Lehtësoni
Lehtësoni dhe mos vështirësoni.
Nga libri: “Sherhu Rijadi es Salihin”
Autor: Muhamed iben Salih el Uthejmin (RahimehUllah)
Enesi (radijAllahu ‘anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni! Përgëzoni dhe mos largoni!” (Buhariu dhe Muslimi.)
Sqarimi i këtij hadithi: Këtë hadith e ka përmendur Neneviu në temën “Mendjehollësia, butësia dhe durimi”, në librin e tij “Rijadu es Salihin.”
Në këtë hadith kemi katër fjalë:
E para: “Lehtësoni” d.m.th. ndiqni atë që është e lehtë, qoftë në veprat e tuaja apo në marrëdhëniet me të tjerët. Prandaj, nga tradita e Pejgamberit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ishte se sa herë që kishte për të zgjedhur mes dy gjërave, ai zgjidhte më të lehtën, përderisa nuk ishte gjynah, e nëse ishte gjynah, ai ishte më i largëti i njerëzve prej tij. Pra, zgjidh më të lehtën për veten tënde në të gjitha çështjet: në adhurim, në marrëdhëniet me njerëzit, në çdo gjë, pasi që lehtësimi është ajo që do Allahu për ne dhe prej nesh: “Allahu dëshiron lehtësim për ju, dhe nuk dëshiron vështirësim.” [El Bekare, 185].
P.sh: N.q.s. ke dy rrugë për në xhami, njëra e vështirë, me gurë e gjëmba, ndërsa tjetra e lehtë, atëherë më e mira për ty është që të zgjedhësh atë të lehtën. Po kështu, nëse është dimër dh eke ujë të ftohtë dhe të ngrohtë, më e mira për ty është që të përdorësh ujin e ngrohtë, sepse përdorimi i tij është më i lehtë. Po kështu, nëse ke mundësi të shkosh në haxh me makinë dhe me deve, atëherë që të shkosh me makinë është më e lehtë, kështu që shkuarja në haxh me makinë është më mirë.
E rëndësishme është që në çdo rast, më e lehta është më e mirë nëse nuk përbën gjynah, sepse nëna e besimtarëve, Aisha (radijAllahu ‘anha) ka thënë: “Kur i Dërguari (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) kishte për të zgjedhur mes dy gjërave, ai zgjidhte më të lehtën e tyre, përderisa nuk përbënte gjynah.”
Por, nëse kryerja e një adhurimi të caktuar nuk bëhet veçse me diçka prej vështirësisë, e cila nuk mund të ndahet nga vepra, atëherë kryerja e saj me vështirësi ka shpërblim edhe më shumë për ty. Kështu për shembull, marrja abdes duke i larë gjymtyrët mbi kufirin e zakonshëm, në kohë të keqe (të ftohtë), është gjë me të cilën Allahu të ngre gradët dhe të fshin gjynahet, por fakti që njeriu të shkoi te më e vështira duke qenë se ka mundësi për më të lehtën, është në kundërshtim me më të mirën, pasi që më e mira është që të ndiqet ajo që është më e lehtë në të gjitha gjërat.
Shih agjërimin, p.sh, për të cilin Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Njerëzit do të vazhdojnë të jenë mirë përderisa e shpejtojnë iftarin.” Ndërsa në një hadith tjetër shton: “dhe vonojnë syfyrin (deri afër sabahut).” Përse kjo? Pasi që vonimi i syfyrit ndihmon më shumë në agjërim, se sa ngrënia e tij më herët. Po kështu, shpejtimi i iftarit është më i lehtë për trupin, sidomos në ditët e gjata dhe të nxehta.
Këto shembuj, e të tjera si këto, argumentojnë se më e lehta është më e mirë, kështu që zgjidh të lehtën për veten tënde. Po kështu në praktimin e të gjitha punëve, kur sheh se ndjekja e një pune është më e lehtë dhe më afër arritjes së qëllimit të kërkuar, atëherë mos e lodh veten me punë të tjera mbi të nevojshmen, ndërkohë që nuk ke nevojë për to. Pra, bëj atë që ke më të lehtë në çdo gjë. Rregulli për këtë është: që të ndjekësh më të lehtën është më e butë për veten dhe më e mirë tek Allahu.
Fjala e dytë: “mos vështirësoni”, d.m.th. mos ndiqni rrugët e vështira, as në adhurimin tuaj, as në marrëdhëniet tuaja me njëri-tjetrin dhe as në ndonjë gjë tjetër. Pra, ndjekja e të vështirës është e ndaluar, ndaj mos zgjidh të vështirën. Kur Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) pa një burrë i cili rrinte në djell, pyeti për të dhe njerëzit i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Ai është agjërueshëm. Është zotuar se do të agjërojë dhe do të rrijë në djell.” Atëherë Pejgamberi e ndaloi atë nga kjo gjë dhe i tha: “Mos rri në djell!” Kjo, sepse në këtë gjë ka vështirësi për njeriun dhe lodhje, ndërsa Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) thotë: “Mos kërko të vështirën!”
Fjala e tretë: “përgëzoni”, d.m.th. bëjeni përgëzimin rrugën tuaj gjithnjë. Përgëzoni veten tuaj dhe përgëzoni të tjerët. D.m.th. kur kryen një punë të mirë, përgëzohu dhe jepi myzhde vetes tënde se ajo vepër ka për t’u pranuar, nëse ti i je frikësuar Allahut në kryerjen e saj dhe e ke bërë për Hir të Tij, sepse Allahu thotë: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmëve -ata që i frikësohen Atij.” [El Maide, 27]. Kur i lutesh Allahut për diçka, përgëzoje vetveten se Allahu do t’i përgjigjet lutjes tënde, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, që t’ju përgjigjem!” [Gafir, 60].
Prandaj një prej selefëve ka thënë: “Kujt i jepet sukses që të bëjë dua (lutje), le të përgëzohet me plotësimin e saj, sepse Allahu thotë: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, që t’ju përgjigjem!” [Gafir, 60]. Pra, përgëzoje veten tënde në çdo punë që bën.
Këtë e përforcon edhe fakti se Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) e urrente pesimizmin dhe pëlqente optimizmin, sepse kur njeriu është optimist, ai bëhet aktiv, përgëzohet dhe i vjen e mira. Ndërsa kur bëhet pesimist, ai dëshpërohet e pikëllohet dhe nuk ngrihet për të bërë asnjë punë, ose punon sikur është i detyruar me forcë. Pra, ti përgëzoje vetveten dhe po ashtu përgëzoi të tjerët. Nëse të vjen dikush dhe të thotë se kam bërë kështu e kështu, duke qenë i frikësuar, ti përgëzoje atë dhe fut gëzim tek ai. Veçanërisht kur viziton të sëmurin; kur viziton një të sëmurë, thuaji atij: “Përgëzohu me të mirën, sepse ti je në të mirë dhe kjo gjëndje e sëmurë nuk do të vazhdojë gjithmonë. Njeriu duhet të durojë, ta llogarisë durimin për Hir të Allahut dhe ka për t’u shpërblyer për këtë gjë.” Si dhe fjalë të ngjashme si këto, sepse kështu ti fut gëzim tek aid he e përgëzon atë. Pra, le të jetë kjo rruga jote me të cilën ti sillesh me veten tënde dhe me të tjerët; përmbaju përgëzimit dhe fut gëzim në veten tënde dhe tek të tjerët, sepse kjo është e mira.
Fjala e katërt: “dhe mos largoni!”, d.m.th. mos largoni njerëzit nga kryerja e veprave të mira dhe mos i largoni ata nga rrugët e paqme, por jepuni kurajo në to. Madje as në lidhje me adhurimet, mos i largoni njerëzit. Shembull për këtë është zgjatja e namazit më shumë se ç’është suneti nga ana e imamit. Muadh ibën Xhebel (radijAllahu ‘anhu) falte namazin e jacisë (el isha) me Pejgamberin (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem), pastaj shkonte te fisi i tij dhe falte me tat ë njëjtin namaz. Një ditë, ai hyri në namaz dhe filloi të lexonte një sure të gjatë. Një burrë u nda nga xhemati dhe u fal vetëm. Njerëzit thanë se filani u bë hipokrit. Atëherë, ai burri shkoi te Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) dhe më pas erdhi tek Pejgamberi edhe Muadhi. Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) i tha Muadhit: “Mos je gjë provokues ti, o Muadh!”
Po kështu edhe dikujt tjetër, Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) i ka thënë: “Vërtet që disa prej jush janë largues të njerëzve. Kushdo prej jush që prin njerëzit në namaz, të falet lehtë.”
Pra, largimi i të tjerëve nuk lejohet, ndaj mos i largo njerëzit, por sillu butë me ta. Po kështu edhe kur bën thirrje në fenë e Allahut, mos u bëj thirrje njerëzve me mënyrë larguese. Kur sheh një njeri në gabim, mos i thuaj: “O filan! Ti ke kundërshtuar ligjin! Ti ke thyer urdhrin! Ti je kështu e ashtu!” , sepse kjo i largon ata dhe ua shton edhe më shumë zhytjen në gjynahe. Por bëju thirrje atyre me maturi e butësi, deri sa të miqësohen me ty dhe me atë në të cilën i thërret. Kështu ti ke zbatuar urdhrin e Pejgamberit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem), kur thotë: “Përgëzoni dhe mos largoni!”
Merre këtë hadith, o vëlla! Merre atë si kapitalin tënd: “Kërkoni të lehtën dhe mos kërkoni të vështirën! Përgëzoni dhe mos vështirësoni!” dhe ec për tek Allahu i Madhëruar sipas këtij rregulli dhe në këtë rrugë. Po kështu sillu edhe me të tjerët, dhe ke për të gjitur të gjithë të mirën, e Allahu është Ai i cili jep sukses.