Diskuton Rebelimin
Shejkhul-Islam Ibn Tejmije diskuton Rebelimin kundër Udhëheqësve dhe Rebelimin që bënë disa nga Selefët.
Autor: Shejkhul-Islam Ibn Tejmije
Burimi: ‘Minhaxhus-Sunneh’ (4/527)
Marrë nga: SalafiPublications.com
Shënim: Të gjitha komentet në fundnota janë nga SalafiPublications
E gjithë lavdia i takon Allahut, salavatet dhe selamet janë për të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). E më pas:
Këto janë fjalët e Shejkhul-Islam Ibn Tejmijes të cilat meritojnë të shkruhen me bojë ari pasi ato janë mjaft të thella dhe shpjegojnë urtësinë e madhe që përmbajnë urdhërat e Sheriatit në lidhje me udhëheqësit; si dhe nxjerrin në shesh shkatërrimin që ndodhet tek grupet bashkëkohore si Khauarixhët etj, të cilët nuk sjellin gjë tjetër përveç dëmit dhe shkatërrimit në emër të përmirësimit.
Fjalët e Shejkhul-Islam Ibn Tejmijes janë shkëputur nga vepra e tij madhështore ‘Minhaxhus-Sunneh’ (4/527).
Teksti:
“Sepse vërtet Allahu i Lartësuar çoi të Dërguarin e Tij (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) për arritjen e dobive dhe përsosjen e tyre, dhe për të hedhur poshtë gjërat e dëmshme dhe pakësimin e tyre. Dhe kur dikush prej Khalifeve mori pushtetin, siç ishte Zejdi, ‘Abdul-Meliku, Mensuri dhe të tjerë, edhe atëherë u tha: Është obligim që ta ndalojmë atë nga ky pushtet dhe ta luftojmë atë derisa pushteti t’i jepet dikujt tjetër - siç mendojnë ata të cilët e konsiderojnë të drejtë përdorimin e shpatës.
Dhe ky mendim është i prishur, sepse dëmi në këtë çështje është më i madh sesa dobia. Dhe nuk ngeli njeri që u rebelua kundër një udhëheqësi me pushtet, përveç se ajo që buroi nga veprimi i tij i keq në të vërtetë ishte më e madhe sesa çdo e mirë që buroi prej tij, siç ishin ata që u rebeluan kundër Jezidit në Medine, apo si Ibnul-Esh’ati që u rebelua kund ‘Abdul-Melikut në ‘Irak, apo si Ibnul-Mihlabi që u rebelua kundër të birit të tij në Khurasan, dhe si ata që u rebeluan kundër Mensurit në Medine dhe Basra, dhe si ata që ishin njëjtë me ta.
Qëllimi i tyre ishte që ata të dalin fitimtarë ose që të munden, pastaj sundimi i tyre të mbaronte dhe kështu që ata të mos kishin ndonjë përfundim. Sepse ‘Abdullah bin ‘Ali dhe Ebu Muslim ishin ata që vranë një numër të madh njerëzish, dhe që të dy ata u vranë nga Ebu Xha’fer el-Mensur. Kurse për sa i përket njerëzve të Harras (në Medine) dhe Ibnul-Esh’atit, Ibnul-Mihlabit dhe të tjerëve, ata u shpartalluan dhe shokët e tyre poashtu u shpartalluan. Dhe ata kurrë nuk e ngritën Fenë dhe nuk e lanë as dynjanë (d.m.th. jetën e kësaj dynjaje) që të mbetej ashtu siç ishte. [1]
Allahu i Lartësuar nuk urdhëron diçka nga e cila nuk arrihet përmirësimi i dynjasë dhe i fesë - edhe nëse ai që e bën atë është nga Eulijatë e Allahut, nga Mutekinët (të Devotshmit) dhe nga Njerëzit e Xhenetit. [2] Për arsye se ata nuk janë më të mirë sesa A’ishah, Talha, Zubejri dhe të tjerët, dhe pavarsisht (asaj çfarë bënë) ata nuk e lavdëruan luftën në të cilën përfunduan, dhe njerëz si këta janë me gradë dhe pozitë më të madhe para Allahut dhe me nijet më të mirë sesa ata që nuk janë prej tyre... [3]
El-Hasen el-Basri thoshte: “Me të vërtetë Haxhaxhi është një dënim nga Allahu, kështu që mos e hiqni dënimin e Allahut me duart tuaja, por ju duhet ta hiqni atë me përulje dhe nënshtrim.” [4]
Njerëzit më të mirë nga Muslimanët (e hershëm) e ndalonin rebelimin dhe luftimin në kohë fitnesh, siç ishte ‘Abdullah Ibn ‘Umeri, Se’id Ibnul-Musejjib, ‘Ali bin el-Hasen dhe të tjerë; të gjithë ata ndalonin gjatë vitit të (fitnes së) Harras nga rebelimi kundër Jezidit, ashtu sikurse el-Hasen el-Basri dhe Muxhahidi dhe të tjerët e ndalonin rebelimin gjatë fitnes së Ibnul-Esh’atit. [5]
Dhe prandaj Ehli-Suneti mbajnë qëndrim të palëkundur për braktisjen e luftimit në kohë fitnesh për shkak të haditheve të sakta që janë vërtetuar nga Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), dhe ata filluan ta përmendin këtë çështje në veprat e tyre rreth Akides dhe urdhëronin për të qenë të duruar me zullumin e udhëheqësve dhe për ta braktisur luftimin kundër tyre - edhe nëse një pjesë e madhe e njerëzve të dijes luftuan kundër tyre gjatë fitnes...
Dhe kushdo që mendon me kujdes rreth haditheve të sakta që janë vërtetuar nga Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) në lidhje me këtë temë. dhe poashtu mendon me kujdes ashtu sikur njerëzit që kanë mendjemprehtësi dhe dije të thellë, ai do ta marrë vesh se këshillat që përmbajnë tekstet Pejgamberike janë më të mira se çdo çështje tjetër. [6]
Prandaj kur Husejni (radij-Allahu ‘anhu) kërkoi që të rebelohej kundër popullit të ‘Irakut, ata i shkruajtën atij shumë letra, siç kanë treguar njerëzit e dijes si Ibn ‘Umeri, Ibn ‘Abbasi, Ebu Bekr bin ‘Abdur-Rrahman bin el-Harith bin Hisham, se ai nuk duhet të bënte revoltë dhe ajo që besonin shumica ishte se ai do të vritej... dhe në fakt ata donin që t’i jepnin atij këshillë të sinqertë dhe donim atë që ishte më e dobishme dhe më e mirë për të dhe për Muslimanët në përgjithësi, dhe se në të vërtetë Allahu dhe i Dërguari i tij urdhërojnë vetëm për përmirësim dhe jo për shkatërrim. Sidoqoftë, mendimi ndonjëherë mund të jetë i saktë dhe ndonjëherë mund të jetë i gabuar. [7]
Kështu që është bërë e qartë se çështja e saktë ishte ajo që thanë ata dhe se nuk u pa tek revolta ndonjë përmirësim apo përfitim për fenë dhe as për dynjanë. Përkundrazi, ata zullumqarë qenë të aftë që të mposhtnin edhe nipin e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) derisa e vranë atë padrejtësisht si shehid. Dhe me revoltën dhe luftimin që bëri ai (kundër atyre) pati shkatërrim dhe dëme që nuk do të kishin ndodhur nëse ai do ulej e do qëndronte në qytetin e tij. Sepse asnjë nga ato të mira që synonte të arrinte dhe të këqiat që donte të largonte ai nuk u realizuan. Përkundrazi, nga revolta dhe lufta e tij buruan vetëm të këqia dhe për shkak të saj u pakësua edhe mirësia. Dhe kjo ishte gjithashtu shkak për një të keqe mjaft të madhe dhe vrasja e vetë Husejnit solli fitne ashtu siç buruan fitne nga vrasja e ‘Uthmanit. [8]
Dhe kjo është e gjithë ajo që shpjegon se çdo urdhër që ka dhënë Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) për të qenë të duruar me tiraninë e Udhëheqësve dhe për të hequr dorë nga luftimi dhe rebelimi kundër tyre, është nga çështjet më të dobishme dhe më përmirësuese qoftë për këtë jetë ashtu edhe për jetën tjetër, dhe se kushdo që e kundërshton këtë qëllimisht apo për shkak të ndonjë gabimi, atëherë asnjë përmirësim nuk arrihet me veprimin e tij, por vetëm se shkatërrim. [9]
Dhe për këtë arsye Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e lavdëroi Hasenin me thënien e tij: “Vërtet ky biri im është një zotëri (sejjid) dhe Allahu do të pajtojë nëpërmjet tij dy grupe të mëdha të Muslimanëve.” Por ai nuk lavdëroi askënd për luftimin në kohë fitnesh, për rebelimin kundër udhëheqësve, për heqjen dorë nga bindja apo për shkëputjen nga Xhemati.
Dhe hadithet e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) që janë vërtetuar në Sahih, të gjitha ato e tregojnë këtë... dhe kjo shpjegon se pajtimi midis dy fraksioneve u lavdërua dhe ishte i dashur nga Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe se ajo që bëri Haseni me këtë pajtim ishte nga virtyti dhe pozita e madhe që kishte ai, për shkak të së cilës Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) e lavdëroi atë. Dhe nëse luftimi do të kishte qenë i obligueshëm apo i këshillueshëm - dhe Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) kurrë nuk lavdëroi ndonjë njeri për braktisjen e asaj që është e obligueshme apo e këshillueshme - dhe për këtë arsye (që luftimi nuk është i obligueshëm apo i këshillueshëm) Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nuk lavdëroi asnjërin për atë që ndodhi në luftën e Devesë dhe Siffinit, e lëre më pastaj atë që ndodhi në Medine në Ditën e Harras, dhe ato që ndodhën në Mekë në rrethimin e Ibn Zubejrit, dhe ato që ndodhën në fitnet e Ibnul-Esh’atit dhe Ibn Mihlabit, si dhe fitnet e tjera si ato. [10]
Por është transmetuar nga ai me një transmetim muteuatir se ai urdhëroi luftimin kundër Khauarixhëve, Renegatëve, ata të cilët i luftoi Prijësi i Besimtarëve ‘Ali bin Ebi Talib (radij-Allahu ‘anhu) në Nahrauan mbasi që ata u rebeluan kundër tij në Harura. Sepse transmetimet nga Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ishin me tepricë në lidhje me luftimin kundër tyre (d.m.th. kundër Khauarixhëve), dhe kur ‘Aliu (radij-Allahu ‘anhu) luftoi kundër tyre, ai u gëzua me luftimin e tyre, dhe poashtu ai tregoi një hadith rreth atyre që edhe Sahabët ranë dakort për luftimin e tyre. [11]
Gjithashtu edhe për njerëzit e dijes që erdhën pas tyre, ky luftim (kundër Khauarixhëve) nuk ishte si luftimi i njerëzve të Xhemelit dhe Sifinit dhe të tjerëve përveç tyre, që ishte prej atyre çështjeve për të cilat nuk ka ardhur asnjë tekst unanimiteti (ixhmaje) dhe asnjë lavdërim nga ata fisnikë që morën pjesë në të (në fitnen e Xhemelit, Sifinit). Por, ata ndienin keqardhje për të dhe gjithashtu u kthyen (duke u penduar) nga ajo.
Dhe ky hadith (rreth Hasenit) është nga shenjat e Pejgamberisë së Pejgamberit tonë Muhamed (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), kur ai tha ato fjalë për Hasenin dhe pastaj e lavdëroi atë. Pra, çdo gjë që tha dhe çdo gjë që lavdëroi ai ishte në përpurthje me të vërtetën e cila faktikisht ndodhi më shumë se 30 vjet më pas...
Pikërisht kjo gjë është urtësia e vërtetë që ligjvënësi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) po përpiqej të sillte dhe të edukonte me ndalimin e rebelimit kundër udhëheqësve, dhe ai u mësoi që të braktiset luftimi në kohë fitnesh - edhe nëse ata që ranë tek kjo fitne mendonin se qëllimi i tyre ishte urdhërimi i të mirës dhe ndalimi i të keqes.
Dhe është pikërisht nga ky këndvështrim (d.m.th. qëllimi për urdhërimin e të mirës dhe ndalimin e të keqes) që Khauarixhët e bënë të lejuar shpatën kundër njerëzve të kiblës derisa ata vranë ‘Aliun dhe Muslimanë të tjerë. Dhe poashtu, ata që u pajtuan me ta (me Khauarixhët) në rebelimin kundër Udhëheqësve me shpatë në përgjithësi, siç ishin Mu’tezilët, Zejditë dhe Fukahatë, si dhe njerëz të tjerë si puna e atyre që u rebeluan bashkë me Muhamed bin ‘Abdullah bin ‘Abdullah bin Hasen bin Husejn dhe vëllai i tij Ibrahim bin ‘Abdullah bin Hasen bin Husejn etj. Për shkak se ata (që u rebeluan) ishin njerëz të Fesë, por ata gabuan nga dy këndvështrime:
E para: Ajo që ata e konsideronin se ishte prej Fesë në të vërtetë nuk është prej Fesë, siç ishte mendimi i Khauarixhëve dhe të tjerëve nga njerëzit e epsheve, sepse ata besonin në një mendim që është gabim dhe është bidat, dhe pastaj ata i luftojnë njerëzit duke u bazuar në atë mendim. Madje ata i shpallin qafira ata që dalin kundër tyre. Prandaj ata u hallakatën në mendimin e tyre dhe në luftimin e atyre që i kundërshtonin, ose bënin tekfir mbi ta ose i mallkonin.
Dhe kjo është gjendja e Njerëzve të Epsheve (Bidatçijve) në përgjithësi, siç janë Xhehmijet që i thërrisnin njerëzit që të refuzonin realitetin e Emrave të Bukur të Allahut dhe Cilësisive të Larta të Tij. Ata thonë: “Vërtet Ai nuk ka të folur përveç të folurës që Ai e krijoi tek të tjerët, dhe Ai nuk do të shikohet” dhe gjëra të tjera si këto. Gjithashtu disa prej tyre (Xhehmijeve) i futën njerëzit në fitne kur disa nga udhëheqësit mbajtën anën e tyre dhe kështu ata e dënonin këdo që kundërshtonte mendimin e tyre ose me vdekje, ose me burgosje, ose me dëbim dhe më ndalimin e mjeteve të jetesës. Xhehmijet e kanë bërë këtë më tepër se një herë (përgjatë historisë) dhe Allahu është Ai që i përkrah robërit e tij besimtarë kundër atyre.
Kurse Rafidat janë akoma më të këqinj sesa ata kur marrin pushtetin në dorë, sepse ata (Rafidat) janë besnikë të Qafirave dhe ndihmëtarët e tyre, dhe ata janë armiqësorë me të gjithë ata Muslimanë që nuk pajtohen me mendimin e tyre. Kështu janë edhe ata që kanë diçka nga bidatet, qoftë bidati i Hululit... apo bidati i Mohimit (të Cilësive të Allahut) apo ata që i kalojnë kufijtë në Pohim (të Cilësive të Allahut) apo bidati i Kaderive, apo ai i Irrxhasë etj. Do të shikoni se ai (bidatçiu) ka besime të prishura dhe pastaj e shpall qafir çdokënd që e kundërshtoi atë. Dhe Khauarixhët Renegatë janë Imamët e të gjithë atyre që bëjnë tekfir mbi Ehli-Sunetin dhe Xhematin dhe në luftimin e tyre. [12]
E dyta: Ai që lufton duke u bazuar në besimin e tij në një pikëpamje që bie ndesh me Sunetin dhe Xhematin, siç janë njerëzit e Xhemelit, Sifinit, Harras, el-Xhemaxhim etj. Megjithatë, ai mendon se përmirësimi dhe dobia e kërkuar do të arrihet nëpërmjet këtij luftimi, por ky luftim nuk i arrin këto gjëra. Përkundrazi, shkatërrimi dhe dëmi zmadhohen akoma më shumë, më shumë se ç’ishte në fillim. Dhe atëherë ajo që ligjvënësi (Pejgamberi) kishte treguar dhe kishte udhëzuar (se ku qëndronte përmirësimi në të vërtetë) më në fund u bëhet e qartë atyre kur e gjithë çështja ka mbaruar.
Dhe ajo që është mirë që të dihet është se shkaqet e këtyre fitneve janë të përziera, sepse zemra bie në disa gjendje që e pengojnë atë që ta njohë të vërtetën dhe ta dojë atë, dhe kështu ata ngjasojnë me gjendjen e Xhahilijetit. Për shkak se në Xhahilijet nuk kishte dije rreth të vërtetës dhe as nuk kishte dëshirë për ta njohur këtë të vërtetë. Dhe pastaj erdhi Islami me dije të dobishme dhe punë të mira, që është dija e të vërtetës dhe dëshira për ta kërkuar atë.
Është rënë në mendim unanim (ixhma’) se disa nga udhëheqësit bëjnë zullum me anë të monopolit, kontrollit (d.m.th. janë autoritarë dhe shpërdorojnë me detyrën) dhe pastaj shpirtrat nuk e durojnë dot zullumin e tij. Dhe atyre nuk u lejohet që ta heqin zullumin e tij me atë që është më e madhe sesa ai (d.m.th. më e madhe sesa zullumi i tij). Megjithatë, për hir të dashurisë që ka personi që atij t’i jepet e drejta e tij ligjore dhe të largohet zullumi i tij (i udhëheqësit), ai nuk shikon (dhe nuk merr parasysh) shkatërrimin dhe dëmin në përgjithësi që do burojë nga veprimi i tij.
Prandaj Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Vërtet, ju do të përballeni me vështirësi, prandaj kini durim derisa të takoheni me mua tek Haudi.” Dhe gjithashtu është vërtetuar në Sahih se ai ka thënë: “Detyrë për Muslimanin është që ai të dëgjojë dhe të bindet, në kohë vështirësie dhe rehatie, në gjëra që ai i urren apo në gjëra që i pëlqen, edhe kur i jepet përparësi dikujt tjetër (në vend të tij).” Sepse Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i urdhëroi Muslimanët që të jenë të duruar kur janë nën kontroll, të zaptuar, dhe se duhet t’u binden atyre që kanë pushtet mbi çështjet e tyre edhe nëse ata (udhëheqësit) u japin përparësi veteve të tyre mbi ata, dhe se ata nuk duhet të hyjnë në konflikt për pushtet. Dhe shumë prej atyre që u revoltuan kundër pushtetarëve - apo pjesa dërmuese e tyre - u revoltuan në mënyrë që t’i luftonin ata (për pushtet), ata nuk u treguan të duruar me shpërdorimin dhe kontrollin e pushtetarëve... dhe ai që lufton vazhdon të mendojë se po lufton vetëm për të mos patur më fitne dhe që feja të jetë e gjithë për Allahun, por prapëseprapë motivi më i madh që e shtyu atë (në këtë revoltë) ishte kërkimi i pjesës së tij qoftë në pushtet apo në pasuri. [13]
Sikurse ka thënë edhe Allahu i Lartësuar:
وَمِنْهُمْ مَنْ يَلْمِزُكَ فِي الصَّدَقَاتِ فَإِنْ أُعْطُوا مِنْهَا رَضُوا وَإِنْ لَمْ يُعْطَوْا مِنْهَا إِذَا هُمْ يَسْخَطُونَ (٥٨)
“Në qoftë se u jepet një pjesë hise prej saj (sadakasë), ata janë të kënaqur, por nëse nuk u jepet gjë prej saj, kur ç’të shohësh! Ata janë bërë si të tërbuar!” [Teube, 58]
Dhe në Sahih [është transmetuar] nga Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) se ai ka thënë: “Janë tri njerëz të cilëve Allahu nuk do t’u flasë, nuk do t’i shikojë në Ditën e Gjykimit dhe as nuk do t’i pastrojë; dhe ata do të kenë një dënim të dhimbshëm... dhe burri që i jep besën prijësit (imamit) dhe nuk e bën këtë përveç se për hir të dynjasë, nëse i japin nga ajo (dynjaja), ai kënaqet, dhe nëse nuk i japin, ai tërbohet...”
Dhe ai urdhëroi për të patur durim me shpërdorimin e tyre, dhe e ndaloi luftimin kundër tyre dhe hyrjen në konflikt me ata (për pushtet), pavarsisht zullumit të tyre. Sepse prishja, shkatërrimi që vjen nga luftimi në kohë fitnesh është më i madh sesa prishja dhe zullumi i atyre që janë në pushtet. Kështu që, më e vogla nga dy të këqia nuk duhet të hiqet me të keqen më të madhe. Dhe kushdo që reflekton rreth Kur'anit dhe Sunetit që është vërtetuar nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe mendon me kujdes, do të shohë se ato janë në përputhje me atë që ai shikon në shpirtin e tij.”
Fundi i fjalëve të Shejkhul-Islam Ibn Tejmijes.
Komente:
[1] - Dhe kjo është trashëgimia e të gjithë atyre që hyjnë në konflikt me pushtetarët me qëllim që të ulen vetë në fronet e pushtetit të tyre. Ata as nuk e ngrenë fenë me veprimet e tyre dhe as nuk lejojnë që çështjet e dynjasë të mbeten ashtu siç janë. Dhe shembuj për këtë në të shkuarën dhe të tashmen janë të panumërta për t’u përmendur.
[2] - E si është puna atëherë kur këta në kohën tonë janë njerëzit më të poshtër, më injorantë e më të paedukuar, të cilët ngrejnë kurthe vetëm për ligësi dhe shkatërrim në tokat e Muslimanëve, sakaq vetë rrinë rehat në tokat e Qafirave nën mbrojtjen dhe asitencën e tyre ekonomike!
[3] - Kur kështu na qenka çështja e atyre që luftuan në kohë fitnesh - të cilët kishin nijetin më të mirë dhe ishin më të devotshëm e më të drejtë sesa këta sot që kërkojnë të marrin në dorë karriget e pushtetit për vetet e tyre - por që prapëseprapë ata gabuan në atë që bënë, atëherë çfarë justifikimi mbetet për injorantët në kohët e sotme, të cilët faktikisht kanë qëllime të liga dhe gabimet e tyre në këtë rrugë janë mjaft të qarta dhe me tepricë!
[4] - Ka thënë el-Hasen el-Basri: “Dijeni - Allahu ju faltë - se tirania e mbretërve është një ndëshkim (nikmeh) nga ndëshkimet e Allahut të Lartësuar. Dhe ndëshkimet e Allahut nuk duhet të përballohen me shpatë por me tekua (duke iu larguar ndalesave që ka vendosur Allahu dhe duke zbatuar urdhërat e Tij) dhe duhet të hiqen me lutje, pendim, keqardhje (inabeh) dhe përmbajtje nga gjynahet. Vërtet, kur ndëshkimet e Allahut përballohen me shpatë, ato bëhen akoma më të rënda. Malik bin Dinar më ka transmetuar se Haxhaxhi thoshte: “Dijeni se sa herë që ju bëni një gjynah, Allahu do t’ju sjellë ndëshkim nga ana e sulltanit (udhëheqësit) tuaj.” Dhe gjithashtu më kanë thënë se një person i tha Haxhaxhit: “A po bën kështu e kështu me Umetin e Muhamedit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem)?” Kurse ai iu përgjigj: “Sepse se unë jam dënimi i Allahut për popullin e Irakut, kur ata shpikën në fenë e atyre ato bidate që kanë shpikur, dhe kur ata braktisën nga urdhërat e Pejgamberit të tyre (‘alejhis-selam) ato që kanë braktisur.” [‘Edeb Hasen el-Basri’ të Ibnul-Xheuzit (fq. 119-120), me anë të librit ‘Mu’amelatul-Hukkam’ të ‘Abdus-Selam el-Bërxhis]
[5] - Sidoqoftë, disa nga injorantët dhe të marrët e kohëve të sotme e kanë injoruar faktin që shumice e Selefëve kanë ndaluar nga kjo lloj revolte, pavarsisht faktit që disa nga njerëzit e shquar të dijes ranë në të. Dhe ata përpiqen në mënyrë të rreme që ta justifikojnë këtë menhexh të revoltës në kohët e sotme me justifikimin se i paskan prirë disa nga dijetarët e Selefëve në këtë gjë!
El-Khattabi ka thënë: “Khilafi (kundërshtimi në mendime) nuk është argument, por shpjegimi i Sunetit është argument kundër atyre që kundërshtojnë, qofshin ata nga të parët apo nga ata të mëvonshmit.” [A’lamul-Hadith, 3/2093]
El-Hafidh Ebu ‘Umer Ibn ‘Abdul-Berr ka thënë: “Khilafi nuk është argument në mendimin e të gjithë Fukahave të këtij Umeti që njoh unë, me përjashtim të atij që nuk ka largpamësi, nuk ka dije dhe nuk ka argument për atë që thotë.” [Xhami’ Bejanil-‘Ilm ue Fadlihi, 2/229]
[6] - Kurse sa i përket Khauarixhëve Bashkëkohorë [Kharixhije ‘Asrije] nga Kutbijinët, Sururitë dhe grupet e tjera të devijuara si puna e tyre, atëherë sipas mendimit të tyre ata që urdhërojnë atë që urdhërojnë tekstet Pejgamberike janë njerëzit më mjeranë të cilët flasin me çështjet më të këqia! Allahu i vraftë ata! Dhe ata kanë një dyshim i cili është se: ka një ndryshim midis udhëheqësve të asaj kohe dhe atyre që janë në kohët e sotme - dhe me këtë dyshim ata e çorodisin injorantin dhe përpiqen kështu që të shfuqizojnë transmetimet, përpiqen që t’i largojnë njerëzit nga etheret (gjurmët e Selefëve) dhe në vend të tyre të marrin akiden e shefave dhe udhëheqësve të tyre [me metodologjitë e tyre të shpikura].
[7] - Dhe pikërisht të njëjtën këshillë japin edhe Ehli-Suneti dhe Xhemati, Selefijinët, Pasuesit e Gjurmëve, drejtuar atyre që kanë rënë në fitne nga mësimet dhe metodologjitë e Sejjid Kutbit, Hasen el-Benës, Muhamed Sururit dhe Ebu A’la el-Meududit. Ata u japin këshillë të sinqertë Muslimanëve dhe Umetit dhe i këshillojnë ata për më të mirën dhe atë që përmirëson dhe rregullon çështjet e kësaj dynjaje, dhe që të braktisin atë rrugë që nuk u sjell gjë tjetër përveç humbjes së jetës, shtypjes, ndrydhjes dhe shkatërrimit që zor se mund të llogaritet.
[8] - Dhe pikërisht kësaj iu frikësua edhe Imam Ahmedi kur erdhi tek ai një grup nga njerëzit e dijes dhe e pytën në lidhje me rebelimin kundër Khalifit, për shkak se ai përhapte akiden e kufrit që e Folura e Allahut është e krijuar. Kështu, Imam Ahmedi e refuzoi mendimin e tyre (për t’u rebeluar) dhe tha se kjo do të sillte shumë gjakderdhje dhe fitnet do të shtoheshin akoma më shumë. Dhe ky fik’h (kuptim) u është dhënë vetëm Imamëve të palëkundur, ata të cilët flasin me dituri dhe mençuri. Dhe me të njëjtën mençuri flasin edhe Imamët e palëkundur të kohëve tona me këshillat e tyre drejtuar Umetit.
Ibnul-Kajjim, RahimehUllah, ka thënë: “Kjo është një temë madhështore, e cila përmban shumë dobi, dhe për shkak të injorancës rreth kësaj teme, një gabim i hatashëm është bërë me Sheriatin...” deri aty ku ai tha, pasi përmendi bazat mbi të cilat ngrihet Sheriati dhe mirëqënia e dobia e robërve:
“...Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ligjëroi për Umetin e tij obligimin për të refuzuar të keqen, në mënyrë qe me këtë refuzim të arrihet mirësia që do Allahu dhe i Dërguari i Tij. Dhe kur refuzimi i të keqes të shpie në një të keqe akoma më të madhe dhe më të urryer nga Allahu dhe i Dërguari i Tij, atëherë nuk lejohet që ajo të refuzohet - megjithëse Allahu e urren atë (të keqe) dhe ata që e bëjnë atë. Dhe kjo është njësoj sikur refuzimi i mbretërve dhe pushtetarëve duke u rebeluar kundër tyre [me armë, duke i luftuar] - sepse vërtet kjo është baza dhe themeli i çdo të keqeje dhe çdo fitneje deri kur të vijë fundi i kohës.” [I’lamul-Muwaki’in]
Ka thënë Shejkhu Ibn ‘Uthejmin: “Këto fjalë janë shumë të mira [fjalët e Imam Albanit në kasetën e tij me titull ‘Paralajmërim kundër Fitnes së Tekfirit’]. Që do të thotë se ata të cilët japin gjykime kundër Udhëheqësve të Muslimanëve se ata janë qafira, çfarë dobie arrijnë ata duke i gjykuar udhëheqësit si qafira? A janë të aftë që t’i japin fund sundimit të tyre? Ata s’munden. Dhe kur bëhet fjalë për Çifutët që kanë pushtuar Palestinën për rreth 50 vjet, por prapërseprapë Umeti Islamik nuk ka qenë i aftë - krejt Arabë apo jo-Arabë - për t’i larguar ata nga vendi i tyre! E si është puna atëherë pas kësaj, a mundemi ne që të shkojmë e të godasim ata që na sundojnë me gjuhët tona (duke i shpallur qafira) ndërkohë që e dimë se s’mund t’u japim fundit atyre, dhe se gjaku do të derdhet, marrja e pasurisë do të bëhet e lejuar, madje edhe marrja e nderit do të bëhet e lejuar. Edhe atëherë ne nuk kemi për ta arritur përfundimin e dëshiruar!!! Kështu që, çfarë dobie ka nëse një person do të besonte - në atë që është mes tij dhe Zotit të tij - se mes udhëheqësve ka që janë kufarë të vërtetë me kufrin që të nxjerr nga Feja - atëherë çfarë dobie ka në deklarimin dhe përhapjen e kësaj, përveç ndezjes së fitnes?!” [Fitneja e Tekfirit, fq. 74]
[9] - Gjithashtu, kjo nxjerr në shesh ç’thurjen e shumë prej atyre injorantëve që thërrasin për revoltë, rebelim dhe ngritjen e armëve kundër autoriteteve në vendet e Muslimanëve, duke shpenzuar pjesën më të madhe të kohës së tyre dhe të të tjerëve me përpjekjet për të argumentuar këtë metodologji - ndërkohë që ata e dinë se kjo kundërshton Sunetin dhe kundërshton atë që përmban përmirësim dhe korrigjim më të mirë. Dhe për shkak të përhapjes të da’ues së Ehli-Sunetit dhe sqarimet që kanë dhënë ata për kësilloj çështjesh, nuk është më e panjohur për shumë nga Khauarixhët e kohëve moderrne dhe të gjithë ata që janë të helmuar me helmin që përhapin dhe propagandojnë ata, se kjo metodologji e tyre nuk ka për të sjellë përmirësim të vërtetë. Pra, ata e dinë këtë dhe e kuptojnë shumë mirë, por janë epshet ato që i verbojnë dhe i vrasin zemrat e tyre!
[10] - Për sa i përket asaj që argumetohen Khauarixhët e rinj nga mesi i Kutbijinëve dhe grupeve të tjera se kjo ishte vetëm për udhëheqësit e atyre kohëve dhe jo për udhëheqësit e kohëve tona - atëherë kjo është e pavërtetë dhe ata e dinë që kjo është e pavërtetë. Sepse ndalesa e rebelimit bazohet në ndalimin e të këqiave dhe dëmeve më të mëdha në tokë dhe ndalimin e dëmeve më të mëdha mbi Muslimanët në përgjithësi. Kurse sa i përket pushtetarit tek i cili kufri duket qartazi, atëherë kjo në vetvete nuk urdhëron për revoltë, rebelim dhe luftim, sikurse e kanë shpjeguar njerëzit e dijes. Por, kërkohet një çështje e mëtejshme; duhet të merren në konsideratë rrjedhojat që do vijnë nga revolta dhe luftimi. Dhe tek kjo çështje është e papranueshme për Khauarixhët që nuk mendojnë se duhet t’i nënshtrohen; ata të cilët kanë si qëllim të vetëm ngrejnë popullin e thjeshtë, pasiqë kanë bërë tekfir në përgjithësi e në mënyrë të pakufizuar mbi të gjithë udhëheqësat, dhe pastaj bëjnë thirrje për marrshime dhe lëvizje të cilat degjenerojnë në përplasje të armatosura.
[11] - Shejkhul-Islam Ibn Tejmije ka thënë: “Rruga (sira) e Muslimanëve nuk ka rreshtur së qëni në këtë (metodologji). Ata nuk i shpallin ata (Khauarixhët) qafira sikurse ata që i luftoi Siddiku (Ebu Bekri, radij-Allahu ‘anhu). Dhe kjo megjithë urdhërin e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) për të luftuar kundër atyre, siç gjendet në hadithet e sakta, dhe megjithë atë që është transmetuar për ta në hadithin e Ebu Umames, i mbledhur nga Tirmidhiu e të tjerët, se ata (Khauarixhët) janë “më të këqinjtë e atyre që janë vrarë nën këtë qiell dhe çfarë vlere ka ai që vriten prej tyre.” Që do të thotë se ata janë më të dëmshëm për Muslimanët dhe të tjerët, sepse s’ka më të dëmshëm për Muslimanët sesa ata, qofshin Çifutët apo Kristianët. Sepse ata u përpoqën që të vrisnin çdo Musliman që nuk pajtohet me mendimin e tyre, duke shpallur të lejuar gjakun e Muslimanëve, pasurinë e tyre dhe therjen e fëmijëve të tyre, ndërkohë që bënin tekfir mbi ta. Dhe ata e konsideronin këtë si ibadet për shkak të injorancës dhe bidateve të tyre që i çuan në devijim...” [Minhaxhus-Sunneh, 5/248]
Ibn Hubejrah ka thënë për hadithin e Ebu Se’id el-Khudriut: “Në këtë hadith ka argument që luftimi i Khauarixhëve vjen para luftimit të mushrikëve. Dhe urtësia që përmban kjo është se në luftimin kundër tyre është ruajtja e kapitalit të Islamit, kurse në luftimin e njerëzve të Shirkut është kërkimi i shtimit (të këtij kapitali). Kështu që, ruajtja e këtij kapitali vjen në rradhë të parë (para shtimit të tij).” [Fet’hul-Bari, 12/301]
‘Asim bin Shumejkh ka thënë: “Unë e pashë atë - pra Ebu Se’id el-Khudriun (i cili transmetoi hadithin për vrasjen e Khauarixhëve) - pasi ai ishte plakur dhe duart e tij kishin filluar të dridheshin, duke thënë: “Luftimi i tyre (d.m.th. luftimi i Khauarixhëve) është më i madh për mua sesa luftimi kundër një njëjtit numër Tatarësh.” [Ibn Ebi Shejbe 15/305 dhe Musned Ahmed 3/33]
Luftimi i Khauarixhëve bëhet në të gjitha kohët dhe është obligim largimi i tyre me anë të penës, gjuhës dhe shpatës, sepse ata nuk do të rreshtin së shfaquri deri kur të fundit prej tyre të dalin bashkë me Dexhalin. I Dërguari (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Do të shfaqet një grup njerëzish që e lexojnë Kur'anin, por ai nuk do t’i kalojë gurmazet e tyre. Sa herë që shfaqet një grup prej tyre, sakaq do të marrë fund, derisa mes tyre të shfaqet Dexhali.” [Transmetuar nga Ibn Maxheh dhe është hadith Hasen. Shiko gjithashtu Silsiletul-Ehadithus-Sahiha të Imam Albanit, n. 2455]
Dhe dy veçoritë kryesore të Khauarixhëve janë: tekfiri në bazë të gjynaheve të mëdha dhe marrja e revoltës dhe rebelimit si metodologji për të sjellë përmirësim. Dhe banda e re e Khauarixhëvee që është shfaqur në ditët e sotme nën influencën e mësimeve, doktrinave dhe veprave të boshtit të tyre kryesor, Familjes Kutb (Sejjid Kutb, Muhamed Kutb...) - të cilët kanë ndihmuar në përhapjen e shpejtë të akides dhe menhexhit të Khauarixhëve.
[12] - Dhe nuk është çudi që Imamët e Tekfirit në kohët e sotme mbeten Khaurixhët, të cilët bëjnë tekfir mbi ata që nuk e pranojnë tekfirin që bëjnë këta mbi Udhëheqësit dhe Dijetarët, dhe nxitjen që u bëjnë injorantëve që të rebelohen kundër tyre. Kurse disa të tjerë janë mjaft të qartë në deklarimin e Selefive si bidatçij thjesht për shkak se ata këshilluan dhe bënë thirrje për t’iu kthyer mësimeve të Sheriatit, për pakësimin e të keqes dhe për të bërë përmirësim të vërtetë duke ndjekur metodologjinë e Pejgamberëve në çdo aspekt të saj.
[13] - Me të vërtetë kjo është e njëjta gjendje në të cilët ndodhen ata që ndjekin Teuhidin ‘el-Kursij’ që është ‘Unifikimi i Froneve të Pushtetit’ për vetet e tyre. Disa prej tyre duan të hynë në konflikt të hapur me autoritetet me anë të armëve [drejtimi Kutbij], kurse të tjerë i shesin vetet e tyre dhe hyjnë në spektrin e politikës, demokracisë, zgjedhjeve dhe demokracisë Makiaveliane në mënyrë që të arrijnë deri tek ‘Froni i Pushtetit’ [drejtimi Benaui].
Fund,
Përktheu: Alban Malaj
15 Ramadan 1429 / 15 Shtator 2008
© Selefi.org