Mësime nga hadithet
Mësime nga hadithet.
Hadithi i parë.
Xhabir bin Abdullahu, radijAll-llahu anhu dy, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Allahu e mëshiroftë njeriun zemërgjerë kur shet, kur blen dhe kur i kërkohet diçka.” (Shënon Buhariu).
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Vërtetimi i mëshirës, veti e Allahut të Lartësuar.
- Islami inkurajon punën dhe nxit për tregti.
- Zemërgjerësia gjatë shitblerjes është prej virtyteve për të cilat nxit Islami.
- Muslimani duhet të sillet me të tjerët, ashtu siç dëshiron që të tjerët të sillen me të.
- Nxitja në shikimin e rrethanave të njerëzve dhe durimi ndaj tyre.
- Zemërgjerësia ndaj të tjerëve, sidomos gjatë shitblerjes, është prej shkaqeve të fitimit të mëshirës së Allahut të Lartësuar.
Hadithi i dytë.
Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Nga Islami i mirë i një njeriu është largimi nga ajo që nuk i intereson.” (Shënon Tirmidhiu)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Islami nxit për moral të lartë.
- Islami udhëzon në atë që i bën të lumtur njerëzit në këtë dhe në botën tjetër.
- Muslimani nuk është njeri i bezdisshëm dhe ngatërrestar.
- Mosndërhyrja në çështjet e të tjerëve është shpëtim për muslimanin, ngase ndërhyrja në to e fut atë në çështje problematike.
- Këshillimi, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja nuk konsiderohet nga ndërhyrja në çështjet e të tjerëve.
Hadithi i tretë.
Enesi, radijAll-llahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Nuk beson askush prej jush derisa të dëshirojë për vëllanë e tij atë që dëshiron për vete.” (Shënon Buhariu)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Shkallët e besimit (imanit) dallojnë, kështu që disa besimtarë kanë besim më të fortë sesa disa të tjerë.
- Islami nxit në dashurinë e të tjerëve.
- Besimtari gjithnjë shpreson të mirën për të tjerët.
- Besimtari gjithnjë shpejton që t’u sjellë dobi të tjerëve.
Hadithi i katërt.
Ebu Mes’ud el Ensarij, radijAll-llahu anhu, rrëfen duke thënë: “Erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, dhe i tha: “M’u ndërpre udha (ngase i kishte ngordhur kafsha), prandaj më mbart.” Ai i tha: “S’kam gjë.” Atëherë njëri tha: “O i Dërguar i Allahut, unë e udhëzoj tek i cili do ta mbartë.” I Dërguari i Allahut tha: “Kush udhëzon për një vepër të mirë, ai ka shpërblim si të atij që vepron.” (Shënon Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Thirrja (da’veti) është prej formave të përhapjes së Islamit.
- I Dërguari i Allahut ishte prej thirrësve në rrugën e Allahut.
- Islami nxit për thirrje për në rrugën e Allahut.
- Ai që fton të tjerët, ka shpërblim të madh tek Allahu.
Hadithi i pestë.
Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, thotë se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Nuk është i fuqishëm ai që ngadhënjen në mundje, por ai që përmban veten kur hidhërohet.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Islami thërret për përmbajtjen e vetes.
- Islami përmbajtjen e vetes e konsideron fuqi, veprim për të cilin njeriu lavdërohet.
- Hidhërimi është një virtyt jo i lavdërueshëm.
Hadithi i gjashtë.
Xherir bin Abdullahu, radijAll-llahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Allahu nuk e mëshiron atë që nuk ka mëshirë ndaj njerëzve.” (Shënon Buhariu)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Mëshira është një veti që e do Allahu i Lartësuar.
- Islami nxit për mëshirë.
- Mëshira ndaj njerëzve konsiderohet prej shkaqeve të mëshirës së Allahut.
- Shpërblimi është nga lloji i punës.
Hadithi i shtatë.
Aishja, radijAllahu ‘anha, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Allahu e do butësinë në çdo çështje.” (Shënon Buhariu)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Islami nxit për butësi.
- Allahu i do ata që sillen butë ndaj të tjerëve.
- Muslimani duhet të jetë i butë dhe jo i vrazhdë në të gjitha çështjet e tij.
Hadithi i tetë.
Adij bin Hatimi, radijAll-llahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Frikësohuni prej zjarrit qoftë edhe me një gjysmë hurme. E, nëse nuk ka mundësi, atëherë me një fjalë të mirë.” (Shënon Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Islami inkurajon për vepra të mira.
- Islami inkurajon muslimanin që të sillet me butësi dhe dhembshuri ndaj të tjerëve.
- Veprat e mira të distancojnë nga zjarri i xhehenemit.
- Muslimani nuk duhet të zhvlerësojë asnjë vepër të mirë, sado e vogël qoftë ajo.
- Fjala e mirë konsiderohet lëmoshë (sadaka) dhe i sjell dobi atij që e thotë.
Hadithi i nëntë.
Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Dynjaja është burg i besimtarit dhe xhenet i jobesimtarit.” (Shënon Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Besimtari jeton në këtë botë si të jetë i burgosur.
- Nuk do të thotë se çdo gjë që besimtari dëshiron, mund ta realizojë.
- Besimtari kujdeset vetëm për të lejuarën (hallallin).
- Besimtarët në jetën e tyre përballen me vështirësi të shumta.
- Jobesimtari jeton në këtë botë si të jetë në xhenet.
- Jobesimtari nuk i kushton rëndësi të ndaluarës (haramit), por synimi i tij është kënaqësia.
- Lehtësimet e kësaj jete për jobesimtarin.
- Besimtari duhet të durojë ndaj vështirësive të kësaj bote dhe se shpërblimi i tij në botën tjetër është xheneti.
Hadithi i Dhjetë.
Sehl bin Sa’di, radijAll-llahu anhu, thotë: “Erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, më trego për një punë, të cilën do ta bëj, që të më dojë Allahu dhe të më duan njerëzit.” I Dërguari i tha: “Mos e lakmo (bëhu zahid në) këtë botë, do të të dojë Allahu dhe mos lakmo atë që është te njerëzit, do të të duan njerëzit.” (Shënon Ibn Maxhe)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Sahabët janë interesuar për dijen dhe e kanë pyetur të Dërguarin e Allahut, që të mësojnë.
- Muslimani kujdeset që të arrijë dashurinë e Allahut.
- Muslimani kujdeset që të arrijë dashurinë e njerëzve.
- Zuhdi (asketizmi, mospasja lakmi) në këtë botë dhe çfarë ka në të sjell gjithnjë dashurinë e Allahut.
- Zuhdi në atë që është në duart e njerëzve sjell dashurinë e njerëzve.
- Muslimani është i kënaqur me atë që i ka ndarë Allahu.
Hadithi i Njëmbëdhjetë.
Ebu Bekrete, radijAll-llahu anhu, thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, të ketë thënë: “Të mos gjykojë gjykatësi mes dyve duke qenë i hidhëruar.” (Shënon Buhariu)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Islami vendos baza për çdo sistem dhe çdo bashkëveprim.
- Domosdoshmëria e të gjykuarit në rast të mosmarrëveshjeve.
- Hidhërimi lë pasoja dhe ndikon gjatë të menduarit dhe gjatë procesit të gjykimit.
- Gjykatësi duhet të jetë në gjendjen më të mirë kur gjykon mes njerëzve.
Hadithi i Dymbëdhjetë.
Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Shenjat e munafikut janë tre: kur flet, gënjen, kur premton, s'e përmbush premtimin dhe kur i lihet një gjë amanet, e tradhton.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Hipokrizia është një sëmundje e rrezikshme, të cilën Islami e lufton.
- Hipokrizia ka shenja dhe ndër më të njohurat janë gënjeshtra në bisedë, mospërmbushja e premtimit dhe tradhtia.
- Islami inkurajon për pastrimin e gjuhës, për besnikëri dhe për realizim të premtimeve.
Hadithi i Trembëdhjetë.
Abdullah bin Mesudi, radijAll-llahu anhu, thotë se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Nëse jeni tre persona, mos të flasin fshehurazi dy persona, duke përjashtuar njërin, sepse kjo e mërzit atë.” (Shënon Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Islami na mëson edukatën e të folurit.
- Dy veta nuk duhet të flasin fshehurazi, duke përjashtuar të tretin.
- Islami u kushton kujdes ndjenjave të të tjerëve.
- Islami ndalon çdo gjë që ndikon për keq në vëllazërinë islame dhe në dobësimin e saj.
Hadithi i Katërmbëdhjetë.
Abdullah bin Amr bin Asi, radijAll-llahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Musliman i mirëfilltë është ai nga gjuha dhe duart e të cilit janë të sigurt muslimanët e tjerë dhe muhaxhir (i shpërngulur) i mirëfilltë është ai që largohet nga ajo që Allahu e ka ndaluar.” (Shënon Buhariu)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Islami është fe e paqes dhe sigurisë.
- Islami e ndalon dëmtimin e njerëzve me çdo lloj forme.
- Muslimani nuk i bezdis muslimanët dhe nuk lejon dëmtimin e tyre.
- Islami inkurajon për largimin nga ndalesat e Allahut të Lartësuar.
- Muslimanin prej të cilit janë të sigurt muslimanët e tjerë Islami e konsideron si muhaxhiri për sa i përket shpërblimit.
Hadithi i Pesëmbëdhjetë.
Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, thotë se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Personi është në fenë e shokut të tij. Pra, secili nga ju duhet të kujdeset për çështjen se kë shoqëron ai.” (Shënon Ahmedi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Islami nxit për përzgjedhjen e shokëve.
- Shoku ka ndikim te shoku i vet.
- Muslimani patjetër duhet të kujdeset për korrektësinë dhe fenë e vet dhe kjo mund të arrihet vetëm me përkujdesjen se me kë shoqërohet.
Hadithi i Gjashtëmbëdhjetë.
Ebu Musa, radijAll-llahu anhu, thotë se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Besimtari për besimtarin është si ndërtesë, një pjesë shtrëngon pjesën tjetër” dhe bëri me shenjë duke shtrënguar gishtërinjtë.” (Shënon Buhariu)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Besimtarët kujdesen për raportet e tyre të ndërsjella.
- Besimtarët në fuqinë e tyre janë si një ndërtesë e fortifikuar mirë.
- I Dërguari i i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, është mësuesi më i mirë.
Hadithi i Shtatëmbëdhjetë.
Sehl bin Sadi, radijAll-llahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Unë dhe kujdestari i jetimit jemi kështu në xhenet” dhe tregoi me gishtin tregues dhe të mesëm.” (Shënon Buhariu)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Kujdesi dhe interesimi i Islamit për jetimët.
- Shpërblimi i madh në botën tjetër për kujdestarin e jetimit.
- Islami është fe e bashkimit.
- I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut, mësuesi më i mirë, sqaron madje duke bërë me shenja e të ngjashme me to.
Hadithi i Tetëmbëdhjetë.
Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, thotë se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Mos ta urrejë besimtari besimtaren, ngase nëse ai urren një virtyt (të sajin), pëlqen një tjetër (virtyt).” (Shënon Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Islami gjithnjë kujdeset për familjen.
- Islami nxit për durim, sidomos ndaj bashkëshortes.
- Muslimani duhet të jetë i drejtë dhe t’i shikojë të mirat e bashkëshortes ashtu siç i shikon gabimet e saj.
Hadithi i Nëntëmbëdhjetë.
Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Pasha Allahun nuk besuar, pasha Allahun nuk ka besuar, pasha Allahun nuk ka besuar!” E pyetën: “Cili o i Dërguar i Allahut?”
“Ai fqinji i të cilit nuk është i qetë nga pengesat e tij”, u përgjigj ai.” (Shënon Buhariu)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Imani (besimi) nxit për virtyte të lavdëruara.
- Islami porosit të kemi sjellje të mira ndaj fqinjit dhe të jemi bamirës ndaj tij.
- Bezdisja e fqinjit nuk është prej imanit (besimit) e as prej moralit të besimtarëve.
Hadithi i Njëzet.
Abdullah bin Mesudi, radijAll-llahu anhu, thotë: “Pyeta të Dërguarin e Allahut: “Cilat janë vepra më të dashura tek Allahu?” Ai tha: “Namazi në kohën e tij.” Pyeta: “Pastaj cila?” Ai tha: “Bamirësia ndaj prindërve.” Përsëri pyeta: “Pastaj cila?” Ai tha: “Xhihadi në rrugën e Allahut.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Interesimi i sahabëve për njohuritë dhe pyetja e tyre për gjërat që nuk i dinë.
- Namazi në kohën e tij është ndër veprat më të dashura tek Allahu.
- Islami nxit për respektimin e prindërve dhe për bamirësi ndaj tyre.
- Respektimi i prindërve ka shpërblim më të madh tek Allahu sesa lufta në rrugën e Tij.
- Xhihadi (lufta në rrugën e Allahut) është prej veprave të dashura tek Allahu i Lartësuar.
Hadithi i Njëzet e një.
Enesi, radijAll-llahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Ai i cili dëshiron t’i shtohet furnizimi (rizku) dhe t’i zgjatet jeta, le t’i ruajë lidhjet familjare.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Islami inkurajon për ruajtjen e raporteve familjare.
- Ruajtja e lidhjeve familjare është shkak i shtimit të furnizimit (rizkut).
- Ruajtja e lidhjeve familjare është begati në jetë.
- Kujdesi i të Dërguarit të Allahut për t’i mësuar umetit të tij të mirat e kësaj bote dhe të botës tjetër.
Hadithi i Njëzet e dy.
Nevas bin Sem’ani, radijAll-llahu anhu, thotë: “E pyeta të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, se ç'është mirësia dhe mëkati dhe ai më tha: “Mirësia është morali (karakteri) i mirë, kurse e keqja (mëkati) është ajo që mbillet (përforcohet) në veten tënde dhe nuk dëshiron që ta dinë njerëzit.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Islami nxit për moral të lartë e të mirë.
- Islami ndalon nga të këqijat e të ligat.
- Urrejtja e mosdijes së njerëzve për atë që vepron është argument për ndalimin e asaj vepre.
Hadithi i Njëzet e tre.
Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, thotë: “I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, është pyetur se cilat vepra i fusin njerëzit më së shumti në xhenet. Ka thënë: “Devotshmëria dhe morali i mirë.” Është pyetur se cilat vepra i fusin më së shumti njerëzit në xhehenem dhe ka thënë: “Gjuha dhe organi gjenital.” (Shënon Tirmidhiu)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Interesimi i sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta, për të mësuar Islamin dhe drejtimi i pyetjeve të Dërguarit të Allahut për atë që nuk dinin.
- Devotshmëria dhe frika ndaj Allahut janë prej shkaqeve të hyrjes në xhenet.
- Morali i mirë dhe sjellja e mirë me të tjerët janë rrugë që çojnë në xhenet.
- Gjuha me sëmundjet e veta, gënjeshtra, përgojimi dhe shpifja janë prej shkaqeve të hyrjes në zjarr.
- Organi gjenital me haramet që bën shkakton hyrjen në zjarrin e xhehenemit.
Hadithi i Njëzet e katër.
Umer ibnu Ebi Selemi, radijAll-llahu anhu, thotë: “Si fëmijë, isha nën mbikëqyrjen e Pejgamberit alejhi selam në shtëpinë e tij. Njëherë, para se të fillonim ushqimit, zgjata dorën në një enë ushqimi, por Pejgamberi alejhi selam më tha: “Djalosh, thuaj “Bismil-lah”, ha me dorën e djathtë dhe ha para vetes.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Interesimi i të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, për mësimin e moralit islam të vegjëlve.
- Rëndësia e shprehjes “Bismil-lah” para fillimit të ngrënies.
- Domosdoshmëria e ngrënies me dorë të djathtë.
- Nuk duhet ngrënë nga mesi i ushqimit, por nga ajo që kemi para vetes.
Hadithi i Njëzet e pese.
Ebu Seid el Hudrij, radijAll-llahu anhu, thotë: “Dëgjova të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, të thotë: “Kush nga ju sheh një të keqe, le ta ndryshojë me dorë. E, nëse nuk mundet ta bëjë këtë, atëherë me gjuhën e tij dhe nëse nuk mundet ta bëjë këtë, atëherë me zemrën e tij, porse ky është imani më i dobët.” (Shënon Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Përgjegjësia e individit musliman për ta ndryshuar të keqen.
- Muslimani nuk merr pjesë tek e keqja.
- Muslimanët dallohen për nga mundësitë e tyre për ndryshimin e së keqes.
- Besimi (imani) është disa shkallësh.
- Kush nuk e ndryshon të keqen as me zemrën e tij, kjo paraqet rrezik për të.
Hadithi i Njëzet e gjashtë.
Enesi, radijAll-llahu anhu, thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, të thotë: “Secili bir i Ademit është gabimtar, mirëpo gabimtari më i mirë është ai që pendohet.” (Shënon Tirmidhiu dhe ibn Maxhe)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Mangësitë e secilit, sado të devotshëm qofshin.
- Njerëzit dallojnë mes tyre në nënshtrim (bindje) dhe në mëkate.
- Domosdoshmëria e shpejtimit të pendimit dhe distancimi nga mëkatet.
- Mëshira e gjerë e Allahut të Lartësuar.
- Obligueshmëria e pendimit për të gjitha mëkatet.
- Të mos e humbim shpresën ndaj mëshirës së Allahut të Lartësuar.
- Përsëritja e pendimit sa herë që bëhen mëkate.
Hadithi i Njëzet e shtatë.
Aishja, radijAllahu ‘anha, thotë: “I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Mos i shani të vdekurit, ngase ata tanimë kanë shkuar atje ku e kanë përgatitur vendin e tyre.” (Shënon Buhariu)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Të mos shahen të vdekurit.
- Të mos u bëhet keq të gjallëve.
- Njeriu do të japë llogari për atë që ka vepruar.
- Dorëzimi i çështjes së llogarisë së njerëzve tek Allahu i Lartësuar.
- Sharja e të vdekurve nuk u bën dobi të gjallëve.
Hadithi i Njëzet e tetë.
Muaviu, radijAll-llahu anhu, thotë: “I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Atij të cilit Allahut i do të mirën, i jep atij kuptim (dije) në fe.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Vërtetimi i cilësisë së vullnetit (dëshirës) të Allahut të Lartësuar.
- Allahu gradon dhe veçon kë do me atë që do.
- Madhështia e çështjes së fesë dhe të mësuarit e saj.
- Prej shenjave të mira të njeriut besimtar është të kuptuarit (dija) e fesë.
Hadithi i Njëzet e nëntë.
Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, thotë se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Xhehenemi është i mbuluar (rrethuar) me kënaqësitë (e kësaj bote), ndërsa xheneti është i mbuluar (rrethuar) me pakënaqësitë (e kësaj bote).” (Shënon Buhariu)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Vërtetimi i krijimit të xhehenemit.
- Kënaqësitë e kësaj bote çojnë në zjarr.
- Vërtetimi i krijimit të xhenetit.
- Durimi ndaj pakënaqësive çon në futjen në xhenet.
- Allahu i ka bërë kënaqësitë dhe pakënaqësitë si sprovë për njerëzit.
Hadithi i Tridhjetë.
Xhabiri, radijAll-llahu anhu, thotë: “I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kush e takon Allahun duke mos i bërë Atij shirk, do të hyjë në xhenet. Ndërsa kush e takon Atë duke i bërë shirk, do të hyjë në xhehenem.” (Shënon Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Vërtetimi i ringjalljes.
- Rëndësia e njehsimit të Allahut të Lartësuar.
- Vërtetimi i xhenetit.
- Rrezikshmëria e shirkut.
- Llojshmëria e shirkut.
- Vërtetimi i xhehenemit (zjarrit).
- Shpërblimi i madh i njehsuesve.
- Dënimi i madh i atyre që i bëjnë shirk Allahut të Lartësuar në diçka.
Hadithi i Tridhjetë një.
Aishja, radijAll-llahu anhu, thotë se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kush shpik diçka të re në fenë tonë, që nuk është e saj, është e refuzuar.” (Shënon Buhariu)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Feja islame është fe e ndjekjes dhe jo fe e shpikjes.
- Islami nuk i miraton risitë (bidatet), por nxit në pasimin e Sunetit.
- Vepra e cila nuk përputhet me Sunetin e të Dërguarit refuzohet dhe njeriu nuk shpërblehet për të.
Hadithi i Tridhjetë e dy.
Ibn Umeri, radijAll-llahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Ai që i përngjan një populli është prej tyre.” (Shënon Ebu Daudi dhe Ahmedi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Domosdoshmëria e dallimit të muslimanit ndaj jomuslimanit.
- Ndalimi i përngjasimit.
- Rrezikshmëria e përngjasimit dhe ndikimi i tij te muslimani.
- Islami është i lartësuar dhe nuk ka gjë më të lartë se ai.
- Muslimani dallohet nga pamja e tij e jashtme.
Hadithi i Tridhjetë e tre.
Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Allahu nuk shikon fizionomitë dhe pasuritë tuaja, mirëpo shikon zemrat dhe punët tuaja.” (Shënon Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Rëndësia e nijetit (qëllimit) dhe pastrimi i tij vetëm për Allahun e Lartësuar.
- Rëndësia e veprës së mirë pas pastrimit të nijetit.
- S’është aq e rëndësishme pamja e jashtme e njeriut në Islam.
- Kujdesi i vazhdueshëm në atë që e kënaq Allahun e Lartësuar.
Hadithi i Tridhjetë e katër.
Xhabir bin Abdullahu, radijAll-llahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, “e ka mallkuar dhënësin e kamatës, atë që e merr dhe e ha kamatën, dëshmitarët dhe shkruesin e kontratës së kamatës, duke thënë se të gjithë këta janë të barabartë në dënim.” (Shënon Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Lejimi i mallkimit të mëkatarëve.
- Rrezikshmëria e të punuarit me kamatë.
- Nuk lejohet ndihma e të tjerëve në harame (të ndaluarat).
- Kamata është ndër mëkatet e mëdha.
- Mjetet fitojnë dispozitat e synimeve.
Hadithi i Tridhjetë e pesë.
Safija, radijAllahu ‘anha, transmeton prej disa nga gratë e të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, se ka thënë: “Kush shkon te fallxhori dhe e pyet atë për ndonjë gjë, namazi i tij nuk pranohet dyzet net.” (Shënon Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Islami i lufton ata që pretendojnë se dinë fshehtësitë.
- Allahu i Lartësuar është i Vetmi i Cili di dituritë e fshehta.
- Nuk lejohet shkuarja tek ata që pretendojnë se dinë të fshehtën.
- Kushdo që shkon tek ata që pretendojnë se dinë të fshehtën, namazi i tyre nuk do të pranohet dyzet net.
- Shkuarja tek fallxhorët konsiderohet prej mëkateve të mëdha.
Hadithi i Tridhjetë e gjashtë.
Xhabir bin Abdullahu, radijAll-llahu anhu, thotë se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Në mes njeriut, shirkut dhe kufrit është lënia e namazit.” (Shënon Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Namazi konsiderohet çështje madhore në Islam.
- Kush e lë namazin, ka bërë shirk.
- Kush e lë namazin, ka bërë kufër.
- Besimi (imani) është fjalë dhe vepër.
Hadithi i Tridhjetë e shtatë.
Enesi, radijAll-llahu anhu, thotë se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Askush prej jush nuk ka besuar derisa unë të jem më i dashur tek ai sesa prindi, fëmija dhe tërë njerëzit.” (Shënon Muslimi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Imani (besimi) është fjalë dhe vepër.
- Dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut është prej imanit (besimit).
- Dhënia përparësi e të Dërguarit të Allahut ndaj të gjithëve.
- Dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut obligon pasimin e tij.
- Imani shtohet dhe pakësohet.
- Njerëzit dallojnë për nga besimi i tyre.
Hadithi i Tridhjetë e tetë.
Umer bin Hattabi, radijAll-llahu anhu, thotë se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Mos e teproni në lavdërime ndaj meje ashtu siç lavdëruan të krishterët Isa Ibën Merjem. Unë jam vetëm një rob, prandaj thoni rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij.” (Shënon Buhariu)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Interesimi i të Dërguarit të Allahut për umetin e tij.
- I Dërguari i Allahut është njeri si çdo njeri tjetër.
- Ajo që çon në haram është e ndaluar.
- Madhërimi i të mirëve mund të dërgojë në shirk.
- Duhet pasur kujdes dhe të merret mësim nga gabimet e të tjerëve.
- Të qenët rob nga ana e të Dërguarit të Allahut nuk e kundërshton misionin e tij si i Dërguar.
- Arsyeja e devijimit të të krishterëve është teprimi i tyre në lavdërimin e të Dërguarit të tyre.
Hadithi i Tridhjetë e nëntë.
Ebu Musa el Esh’arij, radijAll-llahu anhu, thotë se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Ajo grua e cila parfumohet dhe kalon pranë burrave që ta nuhasin erën e saj, është lavire.” (Shënon ibn Hibani)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Lejimi i parfumimit të gruas në shtëpinë e saj për bashkëshortin e saj.
- Ndalimi i parfumimit të gruas jashtë shtëpisë së saj.
- Ndalimi i zbulimeve dhe joshja e burrave të huaj.
- Prostitucioni ka shkallë dhe veprime graduale.
- Ndalimi i shikimit të asaj që Allahu ka ndaluar.
Hadithi i Dyzetë.
Ebu Xhadi, radijAll-llahu anhu, thotë se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kush lë tre namaze të xhumasë me shpërfillje, Allahu ia vulos atij zemrën.” (Shënon Nesaiu dhe Ebu Daudi)
Çfarë përfitohet nga hadithi:
- Rëndësia e xhumasë në Islam.
- Muslimani nuk duhet të tregohet i shkujdesur ndaj obligimeve.
- Mëkatet janë shkak për vulosjen e zemrave.
- Rëndësia e zemrës në jetën e besimtarit.
- Lejimi i lënies së namazit të xhumasë për ndonjë shkak të lejuar të sheriatit.