SHKRIMI NË INTERNET
SHKRIMI NË INTERNET ME PSEUDONIME DHE EMRA FALLCO.
Shejh Salih el Feuzan1
Pyetja: këtë pyetje e bëjnë shumë prej vëllezërve lidhur me përcjelljen e materialeve në internet me pseudonim; çfarë gjykimi ka kjo gjë dhe a konsiderohet ai prej të panjohurve?
Përgjigja: po, ai konsiderohet prej të panjohurve. Nëse ai që e ka vendosur në internet e përkatëson (materialin) dhe ia referon librave të dijetarëve, atëherë kthehu tek librat e dijetarëve dhe mos iu refero asaj që është përhapur. E nëse ajo që është përhapur nuk e ka të përmendur burimin dhe as referimin, lëre dhe mos u merr me të.
[1] Shejh Rabi’ el Medkhali2
Mos të flasë dhe mos të shkruajë vetëm se ai që është i ditur për çfarë shkruan – Allahu ju begatoftë – dhe të shkruajë me emër të tij, sepse shumë njerëz fshihen pas këtyre emrave fallco duke nxitur dhe thënë çfarë dëshirojnë.
Pasha Allahun! Kjo e ka dëmtuar shumë dhe shumë thirrjen Selefije, i ka dëmtuar pjestarët e saj duke i përçarë, duke i ndarë dhe çdo ditë shikon vetëm përçarje dhe mospajtime mes selefive duke e lënë të folurin kundër bidatçive.
Unë shpresoj që të gjithë dijetarët e Medines dhe të tjera vendeve ta kundërshtojnë këtë rrezik që i ka ardhur Selefizmit, që t’ia largojnë asaj dëmet dhe të flasin për këto çështje vetëm dijetarët. Mos të flasë çdo kush me emra të fshehur dhe me qëllim të paqartë. Pasha Allahun! Vetëm një njeri i poshtër e fsheh emrin e tij! EstagfirUllahi el Adhim!3
Pse po e fsheh emrin tënd?!
Nëse ke të vërtetën me vete atëherë tregoje emrin, e nëse ke të kotën frikësohu Allahut! Mos fol! Nuk ka nevojë që të fshihen emrat, nuk ka kurrë farë nevoje! Kjo nuk ka qënë e njohur tek Selefët...
[2] Shejh Rabi’ el Medkhali4
Me këtë rast këshillën time ia drejtoj atyre që Allahu u ka dhënë sukses për të pasuar menhexhin e Selefëve të devotshëm, që t’i frikësohen Allahut dhe ta ndjejnë mbikqyrjen e Tij në çdo rast, qoftë haptazi apo fshehtazi, t’ia përkushtojnë fjalët dhe veprat e tyre Allahut dhe t’i hyjnë seriozisht kërkimit të diturisë së dobishme.
I porosis antarët e faqeve të internetit, që këto faqe t’i bëjnë mjete të sukseshme për përhapjen e menhexhit Selefi sipas mënyrës së saktë akademike në çdo gjë që ia ofrojnë njerëzve përmes këtyre mjeteve që u janë mundësuar.
Po ashtu i porosis që ta marrin atë përsipër njerëzit e përshtatshëm, prej dijetarëve të këtij mehexhi, veçanërisht ata që janë të specializuar.
Kush është i specializuar në komentimin e Kuranit Fisnik le të shkruajë në tefsir dhe dituritë e tij. Po ashtu le të trajtojë çështje të akides, llojet e saj, çështje të adhurimit, të marrdhënieve me njerëzit dhe të moralit gjatë komentimit të ajeteve ashtu siç trajton çështje të bazave të tefsirit dhe llojeve të tij.
I specializuari në hadith le t’i bazojë artikujt e tij në Sunetin e Pejgamberit sal- lAllahu alejhi ue sel-lem, le të përqendrohet tek akidja dhe tek të tjerat sikurse i thamë vëllaut të tij që komenton Kuranin. Po ashtu ai duhet të shkruajë artikuj në shkencën e terminologjisë së hadithit dhe për biografitë e dijetarëve të hadithit.
I specializuari në fik’h le të shkruajë artikuj në këtë lëmi dhe le të zgjedhë artikuj që i ndihmojnë nxënësit e diturisë të kuptojnë Librin e Allahut dhe Sunetin e Pejgamberit të Tij; le t’i bashkangjisë argumentet përkatëse çështjeve që i trajton.
I specializuari në histori le të shkruajë për jetëshkrimin e Pejgamberit sal- lAllahu alejhi ue sel-lem, të shokëve të tij, të dijetarëve të spikatur të këtij umeti të cilët kanë kontribut të dalluar në ndihmë të Islamit.
I specializuari në leximin dhe recitimin e Kuranit le të shkruajë artikuj në këtë lëmi.
I specializuari në gjuhë le të shkruajë artikuj në këtë lëmi, mirëpo me kusht që të distancohet nga çështjet që nuk njihen në menhexhin Selefi, sikur përdorimi figurativ (el mexhaz) dhe llojet e tij.
Po ashtu mos të marrë përsipër të kritikojë bidatçitë dhe t’i hedhë poshtë të kotat e tyre vetëm se dijetarët.
Shpresoj nga administratorët e këtyre faqeve sikur sahab.net dhe të ngjashmet me të, që të pranojnë vetëm artikujt e nxjerra nga autorët që kanë vendosur emrat e tyre publikisht dhe mos të pranojnë njerëz me pseudonime.
Gjithashtu shpresoj nga selefitë në përgjithësi që t’i distancohen debateve dhe shkaqeve të përçarjes. Nëse diçka prej këtyre gjërave ndodh mes disa vëllezërve, shpresoj që mos të bëjnë diskutime të shumta, të mos përcjellin diçka prej tyre në faqet Selefije të internetit apo diku tjetër, mirëpo t’i zgjidhin ato tek dijetarët në mënyrë që ata të flasin fjalën e vërtetë, e cila inshaAllah i jep fund mospajtimit.
I këshilloj vëllezërit që të përpiqen të përhapin mes tyre diturinë e dobishme, shkaqet e dashurisë dhe vëllazërisë.
Allahu i dhëntë të gjithëve sukses për tek ajo që e don dhe është i kënaqur me të, i bashkoftë zemrat, vërtet Zoti im është Dëgjuesi i lutjeve.
Shkroi: Rabi’ ibën Hadi Umejr el Medkhali 25 Dhul Ki’deh 1424 hixhri, në Meken e bekuar.
Shejh Ubejd el Xhabiri5
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
Lavdi Allahut, Zotit të krijesave dhe armiqësimi është vetëm për të padrejtët. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të Vetëm e të pashok; e Tij është e vërteta e qartë dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, i cili e ka përcjellë mesazhin e qartë, përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të, për familjen dhe shokët e tij.
Më pas:
Vërtet unë kam medituar rreth fitnes që ka ndodhur së fundmi, kam medituar rreth pasojave dhe përfundimeve që janë shfaqur tek të rinjtë dhe vëllezërit tanë të kapur për menhexhin e Selefëve të devotshëm. Kam vërejtur shumë më the e të thashë prej atyre që kanë pak dituri dhe njohuri në Fenë e Allahut, në Sheriatin e Tij dhe asaj që kanë Selefët e umetit, duke u bërë ushqyes të kësaj fitneje dhe nxitës të saj. Shumica e këtyre problemeve i rikthehen rrjetit të internetit dhe asaj që thuhet apo shkruhet në të nga personat që i cilësova.
Shkaku kryesor i kësaj gjëje është: fshehja pas emrave, nofkave dhe kunieve6 që fshehin personin real.
Për t’i dhënë fund këtij problemi që po shtohet dita ditës dhe të cilës po i zmadhohet rrethi, unë i bëj thirrje vëllezërve të mi të sinqertë që të praktikojnë hadithin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ku thotë:
“Kush e beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, le të flasë mirë ose të heshtë.”
Apo siç ka thënë Ibën Sirini RahimehUllah:
“Vërtet kjo dituri është Fe, andaj shikoni se nga kush po e merrni Fenë tuaj.”
Kjo arrihet përmes shfaqjes së emrit real nga ana e atyre që duan të marrin pjesë dhe të shkruajnë në këto forume, veçanërisht tek forumi Selefi sahab.net; le të japim kontribut të gjithë ne për pakësimin e problemeve dhe thashethemeve. Përmes një shqyrtimi na bëhen të qarta dobitë e pjesmarrjes me emër të vërtetë siç vijon:
1 - Njeriu duhet ta marrë shtruar, të mendojë dhe të mendojë mirë para se të shkruajë dhe postojë artikullin.
2 - Duhet të njohim nivelin akademik dhe metodologjik të shkruesit.
3 - Nuk duhet të nxitohet apo rrëmbehet në përhapjen e gjërave pa i vërtetuar dhe parashtruar dijetarëve.
4 - Të kuptohen pasojat dhe rrjedhojat që sjell shkrimi me emrin real.
5 - Pakësimi i të shkruarit dhe publikimit të shumtë.
6 - Shkrimet dhe këshillimet të kufizohen tek dijetarët, nxënësit e dijes dhe moslejimi që ta bëjë atë çdokush.
7 - Shfaqja e pozitës reale që kanë dijetarët, i përparësisë së tyre, aftësisë së tyre për këshillim, mësimdhënie dhe kritikim.
8 - Shfaqja e menhexhit Selefi me imazhin e tij të bukur dhe formën e tij të përkryer përmes njohjes së personave; gjëndjes dhe personaliteteve të tyre.
9 - Të praktikohen gjykimet Sheriatike ndaj kundërshtarëve, kokëfortëve dhe gënjeshtarëve. Duhet të jemi në gjëndje të vërtetojmë dhe faktojmë gjëndjen e personave specifikë, mirëpo kjo aftësi do zhduket ose zvogëlohet për aq kohë sa ne nuk i njohim ata, apo janë anonimë.
10 - Të shtohen artikujt akademikë dhe metodologjikë të dobishëm dhe të pakësohen artikujt e padobishëm dhe të dobët.
11 - Të distancohemi nga metodat e hizbive, lëvizjeve dhe grumbullimeve të fshehta, po ashtu kundërshtimi i tyre në fshehjen dhe maskimin pas nofkave dhe kunieve, pasi këto janë cilësitë dhe shenjat e tyre më të spikatura.
12 - Shfaqja e qartësisë dhe besueshmërisë të cilat janë prej cilësive më të spikatura të menhexhit Selefi, e kjo përmes shfaqjes së emrit të vërtetë.
Ka edhe të tjera dobi dhe përfundime të cilat i përfitojmë nga shfaqja e emrit të vërtetë, andaj shpresojmë që të jemi ne të parët që e nisin këtë rrugë të bukur në rrjetin e internetit, në mënyrë që të marrim shpërblimin e saj dhe shpërblimin e atyre që e veprojnë (pas nesh).
Kthehem përsëri dhe i bëj thirrje të rinjve tanë selefi të zellshëm, që të përhapin të mirën, të largojnë të keqen, ta pakësojnë atë dhe t’i mbyllin burimet dhe shtigjet e tij. I bëj thirrje që t’i përgjigjen kësaj kërkese, këtyre sugjerimeve dhe t’i shikojnë me mençuri që buron nga Sheriati i dëlirë, i cili sjell çdo dobi dhe largon çdo të keqe. I bëj thirrje që t’i përgjigjen këtyre sugjerimeve që e bëjnë të dalluar (si person), e dallojnë thirrjen e tij, sinqeritetin e tij, kthjelltësinë e personalitetit të tij, menhexhin dhe qëllimin e tij të mirë.
Shpresojmë që vëllezërit që administrojnë faqen sahab.net të përpiqen bashkë me ne në përhapjen e kësaj kërkese dhe këtij sugjerimi, duke e publikuar artikullin në fillim të faqes për një kohë që t’i mjaftojë të rinjve tanë apo shumicës së tyre për ta lexuar. Le të hapin mundësinë për t’u rregjistruar me emër real dhe t’i ndryshojnë kuniet dhe nofkat e tyre.
Përshëndetjet dhe bekimet qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed, familjen dhe shokët e tij me bekime të shumta deri në Ditën e Gjykimit. Lavdi Allahut, Zotit të krijesave.
Shkroi: Ubejd ibën Abdullah ibën Sulejman el Xhabiri Më herët mësues në Fakultetin Islamik Ditën e shtunë datë 21 Rexheb 1423 hixhri.
Përktheu: Besmir Cacani Shkodër Ditën e xhuma datë 11 Safer 1438 hixhri (11.11.2016 g)
1 - Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=42999
2 - Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=44036
3 - I kërkoj falje Allahut Madhështor! (shp)
4 - Burimi: http://www.albaidha.net/vb4/showthread.php?t=8992
5 - Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=123443
6 - Nofka që fillojnë me Ebu, si psh Ebu Filani. (shp)