Çfrarë e trondisin akiden
Çfrarë e trondisin akiden.
Disa njerëz janë bërë pre të disa çështjeve që e tronditin akiden islame dhe kanë rënë në disa të kundërta që e kundërshtojnë atë. Prandaj ngelet si detyrë që t’i sqarojmë ato në këtë ligjëratë.
Këto gjëra që e trondisin akiden janë dy lloje:
– Njëri lloj e kundërshton këtë akide dhe e bën atë të pavlefshme, kështu që edhe ai person që hyn në këtë lloj është jobesimtar – Allahu na ruajt prej kësaj.
– Kurse lloji tjetër e bën të mangët këtë akide dhe e dobëson atë.
Lloji i parë quhet kundërshtues. Ai e bën të pavlefshme akiden dhe e shkatërron atë. Ndërsa personi që bie në të është jobesimtar, d.m.th. e ka braktisur fenë islame. Ky quhet kundërshtues dhe po ashtu quhet shkatërrues.
Lloji i pare
Gjërat që e tronditin akiden dhe janë shkak për mosbesim. Ato gjëra që e kundërshtojne Islamin, të cilat e bëjnë të detyrueshme braktisjen e fesë (ridden) quhen të kundërta. E kundërta është herë fjalë, herë vepër; herë besim, herë dyshim. Njeriu mund ta braktisi fenë (të bëjë ridde) qoftë edhe me një fjalë që thotë, me një punë që vepron, me një besim që beson apo një dyshim që has (takon). E kundërta që e trondit akiden dhe e bën të pavlefshme vjen si pasojë e këtyre katër gjërave që lartpërmendëm. Këto gjëra i kanë përmendur dijetarët në librat e tyre dhe e kanë quajtur këtë me titullin “Gjykimi mbi atë që braktis fenë”.
Ai që braktis fenë është ai i cili ka mohuar dhe ka bërë mosbesim pas Islamit (pasi deklaruar se ai është musliman). Ky pra është ai që braktis fenë, ai i cili kthehet prej fesë së Allahut dhe e braktis atë. Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -, thotë në lidhje me atë (që braktis fenë): “Kush e ndërron fenë e tij vriteni” (Transmenton Buhariu në “Sahih”)
Në dy Sahihet (të Buhariut dhe Muslimit) transmentohet se pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – dërgoi Ebu Musa Esh’ariun në Jemen. Pas tij dërgoi Muadhin, të birin e Xhebelit. Kur ky (Muadhi) mbërriti tek ai (Ebu Musa Esh’ariu) ai i tha: Zbrit dhe vendosi atij një jastëk. Ndërkohë aty tek ai ishte një burrë i lidhur. Ai i tha: çfarë është ky? Ai iu përgjigj: Ky ka qenë çifut dhe u bë musliman, porse më pas u kthye në fenë e tij – fenë e keqe – dhe u bë çifut. Ai tha: Unë nuk ulem derisa ai të vritet, ky është gjykimi i Allahut dhe i të dërguarit të Tij. Ai i tha: Ulu! Por ai këmbënguli duke thënë: Unë nuk ulem derisa ai të vritet! Gjykimi i Allahut dhe i të dërguarit të Tij. Kjo u përsërit tri herë. Atëherë ai urdhëroi që ai burrë të vritej.
Me sa u përmend argumenton se ai që braktis Islamin vritet nëse nuk pendohet. Atij i kërkohet që të pendohet dhe nëse pendohet dhe kthehet, falënderimi i takon Allahut, por nëse nuk kthehet dhe vazhdon me këmbëngulje të qëndrojë në mosbesimin dhe humbjen e tij, atëherë ai shpejtohet për në zjarr, në bazë të thënies së pejgamberit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem: “Kush e ndërron fenë e tij vriteni.”
01 - Braktisja e fesë me fjalë
Të kundërtat që e kundërshtojnë Islamin janë shumë. Disa prej tyre janë me fjalë si p.sh. sharja e Allahut. Kjo fjalë është në kundërshtim të plotë me fenë. Po ashtu dhe sharja e të dërguarit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -, d.m.th. mallkimi dhe sharja e Allahut dhe të dërguarit të Tij, ose cilësimi me shprehje të pahijshme si p.sh. të thotë: Allahu është i padrejtë, Allahu është kurrnac (koprrac), Allahu është i varfër, ose të thotë se Allahu i Lartësuar nuk i di disa çështje, ose nuk ka mundësi për disa gjëra. Që të gjitha këto fjalë janë (ridde) braktisje e Islamit. Kushdo që e cilëson Allahun me diçka të pahijshme, apo e shan, apo e cilëson me diçka të mangët, ai është mosbesimtar (qafir) që e ka braktisur Islamin – Allahu na ruajt prej kësaj.
Kjo pra, është braktisja e fesë me fjalë. Kur dikush shan Allahun apo tallet me Të, apo e emërton me diçka të mangët, apo e cilëson me diçka të pahijshme për Të siç thonë çifutët: Allahu është kurrnac, Allahu është i varfër dhe ne jemi të pasur. Po ashtu nëse thotë: Allahu nuk i di disa çështje, ose nuk ka mundësi për disa gjëra, ose mohon cilësitë e Allahut dhe nuk beson në to; ky është person që ka braktisur fenë me fjalët e tij të këqija.
Gjithashtu kur dikush thotë p.sh.: Allahu nuk e ka obliguar namazin për ne; kjo fjalë e tij është largim dhe braktisje e Islamit. Pra, kush thotë: Allahu nuk e ka obliguar namazin, e ka braktisur Islamin (ka bërë ridde) dhe ky është mendimi i të gjithë muslimanëve, me përjashtim kur një person është injorant dhe është larg muslimanëve e nuk e di. Këtij personi i mësohet e vërteta dhe nëse vazhdon me këmbëngulje, atëherë ka mohuar dhe është mosbesimtar.
Ndërsa, kur është mes muslimanëve dhe i di çështjet e fesë dhe thotë: namazi nuk është detyrë, atëherë kjo është braktisje e Islamit dhe kërkohet prej tij që të pendohet; nëse pendohet, mirë, por nëse nuk pendohet atëherë vritet. Ose kur thotë: Zekati nuk është detyrë për njerëzit, ose thotë:Agjërimi i Ramazanit nuk është detyrë për njerëzit, ose thotë: Haxhi nuk është detyrë për atë që ka mundësi ta kryejë atë dhe nuk është detyrë për njerëzit.
Si përfundim, ai që i thotë këto shprehje ka bërë kufër në bazë të mendimit të përgjithshëm, dhe prej atij që i thotë këto fjalë kërkohet që të pendohet; nëse pendohet, mirë, por nëse jo atëherë vritet – Allahu na ruajt prej kësaj. Këto çështje ishin braktisje e fesë me fjalë.
02 - Braktisja e fesë me vepër
Braktisja e fesë me vepra si p.sh.: Lënia e namazit.
Fakti që një përson nuk falet edhe pse thotë që namazi është detyrë por nuk falet, është braktisje e fesë sipas mendimit më të mirë të dijetarëve rreth kësaj çështjeje, duke u bazuar tek thënia e pejgamberit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem: “Besa që është midis nesh dhe atyre është namazi, dhe kush e lë atë ka bërë kufër (mosbesim).” (Transmetoi Imam Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesai, dhe ibën Maxheh me zinxhir transmetimi të saktë. Shekik ibën Abdullah el Ukejli, tabi’iu për gradën e lartë të të cilit kanë rënë dakord (dijetarët) – RahimehUllah – thotë: “Shokët e Muhamedit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -, nuk shikonin ndonjë vepër lënia e të cilës ishte kufër (mosbesim) me përjashtim të namazit” (Transmeton Tirmidhiu dhe zinxhiri i transmetimit të tij është i saktë). Kjo është braktisja e fesë me vepër (e cila është lënia e namazit qëllimisht).
Prej këtij lloji është dhe bërja e Mus’hafit Sherif (Kur’anit) objekt përbuzjeje dhe përçmimi, ose ulja mbi të me përbuzje, ose ndotja e tij me pisllëk qëllimisht, ose shkelja e tij me këmbë me mospërfillje dhe përbuzje. Me të gjitha këto njeriu del prej Islamit.
Prej braktisjes së fesë me vepër është dhe tavafi (sjellja rrotull) rreth varreve duke e bërë në shenjë afrimi tek banorët e varreve, ose të falet për ata ose për xhindët. Këto gjithashtu janë braktisje e fesë me vepër.
Ndërsa lutja që bën njeriu duke iu drejtuar atyre, kërkimi i ndihmës prej tyre dhe zotimi për ta është braktisja e fesë me fjalë. Përsa i përket atij që bën tavaf rreth varreve duke patur për qëllim me këtë vepër adhurimin e Allahut, ai ka bërë një bidat (risi) që e trondit fenë, porse nuk është dalje nga feja. Pra, është bidat që e trondit fenë nëse ai nuk ka për qëllim të afrohet tek i varrosuri me këtë vepër. Veprimi i kësaj gjëje duke dashur të afrohet tek Allahu i Lartësuar është injorancë prej atij që e bën këtë.
Prej kufrit (mosbesimit) me vepër është edhe kur dikush ther diçka për dikë tjetër përveç Allahut dhe kur afrohet me atë që ther tek dikush tjetër përveç Allahut. P.sh.: kur ai therr devenë, delen, pulën ose lopën për të varrosurit për t’u afruar tek ata duke i adhuruar ata me anë të tyre, ose kur e bën një gjë të tillë për xhindët, duke i adhuruar ata me anë të tyre. Po ashtu kur dikush i bën këto për yjet, duke u afruar tek yjet me këto vepra. Këto nuk janë therrur me emër të Allahut, po për dikë tjetër përveç Tij. Prandaj kanë gjykimin e së ngordhurës dhe ky veprim i tyre është kufër i madh – Allahu na ruajt prej tij. Që të gjitha këto që përmendëm janë prej braktisjes së fesë dhe prej të kundërtave të Islamit me anë të veprave.
03 - Braktisja e fesë me anë të të besuarit
Prej llojeve të braktisjes së fesë me anë të të besuarit, është ajo që njeriu beson në zemrën e tij edhe nëse ai nuk e flet ose nuk e vepron (por vetëm e beson me zemrën e tij). Nëse dikush beson me zemrën e tij se Allahu i Lartësuar është i varfër, apo është kurnac, apo është i padrejtë edhe pse ai nuk e flet këtë, edhe pse nuk vepron diçka, atëherë kjo është kufër (mosbesim). Kjo është vetëm për arsye të këtij besimi që ai ka dhe ky është mendimi i të gjithë muslimanëve.
Gjithashtu, kur dikush beson me zemrën e tij se nuk ekziston ringjallje, as tubim (i njerëzve në ditën e gjykimit) dhe se çdo gjë që ka ardhur në këtë çështje nuk është e vërtetë, ose beson me zemrën e tij se nuk ekziston xheneti dhe zjarri, as jeta tjetër, pra kush i beson këto me zemrën e tij edhe pse nuk i flet këto ka bërë kufër (mosbesim) dhe ka braktisur Islamin – Allahu na ruajt prej kësaj. Po ashtu veprat e tij janë të pavlefshme dhe përfundimi tij është në zjarr për shkak të atij besimi që ai ka. Gjithashtu kur dikush beson me zemrën e tij (edhe pse nuk e flet këtë) se Muhamedi -sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – s’është i sinqertë (nuk thotë të vërtetën), ose beson se ai nuk është vula e pejgamberëve dhe se pas tij do të vijnë pejgamberë të tjerë, ose beson se Musejlemeh gënjeshtari është pejgamber dhe i sinqertë, atëherë ai është mosbesimtar me këtë besim që ai ka.
Po ashtu nëse beson me zemrën e tij (edhe pse nuk e flet) se Nuhu, Musai, Isai ose pejgamberë të tjerë – selami qoftë mbi ta – janë gënjeshtarë, ose e thotë këtë vetëm për njërin prej tyre, kjo gjë është braktisje e Islamit dhe dalje prej tij. Edhe kur beson se nuk ka problem nëse lutet bashkë me Allahun edhe dikush tjetër si: pejgamberët, ose ndonjë tjetër prej njerëzve, ose dielli, yjet, e të tjera, nëse e beson me zemrën e tij, atëherë ai e ka braktisur Islamin, sepse Allahu i Lartësuar thotë:
“Kjo ngaqë Allahu, Ai është i Vërteti, i Përhershmi (Zoti i vetëm i Vërtetë që s’ka shok e të barabartë me Të) dhe gjithçka që ata (politeistët) lusin në vend të Allahut ose përkrah Tij është i kotë.” [el-Haxh : 62]
Gjithashtu i Lartësuari thotë:
“Dhe Zoti (i Adhuruari) juaj është një i Adhuruar i Vetëm. Nuk ka të Adhuruar tjetër të merituar veç Tij, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.” [el-Bekare : 163]
I Lartësuari po ashtu thotë:
“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm ty të mbështetemi e të kërkojmë ndihmë (kudo, në çdo kohë dhe për çdo gjë).” [el-Fatiha : 5]
Përsëri thotë:
“Ndërsa Zoti yt ka përcaktuar që të mos adhuroni askënd e asnjë veç Atij.” [el-Isra : 23]
Po ashtu thotë:
“Kësisoj, lutuni vetëm Allahut duke e bërë besimin tuaj të pastër vetëm për Atë Një e të Vetëm, duke iu përkushtuar plotësisht vetëm fesë së Tij dhe vetëm për hir të Tij, sado që të urrejnë mosbesimtarët.” [el-Gafir : 14]
Dhe thotë:
“Dhe sigurisht që tashmë të është shpallur ty (o Muhamed) si dhe atyre (të dërguarve) para teje: Në qoftë se bashkon të tjerë në adhurim me Allahun, sigurisht që punët tuaja do jenë të pavlefshme dhe padyshim që do të ishe nga të humburit.” [ez-Zumer : 65] Ajetet në lidhje me këtë temë janë të shumta.
Kush pretendon ose beson se lejohet që të adhurohet bashkë me Allahun dikush tjetër, qoftë ai melek (engjëll), pejgamber, pemë, xhind ose ndonjë tjetër, ai është mosbesimtar. Por nëse e flet këtë me gjuhën e tij, atëherë është mosbesimtar me fjalë dhe me të besuar së bashku. Dhe nëse e bën këtë dhe lut dikë tjetër përveç Allahut, atëherë u bë mosbesimtar me fjalë, me vepër dhe me të besuar së bashku – Allahu na ruajt prej kësaj.
Prej shembujve të rastit që lartpërmendëm, është ajo që bëjnë sot adhuruesit e varreve në shumë vende. Disa lusin të vdekurit dhe kërkojnë ndihmë dhe përkrahje prej tyre. Disa prej tyre thonë: O zotëria im! Përkrahje! Ndihmë! O zotëria im! Ndihmë, ndihmë! Unë jam në fqinjësinë tënde, ma shëro të sëmurin! Ma kthe atë që më mungon! Ma rregullo zemrën!
Ata thërrasin të vdekurit, të cilët i quajnë evlija dhe kërkojnë prej tyre këto gjëra. Ata e harruan Allahun dhe i bënë Atij shok në adhurim dikë tjetër – i Lartësuar është Allahu prej kësaj gjëje. Kjo vepër e tyre është mosbesim me fjalë, me besim dhe me vepër.
Dikush tjetër thërret nga një vend i largët dhe nga zona tepër të largëta dhe thotë: O i dërguari i Allahut! Më ndihmo… dhe shprehje të tjera të këtij lloji. Ndonjë tjetër thotë tek varri i tij (pejgamberit): O i dërguari i Allahut! Shëroje të sëmurin tim! O i dërguari i Allahut! Ndihmë! Përkrahje! Na ndihmo ndaj armiqve tanë! Ti e di gjendjen tonë tani! Na ndihmo pra, ndaj armiqve tanë!
I dërguari – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -, nuk e di gajbin (të fshehtën). Madje gajbin nuk e di askush tjetër përveç Allahut të Lartësuar. Kjo është prej shirkut me fjalë dhe vepër. Dhe nëse beson bashkë me këtë se kjo gjë është e lejuar dhe s’ka problem, atëherë u bë shirk me besim, me fjalë dhe me vepër – Allahu na ruajt prej kësaj. Kjo gjë ndodh në shumë shtete dhe në shumë vende. Kjo ka ndodhur edhe në këto vende. Ka pas ndodhur në Rijad dhe në Dir’ijeh para se të shfaqej thirrja e shejh Muhamed ibën Abdul Uehhab – Allahu e mëshiroftë -. Njerëzit në Rijad dhe Dir’ijeh merrnin për zota pemët, i adhuronin përveç Allahut dhe disa njerëz që thoshin se ishin evlija, të cilët i adhuronin bashkë me Allahun. Po ashtu ka pasur edhe varre që adhuroheshin bashkë me Allahun.
Në Xhubejle gjendej varri i Zejd ibën Khatabit – radijAll-llahu anhu -, se ai aty u vra gjatë luftërave të riddes, në ditët e Muselejmes. Varri i tij adhurohej përveç Allahut derisa u shkatërrua ai varr dhe sot është harruar, dhe për këtë falënderimi i takon Allahut. Gjë që ndodhi për shkak të thirrjes së shejh Muhamedit – Allahu ia shenjtëroftë shpirtin dhe e shpërbleftë prej nesh dhe prej muslimanëve me shpërblimin më të mirë.
Në Nexhd dhe Hixhaz ishin shumë të përhapur shirku i madh, ideologjitë dhe besimet e kota, lutja e dikujt tjetër përveç Allahut, saqë nuk mund të numërohet dhe as nuk mund të merret vesh. Por kur doli shejh Muhamed ibën Abdul Uehhab – RahimehUllah – në gjysmën e dytë të shekullit të dymbëdhjetë (sipas hixhretit) d.m.th.: para më tepër se dyqind vjet, thirri në rrugë të Allahut dhe i drejtoi njerëzit drejt të vërtetës. Atë e armiqësuan shumë prej dijetarëve injorantë dhe ndjekës të epsheve.
Por Allahu e përkrahu atë me dijetarët e të vërtetës dhe thirri në rrugë të Allahut dhe i mësoi njerëzit e i ftoi ne njësimin (teuhidin) e Allahut. Ai ua sqaroi atyre se adhurimi i xhindëve, gurëve, evlijave dhe njerëzve të mirë e të tjerëve është shirk prej punës së injorancës (xhahilijes). Ai u tha atyre se këto janë punët e Ebu Xhehlit dhe të tjerëve si ai prej mosbesimtarëve të Kurejshitëve, të cilët e bënin këtë punë kur adhuronin Latën, Uzzan, Menatin dhe kur adhuronin varret. Këto pra ishin punët e tyre. Ai – Allahu e mëshiroftë – ia sqaroi më së miri njerëzve dhe Allahu udhëzoi shumë prej njerëzve për shkak të tij. Më pas thirrja e tij përfshiu gjithë Nexhdin. Në të u përhap Teuhidi dhe Imani (besimi). Njerëzit e lanë shirkun që i bënin Allahut dhe adhurimin e varreve pasi që ata i adhuronin ato, përveç disave që i mbrojti Allahu me mëshirën e Tij. Disa prej tyre adhuronin njerëz të çmendur që nuk kishin logjikë dhe i quanin ata evlija. E gjithë kjo ndodhte për shkak të injorancës së madhe në të cilën ata ishin zhytur.
04 - Braktisja e fesë me anë të dyshimit
Pak më parë paraqitëm braktisjen e fesë (ridden) me anë të fjalës, braktisjen e fesë me anë të punës dhe braktisjen e fesë me anë të të besuarit. Ndërsa tani do të sqarojmë braktisjen e fesë me anë të dyshimit. Shembulli i kësaj të fundit (braktisjes së fesë me anë të dyshimit) është sikurse ai që thotë: unë nuk e di a është i vërtetë Allahu apo jo? Unë jam në dyshim për këtë. Ky është mosbesimtar që ka bërë mosbesim me anë të dyshimit. Po ashtu ai që thotë: Unë nuk e di nëse është e vërtetë ringjallja apo jo? Ose thotë: Unë nuk e di a janë të vërteta xhenneti dhe zjarri apo jo? Unë nuk e di, jam në dyshim.
Ai që thotë kështu, kërkohet prej tij që të pendohet; nëse pendohet, mirë, por nëse jo atëherë vritet si mosbesimtar, për shkak të dyshimit në atë çështje që njihet si e domosdoshme në çështjet e fesë dhe për të cilën ka argumentuar teksti (Kurani dhe Sunneti) dhe Ixhmai (mendimi i të gjithëve).
Ai i cili dyshon në fenë e tij dhe thotë: Unë nuk e di a është i vërtetë Allahu?, ose thotë: A është i vërtetë i dërguari?, a është (i dërguari) i sinqertë apo është gënjeshtar?; ose thotë: Nuk e di a është ai pejgamberi i fundit?, ose thotë: Nuk e di nëse Musejleme ka qenë gënjeshtar apo jo?, ose thotë: Nuk e di a ka qenë gënjeshtar Es-uedel Anesij (person që pretendoi se ishte pejgamber në Jemen) apo jo?; që të gjitha këto dyshime janë braktisje e fesë Islame (riddetun) dhe ai i cili bie në këto, kërkohet prej tij që të pendohet dhe i sqarohet atij e vërteta; nëse pendohet, mirë; nëse jo, atëherë vritet.
Gjithashtu kur dikush thotë: Unë jam në dyshim për sa i përket namazit, se a është ai detyrë apo jo?; po ashtu për sa i përket zekatit, se a është ai detyrë apo jo?; agjërimi i Ramazanit a është detyrë apo jo?; ose ai person që është në dyshim për sa i përket kryerjes së haxhit për atë që ka mundësi ta kryej dhe thotë: A është detyrë haxhi një herë në jetë apo jo?; që të gjitha këto dyshime janë mosbesim (kufër) i madh dhe ai që bie në këto, kërkohet prej tij që të pendohet; nëse pendohet dhe beson, mirë, por nëse jo, ai vritet. Ky gjykim ndodh në bazë të thënies së pejgamberit –sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – i cili thotë: “Kush e ndërron fenë e tij vriteni” (E transmeton Buhariu në (veprën e tij) “Sahih”)
Besimi në këto gjëra si: Namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi është i vërtetë dhe është obligim për muslimanët me kushtet e tyre, të cilat i përmban Sheriati.
Lloji i dytë
Gjërat që e tronditin dhe që nuk janë kufër (mosbesim), por që e bëjnë të mangët besimin dhe e dobësojnë atë.
Në pjesën e parë sqaruam gjërat që e tronditin akiden, që e kundërshtojnë Islamin dhe e bëjnë atë të pavlefshëm, ndërsa për sa i përket atij personi që i vepron ato, ai është person që e ka braktisur fenë dhe kërkohet prej tij që të pendohet; e nëse pendohet, mirë; nëse jo, atëherë vritet.
Kurse lloji i dytë është: Gjëra që e tronditin akiden e dobësojnë besimin, e bëjnë të mangët atë dhe e bëjnë personin që i bën këto t’i ekspozohet zjarrit dhe inatosjes së Allahut. Mirëpo, ai që bie pre e këtyre gjërave nuk quhet mosbesimtar.
Tani do të paraqesim disa shembuj konkretë në lidhje me këtë lloj, si p.sh.: imoraliteti – kur dikush beson se ai është i ndaluar dhe nuk e bën atë të lejuar. Pra, ai e di që është i ndaluar dhe nuk e bën atë të lejuar, por bën imoralitet dhe e di që është gjynahqar. Ky nuk është mosbesimtar por është gjynahqar dhe besimi i tij është i mangët. Ky gjynah, që ai bëri, e tronditi akiden e tij, mirëpo nuk arrin në gradën e kufrit (mosbesimit). Por siç e thamë edhe më parë se nëse ai beson se imoraliteti është i lejuar, atëherë ai quhet mosbesimtar.
Gjithashtu nëse dikush thotë: vjedhja është e lejuar ose fjalë të tjera të kësaj natyre, quhet mosbesimtar, sepse lejon atë që e ka ndaluar Allahu.
Edhe përgojimi, thashethemet, mosrespektimi i prindërve, ngrënia e kamatës dhe gjynahet e tjera, që të gjitha janë prej gjërave që e tronditin akiden dhe dobësojnë fenë dhe besimin (imanin).
Këtu hynë edhe bidatet (risitë), të cilat janë më të këqija se gjynahet. Bidatet në fe e dobësojnë besimin, por nuk arrijnë deri në gradën e braktisjes së fesë përderisa në to nuk gjendet shirk. Prej shembujve konkretë lidhur me këtë çështje është bidati i ndërtimit mbi varre, si p.sh.: të ndërtojë një xhami ose kube mbi varr. Ky është një bidat që e trondit fenë dhe e dobëson besimin, mirëpo duhet pasur parasysh se ky gjykim është për atë që e ndërton atë e nuk beson që lejohet t’i bësh kufër Allahut dhe nuk e shoqëron këtë gjest me lutjen e të vdekurve, kërkimin e ndihmës prej tyre dhe zotimin për ata. Ai vetëm beson se me këtë vepër të tij, ai i respekton ata dhe i vendos në gradën që meritojnë. Atëherë kjo vepër nuk është kufër, por bidat i cili e trondit fenë, e dobëson besimin, e bën atë të mangët dhe është rrugë që të çon drejt shirkut.
Nga bidatet e tjera që hynë në këtë çështje është edhe bidati i festimit të mevludit (ditëlindjes) të pejgamberit. Disa njerëz në datën dymbëdhjetë të muajit Rrabi’inil Euuel festojnë ditëlindjen e pejgamberit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -. Kjo vepër është bidat. Këtë vepër se ka bërë as pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -. as shokët e tij dhe as zëvendësit (kalifët) e tij të drejtë. Këtë vepër nuk e ka bërë asnjë prej atyre që jetuan në shekullin e dyte dhe të tretë dhe kjo vepër është një bidat i shpikur. Këtu hyn edhe festimi i ditëlindjes se Bedeuiut, Abdul Kadir Xhilanit dhe të ndonjë tjetri.
Festimi i ditëlindjeve është një bidat prej bidateve dhe një e keqe prej të këqijave të cilat e tronditin akiden, sepse Allahu nuk ka zbritur për to asnjë fakt dhe asnjë provë. Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -, thotë: “Gjërat më të këqija janë gjërat e shpikura (në fe) dhe çdo bidat është humbje” (Transmeton Muslimi)
Gjithashtu thotë: – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem: “Kush shpik diçka të re në çështjen tonë çfarë nuk është prej saj, ajo është e refuzuar” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi). D.m.th.: ajo vepër i refuzohet atij. Përsëri thotë pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem: “Kush vepron një vepër e cila nuk është në çështjen tonë, ajo është e refuzuar” (Transmeton Muslimi në Sahihun e tij). Në një hadith tjetër thotë: “Kujdes prej gjërave të shpikura (në fe) se çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është humbje.” (Transmeton Imam Ahmedi, Ebu Daudi, Ibën Maxheh dhe Hakimi.)
Pra bidatet e tronditin fenë, mirëpo nuk arrijnë shkallën e kufrit përderisa në to nuk gjendet kufër. Duhet ditur se, nëse në festimin e mevludit ekziston lutja e të dërguarit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -, kërkimi i ndihmës prej tij dhe kërkimi i fitores prej tij, atëherë u kthye në shirk (se i shoqëruan Allahut shok në adhurim). Këtu hyn dhe lutja që bëjnë ata kur thonë: O i dërguari i Allahut! Na ndihmo! Përkrahje! Përkrahje! O i dërguari Allahut!… Ndihmë! Ndihmë! Gjithashtu hyn këtu edhe ideologjia që ata kanë në lidhje me të dërguarin, kur besojnë se ai di gajbin (të fshehtën). Ose ideologji të tjera siç është ideologjia e shijave për Aliun, Hasenin dhe Husejnin kur pretendojnë se ata dinë gajbin (të fshehtën). Të gjitha këto janë shirk dhe braktisje nga feja (riddetun), kur ndodhin gjatë mevludit apo në raste të tjera jashtë tij.
Si kjo që përmendëm është dhe fjala e disa rrafidëve, të cilët thonë se: Dymbëdhjetë imamllarët e tyre dinë të fshehtën. Kjo është kufër (mosbesim), humbje dhe braktisje e Islamit, në bazë të fjalës së Allahut te Lartësuar kur thotë:
“Thuaj: Askush në qiell dhe në tokë nuk e di gajbin (të fshehtën, të panjohurën) veç Allahut.” [en-Neml. 65]
Ndërsa nëse festohet (mevludi) me leximin e jetëshkrimit të pejgamberit, përmendja e gjërave që kanë ndodhur në lindjen e tij, luftërat e tij dhe gjëra të tjera të kësaj natyre, të cilat ndodhin në ceremonitë që ata i organizojnë, atëherë kjo vepër që ata bëjnë në këtë formë është bidat (risi) në fe që e bën të mangët atë, por nuk e bën atë të pavlefshme.
Prej këtyre bidateve është edhe ideologjia që kanë disa injorantë për muajin Sefer, kur thonë se në këtë muaj nuk bën të udhëtohet, se në këtë muaj është një kafshë që quhet Sefer, e cila e dëmton barkun. Ata bëhen pesimist për shkak të kësaj. Kjo ideologji e tyre është injorancë dhe humbje. Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – thotë:
“Nuk ka molepsje dhe nuk ka shenja ogurzeza”.
Kjo sepse besimi në molepsjen, parandjenjën, të lidhurit me vendbanimet e hënës (shënim p.k.: Numri i tyre është njëzet e tetë dhe çdo natë zbret një nga ato vendbanime. Allahu i Lartësuar thotë:
“Edhe Hënës Ne i përcaktuam dhe i matëm asaj vendbanime (faza që t’i përshkojë)” [Jasin. 39]
Arabët ia atribuonin shiun këtyre vendbanimeve ose gogolit (lloj shejtani); që të gjitha këto janë prej çështjeve të kohës së injorancës dhe janë gjëra që e tronditin fenë. Pretendimi se ekziston molepsje, është pretendim i kotë. Mirëpo duhet pasur parasysh se Allahu ka bërë që përzierja me disa të sëmurë të jetë shkak për ndodhjen e sëmundjes tek ai që është i shëndoshë, por molepsja nuk ndodh vetë me natyrën e saj. Një nga arabët, kur dëgjoi fjalën e Pejgamberit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem: “Nuk ka molepsje…” tha: O i dërguari i Allahut! Devetë qëndrojnë në rërë sikur të ishin diba (lloj kafshe), e nëse hyn tek ato zgjebarakja ua ngjit zgjeben atyre. Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – tha: ”Po kush e zbriti zgjeben (ose sëmundjen ngjitëse) në fillim?” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).
E gjithë çështja është në Dorën e Allahut të Lartmadhëruar. Nëse Ai do, ia ngjit zgjeben për shkak të kësaj zgjebeje (që ndodhet tek zgjebarakja) dhe nëse nuk do, nuk ia ngjit zgjeben atyre. Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – thotë: ”Të mos prezantojë ai që ka deve të sëmura tek ai që ka deve të shëndosha” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi). Kuptimi i hadithit është: Mos i sillni devetë e sëmura tek ato deve që nuk janë të sëmura, por i vendosni ato në një vend të veçantë dhe të tjerat në vend tjetër. Pra kjo bëhet për t’u ruajtur nga e keqja dhe për t’u larguar nga rrugët që të çojnë tek ajo, se siç dihet gjërat janë në dorën e Allahut dhe nuk mund ta vendosi dikush molepsjen prej natyrës së vet, por kjo është në dorën e Allahut.
“Thuaj: “kurrë nuk do të na ndodhë gjë neve, përveç çfarë Allahu ka caktuar për ne.” [Teube. 51]
Përzierja me dikë është prej shkaqeve që gjendet sëmundja, prandaj nuk duhet të ndodhi kjo përzierje. Zgjebaraku (ose dikush që ka sëmundje molepse) të mos përzihet me të shëndoshin (që nuk është i sëmurë).
Kështu na ka urdhëruar pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem-. Kjo bëhet për shkak të ruajtjes dhe të mbrojtjes prej shkaqeve të së keqes. Mirëpo kjo nuk do të thotë se nëse ai përzihet me dikë ka për ta molepsur! Jo. Ai mund të molepsë (t’ia ngjit sëmundjen) dhe mund të mos moleps. Kjo gjë është në dorë të Allahut te Lartësuar. Prandaj Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – tha: “Po kush e zbriti zgjeben (ose sëmundjet ngjitëse) në fillim?” Nga hadithet që kanë lidhje me këtë temë, është edhe fjala e pejgamberit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem:
“Arratisu nga i lebrosuri ashtu siç arratisesh nga luani” (Transmetoi Ahmedi në Musnedin e tij, Buhariu ta’likan – me zinxhir transmetimi të shkëputur -, por ibën Haxheri tha se Ebu Nuejmi e transmetoi me zinxhir transmetimi të plotë prej rrugës së Ebu Daude Tajalisini dhe zinxhiri i transmetimit të tij është i saktë. Po ashtu përmendi se edhe ibën Khuzejmeh e transmetoi me zinxhir transmetimi. Bagauiu pasi e vendosi në librin e tij “Sherhus- Suneh” tha: hadith i saktë.)
Pesimizmi që ndodhej tek njerëzit e kohës se injorancës me molepsjen, shenjat ogurzeza, me shpirtin e të vdekurit të cilëve i dukej sikur fluturonte rreth varrit të tij si zog, prej të cilit bëheshin pesimist, që të gjitha këto janë gjëra të kota që nuk kanë asnjë bazë. Shpirti i të vdekurit është peng në xhenet ose në zjarr. Shenjat ogurzeza, pesimizmi me gjërat që i shikon dhe që i dëgjon janë prej punës së kohës së injorancës (xhahilijes). Ata bëheshin pesimist kur shikonin diçka që nuk i pëlqente si korbin, gomarin e zi ose me bisht të prerë dhe gjëra të tjera si këto; bëheshin pesimistë me to. Kjo ndodhte për shkak të injorancës dhe humbjes së tyre. Allahu i Lartësuar u kundërpërgjigjet atyre duke u thënë:
“Kini mendjen! Me të vërtetë që shenjat ogurzeza janë vetëm tek Allahu (si të dojë Ai)” [el-A’raaf. 121]
Dëmi dhe dobia, dhënia dhe pengimi janë në dorë të Allahut. Ndërsa shenjat ogurzeza nuk kanë origjinë. Ajo është diçka që ata e parandjenjë dhe e gjejnë në gjokset e tyre, që në të vërtetë nuk është asgjë, ajo është diçka e kotë. Prandaj Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem- tha: “Nuk ka shenja ogurzeza.” Prandaj nëse shikon atë me të cilën bëhet pesimist, të mos kthehet prej qëllimit për të cilin është nisur, por të vazhdojë. Nëse është nisur për udhëtim dhe papritur shikon një gomar që nuk e pëlqen ose shikon një burrë që nuk e pëlqen, e të tjera të kësaj natyre, të mos kthehet por të vazhdojë punën e tij dhe të mbështetet tek Allahu. Nëse ai kthehet, atëherë kjo është shenjë ogurzezë dhe shenja ogurzezë e trondit akiden por nuk arrin shkallën e shirkut të madh, pra është shirk i vogël.
Të gjitha bidatet e tronditin akiden por nuk arrin gradën e kufrit, përderisa ato nuk shoqërohen me kufër. Bidatet si: bidati i mevludit, ndërtimi mbi varre, bërja e xhamive mbi varre, namazi i regaibit (të cilin disa e kryejnë të enjten e parë të muajit Rexheb, për të cilën ibën Tejmija dhe shumë dijetarë të tjerë thonë se nuk e ka falur Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem dhe familjen e tij – dhe asnjë nga të parët, dhe se hadithet që kanë ardhur në lidhje me të janë të shpikura dhe gënjeshtra, që të gjitha këto janë bidate. Po ashtu edhe festimi i natës së Isras dhe Mi’raxhit, të cilën e përcaktojnë në datën njëzet e shtatë të muajit Rexheb, edhe kjo është bidat që nuk ka origjinë.
Disa njerëz festojnë natën që është në mes të muajit Shaban, duke bërë në këtë natë punë për t’u afruar tek Allahu me to. Ndoshta ndonjë prej tyre falet gjithë natën ose e agjëron atë ditë të saj duke pretenduar se kjo që bën e afron tek Allahu. E gjithë kjo që bëjnë ata nuk ka origjinë dhe hadithet që kanë ardhur në lidhje me të nuk janë të sakta, madje ajo është prej bidateve.
Fjala e përgjithshme (që është si rregull) në lidhje me këtë çështje është: çdo gjë prej adhurimeve të cilat i kanë shpikur njerëzit dhe çdo gjë të cilën nuk e ka urdhëruar i dërguari i Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem dhe familjen e tij-, apo nuk e ka vepruar, ose që nuk e ka aprovuar, është bidat. Ky gjykim del se Pejgamberi -sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem- thotë: “Kush shpik diçka të re në çështjen tonë çfarë nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.” Përsëri thotë: “Kush vepron një vepër e cila nuk është në çështjen tonë, ajo është e refuzuar.” Ai thoshte në ligjëratën e ditës së xhuma: “Gjërat më të këqija janë gjërat e shpikura (në fe) dhe çdo bidat është humbje.” Ai i paralajmëronte njerëzit që të ruheshin prej bidateve dhe i ftonte ata të kapeshin me Sunnet.
Është detyrë për muslimanët që ta kapin fort Islamin dhe të ecin me të pa u lëkundur. Nëse e bëjnë këtë, atëherë kjo u mjafton atyre dhe me këtë do arrin përsosmërinë. Ata nuk kanë nevojë për bidate. Allahu i Lartësuar thotë:
“Këtë ditë Unë e përsosa fenë tuaj për ju, dhe plotësova mirësinë Time mbi ju dhe zgjodha për ju Islamin si fe.” [el-Maideh. 3]
Pra, Allahu e përsosi dhe e plotësoi fenë – me falënderimin dhe lavdërimin e tij. Njerëzit nuk kanë nevojë që të sjellin bidate, kur Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – thotë: “Detyrë për ju është që të merrni Sunetin tim dhe Sunetin e khalifëve të drejtë e të udhëzuar pas meje. Kapni fort ato dhe kafshojini ato me dhëmballë.” (Transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe ibën Maxheh).
Njerëzit nuk kanë nevojë për bidatet e Zejdit dhe të Amrit (emra të rastësishëm). Detyrë për ta është që të kapen me atë që ka bërë ligj Allahu, të ecin në rrugën e Allahut, të qëndrojnë tek kufijtë që Ai ka vendosur dhe t’i lënë ato që kanë shpikur njerëzit. Ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar duke i nënçmuar bidatet dhe bidatçinjtë:
“Apo kanë ata shok e të barabartë me Allahun (zota të rremë të tyre) të cilët kanë themeluar e caktuar për ta ndonjë fe të cilën nuk e ka urdhëruar e caktuar Allahu?” [esh-Shura. 21]
Allahu i dhëntë sukses të gjithëve për atë që është më e mirë, e rregulloftë gjendjet e muslimanëve, i dhëntë sukses që të kuptojnë fenë e tyre dhe i largoftë ata nga shkaqet e devijimit, humbjes dhe deformimit. Paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi pejgamberin tonë Muhamed, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
shkëputur nga broshura: “Çfarë e tronditin akiden”
(origjina e kësaj broshurë është një ligjëratë e shejhut të nderuar – RahimehUllah -)
Autor: Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz