Xhamia e Haxhi Ymerit
Gjakovë

Akidja e Selefëve



Akidja e Selefëve dhe dijetarëve të hadithit.

Imam Ebi Uthman Ismail ibën Abdurrahman es-Sabuni (373-449 h.)

 

 

HYRJE


Falënderimet i takojnë vetëm Allahut. Vetëm Atë falenderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej të keqes së veteve (shpirtrave) dhe punëve tona!

Atë të cilin e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij. 

Po paraqes para duarve të lexuesëve dhe vëllezërve të mi muslimanë këtë libërth të përshtatur në gjuhën shqipe, me qëllim që t’u vij atyre sadopak në ndihmë për njohjen e besimit të saktë dhe të vërtetë të Islamit. 

Vëzhguesi në terrenin e sotëm, në mesin e muslimanëve gjen një përzierje dhe ngatërrim të së vërtetës me të pavërtetën, të dijes me injorancën dhe të Sunetit me bidatin. Kjo për shkaqe të shumta ndër të cilat mund të përmendim mungesën e literaturës së saktë dhe të nevojshme në këtë temë (temën e Akides). 

Libri që keni në duar është një përmbledhje e shkurtuar e bazave të Akides së Selefëve tanë të mirë dhe dijetarëve të Hadithit të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem) të cilin e ka shkruar një prej dijetarëve të mëdhenj të Islamit në shekullin e katërt dhe të pestë të hixhretit, imam es Sabuni. 

Ky libër ka fituar besimin dhe përgëzimin e shumë prej dijetarëve të Ehli Sunetit të cilët e kanë parë dhe lexuar atë dhe ai konsiderohet si një nga burimet bazë të Akides së Ehli Sunetit dhe Dijetarëve të Hadithit, bashkë me disa libra të tjerë madhështorë të cilët do të përmenden gjatë librit dhe për të cilat lus Allahun që të shohin dritën në gjuhën shqipe, edhe pse janë disi voluminoze! 

Siç e thamë më lart, libri është shumë i përmbledhur dhe autori është përpjekur të paraqesë në të, ç’të mundë prej bindjeve të Ehli Sunetit duke treguar edhe transmetuesit dhe përcjellësit e fjalëve, në mënyrë që të jetë sa më i përpiktë.

Studiuesi dhe recensuesi i librit, Dr. Nasir ibën Abdurrahman el Xhedij, është përpjekur të nxjerrë çdo transmetim prej burimit në të cilin gjendet dhe gjithashtu ka përmendur një biografi të përmbledhur për të gjithë transmetuesit që ka përmendur autori, por unë nuk i kam përmendur të gjitha ato biografi për t’iu ruajtur zgjatjes dhe daljes nga tema. 

Ky libër, edhe pse me përmasa të vogla, është i domosdoshëm për të gjithë muslimanët, për të përparuarin në dije dhe për fillestarin në të, ndonëse për atë të përparuarin është më i përshtatshëm. 

Nëse njihet e vërteta atëherë është e lehtë njohja e të kotës dhe dallimi i saj, sepse çdo gjë që e kundërshton të Vërtetën dhe bie ndesh me të, ajo është e kotë.

Po ashtu, nëse njihen ndjekësit e së Vërtetës, atëherë është e lehtë që të njihen ndjekësit e të kotës. 

Lus Allahu e Madhëruar që të na drejtojë në të Drejtën dhe të Vërtetën, dhe të na bashkojë në Xhenet me të Dërguarin e Tij (sal-lAllahu alejhi ve selem) sahabet e ndershëm dhe ndjekësit e gjurmëve të tyre deri në Ditën e Kijametit!

 

Përkthyesi
Shkurt 2004
Dhul-Hixheh 1424 h.

 


 

BIOGRAFIA E AUTORIT

Koha në të cilën ai ka jetuar

Së pari: Gjendja politike e asaj kohe

 

- Autori, Ebu Uthman es Sabuni ka jetuar në çerekun e fundit të shekullit të katërt dhe në gjysmën e parë të shekullit të pestë të hixhretit. Pikërisht ndërmjet viteve (373-449 h.).

Ai ishte bashkëkohës i tre prej prijësave (halifëve) të shtetit Abasit. I pari i tyre ka qenë prijësi Et Taiu Lilah Ebu Bekër Abdulkerim ibën el Mutiju Lilah, i cili qëndroi në pushtet nga viti 363 h. deri sa u hoq në vitin 381 h.

I dyti ishte prijësi El Kadiru Bilah ebu el Abas Ahmed ibën Is’hak ibën Xheafer, i cili e mori pushtetin në vitin 381 h. dhe qëndroi në të derisa ndërroi jetë, në vitin 422 h.

Ndërsa prijësi i tretë ishte El Kaimu Biemrilah Ebu Xheafer Abdullah ibën el Kadiru Bilah, i cili e mori pushtetin pas vdekjes së të atit, në vitin 422 h. dhe qëndroi në pushtet derisa ndërroi jetë, në vitin 467 h.

Në këtë periudhë, fuqia e prijësave Abasitë u dobësua dhe pushteti ra në duart e të tjerëve.

Vendet e Horasanit, prej të cilave ishte edhe Nisaburi, vendi në të cilin jetoi autori, u sunduan nga prijësa të ndryshëm, njëri pas tjetrit. Në fillim, pushteti ishte në duart e Es Samanije, më pas në duart e Beni Subuktikin dhe më pas në duart e Beni Sulxhuk.

Kështu që, vendet e Horasanit ishin të pastabilizuara dhe gjendja politike e tyre ishte tranzicionale, gjë e cila padyshim ka pasur ndikim negativ te njerëzit e asaj kohe.

Së dyti: Gjendja ideologjike dhe shkencore e asaj kohe Kjo periudhë kohore shquhet për ekzistencën e një numri të konsideruar grupesh e sektesh të ndryshme, të cilat ishin në kundërshtim me drejtimin e Ehli Sunetit (pasuesëve të sunetit), si dhe për ekzistencën e disa figurave të shquara në shkencat dhe kulturat e ndryshme.

Es Sujuti ka përcjellë nga imam Dhehebiu se ai ka thënë për kohën e halifes El Kadiru Bilah: “Në këtë periudhë është shfaqur edhe koka e esharive: Ebu Is’hak el Isfrajini [1] , koka e muetezilive: gjykatësi Abdulxhebar [2], koka e rafidive: Esh shejh el muktedir apo Esh shejh el Mufid, koka e keramitave: Muhamed ibën el Hejsam, koka e hafizave të shquar: Ebul Hasen el Hamami, koka e muHadithinëve: hafiz Abdulgani ibën Seid, koka e sufive: Ebu Abdurrahman es Selmi, koka e poetëve: Ebu Umer ibën Deraxh dhe koka e mbretërve: sulltan Mahmud ibën Subuktikin.” [3]

Më pas Sujuti shtoi: “Këtyre u shtohet koka e zindikëve (të dalëve nga Feja): El Hakim Biemrilah, koka e gjuhëtarëve: El Xheuheri, koka e gramatikanëve: Ibën Xhina, koka e elokuentëve: El Bedij, koka e predikuesëve: Ibën Nebata, koka e komentatorëve: Ebu el Kasim ibën Habib en Nisaburi, etj.”

Padyshim se përhapja e këtyre grupeve dhe thirrja e kokave të tyre në to, ka pasur ndikim të rrezikshëm në shoqërinë e asaj kohe.

Prej fitneve (trazirave) që ndodhën në atë kohë për shkak të këtyre grupeve, ka qenë fitneja që ndodhi ndërmjet rafidive dhe pasuesëve të Sunetit në Bagdad, në vitin 398 h. Fitne në të cilën shejhu Ebu Hamid el Isfrajini [4] iu afrua vdekjes. Por kur lajmi i shkoi halifes El Kadiru Bilah, ai dërgoi forcat e tij për t’u ardhur në ndihmë pasuesëve të Sunetit dhe rafiditë u thyen.

Më pas, në vitin 422 h. këto fitne ndërmjet pasuesëve të Sunetit dhe rafidive u përtërinë dhe u shtuan, por pasuesit e Sunetit u bashkuan dhe vranë shumë prej tyre. 

Prijësat abasitë, në këtë periudhë, ishin të kapur për rrugën e Ehli Sunetit. Lexo fjalën e Hatib el Bagdadit për halifen abasit, El Kadiru Bilah: “Ai posedonte moral, fe, namaz të gjatë nate, bamirësi e bujari, me të cilat u shqua dhe u bë i njohur te të gjithë, shtoi këtyre edhe drejtimin e mirë dhe besimin e saktë. Ai shkroi një libër në fushën e Usulu fikhut, në të cilin përmendte vlerat e sahabeve, sipas metodës së dijetarëve të Hadithit. Në atë libër, nën temën për vlerat e Umer ibën Abdulaziz, ai përmend kufrin - daljen nga Feja - të muetezilive dhe të atyre që thonë se Kurani është i krijuar. Ai libër lexohej çdo të xhuma në tubimin e dijetarëve të Hadithit, në xhaminë El Mehdi. Gjatë leximit të tij prezentonin edhe njerëzit dhe e dëgjonin atë.” [5]

Sigurisht që numri i madh i figurave të shquara në atë kohë, tregon zhvillimin e fushës akademike e shkencore, saqë edhe shumica e halifëve dhe princave të asaj kohe posedonin sasi të konsiderueshme dijeje e njohurie, nga më të shquarit e të cilëve ka qenë El Kadiru Bilah. Ata i donin dijetarët dhe i madhëronin ata, gjë e cila ndikoi ndjeshëm në zhvillimin e lëvizjes akademike e shkencore.

Ky ishte një vështrim i shpejtë dhe i shkurtër në gjendjen ideologjike e shkencore të asaj kohe, ku siç e pamë, veçoria më e shquar e saj ishte ekzistenca e një numri të konsiderueshëm grupesh e sektesh të ndryshme, të cilat padyshim që do të përhapnin idetë e tyre në shoqëri. Për këtë shkak, gjejmë se dijetarët e Sunetit të asaj kohe kanë shkruar libra të shumtë për sqarimin dhe qartësimin e bindjes së pasuesëve të Sunetit, siç ka bërë edhe imam Es Sabuni (Rahimullah). Disa të tjerë kanë shkruar libra ku i kundërpërgjigjen atyre grupeve të humbura e të devijuara, si dhe rrëzojnë dilemat dhe gjërat e dyshimta që ata hedhin në popull.


Prejardhja e autorit.


Emri i tij është Ebu Uthman Ismail ibën Abdurrahman ibën Ahmed ibën Ismail ibën Ibrahim ibën Amir ibën Abid es Sabuni En Nijsaburi, hafiz, muhadith, fakih, i titulluar si dijetar i Islamit.

Fjala “Es Sabuni” është marrë nga punimi i sapunit, siç thotë Es Semaani në librin “Prejardhjet”: “Në Nisabur ka qenë një shtëpi e madhe për prodhimin e sapunit dhe ndoshta ndonjë prej gjyshërve të tij ka pas punuar në të, kështu i është mveshur kjo kunjë.”


Jeta e tij.


Ka lindur në Bushenxh, në zonat e Huratit (Sixhistan) në mesin e muajit Xhemadul Ahira, në vitin 373 hixhri.

Abdulgafir el Farisi thotë: Babai i tij, Abdurrahman Ebu Nasr, ka qenë prej predikuesëve të mëdhenj të Nisaburit dhe u ndoq e u vra për shkak të fanatizmit dhe medh’hebit të tij. Kështu që i biri i tij, Ismaili zuri vendin e tij dhe u ul në karrigen e tij që në moshën dhjetë vjeç dhe të gjithë imamët e kohës së tij prezentonin tubimet e tij.

Edukimin e tij dhe përgatitjen e kushteve për kërkimin e dijes, e mori përsipër imam Ebu Tajjib Sehl ibën Muhamed es Saluki, i cili merrte pjesë në tubimet e tij dhe e lavdëronte atë.

Tubimet e tij i prezentonin gjithashtu dijetarë të mëdhenj si Ebu Is’hak el Isfrajini, imam Ebu Bekër ibën Furik, etj. Ata habiteshin me zgjuarsinë dhe mprehtësinë e tij, me bukurinë e formimit të shprehjeve në të dyja gjuhët, arabisht dhe persisht, dhe me mësimin përmendësh të Haditheve, cilësi të cilat u rritën bashkë me të dhe me të cilat arriti atë vend të lartë.

Gjatë gjithë kohës së tij, ai ishte i zënë me adhurime e punë të mira. Arriti majat në urtësi e formim të përgjithshëm.

Njihej për namazin e tij në formën më të mirë, faljen shumë natën dhe dlirësinë e tij, saqë merrej për shembull. [6]

Abdulgafir e përshkruan atë kështu: “Ai ishte imam, dijetar i Islamit, predikues, mufessir (komentator i Kur’anit), dijetar Hadithi dhe këshillues, i cili i bashkoi njerëzit e kohës së tij në rrugën e tij. I këshilloi muslimanët në tubimet e dijes shtatëdhjetë vjet radhazi. Priu njerëzit në namaz (imam) dhe mbajti hutbe në xhaminë e madhe në Nisabur, afro njëzet vjet.” [7]

Gjithashtu, ai thotë:  “Ka qenë më i vullnetshëm se të gjithë dijetarët e kohës së tij në dëgjimin e Haditheve, në mbajtjen përmendësh të tyre dhe në përhapjen e dijes dhe librave të tij. Ka qenë më i shumti në grumbullimin e Haditheve dhe nxitjen në dëgjimin e tyre nëpër tubime. Hadithet i ka mbledhur në Nisabur, Serahas, Furat, Sham, Hixhaz e nëpër male. Ka pasur lidhje me shumë vende dhe numri i njerëzve që kanë marrë prej tij është shumë i madh.

Imam Sabuni (Rahimullah) ka qenë respektues i Hadithit dhe i kushtonte vëmendje të madhe zinxhirit të transmetuesëve. 


Familja e tij.


Ebu Uthman es Sabuni ka pasur dy djem. I pari, Abdullahi, i cili vdiq gjatë rrugës për në Haxh, në kohën kur babai i tij ishte ende gjallë.

Ndërsa i dyti, Abdurrahmani, i cili e mori dijen dhe Hadithin prej babait të tij, në Nisabur dhe më pas u bë gjykatës në Azerbaxhan. 

Edhe pse kunja e imam Sabunit është Ebu Uthman, nuk i kam gjetur ndonjë djalë me këtë emër në librat e biografive.

Ai ka pasur një vëlla, i cili quhej Is’hak ibën Abdurrahman Es Sabuni. Ai ka qenë këshillues e predikues dhe shpeshherë zëvendësonte vëllanë e tij nëpër tubime.

Nga të gjitha këto arrijmë në përfundimin se familja e Ismail Sabunit, ka qenë familje e dijes, urtësisë dhe udhëzimit.

Imam Sabuni e ka marrë dijen prej shumë dijetarëve të njohur dhe ka pasur gjithashtu shumë nxënës. Veprat e shkrimet e tij janë gjithashtu të shumta.

Akideja e Sabunit dhe medhhebi i tij.


Imam Sabuni është pasues i mendimit të dijetarëve të Hadithit prej Selefëve të mirë, kështu që akideja e tij është selefije.

Argumenti më i qartë për këtë është libri që kemi në duar, në fillim të të cilit ai ka shprehur se do të mbledhë në të, disa tema në bazat e akides, sipas bindjes së Selefëve, prej të cilave ai shpreson të ketë dobi.

Në fund të këtij libri, autori ka përmendur disa prej dijetarëve të mëdhenj të Hadithit dhe Sunetit, të cilët janë shembull për tu ndjekur dhe të cilët besojnë atë që ai e ka pohuar në librin e tij, pastaj thotë:

“Dhe unë, fal mirësisë së Allahut të Lartësuar, pasoj gjurmët e tyre, ndriçohem me dritën e tyre dhe këshilloj vëllezërit dhe shokët e mi që të mos rrëshqasin nga rruga e tyre, e të mos ndjekin fjalë të tjera përveç fjalëve të tyre. Deri në fund të fjalës së tij.

Ndërsa medhhebi i autorit në fikh, sipas asaj që kam kuptuar unë (studiuesi), është se medh’hebi i tij është Shafii, duke u bazuar në argumentet e mëposhtme:

01 - Gjetja e biografisë së tij në librat biografike të shafiive dhe në asnjë medh’heb tjetër.

02 - Pohimi i kësaj fjale prej dijetarit Ibën Amad el Hanbeli.

03 - Vetë autori, kur paraqiti në këtë libër të tij një numër dijetarësh sipas rrugës së të cilëve ai shkonte, përmendi në krye të tyre imam Shafiun dhe e lavdëronte e fliste mirë për të.

Dijetarët e mëdhenj kanë folur për të fjalët më të mira dhe kanë pohuar se ai është imam, hafiz, njohës i mirë i Hadithit e tefsirit, si dhe shkencave të tyre, njohës i letërsisë dhe i shumë shkencave të tjera.

Ebu Bekër el Bejheki, dijetar bashkëkohor i tij, ka thënë për të: “Ai është me të vërtetë imam i muslimanëve dhe sinqerisht, dijetar i Islamit. Njerëzit e kohës së tij kanë qenë të nënshtruar para lartësisë së tij në fe, sovranitet, bindje të sakta, dije të madhe dhe pasim të rrugës së selefëve.” [8]

Ebu Uthman es Sabuni ka vdekur në Nisabur, në kohën e ikindisë, ditën e enjte, 3 Muharrem, të vitit katërqind e dyzetë e nëntë sipas hixhretit, pas një sëmundjeje.

Vlerësimi i librit.

 Libri i imam Sabunit është një prej librave që kanë kontribuar në pasurimin e bibliotekës Islame për sqarimin e Akides së ithtarëve të Sunetit dhe Xhematit, si dhe për qartësimin e bazave të Fesë, mbi të cilat kanë ndërtuar bindjen e tyre imamët e parë të selefëve tanë të mirë, unanimisht. Disa prej tyre, autori i ka përmendur në fund të këtij libri.

Autori, Ebu Uthman es Sabuni, në këtë libër ka ndjekur metodën e saktë në parashtrimin e atyre bazave, pasiqë ai nuk mjaftohet me miratimin e një baze pa e përmendur edhe argumentin e saj. Gjithashtu, shumicën e Haditheve dhe fjalëve të sahabeve e tabiinëve, ai i transmeton me sened (zinxhir transmetuesish), sipas metodës së dijetarëve të Hadithit.

Ky libër konsiderohet një prej burimeve mbi të cilat mbështeten dijetarët për miratimin e Akides së Selefëve. Prej shembujve për këtë është edhe shejhu i Islamit, Ibën Tejmije dhe Ibën el Kajim, të cilët kanë marrë prej tij.

Eshtë e njohur se për sqarimin e Akides së Ehli Sunetit janë shkruar libra të shumtë, prej të cilave koha na ka ruajtur disa, por ky libër dallohet për përmbledhjen e tij dhe moszgjatjen, megjithëse ai i ka përfshirë thuajse të gjitha çështjet e përgjithshme të Akides.

Prej kritikave që mund t’i bëhen autorit të librit (Rahimullah) është se në disa çështje, ai ka argumentuar me Hadithe të dobëta, duke qenë se në ato çështje ka pasur Hadithe të sakta e të mjaftueshme, pa qenë nevoja të përmenden Hadithet e dobëta. Siç është për shembull, përmendja e transmetimit të Ebu Hazimit në çështjen e zbritjes së Allahut në qiellin e dynjasë, apo përmendja e Hadithit të gjatë të Muhamed ibën Keab el Kuradhi.

__________________________________________

[1] - Ai është Ibrahim ibën Muhamed ibën Ibrahim ibën Mehran Ebu Is’hak el Isfrajini, mutekelim (skolastik, teolog), dijetar në usul fikh dhe në fikh. Dijetar i banorëve të Horasanit. Ka qenë i besueshëm dhe i fortë në Hadith. I vullnetshëm në adhurim dhe i përkushtuar në të. Bejhakiu ka përcjellë shumë Hadithe nga ai. Ai ka zhvilluar edhe disa dialoge me mutezilitë. Ka vdekur në vitin 418 h. në Nisabur. [Tabekat esh shafiije el kubra: 3/111].

[2]
- Ai është Abdulxhebar ibën Ahmed ibën Abdulxhebar Ebu el Hasen el Hemdhani, shejhu i mutezilive në kohën e tij dhe autor i shumë shkrimeve. U emërua gjykatës në Er Rij dhe vdiq në vitin 415 h. [Historia e Bagdadit: 11/113].

[3]
- Shkëputur nga libri “Historia e halifëve”, i Sujutit.

[4]
- Ai është Ahmed ibën Muhamed ibën Ahmed el Isfrajini, shejh i shafiive në Bagdad. Ka qenë dijetar i fikhut dhe imam i madh. Ka vdekur në vitin 406 h. [Sijeru ealamu en nubela: 17/194, El bidajetu ue nihaje: 2/12].

[5] - “Historia e Bagdadit” (4/37, 38).

[6]
- Marrë nga libri “Tabakat esh shafiije el kubra” e Ibën es Subki.

[7]
- Nga libri “Tehdhib tarih Dimashk”

[8]
- Marrë nga libri “Tabakat esh shafiije el kubra”.

 


 

Teksti i librit.

بسم الله الرحمن الرحيم

O Zot! Lehtëso dhe ndihmo me Mirësinë dhe Mëshirën Tënde!

Zinxhiri i transmetuesëve të librit

 Autori thotë:  Na ka treguar kryegjykatësi i Damaskut, Nidhamudin Umer ibën Ibrahim ibën Muhamed Muflih es Salihi el Hanbeli, gojarisht: Na ka treguar hafiz Ebu Abdullah Muhamed ibën Abdullah ibën Ahmed ibën Muhib el Makdisi: Na kanë treguar dy dijetarët, Xhemaludin Abdurrahman ibën Ahmed ibën Umer ibën Sheker dhe Ebu Abdullah Muhamed ibën Muhib Abdullah ibën Ahmed ibën Muhamed, që të dy nga Makdisi.

- I pari thotë: Na ka treguar Ismail ibën Ahmed ibën el Husejn ibën Muhamed el Iraki dhe ne dëgjonim: Na ka treguar Ebu Fet’h Abdullah ibën Ahmed el Harki.

- Ndërsa i dyti thotë: Na ka treguar Ahmed ibën Abdu ed Daim.

Na ka treguar gjithashtu Taxhudin Muhamed ibën Hafidh Imadudin Ismail ibën Muhamed ibën Berdes el Ba’li.

Dhe na ka treguar kryegjykatësi Izuddin Abdurrahim ibën Muhamed ibën el Furat el Hanefi, gojarisht: Na ka treguar Muhamed ibën Halife ibën Muhamed ibën Khalef el Munebxhi: Na ka treguar Xhemal Abdurrahman ibën Ahmed ibën Umer ibën Sheker se autori (es Sabuni) ka thënë:

Shkaku i shkruajtjes së librit [1]

 “Falenderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve dhe përfundimi i mirë qoftë për besimtarët e devotshëm, ndërsa Mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e Profetëve, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Në kohën kur hyra në Amid të Tarbistanit (vend ne Iran, në jug të detit Kaspik) dhe në vendet e Xhilanit, në drejtim të Shtëpisë së Shenjtë (Kabes), si dhe për të vizituar varrin e të Dërguarit të Allahut [2] (sal-lAllahu alejhi ve selem), disa vëllezër në Fe më kërkuan që t’u mbledh disa tema në bazat e Fesë, pas të cilave janë kapur ata që kanë kaluar prej imamëve të mëdhenj, dijetarëve të muslimanëve dhe selefëve të mirë. Ato baza me të cilat u udhëzuan dhe thirrën njerëzit në çdo kohë, si dhe gjërat që i kundërshtojnë dhe i mohojnë këto baza, prej të cilave u larguan të gjithë besimtarët e sinqertë e të devotshëm. 

Baza, në rrugën e të cilave ata lidhnin miqësi dhe shpallnin urrejtje, quanin bidatçi dhe e nxirrnin nga Feja këdo që besonte diçka tjetër përveç atyre. [3]

Atëherë unë iu mbështeta Allahut të Lartësuar dhe shkrova në këtë libër atë që munda, në mënyrë të shkurtuar e të përmbledhur, duke shpresuar që të përfitojnë prej tij të zotët e mendjes e të shikimit.

Allahu është Ai që jep sukses dhe vendosmëria në Rrugën e Drejtë e të Saktë nuk arrihet vetëm se me mirësinë e Allahut dhe Mëshirën e Tij!

Pohimi i Cilësive të Allahut të Lartësuar.

 Duke shpresuar suksesin nga Allahu i Lartësuar them: Dijetarët e Hadithit [4] (Allahu i ruajtë të gjallët dhe i mëshiroftë të vdekurit prej tyre!) dëshmojnë se Allahu i Lartësuar është Një dhe se Muhamedi është Lajmëtar dhe i Dërguar i (sal-lAllahu alejhi ve selem) (nebij dhe resul). Ata e njohin Zotin e tyre me ato cilësi të cilat janë shprehur në Shpalljen dhe Librin e Tij, apo për të cilat ka dëshmuar i Dërguari i Tij (sal-lAllahu alejhi ve selem), në Hadithet e sakta që na janë përcjellë prej njerëzve të drejtë e të besueshëm nga ai (sal-lAllahu alejhi ve selem!).

Ata pohojnë për Allahun e Lartësuar çdo gjë që Ai e ka pohuar për Veten e Tij, në Librin e Tij apo në gjuhën e të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ve selem!) dhe nuk besojnë se Cilësitë e Allahut i përngjasojnë cilësive të krijesave të Tij.

- Ata thonë: Allahu e ka krijuar Ademin (alejhi selam) me Dy Duart e Tij, siç e ka shprehur këtë në Fjalën e Tij: 

“(Allahu) i tha: O Iblis! Ç’të ndaloi ty që të mos i biesh në sexhde atij, të cilin Unë e krijova me Dy Duart e Mia?” [Sad: 75].

Ata nuk e ndryshojnë fjalën nga domethënia e saj, duke thënë (p.sh.) se Dy Duart e Allahut janë dy mirësitë e Tij, apo dy Fuqitë e Tij, ashtu siç kanë bërë mu’tezilitë [5] dhe xhehmijet [6] (Allahu i shkatërroftë!), as nuk i përshkruajnë ato të Dyja (Duart e Allahut) me ndonjë formë dhe as nuk i krahasojnë Ato me duart e krijesave, siç i krahasojnë mushebbihitë [7] (Allahu i fëlliqtë!).

Ndërsa pasuesit e Sunetit [8], Allahu i ka ruajtur nga tahrifi [9] (ndryshimi i domethënies së fjalës), nga tashbihi (krahasimi) dhe nga tekjifi (përshkrimi e përshtatja), si dhe u ka dhënë atyre njohuri e kuptim nga Mirësia e Tij.

Ata ndoqën rrugën e Njësimit dhe pastrimit të Allahut (nga ajo që nuk i përshtatet) dhe u larguan nga ta’tili (heqja dhe zhveshja e Allahut prej atyre cilësive) dhe nga teshbihu (krahasimi), duke ndjekur Fjalën e Allahut të Lartësuar:

“Asgjë nuk i përngjet Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” [Esh Shura: 11].

Po ashtu, Kurani i ka përmendur Dy Duart e Allahut të Lartësuar, si në Fjalën e Allahut:

“(Allahu) i tha: O Iblis! Ç’të ndaloi ty që të mos i biesh në sexhde atij të cilin Unë e krijova me Dy Duart e Mia?” [Sad: 75].

Gjithashtu i ka përmendur në Fjalën e Allahut: 

“Përkundrazi, të Dyja Duart e Tij janë të shtrira. Ai shpenzon nga Begatitë e Tij siç do Ai.” [El Maide: 64].

Gjithashtu, janë transmetuar Hadithe të sakta nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem!), të cilat përmendin Dorën e Allahut, siç është Hadithi i dialogut ndërmjet Musait dhe Ademit (alejhima selam) kur Musai i tha:

“Allahu të ka krijuar ty me Dorën e Tij dhe ka urdhëruar engjëjt që të bëjnë ty sexhde…” [10]

Apo siç është Hadithi Kudsi, ku Allahu i Lartësuar thotë:

“…Unë nuk i barazoj ata të mirët prej pasardhësve të atij që krijova me Dy Duart e Mia, me atë që i thashë bëhu dhe ai u bë (engjëjt).” [11]

Dhe Hadithi: 

“Allahu e ka krijuar Firdeusin me Dorën e Tij.” [12]

Po kështu, ata (pasuesit e Sunetit) thonë për të gjitha Cilësitë e Allahut të cilat i ka përmendur Kurani dhe Hadithet e sakta, si (p.sh). Dëgjimi i Allahut, Shikimi dhe Syri i Tij, Fytyra e Tij, Dija, fuqia dhe plotfuqishmëria për çdo gjë, krenaria dhe madhështia, dëshira dhe vullneti, të folurit e Allahut dhe Fjala e Tij, pëlqimi dhe pakënaqësia e Tij, dashuria dhe urrejtja, gëzimi dhe qeshja e Tij, e të tjera Cilësi të Allahut të Lartësuar.

Ata i besojnë këto pa i krahasuar me ato të krijesave, por duke qëndruar në kufijtë të cilat i ka vënë Allahu dhe i Dërguari i Tij (sal-lAllahu alejhi ve selem), pa shtuar mbi ato, pa i përshkruar, pa i krahasuar me ato të krijesave, pa e shtrembëruar kuptimin apo shprehjen e tyre, pa i ndërruar me diçka tjetër, pa e zhveshur fjalën nga kuptimi i saj i njohur dhe i përdorur në gjuhën arabe, duke e shpjeguar atë me ndonjë komentim të paqënë e të refuzuar.

Por ata ndjekin kuptimin e drejtpërdrejtë të këtyre ajeteve apo Haditheve dhe e lënë dijen e hollësishme të tyre tek Allahu i Lartësuar, duke pohuar që shpjegimin e të Vërtetës (formën, mënyrën etj.) së tyre, nuk e di kush përveç Allahut, ashtu si na ka treguar Allahu i Lartësuar për dijetarët e vërtetë, në Fjalën e Tij:

“Dhe ata që janë plotësisht të vendosur në dije, thonë: Ne besojmë në të (Kuranin); i tëri (Ajete të qarta e të paqarta) është nga Zoti ynë. Dhe nuk marrin mësim veçse ata që janë të brumosur me mendje të shëndoshë.” [Al Imran: 7].


Kurani i Lartë është zbritur nga Allahu dhe nuk është i krijuar.


Dijetarët e Hadithit dëshmojnë dhe besojnë se Kurani është Fjala e Allahut, Libri i Tij, Shpallja e Tij, ajo që Allahu ka zbritur dhe nuk është i krijuar. Ndërsa ai që thotë se Kurani është i krijuar dhe ka bindje për këtë, ai është kafir (i dalë nga Feja).

Kurani, i cili është Fjalë e Allahut dhe Shpallje prej Tij, është ai Kuran me të cilin ka zbritur Xhibrili te i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem), në gjuhën arabe dhe që është përgëzues e qortues për popullin që sheh.

Allahu i Lartësuar thotë: 

“Dhe sigurisht që ky (Kurani) është shpallje nga Zoti i gjithësisë, me të cilin ka zbritur Shpirti i besueshëm (Xhibrili) në zemrën tënde (O Muhamed) që të mund të jesh prej këshilluesëve. Ai është zbritur në gjuhën e qartë arabe.” [Esh Shuara: 192-195].

Ai është Kurani, të cilin Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ve selem) ia komunikoi popullit të tij, ashtu siç u urdhërua në Fjalën e Allahut të Lartësuar:

“O ti i Dërguar (Muhamed)! Shpalle mesazhin i cili të është zbritur ty nga Zoti yt!…” [El Maide: 67].

Kështu, ajo që ai (sal-lAllahu alejhi ve selem) u shpalli atyre me urdhërin e Allahut, ishte Fjala e Allahut të Lartësuar për të cilën i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

“A më pengoni mua që të shpall Fjalën e Zotit tim?!” [13]

Është ai Kuran, i cili ruhet në gjokse (përmendësh), lexohet me gjuhë dhe shkruhet në letër. I gjithë ai është Fjalë e Allahut të Lartësuar dhe nuk është i krijuar. Ndërsa ai që pretendon se Kurani është i krijuar, ai e ka mohuar Zotin e Lartësuar.

- Autori thotë: Kam dëgjuar El Hakim Ebu Abdullah, të thotë: Kam dëgjuar Ebu el Uelid Hasan ibën Muhamed të thotë: Kam dëgjuar imam Ebu Bekr Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejmeh të thotë:

“Kurani është Fjalë e Allahut dhe nuk është i krijuar, ndërsa ai që thotë se Kurani është i krijuar, e ka mohuar Allahun e Lartësuar (është kafir) dhe nuk i pranohet shehadeti, nuk vizitohet kur është i sëmurë, nuk i falet xhenazeja dhe nuk varroset në varrezat e muslimanëve. Atij i jepet afat tri ditë që të pendohet e nëse nuk e bën, atëherë i pritet koka.” [14] 

Shqiptimi i Kuranit.

Shejh Ebu Bekër el Ismaili el Xhurxhani, në broshurën e tij të cilën ia dërgoi banorëve të Xhilanit, shkruante:

“Kush thotë se të shqiptuarit e Kuranit është i krijuar dhe ai ka për qëllim vetë Kuranin, ai ka thënë se Kurani është i krijuar.”

Ibën Mehdi et Taberi në librin “Akideja” të cilin e shkroi për banorët e atyre vendeve (të Taberisë), thotë:

“Pasuesit e Sunetit dhe Xhematit kanë bindjen se Kurani është Fjalë e Allahut të Lartëmadhëruar, shpallja e Tij, ajo që Ai ka zbritur, Urdhëri dhe ndalesa e Tij, dhe nuk është i krijuar. Ndërsa kush thotë se ai është i krijuar, ai e ka mohuar Allahun e Lartësuar. Kurani është i ruajtur në gjokset tona, lexohet me gjuhët tona dhe është i shkruar në letër. Ai është Fjalë me të cilën Allahu i Lartësuar ka folur, ndërsa kush thotë: Kurani me të shqiptuarin tim është i krijuar, ose se shqiptimi im i Kuranit është i krijuar, ai është injorant, i humbur dhe mohues i Allahut të Lartësuar.”

E përmenda këtë pjesë nga libri i Ibën Mehdiut për shkak të përkrahjes sime të tij në të, sepse ai ka pasuar selefët prej dijetarëve të Hadithit në atë që ka thënë edhe pse ai ka qenë i zhytur në shkencën e oratorisë e filozofisë dhe shkrimet e tij në to janë të shumta, por këtë temë ai e ktheu te të zotët e saj dhe e mori atë prej tyre.

Na ka treguar hafiz Ebu Abdullah: Kam lexuar një shkrim të Ebu Amër el Mustemli të thoshte: Kam dëgjuar Ebu Uthman Seid ibën Ishkab të thotë: Kam pyetur Is’hak ibën Ibrahim për të shqiptuarit e Kuranit dhe ai tha:

“Kjo gjë nuk duhet të diskutohet. Kurani është Fjalë e Allahut dhe nuk është i krijuar.”

Ibën Xherir et Taberi, në librin “El Itikad” të cilin e ka veçuar për këtë temë, thotë:

“Përsa i përket të shqiptuarit e Kuranit prej njerëzve, nuk ka ndonjë gjurmë prej sahabëve apo tabiinëve, përveç asaj që ka ardhur nga ai, fjala e të cilit ka qënë e mjaftueshme dhe bindëse; në pasimin e të cilit është e vërteta dhe udhëzimi; fjala e të cilit vihet në vendin e imamëve të parë të këtij umeti:  Ebu Abdullah Ahmed ibën Hanbel (Rahimullah).

Ebu Ismail et Tirmidhi më ka thënë se ka dëgjuar Ebu Abdullah Ahmed ibën Hanbel (Rahimullah) të thotë:

“Çështja e të shqiptuarit e Kuranit është prej xhehmive, ndërsa Allahu thotë:

“…atëherë siguroi atij strehim me qëllim që ai të dëgjojë Fjalën e Allahut…” [Et Teube: 6].

Prej kujt do ta dëgjojë atë? (a nuk do ta dëgjojë prej gojës së njeriut dhe megjithatë Allahu ka thënë: që të dëgjojë Fjalën e Allahut?!).”

Pastaj tha (Tirmidhiu): Kam dëgjuar një grup prej shokëve tanë, emrat e të cilëve nuk më kujtohen, se kanë thënë për imam Ahmedin (Rahimullah), se ai thoshte:

“Kush thotë se shqiptimi im i Kuranit është i krijuar, ai është xhehmij, kurse ai që thotë se shqiptimi im i Kuranit nuk është i krijuar, ai është bidatçi (sepse këtë shprehje nuk e kanë thënë të parët).”

Muhamed ibën Xherir thotë:

 “Nuk na lejohet të themi në këtë temë fjalë tjetër përveç fjalës së tij (imam Ahmedit), sepse nuk kemi paraardhës që të ketë thënë gjë tjetër përveç atij. Aq më tepër, kur ajo që ai ka thënë, është e mjaftueshme dhe bindëse, dhe se ai është imami që duhet të pasohet, mëshira dhe kënaqësia e Allahut qofshin mbi të!”

Këto ishin fjalët e Muhamed ibën Xheririt, të cilat i kam marrë nga libri i tij “El I’tikad”.

- Them (autori): Muhamed ibën Xheriri e ka pastruar veten e tij me këtë temë të librit të tij, nga e gjithë ajo që i është mveshur dhe me të cilën është akuzuar se gjoja ka dalë nga rruga e Sunetit dhe ka anuar nga bidati.

Përsa i përket asaj që ka treguar për Ahmedin (Rahimullah), se të folurit në shqiptimin e Kuranit është prej xhehmive, këtë fjalë ai e ka thënë vërtetë dhe kjo për arsye se Xhehmiu [15] dhe pasuesit e tij qenë të parët, të cilët thanë se Kurani është i krijuar dhe qenë ata që folën për shqiptimin e Kuranit, duke arritur gradualisht në thënien se Kurani është i krijuar, por në atë kohë (në kohën e imam Ahmedit) kishin frikë prej pasuesëve të sunetit që ta shprehin hapur këtë fjalë, kështu që folën për shqiptimin e Kuranit, duke pasur për qëllim se ai me shqiptimin tonë është i krijuar. Për këtë shkak, imam Ahmedi i quajti ata me emrin xhehmije.

Transmetohet gjithashtu se imam Ahmedi ka thënë: “Çështja e shqiptimit është më e keqe se ajo e xhehmijes.”

Ndërsa ajo që ka treguar Muhamed ibën Xheriri për imam Ahmedin, se ai ka thënë: Kush thotë se shqiptimi im i Kuranit është i krijuar, ai është bidatçi, ka pasur për qëllim me këtë se të parët prej Ehli Sunetit nuk e kanë zënë me gojë çështjen e shqiptimit të Kuranit dhe as që kanë pasur nevojë të hynë në të, por kjo fjalë është shpikur nga ata që kërkojnë të zhyten në gjëra që nuk u takojnë dhe nga mendjelehtët të cilët shpikën gjëra të paqëna dhe i kaluan kufijtë e ndalesave dhe të fjalëve të ulëta, duke u futur në atë që nuk janë futur të parët prej dijetarëve të Islamit. Për këtë shkak ka thënë imam Ahmedi, se kjo fjalë është bidat dhe se ai që pason sunetin duhet të largohet prej saj, mos ta shprehë atë dhe as ndonjë fjalë të ngjashme me të prej bidateve, por të qëndrojë te ajo që kanë thënë selefët prej dijetarëve që duhen ndjekur dhe të thonë: “Kurani është Fjalë e Allahut dhe nuk është i krijuar”, pa shtuar gjë tjetër mbi këtë fjalë!

Na ka treguar hafiz El Hakim Ebu Abdullah, se Ebu Bekër Muhamed ibën Abdullah El Xherahi u ka thënë (atij dhe atyre që ishin me të) në Merv (qyteti më i njohur në Horasan), se Jahja ibën Sasuvejh ka thënë: Abdulkerim es Sukeri ka thënë: Më ka treguar Uehb ibën Zumah se Ali el Bashani ka thënë: Kam dëgjuar Abdullah ibën el Mubarek të thotë:

“Kush mohon një gërmë të vetme të Kuranit, ka mohuar të gjithë Kuranin dhe kush thotë se unë nuk e besoj këtë “lam” (shkronjën “lam”), ai ka dalë nga Feja.” [16]

__________________________________________

[1] - Temën në fakt e ka vendosur studiuesi i librit.

[2]
- Ka për qëllim udhëtimin për në xhaminë e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem), pasiqë disa dijetarë e quajnë atë udhëtim, udhëtim për të vizituar varrin. Dijetari i Islamit, Ibën Tejmije (Rahimullah) thotë se disa dijetarë e quajnë udhëtimin për t’u falur në xhaminë e tij (sal-lAllahu alejhi ve selem), udhëtim për tek varri i tij (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe thonë: Vizita e varrit të tij (sal-lAllahu alejhi ve selem) është vepër e pëlqyeshme. Por qëllimi i tyre është udhëtimi për në xhaminë e tij (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe të vepruarit atje adhurimet e ligjërueshme, si përshëndetja me selam të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ve selem), bërja lutje për të dhe lavdërimi i tij. [Mexhmuul fetava: 27/246, të përmbledhur].

Ndërsa të udhëtuarit thjeshtë për tek varri i tij (sal-lAllahu alejhi ve selem), është e paligjëruar.

[3]
- Kjo shprehje nuk është e përshtatshme sepse jo çdokush që beson diçka që e kundërshton Sunetin del nga feja.

[4]
- Dijetarët e Hadithit janë të kapurit për Librin e Allahut të Lartësuar dhe ndjekësit e rrugës së të Dërguarit të Tij, Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ve selem). Esh Shehristani në librin “El milel uen nihal” thotë: “Janë quajtur ithtarë të Hadithit sepse ata kujdeseshin për gjetjen e Haditheve dhe të transmetimeve që vinin nga të parët, pastaj nxirrnin ligjet e dispozitat në mënyrë të drejtpërdrejtë nga tekstet e tyre, duke mos u kthyer te kijasi (shëmbëlltyra e çështjeve me njëra-tjetrën) apo te logjika e tyre, vetëm në rast se nuk gjenin Hadith apo fjalë të Sahabeve. Sipas kësaj domethënieje, ata janë ndryshe nga pasuesit e logjikës dhe e të kuptuarit të tyre. Dijetari i Islamit, Ibën Tejmije (Rahimullah), në sqarimin e asaj që është për qëllim me shprehjen “Ehlul Hadith” thotë: “Me shprehjen “Ehlul Hadith”, ne nuk kemi për qëllim thjesht ata që mjaftohen me të dëgjuarit e tij, të shkruarit apo të transmetuarit e tij, por kemi për qëllim me këtë shprehje të gjithë ata të cilët garojnë në mësimin e Haditheve përmendësh, i njohin dhe i kuptojnë ato me perceptim gjithpërfshirës; të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.” == … Më pas tregon diçka nga vlera e tyre, duke thënë: “Veçoria më e afërt tek ata, është dashuria për Kuranin dhe Hadithin, kërkimi për gjetjen e tyre dhe të domethënies së tyre, si dhe të vepruarit sipas asaj që mësojnë prej tyre. Për këtë shkak, fukahatë –juristët-, të cilët janë dijetarë të Hadithit, e njohin të Dërguarin e Allahut më mirë se fukahatë e tjerë. Po kështu edhe prijësit prej tyre, e njohin politikën profetike më mirë se të tjerët, dhe populli i thjeshtë prej tyre, ka më shumë të drejtë se të tjerët në dashurinë e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem). [Mexhmuul fetava: 4/95].

Në një vend tjetër thotë: “Ehlul Hadith” janë selefët e tre brezave të parë dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre.” [Mexhmuul fetava: 6/355]. 

[5]
- Mutezilitë janë një prej grupeve të humbura, të cilët janë shfaqur në kohën kur Vasil ibën Atai nxori bidatin e tij, duke thënë se Fasiku-ai që bën harame të mëdha- është në një vend të mesëm midis kufrit dhe imanit (mosbesimit dhe besimit) dhe për këtë shkak, Hasen el Basriu e largoi atë nga mësimet e tij. Atëherë ai u veçua në një prej cepave të xhamisë së Basras dhe atij iu bashkua shoku i tij, Amër ibën Ubejd ibën Bab. Atëherë njerëzit thanë se ata të dy u veçuan (itezela) nga fjala e popullit, ndërsa pasuesit e tyre i quajtën që atë ditë me termin “mu’tezili”. 

Ky emërtim përfshin një numër të madh grupesh të cilat i bashkojnë me njëra-tjetrën në bidatin e tyre disa çështje prej të cilave po përmendim: Mohimi i cilësive të përhershme të Allahut të Lartësuar, mohimi i të shikuarit Allahun me sy (në Ditën e Kijametit), thënia se Fjala e Allahut është e krijuar, thënia se njerëzit i krijojnë vetë punët e tyre dhe se Allahu nuk ka dorë e caktim në to (prej këtu janë quajtur “kaderije”), thënia se fasiku është në një vend të mesëm midis dy vendeve, etj.

[6]
- Xhehmijet janë pasuesit e Xhehëm ibën Safvan. Bidati i tij është shfaqur në Tirmidh. Atë e vrau Selem ibën Ahvez el Mazini në Merva, nga fundi i sundimit të Beni Umejjes. Ai u bashkangjitet mu’tezilive në mohimin e cilësive të përhershme të Allahut, mohimin e shikimit te Ai dhe se Fjala e Allahut është e krijuar. Por ai ka shtuar edhe disa fjalë të tjera, si: Thënia e tij se nuk lejohet që Allahu të cilësohet me një cilësi, me të cilën mund të cilësohet edhe njeriu, sepse sipas tyre, kjo do të thotë ta krahasosh Allahun me krijesat. Kështu, ai mohoi të qënurit e Allahut i Gjallë e i Ditur dhe pohoi se Ai është i Mundshëm, Veprues dhe Krijues. Ai thotë gjithashtu se njeriu është i detyruar në veprat e tij dhe nuk ka të drejtë të zgjedhë e të veprojë dhe se Xheneti e Xhehenemi do të shuhen e do të kenë fund. Sipas tij, Imani është njohja e Allahut dhe se ai është njëlloj te të gjithë besimtarët (nuk shtohet e nuk pakësohet). [Marrë nga libri “El Milel uen nihal” i Shehristanit (Rahimullah)]. 

[7]
- Mushebbihitë janë ata që e krahasojnë Allahun me krijesat e Tij. Krahasimi është dy llojesh: I pari është krahasimi i krijesave me Krijuesin, siç kanë krahasuar të krishterët Isain me Allahun, apo siç kanë krahasuar idhujtarët idhujt e tyre me Allahun.

Lloji i dytë i krahasimit është krahasimi i Krijuesit me krijesat e Tij, siç është fjala e mushebbihive se Allahu ka Dorë dhe ajo është si dora jonë, apo se Ai dëgjon si ne (I Lartë është Allahu ngo ajo që i përshkruajnë).
[Et tenbihat es senije ala el akide el vasitije: f. 13].

El Bagdadi përmend se mushebbihitë, ata të llojit të dytë të krahasimit, janë dy grupe: njëri krahason Qënien e Allahut me atë të krijesave dhe tjetri krahason Cilësitë e Allahut me ato të krijesave. [El ferku bejnel firak: f.214].

[8]
- “Pasuesit e Sunetit” janë të kapurit për rrugën e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe shokëve të tij. Imam Ibën Tejmije, në librin “El Akide el Uasitije”, duke sqaruar rrugën e pasuesëve të Sunetit thotë: Prej Rrugës së Ehli Sunetit dhe Xhematit është pasimi i gjurmëve të të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem), në kuptimin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të tyre, si dhe pasimi i i rrugës së emigruesëve të parë dhe ensarëve (ndihmuesëve të tyre në Medine). Ata janë pasuesit e amanetit të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem), i cili ka thënë: “Kapuni për Sunetin (rrugën) time dhe rrugën e halifëve të drejtë e të drejtëudhëzuar që do jenë pas meje! Kapuni për të dhe shtrëngojeni fortë me dhëmballë!”. Ata e dinë se fjala më e vërtetë është Fjala e Allahut dhe se udha më e mirë, është ajo e Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ve selem). Ata i japin epërsi Fjalës së Allahut mbi fjalën e çdokujt prej njerëzve dhe udhës së Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ve selem) mbi udhën e çdokujt tjetër. Për këtë shkak janë quajtur “Ehlul Kitabi ues Suneh.” Mbaroi fjala e Ibën Tejmijes (Rahimullah).

[9]
- Ibnul Kajjim (Rahimullah), në librin “Muhtesar es sauaik elmurseleh”, thotë: “Tahrifi (shtrembërimi) është dy llojesh: Shtrembërim i vetë shprehjes dhe shtrembërim i kuptimit të asaj shprehjeje. Shtrembërimi i shprehjes është të ndërruarit e saj me një tjetër, duke shtuar a hequr një shkronjë, apo duke ndryshuar një shenjë e cila ndikon në analizën e fjalisë, apo që nuk ndikon në analizën e fjalisë por që e ndryshon shprehjen.

Këto janë katër lloje në të cilat u zhytën Xhehmijet dhe Rafiditë. Ata i ndryshuan shprehjet e Haditheve (duke shpifur Hadithe të paqëna) por nuk mundën ta bëjnë këtë me shprehjet e Kuranit edhe pse rafiditë, në fakt, kanë ndryshuar shumë prej shprehjeve të Kur’anit dhe thonë se Ehli Suneti e kanë ndryshuar atë nga origjina e tij. Ata pretendojnë se kanë Kuran të ndryshëm nga ky që njohin muslimanët dhe se atë e kanë trashëguar nga Sahabet.

Ndërsa shtrembërimi i kuptimit të fjalës, është fusha në të cilën u hapën më së shumti dhe e quajtën atë ta’vil (shpjegim me gjëra të tjera, komentim). Por ky emërtim është diçka e keqe dhe e re të cilën nuk e ka njohur gjuha arabe dhe me të është për qëllim shtrembërimi i kuptimit të fjalës nga origjina dhe e vërteta e saj, dhe dhënia kuptim tjetër asaj fjale, sipas përafërsisë kuptimore të fjalëve…”


[10] - Transmetimi i këtij Hadithi do të vijë më pas.

[11]
- Këtë Hadith e ka nxjerrë Bejhakiu në librin “El Esmau ues Sifat” dhe Ed Dujlemi në librin “El Firdeus”, nga Xhabir ibën Abdullah (Rahimullah). E ka transmetuar gjithashtu, Taberani në “El Kebijr” nga Ibën Umeri (radijAll-llahu anhu). 

Në fillim të këtij Hadithi thuhet: “Engjëjt thanë: O Zoti ynë! Ti i ke dhënë bijëve të Ademit dunjanë në të cilën ata hanë e pinë, u hipin kafshëve e vishen me rroba të mira, ndërsa ne të adhurojmë Ty dhe nuk hamë e pimë dhe as luajmë. Ashtu si u ke dhënë atyre dunjanë, na e jep neve botën tjetër! Allahu tha: Nuk ua jap…” 

[12]
- E ka nxjerrë Darakutni dhe Bejhakiu, nga Harith ibën Nofel. Hadithi i plotë është: “Allahu i Madhëruar ka krijuar tre gjëra me Dorën e Tij: Ka krijuar Ademin me Dorën e Tij, ka shkruar Teuratin me Dorën e Tij dhe ka mbjellë Firdeusin me Dorën e Tij.”

[13]
- E ka nxjerrë Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibën Maxheh, Hakim, Ed Darimi, Ahmedi. E ka saktësuar Hakimi dhe Dhehebiu. Hadithi i plotë është: “I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem) shkonte te njerëzit kur bënin haxhin (para Islamit) dhe u thoshte: “A ka ndonjë që të më marrë te populli i tij, sepse kurejshët më penguan që të shpall Fjalën e Zotit tim?”

[14]
- Këtë fjalë e ka përmendur Dhehebiu, në librin “Sijeru ealami en nubela”. 

[15]
- Ai është El Xhehëm ibën Safuan Ebu Mihraz es Samerkandi për të cilin Dhehebiu thotë: “Ai është i humbur, bidatçi dhe koka e xhehmive. Është vrarë në kohën e tabiinëve të vegjël dhe nuk di të jetë transmetuar gjë prej tij, por ai ka mbjellë një sherr shumë të madh.”

Ndërsa El Bagdadi thotë: “Prej veprave të këqia të Xhehmit ishte se ai ngrinte krye mbi udhëheqësit dhe ka dalë bashkë me Shurejh ibën el Harith, kundra Nasër ibën Sejar.” [Mizanu el itidal: 1/426, El ferku bejnel firak: f. 200].

[16]
- Këtë fjalë të Ibën el Mubarek e ka përmendur gjithashtu Ibën Tejmije (Rahimullah), me tekst të njëjtë, por pa zinxhir transmetuesish, duke e transportuar nga libri “El fusul fil usul” i Ebu Hasen el Kerhit. [Mexhmuul fetava: 4/182].

 


 

Qëndrimi i Allahut mbi Arshin e Tij.

   

Dijetarët e Hadithit besojnë dhe dëshmojnë se Allahu i Madhëruar është mbi shtatë qiejt e Tij, mbi Arshin e Tij, siç e ka thënë këtë në Librin e Tij, në Fjalën e Tij, në suren El-A’raf: 

“Padyshim që Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë dhe pastaj Ai u ngrit lart dhe qëndroi mbi Arsh (Fronin e Tij Madhështor ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij).” [El A’raf: 54].

Dhe në suren Junus:

“Padyshim që Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë, pastaj Ai u ngrit lart dhe qëndroi mbi Arsh (Fronin e Tij Madhështor ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij). Ai sistemon e zotëron çështjet për çdo gjë. Asnjë ndëmjetësues nuk mund të kërkojë të flasë (për të ndërmjetësuar tek Ai), veçse pas Lejes së Tij…” [Junus: 3].

Në suren Er Rad: 

“Allahu është Ai, i Cili ngriti qiejt pa shtylla që ti shihni, pastaj Ai u ngrit lart dhe qëndroi mbi Arsh…” [Er Rad: 2].

Në suren El Furkan:

“Pastaj Ai u ngrit lart dhe qëndroi mbi Arsh. I Gjithëmëshirshmi! Kështu pra, pyete Atë (O Muhamed, për Cilësitë e larta të Tij etj.), sepse Ai është i Njohur për gjithçka.” [El Furkan: 59].

Në suren Es Sexhde: 

“Pastaj Ai u ngrit lart dhe qëndroi mbi Arsh (Fronin e Tij Madhështor ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij).” [Es Sexhde: 3].

Në suren Ta-ha:

“I Gjithëmëshirshmi qëndroi mbi Arsh.” [Ta-ha: 5]

Gjithashtu, Allahu i Lartësuar na ka treguar për Faraonin e mallkuar, se ai i tha Hamanit:

“O Haman! Ndërto për mua një kullë që të mund t’i arrij rrugët. Rrugët e qiejve dhe të mund të shoh Zotin e Musait, por unë me të vërtetë që e quaj atë gënjeshtar…” [Gafir: 36-37].

Faraoni nuk e tha këtë, veçse pasi dëgjoi Musain (alejhis selam) të thotë se Zoti i tij është në qiell. A nuk e sheh fjalën e Faraonit: “por unë me të vërtetë që e quaj atë gënjeshtar”, d.m.th. e quaj gënjeshtar për fjalën e tij se në qiell ka Zot.

Prej këtu, të gjithë dijetarët e umetit dhe imamët e mëdhenj prej selefëve (Rahimullah) nuk janë kundërshtuar kurrë në fjalën se Allahu është mbi Arshin e Tij dhe se Arshi i Tij është mbi shtatë qiejt e Tij.

Ata (dijetarët e Hadithit dhe pasuesit e sunetit) pohojnë e konfirmojnë në këtë çështje, atë që ka pohuar Allahu i Lartësuar, besojnë në të dhe e besojnë lajmin e Zotit të tyre. Ata thonë ashtu si ka thënë Allahu për qëndrimin e Tij mbi Arshin e Tij, duke e marrë atë nga kuptimi i drejtpërdrejtë i fjalëve dhe duke ia lënë Allahut dijen dhe njohurinë e të vërtetës (natyrës) së tij (qëndrimit mbi Arsh dhe çdo Cilësije të Allahut). Ata thonë:

“Ne besojmë në të (Kuranin); i tëri (Ajete të qarta e të paqarta) është nga Zoti ynë. Por nuk marrin mësim veçse ata që janë të brumosur me mendje të shëndoshë.” [Al Imran: 7].

Kështu ka thënë Allahu për të vendosurit plotësisht në dije, se ata e thonë këtë fjalë dhe Allahu ua pëlqen këtë atyre e i lavdëron ata.

(Autori thotë): Na ka treguar Ebu Hasen Abdurrahman ibën Ibrahim ibën Muhamed ibën Jahja el Mizki, se Muhamed ibën Daud ibën Sulejman ez Zahi u ka thënë: Më ka treguar Ali ibën Muhamed ibën Ubejd Ebu el Hasen, se Ebu Jahja ibën Kisbeh el Uerak ka thënë: Na ka thënë Muhamed ibën Eshras el Uerak Ebu Kenane, se Ebu Mugirah el Hanefi ka thënë: Na ka thënë Kuratu ibën Halid, se Hasenit i ka thënë babai i tij, se Umu Selemeh (gruaja e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem), nëna e besimtarëve), për fjalën e Allahut të Lartësuar: “I Gjithëmëshirshmi qëndroi mbi Arsh.” [Ta-ha: 5], ka thënë:

“El Istiua (ngritja dhe qëndrimi mbi diçka) nuk është e panjohur (në gjuhën arabe), përshkrimin e tij nuk e kap mendja (në lidhje me qëndrimin e Allahut mbi Arsh), pohimi i tij është prej besimit, ndërsa mohimi i tij është kufër (mosbesim).” [1]

Na ka treguar Ebu Hasen ibën ebi Is’hak el Mizki ibën el Mizki, se Ahmed ibën Hadër Ebu el Hasen esh Shafii ka thënë: Na ka thënë Shadhani, se Ibën Mahled ibën Jezid el Kuhustani ka thënë: Xheafer ibën Mejmun ka thënë:

Është pyetur Malik ibën Enes për Fjalën e Allahut: “I Gjithëmëshirshmi qëndroi mbi Arsh.” [Ta-ha: 5]. Si qëndroi? Ai tha:

“Istivaja (ngritja dhe qëndrimi mbi diçka) nuk është i panjohur (në gjuhën arabe), përshkrimin e tij nuk e kap mendja, besimi në të është obligim, ndërsa pyetja për të është bidat. Por unë nuk të shoh ty, veçse të humbur.” Pastaj urdhëroi që të nxirrej nga tubimi i tij. [2]

Na ka treguar Muhamed el Muhlidi el Adël, se Ebu Bekër Abdullah ibën Muhamed el Isfraini ka thënë: Na ka thënë Ebu el Husejn Ali ibën el Hasen, se Selemeh ibën Shebib ka thënë: Na ka thënë Mehdi ibën Xheafer ibën Mejmun er Ramli, se Xheafer ibën Abdullah ka thënë:

Erdhi një burrë te Malik ibën Enes dhe e pyeti për Fjalën e Allahut: “I Gjithëmëshirshmi qëndroi mbi Arsh.” [Ta-ha: 5]. Si qëndroi? Xheaferi thotë: Nuk e kisha parë të nxehej ndonjëherë në atë mënyrë që u nxeh prej fjalës së tij, saqë e mbuluan djersët nga nxehja dhe qëndroi pa folur me shikimin në tokë. Njerëzit po prisnin se çdo të ndodhte dhe pasiqë ajo nxehje dhe skuqje e madhe u largua prej imam Malikut (Rahimullah), ai tha:

“Përshkrimin e tij nuk e kap mendja, Istivaja nuk është e panjohur, besimi në të është vaxhib, ndërsa pyetja për të është bidat. Por unë kam frikë se ti je i humbur.” Pastaj urdhëroi që të nxirrej jashtë. [3]

Të njëjtin Hadith ma ka treguar edhe gjyshi im, Ebu Hamid Ahmed ibën Ismail, se gjyshi i babait tim, Ebu Abdullah Muhamed ibën Udej ibën Hamdauejh es Sabuni ka thënë: Na ka thënë Muhamed ibën Ahmed ibën Ebi Aun en Nesevi, se Selemeh ibën Shebib ka thënë: Na ka thënë Mehdi ibën Xheafer er Ramli, se Xheafer ibën Abdullah ka thënë:

Një burrë erdhi te Malik ibën Enes dhe i tha: O Ebu Abdullah (kunja e imam Malikut)! Në Kuran thuhet: 

“I Gjithëmëshirshmi qëndroi mbi Arsh.”
[Ta-ha: 5]. Si qëndroi?

Thotë (Xheaferi): Nuk e kisha parë të nxehej ndonjëherë në atë mënyrë që u nxeh prej fjalës së tij. Pastaj përmendi njësoj si Hadithi i mësipërm.

Është pyetur Ebu Ali el Husejn ibën el Fadël el Bexheli, për Istivanë me pyetjen: Si qëndroi mbi Arshin e Tij?

Ai tha: “Ne nuk dimë nga e fshehta veçse atë që na është treguar, ndërsa Allahu i Lartëmadhëruar na ka treguar se Ai qëndroi mbi Arshin e Tij, por nuk na ka treguar se si ka qëndruar.”

Na ka treguar hafiz Ebu Abdullah (el Hakim en Nisaburi), se Ebu Bekër Muhamed ibën Daud Ez Zahid ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibën Abdurrahman es Sami, se Abdullah ibën Ahmed Shebbuvejh el Muruzi i ka thënë: Kam dëgjuar Ali ibën el Hasen ibën Shekik të thotë: Kam dëgjuar Abdullah ibën Mubarek të thotë:

“Ne e njohim Zotin tonë që është mbi shtatë qiejt, qëndruar mbi Arshin e Tij, i ndarë nga krijesat e Tij dhe nuk themi siç thonë xhehmitë, se: Ai është këtu e atje -duke bërë me shenjë nga toka.”[4]

El Hakim Ebu Abdullah, në librin “Historia”, të cilin e ka mbledhur për banorët e Nisaburit dhe në librin “Njohja e Hadithit” të cilat ai i ka mbledhur dhe nuk e ka paraprirë kush në to, thotë: Kam dëgjuar Ebu Xheafer Muhamed ibën Salih ibën Hani të thotë: Kam dëgjuar Ebu Bekër Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejme të thotë:

“Kush nuk thotë, se Allahu i Madhëruar është mbi Arshin e Tij, qëndruar mbi shtatë qiejt, ai është kafir –mohues i Zotit të tij- dhe gjaku i tij është i lejuar. Atij i jepet rasti për t’u penduar dhe nëse nuk pendohet, atëherë i pritet koka dhe i hidhet në plehra, ashtu që të mos dëmtohen muslimanët nga era e keqe e kufomës së tij. Pasuria e tij bëhet si plaçka e luftës dhe atë nuk e trashëgon askush prej muslimanëve (të afërmëve të tij muslimanë), sepse muslimani nuk e trashëgon jomuslimanin, siç ka thënë i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem) “Muslimani nuk e trashëgon kafirin dhe as kafiri muslimanin.”[5]

Imami ynë, Ebu Abdullah Muhamed ibën Idris esh Shafii (Rahimullah), në librin e tij “El Mebsut”, në çështjen e lirimit të një robëreshe besimtare prej atij që ka bërë një gjynah, për faljen e të cilit duhet të lirosh një rob, pasiqë mosbesimtarja nuk vlen për këtë lloj pendimi, ai argumentoi me Hadithin e Muavije ibën Hakim, i cili donte të lironte një robëreshë të zezë dhe pyeti të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) për të. Atëherë i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem) e provokoi atë robëreshën duke i thënë: “Kush jam unë?” Ajo bëri me shenjë nga ai dhe pastaj nga qielli, (d.m.th): “Ti je i Dërguari i Allahut që është në qiell.” Atëherë i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem) tha:

“Liroje atë, sepse ajo është besimtare.”[6]

Kështu, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem), gjykoi se ajo është muslimane dhe besimtare, për shkak të pohimit të saj se Allahu është në qiell dhe se ajo e njihte Zotin e saj me cilësinë e të qenurit lart dhe mbi krijesat e Tij.

Imam Shafiu (Rahimullah) argumentoi me këtë Hadith për tu provuar kundërshtarëve të tij, të cilët thonë se në kefare lejohet të lirosh një robereshë mosbesimtare, se ajo duhet të jetë besimtare. Ai nuk argumentoi me këtë Hadith, vetëm për shkak se vetë ai beson se Allahu i Lartësuar është mbi krijesat e Tij, mbi shtatë qiejt, mbi Arshin e Tij. Ashtu siç është edhe bindja dhe besimi i muslimanëve të Ehli Sunetit dhe Xhematit, të parët dhe të mëvonshmit prej tyre. Kjo, sepse imam Shafiu (Rahimullah) nuk transmetonte ndonjë Hadith të saktë dhe pastaj të mos e besonte atë dhe të mos vepronte sipas tij.

Na ka treguar El Hakim Ebu Abdullah (Rahimullah), se imam Ebu el Uelid Hasan ibën Muhamed, dijetari i fikhut ka thënë: Ibrahim ibën Mahmud na ka thënë: Kam dëgjuar Rabij ibën Sulejman të thotë: Kam dëgjuar Shafiun të thotë:

“Nëse shihni që unë kam thënë ndonjë fjalë nga vetja ime, por ndonjë Hadith i saktë i të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem) e kundërshton atë, atëherë dijeni se mendja ime më ka pas ikur (në atë çështje).”

El Hakimi (Rahimullah) thotë: Kam dëgjuar Ebu el Uelid, më shumë se një herë, të thotë: Më kanë treguar se Zeaferani ka thënë: Një ditë, Shafiu (Rahimullah) transmetoi një Hadith dhe dikush prej të pranishmëve tha: O Ebu Abdullah! A e beson këtë Hadith dhe a gjykon sipas tij? Ai tha:

“Mos më sheh gjë në ndonjë marrëveshje apo më sheh në kishë?! Apo mos sheh gjë të kem veshur uniformë të mosbesimtarëve?! Unë jam ky që më sheh. Ulur në një xhami të muslimanëve, veshur me veshjen e tyre dhe drejtuar kibles së tyre. A mundet atëherë, që të transmetoj një Hadith nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) e të mos gjykoj sipas tij?!” [7]

Ebu Uthmani thotë: Dallimi ndërmjet pasuesëve të Sunetit dhe pasuesëve të bidatit, është se pasuesit e bidatit nëse dëgjojnë një Hadith që flet për Cilësitë e Allahut, e kthejnë mbrapsht atë dhe nuk e pranojnë, ose /…/ [8], pastaj e sqarojnë atë me sqarime të atilla, pas të cilave fshihet heqja e Hadithit që nga rrënjët dhe rrëzimi i /…/ [9], me mendjet dhe gjykimet e tyre, duke e ditur plotësisht dhe me bindje të plotë se thënia e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka për qëllim atë që ka thënë në kuptimin e drejtpërdrejtë të saj, sepse ai (sal-lAllahu alejhi ve selem) e njeh Zotin e Tij më mirë se çdokush tjetër dhe nuk thotë për Të veçse të vërtetën, të sinqertën dhe atë që i shpallet.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Ai nuk flet nga dëshira (mendja) e tij, por Ai (Kurani dhe Suneti) është vetëm shpallje që i frymëzohet.” [En Nexhm: 3-4].

Zuhriu, prijësi i prijësave të dijes, si dhe dijetarë të tjerë të umetit musliman (Rahimullah), thonë:

“Detyra e Allahut është sqarimi, detyra e të Dërguarit është komunikimi, ndërsa detyra jonë është pranimi dhe dorëzimi.” [10]

Junus ibën Abdusamed ibën Meakal transmeton nga babai i tij, se Xhead ibën Dirhem [11] erdhi te Uehb ibën Munebih që ta pyesë për Cilësitë e Allahut të Lartësuar dhe ai iu përgjigj:

“Mjerë ti o Xhead! Kam disi përshtypjen se ti je prej të shkatërruarëve. O Xhead! Nëse neve nuk do të na kishte njoftuar Allahu në Librin e Tij se Ai ka Dorë, Sy e Fytyrë, atëherë ne nuk do ta thonim këtë gjë. Kështu që ki frikë Allahun!” Nuk zgjati shumë dhe Xheadi u vra e u kryqëzua.[12]

Halid ibën Abdullah el Kisri[13], në ditën e kurban bajramit, mbajti hytbe në Basra dhe në fund të saj tha:

“Shkoni nëpër shtëpitë tuaja dhe prini kurbanet tuaja, në të cilat Allahu iu dhëntë bereqet! Ndërsa unë do të bëj kurban sot Xhead ibën Dirhemin, i cili thotë se Allahu nuk e ka marrë Ibrahimin si Halil (të dashur) dhe se nuk i ka folur Musait me Fjalën e Tij. I Pastër dhe i Lartësuar është Allahu nga ajo që thotë Xheadi, shumë e shumë i Lartë! Pastaj zbriti nga minberi dhe e theri me dorën e tij, pastaj urdhëroi që ta kryqëzojnë.” [14]


__________________________________________

[1] - Këtë fjalë të saj e ka nxjerrë imam El Lalkai në librin e tij: “Shpjegim i bazave të besimit të Ehli Sunetit dhe Xhematit” : 3/397.

Dijetari i Islamit Ibën Tejmije, pasiqë përmendi përgjigjen e imam Malikut të cilën ia ktheu atij që e pyeti se si qëndroi Allahu mbi Arsh? Ai tha (Ibën Tejmije): Kjo përgjigje është transmetuar edhe nga Umu Selemeh (radijAll-llahu anhu) meukuf (si fjalë e vetë asaj) dhe merfuan (nga fjala e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem), por zinxhiri i transmetuesëve të tij nuk është i besueshëm dhe nuk mund të mbështetesh te ai.” [“Mexhmul fetaua” i shejhul Islam, Ibën Tejmije: 5/365].

[2]
- Do të vijë më pas nxjerrja dhe rruga e transmetimit të këtij Hadithi, por me zinxhir tjetër, ndërsa këtë rrugë nuk e kam gjetur në ndonjë vend. (Fjala e verifikuesit të librit).

[3]
- Historinë e imam Malikut me atë që e pyeti atë, e ka nxjerrë imam Ebu Seid ed Darimi, Ebu el Kasim el Lalkai, Ebu Naimi, Bejhakiu dhe Dhehebiu.

[4]
- Këtë fjalë të Ibën Mubarekut e ka nxjerrë imam Ahmedi në librin “Es sunneh”, Buhariu dhe Dhehebiu. Ibnul Kajim, për këtë fjalë të ibën Mubarekut thotë: Këtë fjalë ai e ka thënë me të vërtetë dhe kjo është e saktë, si të ishte e transmetuar me teuatur- numër të madh transmetuesish.

[5]
- Këtë Hadith e ka nxjerrë Buhariu dhe Muslimi.

[6]
- Këtë Hadith, me këtë shprehje e ka nxjerrë Ebu Daudi, imam Ahmedi dhe Ibën Huzejme nga Ebu Hurejra (radijAll-llahu anhu).

Ndërsa Muslimi e ka nxjerrë nga Hadithi i Muavije ibën Hakem, me shprehjen: “I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem) i tha asaj: “Ku është Allahu? Ajo tha: Në qiell. Ai tha: Kush jam unë? Ajo tha: Ti je i Dërguari i Allahut …” Kjo është edhe shprehja që ka ardhur në librin “El Um” të imam Shafiut (Rahimullah).

[7]
- E ka transmetuar Ebu Nuajmi në librin “Hiljetul eulija” me shprehje të përafërt me këtë.

[8]
- Verifikuesi i dorëshkrimit thotë se këtu është një fjalë që nuk kuptohet.

[9]
- Verifikuesi thotë: Këtu është një fjalë e pakuptueshme dhe pas saj, thuajse një rresht i plotë i bardhë (i pa shkruar).

[10]
- Burimi i kësaj shprehjeje do të vijë më pas.

[11]
- Ai është Xhead ibën Dirhem prej fisit Beni Mirvan. Ka jetuar një kohë në Damask deri sa shfaqi thënien se Kurani është i krijuar. Njerëzit e Beni Umejjes e ndoqën atë, por ai u arratis për në Kufa. Aty takoi El Xhehëm ibën Safvan, i cili mori prej tij këtë fjalë (për krijimin e Kuranit). Atë e vrau Halid ibën el Kisri në Kufa, ditën e kurban bajramit në vitin 118 h.

[12]
- Këtë e ka përmendur Ibën Kethiri në librin “El Bidaje uen Nihaje” të marrë nga libri “Et Tarih” i Ibën Asakir. Gjendet gjithashtu në librin “Sijeru Ealamu En Nubela” të Dhehebiut.

[13]
- Ai është Halid ibën Abdullah ibën Bexhelij el Kisri ed Dimashki, princi i Mekës në kohën e Uelijd ibën Abdulmelik, pastaj Sulejmanit. Kur erdhi në pushtet Hishami, e ngarkoi atë veli të irakienëve (në Kufa dhe Basra). Ka qenë bamirës dhe predikues orator. E kanë akuzuar për zendekah (fshehje të kufrit dhe shfaqje të tij hera-herës). E kanë torturuar dhe e kanë vrarë në vitin 126 h. [Marrë nga “Sijeru Ealamu en-nubela”, “El Bidaje uen Nihaje” etj].

[14]
- E transmeton Buhariu në librin “Krijimi i punëve të njerëzve” : f. 29, Darimiu në librin “Kundërpërgjigja ndaj xhehmive” : f. 258, El Axhurri në librin “Esh Sheria”: f. 97, El Lalikai: 2/319, etj.


Zbritja e Allahut të Lartëmadhëruar, 

Ardhja dhe Afrimi i Tij.

 

Dijetarët e Hadithit pohojnë se Allahu i Lartësuar zbret çdo natë në qiellin e dynjasë, pa e krahasuar Zbritjen e Tij me zbritjen e krijesave, pa e përngjasuar dhe pa e përfytyruar, por pohojnë atë që ka pohuar i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe nuk e tejkalojnë atë. Ata e marrin atë që thotë lajmi i saktë (Kurani apo Suneti) në lidhje me Cilësitë e Allahut, në kuptimin e drejtpërdrejtë të tyre, ndërsa njohjen e plotë të formës dhe të vërtetës së tyre, ata ia lënë Allahut të Madhëruar, në dijen e Tij gjithpërfshirëse.

Ata pohojnë gjithashtu atë që ka zbritur Allahu i Lartësuar, në Librin e Tij, për Ardhjen e Allahut dhe Afrimin e Tij tek krijesat e Tij, siç thotë në Fjalën e Tij:

 “A mos presin atëherë për ndonjë gjë tjetër veçse t’u vijë Allahu në hijen e reve dhe melekët?” [El Bekare: 210].

Gjithshtu thotë:

 “Dhe vjen Zoti yt e melekët radhë-radhë.” [El Fexhr: 22].

Kam lexuar në një letër të Ebu Bekër El Ismaili, të cilën ia dërgonte banorëve të Xhijlanit dhe thoshte: Allahu i Lartësuar zbret në qiellin e dynjasë, siç thuhet në Hadithin e saktë të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe në Fjalën e Allahut të Lartësuar që thotë:

 “A mos presin atëherë për ndonjë gjë tjetër veçse t’u vijë Allahu në hijen e reve dhe melekët?” [El Bekare: 210].

Dhe në Fjalën e Allahut:

 “Dhe vjen Zoti yt me melekët radhë-radhë.” [El Fexhr: 22].

Ne besojmë në të gjitha këto ashtu siç kanë ardhur, pa i përshkruar ato, sepse nëse Allahu do të kishte dashur të na e sqaronte formën e tyre, atëherë do ta kishte bërë këtë dhe atëherë ne do të qëndronim te ajo që do të thoshte Ai. Ne nuk bëjmë si ai që përngjason (Cilësitë e Allahut me ato të krijesave) sepse jemi të urdhëruar për këtë në Fjalën e Allahut të Lartësuar, i Cili thotë:

 “Është Ai i Cili të ka zbritur ty (O Muhamed!) Librin. Në të ka Vargje plotësisht të qarta të cilat janë themelet e Librit (urdhërat dhe ndalesat) dhe Vargje të tjera jo krejt të qarta (për t’u kuptuar nga njerëzit). Kështu, sa për ata, në zemrat e të cilëve ka largim nga e vërteta, ata ndjekin atë që nuk është plotësisht e qartë, duke kërkuar fitneh (trazira etj.) dhe duke kërkuar për kuptimet e fshehta, por askush nuk i di kuptimet e fshehta përveç Allahut. Dhe ata që janë plotësisht të vendosur në dije, thonë: Ne besojmë në të; i tëri (ajetet e qarta e të paqarta) është nga Zoti ynë. Por nuk marrin mësim, veçse ata që janë të brumosur me mendje të shëndoshë.”  [Al Imran: 7].

Na ka treguar Ebu Bekër ibën Zekerija Esh Shejbani, se ka dëgjuar Ebu Hamid ibën esh Sharki të thotë: Kam dëgjuar Hamdan As Selmij dhe Ebu Daud El Haffaf të thonë: Kemi dëgjuar Is’hak ibën Ibrahim el Handhali të thotë: Më ka thënë princ Abdullah ibën Tahir: O Ebu Jakub! Në lidhje me Hadithin që ti tregon prej të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem): “Zoti ynë zbret ç’do natë në qiellin e dynjasë.” [1] Si zbret Allahu? Thotë: Thashë: Allahu e forcoftë princin! Nuk thuhet për Allahun “Si?”. Por Ai zbret pa ndonjë mënyrë që njohim ne! [2]

Na ka treguar Ebu Jakub Is’hak ibën Ibrahim, i drejti, se gjykatës Mahbub ibën Abdurrahman u ka thënë: Më ka treguar gjyshi im, Ebu Bekër Muhamed ibën Ahmed ibën Mahbub, se Ahmed ibën Hamavejh ka thënë: Na ka treguar Ebu Abdurrahman El Atekij, se Muhamed ibën Selam u ka thënë: Pyeta Abdullah ibën el Mubarek për zbritjen e Allahut në natën e mezit të muajit Shaban dhe Abdullahi tha: O ti i pafuqishëm! Ai zbret çdo natë (dhe jo vetëm në mes të Shabanit). Një prej të pranishmëve tha: O Ebu Abdurrahman! Si zbret Allahu? A nuk ngel bosh ai vend atëherë? Abdullahi tha:

“Zbret si të dojë.” [3]

Në një transmetim tjetër të kësaj historie thuhet se Abdullah ibën Mubarek i tha atij burrit: “Nëse të vjen një Hadith nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem), nënshtroju atij!” 

Kam dëgjuar hafiz El Hakim Ebu Abdullah të thotë: Kam dëgjuar Ebu Zekerija Jahja ibën Muhamed el Anberi të thotë: Kam dëgjuar Ibrahim ibën ebi Talib të thotë: Kam dëgjuar Ahmed ibën Seid ibën Ibrahim Ebu Abdullah er Rabati të thotë:

 “Kam prezentuar një tubim të princit Abdullah ibën Tahir, në të cilin prezentoi edhe Is’hak ibën Ibrahim –d.m.th. ibën Rahavejh- i cili u pyet për Hadithin e zbritjes, nëse është i saktë apo jo?

- Ai tha: Po. 

- Atëherë një oficer i Abdullahit i tha atij: O Ebu Jakub! A pretendon se Allahu zbret çdo natë?

- Ai tha: Po.

- Oficeri tha: Atëherë si zbret?

- Is’haku i tha atij: Poho që Allahu është lart (beso që Allahu qëndron mbi Arshin e tij që është mbi shtatë qiejt!) dhe atëherë do të të përshkruaj se si zbret!

- Ai tha: E pohoj që Allahu është lart.

- Atëherë Is’haku tha: Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe vjen Zoti yt me melekët radhë-radhë.” [El Fexhr: 22].

- Princi Abdullah tha: O Ebu Jakub! Por kjo është në Ditën e Kijametit?

- Is’haku tha: Allahu e forcoftë princin! Atëherë çfarë e pengon Atë që vjen në Ditën e Kijametit, të vijë edhe sot?!”

Hadithi i zbritjes së Allahut çdo natë në qiellin e dynjasë, është Hadith i rënë dakord unanimisht për saktësinë e tij. Ai gjendet në dy Sahihat e Buhariut dhe Muslimit nga transmetimi i Malik ibën Enesit, nga Zuhriu, nga El Agurri dhe Ebu Selemeh; nga Ebu Hurejra (radijAll-llahu anhu).

Na ka treguar Ebu Ali Zahir ibën Ahmed, se Ebu Is’hak Ibrahim ibën Abdusamed ka thënë: Na ka treguar Ebu Musab, se Maliki u ka treguar…

 (ح)  - Dhe na ka treguar Ebu Bekër ibën Zekerija, se Ebu Hatim Mekij ibën Abdan ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibën Jahja, ka thënë: Prej atyre që kam lexuar në prani të ibën Nafiut është Hadithi që transmeton Mutavifi nga Maliku…  [4]

 (ح) - Dhe na ka treguar Ebu Bekër ibën Zekerija: Më ka treguar Ebu el Kasim Ubejdullah ibën Ibrahim ibën Bakuvejh: Na ka treguar Jahja ibën Muhamed: Na ka treguar Jahja ibën Jahja, ka thënë: Kam lexuar në prani të Malikut: Nga ibën Shihab ez Zuhrij: Nga Ebi Abdullah el Agurri dhe Ebi Selemeh: Nga Ebu Hurejra (sal-lAllahu alejhi ve selem), se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

 “Zoti ynë i Lartëmadhëruar zbret çdo natë në qiellin e dynjasë, në një të tretën e fundit të saj (natës) dhe thotë: A ka ndonjë që më lutet, ashtuqë Unë t’i përgjigjem atij? A ka ndonjë që kërkon prej Meje, ashtuqë Unë t’i jap atij? A ka ndonjë që më kërkon falje Mua, ashtuqë Unë ta fal atë?” [5]

Ky Hadith ka rrugë të shumta nga Ebu Hurejra (radijAll-llahu anhu):

Atë e ka transmetuar gjithashtu El Euzai: Nga Jahja ibën ebi Kethir: Nga Ebi Selemeh: Nga Ebi Hurejra. [6]

 (ح) - E ka transmetuar gjithashtu Jezid ibën Harun dhe dijetarë të tjerë nga Muhamed ibën Amër: Nga Ebi Selemeh: Nga Ebi Hurejra. [7]

E ka transmetuar gjithashtu Maliku, nga ez Zuhri: Nga El Earaxh: Nga Ebi Hurejra. [8]

E transmeton gjithashtu Maliku nga Ez Zuhri: Nga Seid ibën el Musejjib: Nga Ebi Hurejra.

Dhe e transmeton Ubejdullah ibën Umer: Nga Seid ibën Ebi Seid el Makberi: Nga Ebi Hurejra.

Dhe Abdul Eala ibën ebi el Mesavir dhe Beshir ibën Sulejman: Nga Ebi Hazim: Nga Ebi Hurejra.

Ky Hadith është transmetuar gjithashtu nga rrugë tjetër përveç Ebu Hurejrës (radijAll-llahu anhu):

Atë e ka transmetuar Nafi’ ibën Xhubejr ibën Mat’am: Nga babai i tij. [9]

Dhe Musa ibën Ukbeh: Nga Is’hak ibën Jahja: Nga Ubadetu ibën As Samit. [10]

Dhe Abdurrahman ibën Keab ibën Malik: Nga Xhabir ibën Abdullah. [11]

Dhe Ubejdilah ibën Rafi': Nga Ali ibën Ebi Talib. [12]

Dhe Sheriku: Nga Ebi Is’hak: Nga Ebi el Ahvas: Nga Abdullah ibën Mes’ud. [13]

Dhe Muhamed ibën Keab: Nga Fadaletu ibën Ubejd: Nga Ebi Darda. [14]

Dhe Ebu Zubejri: Nga Xhabiri. [15]

Dhe Seid ibën Xhubejr: Nga Ibën Abasi. [16]

Dhe nga nëna e besimtarëve Aisha dhe Umu Selemeh (radijAll-llahu anhu). [17]

Të gjitha këto rrugë janë të nxjerra me zinxhirin e transmetuesëve të tyre në librin tonë të madh të njohur me emrin “El Intisar” (Triumfi). [18]

Në transmetimin e El Euzait thuhet: Nga Jahja ibën Ebi Kethir: Nga Ebi Selemeh: Nga Ebu Hurejra (radijAll-llahu anhu), transmetohet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

 “Kur kalon gjysma e natës apo një e treta e saj, Allahu zbret në qiellin e dynjasë dhe thotë: A ka ndonjë kërkues, që t’i jepet? A ka ndonjë lutës, që ti dëgjohet lutja e tij? A ka ndonjë kërkues faljeje, që t’i falet atij? Derisa të shpërthejë drita e mëngjesit.” [19]

Ndërsa në transmetimin e Seid ibën Merxhaneh: Nga Ebi Hurejra (radijAll-llahu anhu), ka ardhur një shtesë nga fundi i Hadithit, që thotë:

 “Pastaj shtrin Duart e Tij dhe thotë: Kush është ai që më jep borxh (jep lëmoshë, falet etj.), nga i cili nuk varfërohet dhe as nuk i bëhet padrejtësi?” [20]

Në transmetimin e Ebi Hazim: Nga Ebi Hurejra (radijAll-llahu anhu) ka ardhur se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

 “Allahu zbret në qiellin e dynjasë, në një të tretën e fundit të natës dhe thërret: A ka ndonjë që kërkon, ashtu që t’i jap atij? A ka ndonjë që kërkon falje, që t’ia fal atij? Nuk ngel gjë me shpirt veçse e di (e dëgjon) këtë, përveç dy botëve të njerëzve dhe xhinëve! Kjo është në kohën kur këndojnë gjelat, pëllasin gomerët dhe lehin qentë.” [21]

Në transmetimin e Musa ibën Ukbeh: Nga Is’hak ibën Jahja: Nga Ubadeh ibën As Samit, gjendet një shtesë e mirë.

Atë shtesë na e ka treguar Ebu Jeala Hamzah ibën Abdul Aziz El Mehlebi: Ka treguar Abdullah ibën Muhamed er Razi: Ka treguar Ebu Uthman Muhamed ibën Uthman ibën Ebi Suejd: Na ka thënë Abdurrahman (ka për qëllim Ibnul Mubarek): Na ka treguar Fudajl ibën Sulejman: Nga Musa ibën Ukbeh: Nga Is’hak ibën Jahja: Nga Ubadeh ibën As Samit (radijAll-llahu anhu), se ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

“Allahu i Lartëmadhëruar zbret çdo natë në qiellin e dynjasë, në kohën kur ka ngelur edhe një e treta e natës dhe thotë: A nuk ka ndonjë prej robërve të Mi, të më lutet, ashtu që t’i përgjigjem lutjes së tij? A nuk ka ndonjë që i ka bërë padrejtësi vetvetes, të më lutet ashtu që t’ia fal atij? A nuk ka ndonjë që i është penguar rrisku, të më lutet, ashtu që t’a furnizoj atë? A nuk ka ndonjë që i është bërë padrejtësi, të më kujtojë Mua, ashtu që t’a ndihmoj atë? A nuk ka ndonjë që vuan, të më lutet, ashtu që t’ia heq vuajtjen e tij? Vazhdon kështu deri sa të dalë drita, pastaj ngrihet në Kursijin e Tij.”[22]

Po ashtu, ky Hadith gjendet në transmetimin e Ebi ez Zubejr: Nga Xhabiri, nëpërmjet rrugës së Merzuk Ebi Bekër, të cilin e ka nxjerrë Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejme, të shkurtuar.

Dhe nëpërmjet rrugës së Ejubit, nga Ebi ez Zubejr: Nga Xhabiri, të cilin e ka nxjerrë el Hasen ibën Sufjan në Musnedin e tij.

Ndërsa nëpërmjet rrugës së Hisham ed Dustuvai: Nga Ebi Zubejr: Nga Xhabiri, transmetohet se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

 “Natën e Arafatit, Allahu zbret në qiellin e dynjasë dhe mburret me banorët e tokës te banorët e qiellit duke thënë: Shihini robërit e Mi të pakrehur e të pluhurosur, që presin kurban! Ata kanë ardhur prej çdo vendi (të afërm e të largët) duke shpresuar që Unë t’i mëshiroj ata, duke qenë se ata nuk e kanë parë dënimin Tim. Nuk është parë ditë në të cilën lirohen njerëzit nga Zjarri më shumë se në ditën e Arafatit.”[23]

Hisham ed Dustuvai transmeton nga Jahja ibën Ebi Kethir: Nga Hilal ibën Ebi Mejmuneh: Nga Atai ibën Jesar: Nga Rufaah el Xhuhenij, se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

 “Kur kalon një e treta e natës, ose gjysma apo dy të tretat e saj, Allahu zbret në qiellin e dynjasë dhe thotë: Tani nuk pyes ndonjë tjetër për robërit e Mi. Kush është ai që më kërkon falje, ashtuqë t’ia fal atij? Kush më kërkon diçka, ashtuqë t’ia jap atë? Deri sa shpërthen drita.”[24]

Na ka treguar Ebu Muhamed el Muhlidi: Më ka treguar Ebu Abas As Seraxh: Na ka terguar Muhamed ibën Jahja: Na ka treguar Ubejdilah ibën Musa: Nga Israil (ibën Junus): Nga Ebi Is’hak: Nga Ebi Muslim el Agurri, se ka thënë: Ebu Seidi dhe Ebu Hurejra kanë dalë dëshmitarë të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe unë dal dëshmitar i tyre, se ata të dy kanë dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) të thotë:

 “Allahu pret sa të kalojë një e treta e parë e natës, pastaj zbret në qiellin e dynjasë dhe thotë: A ka ndonjë mëkatar? A ka ndonjë që kërkon falje? A ka ndonjë që më kërkon (diçka)? A ka ndonjë që më lutet? Deri sa të lindë dielli.”[25]

 Na ka treguar Ebu Muhamed el Muhlidi: Na ka treguar Ebu el Abas eth Thekafi: Na ka treguar el Hasen ibën es Sabah: Na ka treguar Shebabeh ibën Suvar: Nga Junus ibën Ebi Is’hak: Nga Ebi Muslim el Aguri se ka thënë: Dal dëshmitar për Ebi Seidin dhe Ebi Hurejrën, se ata të dy kanë thënë: Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

” Allahu pret deri sa të vijë një e treta e natës, pastaj zbret te ky qiell dhe urdhëron dyert e tij që të hapen. Pastaj thotë: A ka ndonjë që më kërkon, ashtu që t’i jap atij? A ka ndonjë që më lutet, ashtu që t’i përgjigjem lutjes së tij? A ka ndonjë që më kërkon falje, ashtu që t’ia fal atij? A ka ndonjë që është zënë ngushtë, ashtu që t’a ç’liroj atë? A ka ndonjë që më kërkon ndihmë, ashtu që t’a ndihmoj atë? Vazhdon në këtë gjëndje derisa të dalë drita, në çdo natë të dynjasë.[26]

Na ka treguar Ebu Muhamed ibën el Muhlidi: Na ka treguar Ebu el Abas –eth Thekafi-: Na ka treguar Muxhahid ibën Musa dhe Fadël ibën Sehël: Na ka treguar Jezid ibën Harun: Na ka treguar Sheriku: Nga Ebi Is’hak: Nga el Aguri, se ai ka dëshmuar për Ebu Hurejrën dhe Ebu Seidin, se ata kanë dëshmuar për të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem), se ai ka thënë:

 “Kur vjen një e treta e natës, I Lartëmadhëruari zbret në qiellin e dynjasë dhe thotë: A ka ndonjë që kërkon falje, ashtu që t’i falet atij? A ka ndonjë që kërkon, ashtu që t’i jepet ajo? A ka ndonjë që kërkon të pendohet, ashtu që t’i pranohet pendimi?” [27]

Na ka treguar shejh Ebu Mensur ibën Himshad: Na ka treguar Ebu Ali Ismail ibën Muhamed es Sifar në Bagdad: Na ka treguar Ebu Mensur er Ramadi: Na ka treguar Abdurrazaku: Më ka treguar Meamar: Nga Suhejl ibën Ebi Salih: Nga babai i tij: Nga Ebi Hurejra (radijAll-llahu anhu), se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

 “Allahu i Lartësuar zbret çdo natë në qiellin e dynjasë dhe thotë: Unë jam Mbreti! Unë jam Mbreti! Unë jam Mbreti! Kush është ai që më kërkon, ashtu që t’i jap? Kush është ai që më lutet, ashtu që t’i përgjigjem lutjes së tij? Kush është ai që më kërkon falje, ashtu që ta fal atë? Vazhdon kështu, deri sa të dalë drita e mëngjesit.”[28]

Kam dëgjuar profesor Ebu Mensur, menjëherë pasi na e diktoi këtë Hadith, të thotë: Është pyetur Ebu Hanife për këtë Hadith (se si zbret?) dhe ai tha: “Zbret pa ndonjë formë (që njohim).”[29]

Dikush tjetër ka thënë: Zbret ashtu si i përket Madhështisë së Tij, pa ndonjë formë dhe pa i ngjarë Zbritja e Tij, zbritjes së krijesave të Tij, të cilat mbushin një vend dhe lënë bosh një tjetër (kur zbresin nga një vend në tjetrin), sepse Ai, i Lartëmadhëruari është i Pastër dhe i Lartë nga të qënurit e Cilësive të Tij, si ato të krijesave. Ashtu si edhe është i Pastër nga të qënurit e Vetes (Qënies) së Tij, si ajo e krijesave.

Kështu, Ardhja e Tij, Afrimi i tij dhe Zbritja e Tij, bëhet në formën dhe mënyrën e cila i përshtatet Cilësive të Madhështisë së Tij, duke mos i përngjarë atyre të krijesave dhe pa pyetur “Si?”.[30]

Imam Ebu Bekër Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejmeh, në librin e tij “Teuhidi” thotë: Tema e njoftimeve (Haditheve) me zinxhir të saktë transmetuesish, të cilat i kanë transmetuar dijetarët e Hixhazit dhe Irakut, në lidhje me zbritjen e Allahut në qiellin e dynjasë, në çdo natë, pa përshkruar mënyrën e zbritjes, por duke e miratuar zbritjen. (Thotë): Ne dëshmojmë me dëshminë e atij që pohon me gjuhën e tij, që beson me zemrën e tij dhe që është i bindur për atë që thuhet në këto njoftime (Hadithe) për zbritjen (e Allahut në qiellin e dynjasë), duke mos e përshkruar mënyrën e saj (zbritjes), sepse i Dërguari ynë, Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ve selem) nuk na e ka përshkruar mënyrën e zbritjes së Krijuesit tonë në qiellin e dynjasë, por na ka mësuar se Ai zbret. Dhe sigurisht që Allahu i Lartësuar e ka ngarkuar të Dërguarin e Tij (sal-lAllahu alejhi ve selem), që t’u sqarojë muslimanëve çdo gjë që ata kanë nevojë ta dinë prej çështjeve të Fesë së tyre.

Ne besojmë atë që thuhet në këto lajme për zbritjen (e Allahut) pa e përshkruar atë me ndonjë mënyrë apo formë të caktuar, sepse i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem) nuk na e ka përshkruar neve mënyrën e zbritjes.” [31]

Na ka treguar hafiz el Hakim ibën Ebu Abdullah: Na ka treguar Ebu Muhamed es Sajdelani: Na ka treguar Ali ibën el Husejn ibën el Xhundi: Na ka treguar Ahmed ibën Salih El Misri: Na ka treguar Ibën Vehbi: Më ka treguar Mahrame ibën Bekir: Nga babai i tij…

 (ح) - Na ka treguar gjithashtu el Hakim: Na ka treguar Muhamed ibën Jakub el Esam: Na ka treguar Ibrahim Ibën Munkidh: Na ka treguar ibën Vehbi: Nga Mahrameh ibën Bekir, se babai i tij ka thënë: Kam dëgjuar Muhamed ibën el Munkedir të thotë se ka dëgjuar Umu Selemen, gruan e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem) të thotë:

 “Nuk ka ditë më të mirë se ajo ditë në të cilën Allahu zbret në qiellin e dynjasë!” Thanë: E cila është ajo ditë? Tha: “Dita e Arafatit.”[32]

Aisha (radijAll-llahu anhu) tregon se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

 “Allahu i Lartësuar zbret në mes të muajit Shaban, në qiellin e dynjasë. Zbret natën deri në fund të ditës tjetër dhe shpëton nga Zjarri aq muslimanë sa qime ka këlyshi i qenit, cakton se kush do të bëjë Haxhin, zbret rrizqet e vitit dhe nuk lë askënd pa falur përveç ndonjë idhujtari, ndonjë që ka prerë lidhjet farefisnore, ndonjë që nuk respekton prindërit dhe ndonjë që transporton fjalët.”[33]

Na ka treguar Ebu Tahir ibën Huzejmeh: Më ka treguar gjyshi im, imami (Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejmeh): Na ka treguar El Hasen ibën Muhamed ez Zeaferani: Na ka treguar Ismail ibën Uljeh: Nga Hisham ibën Ed Dustuvai…

 (ح) - Imami (Muhamed ibën Is’hak) ka thënë: Dhe na ka treguar ez Zeaferani: Na ka treguar Abdullah ibën Bekër es Sehmi: Na ka treguar Hisham ed Dustuvai.

Na ka treguar gjithashtu ez Zeaferani: Na ka treguar Jezid –ibën Harun-: Më ka treguar ed Dustuvai…

 (ح) - Dhe na ka treguar Muhamed ibën Abdullah ibën Mejmun, në Skenderi: Na ka treguar El Uelid, nga el Euzai.

Të gjithë këta transmetojnë nga Jahja ibën Ebi Kethir: Nga Ata’ ibën Jesar: Më ka treguar Rufaah ibën Urabeh el Xhuhenij…

 (ح) - Imami thotë: Na ka treguar gjithashtu Ebu Hashim Zijad ibën Ejub: Na ka treguar Mubeshir ibën Ismail el Halebi: Nga El Euzai: Më ka treguar Jahja ibën Ebi Kethir: Më ka treguar Hilal ibën Ebi Mejmuneh: Nga Atai ibën Jesar: Më ka treguar Rufaah ibën Urabeh el Xhuhenij, ka thënë:

U kthyem nga Meka (në Medine) me të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe njerëzit filluan ti marrin atij leje (për të shkuar te familjet e tyre). Ai po u jepte leje atyre, pastaj tha:

 “Çfarë e gjeti pemën që u plasarit! A është ai që ndjek të Dërguarin e Allahut, më i urrejtur tek ju, se ai tjetri (që nuk e ndjek)?!”

Pas kësaj nuk shihje njeri që të mos qante, ndërsa Ebu Bekër es Sidiku (radijAll-llahu anhu) tha: Ai që të kërkon leje pas kësaj fjale është i pamend.

Atëherë, i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem) u ngrit, falenderoi Allahun dhe e Lavdëroi Atë, pastaj u betua ashtu si betohej gjithnjë:

 “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im! Dëshmoj te Allahu se nuk ka ndonjë prej jush që beson Allahun dhe Ditën e Fundit, si dhe nuk e tepron (por është i mesëm në shpenzime e çdo gjë), veçse do të futet në Xhenet. Zoti im më ka premtuar se do të fusë në Xhenet, prej popullit tim, shtatëdhjetë mijë pa llogari dhe pa dënim, ndërsa unë shpresoj që të mos hyni në të, derisa të zotoheni dhe ta mbani zotimin! Atëherë edhe gratë e pasardhësit tuaj të cilët punojnë të mira, vendbanimet tuaja do të jenë në Xhenet.”

Pastaj ai (sal-lAllahu alejhi ve selem) tha:

 “Kur kalon mesi i natës (apo ka thënë: një e treta e saj), Allahu zbret në qiellin e dunjasë dhe thotë: Nuk pyes për robërit e Mi tjetërkënd; Kush është ai që më kërkon, ashtu që t’i jap? Kush është ai që më lutet, ashtu që t’i përgjigjem lutjes së tij? Kush është ai që më kërkon falje, ashtu që ta fal atë? (Vazhdon kështu) Deri sa të shpërthejë drita.”[34]

Kjo është shprehja e transmetimit të El Uelid.


__________________________________________

[1] - Këtë Hadith, autori do ta përmendë të plotë më pas.

[2]
- Këtë histori e ka nxjerrë Ebu Ismail el Heravi në librin “Përçmimi i filozofisë dhe pasuesëve të saj” dhe Bejhakiu në librin “Emrat dhe Cilësitë e Allahut”.

[3]
- E ka nxjerrë Bejhakiu, në librin “Emrat dhe Cilësitë e Allahut”.

[4]
- Gërma (ح) tek dijetarët e Hadithit është inecial që do të thotë se ky Hadith ka ardhur me disa rrugë të cilat bashkohen te transmetuesi që është para kësaj shenje.

[5]
- E transmeton Buhariu në kapitullin e “Et Tehexhud”, Mulimi në kapitullin “Namazi i natës” e të tjerë; nga Ebu Hurejra (radijAll-llahu anhu).

[6]
- Përmendja e kësaj rruge do të vijë së shpejti.

[7] - Këtë rrugë transmetimi e ka nxjerrë imam Ahmedi në Musnedin e tij, Ed Darimi dhe Darakutni.

[8]
- Darakutni ka nxjerrë në kapitullin e “Zbritjes” shumë rrugë nga Ebu Hurejra, por jo këtë rrugë nga el Earaxh, apo nga Seid ibën Musejjib, siç thotë autori.

[9]
- Këtë rrugë e ka nxjerrë imam Ahmedi në Musnedin e tij.

[10]
- Përmendja e kësaj rruge do të vijë së afërmi.

[11]
- Këtë rrugë e ka nxjerrë Darakutni në kapitullin e Zbritjes.

[12]
- Këtë rrugë e ka nxjerrë Ed Darimi në “As Sunen”, Darakutni në kapitullin e Zbritjes dhe el Lalikai në “Sqarimi i bazave të Akides së Ehli Sunetit dhe Xhematit”.

[13]
- Nuk kam gjetur kënd ta ketë nxjerrë këtë rrugë nga Abdullah ibën Mesudi (radiallahu anhu), por e ka nxjerrë nga ai me rrugë tjetër, imam Ahmedi në Musnedin e tij dhe el Lalikai, në Bazat e Akides së Ehli Sunetit.

[14]
- Këtë rrugë e ka nxjerrë ed Darimi, Ibën Huzejme, Darakutni dhe Ebu Kasim el Lalikai.

[15]
- Kjo rrugë do të përmendet së shpejti.

[16]
- Këtë rrugë nga Ibën Abasi (meukuf), e ka nxjerrë Ibën Ebi Asim, në librin “As Suneh”, ed Darimi dhe el Lalikai.

[17]
- Përmendja e këtyre dy rrugëve do të vijë së shpejti .

[18] - Këtë libër të autorit nuk e kam gjetur as të botuar dhe as si dorëshkrim.

[19]
- E transmeton Muslimi në Sahihun e tij, kapitulli “Namazi i natës”.

[20]
- E transmeton Muslimi në Sahihun e tij, kapitulli “Namazi i natës”.

[21]
- Fillimin e Hadithit deri te fjala (…që t’ia fal atij?) e ka nxjerrë imam Ahmedi në Musned, ed Darimi dhe el Axhurri: Nga Nafi’ ibën Xhubejr ibën Mat’am: Nga babai i tij; por pa shtesën: (në një të tretën e fundit të natës).

Ndërsa pjesës së fundit të Hadithit (nuk ngel gjë me shpirt…) deri në fund, nuk i kam gjetur rrugë transmetimi.

[22]
- E ka nxjerrë el Axhurri, por pa fjalinë (pastaj ngrihet në Kursijin e Tij). E ka përmendur gjithashtu el Hejthemi dhe ka thënë: E ka transmetuar et Taberani në “El Kebir” dhe në “El Eusat”, dhe ka thënë: Jahja ibën Is’hak nuk ka dëgjuar gjë nga Ubadeh dhe prej tij nuk ka transmetuar veçse Musa ibën Ukbeh. Ndërsa transmetuesit e tjerë të Hadithit janë transmetues të dy Sahijhave të Buhariut dhe Muslimit.

[23]
- E ka nxjerrë Ibën Hibbani në Sahihun e tij.

[24]
- E ka nxjerrë Ibën Maxheh, ed Darimi, el Axhurri, Ibën Huzejme etj.

[25]
- E transmeton Muslimi, me shprehjen (deri sa të shpërthejë mëngjesi) dhe pa përmendur shprehjen (A ka ndonjë mëkatar?). E transmeton gjithashtu Ahmedi duke e theksuar fjalën (A ka ndonjë mëkatar) dhe duke shtuar (A ka ndonjë që do të pendohet?).

[26]
- E transmeton ed Darakutni në librin “Zbritja”, por në fund të tij shtohet (Pastaj ngjitet në qiell).

[27]
- E transmeton Muslimi dhe el Axhurri.

[28]
- E transmeton Muslimi.

[29]
- Është marrë kjo fjalë e Ebu Hanifes (Rahimullah), në librin “Sherh el Fikh el Ekber” të vetë atij.

[30]
- Këtë fjalë e ka përmendur Bejhakiu në librin “El Esmai ues Sifatu” dhe thotë: E kam lexuar këtë fjalë me shkrimin e vetë autorit në librin “Ed Deavat”, por unë (recensori dhe studiuesi) këtë libër nuk e kam gjetur.

[31]
- Marrë nga libri “Teuhidi dhe pohimi i Cilësive të Allahut të Madhëruar” i Ibën Huzejmes.

[32]
- E ka nxjerrë Ed Darimi, Darakutni dhe el Lalikai.

[33]
- Fillimin e këtij Hadithi e transmeton Tirmidhiu, Ibën Maxheh, Ahmedi, Darakutni dhe El Lalikai. Ndërsa pjesën tjetër të Hadithit, që nga fjala (…deri në fund të ditës tjetër) e deri në fund, nuk e kam gjetur në mesin e këtyre transmetimeve (të burimeve të lartëpërmendur).

[34]
- E ka nxjerrë Ibën Huzejmeh në librin “Teuhidi”, Imam Ahmedi në “Musned”, Et Tajalisi në “Musned”, Darakutni në librin e Zbritjes.

E ka nxjerrë gjithashtu El Axhurri, në librin “Esh Sheri’ah”, por të shkurtuar.


 

Cilësitë e Allahut të Lartësuar nuk i përngjajnë atyre të krijesave. 

 

Dijetari i Islamit [1] thotë: Them:

 Përderisa njoftimi (Hadithi) i Zbritjes është i saktë nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem), atëherë pasuesit e Sunetit e pohuan atë, e pranuan dhe e aprovuan atë, ashtu si ka thënë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem. Ata kanë besuar se Zbritja e Allahut nuk është e ngjashme me atë të krijesave të Tij dhe nuk kanë kërkuar për mënyrën e saj, sepse nuk ka absolutisht rrugë për ta njohur atë.

Ata e njohën, e aprovuan dhe besuan se Cilësitë e Allahut të Madhëruar nuk i ngjajnë cilësive të krijesave, ashtu si dhe Qënia e Lartë e Tij, nuk i ngjan qënies së krijesave.

I Lartë është Allahu nga ajo që thonë krahasuesit dhe refuzuesit (e Cilësive të Tij), shumë, shumë i Lartë! Dhe i mallkoftë ata me mallkim të madh!

Kam lexuar në një shkrim të Ebi Abdullah ibën Ebi Hafs el Buhari [2], i cili ka qenë dijetari i Buharës në kohën e tij, pa e tepruar. Ky Ebu Hafsa ka qenë prej nxënësve të mëdhenj të Muhamed ibën Hasen Shejbanit [3]. Ebu Abdullahi, kam për qëllim Ibën Ebi Hafs, thotë: Abdullah ibën Uthman, Abdani, shejhu i Mervit, thotë: Kam dëgjuar Muhamed ibën Hasen Esh Shejbani të thotë: Ka thënë Hamad ibën Ebi Hanife (i biri i Ebu Hanifes): U themi të tillëve si këta (ka për qëllim refuzuesit e Cilësive si xhehmijet etj.):

A e keni lexuar Fjalën e Allahut:

“Dhe vjen Zoti yt me melekët radhë-radhë.” [El Fexhr: 22].

Dhe Fjalën e Allahut:

“A mos presin atëherë për ndonjë gjë tjetër veçse t’u vijë Allahu në hijen e reve dhe melekët?” [El Bekare: 210].

A vjen Zoti ynë ashtu si ka thënë, apo jo? Dhe a vijnë melekët radhë-radhë, apo jo?

Ata thonë: Sa për melekët, ata vijnë radhë-radhë, ndërsa për Allahun, ne nuk e dimë se çfarë është për qëllim me ajetin dhe nuk e dimë se si vjen!

U themi atyre: Ne nuk iu kemi ngarkuar ju që të mësoni se si vjen, por iu ngarkojmë juve të besoni se Ai vjen. Nëse ndokush do të refuzonte ardhjen e melekëve radhë-radhë, çfarë do të ishte për ju?

Ata thonë: Ai është kafir dhe përgënjeshtrues.

Atëherë u themi: Po ashtu, edhe ai që refuzon se Allahu i Madhëruar vjen, është kafir, përgënjeshtrues.

Gjithashtu Ebu Abdullah ibën Ebi Hafs në librin e tij [4] thotë: Ibrahim ibën el Eshath ka thënë: Kam dëgjuar El Fudajl ibën Ijad të thotë:

 Nëse xhehmiu (refuzuesi i Cilësive të Allahut) të thotë: Unë nuk besoj te ai Zot që del dhe e lë bosh vendin i Tij, atëherë ti thuaji: Unë besoj në Atë Zot që bën ç’të dojë!” [5] 

Pasimi i Sunetit dhe lënia e bidatit

 Jezid ibën Harun, në tubimin e tij ka transmetuar një Hadith për ëndërrat, të Ismail ibën Ebi Halid: Nga Kajs ibën Ebi Hazim: Nga Xherir ibën Abdullah (radijAll-llahu anhu), se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

“Ju do t’a shihni Zotin tuaj, ashtu siç shihni hënën kur është e plotë” [6]

- Një burrë prej të pranishmëve i tha atij: O Ebu Halid! Cili është kuptimi i këtij Hadithi?

- Ai u nxeh dhe ktheu kurrizin, pastaj tha: “Ti i ngjan shumë Sabigut [7] dhe ke nevojë për atë që u bë me të. Mjer ti! E kush mund t’a dijë se si do të bëhet kjo! Dhe kujt i lejohet që ta tejkalojë këtë fjalë me të cilën ka ardhur Hadithi, apo të flasë për të me fjalë nga vetja e tij, përveç atij që i ka ikur mendja dhe që e nënçmon Fenë e tij?

Kur dëgjoni thënien e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem), atëherë pasojeni atë dhe mos shtoni mbi të. Nëse ju do ta ndiqni atë dhe nuk do ta diskutoni, atëherë do të shpëtoni, por nëse nuk e bëni këtë, atëherë do të shkatërroheni.”

Ndërsa historia e Sabigut, në të cilën Jezid ibën Haruni i tha pyetësit: “Ti i ngjan shumë Sabigut dhe ke nevojë për atë që u bë me të!”, atë e transmeton Jahja ibën Seid: Nga Seid ibën el Musejjib, se Sabig et Temimi vjen te prijësi i besimtarëve, Umer ibën El Hattab (radijAll-llahu anhu) dhe i thotë: O prijësi i besimtarëve! Më trego për ajetin: “Betohem për erërat që shpërndajnë pluhur!” [Dharijat: 1].

- Umeri (radijAll-llahu anhu) tha: Ato janë erërat, dhe nëse unë nuk do ta kisha dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ta thoshte këtë, atëherë nuk do ta thoja.

- Ai tha: Më trego për ajetin: “Betohem për ato që mbartin peshë të rëndë uji!”  [Dharijat: 2].

- Umeri (radijAll-llahu anhu) tha: Ato janë retë, dhe nëse unë nuk do ta kisha dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ta thoshte këtë, nuk do ta thoja.

- Ai tha: Më trego për ajetin: “Betohem për shpërndarësit e shiut me Urdhërin e Allahut!” [Dharijat: 4].

- Umeri (radijAll-llahu anhu) tha: Ata janë melekët, por nëse unë nuk do ta kisha dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ta thoshte këtë, nuk do ta thoja. 

- Ai tha: Më trego për ajetin: “Betohem për ato që notojnë lehtë e qetë!” [Dharijat: 3].

- Umeri (radijAll-llahu anhu) tha: Ato janë anijet, dhe nëse unë nuk do ta kisha dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ta thoshte këtë, nuk do ta thoja.

- Pastaj Umeri (radijAll-llahu anhu) urdhëroi që të rrihej me kamzhik njëqind goditje dhe e la në një shtëpi derisa iu mbyllën plagët, pastaj e mori përsëri dhe e goditi njëqind kamzhiqe të tjera, pastaj e dërgoi me një karvan të vogël te Ebu Musa el Eshari (në Irak) të cilit i shkroi: Mos e lejo atë që të përziehet me njerëzit!

Vazhdoi kështu disa kohë, derisa erdhi te Ebi Musa dhe u betua shumë herë se ai nuk ka më në veten e tij ato mendime që kishte më parë.

Atëherë Ebu Musa i shkroi Umerit (radijAll-llahu anhu) për çështjen e tij dhe ai i ktheu përgjigje: Them se vërtet e ka thënë me sinqeritet, kështu që lëre të lirë të përziehet me njerëzit!” [8]

Transmeton Hamad ibën Zejd: Nga Kutën ibën Keab: Kam dëgjuar një burrë prej beni Ixhël të cilit i thonë Fulan Halid ibën Zur’ah, të tregojë për babanë e tij të ketë thënë:

 “E kam parë Sabig ibën Asel në Basra, sikur të ishte deve e zgjebosur, i afrohej grupimeve të ndryshme të njerëzve dhe sa herë që ulej te ndonjë grup që nuk e njihnin, atëherë njerëzit e një grupi tjetër u thoshin: Për të është dhënë urdhëri i prerë (për mos t’iu afruar) i prijësit të besimtarëve.” [9]

Ka transmetuar gjithashtu Hamad ibën Zejd: Nga Jezid ibën Hazim: Nga Sulejman ibën Jesar, se një burrë prej fisit beni Temim, të cilit i thonë Sabig, erdhi në Medine dhe me vete kishte disa libra. Ai filloi të pyeste për ajetet e shumëkuptimta (jo plotëisht të qarta) të Kuranit. Këtë gjë e merr vesh Umeri (radijAll-llahu anhu) dhe dërgoi që ta sjellin te ai, pastaj bëri gati disa thupra me gunga prej hurme. Kur ai hyn te Umeri (radijAll-llahu anhu) ky i thotë atij: Kush je ti? 

- Ai tha: Unë jam robi i Allahut, Sabigu. 

- Umeri (radijAll-llahu anhu) tha: Ndërsa unë jam robi i Allahut, Umeri. Pastaj iu vërshua atij duke e goditur me ato thuprat, deri sa e çau atë dhe filloi t’i zbriste gjaku nëpër fytyrë.

- Atëherë ai tha: Mjafton kjo o prijësi i besimtarëve! Sepse unë betohem në Allahun që nuk e kam më në kokë atë që kisha më parë.” [10]

Na ka treguar Ebu Abdurrahman Muhamed ibën el Husejn ibën Musa es Silmij: Më ka treguar dijetari i fikhut Muhamed ibën Mahmud el Mirvezi: Na ka treguar Muhamed ibën Umejr er Razi: Na ka treguar Ebu Zekerija Jahja ibën Ejub el Alaf et Texhibi, në Egjipt: Na ka treguar Junus ibën Abduleala: Na ka treguar Eshheb ibën Abdulaziz: Kam dëgjuar Malik ibën Enes të thotë: “Largojuni bidateve!”

- Dikush tha: O Ebu Abdullah! E çfarë janë bidatet?

- Ai tha: “Bidatçinjtë janë ata, të cilët flasin në Emrat dhe Cilësitë e Allahut, në Fjalën e Tij, Dijen dhe Fuqinë e Tij. Ata që nuk heshtin në atë që kanë heshtur Sahabet e Tabiinët.” [11]

Na ka treguar Ebu el Husejn Ahmed ibën Muhamed ibën Umer ez Zahid el Hafaf: Më ka treguar fakihu Ebu Naim Abdulmelik ibën Muhamed ibën Udej: Na ka treguar er Rabij ibën Sulejman: Kam dëgjuar Shafiun (Rahimullah) të thotë:

 “Që njeriu ta takojë Zotin e tij dhe të ketë bërë çdo lloj gjynahu përveç shirkut, është më e dashur tek unë se sa ta takojë atë me ndonjë hava (pasion apo imagjinatë të tij)! [12]

Më ka treguar Ebu Tahir Muhamed ibën el Fadël: Na ka treguar Ebu Amër el Hajeri: Na ka treguar Ebu el Ez’her: Na ka treguar Kubejsah: Na ka treguar Sufjani: Nga Xheafer ibën Burkan, se ka thënë: Një burrë pyeti Umer ibën Abdulaziz, për pasimin e ndonjë dëshire a epshi?

- Ai tha: “Shtrëngo fenë e fëmijëve të shkollës fillore apo të beduinëve [13] dhe harro çdo gjë tjetër përveç kësaj!”

Na ka treguar hafiz Ebu Abdullah: Na ka treguar Muhamed ibën Jezid: Kam dëgjuar Ebu Jahja el Bezar të thotë: Kam dëgjuar Abas ibën Hamzah të thotë: Kam dëgjuar Ahmed ibën Ebi el Havari të thotë: Kam dëgjuar Sufjan ibën Ujejneh të thotë: 

“Çdo gjë me të cilën Allahu ka cilësuar Veten e Tij në Librin e Tij, komentimi i saj është ta lexosh dhe të heshtësh!” [14]

Na ka treguar Ebu el Husejn el Hafaf: Na ka treguar Ebu el Abas Muhamed ibën Is’hak es Seraxh: Na ka treguar Ismail ibën Ebi el Harith: Na ka treguar el Hejthem ibën Harixheh: Kam dëgjuar El Uelid ibën Muslim të thotë: Kam pyetur El Euzain, Sufjanin (Eth Theuri) dhe Malik ibën Enes për këto Hadithe që flasin për Cilësitë e Allahut dhe shikimin tek Ai në Ditën e Kijametit (prej banorëve të Xhenetit)?

- Ata kanë thënë:

 “Kalojini ashtu si kanë ardhur (në kuptimin e drejtpërdrejtë), pa pyetur “Si”?” [15]

Imam Ez Zuhri, prijësi i imamëve dhe syri i dijetarëve në kohën e tij, ka thënë:

 “Detyra e Allahut është sqarimi, detyra e të Dërguarit është publikimi, ndërsa detyra jonë është nënshtrimi dhe dorëzimi.”[16]

Nga disa prej selefëve ka ardhur fjala: “Rrënjosja e Islamit nuk qëndron veçse duke u dorëzuar plotësisht!” [17]

Na ka treguar Ebu Tahir ibën Huzejme: Na ka treguar gjyshi im, imam Ebu Bekër Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejme: Na ka treguar Ahmed ibën Nasër: Na ka treguar Ebu Jakub el Hunejni: Na ka treguar Kethir ibën Abdullah el Muzeni: Nga babai i tij: Nga gjyshi i tij, se ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

 “Kjo Fe ka filluar e huaj (me pak njerëz) dhe do të kthehet e huaj, ashtu si ka filluar. Lum për ata të huajtë?

- Thanë: O i Dërguari i Allahut! Kush janë ata të huajtë?

- Ai (sal-lAllahu alejhi ve selem) tha: “Ata janë ata, të cilët do të ringjallin Sunetin tim pas meje dhe do t’ua mësojnë atë njerëzve.” [18] 

Na ka treguar hafiz Ebu Abdullah: Kam dëgjuar Ebu Hasen el Kerzi të thotë: Kam dëgjuar Ali ibën Abdulaziz të thotë: Kam dëgjuar Ebu Ubejd el Kasim ibën Selam të thotë: 

“Ai që kapet për rrugën e të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem) do të jetë si ai që kap thëngjillin dhe ajo ditë është më e mirë për mua se goditja me shpatë (rënia dëshmor) në Rrugën e Allahut!” [19]

Transmetohet nga El Eamash: Nga Ebi ed Duha: Nga Mesruku, se ky ka thënë: Hymë te Abdullah ibën Mesudi dhe ai tha:

 “O ju njerëz! Ai që di diçka, le ta thotë atë, ndërsa ai që nuk di, le të thotë: Allahu e di më së miri, sepse prej diturisë është që kur nuk e di diçka të thuash: Allahu e di. Allahu i Madhëruar i ka thënë të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ve selem):

 Thuaj (O Muhamed!): Unë nuk ju kërkoj asnjë shpërblim për të (Kuranin) dhe nuk jam prej atyre që shtiren dhe trillojnë gjëra të paqëna.” [20]

Na ka treguar hafiz Ebu Abdullah: Na ka treguar Ebu el Abas el Meakeli: Na ka treguar Ahmed ibën Abdulxhebar el Utari: Më ka treguar babai im: Më ka treguar Abdurrahman ed Dabi: Nga El Kasim ibën Urveh: Nga Muhamed ibën Keab el Kuradhi, se ky ka thënë:

“Hyra te Umer ibën Abdulaziz dhe po vështroja te ai me një vështrim të thellë.

- Ai më tha: Ti po më vështron me një shikim, me të cilin nuk më vështroje kur unë isha në Medine.

- I thashë: Kjo për shkak se u habita.

- Ai tha: Çfarë të habiti?

- Thashë: Ndryshimi i ngjyrës tënde (të lëkurës), dobësimi i trupit tënd dhe rënia e flokëve të tu!

- Ai tha: Si do të thoje nëse do të më shihje pas tri (vjetësh, ose për herë të tretë), kur unë të jem në varrin tim dhe bebja e syrit të më ketë rënë në mollëzën e faqes. Kur mishi i qafës të më rrjedhë si qelb nga goja, a nuk do të ishte mosnjohja (apo habija) jote më e fortë? Më trego një Hadith të cilin ma ke treguar një herë tjetër, nga Abdullah ibën Abasi! 

- Thashë: Më ka treguar Abdullah ibën Abasi (radijAll-llahu anhu), duke e ngritur Hadithin te i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) se ka thënë:

 “Çdo gjë ka nderin e vet, ndërsa tubimet më të nderuara janë ato në të cilat kthehesh nga Kibla (namazi me xhemat). Mos u falni pas imamit të përgjumur dhe as pas atij që nuk është i pastër. Vriteni gjarpërin e akrepin edhe nëse jeni duke u falur dhe mos e mbuloni murin me rrobe (për ta zbukuruar nga mendjemadhësia)! Ai që sheh në librin e vëllait të tij (atë që ka shkruar dhe e ka personale) pa lejen e tij, ai sheh në Zjarr. A t’iu njoftoj për më të keqin tuaj?

- Thanë: Po, o i Dërguari i Allahut! (sal-lAllahu alejhi ve selem)

- Ai tha: “(Më i keqi prej jush) është ai i cili rreh robin e tij, pengon ndihmën e tij dhe banon i vetëm (në shtëpi).”

A t’iu njoftoj për më të keqin se ky?! Është ai që i urren njerëzit dhe ata e urrejnë atë!

A t’iu njoftoj për një më të keq se ky?! Ai që nuk pranon ndjesë, nuk pranon justifikim (shfajësim) dhe nuk fal gabim.

A t’iu njoftoj për një më të keq se ky?! Ai prej të cilit nuk shpresohet ndonjë e mirë dhe nuk ke siguri prej të keqes së tij.

Kush dëshiron të jetë më i forti i njerëzve, le të mbështetet te Allahu!

Kush dëshiron të jetë më i pasuri i njerëzve, le të jetë më i lidhur me atë që është në Dorë të Allahut se sa me atë që është në dorë të njerëzve!

Kush Dëshiron të jetë më i nderuari i njerëzve, le t’i frikësohet Allahut!

Isai (alejhis-selam) është ngritur para popullit të tij dhe ka thënë: O bijtë e Israilit! Mos flisni me urtësi përpara injorantëve, sepse kështu i bëni padrejtësi asaj (urtësisë) dhe mos ia ndaloni atë të zotëve të saj, sepse kështu u bëni padrejtësi atyre! Mos bëni padrejtësi dhe mos e ndihmoni zullumqarin, sepse kështu prishet simpatia për ju te Zoti juaj! 

E gjithë çështja është tre llojesh: Çështje, drejtësia e të cilës është e qartë, kështu që ndiqeni atë! Çështje, gabimi i të cilës është i qartë, kështu që largojuni asaj! Dhe çështje në të cilën ka kundërshtim, kështu që lëreni këtë në dorë të Allahut të Madhëruar!” [21]


__________________________________________

[1] - Është për qëllim vetë autori dhe kjo shprehje është e shkruajtësve të librit prej dorëshkrimit, për të dalluar thënësin e fjalës.

[2]
- Ai është Buhari tjetër dhe jo ai i Sahihut. E ka shoqëruar Buhariun një kohë në kërkimin e dijes. Ka qenë thikah (i besueshëm), imam dhe zahid (asket).

[3]
- Ai është fakih Hanefi. Ka lindur në Vasit, në Irak, është në Kufa dhe pastaj ka jetuar në Bagdad. E ka dëgjuar Hadithin nga Maliku, el Euzai dhe eth Theuri. Ka shoqëruar Ebu Hanifen dhe e ka marrë fikhun prej tij. Ky është ai që e ka përhapur fikhut e Ebu Hanifes dhe ka qenë gjykatës pas Ebi Jusufit. Ka qenë imam muxhtehid dhe e ka lavdëruar imam Shafiu, Ahmedi e të tjerë.

[4]
- Këtë libër nuk e kam gjetur.

[5]
- Kjo fjalë e Fudajl ibën Ijad është përmendur në kapitullin “Krijimi i veprave të njerëzve” të imam Buhariut por pa zinxhir transmetuesish. E ka nxjerrë gjithashtu me këtë shprehje, imam El Lalikai, në librin “Sherh usuli i’tikadi ehli suneh”.

[6]
- E ka nxjerrë Buhariu dhe Hadithi i plotë është kështu: Thotë Xheriri: Ishim të ulur te i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe ai vështroi hënën e cila ishte e plotë, pastaj tha: “Ju do t’a shihni Zotin tuaj, ashtu si shihni këtë (hënën e plotë) dhe nuk do të shtypeni për t’a parë Atë…”.

[7]
- Ai është Sabig ibën Sherik për të cilin ka treguar i biri i vëllait të tij, Asel ibën Abdullah ibën Asel se Sabigu pyeste Umerin (radijAll-llahu anhu) për fjalët e shumëkuptimshme të Kuranit dhe ai (radijAll-llahu anhu) e rrahu me kamzhik dhe e ndaloi të përziehej me njerëzit derisa u kthye nga mendimi i tij, pastaj Umeri e lejoi të përziehej me njerëzit. Historia e tij do të vijë së shpejti.

[8]
- E ka përmendur këtë histori Ibën Asakir në librin e tij të historisë, të marrë nga hafiz Ebu Bekër el Bezar dhe ed Darakutni. Është përmendur kjo histori këtu për të treguar se si silleshin sahabet me ata që kundërshtojnë dhe refuzojnë çështjet e Fesë.

[9]
- Këtë transmetim nga Zur’ah e ka përmendur Ibën Asakir në “Et Tarijh”.

[10]
- E ka nxjerrë Ed Darimi, El Axhurri etj. Kjo histori ka edhe transmetime të tjera përveç këtyre trejave që janë përmendur, me shtesa të ndryshme.

[11]
- E ka nxjerrë Ebu Ismail el Heravi, në librin e tij “Përçmimi i filozofisë dhe ndjekësve të saj”.

[12]
- E ka nxjerrë ibën Ebi Hatim, Ebu Naim el Asbehani, el Bejhaki dhe Ibën Asakir.

[13]
- Është për qëllim këtu, që të shtrëngojë e të ndjekë natyrshmërinë dhe të largohet prej pasioneve e imagjinatave të kota.

[14]
- E ka nxjerrë Bejhakiu e të tjerë.

[15]
- E ka nxjerrë imam el Lalkai, Darakutni dhe Bejhakiu.

[16]
- Këtë fjalë të Zuhriut e ka përmendur imam Buhariu tealikan (te shënimet dhe jo te Hadithet bazë të Sahihut të tj) dhe Ebu Naimi në librin “Hiljetul Eulija”.

[17]
- Këtë fjalë e ka përmendur imam el Begavi, në librin “Sherhus Suneh” dhe imam et Tahaviu, në Akiden Tahavije. Ka mundësi që autori, në këtë transmetim të ketë për qëllim imam Tahaviun.

[18]
- Fillimin e Hadithit e ka nxjerrë imam Muslimi e të tjerë; nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), ndërsa imam Tirmidhiu e ka nxjerrë të plotë, njësoj si autori.

[19]
- E ka nxjerrë Hatib el Bagdadi, në “Historinë e Bagdadit”.

[20]
- Suretu Sad:86. Këtë fjalë të ibën Mes’udit e transmeton Buhariu në Sahihun e tij.

[21]
- Një pjesë të këtij Hadithi e ka nxjerrë Ebu Daudi, Ibën Maxheh, El Hakim, Ahmedi. Por këtë rrugë transmetimi që ka përmendur autori nuk e kam gjetur në burimet e përmendura më lart dhe në mes të transmetuesëve të autorit ka të dobët.


Besimi në Ringjalljen dhe tmerret e Ditës së Kijametit.

  

Ithtarët e Fesë e të Sunetit besojnë në ringjalljen pas vdekjes, në Ditën e Kijametit dhe në çdo gjë me të cilën ka njoftuar Allahu i Madhëruar prej tmerreve të asaj Dite të Vërtetë. Ata besojnë se gjëndjet e njerëzve dhe të gjitha krijesave në atë Ditë do të jenë të ndryshme, në lidhje me atë që do të gjejnë e do të shohin atje në atë Ditë të tmerrshme, në marrjen e librit me të djathtën apo të majtën, në përgjigjen për pyetjet, e të gjitha tronditjet e mërzitjet që janë premtuar për në atë Ditë. 

Ata besojnë qëndrimin e frikshëm para Siratit (Urës së mprehtë të vendosur mbi Xhehenem), peshoren, shpërndarjen e fletushkave, në të cilat janë shënuar të mirat dhe të këqiat, qofshin ato edhe sa grimca e atomit, etj. 

Ndërmjetësimi i të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem) 

Ithtarët e Fesë e të Sunetit besojnë se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) do të ndërmjetësojë tek Allahu për ata që kanë bërë gjynahe prej popullit të Teuhidit (njësuesëve të Allahut) dhe për ata që kanë bërë gjynahe të mëdha, siç ka ardhur lajmi për këtë nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem). 

Na ka treguar Ebu Seid ibën Hamdun: Na ka treguar Ebu Hamid ibën esh Sherki: Na ka treguar Ahmed ibën Jusuf es Silmi: Na ka treguar Abdurrazaku: Ka treguar Meamari: Nga Thabit: Nga Enesi (radijAll-llahu anhu): Nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem), se ka thënë: 

“Ndërmjetësimi im do të jetë për ata që kanë bërë gjynahe të mëdha nga populli im.”[1] 

Na ka treguar gjithashtu Ebu Ali Zahir ibën Ahmed: Na ka treguar Muhamed ibën el Musejjib el Argijani: Na ka treguar El Hasen ibën Urfeh: Na ka treguar Abduselam ibën Harb el Mulai: Nga Zijad ibën Hajtheme: Nga Neuman ibën Kurad: Nga Abdullah ibën Umer (radijAll-llahu anhu), se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

“M’u dha që të zgjidhja ndërmjet ndërmjetësimit dhe hyrjes së gjysmës së popullit tim në Xhenet, ndërsa unë zgjodha ndërmjetësimin, sepse ai është më gjithëpërfshirës dhe më i mjaftueshëm. A mendoni se ai do të jetë për besimtarët e devotshëm? Jo, por ai do të jetë për mëkatarët, të përlyerit (me punë të këqia) dhe gabimtarët.”[2] 

Na ka treguar Ebu Muhamed el Muhlidi: Na ka njoftuar Ebu El Abas es Siraxh: Na ka treguar Kutejbe ibën Seid: Na ka treguar Abdulaziz ibën Muhamed ed Deravirdi: Nga Amër ibën Ebi Amër… 

(ح) - Dhe na ka treguar Ebu Tahir ibën Huzejmeh: Na ka treguar gjyshi im, imam Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejmeh: Na ka treguar Ali ibën Haxher: Na ka treguar Ismail ibën Xheafer: Nga Amër ibën Ebi Amër: Nga Seid ibën Ebi Seid el Makberi: Nga Ebu Hurejra (radijAll-llahu anhu), se ai ka thënë: 

- O i Dërguari i Allahut! Kush është njeriu më i lumtur me ndërmjetësimin tënd në Ditën e Kijametit? 

- Ai (sal-lAllahu alejhi ve selem) tha:

“E kisha në mend që nuk do të më pyeste njeri tjetër para teje për këtë Hadith, për shkak të asaj që kam parë prej teje për kujdesin ndaj Hadithit. Njerëzit më të lumtur me ndërmjetësimin tim në Ditën e Kijametit janë ata që thonë (لا إله إلا الله) Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, me sinqeritet nga zemra e tyre.”[3]


Besimi në Haudin dhe Keutherin
 

 

Ehli Suneti besojnë në Haudin (hauz, liqen i të Dërguarit në Xhenet), në Keutherin (lum i të Dërguarit në Xhenet), në hyrjen e një grupi prej njësuesëve të Allahut në Xhenet pa dhënë llogari, në dhënien llogari të lehtë të një pjese prej tyre dhe pastaj futen në Xhenet pa i prekur ndonjë e keqe dhe pa i ndjekur dënimi. 

Ata besojnë në hyrjen e një grupi prej mëkatarëve të tyre në Zjarr dhe pastaj do të shpëtojnë e do të dalin prej tij, duke u bashkuar kështu me vëllezërit e tyre që kanë kaluar më parë në Xhenet, dhe nuk do të jenë përgjithmonë në Zjarr. 

Ndërsa kufarët, mosbesimtarët do të jenë përgjithmonë në Zjarr dhe nuk do të dalin kurrë prej tij, kurse prej mëkatarëve besimtarë, Allahu nuk do të lërë askënd në të (Zjarr). 

Shikimi i besimtarëve Zotin e tyre, në Botën Tjetër

Pasuesit e Sunetit dëshmojnë se besimtarët do ta shohin Zotin e tyre të Lartmadhëruar, me sytë e tyre dhe duke vështruar te Ai (drejtpërdrejtë), ashtu siç thuhet në lajmin e saktë nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem), në fjalën e tij: 

“Ju do ta shihni Zotin tuaj, ashtu siç shihni hënën kur është e plotë!” [4] 

Në këtë Hadith vërejmë se krahasimi është bërë për shikimin me shikimin (për të parit e Allahut ashtu si shikojmë hënën) dhe jo për atë që shihet (krahasimin e Allahut me hënën). 

Lajmet që kanë ardhur për shikimin e Allahut, i kam nxjerrë në librin “El Intisar” [5] me të gjitha rrugët e tyre.


Përjetësia e Xhenetit dhe Xhehenemit 


Ndjekësit e Sunetit dëshmojnë se Xheneti dhe Zjarri janë të krijuara dhe se ato do të ngelin përgjithmonë e nuk do të zhduken kurrë.

Banorët e Xhenetit nuk do të dalin kurrë prej tij dhe po ashtu banorët e Zjarrit -të cilët janë banorët e tij dhe janë krijuar për të- nuk do të dalin kurrë prej tij! 

Atë ditë, një thirrës do të thërrasë: 

“O ju banorët e Xhenetit! Përjetësi dhe jo vdekje. O banorët e Zjarrit! Përjetësi dhe jo vdekje”, siç ka ardhur në Hadithin e saktë nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem). [6] 

__________________________________________

[1] - E ka nxjerrë Tirmidhiu, Ebu Daudi, Ahmedi, El Hakim etj.

[2]
- E ka nxjerrë imam Ahmedi në Musned, Ibën Maxheh dhe Bejhakiu.

[3]
- E transmeton Buhariu.

[4]
- E transmeton Buhariu.

[5]
- Këtë libër të autorit nuk e kam gjetur, siç thamë më parë.

[6]
- Transmeton Buhariu dhe Muslimi; nga Ebi Seid El Hudri (radijAll-llahu anhu), se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë: “Në Ditën e Kijametit, do të sillet vdekja në formën e një dashi të kriposur dhe do të vendoset ndërmjet Xhenetit dhe Zjarrit, pastaj thuhet: O banorët e Xhenetit! A e njihni këtë? Ata zgjasin kokën për të parë dhe thonë: Po, e njohim. Ajo është vdekja. Thotë: Pastaj thuhet: O banorët e Zjarrit! A e njihni këtë? Ata zgjasin kokën për të parë dhe thonë: Po, e njohim. Ajo është vdekja. Thotë: Atëherë jepet urdhër që ajo të theret, pastaj thuhet: O banorët e Xhenetit! Përjetësi, pa vdekje në të. O banorët e Zjarrit! Përjetësi, pa vdekje në të.

Thotë: Pastaj i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) lexoi ajetin: “Paralajmëroji ata për Ditën e pikëllimit, kur çështja të jetë vendosur, ndërsa tani ata janë në një gjendje krejt pakujdesie dhe as nuk besojnë.” [Merjem: 36], duke bërë shenjë me dorë nga dynjaja.” [Ky transmetim është i Muslimit].


 

Elementet përbërëse të Imanit.

 Prej rrugës së pasuesëve të sunetit është se: Besimi është fjalë (pohimi i shehadetit), vepër (kryerja e kushteve të Islamit) dhe njohje (besim me zemër); shtohet me bindje e devotshmëri dhe pakësohet me gjynahe. 

Muhamed ibën Ali ibën el Hasen ibën Shekik thotë: Kam pyetur Ebu Abdullah Ahmed ibën Hanbel (Rahimullah), për kuptimin e rritjes dhe zvogëlimit të besimit, dhe ai tha: Na ka treguar el Hasen ibën Musa el Eshjeb: Na ka treguar Hamad ibën Selemeh: Na ka treguar Ebu Xheafer el Hutami: Nga babai i tij: Nga gjyshi i tij: Nga Umejr ibën Habib, se ka thënë:

“Imani (besimi) rritet dhe zvogëlohet.”

- Dikush tha: Dhe si mund të jetë rritja dhe zvogëlimi i tij? 

- Ai tha: “Kur përmendim Allahun, e falenderojmë dhe e madhërojmë Atë, atëherë besimi ynë rritet. Ndërsa kur jemi të pavëmendshëm, humbim kohën dhe e harrojmë përkujtimin e Allahut, atëherë besimi ynë zvogëlohet e dobësohet.” [1] 

Na ka treguar Ebu el Hasen ibën Ebi Is’hak el Mizki: Na ka treguar babai im: Na ka treguar Ebu Amër el Hajeri: Na ka treguar Muhamed ibën Jahja Edh Dhehli, Muhamed ibën Idris el Meki dhe Ahmed ibën Shidad Et Tirmidhi, kanë thënë: Na ka treguar El Humejdi: Na ka treguar Jahja ibën Sulejm: Kam pyetur dhjetë prej dijetarëve të fikhut[2] për Imanin dhe që të gjithë ata kanë thënë: 

“Imani është fjalë dhe vepër.”

Kam pyetur Hisham ibën Hasan dhe ai ka thënë:

“Imani është fjalë dhe vepër.” 

Kam pyetur Ibën Xhurejxh dhe ai ka thënë: 

“Imani është fjalë dhe vepër.”

Kam pyetur Sufjan eth Theurin dhe ai ka thënë:

“Imani është fjalë dhe vepër.”

Kam pyetur el Muthena ibën es Sabah dhe ai ka thënë:

“Imani është fjalë dhe vepër.”

Kam pyetur Muhamed ibën Abdullah ibën Amër ibën Uthman dhe ai ka thënë:

“Imani është fjalë dhe vepër.”

Kam pyetur Muhamed ibën Muslim et Taifi dhe ai ka thënë:

“Imani është fjalë dhe vepër.” 

Kam pyetur Fudajl ibën Ijad dhe ai ka thënë:

“Imani është fjalë dhe vepër.”

Kam pyetur Nafi’ ibën Umer el Xhumhi dhe ai ka thënë:

“Imani është fjalë dhe vepër.”

Kam pyetur Sufjan ibën Ujejneh dhe ai ka thënë:

“Imani është fjalë dhe vepër.”

Na ka treguar gjithashtu Ebu Amër el Hajeri: Na ka treguar Muhamed ibën Jahja dhe Mahamed ibën Idris, si dhe kam dëgjuar El Humejdin të thotë: Kam dëgjuar Sufjan ibën Ujejneh të thotë:

“Imani është fjalë dhe vepër, shtohet dhe pakësohet”

- Vëllai i tij, Ibrahim ibën Ujejneh i tha atij: O Ebu Muhamed! A po thua që imani pakësohet?!

- Ai i tha: Pusho o fëmijë! Po, pakësohet deri sa nuk ngel gjë prej tij.” [3] 

Uelid ibën Muslim ka thënë: Kam dëgjuar El Euzain, Malikun dhe Seid ibën Abdulaziz; që ta kundërshtojnë atë që thotë: “Imani është aprovim me fjalë, pa vepër”[4] dhe pohojnë se nuk ka besim pa vepër.[5]

Them (autori): Kush ka më shumë vepra dhe bindje të mira, ai e ka imanin më të plotë se ai që ka më pak bindje e më shumë gjynahe, pavëmendësi e humbje.

Kam dëgjuar hafiz El Hakim Ebu Abdullah të thotë: Kam dëgjuar Ebu Bekër Muhamed ibën Ahmed ibën Bakauejh el Xhelab të thotë: Kam dëgjuar Ebu Bekër Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejmeh të thotë: Kam dëgjuar Ahmed ibën Seid er Rabati të thotë: Më ka thënë Abdullah ibën Tahir: “O Ahmed! Ju i urreni këta njerëz (murxhiet) pa i njohur ata, ndërsa unë i urrej ata ngaqë i njoh. Gjëja e parë e keqe e tyre, është se ata nuk besojnë se duhet t’i binden prijësave.

E dyta është se ata thonë se besimi nuk ka kufi apo sasi (nuk shtohet e nuk pakësohet). 

Pasha Allahun! Unë nuk ia lejoj vetes të them se besimi im është si besimi i Jahja ibën Jahja, apo si besimi i Ahmed ibën Hanbel, ndërsa ata thonë: Besimi ynë është si besimi i Xhibrilit dhe Mikailit!”

Kam dëgjuar El Hakim të thotë: Kam dëgjuar Ebu Xheafer Muhamed ibën Salih ibën Hani të thotë: Kam dëgjuar Ebu Bekër Muhamed ibën Shuajb të thotë: Kam dëgjuar Is’hak ibën Ibrahim el Handhali të thotë: Ibën el Mubarek hyri në Raj (qytet në Horasan) dhe një burrë, për të cilin mendohej se ishte prej havarixhëve, u ngrit e i tha atij:

- O Ebu Abdurrahman! Çfarë thua për atë që bën zina (imoralitet), vjedh dhe pi alkool?

- Ai tha: Nuk e nxjerr atë nga besimi.

- Ai tha: O Ebu Abdurrahman! A tani që u theve në moshë, je bërë murxhi [6]

- Ai tha: Mua nuk më pranojnë murxhiet, sepse ata thonë: Veprat tona të mira janë të pranuara dhe të këqiat tona na janë falur. Ndërsa unë, sikur ta dija që më është pranuar një vepër e vetme e mirë, atëherë do të dëshmoja që unë do të hyj në Xhenet.”

Pastaj përmendi një Hadith nga Ibën Shudheb: Nga Selemeh ibën Kuhejl: Nga Huzejl ibën Sherhabil, ka thënë: Umer ibën el Hatab (radijAll-llahu anhu) ka thënë:

“Nëse do të peshohej imani i Ebu Bekrit me imanin e të gjithë njerëzve të tokës, ai do të peshonte më shumë.”[7]

Kam dëgjuar Ebu Bekër Muhamed ibën Abdullah ibën Muhamed ibën Zekerija esh Shejbani të thotë: Kam dëgjuar gjykatës Jahja ibën ibën Mensur të thotë: Kam dëgjuar Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejmeh të thotë: Kam dëgjuar El Husejn ibën Harb, vëllanë e Ahmed ibën Harb të thotë:

“Dëshmoj se besimi i Ahmed ibën Harbit, me të cilin ai beson Zotin e tij është se; Imani është fjalë dhe vepër, shtohet dhe pakësohet.”

Besimtari nuk bëhet jobesimtar me kryerjen e ndonjë mëkati të madh dhe kush vdes si njësues i Allahut, ai nuk do të jetë përgjithmonë në Zjarr, nëse dënohet për gjynahet që ka bërë

Pasuesit e Sunetit besojnë se besimtari, edhe nëse bën gjynahe të shumta, të vogla apo të mëdha, ai nuk bëhet jobesimtar për shkak të atyre, edhe nëse del nga kjo botë (vdes) pa u penduar prej tyre, por vdes si njësues dhe i sinqertë në njësimin e tij, atëherë çështja e tij është në Dorë të Allahut; nëse do e falë atë, e fut në Xhenet në Ditën e Kijametit, të shpëtuar e të fituar, pa e sprovuar me Zjarr, pa e dënuar për ato që ka bërë me duart e tij dhe ia fshin ato atij. 

E nëse Ai do, atëherë e dënon atë dhe e ndëshkon një farë kohe në Zjarr, por jo përgjithmonë, sepse Ai do ta lirojë atë nga Zjarri dhe do ta nxjerrë nga ai, për ta futur në begatitë e banesës së qëndrueshme.

Mësuesi ynë, Sehël ibën Muhamed (Rahimullah) thoshte:

“Besimtari mëkatar edhe nëse dënohet me Zjarr, ai nuk do të hidhet në të ashtu si hidhen qafirat, nuk do të qëndrojë në të, ashtu si do të qëndrojnë ata dhe nuk do të brengoset në të, ashtu si brengosen ata.” 

Kuptimi i kësaj fjale është se jobesimtari do të tërhiqet prej fytyre në Zjarr dhe do të hidhet në të përmbys, me zinxhira, me pranga në duar e zinxhirë të rëndë në këmbë. Ndërsa besimtari mëkatar, nëse sprovohet me Zjarr, ai do të hyjë në Zjarr ashtu si hyn krimineli në burgun e kësaj dynjaje, pa u flakur në të dhe jo përmbys.

Ndërsa kuptimi i fjalës së tij: “Nuk do të hidhet në Zjarr ashtu si hidhen jobesimtarët”, është se trupi i jobesimtarit do të digjet i tëri dhe sa herë që i digjet lëkura, do t’i shndërrohet me lëkurë tjetër, me qëllim që ta vuajë dënimin. 

Allahu i Lartësuar thotë: 

“Padyshim se ata të cilët mohuan Ajetet Tona, Ne do t’i djegim në Zjarr. Sa herë që t’u piqet lëkura, Ne do t’ua ndërrojmë atyre atë me lëkurë tjetër, që të mund ta shijojnë sa më shumë ndëshkimin.” [En Nisa: 56].

Ndërsa fytyrat e besimtarëve nuk do t’i përcëllojë Zjarri dhe as nuk do t’i djegë pjesët e trupit të cilat binin në sexhde, sepse është e ndaluar për Zjarrin të prekë pjesët e trupit, me të cilat bëhet sexhde.[8]

Kuptimi i fjalës së tij: “Nuk do të qëndrojë në Zjarr, ashtu si qëndrojnë jobesimtarët”, është se jobesimtarët do të jenë përgjithmonë në Zjarr dhe nuk do të dalin kurrë prej tij, ndërsa prej besimtarëve mëkatarë, Allahu nuk do të lerë askënd prej tyre përgjithmonë në Zjarr.

Kuptimi i fjalës së tij: “dhe nuk do të brengoset në Zjarr ashtu si brengosen jobesimtarët”, është se jobesimtarëve u hiqet shpresa nga Mëshira e Allahut dhe nuk presin asnjëherë qetësi e shlodhje. 

Ndërsa lakmia e besimtarëve nuk ndërpritet asnjëherë për Mëshirën e Allahut dhe fundi i të gjithë besimtarëve do të jetë Xheneti, sepse ata janë krijuar për të dhe ai është krijuar për ta, si Mirësi nga Allahu dhe dhuratë prej Tij.

 

A është kafir ai i cili e lë faljen me vetëdije

 

Dijetarët e Hadithit kanë rënë në kundërshtim në lidhje me lënien e faljes së detyrueshme me qëllim e vetëdije prej muslimanit. [9]

Imam Ahmed ibën Hanbel dhe një grup prej dijetarëve të selefëve (Rahimullah) e kanë quajtur atë kafir dhe e kanë nxjerrë nga Islami për këtë shkak, duke u bazuar në Hadithin e saktë:

“Ndërmjet robit dhe shirkut është lënia e faljes, kush e lë faljen, ka bërë kufër.” [10]

Ndërsa imam Shafiu dhe shokët e tij, si dhe një grup tjetër nga dijetarët e selefëve (Rahimullah), kanë shkuar në mendimin se ai nuk bëhet qafir nëse vazhdon të besojë se namazi është obligim edhe pse ai meriton të vritet njësoj si ai që del nga Islami (murted).

Këta e komentuan Hadithin e mësipërm, duke thënë se qëllimi është për atë që e lë faljen duke e mohuar obligueshmërinë e saj, siç ka treguar Allahu i Madhëruar për Jusufin (alejhi selam), se ai ka thënë: 

“Me të vërtetë që unë e kam flakur tej fenë e popullit që nuk beson në Allahun dhe që janë mosbesimtarë, mohues të jetës së përtejme.” [Jusuf: 37]. 

Në fakt ai nuk ishte përlyer me kufrin që t’a linte atë, por ai e la kufrin duke e refuzuar e mohuar atë.

 

Veprat e njerëzve janë krijesa të Allahut të Madhëruar.

 

Pasuesit e Sunetit dhe Xhematit besojnë se veprat e njerëzve janë krijesa të Allahut të Madhëruar, pa pasur pikë dyshimi në këtë dhe nuk e konsiderojnë prej të udhëzuarëve në Fenë e Vërtetë atë që e kundërshton dhe e mohon këtë fjalë.

 

Udhëzimi apo humbja janë në Dëshirën e Allahut.

 

Ata dëshmojnë gjithashtu se Allahu i Lartësuar udhëzon kë të dojë në Fenë e Tij dhe largon prej rrugës së saj kë të dojë, duke mos pasur justifikim e prova për atë që Ai humb.

Allahu i Lartësuar thotë:

Thuaj (O Muhamed!): Me Allahun është prova e përkryer dhe më bindëse dhe po të kishte dashur Ai, vërtet që Ai do t’iu kishte udhëzuar ju të gjithëve!” [El En’am: 149].

“Dhe sikur të kishim dashur Ne, sigurisht që Ne do t’i kishim dhënë çdo njeriu udhëzimin e tij, por u vendos dhe do të vërtetohet Fjala Ime (për keqbërësit) se Unë do t’a mbush Xhehenemin me xhinët dhe njerëzit bashkë.” [Es Sexhde: 13].

“Dhe vërtet që Ne kemi krijuar shumë nga xhinët dhe njerëzit për Xhehenemin…”
[El A’raf: 179].

I lartë është Allahu! Ai e ka krijuar çdo gjë pa pasur nevojë për të dhe i ka ndarë njerëzit në dy grupe: Një grup për në Xhenet me Mirësinë e Tij dhe një grup për në Xhehenem me Drejtësinë e Tij.

Ai i ka ndarë ata në të humbur dhe në të drejtëudhëzuar, në të mirë e në të këqinj, të afërm prej Mëshirës së Tij dhe të largët prej saj:

“Ai nuk pyetet për atë që punon, por ata do të pyeten për atë që vepruan.” [El Enbija: 23].

Padyshim që i Atij është krijimi dhe komandimi. Lartësuar me Madhështi qoftë Allahu, Zoti i gjithë botëve!”  [El A’raf: 54].

Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë:

“Ashtu sikurse ju solli në jetë në fillim Ai, po kështu do të silleni përsëri në jetë (Ditën e Ringjalljes). Një grup Ai e drejtoi dhe një grup meritoi të jetë me të gabuarën, sepse ata zgjodhën shejtanët për mbrojtës e ndihmës në vend të Allahut, duke menduar në këtë mënyrë se janë të udhëzuar drejt.” [El A’raf: 29-30].

“…Të tillët do t’i arrijë pjesa që meritojnë dhe që është shkruar në Librin e Vendimeve Tona.” [El A’raf: 37].

Ibën Abasi (radijAll-llahu anhu), për këtë ajet thotë: “Ajo që do t’i arrijë ata është çfarë ka kaluar prej lumturisë apo brengës”.

Na ka treguar Ebu Muhamed el Muhlidi: Na ka treguar Ebu el Abas es Siraxh: Na ka treguar Jusuf ibën Musa: Na ka treguar Xheriri: Nga El Eamash: Nga Zejd ibën Uehb: Nga Abdullah ibën Mesudi (radijAll-llahu anhu), se ka thënë: Na ka treguar i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe ai është i sinqerti dhe i besueshmi:

“Krijimi i çdokujt prej jush fillon të bashkohet në barkun e nënës së tij për dyzet ditë, pastaj bëhet copë gjaku e mpiksur, po për aq kohë. Pastaj bëhet si një copë mishi e përtypur, po për aq kohë, pastaj Allahu dërgon tek ai një melek me katër gjëra: Me rizkun e tij, punën e tij, exhelin (kohën e vdekjes) e tij dhe nëse do të jetë fatkeq apo fatmirë.

Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im! Dikush prej jush mund të punojë punë të banorëve të Xhenetit derisa të mos ketë ngelur ndërmjet tij dhe Xhenetit më tepër se një pash, pastaj do t’a zërë atë ajo që i është shkruar në libër dhe do të punojë punë të banorëve të Zjarrit e do të hyjë në të. Dhe vërtet që ndokush nga ju mund të punojë punë të banorëve të Zjarrit derisa të mos ketë ngelur ndërmjet tij dhe Zjarrit më tepër se një pash, pastaj do t’a zërë atë ajo që i është shkruar në libër dhe do të punojë punë të banorëve të Xhenetit, e do të hyjë në të.” [11]

Na ka treguar gjithashtu Ebu Muhamed el Muhlidi, ka thënë: Na ka treguar Ebu el Abas es Seraxh, ka thënë: Na ka treguar Is’hak ibën Ibrahim el Handhali –ibën Rahavejh-, ka thënë: Na ka treguar Abdusamed ibën Abdulvarith, ka thënë: Na ka treguar Hamad ibën Selemeh: Nga Hisham ibën Urvah: Nga babai i tij: Nga Aisha (radijAll-llahu anhu), se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

“Dikush mund të punojë punë të banorëve të Xhenetit, por ai është shkruajtur në Libër se është prej banorëve të Zjarrit, kur të jetë pranë vdekjes ai shndërrohet dhe punon punë të banorëve të Zjarrit, pastaj vdes dhe hyn në Zjarr. Dhe dikush tjetër mund të punojë punë të banorëve të Zjarrit, por ai është shkruar në Libër prej banorëve të Xhenetit dhe kur të jetë pranë vdekjes punon punë të banorëve të Xhenetit, pastaj vdes dhe hyn në Xhenet.”[12]


__________________________________________

[1] - E ka nxjerrë Abdullah ibën Ahmed, në librin “Es Suneh”, El Axhurri, ibën Ebi Shejbeh dhe Ibën Sead.

[2]
- Këta dijetarë do i përmendë më poshtë, por ai ka përmendur vetëm nëntë dhe me sa duket i dhjeti është imam Malik ibën Enes, sepse ai është përmendur në mesin e këtyre të dhjetëve në librin “Esh Sherij’atu” të El Axhurrit dhe në librin e El Lalikait.

[3]
- E ka nxjerrë El Axhurri, në librin “Esh Sheriatu”.

[4]
- Këtë fjalë e thonë murxhiet.

[5]
- E ka nxjerrë El Lalikai me shtesën: “dhe nuk ka vepër të pranuar vetëm se me besim”.

[6]
- Murxhitë u quajtën me këtë emër për shkak se ata thonë; se puna është e vonuar nga besimi dhe se besimi apo Imani është vetëm të besuarit me zemër edhe nëse vonohet pohimi me gjuhë dhe të vepruarit me gjymtyrë, si dhe për shkak të dhënies shpresë së tepërmi prej tyre. Ata thonë: “Besimi nuk ndikohet nga gjynahet ashtu si dhe veprat e mira nuk i bëjnë dobi kufrit.” Ata janë të një fjale; që nuk do të hyjë në Zjarr askush përveç qafirave.

[7]
- E ka nxjerrë imam Ahmedi.

[8]
- Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra (radiallahu anhu), se i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem), në një Hadith të gjatë që flet për Ditën e Kijametit, ndër tjerash ka thënë:

“Pasi që Allahu mbaron Gjykimin ndërmjet njerëzve, shfaqet dhe dëshiron të nxjerrë me Mëshirën e Tij kë të dojë prej banorëve të Zjarrit. Ai urdhëron melekët që të nxjerrin nga Zjarri ata që nuk i bënin shok Allahut, të cilët Ai do që t’i nxjerrë me Mëshirën e Tij, prej atyre të cilëve dëshmonin se nuk ka Zot e të adhuruar tjetër përveç Allahut. Ata do të dallohen në Zjarr prej shenjave të sexhdes, sepse Zjarri ha prej trupit të njeriut, çdo pjesë përveç gjurmëve të sexhdes. Allahu ia ka ndaluar Zjarrit të hajë gjurmët e sexhdes…”

[9]
- Me këtë kundërshtim është për qëllim çështja e atij që e lë faljen, por nuk e mohon obligueshmërinë e saj, sepse ai që e mohon atë, është kafir, unanimisht te të gjithë dijetarët. Këtë gjë e tregon edhe fjala e mëpasshme e autorit, në paraqitjen e argumenteve të atyre që nuk e quajnë atë kafir dhe se argumenti i tyre është të komentuarit e Hadithit që thotë se lënësi i namazit është kafir, se qëllimi është për atë që e lë namazin duke e mohuar obligueshmërinë e tij.

[10]
- E transmeton Muslimi nga Xhabir ibën Abdullah, por vetëm fjalinë e parë, ndërsa pjesa e dytë (kush e lë faljen, ka bërë kufër) është transmetuar në Sunen et Tirmidhi me shprehjen: “Dallimi ndërmjet nesh dhe atyre është falja dhe ai që e lë atë, ka bërë kufër.” E ka transmetuar gjithashtu imam Ahmedi në Musned.

[11]
- E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[12]
- E ka nxjerrë imam Ahmedi.


 

Besimi në Caktimin e Allahut dhe Përcaktimin e Tij, qoftë për të mirë apo për të keq.

 

Pasuesit e Sunetit dëshmojnë dhe besojnë se e mira dhe e keqja, dobia dhe dëmi janë me Caktimin e Allahut dhe Përcaktimin e Tij.

Ai caktim nuk kthehet, nuk mund t’i shpëtosh dhe nuk mund t’i shmangesh. Njeriun nuk e gjen veçse ajo që Zoti i tij ka shkruar për të. Nëse të gjithë njerëzit do të përpiqeshin që t’i bënin dikujt një të mirë të cilën nuk e ka shkruar Allahu për të, ata nuk do të mund t’a bënin atë dhe nëse do të përpiqeshin t’i bënin një të keqe të cilën Allahu nuk e ka caktuar për të, ata nuk do të mundeshin. 

Për këtë argumenton Hadithi i transmetuar nga Abdullah ibën Abasi (radijAll-llahu anhu), nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem). [1]

Argumenton gjithashtu Fjala e Allahut të Lartësuar:

“Nëse Allahu do të të sprovonte me ndonjë të keqe, atëherë s’ka kush që e heq atë përveç Atij dhe nëse do për ty ndonjë të mirë, s’ka kush që e kthen atë.” [Junus: 107].


E keqja nuk i ngjitet Allahut të Lartësuar.


Prej besimit dhe drejtimit të pasuesëve të Sunetit, bashkë me fjalën e tyre se e mira dhe e keqja janë nga Allahu dhe me përcaktimin e Tij, ata thonë se nuk i ngjitet Allahut të Lartësuar diçka që është e ulët apo e mangët në vetevete. (P.sh). Nuk thuhet: O krijuesi i majmunit dhe derrit! Edhe pse nuk ka krijesë që Allahu të mos jetë Krijuesi i saj.

Në këtë kuptim ka ardhur edhe fjala e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) në duanë e hapjes së namazit:

“I Madhëruar dhe i Lartësuar qofsh Ti! Ndërsa e keqja nuk të ngjitet Ty.”[2]

Kuptimi i këtij Hadithit është: E keqja nuk është prej gjërave që të mvishen Ty, qoftë e drejtpërdrejtë apo në lutje. Kështu që nuk lejohet që në lutje të thuhet: “O Krijuesi i së keqes! O Përcaktuesi i së keqes!” Edhe pse Ai është Krijuesi dhe Përcaktuesi i të dyja atyre.

Për këtë shkak, El Hidri (alejhi selam) e ka ngjitur dashjen e dëmtimit (të anijes) te vetja e tij, duke thënë:

“Ndërsa anija ka qenë e disa varfanjakëve të cilët punonin në det dhe unë doja t’a dëmtoja atë…” [El Kehf: 79].

Ndërsa kur përmendi të mirën, mirësinë dhe mëshirën, ai ia ngjiti dashjen e tyre Allahut të Madhëruar, duke thënë:

“Dhe Zoti yt deshi që të arrinin pjekurinë e tyre (të rriteshin) dhe pastaj t’a nxirrnin thesarin e tyre, nga Mëshira e Zotit tënd.” [El Kehf: 82].

Po ashtu thotë Allahu, kur tregon për Ibrahimin (alejhis selam) se ka thënë:

“Dhe kur unë sëmurem, Ai më shëron.” [Esh Shuara: 80].

Duke ia ngjitur kështu sëmundjen vetes së tij, kurse shërimin Zotit të tij, edhe pse që të dyja janë prej Zotit të tij.

Pohimi i Vullnetit dhe Dëshirës së Allahut të Lartësuar. 


Prej besimit të Ehli Sunetit dhe Xhematit është se Allahu i Madhëruar është i Vullnetshëm për të gjitha punët e njerëzve, të mira apo të këqia qofshin ato
[3] dhe askush nuk beson veçse me Dashjen e Tij. 

Nëse Allahu do të donte, Ai do t’i bënte të gjithë njerëzit një grup të vetëm (besimtarë) dhe nëse do të donte që të mos i thyhej urdhëri, Ai nuk do t’a kishte krijuar Iblisin [4] për shkak të të cilit mohuan mosbesimtarët. 

Edhe besimi i besimtarëve është sipas caktimit të Allahut dhe përcaktimit të Tij, me Vullnetin dhe Dëshirën e Tij. Ai i ka dashur të gjitha këto me Vullnetin e Tij dhe i ka përcaktuar ato.

 

Allahu i Lartësuar kënaqet për besimin e njerëzve dhe e urren mosbesimin e tyre.

 

Allahu kënaqet për besimin e njerëzve dhe bindjen e tyre ndaj Tij, dhe e urren mosbesimin e tyre. Allahu i Lartësuar thotë:

“Nëse ju mohoni Allahun, Allahu nuk ka ndonjë nevojë për ju edhe pse nuk e pëlqen për robërit e Tij mosbesimin. E nëse ju e falenderoni Atë, Ai e pëlqen këtë prej jush!”
[Ez Zumer: 7].

Nuk gjykohet për një person të veçantë se ai është prej banorëve të Xhenetit apo të Xhehenemit (përveç atyre për të cilët ka dëshmuar Allahu dhe i Dërguari i Tij)


Dijetarët e Hadithit besojnë dhe dëshmojnë se përfundimet dhe mbylljet e jetës së njerëzve janë enigmë dhe askush nuk e di se si do të mbyllen ato. Ata nuk gjykojnë për një person të veçantë, se ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit apo për një tjetër se do të jetë prej banorëve të Zjarrit, sepse kjo është diçka e fshehtë dhe ata nuk e dinë se si do të vdesë dikush (besimtar apo jobesimtar). 

Për këtë shkak, ata thonë: “Ne jemi besimtarë InshaAllahu”, d.m.th. prej besimtarëve të cilëve do t’u mbyllet jeta në këtë botë me besim InshaAllah! 

Kush vdes musliman, e ardhmja e tij është Xheneti. 


Ata dëshmojnë për atë që vdes musliman, se e ardhmja e tij do të jetë Xheneti dhe se ata të cilëve u është shkruar përcaktimi nga Allahu, ata do të dënohen me Zjarr një farë kohe të caktuar për shkak të gjynaheve që kanë bërë dhe për të cilat nuk kanë kërkuar falje e pendim, por në fund ata do të kthehen në Xhenet dhe askush prej muslimanëve nuk do të mbetet në Zjarr, prej Mirësisë së Allahut dhe Dhurimit të Tij. 

Kush vdes mosbesimtar, do të jetë përgjithmonë në Zjarr.


Kush vdes duke qenë mosbesimtar –Allahu na ruajtë!-, kthimi i tij është në Zjarr prej të cilit nuk do të shpëtojë dhe qëndrimi i tij në të është i pafund!

Ne dëshmojmë se do të jetë në Xhenet, ai për të cilin i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) e ka dëshmuar këtë 

Ata persona të veçantë prej sahabeve, për të cilët i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka dëshmuar se do të jenë në Xhenet, për ta dëshmojnë edhe dijetarët e Hadithit si vërtetim të fjalës së të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem) për atë që ka thënë dhe u ka premtuar atyre (sahabeve). Ai (sal-lAllahu alejhi ve selem) nuk ka dëshmuar për ta se do të jenë në Xhenet, vetëm pasi që e njohu këtë gjë dhe Allahu i Lartësuar i ka treguar të Dërguarit të Tij ç’të donte prej të fshehtës.

Këtë gjë e sqaron Fjala e Allahut të Lartësuar që thotë:

“Ai është i Dituri i të fshehtës të cilën nuk ia tregon askujt, përveç ndokujt që do prej të Dërguarëve të Tij.” [El Xhin: 26].


Të përgëzuarit me Xhenet prej njerëzve.


I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka përgëzuar me Xhenet dhjetë prej shokëve të tij, të cilët janë: Ebu Bekri, Umeri, Uthmani, Aliu, Talha [5], ez Zubejr [6], Abdurrahman ibën Auf [7], Seadi [8], Seidi [9] dhe Ebu Ubejdetu ibën el Xherrah [10]. [11]

Po ashtu, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë edhe për Thabit ibën Kajs ibën Shimas, se ai është prej banorëve të Xhenetit. Enes ibën Maliku thoshte për të: “Ai ecte në mesin tonë dhe ne thonim se ai është prej banorëve të Xhenetit.” [12]

Më të mirët në mesin e sahabeve janë katër halifet.


Dijetarët e Hadithit besojnë dhe dëshmojnë se më të mirët në mesin e shokëve të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem) janë: Ebu Bekri, pastaj Umeri, pastaj Uthmani, pastaj Aliu. Këta janë udhëheqësit e drejtë, qeverisjen e të cilëve e ka përmendur i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) në fjalën e tij, të cilën e transmeton Seid ibën Xhumhan: Nga Sefijneh:

“Hilafeti (udhëheqja e drejtë) pas meje do të jetë për tridhjetë vjet.”[13]

Pastaj, mbas përfundimit të ditëve të tyre, u kthye gjendja në qeverisje të ashpra, ashtu siç njoftoi i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem).

 

Aprovimi i hilafetit të Ebu Bekër Es Sidikut (radijAll-llahu anhu)

 

Ata e aprovojnë hilafetin e Ebu Bekrit (radijAll-llahu anhu), pas vdekjes së të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem), i cili u zgjodh nga sahabet me bashkimin njëzëri të tyre dhe duke thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) e zgjodhi atë prijës në fenë tonë (kur e vuri imam në namaz), kështu që ne e zgjodhëm prijës në dynjanë tonë.” [14]

Ndërsa Ebu Bekrit radijAll-llahu anhu i thanë: “Ty të parapriu i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe kush është ai që mund të të lërë pas!”, duke pasur për qëllim se ai (sal-lAllahu alejhi ve selem) e caktoi atë të printe faljen e tyre në ditët e sëmundjes së tij, dhe ne u falëm pas teje me urdhër të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem), atëherë kush është ai që mund të të lërë mbrapa, pas paraprirjes së të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem)?

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) fliste për Ebu Bekrin kur ishte në mesin e sahabeve me fjalë të cilat i bënë ata që të kuptojnë se ai është i pari që meriton t’a zëvendësojë të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ve selem) pas vdekjes së tij.

Për këtë shkak, ata u bashkuan dhe i dhanë besën atij duke e zgjedhur si prijës të tyre dhe zëvendës të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem), gjë e cila u bëri atyre shumë dobi dhe i ngriti shumë lart, saqë Ebu Hurejra tha:

“Pasha Allahun përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër! Nëse nuk do të ishte zgjedhur Ebu Bekri zëvendës i të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem), Allahu nuk do të adhurohej më në tokë.”

Dhe kur i thanë atij: Çfarë thua o Ebu Hurejra!

Atëherë ai solli argumente me të cilat ua mbushi mendjen dhe i bëri që t’a besojnë dhe t’a pranojnë këtë gjë.

 

Aprovimi i hilafetit të Umer ibën El Hatabit (radijAll-llahu anhu)

 

Pas Ebu Bekrit, hilafeti i kaloi Umer ibën el Hatabit (radijAll-llahu anhu), sipas zgjedhjes së Ebu Bekrit para vdekjes dhe me bashkimin e sahabeve për të. Në ditët e tij, Allahu e ngriti lart Islamin dhe çoi në vend premtimin e Tij.

 

Aprovimi i hilafetit të Uthman ibën Afanit (radijAll-llahu anhu)

 

Pastaj udhëheqjen e mori Uthmani (radijAll-llahu anhu), me zgjedhjen e sahabëve të mëdhenj dhe të dijshëm dhe bashkimin e të gjithë sahabeve dhe pëlqimin e tyre.

 

Aprovimi i hilafetit të Ali ibën Ebi Talib (radijAll-llahu anhu)

 

Pastaj udhëheqja i kaloi Aliut (radijAll-llahu anhu), me besën e sahabeve të cilët panë që ai ishte i pari që kishte të drejtë t’a merrte udhëheqjen pas Uthmanit (radijAll-llahu anhu) dhe e bënë të ndaluar kundërshtimin dhe thyerjen e urdhërit të tij.

Këta ishin ata katër udhëheqësit e drejtë me të cilët Allahu i Madhëruar e ngriti lart Fenë e Tij, gjunjëzoi dhe mposhti mosbesimtarët, forcoi me ta Islamin, ngriti flamurin e së Vërtetës në ditët e tyre, ndriçoi dhe shndriti me dritën e tyre errësirën dhe çoi në vend Premtimin e Tij të mëparshëm të cilin e ka thënë në Fjalën e Tij:

“Allahu u ka premtuar atyre nga mesi juaj që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, se Ai patjetër do t’u sigurojë atyre vazhdimësinë e fuqisë së tashme të udhëheqësve në tokë, ashtu siç ua siguroi edhe atyre që ishin para tyre dhe se Ai do t’u sigurojë fuqinë për të zbatuar e përmbushur Fenë e tyre, atë të cilën Ai e ka zgjedhur për ta (Islamin). Dhe padyshim që Ai do t’u japë atyre në shkëmbim siguri e ruajtje pas frikës së tyre…”
[En Nur: 55].

Si dhe në Fjalën e Tij:

“Muhamedi është i Dërguari i Allahut dhe ata që janë me të, janë të ashpër ndaj mohuesve…” [El Fet’h: 29].

Kështu që, kush i do ata, i merr për miq, bën lutje për ta, ruan të drejtat e tyre dhe e njeh vlerën dhe vendin e tyre, ai është me të fituarit. Ndërsa në të kundërt, kush i urren ata, i shan ata apo i mvesh gjëra të tilla siç i mveshin rafiditë (refuzuesit) [15] dhe havarixhët (Allahu i mallkoftë!), ai është nga të shkatërruarit e të humburit.

I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

“Mos i shani shokët e mi! Ai që i shan ata, mbi të qoftë mallkimi i Allahut!” [16]

“Ai që i do ata, i ka dashur nga dashuria që ka për mua dhe ai që i urren ata, i urren nga urrejtja që ka për mua. Kush i ofendon ata, më ka ofenduar mua dhe kush i shan ata, mbi të qoftë mallkimi i Allahut!” [17]

 

Falja pas prijësit musliman edhe nëse është vepërkeq.

 

Dijetarët e Hadithit e shohin si obligim faljen e të xhumasë, të dy barjameve dhe të namazeve të tjera, pas çdo imami musliman, qoftë ai vepërmirë apo vepërkeq.

 

Xhihadi nën udhëheqjen e prijësave të muslimanëve.

 

Ata shohin të obligueshëm gjithashtu, edhe Xhihadin dhe luftimin e armiqëve të muslimanëve nën udhëheqjen e prijësave të tyre, qofshin ata zullumqarë e vepërkëqinj.

 

Lutja për prijësat dhe mosngritja krye ndaj tyre.

 

Ata e shohin obligim lutjen (duanë) për prijësat që të përmirësohen, të gjykojnë drejtë dhe të rregullojnë në tokë.

Dhe nuk e lejojnë daljen me shpatë kundra tyre (kryengritjen) edhe nëse shohin tek ata devijim nga e drejta në padrejtësi e zullum.

Ata shohin gjithashtu luftimin e grupit kryengritës derisa të kthehet në bindjen ndaj prijësit të muslimanëve.

 

Përmbajtja dhe shmangia e asaj që ndodhi ndërmjet sahabeve.

 

Ata e shohin obligim përmbajtjen dhe shmangien prej grindjes që ndodhi ndërmjet shokëve të të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe pastrimin e gjuhës nga përmendja e ndonjë të mete apo mangësie të tyre.

Ata e shohin obligim kërkimin e mëshirës për të gjithë ata dhe dashurinë për të gjithë ata.

 

Nderimi i grave të Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe konsiderimi i tyre nëna të besimtarëve.

 

Po ashtu, ata e shohin të obligueshëm nderimin e grave të Pejgamberit (radijAll-llahu anhu), lutjen për to, njohjen e vendit të tyre dhe pohimin se ato janë nëna të besimtarëve.

 

Shpërblimi me Xhenet nuk është meritë e besimtarëve nga veprat e tyre.

 

Ata besojnë dhe dëshmojnë se askush nuk e meriton Xhenetin edhe nëse veprat e tij janë të mira dhe rruga që ka ndjekur në jetë ka qenë e kënaqshme, vetëm nëse Allahu hedh Mirësinë e Tij mbi të, duke e futur atë në Xhenet me Mirësinë dhe Bujarinë e Tij. Kjo sepse ajo vepër e mirë që ai ka kryer nuk i është bërë e mundur vetëm se me lehtësimin që i ka bërë Allahu i Madhëruar atij dhe nëse nuk do t’ia kishte lehtësuar Allahu dhe nëse nuk do t’a kishte udhëzuar për atë vepër, ai kurrë nuk do të ishte udhëzuar.

Allahu i Lartësuar thotë:

“…Dhe po të mos kishte qenë Mirësia e Allahut dhe Mëshira e Tij mbi ju, asnjë prej jush nuk do të kishte qenë kurrë ndonjëherë i pastër prej gjynaheve, por Allahu pastron (udhëzon në Islam) atë që Ai do dhe Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.” [En Nur: 21].

Çdo krijesë e ka fundin (vdekjen) të përcaktuar.

Dijetarët e Hadithit besojnë dhe dëshmojnë se Allahu i Madhëruar ia ka caktuar vdekjen dhe fundin çdo krijese (në kohë dhe vend, të cilin nuk e di askush përveç Allahut dhe që nuk shtyhet e as nuk tërhiqet para kohës së vet) dhe askush nuk vdes vetëm se me Lejen e Allahut dhe për një kohë të përcaktuar. Kur të mbarojë koha e dikujt, nuk ngel veçse vdekja prej të cilës nuk ka shpëtim.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Çdo popullsi ka një kohë të përcaktuar dhe kur vjen ky çast, ata as nuk mund ta vonojnë atë qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta përparojnë atë.” [El A’raf: 34].

“Dhe askush nuk mund të vdesë vetëm se me Lejen e Allahut dhe për një kohë të përcaktuar.” [Al Imran: 145].

Ata besojnë gjithashtu se ai që vdes apo vritet, kjo do të thotë që i ka mbaruar afati i përcaktuar i tij.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Edhe sikur të ishit në shtëpitë tuaja, ata për të cilët ishte përcaktuar vdekja, padyshim që do të ishin drejtuar vetë te vendi i përcaktuar për vdekjen e tyre!” [Al Imran: 154].

“Kudo që ju të jeni, vdekja do t’iu gjejë, edhe sikur të jeni në kështjella të fortifikuara!”
[En Nisa: 78].


Cytja e shejtanëve dhe ndikimi i tyre.

 

Ata besojnë se Allahu i Lartësuar i ka krijuar shejtanët dhe ata i bëjnë cytje njerëzve me qëllim që t’i nxjerrin nga rruga e drejta, duke u qëndruar në pritë atyre.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe vërtet që shejtanët i frymëzojnë miqtë e tyre nga mesi i njerëzve që t’ju kundërshtojnë juve dhe po t’u bindeni atyre, atëherë padyshim që do të ishit idhujtarë!”
[El En’am: 121].

Allahu i Lartësuar u lë shejtanëve pushtet mbi kë të dojë dhe ruan prej kurtheve e sherreve të tyre atë që Ai do. 

Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe shqetësoji (të nxituarit e mendjelehtit) vazhdimisht, ata që të mundesh nga mesi i tyre (pasardhësve të Ademit) me zërin tënd (duke u pëshpëritur ose duke u bërë vesvese me këngë, muzikë etj.). Sulmoji ata me kalorësinë e këmbësorinë tënde (me të gjitha mjetet e mënyrat)! Ndaji me ta pasuritë e fëmijët (me rrugë të palejuara) dhe bëju atyre edhe premtime. Por shejtani nuk u premton atyre asgjë, veçse mashtrim.

Sa për robët e Mi (besimtarët e Mi të vërtetë), ti nuk ke asnjë fuqi mbi ta. Dhe më se i Mjaftueshëm është Zoti yt si Rregullues e Mbikqyrës.” [El Isra: 64-65].

“Vërtet që ai nuk ka aspak fuqi mbi ata që besojnë e mbështeten vetëm te Zoti i tyre.

Fuqia e tij (shejtanit) është vetëm mbi ata të cilët i binden dhe e ndjekin atë (shejtanin) dhe mbi ata të cilët i vënë shok Allahut!” [En Nahl: 99-100].

 

Magjia nuk bën dëm veçse me Lejen e Allahut.

 

Pasuesit e Sunetit dëshmojnë se në tokë ekziston magjia dhe magjistarët, por ata nuk i bëjnë ndokujt keq veçse me Lejen e Allahut:

“…Dhe ata nuk munden të dëmtojnë askënd me të (magjinë) veçse me Lejen e Allahut!”
[El Bekare: 102].

 

Gjykimi për magjistarin.


Ai që e mëson magjinë dhe e praktikon atë, duke besuar se ajo bën dëm apo dobi pa Lejen e Allahut, ai ka dalë nga feja dhe është kafir.

Nëse ai pyetet dhe në përshkrimin e tij del se ajo që bën është kufër, atëherë afatizohet për t’u penduar dhe nëse nuk pendohet, atëherë i pritet koka. 

Por nëse pasi pyetet, ai përshkruan diçka që nuk është kufër, apo se flet me gjëra që as ai vetë nuk i kupton, atëherë pengohet nga kjo gjë dhe nëse e kryen përsëri, atëherë dënohet me kamzhik apo burgim.

Nëse thotë se magjia nuk është haram dhe unë besoj se ajo është e lejuar, atëherë bëhet e detyrueshme vrasja e tij, sepse ai ka bërë të lejuar diçka për të cilën janë bashkuar të gjithë muslimanët se ajo është e ndaluar.

 

Çdo pije dehëse është haram.

 

Dijetarët e Hadithit e konsiderojnë të ndaluar çdo pije që të deh, qoftë ajo e marrë nga rrushi, apo rrushi i thatë, hurma, mjalti, misri, apo çdo lloj bime tjetër.

Ata e konsiderojnë të ndaluar pijen dehëse qoftë ajo shumë apo pak, e konsiderojnë atë të papastër dhe e dënojnë me shkopinj pirësin e saj.

 

Përkujdesja për kryerjen e faljeve të obligueshme.

 

Ata e shohin të obligueshme nxitimin për kryerjen e faljeve dhe se falja në fillim të kohës së caktuar është më mirë se në mbarim të saj.

Ata e konsiderojnë të obligueshme leximin e sures el Fatiha pas imamit në namaz.[18]

Ata urdhërojnë që të plotësohet rukuja (përulja) dhe sexhdeja. Ata e konsiderojnë plotësimin e rukusë dhe të sexhdes me qetësi, ngritjen nga rukuja dhe qëndrimin drejt pas saj me qetësi, ngritjen prej sexhdes dhe qëndrimin mes dy sexhdeve me qetësi, të gjitha këto i konsiderojnë prej shtyllave (rukneve) të namazit pa të cilat ai nuk mund të jetë i saktë.

 

Këshillimi për të vepruar mirë.

 

Ata këshillojnë njëri-tjetrin për falje natën, pasi të kenë fjetur një pjesë të saj, për ruajtjen e lidhjeve farefisnore, për përhapjen e selamit (përshëndetjes), të ushqyerit e të varfërit, mëshirimin e fukarenjve e jetimëve, preokupimin për çështjet e muslimanëve, për mbajtjen e të mesmes në të ngrënë e të pirë, në martesë e në veshmbathje, për bamirësi, për urdhërim për të mira dhe ndalim nga e keqja, për shpejtimin në çdo lloj pune të mirë dhe ruajtjen prej përfundimit të keq të lakmisë.

Ata këshillojnë njëri-tjetrin për të Vërtetën dhe për durim.

 

Dashuria dhe urrejtja për çështjen e Fesë.

 

Dijetarët e Hadithit e duan njëri-tjetrin për shkak të Fesë dhe urrejnë po për shkak të saj. Ata i ruhen polemikës në lidhje me Allahun (Cilësitë e Tij) dhe mënjanohen nga ndjekësit e bidateve e humbjeve, si dhe i urrejnë ndjekësit e dëshirave dhe injorancës. 

Ata ecin sipas shembullit të të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe rrugës së shokëve të tij, të cilët janë si yjet dhe me cilindo që të shëmbëllohesh prej tyre, je i drejtëudhëzuar, ashtu siç thoshte i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) për ta. [19]

Ata marrin për shembull të tyre selefët (të parët) e mirë të këtij populli, prej prijësave të Fesë dhe dijetarëve të muslimanëve, si dhe kapen për atë me të cilën ishin kapur prej Fesë së fortë dhe të Vërtetës së qartë. 


__________________________________________


[1]
- Është përcjellë nga Ibën Abasi (radijAll-llahu anhu), se ka thënë: Një ditë isha pas të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe ai më: “O djalosh! Unë do të të mësoj ty disa fjalë. Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty. Ruaje Allahun dhe ke për t’a gjetur në anën tënde. Kur të kërkosh diçka, kërkoje prej Allahut dhe kur të kërkosh ndihmë, kërkoje prej Allahut. Dije se, sikur i gjithë populli të bashkohej për të të sjellë ty një të mirë, nuk do të munden të bëjnë veçse atë që Allahu e ka shkruar që më parë për ty, e nëse do të bashkoheshin për të të shkaktuar një dëm, nuk do të mundnin të shkaktonin veçse atë që Allahu ka shkruar për ty. Lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë.” [Këtë Hadith e ka transmetuar Tirmidhiu, i cili ka thënë se ai është Hasen Sahih, dhe Ahmedi].

[2]
- Kjo pjesë e Hadithit të duasë së hapjes së namazit ndodhet te Muslimi.

[3]
- Me këtë vullnet është për qëllim vullneti i krijimit të çdo gjëje dhe të përcaktimit të tyre sipas Dëshirës së Allahut të Madhëruar dhe nuk është për qëllim vullneti i ligjeve të Fesë e të sheriatit i cili lidhet me dashjen dhe pëlqimin e Allahut.

[4]
- Imam Ahmedi, në librin “Es Suneh”, transmeton nga Umer ibën Abdulaziz (Rahimullah), se ai ka thënë: “Nëse Allahu do të donte që të mos kundërshtohej, Ai nuk do t’a kishte krijuar Iblisin”. Pastaj lexoi Fjalën e Allahut: “Ju nuk mundeni të largoni besimtarët nga Rruga e Allahut, përveç atyre që janë përcaktuar të digjen në Xhehenem!” [Es Safat: 62-63].

[5]
- Ai është Talha ibën Ubejdilah ibën Uthman ibën Amër el Kurashi et Tejmij, një nga gjashtë anëtarët e marrëveshjes për paqe ndërmjet muslimanëve dhe idhujtarëve të Mekës dhe një nga pesë të cilët u bënë musliman për shkak të Ebu Bekrit. Prezentoi në luftën e Uhudit dhe tregoi trimëri. U godit me një shigjetë në ditën e luftës së Xhemelit dhe vdiq në vitin 36 h. në moshën 64 vjeç.

[6]
- Ai është ez Zubejr ibën el Auam ibën Huejlid ibën Esed el Kurashi, Ebu Abdullahi, nga të afërmit e të Dërguarit të Allahut dhe djali i hallës së tij. Një nga gjashtë anëtarët e shuras (konsultës). Ka hyrë në Islam që në moshë të vogël dhe ka marrë pjesë në të dyja shpërnguljet (në Habeshe dhe në Medime). Është vrarë në luftën e Xhemelit në vitin 36 h. dhe është varrosur në Basra.

[7]
- Ai është Abdurrahman ibën Auf ibën Abdu Auf ibën Abdul Harith el Kurashi ez Zuhri, Ebu Muhamed. Një nga gjashtë anëtarët e konsultës. Ka hyrë herët në Islam, para se i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem) të hynte në shtëpinë e Erkamit. Ka marrë pjesë në të dyja shpërnguljet dhe ka marrë pjesë në luftën e Bedrit e të tjerat pas saj. Vdiq në vitin 32 h. në moshën 72 vjeç.

[8]
- Ai është Sead ibën Malik ibën Uhejb el Kurashi, ez Zuhri, Ebu Is’hak ibën Ebi Uekas. Një nga gjashtë anëtarët e konsultës. Ka transmetuar shumë Hadithe nga i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem). Ka qenë një prej kalorësve më të mirë dhe i pari që ka gjuajtur me shigjetë në Rrugë të Allahut. Ka qenë koka që hapi Irakun dhe ishte i njohur për pranimin e duasë që ai bënte. Ka vdekur në el Akik, në vitin 55 h. dhe u transportua në Medineh. Ai ka qenë i fundit që ndërroi jetë nga dhjetë të përgëzuarit me Xhenet.

[9]
- Ai është Seid ibën Zejd ibën Amër ibën Nufejl el Adavi. Një nga të parët e Islamit dhe para shtëpisë së Erkamit. Ka bërë shpërnguljen në Medine dhe ka marrë pjesë në luftën e Uhudit e në të tjerat pas saj. Nuk ka qenë në Medine në kohën e luftës së Bedrit dhe nuk ka marrë pjesë në të. Ka vdekur në el Akik në vitin 50 h. dhe thuhet pas këtij viti.

[10]
- Ai është Amir ibën Abdullah ibën El Xherrah ibën Hilal el Kurashi el Fehri, i njohur me kunjën e tij dhe me emrin e gjyshit të tij. Një prej të parëve në Islam. Ka bërë dy shpërnguljet dhe ka marrë pjesë në luftën e Bedrit e të tjerat pas saj. Ky është ai që hoqi dy ganxhat nga fytyra e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe që i ranë dy dhëmbë. Ka vdekur në vitin 18 h. në moshën 58 vjeç.

[11]
- Transmeton Tirmidhiu në El Xhami’, nga Abdurrahman ibën Auf (radijAll-llahu anhu) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

“Ebu Bekri do të hyjë në Xhenet. Umeri do të hyjë në Xhenet. Uthmani do të hyjë në Xhenet. Aliu do të hyjë në Xhenet. Talha do të hyjë në Xhenet. Ez Zubejr do të hyjë në Xhenet. Abdurrahman ibën Aufi do të hyjë në Xhenet. Seadi do të hyjë në Xhenet. Seidi do të hyjë në Xhenet dhe Ebu Ubejdeh ibën El-Xherrah do të hyjë në Xhenet.”

[12]
- E transmeton Muslimi.

[13]
- E transmeton Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe Ahmedi.

[14]
- Kjo fjalë e sahabeve është në librin “Fikhu i madh” i Ebu Hanifes.

[15]
- Rafiditë apo refuzuesit janë një prej 72 grupeve të humbura dhe janë quajtur me këtë emër për shkak të refuzimit të tyre udhëheqjen e Ebu Bekrit dhe të Umerit (radijAll-llahu anhu). Dhe thuhet: për shkak të refuzimit të tyre Zejd ibën Ali (radijAll-llahu anhu), duke e sharë për dhënien besës Ebu Bekrit dhe Umerit (radijAll-llahu anhu) dhe për pranimin e tyre si prijësa të besimtarëve. Zejdi ka thënë: Më refuzuan mua dhe kështu u quajtën rafidi. Ata u quajtën gjithashtu “Shij’ah” atëherë kur thanë: Ne jemi ithtarë të Aliut (radijAll-llahu anhu), por disa prej tyre thanë të pavërtetën për të dhe e tepruan në lavdërimin e tij duke thënë se ai është zot, apo i dërguar nga Zoti. Disa prej tyre i vrau vetë Aliu (radijAll-llahu anhu) në kohën e sundimit të tij dhe disa të tjerë i dogji. Disa prej tyre mohojnë edhe Ditën e Llogarisë. Ata besojnë se Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ve selem) e ka lënë testament të shkruar se Aliu do të jetë zëvendës i tij pas vdekjes së tij dhe se çështja e udhëheqjes nuk mund të jetë vetëm se me shpallje nga Allahu. Prijësit sipas atyre, janë të pagabueshëm dhe larg gjynaheve të mëdha e të vogla dhe se Ebu Bekri dhe Umeri janë të mallkuar. etj. Marrë nga libri “El Burhan” i Es Sekseki dhe “Mekalat El Islamijine”.

[16]
- Fjalia e parë e Hadithit transmetohet në dy sahihat e Buhariut dhe të Muslimit, si dhe në libra të tjerë. Ndërsa pjesën e dytë e transmeton Ebu Asim në librin “Es Suneh” dhe Taberani në “El Eusat” me shprehje të përafërt.

[17]
- E transmeton Tirmidhiu dhe imam Ahmedi.

[18]
- Obligueshmëria e leximit të Fatihasë pas imamit në të gjitha rastet është fjala e imam Shafiut në medh’hebin e ri si dhe e një grupi bashkë me të. Ndërsa fjala e shumicës së dijetarëve është se leximi i saj është i obligueshëm në namazet pa zë dhe në rastet kur imami qëndron dhe nuk lexon, kurse të lexuarit e Fatihasë në kohën kur imami lexon në namazet me zë, kjo është e papëlqyer (mekruh).

[19]
- Ky Hadith që ka përmendur autori është i dobët dhe nuk vlen për t’u argumentuar me të.



 

 Urrejtja e pasuesëve të bidatit dhe mosqëndrimi me ta.

 

Pasuesit e Hadithit i urrejnë bidatçinjtë, të cilët kanë shpikur në Fe gjëra që nuk janë prej saj, nuk i duan ata, nuk i shoqërojnë ata, nuk i dëgjojnë fjalët e tyre, nuk ulen me ta, nuk polemizojnë me ta për Fenë dhe as nuk debatojnë me ta, por shohin të obligueshëm ruajtjen e veshëve nga të dëgjuarit e të kotave të tyre të cilat nëse kalojnë nëpër veshë dhe qëndrojnë në zemër, të dëmtojnë dhe të fusin vesvese e mendime të prishura.

Pikërisht për këtë, Allahu i Madhëruar ka zbritur Fjalën e Tij ku thotë:

“Dhe kur ti i sheh ata të cilët zihen në biseda boshe për Vargjet Tona të Kuranit duke i përqeshur ato, rri larg prej tyre deri sa të kalojnë në një çështje tjetër!” [El En’am: 68]. 

 

Shenjat e bidatçinjve.

 

Shenjat e bidatit janë të qarta e të dukshme te pasuesit e tij, por shenja dhe argumenti më i qartë për njohjen e tyre është urrejtja e fortë që ata kanë për mbartësit dhe përcjellësit e njoftimeve (Haditheve) të të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem), përçmimi i tyre dhe quajtja e tyre si të pavlerë, injorantë, dhahirij (sipërfaqësorë), krahasues (të Allahut me krijesat) etj. Kjo, duke qenë gjithashtu të bindur se njoftimet e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem) janë të zhveshura nga shkenca dhe se dija e vërtetë është ajo që shejtani ua frymëzon atyre prej përfundimeve të nxjerra nga mendjet e tyre të prishura, vesveseve të errëta të gjokseve të tyre, iluzioneve të zemrave të tyre në të cilat nuk ka pikë të mire, si dhe argumentet, apo më mirë dyshimet e tyre boshe dhe të kota: 

“Ata janë ata të cilët i ka mallkuar Allahu, i ka bërë të shurdhër dhe i ka marrë shikimet e tyre.” [Muhamed: 23].

“Dhe atë që përçmon e turpëron Allahu, askush nuk mund ta nderojë. Sigurisht që Allahu bën çfarë Ai do.” [El Haxh: 18].

Kam dëgjuar hafiz El Hakim Ebu Abdullah të thotë: Kam dëgjuar hafiz Ebu Ali el Husejn ibën Ali të thotë: Kam dëgjuar Xheafer ibën Ahmed ibën Senan el Vasiti të thotë: Kam dëgjuar Ahmed ibën Senan el Katan të thotë: 

“Nuk ka bidatçi në botë që të mos i urrejë pasuesit e sunetit. Nëse dikush bën bidate, ëmbëlsia e Hadithit del nga zemra e tij.” [1]

Kam dëgjuar el Hakim të thotë: Kam dëgjuar Ebu el Husejn Muhamed ibën Ahmed el Handhali, në Bagdad të thotë: Kam dëgjuar Muhamed ibën Ismail et Tirmidhi të thotë: Unë dhe Ahmed ibën el Hasen et Tirmidhi shkuam te imami i fesë, Ebu Abdullah Ahmed ibën Hanbel. Ahmed ibën el Hasen i tha atij: O Ebu Abdullah! Njerëzit në Mekë përmendën pasuesit e Hadithit para Ibën Ebi Kutejle dhe ai tha: Ndjekësit e Hadithit janë njerëz të këqinj.

Atëherë Ahmed ibën Hanbel u ngrit duke shtrënguar rroben e tij dhe tha: “Ai është zindik (qafir që nuk beson Botën tjetër dhe as Krijuesin)! Ai është zindik! Ai është zindik! Deri sa hyri në shtëpi.” [2] 

Kam dëgjuar gjithashtu El Hakim Ebu Abdullah të thotë: Kam dëgjuar Ebu Nasr Ahmed ibën Sehl, fakihun (dijetarin e fikhut), në Buhara të thotë: Kam dëgjuar fakih Ebu Nasr ibën Selam të thotë: 

“Nuk ka gjë më të rëndë dhe më të urryer për mosbesimtarët dhe ateistët, se dëgjimi i Hadithit dhe përcjellja e tij me zinxhir transmetuesish.”[3] 

Kam dëgjuar El Hakim të thotë: Kam dëgjuar shejh Ebu Bekër Ahmed ibën Is’hak ibën Ejub, i cili ishte duke diskutuar me një burrë dhe i tha atij: “Na ka treguar filani…”, por ai burri e preu dhe i tha: Lëre këtë “na ka treguar…” dhe deri kur të vazhdoni të thoni “na ka treguar…”. 

Atëherë shejhu i tha atij: Ngrihu ore qafir! Nuk të lejohet ty të hysh më në shtëpinë time, pas kësaj dite. Pastaj u drejtua nga ne dhe tha: Askujt nuk i kam thënë kurrë që të mos hyjë në shtëpinë time, përveç këtij.”[4] 

Kam dëgjuar profesor Ebu Mensur Muhamed ibën Abdullah Hamshad, dijetarin e devotshëm, të thotë: Kam dëgjuar Ebu el Kasim Xheafer ibën Ahmed El Mukirri er Razi të thotë: Dikush lexoi para Abdurrahman ibën Ebi Hatim er Razi dhe unë dëgjoja: Kam dëgjuar babanë tim (kishte për qëllim imamin e qytetit të tij, babanë e tij, Ebu Hatim Muhamed ibën Idris el Handhali), të thotë:

"Shenja bidatçinjve është të folurit keq për ndjekësit e gjurmëve të të Dërguarit dhe shokëve të tij " [5].

Shenja e zindikëve është emërtimi i ndjekësve të sunetit si të pavlefshëm, duke pasur për qëllim me këtë gjë zhdukjen e Haditheve dhe thënieve të Sahabeve.

Shenja e Kaderive [6] është se ata i quajnë ndjekësit e Sunetit “muxhbira”[7].

Shenja e Xhehmive është se ata i quajnë ndjekësit e Sunetit “krahasues”. 

Shenja e Rafidive është se ata i quajnë ndjekësit e Sunetit “Nabiteh” (të sapolindur, të vegjël) dhe “Nasibeh” (ata që urrejnë Ali ibën Ebi Talib dhe Ehli bejtin – familjen e të Dërguarit- dhe që nuk i duan ata, madje i quajnë mosbesimtarë e mëkatarë, siç janë Havarixhët).” 

Them (autori): Të gjitha këto janë partishmëri, ndërsa pasuesëve të sunetit nuk i mvishet veçse një emër i vetëm dhe ai është “Pasuesit e Hadithit”.

  

Bidatçinjtë kanë ndjekur të njëjtën rrugë që kanë ndjekur edhe mushrikët në llagabet që u mveshin pasuesëve të Sunetit.

 

Them: Unë i kam gjetur bidatçinjtë, që në këto emërtime me të cilat kanë quajtur pasuesit e Sunetit, të kenë ndjekur rrugën dhe mënyrën e mushrikëve me të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem). Ata shpeshherë i ndërronin emërtimet për të: disa prej tyre e quanin magjistar, të tjerë fallxhor, të tjerë poet, disa e quanin të çmendur, përçarës, shpifës, trillues e gënjeshtar. Ndërsa i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem) ishte larg dhe i pastër nga të gjitha ato mangësi dhe nuk ka qenë veçse i Dërguar, i zgjedhur dhe Lajmëtar i Allahut. 

Allahu i Lartësuar thotë:

“Shih se çfarë krahasimesh të mveshin ty! Kështu pra, ata kanë dalë në të gabuarën dhe kurrë më nuk gjejnë dot rrugë.” [El Isra: 48 dhe El Furkan: 9]. 

Po kështu edhe bidatçinjtë (Allahu i përçmoftë!), kanë thënë fjalë dhe emërtime të ndryshme për mbartësit e Haditheve të tij (sal-lAllahu alejhi ve selem), për përcjellësit dhe transmetuesit e tyre të cilët marrin për shembull Sunetin e tij (sal-lAllahu alejhi ve selem), duke i quajtur disa prej tyre “hashavije-të pavlerë”, të tjerë i quajtën “krahasues”, “të vegjël”, “armiq të Aliut” etj.

 

Pasuesit e Hadithit janë të pastër nga ajo me të cilën akuzohen.

 

Pasuesit e Hadithit janë larg këtyre të metave, të pastër e të ruajtur dhe nuk janë veçse ndjekës së Sunetit të pavdekshëm, të rrugës së kënaqshme, të rrugës së drejtë dhe të argumenteve të forta e bindëse. Allahu u ka dhënë sukses atyre në ndjekjen e Librit të Tij, Shpalljes dhe Urdhërit të Tij, si dhe në shëmbëllimin me të Dërguarin e Tij (sal-lAllahu alejhi ve selem), në fjalët e tij me të cilat ai urdhëroi popullin e tij për vepra dhe fjalë të mira dhe e ndaloi atë nga të këqiat. I ndihmoi ata për të ndjekur rrugën e tij dhe për drejtëudhëzimin me shtrëngimin pas Sunetit të tij. Ai i hapi gjokset e tyre për t’a dashur atë dhe për të dashur prijesat e Fesë së tij dhe dijetarët e popullit të tij. 

Dhe ai që e do një popull, ai është prej tyre në Ditën e Kijametit, sipas gjykimit të fjalës së të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) që thotë:

“Njeriu (në Botën tjetër) do të jetë me atë që do.” [8]

 

Prej shenjave të pasuesëve të Sunetit është dashuria për dijetarët e Hadithit dhe pasuesit e tij.

 

Një nga shenjat e Ehli Sunetit është dashuria e tyre për imamët e Sunetit, dijetarët e tij, ndjekësit dhe ithtarët e tij, si dhe urrejtja për prijësat e bidatit të cilët thërrasin për në Zjarr dhe i drejtojnë pasuesit e tyre për në banesën e shkatërrimit (Xhehenem).

Allahu i Lartësuar i ka zbukuruar zemrat e ndjekësve të Sunetit dhe i ka ndriçuar ato me dashurinë për dijetarët e Sunetit, si Mirësi dhe Dhuratë prej Tij.

Na ka treguar hafiz el Hakim Ebu Abdullah (Allahu e fustë në Xhenet atë dhe neve!): Na ka treguar Muhamed ibën Ibrahim ibën el Fadl el Mezki: Na ka treguar Ahmed ibën Selemeh: Ebu Raxha Kutejbeh ibën Seid lexoi para nesh librin e tij “El Iman”- Besimi, në fund të të cilit thoshte:

“Nëse sheh dikënd që e do Sufjan eth Theurin, Malik ibën Enesin, el Euzain, Shu’ben, Ibën el Mubarek, Ebu el Ahvas, Sherikun, Vekij’, Jahja ibën Seidin dhe Abdurrahman ibën Mehdiun, dije se ai është ndjekës i Sunetit.”

Ahmed ibën Selemeh thotë: Unë shtova me shkrimin tim poshtë të tijit: Jahja ibën Jahja, Ahmed ibën Hanbel dhe Is’hak ibën Rahavejh.

Kur ai arriti te ky vend në libër, vështroi te ne, banorët e Nisaburit dhe tha: 

- Këta njerëz anojnë shumë nga Jahja ibën Jahja.

- Atëherë ne i thamë: O Ebu Raxha’! Si është Jahja ibën Jahja?

- Ai tha: Njeri i mirë dhe prijës i muslimanëve. Po ashtu edhe Is’hak ibën Ibrahim është prijës i muslimanëve. Ndërsa Ahmed ibën Hanbel është më i madh nga të gjithë ata që përmende.

Ndërsa unë (autori) i bashkangjita atyre që përmendi Kutejbe (Rahimullah), duke u nisur nga parrulla: “Kush i do ata, ai është ndjekës i Sunetit”, unë shtova një grup tjetër prej prijësave të dijetarëve të Hadithit të cilët merren për shembull, në rrugën e të cilëve je i udhëzuar dhe të cilët janë prej grupit të tyre, prej pasuesëve dhe prej ithtarëve të tyre, ndjekës seriozë të gjurmëve të tyre. 

Prej tyre janë: 

Muhamed ibën Idris esh Shafii el Matlibi, imami i paraprirë, zotëriu i madh, dhuruesi i madh për ndjekësit e Islamit dhe të Sunetit, i sakti në gjykime, i inspiruari dhe mësonjësi. Ai i cili ka punuar në Fenë e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ve selem), duke i ndihmuar dhe pastruar ato nga shpifjet e të paqënat, atë punë që nuk e ka bërë kush tjetër prej dijetarëve të kohës së tij dhe as pas atyre.

Prej atyre të cilët kanë qenë para Shafiut (Rahimullah) po kujtoj Seid ibën Xhubejr, Ez Zuhri, Esh Sheabij dhe Et Tejmij.

Ndërsa pas tyre ka qenë: El Lejth ibën Sead, El Euzai, Eth Theuri, Sufjan ibën Ujejneh el Hilali, Hamad ibën Selemeh, Hamad ibën Zejd, Junus ibën Abid, Ejubi, Ibën Auni dhe shokët e tyre.

Pas tyre vjen: Jezid ibën Harun, Abdurrazak dhe Xherir ibën Abdulhamid.

Pas tyre vjen: Muhamed ibën Jahja edh Dhehli, Muhamed ibën Ismail el Buhari, Muslim ibën el Haxhaxh el Kashijri, Ebu Daud es Sixhistani, Ebu Zur’ah er Razi, Ebu Hatim dhe i biri i tij, Muhamed ibën Muslim ibën Uarah, Muhamed ibën Eslem et Tusi, Uthman ibën Seid ed Darimi, Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejmeh, i cili quhej prijësi i prijësave dhe pasha Allahun që ai ka qenë i tillë në kohën e tij, Ebu Jakub Is’hak ibën Ismail el Busti, dy gjyshat e mi para dy baballarëve të mi: Ebu Seid Jahja ibën Mensur el Heravi, Udej ibën Hamdavejh es Sabuni dhe dy djemtë e tij, dy shpata të Sunetit: Ebu Abdullah es Sabuni dhe Ebu Abdurrahman es Sabuni.

E shumë të tjerë prej imamëve të Sunetit të cilët kanë qenë të kapur për të, punonin për përhapjen e tij, thërrisnin në të dhe ua mësonin atë njerëzve. 

Këto rreshta që shkrova në këto fletë kanë qenë besimi i të gjithëve atyre, nga i cili nuk ndryshon asnjë prej tyre, por janë bashkuar të gjithë në të dhe kanë rënë dakord të gjithë për nënshtrimin e ndjekësve të bidatit, për përçmimin dhe talljen e tyre, për largimin dhe dëbimin e tyre, për qëndrimin larg tyre, për mosshoqërimin e mosjetesën me ta dhe se duke i prerë lidhjet dhe fjalët me ta, afrohesh te Allahu i Lartësuar.

Profesori dhe imami - është për qëllim autori - (Rahimullah) thotë:

“Edhe unë, falë Mirësisë së Allahut të Madhëruar, ndjek gjurmët e tyre, ndriçohem me dritën e tyre dhe këshilloj vëllezërit dhe shokët e mi që të mos rrëshqasin nga ndriçimi i tyre dhe të mos ndjekin tjetër përveç fjalëve të tyre. Mos të humbasin kohën me ato bidate të shpikura të cilat janë përhapur në mesin e muslimanëve dhe nga të cilat sikur të ishte shfaqur qoftë edhe një prej tyre në kohën e atyre prijësave, ata do t’a kishin quajtur bidatçi, do t’i prisnin lidhjet me të, do t’a përgënjeshtronin dhe do t’i ktheheshin atij me të gjitha të këqiat dhe të papëlqyerat.

Vëllezërit e mi! Mos t’iu mashtrojë juve numri madh i bidatçinjëve, sepse kjo është prej shenjave të afrimit të Kijametit, siç ka thënë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem):

“Prej shenjave të Kijametit dhe afrimit të tij është pakësimi i dijes dhe shtuarja e injorancës.”[9]

“Dija”, në këtë Hadith, është Suneti, kurse “injoranca” është bidati.

Ai që kapet sot për Sunetin e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe punon sipas tij me qëndrueshmëri, pastaj thërret të tjerët në të, shpërblimi i tij është më i madh dhe më i lartë se i atyre që kanë ndjekur këtë rrugë në fillimet e Islamit, sepse i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë:

“Ai ka shpërblimin e pesëdhjetë muslimanëve.”

- Dikush tha: Shpërblimin e pesëdhjetë prej tyre (të kohës së tij)? 

- Ai (sal-lAllahu alejhi ve selem) tha: “Jo, por sa pesëdhjetë prej jush!” [10] 

I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem) e ka thënë këtë, për atë që punon sipas Sunetit të tij në kohën kur populli të jetë prishur. 

Kam gjetur të shkruar në një libër të gjyshit tim, imam Ebu Abdullah Muhamed ibën Udej ibën Hamdavejh es Sabuni (Rahimullah): Na ka treguar Ebu el Abas el Hasen ibën Sufjan en Nesevi, se el Abas ibën Sabih u ka thënë: Na ka treguar Abdulxhebar ibën Medhahir: Më ka treguar Meamar ibën Rashid: Kam dëgjuar Ibën Shihab ez Zuhri të thotë:

“Të mësuarit e një Suneti është më i mirë se të bësh adhurim dyqind vjet.”[11] 

Na ka treguar Ebu Bekër Muhamed ibën Abdullah ibën Muhamed ibën Zekerija esh Shejbani: Na ka treguar Ebu el Abas Muhamed ibën Abdurrahman ed Deguli: Kam dëgjuar Muhamed ibën Hatim el Madhferi të thotë: Kam dëgjuar Amër ibën Muhamed të thotë: Ebu Muavije ed Darijr po i tregonte Harun er Rashid-it një Hadith nga Ebu Hurejra (radijAll-llahu anhu), në të cilin thuhet:

“Po polemizonin Ademi dhe Musai…”[12] 

- Isa ibën Xheafer tha: Si mund të ketë ndodhur kjo, kur dihet që ndërmjet Ademit dhe Musës është një kohë e gjatë? 

- Atëherë Haruni iu hodh atij dhe tha:

“Ai të tregon për fjalën e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem), ndërsa ti e kundërshton atë duke pyetur “Si?”! 

Obligueshmëria e dorëzimit para asaj, me të cilën ka ardhur i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem)

Kështu duhet për muslimanin, që t’a madhërojë njoftimin e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe ta presë atë me pranim, dorëzim dhe besim.

Gjithashtu duhet që ta ndalojë rreptësisht atë që ndjek rrugë tjetër përveç kësaj rruge të cilën e ka ndjekur edhe Harun er Rashidi me shembullin e atij që e kundërshtoi njoftimin e saktë që dëgjoi, duke pyetur “Si?” dhe me qëllim që t’a mohojë një gjë të tillë dhe t’a quajë të pamundur, duke mos e pritur atë me pranim e dorëzim ashtu siç duhet pranuar çdo gjë që vjen nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem).

Allahu i Madhëruar na bëftë prej atyre që e dëgjojnë Fjalën (Kuranin dhe Sunetin) dhe e ndjekin atë me të mirë, që kapen në jetën e tyre të kësaj bote për Kuranin dhe Sunetin! 

Dhe na largoftë nga pasionet që të humbin, idetë boshe dhe të këqiat përçmuese, me Mirësinë dhe Dhurimin e Tij! 

Ky është fundi i librit dhe Falenderimi i takon vetëm Allahut, ndërsa Mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e Profetëve, Muhamedin (sal-lAllahu alejhi ve selem), mbi shokët dhe familjen e tij.

 

Libri ka përfunduar më 17 Rexheb, të vitit 1297 H.

__________________________________________

[1] - E ka nxjerrë el Hakim, në librin “Njohja e shkencave të Hadithit” dhe el Bagdadi, në librin “Nderi dhe respekti i dijetarëve të Hadithit”.

[2]
- E ka nxjerrë El Hakim, në librin “Njohja e shkencave të Hadithit” dhe El Bagdadi.

[3]
- E ka nxjerrë El Hakim, në librin “Njohja e shkencave të Hadithit” dhe El Bagdadi.

[4]
- E ka nxjerrë El Hakim, në librin “Njohja e shkencave të Hadithit”.

[5]
- Es Sefarijni, në librin “Shkëlqimi i dritave të shndritshme” thotë: “Pasuesit e gjurmëve (ehlul ether) janë ata të cilët e marrin akiden e tyre nga ajo që ka zbritur Allahu i Lartësuar në Librin e Tij apo në Sunetin e të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ve selem) dhe në atë që ka ardhur e është e saktë nga Selefët e mirë prej Sahabeve të ndershëm dhe Tabiinëve, duke hedhur tutje plehrat e ndjekësve të dëshirave e të bidatit, si dhe krundet (fundurinat) e ndjekësve të filozofisë.

[6]
- Kaderijet janë ata që e mohojnë kaderin (caktimin e Allahut), emërtim i cili është bërë i njohur edhe për Mu’tezilitë, sepse ata pretendojnë se njerëzit i krijojnë vetë punët e tyre dhe se Allahu nuk ka caktuar asgjë.

[7]
- Rrënja e kësaj fjale është el Xhebër që do të thotë: Mohimi i kryerjes së veprës nga njeriu në të vërtetë dhe mveshja e saj Allahut të Lartësuar. Xheberiet janë një prej grupeve të humbura që thonë se njeriu është i detyruar në veprat e tij dhe se nuk mund të zgjedhë gjë përveç asaj që i është shkruar nga Allahu. Këta janë në vetvete grupe të shumta. Më tepruesit e tyre janë ata që thonë se njeriu nuk bën asnjë vepër dhe nuk ka fuqi të bëjë asgjë, por Ai që bën në të vërtetë, sipas këtyre, është Allahu. Këta janë ndjekësit e Xhehëm ibën Safvan. Disa të tjerë që mund të konsiderohen të mesëm të tyre, thonë se njeriu ka njëfarë fuqie por pa ndikim.[Marrë nga libri “El Milel uen-Nihal” i esh Shehrastanit].

[8]
- E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[9]
- E transmeton Buhariu, Muslimi etj.

[10]
- E ka nxjerrë Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe ibën Maxheh.

[11]
- E ka nxjerrë Ebu Ismail el Heravi, në librin “Dhemul kelami ue ehlihi”.

[12]
- Ky Hadith është Muttefekun alejhi dhe Hadithi i plotë është: Transmetohet nga Ebu Hurejra (radijAll-llahu anhu), se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve selem) ka thënë: “Po polemizonin Ademi dhe Musai. Musai tha: O Adem! Ti je babai ynë që na hoqe shpresat dhe na nxorre nga Xheneti. Ademi i tha atij: Ti je Musai që Allahu të ka veçuar me të Folurin e Tij dhe që të ka thurur planet me Dorën e Tij, a po më qorton mua për një gjë, të cilën Allahu e ka caktuar dyzet vjet para se të më krijonte? Atëherë i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem) tha: Kështu që e mundi Ademi Musën, e mundi Ademi Musën!” 

[13]
- Këtë histori të Harun er Rashid-it, e transmeton el Hatib el Bagdadi në “Tarihul Bagdad”.


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free