, në këtë broshurë do t’i përmend disa pasoja, duke shpresuar tek Allahu që kjo të jetë e mirë dhe dobishme për të gjithë ne.
[1] - Transmeton Ebu Bekër el Hal-lal, në librin “Es sunneh”.
[2] - Transmeton Ibën Ebi Shejbe në Musannef (38343), dhe Bejhekiu në Shuab (9886).
[3] - Buhariu: (3406), Muslimi: (2886).
[4] - Nr (2867).
[5] - Sunen Ibën Maxhe (237), Ibën Ebi Asim në librin Sunneh (297), Tajalisi në librin Musned (2082), Bejheki në librin Shuabul Iman (698), kurse shejh Albani e konsideron hasen në librin Sahiha (1332).
Pasoja e parë:
Largimi i njerëzve nga ibadeti.
Ndër pasojat e fitneve është se, ato bëhen shkak i largimit të njeriut nga ibadeti, për të cilin edhe është krijuar. Largohet nga përkujtimi i Allahut duke bërë që jeta dhe koha e tij të jetë e zënë me thashethëmet dhe fitnet e nxitura. Zemra e tij bëhet e trazuar dhe e zënë dhe nuk mund të jetë e qetë dhe e pushuar për ta realizuar dhikrin (përkujtimin) e Allahut në formë të qetë. Për këtë është transmetuar nga Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) të ketë thënë: “Një ibadet në kohë trazirash ka vlerën sikurse të bëhet hixhret tek unë”[1] Dmth ai që është i preokupuar me ibadet në kohë fitnesh dhe trazirash është sikurse të ketë bërë hixhret tek Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem). Kjo është e qartë, sepse ai që është i zënë me ibadet në kohë fitnesh është njeri me fat dhe ka shpëtuar nga njollosja me fitnen.
Po ashtu, në të njëjtën kohë, kjo tregon se në kohë fitnesh njeriu duhet të drejtohet kah ibadeti dhe të largohet prej fitneve në mënyrë që të shpëtoj i lumtur dhe i qetë. Lidhur me këtë është transmetuar nga Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) të ketë thënë: “I lumturi është ai që është larguar nga fitnet”[2] duke e përsëritur tri herë. Pra lumturia është në largimin nga fitnet dhe preokupimin me ibadet, dhikër dhe afrim tek Allahu nëpërmjet këtyre gjërave që i ka ligjësuar Ai.
Kurse Buhariu transmeton nga Umu Seleme, gruaja e Pejgamberit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) të ketë thënë: “Një natë, Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) u zgjua i frikësuar duke thënë: ‘Subhan Allah! Sa thesaret i ka zbritur Allahu?! Sa fitnet i ka zbritur Allahu?! Kush është ai që i zgjon nga xhumi zonjat e shtëpisë (kishte për qëllim gratë e Pejgamberit) që të falin namaz!’[3]”.
Në rast të ndodhjes së fitneve, Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) udhëzoi që të falet namaz dhe t’i bëhet ibadet Allahut, duke thënë: “Kush është ai që i zgjon nga gjumi zonjat e shtëpisë (kishte për qëllim gratë e Pejgamberit) që të falin namaz. Sepse ndoshta dikush do të jetë e veshur në dunja, por në ahiret do të jetë e zhveshur”.
Po ashtu, në këtë kuptim është edhe një thënie tjetër e Pejgamberit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem): “Nxitoni me vepra para se të vinë disa fitne si nata e errët”[4].
Ai udhëzoi për në punë të mira, si për namaz, dhikër, dua dhe lexim të Kuranit, sepse kur ndodhin fitnet, njerëzit nuk kanë kohë të merren me ibadet, përveç një pakice të cilëve Allahu u ka dhënë ndihmë dhe sukses.
Kur ndodhi fitneja në kohën e tabi’inëve; Hasan el Basriu (RahimehUllah) – i cili ishte ndër ata që kishte qëndruar i tërhequr gjatë fitneve – kishte thënë: “O njerëz! Pasha Allahun! Allahu nuk i ka dhënë Haxhaxhit pushtet mbi ju përveç si ndëshkim ndaj jush; andaj mos iu kundërvëni ndëshkimit të Allahut me shpatë, por të jini të qetë dhe të përulur, sepse Allahu thotë: “Ne i dënuam ata njëherë, por ata nuk iu përulën Zotit të tyre e as nuk i drejtuan lutje.” (El Mu’minun/76). Dmth njeriu e ka obligim të jetë i përulur, t’i lutet Allahut me nënshtrim dhe të bëj dhikër, ta përmirësoj veten dhe familjen e tij, si dhe ta kryej ibadetin në formën e drejtë me të cilën është i pajtuar Allahu.
Në këtë kuptim është transmetuar edhe nga Ebu Hurejre (radij Allahu anhu) të ketë thënë: “Do të ndodhin fitne, prej të cilave nuk shpëtohet me asgjë tjetër përveç me një dua që bëhet si duaja e atij që është duke u fundosur në ujë”[5].
Çdo njëri prej nesh e din se si bëhet duaja e atij që është duke u fundosur në ujë. Si bëhet duaja e atij që fundoset në ujë?! T’i drejtohesh Allahut sinqerisht që të të ruaj dhe të të shpëtoj.
[1] - Transmeton Taberani në librin “El Kebir” (213/20), kurse shejh Albani e konsideron të saktë në librin Sahihul Xhami (3974).
[2] - Transmeton Ebu Davudi (4263), ndërsa shejh Albani e konsideron të saktë në librin Sahiha (975).
[3] - Buhariu (115, 1162, 3599, 5844, 6218, 69, 7069).
[4] - Muslimi (118).
[5] - Transmeton Ibën Ebi Shejbe (7/531), po ashtu nga Hudhejfe (radij Allahu anhu) tranemton Ibën Ebi Shejbe (22/6), dhe Hakimi (687/1) i cili e konsideron të saktë.
Pasoja e dytë:
Largimi i njerëzve nga dituria dhe dijetarët.
Ndër pasojat e fitneve është se: ato i largojnë njerëzit nga dijetarët dhe nga tubimet ku mësohet dituria, duke i larguar kështu nga mësimi i dispozitave dhe mësimi i fesë. Nëse fitneja merr hov në zemrat e njerëzve, atëherë zemrat bëhen të preokupuara dhe njeriu nuk mund të jetë i qetë për të kërkuar dituri, nuk orientohet që të shoqërohet me njerëzit e dijes, por largohet tërësisht nga dija. Më tepër se kjo, fitneja i shpie shumë njerëz që t’ua ulin vlerën dhe t’i nënçmojnë dijetarët duke përfolur për ta dhe për nderin e tyre. Ndërsa është transmetuar nga Pejgamberi ynë (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) të ketë thënë: “Nuk është në rrugën e ummetit tim ai që nuk i mëshiron të vegjlit tanë, nuk i respekton të moshuarit tanë dhe nuk ia di vlerën dijetarit tanë”[1].
Në kohë të fitnes, shumë njerëz ulin personalitetin e dijetarëve, i nënçmojnë, i përqeshin, shpifin ndaj tyre, i fyejn dhe i cilësojnë me cilësi të ulëta duke marrë guxim të paskrupullt, dhe e gjithë kjo si pasojë e fitneve, Allahu na ruajtë.
Ndër ngjarjet e historisë që transmetohen në këtë kuptim, është fitneja e Abdurrahman Bin el Esh’ath (sh.p. i cili ishte ngritur kundër Haxhaxhit dhe si rezultat i kësaj ishin vrarë mijëra musliman) në të cilën fitne ishin futur një numër i madh njerëzish. Në kohën kur kishte ndodhur kjo fitne; disa njerëz kishin shkuar tek Hasan el Basriu (RahimehUllah) i cili ishte imam dhe ndër dijetarët dhe fukahatë më të mëdhenj të Islamit, duke i thënë: “Çfarë mendon për këtë zullumqar të madh – dmth Haxhaxhin – i cili ka derdhë gjak të pafajshëm, u a ka rrëmbyer njerëzve pasurinë, ka braktusur faljen e namazit si dhe ka vepruar shumë gjëra …?! Ata ia përmendën veprimet e Haxhaxhit, kurse Hasan el Basriu (RahimehUllah) u përgjigj: “Unë mendoj se nuk duhet të luftoni kundër tij; sepse, nëse pushteti i tij mbi ju ka ardhë si ndëshkim nga Allahu; atëherë ju me shpatat e juaja nuk do të mund ta ndalni ndëshkimin e Allahut. Por nëse pushteti i tij mbi ju është sprovë; atëherë kini durim derisa të gjykoj Allahu, i Cili është gjykatësi më i mirë.”[2]
Ata dolën nga ai duke thënë: T’i bindemi këtij njeriu të pagdhendur?! Por, kur fitneja morri hov në shpirtërat e tyre; atëherë kur edhe dijetari thotë një fjalë që nuk është në pajtim me teket dhe animet e tyre; ata e fyejnë.
Ndërsa fyerjet ndaj dijetarëve nga ana e atyre që janë futur në fitne nuk kanë kufij, as në kohërat e hershme as sot; i akuzojnë për servilizëm, për rrogëtarllëk, si dhe i akuzojnë me disa cilësi që nuk kanë fund.
Pra, fitnet u japin njerëzve guxim që të flasin për dijetarët, të përulin personalitetin e tyre, t’i nënçmojnë dhe t’i fyejn. Kjo është gjëja më e rrezikshme për njeriun, Allahu na ruajtë të gjithëve nga kjo.
Më pas, ai grup njerëzish, të cilët ia thanë atë fjalë Hasan el Basriut dhe nuk iu përmbajtën këshillës së tij; i ishin bashkangjitur Abdurrahman bin el Esh’athit dhe ishin vrarë që të gjithë, duke mos sjellë asnjë dobi, e po ashtu duke mos përfituar as nga këshillat e dijetarëve, sepse nuk kishin patur asnjë konsideratë ndaj dijetarëve dhe fjalëve të tyre.
[1] - Transeton Ahmedi (22755), Hakimi (211/1), kurse shejh Albani e konsideron hasen në librin “Sahihul Xhami” (211/1).
[2] - Transmeton Ibën Sa’d në librin “Et Tabakat el Kubra” (7/163-164), Dulabi në librin “El Kuna vel Esma” (3/1030), si dhe transmetohet në librin “Tarihu Dimeshk” (12/176)
Pasoja e tretë:
Ardhja në krye e të paditurve.
Gjithashtu ndër pasojat e fitneve është: ardhja në krye e njerëzve mendjelehtë dhe të paditur, të cilët nuk e kuptojnë fenë e Allahut, por tentojnë të vinë në krye vetëm me eufori, pa e kuptuar fenë e Allahut, pa pasur dituri dhe maturi, por duke i gjykuar gjërat kuturu dhe duke përhapur lajme që sjellin trazira, duke ndërhyrë në çështje të fetvave dhe të tjera duke qenë se nuk njihen si njerëz të ditur dhe të matur, por euforia është ajo që i shtyen deri te kjo, ndërsa euforinë ua sjellin fitnet.
Lidhur me këtë, Ibën Tejmije në librin e tij “El Minhaxh” thotë: “Kur ndodhë fitneja, njerëzit e menqur nuk mund t’ia dalin që t’i zbrapsin të paditurit”[1].
Kështu është çështja e fitneve, siq thotë Allahu: “Ruajuni fitneve, të cilat nuk i godasin vetëm ata që bëjnë keq” (El Enfal/25).
Kur ndodhë fitneja, askush nuk shpëton pa u përlyer me të, përveç atyre që i ka ruajtur Allahu, e të Cilin e lusim të na ruaj të gjithve!
Pasoja e katërt:
Përfundimi në gjëra të ulëta dhe të këqia.
Ndër pasojat e fitneve është se; ai që përzihet në to përfundon në gjëra të dëmshme duke mos arritur asnjë dobi. Shejhul Islam ibën Tejmije (RahimehUllah) ka vështruar një numër fitnesh që kishin ndodhur në kohërat e më hershme, ku në librin e tij “Minhaxhu suneh” ka bërë një përmbledhje mjaft të dobishme rreth asaj se si kanë përfunduar ato fitne, duke thënë: “Të paktë janë ata që janë ngrirur kundër pushtetarit e të mos kenë sjellë dëm më shumë sesa dobi”.
Më pas përmend shumë shembuj për fitnet që kanë ndodhur, dhe në fund bëri një përmbledhje të rezultateve të atyre fitneve; ku thotë: “Ata njerëz as nuk e ngritën fenë as nuk lanë të qetë dunjanë”[2]. Dmth ata që kanë dalë në krye të atyre fitneve, as nuk e kanë ngritur fenë as nuk kanë lënë dunjanë të qetë; sepse kur të nxitet fitneja; ndodhin vrasje e trazira mes njerëzve, dhe ata njerëz që i nxisin këto fitne nuk sjellin asnjë të mirë.
Më herët përmendëm tregimin e atij grupi që nuk i kushtuan vëmendje këshillave të Imam Ahmedit, e gjithashtu grupi të cilët nuk morën parasyshë këshillën e Hasan el Basriut, ku përfundimi i të dy palëve ishte i njëjtë, ata nuk e ngritën fenë por përfunduan në burg, disa u vranë, disa u ndoqën si dhe shumë gjëra tjera të dëmshme të cilat përsëriten gjatë historisë.
Imam Dhehebiu flet në vëllimin e tetë të librit “Sijeru A’lami Nubela”[3] – për biografinë e Hakem bin Hisham el Emeviut – i cili ishte emir i Endelusit (Andaluzisë), ku thotë: “Gjatë pushtetit të Hekemit, në Endelus kishte shumë dijetarë, saqë thuhet se në Kordobë ishin katërmijë veta që bartnin veshje dijetarësh – dmth dijetarët, nxënësit e dijes dhe ata që bartnin veshje dijetarësh ishin të shumtë – por kur Allahu deshi që ata të shuhen; filluan të brengosen për mëkatet e Hakemit, ku bënë komlot për ta rrëzuar nga pushteti dhe u mobilizuan për të luftuar me të, dhe kjo sjelli një fitne të madhe për Islamin dhe muslimanët në Endelus”.
Pastaj vazhdon me tregimin e këtij rasti ku në fund përmendet se shumë prej tyre ishin vrarë, disa ishin burgosur dhe disa kishin ikur duke mos arritur ta ngritin fenë me këto fitne të cilat sjellin vetëm trazira, por siq thuhet: “I lumturi është ai që merr mësim nga të tjerët”.
Një numër i madh njerëzish të cilët kanë marrë pjesë në fitne, janë ndjerë të penduar në fund, dhe me keqardhje kishin pasur dëshirë të mos ishin futur në to. Në librat e historisë është shkruar shumë për ata njerëz që kanë marrë pjesë në fitne, dhe në fund u ka ardhë keq për atë. Ibën Tejmije thotë: “Kështu është gjendja e atyre që kanë kaluar më herët, të gjithë janë penduar që janë përzier në luftime dhe trazira”[4].
Ejub Es Sahtijani thotë: “Ata të cilët u ngritën bashk me Esh’athin, përmendin se u ka ardhë keq për të gjithë ata që ishin vrarë dhe kanë falënderuar allahun për ata kishin shpëtuar”[5].
Gjithashtu ndër tregimet e urta dhe të dobishme është tregimi i Zubejd bin Harith el Jamit, i cili është ndër transmetuesit e gjashtë librave të njohur të hadithit6, dhe është njëri ndër dijetarët e mëdhenj të Islamit, i cili ishte futur në fitnen e Ibën Esh’athit por kishte shpëtuar nga ajo fitne dhe po ashtu kishte shpëtuar nga vrasja, ku Muhamed bin Talha thotë: “Zubejdi më pa mua dhe Ala bin Abdulkerimin duke qeshur, dhe tha: “Sikur t’i kishin parë kokat e njerëzve nuk do kishit qeshur” Dmth tregon se si kanë rënë përpara këmbëve të tyre kokat njerëzve të vrarë, duke vrarë muslimanët njëri-tjetrin, pastaj shton: “Kisha patur dëshirë që të më pritet dora, vetëm e vetëm të mos e shohë atë situatë.”[7]
Pastaj erdhi një fitne tjetër dhe ai u ftua që merrte pjesë në të; por ai kishte parë pasojat dhe kishte patur shumë kujdes, andaj shiko përgjigjen e tij të menqur dhe me përvojë. Kur Mensur ibën Mu’temiri e ftoi të luftoj duke i thënë se familja e Pejgamberit janë duke u vrarë dhe se duhet t’i bashkangjitet Zejd ibën Aliut në mbrojtje të tyre, ai i përgjigjet: “Unë nuk do t’i bashkangjitem askujt në luftë, përveç ndonjë pejgamberi, kurse në këtë kohë nuk po gjej pejgamber”[8]. Dmth ai thotë se nuk do të gjejë ndonjë pejgamber që t’i bashkengjitej. Këtë përgjigje e thotë nga përvoja dhe njohja e pasojave që kishin pasur ato fitne.
[1] - (4/187)
[2] - “Minhaxhu Suneh” (4/ 527-528).
[3] - (8/253-260).
[4] - “Minhaxhu Sunneh” (4/316).
[5] - Transmeton Halife ibën Hajat në librin “Tarih” (f 76).
[6] - Buhariut, Muslimit, Ebu Davudit, Tirmidhiut, Nesaiut dhe Ibën Maxhes.
[7] - “Tarihul Halife” (f 76).
[8] - Transmeton Jakub bin Sufjan në librin e tij “Tarih” (3/107), Ibën Asakiri në librin “Tarihu Dimeshk” (19/473)
Pasoja e pestë:
Ai që përzihet në fitne i bie autoriteti.
Gjithashtu, ndër pasojat e fitneve është se: Ai që përzihet në to duke qenë njeri i dijes, mund t’i bie autoritet, ndërsa shpëtimi nga fitnet ia ngritë autoritetin dhe bëhet shkak që njerëzit të përfitojnë nga dituria e tij dhe të kihet dobi nga ai me suksesin nga Allahu.
Lidhur me këtë, Abdullah ibën Aun thotë: “Muslim ibën Jesari kishte autoritet tek njerëzit më shumë se Hasan el Basriu, por kur ndodhi fitneja, u nxitua dhe u fut në të, kurse Hasan el Basriu nuk u nxitua por qëndroi i tërhequr. Më pas, Muslimit i ra autoriteti tek njerëzit kurse Hasan el Basriu u bë më autoritativ”[1].
Pastaj Ibën Aun tregon se kur përfundoi fitneja , Muslimi falënderoi Allahun duke i thënë: “O Ebu Kilabe! Unë falënderoj Allahun që nuk e kam hedhur asnjë shigjetë, nuk e kam plagosur askënd me shtizë dhe nuk e kam goditur askënd me shpatë.” Dmth ai thoshte: Unë kanë qëndruar bashkë me ta në fitne, por nuk kam hedhur asnjë shigjetë e as nuk kam goditur me shpatë; dhe me këtë ai falënderonte Allahun.
Por Ebu Kilabe iu përgjigj: “O Ebu Abdullah! Si qëndron puna me njerëzit që të kanë vërejtur duke qëndruar në rresht? – dmth ti je një dijetar i njohur dhe me autoritet; si qëndron puna me njerëzit që të kanë vërejtur të rreshtuar (në atë fitne) - të cilët thonë: “Pasha Allahun, ja ku është Muslim ibën Jesari! Ai është duke qëndruar këtu sepse është në anën e drejtë?!” Pra vetë rreshtimi yt në anën e tyre dhe prezenca jote bën që fitneja të shtohet edhe më tepër. Pas këtyre fjalëve, Muslim ibën Jesari qau, ndërsa Ebu Kilabe thotë: “Ai qau shumë saqë kisha patur dëshirë të mos ia thoja këto fjalë”[2].
Dmth ka qajtur kur ka përkujtuar se çfarë ndikimi dhe çfarë pasojash kishte qëndrimi i tij në fitne edhe pse nuk kishte luftuar, por si do të ishte gjendja sikur të kishte luftuar?!
[1] - Transmeton Ibën Ebi Shejbeh në “Musannef” (11/128), Ibën Sa’d në “Tabakat” (7/165), Ibën Asakir në “Tarih” (58/146).
[2] - Transmeton Ibën Sa’d në librin “Tabakat” (7/187), Halife në librin “Tarih” (f. 52), Ibën Asakir në librin “Tarihu Dimeshk” (57/146).
Pasoja e gjashtë:
Paqartësia e gjërave dhe ngatërrimi i të vërtetës me të kotën.
Ndër pasojat e fitneve është: kur njerëzve u paqartësohen dhe u ngatërrohen gjërat, dhe shumë njerëz nuk mund ta dallojnë të vërtetën nga e kota, saqë njeriu vritet dhe nuk e di pse! Dhe ai që e vret nuk e di pse e vrau!! Sepse është fitne e ndezur, në të cilën njerëzit bëhen rrëmujë, shpirtërat ndryshonë, rreziqet rriten, e keqja rrethon nga të gjitha anët dhe kështu gjërat bëhen të paqarta. Ebu Musa el Esh’ariu thotë: “Kur fitneja është duke ardhur, bëhet e paqartë, por kur largohet bëhet e qartë”[1], dmth kur fitneja u vie njerëzve bëhet e paqartë, njerëzit nuk e kanë të qartë çështjen e saj, ndërsa kur ajo largohet, atëherë njerëzit e kuptojnë çështjen e saj.
Ndërsa El Mutarrif bin Abdilah esh Shehiri thotë: “Fitneja nuk vie për t’i qetësuar njerëzit, por ajo vie që t’a sulmojë besimtarin në fenë e tij”[2].
Me këtë rast, le ta kujtojmë fitnen e Dexhalit, e cila është fitneja më e madhe, për të cilën Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) i tregoi umetit të vet gjëra të vërteta dhe të qarta, të cila zbulojnë se dexhali ka njërin sy të verbër, si dhe spjegojnë të gjithë realitetin e tij, dhe megjithatë shumë njerëz do ta pasojnë atë.
Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush dëgjon për ardhjen e dexhalit le të largohet nga ai , sepse pasha Allahun! Edhe pse njeriu e konsideron veten besimtarë prapë do ta pasojë atë, për shkak të dyshimeve që i sjell”[3], dmth e pason dexhalin për shkak të dyshimeve që i sjell, me të cilat i rrëmben zemrat dhe i robëron shpirtërat e njerëzve.
Muslimi transmeton se Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush lufton pa e ditur qartë qëllimin e asaj lufte, apo hidhërohet për fanatizëm (për ndonjë klan), thërret për fanatizëm apo e përkrahë atë dhe vritet, atëherë është vrarë në gjendje xhahilijeti (injorance)”[4].
Kështu është puna e fitneve, njerëzit bëhen rrëmujë në to, dhe nuk e kanë të qartë rrugën e drejtë.
Lidhur me këtë, përmendet një tregim i bukur i sahabiut të ndershëm Sa’d ibën Ebi Vekasit (radij Allahu anhu), me ç’rast Ibën Sirini thotë: “I është thënë Sa’d Ibën Ebi Vekasit: “A nuk do të marrësh pjesë në luftë?! – ishte për qëllim fitneja e asaj kohe, lufta mes Muaviut dhe Aliut – kurse Sa’d Ibën Ebi Vekasi ishte ndër ata që kishin qëndruar të tërhequr dhe larg asaj fitnjeje, andaj i thanë atij: “A nuk do të marrësh pjesë në luftë?! Sepse ti je nga paria dhe të takon kjo?! Ai është përgjigjur: “Nuk mund të luftoj derisa ta gjejë një shpatë e cila ka dy sy dhe gjuhën, dhe e dallon besimtarin nga jobesimtari” Dmth: më sillni një shpatë e cila ka dy sy dhe gjuhën, dhe që e dallon besimtarin nga jo besimtari, që nëse e godas besimtarin ajo më tregon që mos ta vras, e nëse e godas jobesimtarin ta vrasë.
Pastaj tha: “Më parë kam bërë xhihad duke njohur xhihadin”[5]. Dmth sa i përket kësaj lufte, në të cilën muslimanët vrasin njëri-tjetrin, unë nuk marrë pjesë në të, përveç nëse ma sjellni një shpatë me këto cilësi. Pastaj përmendi një shembull interesant, ku thotë: “Shembulli ynë dhe i juaji është sikurse shembulli i disa njerëzve që kanë qenë duke ecur drejt një caku të qartë, por papritmas duke ecur rrugës ngritet një erë me pluhur dhe humbin rrugën – u ngatërrohet rruga për shkak të pluhurit dhe erës – atëherë disa thanë: rruga është në të djathë; dhe filluan të ecin në të djathë dhe humbën rrugën. Disa të tjerë thanë: rruga është në të majtë; filluan në ecin në të majtë dhe humbën rrugën. Kurse disa të tjerë thanë: Ne ishim në rrugën e qëlluar derisa u ngrit era, andaj le të ndalojmë këtu; ata ndaluan deri në mëngjes, kur edhe u ndalë era dhe u qartësua rruga. Pra këta janë Xhemati, të cilët kanë thënë: “Le të mbesim në atë rrugë që na ka lënë Pejgamberi derisa ta takojmë atë, dhe nuk futemi në asnjë fitne”[6].
Menhexhi i Sa’d ibën Ebi Vekasit, Abdullah ibën Umerit dhe një grup sahabesh ka synuar se zgjidhja e çështjes mes Muaviut dhe Aliut nuk është shpata, por zgjidhja është me përjekje për tu pajtuar dhe për t’i matur mirë gjërat. Mirëpo Aliu ka pasë ixhtihadin e vet, e po ashtu Muaviu ixhtihadin e vet, dhe ai që bën ixhtihad dhe përpjeket ta qëlloj të vërtetën nuk i mungon shpërblimi për ixhtihadin e tij, kurse gabimi i tij është i falur, sikurse thotë Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem): “Nëse gjykon dikush duke bërë ixhtihad dhe ia qëllon të vërtetës, ka dy shpërblime, por nëse pas ixhtihadit që ka bërë nuk ia qëllon të vërtetës ka vetëm një shpërblim”[7].
Por, një grup sahabësh konsideronin se zgjidhja në këto raste nuk është shpata dhe lufta, por zgjidhja është me përpjekje për pajtim, largimi nga lufta dhe unifikimi i mendimit si dhe rrugë të tjera.
[1] - “Tarihu Taberi” (3/26).
[2] - Transmeton Ibën Sa’di në librin “Tabakat” (7/142), si dhe Ebu Nuajm në librin “El Hilje” (2/204).
[3] - Transmeton Ahmedi (19968), Ebu Davudi (4319), Hakimi (4/576), kurse shejh Albani në librin e tij “Sahihul Xhami” (6301) thotë se është i saktë.
[4] - Muslimi (1848).
[5] - Transmeton Abdurrezaku në “Musannef” (20736), Ibën Sa’di në “Tabakat” (3/134), Ebu Nuajm në “Ma’rifetu Sahabe” (1/135).
[6] - Transmeton Eltemam ibnul Arabi në “Mu’xhemin” e tij (713),Hattabi në librin “El Uzle” (f.72), dhe Ibën Asakir në librin “Tarihu Dimeshk” (39/496).
[7] - Buhariu (7352), Muslimi (1716).