Obligimet e gruas
Obligimet e gruas.
1 – E drejta e madhe e burrit
a) Epërsia e burrit ndaj gruas
Allahu (subhanehu ue teala) e ka caktuar burrin si kryefamiljarin e zakonshëm të familjes:
“Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase Allahu ka graduar disa mbi disa të tjerët dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre. Prandaj, me atë që Allahu i bëri të ruajtura, gratë e mira janë respektuese, janë besnike ndaj të fshehtës. E ato që keni dro kryelartësisë së tyre, këshilloni, madje
largohuni nga shtrati (e më në fund), edhe rrihni (lehtë, nëse nuk ndikojnë këshillat as largimi), e nëse ju respektojnë, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre. Allahu është më i larti, më i madhi.” (Nisa, 34).
Ibën Kethiri, radijAll-llahu anhu, gjatë komentit të këtij ajeti thotë: ”Burri është kujdestari i gruas, ai është mbikëqyrës i saj, prijës, udhëheqës dhe, ai i cili e korrigjon atë, nëse ajo devijon.”
Kjo i jep burrit një përgjegjësi të madhe në mbajtjen e familjes dhe e kualifikon atë për disa të drejta, të cilat duhet t’i kthehen atij nga anëtarët e tjerë të familjes, e mbi të gjithë, nga gruaja e tij. Kjo është epërsia mbi gruan që Allahu i ka caktuar burrit, ashtu siç thotë Ai (subhanehu ue teala):
”… Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikurse edhe përgjegjësia në bashkëshortësi, e burrave u takon një përparësi ndaj tyre. Allahu është i Gjithfuqishëm, i Urtë.” (Bekare, 228)
Duhet të kuptohet se kjo gradë është gradë përgjegjësie, para se të jetë gradë bindjeje e respekti. Burri e fiton këtë gradë duke e merituar me të vërtetë besimin që Allahu (subhanehu ue teala) i ka dhënë dhe e humb këtë gradë duke e neglizhuar këtë besim që i është dhënë.
b) Nënshtrimi ndaj autoritetit të burrit
Siç e cekëm më sipër, Allahu (subhanehu ue teala) i ka ndarë përgjegjësitë dhe detyrat brenda familjes dhe burrin e ka bërë autoritetin kryesorë. Gruaja nuk duhet ta mohojë apo sfidojë këtë autoritet. Përkundrazi, ajo duhet ta pranojë atë në përmbushje të urdhrave të Allahut. Ajo duhet ta shoh nënshtrimin e saj ndaj autoritetit të burrit, si nënshtrim ndaj caktimit të Allahut. Ky nënshtrim duhet të arrijë pothuajse gradën e përuljes ndaj burrit. Aisha, Ebu Hurejre, Muadhi dhe Burejde, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, kanë transmetuar se Pejgamberi i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
”Sikur të urdhëroja dikë t’i përulej dikujt tjetër, do ta urdhëroja gruan t’i përulej burrit”. Transmetuar nga Tirmidhiu, Ahmedi, Hakimi, dhe Ibën Maxhe. U verifikua si i saktë nga Albani ”Irvaul-Galil” 1998,” Sahihul Xhami” 5239, 5294.
Siç u cek më sipër, bindja e gruas ndaj burrit të saj është pjesë e bindjes së saj ndaj Allahut. Andaj, respektimi i këtyre të drejtave është pjesë e përmbushjes së të drejtave të Allahut. Abdullah Ibën Ebi Eufa ka transmetuar se Pejgamberi i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: ”Sikur të urdhëroja dikë t’i përulej dikujt tjetër përveç Allahut, do ta urdhëroja gruan t’i përulej burrit. Për Atë, në duart e të cilit është shpirti i Muhammedit, një grua nuk konsiderohet se ka plotësuar të drejtën e Allahut, derisa të mos ketë plotësuar tërësisht të drejtën e burrit e, për më tepër, edhe nëse ai e kërkon atë për veten kur ajo është duke ngarë devenë, ajo nuk duhet të refuzojë.” Transmetuar nga Ahmedi, Ibën Maxhe, dhe Ibën Hibbani. Vlerësuar si i mirë nga Albani ”Irvaul-Galil” 1998 ,”Sahihul Xhami” 5295.
c) Dëshira dhe vullneti i plotë për shërbim dhe mirëkuptim
Gruaja duhet të demonstrojë pranimin e autoritetit të burrit duke treguar dëshirë dhe vullnet t’i shërbejë atij me mundësitë më të mëdha që ka. Muadh Ibën Xhebel, radijAll-llahu anhu, ka transmetuar se Pejgamberi i Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë:
”Sikur gruaja ta dinte të drejtën e burrit të saj, ajo nuk do të ulej gjatë kohës kur ai han drekën apo darkën, derisa ai të përfundojë së ngrëni”. Transmetuar nga Taberani dhe El Bezari. Vlerësuar si i saktë nga Albani në ”Sahihul Xhami” 5259.
Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e sqaron vullnetin dhe dëshirën absolute të gruas për shërbim dhe nënshtrim ndaj autoritetit të burrit në një hadith, i cili mund t’i duket i neveritshëm dikujt. Ebu Seid el Hudri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka transmetuar se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: ”E drejta e burrit mbi atë të gruas është e tillë që, sikur të kishte burri ulçerë dhe kjo ta lëpinte atë, prapë ajo nuk do ta përmbushte të drejtën e tij”. Transmetuar nga Hakimi, Ibën Hibbani dhe të tjerë. Vlerësuar si i saktë nga Albani ”Sahihul Xhami” 7725.
Po ashtu Enesi radijAll-llahu anhu, ka transmetuar se Pejgamberi i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kanë thënë: ”Nuk i lejohet një njeriu t’i përulet një njeriu tjetër. Sikur t’i lejohej njeriut t’i përulej një njeriu tjetër, unë do ta urdhëroja gruan t’i përulej burrit për shkak të së drejtës së tij të madhe ndaj saj. Për Atë, në duart e të cilit është shpirti im, nëse ai (burri) të ishte me ulçerë prej majës së këmbëve deri te maja e kokës, e cila i rrjedh gjak dhe qelb dhe kjo ta lëpinte atë prej tij, ajo nuk do ta përmbushte të drejtën e tij.” Transmetuar nga Ahmedi dhe Nesaiu. Vlerësuar si i saktë nga Albani ”Sahihul Xhami” 7725.
Ky përshkrim e thekson të drejtën e madhe të burrit ndaj gruas e, për më tepër, edhe nëse ajo do të ishte e aftë të kryente një vepër aq të neveritshme, siç u përshkrua këtu, ajo prapë nuk do ta përmbushte të drejtën e tij. Me fjalë të tjera, zakonisht shumica e grave nuk i përmbushin të drejtat e burrit.
d) A është burri më i mirë?
Njeriu mund të pyesë veten, “çfarë ka kaq madhore te burri, që gruas t’i kërkohet të bëjë vepra kaq heroike dhe të pamundura, për ta kënaqur atë?”. Për t’u përgjigjur në këtë pyetje, fillimisht duhet t’i kuptojmë këto parime:
1. Të drejtat e rezervuara për burrin janë të nevojshme për ekzistimin e një familje paqësore dhe të frytshme.
2. Hadithet e mësipërme, kanë për qëllim njeriun i cili i përmbush të gjitha detyrat e tij si burrë dhe kryefamiljar. Ai vazhdimisht i ofron gruas së tij dhe fëmijëve udhëzim, mbrojtje, mbështetje, edukim, e kështu me radhë. Neglizhimi i ndonjë prej këtyre do ta zvogëlonte proporcionalisht të drejtat e tij mbi gruan. 4
3. Pasi burri t’i përmbushë të drejtat e tij ndaj gruas, siç u cek më sipër, ai bëhet ndihmës i vërtetë, i cili meriton plotësisht falënderimin dhe mbështetjen e saj.
Andaj, të drejtat e burrit jo domosdoshmërish thonë se ai është më i mirë se gruaja. Ai nuk është i ndonjë statusi më të lartë, apo lloji. Të dy vijnë nga Ademi (alejhi selam) dhe Ademi është nga dheu. Devotshmëria dhe ndershmëria janë ato që tregojnë se cili është më i mirë se tjetri. Të drejtat e tij janë caktuar nga Allahu për të siguruar mirëqenien dhe suksesin në raportet e tyre dhe të familjes. Edhe pse zakonisht gruaja është e varur nga burri në strukturën familjare, ajo mund të jetë më e mirë se ai në sytë e Allahut, posaçërisht kur ajo i përmbush obligimet e saj në mënyrë të tillë që e kënaq Allahun (subhanehu ue teala).
2 – Mirësia ndaj burrit
Pjesë e përmbushjes së të drejtës së burrit nga ana e gruas është trajtimi i tij në mënyrë të mirë dhe të ndershme, si dhe evitimi i lëndimit të tij.
Të tregohet mirënjohëse
Siç e kemi diskutuar më parë, burri zakonisht është i privilegjuar ndaj gruas së tij në shumë aspekte. Këto privilegje nuk janë të limituara në atë financiar, i cili edhe pse është zakonisht i vërtetë, nuk është gjithmonë ashtu. Gruaja duhet të jetë mirënjohëse ndaj burrit të saj, dhe duhet t’ia kthejë këto të mira atij në formë mirësie dhe trajtimi të mirë.
Shembull i mirë është Hadixheja, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila ishte më e pasur se i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Përparësia e saj financiare nuk e bëri atë arrogante apo mosmirënjohëse ndaj burrit të saj. Përkundrazi, ajo është shembull i mirë i modestisë dhe mirësisë, të cilën i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) vazhdoi ta kujtonte gjithë jetën.
Gruaja e cila nuk është e gatshme të pranojë privilegjet e burrit të saj nuk e kënaq Allahun (subhanehu ue teala), para se të mos e kënaqë burrin e saj. Abdullah Ibën Amër radijAll-llahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Allahu nuk e shikon (me mëshirë) gruan e cila nuk është mirënjohëse ndaj burrit të saj, duke qenë se ajo nuk mund t’ia dal pa të”.
Transmetuar nga En-Nesai (në El Kubra) dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Es-Sahihah, nr. 289).
Esma bint Zejd, radijAllahu anha, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) kaloi nga shtëpia e saj teksa ajo ishte me disa vajza të tjera të reja të moshës së saj. Ai iu drejtua atyre duke u thënë:
“Evitojeni mosmirënjohjen ndaj atyre që janë të privilegjuar.”
Ato e pyetën: “O Pejgamber i Allahut! Çfarë është mosmirënjohja ndaj atyrë që janë të privilegjuar?” Ai u tha: “Ndonjë nga ju do të qëndrojë me prindërit e saj për kohë të gjatë (para martesës). Pastaj Allahu do t’i japë asaj burrë të drejtë, dhe do t’i japë asaj fëmijë nga ai. Pastaj, ajo do të inatoset për ndonjë arsye dhe do të bëhet mosmirënjohëse, duke i thënë atij:
“Kurrë nuk kam pasur ndonjë të mirë nga ti.” Trasmetuar nga el-Buhariu (në Edeb el Mufrad), Ahmedi, dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Es-Sahihah nr.823).
Abdullah ibën Umeri, Ebu Hurejra dhe Ebu Seid el Hudriu, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, kanë thënë se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue selem) u ka thënë grave:
“O gra! Jepni sadaka dhe kërkoni shumë falje nga Allahu, sepse kam parë nga ju (gratë) të jeni shumica nga njerëzit e zjarrit. (Kjo ndodh sepse) ju shpesh mallkoni dhe jeni mosmirënjohëse ndaj burrave tuaj. Nuk kam parë nga të mangëtat në intelekt dhe fe që ia marrin mendtë burrit të arsyeshëm, më shumë se ju! Për sa i përket intelektit të mangët është se dëshmia e dy grave është e barabartë me atë të një burri. Dhe sa i përket fesë së mangët është se ajo rrin disa ditë pa namaz, dhe e prish agjërimin gjatë Ramazanit”. Trasmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.
“Të metat” mentale dhe fetare të gruas
Është me rëndësi të ceken gjërat në vijim përsa i përket hadithit të mësipërm:
1. I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) i ka përshkruar gratë si të mangëta mentalisht krahasuar me burrat. Mirëpo, kjo nuk duhet të nxirret nga konteksti. E meta e saj nxirret nga fakti se Allahu (subhanehu ue teala) kërkon dy gra dëshmitare në vend të një mashkulli, në mënyrë që njëra nga ato t’i kujtojë tjetrës në rast se ajo harron (për më shumë shiko suren El Bekare, ajeti 282). Kjo ‘harresë’ zakonisht shkaktohet nga ndjeshmëria më e madhe që ka gruaja krahasuar me burrin, dhe angazhimi i saj më i madh në punët shtëpiake e më i vogël në çështjet e jashtme. Andaj, thënia e të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) është shprehje e dallimeve të qarta mes natyrës femërore dhe mashkullore. Ajo thekson se edhe nëse ajo konsiderohet më ‘emocionale’ dhe më pak ‘intelektuale’ dhe ai konsiderohet më jo-emocional dhe më ‘intelektual’, ajo megjithatë mund ta tejkalojë atë në fushën e tij!
2. Njejtë, përshkrimi i gruas si e mangët në fenë e saj sqarohet me faktin se ajo nuk falet dhe nuk agjëron në kohën e mesntruacioneve. Andaj sërish duhet cekur se, edhe pse burri supozohet të jetë në pozitë më të fortë të të qenurit fetar për shkak se falet dhe agjëron më shumë, gruaja megjithatë
mund t’ia kalojë atij!
Mirësia ndaj burrit është vepër adhurimi
Trajtimi që gruaja i bën burrit mund të jeta rruga e saj për në Xhennet (ose në Zjarr). Hussejn ibën Mihsan, radijAll-llahu anhu, ka treguar se halla e tij e vizitoi të Dërguarin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Ai e pyeti atë:
“O grua, a ke burrë?”.
Ajo u përgjigj:
“Po.”
Ai e pyeti:
“Si e trajton atë?”.
Ajo u përgjigj:
“Aq sa mundem, nuk e refuzoj ndonjë kërkesë të tij.”
Ai tha:
“Atëherë shiko se çfarë është pozita jote me të, sepse ai është Xhenneti ose Zjarri yt”. Transmetuar nga Ahmedi, Hakimi dhe të tjerë. U verifikua si hasen nga Albani (Sahihul Xhami nr. 1509)
Gratë më të mira
Ndër gratë më të mira është ajo e cila është e mirë dhe e sjellshme ndaj burrit të saj. Ebu Udhejneh Es-Sadefij, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Gratë më të mira janë ato që lindin shumë fëmijë, janë të dashura (ndaj burave të tyre), mbështetëse, dhe tolerante, nëse kanë takva (drojë) Allahun. Ndërsa gratë më të këqija janë ato që shfaqin bukuritë e tyre dhe që ecin me kapardisje. Ato janë hipokrite dhe nuk do të hyjë në Xhennet prej tyre veçse rrallë ndonjë, aq sa ka korba me sqep dhe këmbë të kuqe”. Transmetuar nga Bejhekiu (në Es-Sunen) the të tjerë. I verifikuar si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr 3330 dhe es-Sahihah nr. 1849). Pjesa e fundit e tij “korba ea’sam” (me sqep dhe këmbë të kuqe) po ashtu është transmetuar nga Ahmedi dhe të tjerë prej Amër Ibën Asit, radijAll-llahu anhu, dhe është verifikuar si i saktë nga Albani (Es-Sahihah nr. 1850).
Ibën Abasi, radijAll-llahu anhu, ka treguar se I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“A t’ju tregoj për burrat që do të jenë në Xhennet? Pejgamberët do të jenë në Xhennet, siddikunët (të vërtetët) do të jenë në Xhennet, shehidët (dëshmorët) do të jenë në Xhennet, fëmiu (që vdes para pubertetit) do të jetë në Xhennet dhe burri i cili viziton vëllaun e tij në një vend të largët, duke e bërë këtë vizitë vetëm për hir të Allahut (subhanehu ue teala).
Për sa i përket gruas që do të jetë në Xhennet, është ajo gruaja e cila është e dashur me burrin e saj, i lind shumë fëmijë dhe që tregon vëmendje ndaj tij; dhe kur ai nervozohet, ajo shkon te ai, e vë dorën e saj mbi dorën e tij, dhe i thotë:
“Nuk do të fle deri sa ti të jesh i gëzuar”. Transmetuar nga Temmam er-Razi, Ibën Asakir, dhe të tjerë. I verifikuar si hasen nga Albani (es-Sahihah nr. 287).
Ndalimi i lëndimit të burrit
Gruaja e cila e lëndon burrin e saj, merr mallkime nga gratë e Xhennetit. Ky fakt tregon se Allahu nuk është i kënaqur me të. Muadh Ibën Xhebel, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Kur gruaja e lëndon (shpirtërisht) burrin e saj (të drejtë) në çështje të dunjasë, gruaja e tij (e ardhme) nga hyrijat e Xhennetit thotë:
‘Mos e lëndo atë, Allahu të vraftë, ai është vetëm përkohësisht me ty, dhe së shpejti do të vijë te ne”. Transmetuar nga Ahmedi, Tirmidhiu dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr 7192 dhe es-Sahihah nr. 173).
3 – Bindja ndaj burrit
Bindja ndaj burrit vërtet që është obligim për gruan myslimane, është vepër adhurimi të cilën gruaja e bën për hir të Allahut dhe për ta arritur kënaqësinë e Tij. Kemi parë shumë tekste të cilat e mësojnë gruan t’i bindet burrit dhe të bashkëpunojë me të për të mbajtur familjen. Kemi edhe shkrime të tjera të cilat janë edhe më të qarta në këtë drejtim:
Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Kur gruaja fal pesë kohët e namazit, agjëron muajin (e Ramazanit), e ruan moralin e saj, dhe i bindet burrit, asaj do t’i thuhet (në Ditën e Gjykimit), “Hy në Xhennet nga cilado nga (tetë) dyert e tij.” Transmetuar nga Ibën Hibbani. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami’ nr. 660 dhe Adabu ez-Zefaf fq. 286).
Njëjtë, Enesi, Abdurrahman Ez-Zuhriu dhe të tjerë, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, kanë treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur gruaja fal pesë kohët e namazit, agjëron muajin (e Ramazanit), ruan moralin e saj, dhe i bindet burrit të saj, ajo do të hyjë në Xhennet”. Transmetuar nga Bezzari, Ahmedi dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami’ nr. 661 dhe Adabu Ez-Zefaf fq. 286)
Në anën tjetër, mosbindja ndaj burrit është mëkat i madh, i cili mund të shkaktojë mospranimin e namazit te Allahu. Ibën Umeri, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Janë dy njerëz, namazi i të cilëve nuk ngrihet sipër kokave të tyre: një rob i cili ikë nga kujdestari i tij – deri sa të kthehet te ai, dhe një grua e cila nuk i bindet burrit të saj – derisa të kthehet (në bindje ndaj tij)”. Transmetuar nga el-Hakimi dhe Et-Teberani. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami’ nr. 136 dhe Es-Sahihah nr. 288).
Shërbimi ndaj burrit
Pjesë e bindjes së gruas ndaj burrit është shërbimi ndaj tij sipas mundësive të saj më të mëdha. Kjo përfshinë kryerjen e punëve të përditshme, shërbimin e ushqimit etj. Sërish e citojmë hadithin e transmetuar nga Muadh Ibën Xhebeli radijAll-llahu anhu, në të cilin i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) thotë:
“Sikur gruaja ta dinte të drejtën e madhe që ka burri ndaj saj, ajo nuk do të ulej gjatë kohës kur burri e han darkën e tij, derisa ai të përfundojë së ngrëni”. Transmetuar nga Teberani dhe el-Bezzari. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami’ nr. 5259).
Asnjë grua nuk është e përjashtuar nga ky obligim, përveç rastit kur burri pëlqen ta pushojë atë. Madje, edhe një grua shumë fisnike, siç ishte e bija e të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e shihte veten të obliguar me këtë.
Aliu, radijAll-llahu anhu, ka treguar se gruaja e tij Fatima, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, shkoi te i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) për t’u ankuar për shenjat që mulliri i gurtë linte në dorën e saj. Ajo nuk e gjeti atë aty por i la një porosi përmes Aishes, radijAllahu anha, duke kërkuar prej tij t’i jepte një shërbëtore nga robëreshat të cilat i kishte marrë ai kohëve të fundit. Kur Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, i tregoi atij për nevojën e vajzës së tij, ai shkoi në shtëpinë e saj, hyri dhe e gjeti atë dhe Aliun të shtrirë, gati për të rënë në gjumë. Fatima filloi të ngrihej, por i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem) i tha asaj të qëndronte në shtrat. Ai u ul mes tyre dhe tha:
“A t’iu drejtoj drejt diçkaje që është më e mirë se ajo që ke kërkuar? Kur të shkosh për të fjetur thuaj SubhanAllah (Allahu është i pastër nga çdo e metë) tridhjetë e tre herë, Elhamdulil-lah (Të gjitha falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut) tridhjetë e tre herë, dhe Allahu ekber (Allahu është më i Madhi) tridhjetë e tre herë. Me të vërtetë kjo është më e mirë për ty se një shërbëtore”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.
Ibën Kajjimi shënon:
“Shërbimi i gruas ndaj burrit të saj është një çështje për të cilën nuk ka dyshime. Nuk është në rregull të bëhen dallime në këtë gjë ndërmjet një gruaja të një klase të lartë dhe asaj të një klase të ultë, ose ndërmjet një gruaje të varfër dhe një të pasure. Gruaja më fisnike nga të gjitha gratë (Fatima) i shërbente burrit të saj. Ajo shkoi për t’u ankuar te babai i saj (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) për vështirësitë që ajo po haste në këtë gjë, por ai nuk ia plotësoi dëshirën”. (Zadul Mead 5:160).
Udhëzime për bindje
Janë disa parime të rëndësishme të cilat duhet theksuar për sa i përket çështjes së bindjes. Këto në vijim janë cekur edhe më parë por po i përmendim si referencë:
1. Duke iu bindur burrit, gruaja i bindet Allahut (subhanehu ue teala) sepse Ai e kërkoi këtë nga ajo.
2. Gruaja duhet t’i bindet burrit aq sa kjo bindje është brenda mundësisë/kapacitetit të saj.
3. Nuk duhet t’i bindet burrit në çështje të cilat përbëjnë mëkat ndaj Allahut të lartësuar.
4 – Veprimi i gjërave që e kënaqin burrin
Si pjesë e mirësisë së saj ndaj burrit, gruaja duhet të bëjë sa më shumë që ta kënaq atë – duke u siguruar se ajo që po bën nuk e hidhëron Allahun (subhanehu ue teala).
Arritja e kënaqësisë së tij me dukjen e saj
Gruaja e mirë përpiqet ta kënaq burrin e saj me dukjen e saj. Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Gruaja më e mirë është ajo që e kënaq atë (burrin e saj) kur ai e shikon, i bindet atij kur ai e urdhëron, dhe në veten ose paratë e saj nuk e kundërshton atë që ai e do”. Transmetuar nga Ahmedi, en-Nesai dhe Hakimi. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 3298 dhe Sahihah nr. 1838).
Në mënyrë të ngjashme, Abdullah bin Selami radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) është pyetur:
“Cilat janë gratë më të mira?”.
Ai u përgjigj:
“Më e mira nga gratë është ajo që të kënaq kur e sheh atë, të bindet kur e urdhëron atë, dhe që të ruan ty në mungesën tënde për sa i përket vetes së saj dhe pasurisë tënde”. Transmetuar nga Taberaniu (në El Kebir) dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 3299 dhe Sahihah nr. 1838).
Është me rëndësi të theksohet këtu se ‘të kënaqurit’ e burrit duhet të bëhet në përputhje me Islamin, që do të thotë se ajo nuk duhet të duket apo të veprojë në mënyrë të tillë që nuk e kënaq Allahun. Mënyra më e mirë e të ‘kënaqurit’ arrihet duke qenë shembull si grua myslimane praktikuese e fesë: hixhabi i saj, modestia dhe ndershmëria. Të gjitha këto do të sjellin gëzim të madh dhe kënaqësi në shpirtin dhe zemrën e besimtarit të vërtetë.
Të pranuarit e njerëzve vetëm me lejen e tij
Gruaja nuk duhet ta lejojë askë të hyjë në shtëpinë e burrit të saj pa pëlqimin e tij. Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Në prezencën e burrit, gruas nuk i lejohet të agjërojë pa lejen e tij, përveç muajin e Ramazanit. Po ashtu nuk e fut në shtëpinë e tij askënd pa lejen e tij”. Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi.
Miratimi i burrit mund të jetë i nënkuptueshëm.
Për shembull, nëse një grua është e sigurt se burri i saj nuk e kundërshton ardhjen e grave fqinje për vizitë, atëherë ajo nuk e ka për detyrë ta pyesë atë për leje të veçantë sa herë që ndonjë nga ato i vjen në vizitë.
Evitimi i kërkimit të divorcit pa arsye
Një grua e ndershme nuk do të kërkonte divorc nga burri i saj pa pasur arsye të mirë. Vetëm nëse ajo e vëren se ai po i shkakton dëm serioz në besimin e saj ose në mirëqenien e saj, arsyetohet kërkimi i divorcit nga ajo. I Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka paralajmëruar se gratë që
kërkojnë divorc pa arsye do të dënohen, dhe mund të mos hyjnë në Xhennet. Theubani, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Çdo grua që kërkon divorc nga burri i saj pa arsye (serioze), aroma e Xhennetit do të jetë e ndaluar për të”. Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Davudi dhe të tjerë. Uverifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 2706 dhe Iruaul Galil nr. 2035)
Kërkimi i divorcit (pa arsye) nga burri është shenjë e mosmirënjohjes dhe nënvlerësim i autoritetit dhe mundit të tij. Është goditje në fytyrën e tij, e cila nuk është e lejuar në Islam pa një arsye të vlefshme.
Këshilla e një nëne drejtuar vajzës së saj
Më poshtë kemi një këshillë nga një nënë e periudhës së xhahilijjetit (paraislame) drejtuar vajzës së saj në ditën e saj të martesës. Kjo këshillë pasqyron një përvojë fisnike dhe të pjekur, ku me pak fjalë, i përshkruan asaj veprat më të rëndësishme që një grua duhet t’i marrë në konsideratë, në mënyrë që ta kënaq burrin e saj.
Ummu Ajas, Bint Auf ibën Muslim Esh-Shejbanijen e martuan për Amër bin Hixhrin, i cili ishte mbret i fisit Kinda në Jemen. Në prag të martesës së saj, nëna e saj Umame bint El Harith e mori mënjanë dhe i tha:
“O bija ime! Sikur këshillat t’u ndërpriteshin atyre që janë të moralshëm dhe të sjellshëm, atëherë nuk do të kishe nevojë për këshillë. Mirëpo, këshilla i përkujton ata që kanë harruar dhe i udhëzon të mençurit. Nëse gruaja heq dorë nga martesa për shkak të pasurisë së prindërve të saj, ose për shkak të dhembshurisë e dashurisë së tyre ndaj saj, atëherë nuk do të kishe nevojë për martesë fare. Andaj, gratë janë bërë për burrat, dhe burrat janë bërë për to.
O bija ime! Tash do ta lësh mjedisin në të cilën ke jetuar dhe folenë ku je rritur, për të shkuar në një vendbanim dhe te një shok i panjohur. Për shkak të përkujdesit të burrit tënd ndaj teje, ai tani është mbikëqyrësi dhe udhëheqësi yt. Andaj bëhu shërbyese e tij dhe, pa dyshim, edhe ai do të jetë shërbyesi yt. Bëhu toka e tij (në bindje e nënshtrim), ai do të jetë qielli yt (në mbrojtje). Ruaji për të këto dhjetë cilësi, dhe ato do të jenë thesar për ty:
1. Dorëzoju atij duke treguar kënaqësi (ndaj asaj që ai të jep).
2. Dëgjoje atë dhe bindju në mënyrën më të mirë.
3. Kujdesu për atë që e shikojnë sytë e tij, që të mos shohin diçka të shëmtuar te ti.
4. Kujdesu për atë që nuhat hunda e tij, që të mos ndjejë nga ti përveç aromës më të mirë.
5. Respekto orarin e shujtave të ushqimit të tij, sepse uria është shkaktar i zemërimit.
6. Respekto orarin e gjumit të tij, sepse pagjumësia e bën të bezdisshëm dhe e mërzit atë.
7. Ruaje pasurinë e tij duke mos e keqpërdorur atë.
8. Kujdesu për fëmijët dhe shërbyesit e tij duke përdorur plane të mira.
9. Mos refuzo ndonjë nga urdhërat e tij, sepse nëse e bën këtë, do ta fyesh atë.
10. Mos zbulo ndonjë nga sekretet e tij, sepse nëse e bën këtë, nuk do të jesh i sigurt nga hakmarrja e tij.
Për më shumë, mos shpreh gëzim kur ai është i brengosur, e as pikëllim kur ai është i gëzuar, sepse kjo do të ngjall urrejtje. Dhe kujto bija ime, se sa më shumë që e kënaq atë, aq më shumë do të jesh e nderuar prej tij. Dhe kujto se nuk do të kesh atë që ti dëshiron nga ai pa i dhënë përparësi dëshirave të tij para dëshirave të tua”. Transmetuar nga Asbahani në “El Egani” (pjesërisht e përfshirë në Tuhfatul Arus, fq. 91-92).
5 – Përmbushja e nevojës fizike të burrit
Obligimi i madh
Dëlirësia është motivi kryesor i martesës. Burri e ruan dëlirësinë e tij duke e drejtuar epshin e tij kah gruaja e tij, në vend se ta drejtojë atë drejt të ndaluarës. Andaj, është obligim i madh i gruas që gjithmonë të jetë në dispozicion ta ndihmojë burrin e saj në shfryerjen e epshit; dhe është mëkat i madh për të ta refuzojë burrin në kënaqësinë intime, të cilën ia kërkon ai.
Abdullah bin Ebi Eufa, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
”Sikur të urdhëroja dikë t’i përulej dikujt tjetër përveç Allahut, do ta urdhëroja gruan t’i përulej burrit. Për Atë, në duart e të cilit është shpirti i Muhammedit, një grua nuk konsiderohet se ka plotësuar të drejtën e Allahut, derisa të mos ketë plotësuar tërësisht të drejtën e burrit e, për më tepër, edhe nëse ai e kërkon atë për veten kur ajo është duke ngarë devenë, ajo nuk duhet të refuzojë.” Transmetuar nga Ahmedi, Ibën Maxhe, dhe Ibën Hibbani. Vlerësuar si i mirë nga Albani ”IrvaulGalil” 1998 ,”Sahihul Xhami” 5295.
Nga hadithi i mësipërm shohim se gruaja nuk duhet të ngurrojë t’i përgjigjet thirrjes së burrit të saj, edhe nëse kjo do t’i shkaktonte ndonjë bezdi. Në mënyrë të ngjashme, Zejd bin Arkami, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Kur burri e fton gruan e tij në shtratin e tij, ajo duhet t’i përgjigjet atij, edhe nëse është e ulur në shalën e devesë”. Transmetuar nga Bezari dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (es-Sahihah nr. 1203 dhe Sahihul Xhami nr. 533).
Talk bin Ali, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Kur burri e fton gruan e tij për nevojën e tij (seksuale), ajo duhet t’i shkojë atij, edhe nëse ajo është duke gatuar në furrë”. Transmetuar nga Ahmedi, Nesaiu dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (es-Sahihah nr. 1202 dhe Sahihul Xhami nr. 534).
Refuzimi i kënaqësisë intime është mëkat i madh
Pasi që është obligim i madh mbi gruan ta përmbushë qejfin e burrit të saj, refuzimi i saj për ta bërë këtë është mëkat i madh që meriton mallkimin e melaikeve dhe zemërimin e Allahut. Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Nëse burri e fton gruan në shtratin e tij dhe ajo refuzon të shkojë, ndërkohë që ai fle i inatosur, melaiket e mallkojnë atë deri në mëngjes”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.
Në një transmetim tjetër, Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, ka thënë se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Kur gruaja braktis shtratin e burrit të saj natën, melaiket e mallkojnë atë deri në mëngjes”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.
Dhe, Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, ka thënë se i Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk mund të ndodhë kurrë që një burrë ta ftojë gruan e tij në shtrat dhe ajo të refuzojë, veçse Ai i cili është mbi qiej do të hidhërohet me të deri sa ai (burri i saj) t’ia falë asaj”. Transmetuar nga Muslimi.
Ebu Umameh, radijAll-llahu anhu, ka thënë se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Janë tre njerëz, namazi i të cilëve nuk ngrihet sipër veshëve të tyre (nuk pranohet): një rob i ikur deri sa të kthehet (te kujdestari i tij), një grua që e kalon natën përderisa burri i saj është i zemëruar me të, dhe një njeri që i udhëheq disa njerëz dhe ata nuk e pëlqejnë atë”. Transmetuar nga Tirmidhiu. U verifikua si hasen nga Albani (Sahihul Xhami nr. 3057)
Nuk ka agjërim vullnetar pa lejen e tij
Duke qenë se gruaja duhet të jetë e gatshme dhe në formë për të përmbushur nevojën fizike të burrit të saj, ajo nuk është e lejuar të agjërojë vullnetarisht pa lejen e tij. Arsyeja për këtë ndalesë është se agjërimi i saj ‘vullnetar’ mund të bie ndesh me ‘obligimin’ e saj për të përmbushur nevojën e tij. Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, ka thënë se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Nëse burri i saj është prezent, gruaja nuk duhet të agjërojë pa lejen e tij – përveç në Ramazan. Dhe nëse ai është prezent, ajo nuk duhet ta lejojë askënd në shtëpinë e tij pa lejen e tij. Dhe sigurisht që ai do të marrë gjysmën e shpërblimit për atë që ajo shpenzon pa lejen e tij nga të ardhurat e tij”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.
Përzgjedhja e mesit në adhurime
Ngjashëm me agjërimin, gruaja duhet të evitojë kryerjen e adhurimeve të tepërta të cilat mund të bien ndesh me obligimin e saj ndaj burrit. Ebu Seid el Hudriu, radijAll-llahu anhu, ka thënë se gruaja e Safuan bin el Muatilit erdhi te i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue
sel-lem) kur Safuani dhe të tjerë nga sahabët ishin aty me të. Ajo tha:
“O i Dërguari i Allahut! Burri im Safuan bin el Muatili më rrah kur unë falem, më obligon të ha kur unë agjëroj, dhe ai nuk e fal namazin e sabahut deri afër lindjes së diellit”
I Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e pyeti Safuanin për thëniet e saj, dhe ai u përgjigj: “O i Dërguari i Allahut! Për thënien se unë e rrah atë kur ajo falet, kjo ndodh sepse ajo lexon dy sure (pas Fatihasë), duke më shkaktuar mua parehati – edhe pse unë i them të mos veprojë ashtu”.
I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “Nëse lexohet vetëm një sure, ajo do t’ju mjaftojë njerëzve”
Safuan vazhdoi: “Për sa i përket thënies se unë e obligoj atë ta prishë agjërimin, këtë e bëj sepse ajo shpesh agjëron (agjërim vullnetar) – ndërsa unë jam njeri i ri dhe nuk mund ta duroj këtë (për shkak të epshit tim).
I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “Gruaja nuk mund të agjërojë pa lejen e burrit të saj”.
Safuan vazhdoi: “Për sa i përket thënies së saj se unë nuk falem deri sa të lind dielli, kjo ndodh sepse unë rrjedh nga një familje që njihet të jetë kështu. Ne nuk mund të zgjohemi deri afër lindjes së diellit”.
I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “Atëherë, kur të zgjohesh, falu”. Transmetuar nga Ebu Davudi, Ahmedi dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihah nr. 395 dhe 2172, dhe Irvaul Galil nr. 2004).
6 – Evitimi i situatave të dyshimta me burrat e tjerë
Jeta martesore është e bazuar në besim. Varësisht nga sjellja e saj, gruaja mund të jetë burim i nderit apo prishjes për tërë familjen. Në mënyrë që ta ketë besimin e burrit të saj dhe ta ruajë nderin e tij, ajo duhet t’i evitojë të gjitha situatat që mund të shkaktojnë dyshime te ai dhe te njerëzit e tjerë.
Evitimi i shfaqjes së bukurive të saj te burrat e tjerë
Gruaja duhet të jetë modeste dhe e thjeshtë në dukjen e saj, duke evituar gjithçka që mund të tërheq syrin e burrave ose që mund t’u jap atyre mendime të liga. Fudale bin Ubejdi, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Janë tre lloje njerëzish për të cilët nuk duhet të pyesësh (sepse ata janë të dënuar): burri që largohet nga xhemati, nuk i bindet imamit (udhëheqësit) të tij dhe vdes në këtë gjendje; një rob, burrë apo grua, që ikë nga kujdestari i tij dhe vdes në atë gjendje (të arratisjes); dhe një grua e cila, në mungesë të burrit të saj, edhe pse ai i kishte mjaftuar asaj në brengat e dunjasë, e zbukuron veten e saj (në mungesë të tij) për burrat e tjerë. Andaj, nuk keni pse pyetni për këta”. Transmetuar nga Buhariu (në El Edeb El Mufrad) dhe Hakimi. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 3058 dhe Sahihah nr. 542).
Evitimi i bisedave të panevojshme me burrat e tjerë
Gruaja nuk duhet të flasë me burrat e tjerë pa lejen e burrit të saj (qoftë kjo leje e veçantë apo e nënkuptueshme). Megjithatë, biseda e saj me burrat e tjerë duhet të jetë e limituar, formale, dhe drejtë e në temë.
Amër Ibën el Asi, radijAll-llahu anhu, ka treguar: “I Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka ndaluar bisedën me gratë pa lejen e burrave të tyre”. Transmetuar nga Teberani (në El Kebir). U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 6813 dhe Sahihah nr. 652).
Evitimi i vetmimit me burrat e tjerë
Gruaja nuk guxon të vetmohet në një vend privat me një burrë i cili nuk është as burri i saj e as mahremi i saj. Ibën Umeri, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Pas kësaj dite, mos lejoni asnjë burrë të hyjë në privatësinë e gruas, përveç nëse me veti ka një apo dy burra të tjerë [1]” Transmetuar nga Muslimi dhe Ahmedi.
Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Gruaja nuk bën të udhëtojë përveç me mahremin e saj. Dhe asnjë burrë (i huaj) të mos hyjë në prani të saj, duke mos qenë me të edhe mahremi i saj”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.
Evitimi i udhëtimit pa mahrem
Gruaja nuk mund të udhëtojë pa mahrem. Në udhëtim, personi është më i dobët dhe më i rrezikuar nga sulmet dhe joshjet – qoftë edhe në udhëtimet e sotme të modernizuara. Andaj, gruaja duhet ta ketë një burrë me të, në mënyrë që ai ta mbrojë dhe ndihmojë atë. Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk është e lejuar për gruan të udhëtojë përveçse e shoqëruar nga mahremi i saj”. Transmetuar nga Muslimi.
Dhe, Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk është e lejuar për gruan të udhëtojë në distancën prej një berid [2] (një stacion poste), përveç e shoqëruar nga mahremi i saj, me të cilin nuk i lejohet të martohet”.Transmetuar nga Ebu Davudi, Hakimi dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 7302 dhe Sahihah nr. 2421).
Evitimi i heqjes së rrobave jashtë shtëpisë
Gruaja nuk duhet të heqë rrobat e saj jashtë shtëpisë. Disa gra e kishin zakon të bënin banjë në banjat publike për femra. I Dërguari (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e ndaloi një gjë të tillë, duke treguar se gruaja që e bën këtë nuk meriton mbulojën dhe mbrojten e Allahut. Ebu el Malih el Hudheliu, radijAll-llahu anhu, ka treguar se disa gra nga Himsi [3] e vizituan Aishen, radijAllahu anha. Ajo i pyeti ato:“A jeni ju nga ata njerëz që i lejojnë gratë e tyre të shkojnë në banja publike?
Ata u përgjigjën: “Po”.
Ajo pastaj tha se e kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) duke thënë:
“Ajo grua që i heq rrobat e saj nga trupi në vend tjetër përveç shtëpisë së saj me të vërtetë se e ka thyer perden mes saj dhe Allahut (subhanehu ue teala)”. Transmetuar nga Ahmedi, Tirmidhiu, Ibën Maxhe dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 2710).
Në të njëjtën mënyrë, Ummu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Ajo grua që i heq rrobat e saj në shtëpi tjetër përveç asaj të burrit të saj, Allahu (subhanehu ue teala) do të heq mbulesën e Tij prej saj”. Transmetuar nga Ahmedi, Hakimi dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 2708).
Hadithet e mësipërme vlejnë gjithashtu edhe për ato gra, të cilat i heqin rrobat në vende publike ku provohen ose në ndonjë vend tjetër ku nuk janë të sigurta nëse ndonjë burrë ose grua mund të shoh ndonjë pjesë të turpit të saj, të cilën nuk lejohet ta shoh askush tjetër veç burrit të saj.
Evitimi i daljes nga shtëpia pa arsye
Në përgjithësi, vendi i zakonshëm i gruas është shtëpia e saj. Ajo është zona ku shtrihen detyrat e saj dhe aty ajo i kryen ato me sukses. Shtëpia i ofron asaj mbrojtje dhe siguri dhe e mban atë larg situatave të dyshimta. Një grua myslimane nuk do të dilte jashtë shtëpisë pa arsye. Ajo do t’u largohej vendeve ku ka gjasë të përzihet me burra të huaj ose të jetë në afërsi me ta. Allahu i këshillon Nënat e Besimtarëve, po ashtu dhe gratë tjera, duke thënë:
“Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes” [El-Ahzab 33:33].
[1]
“Komisioni i përhershëm për studime dhe fetua” pas studimit dhe krahasimit të të gjitha argumenteve që flasin rreth kësaj tematike shënon (17/83-85): “Nga ajo që u përmend më lartë, gjithashtu kuptohet se hadithi: “Pas kësaj dite, mos lejoni asnjë burrë të hyjë në privatësinë e gruas, përveç nëse me veti ka një apo dy burra të tjerë”, duhet të interpretohet që hyrja e disa burrave tek gruaja që nuk e ka pranë burrin apo mahremin e saj lejohet me kushte:
1) Të ekzistoj nevoja për këtë.
2) Të jetë e sigurt që mes tyre nuk do të lind ndonjë joshje.
3) Të jetë e sigurt se nuk ekziston asnjë mundësi që ata fshehurazi të planifikojnë ndonjë paturpësi.
Ky nuk është interpretim nga mendja, mirëpo është i bazuar mbi objektivin sheriatik (fetar) që kuptohet nga totali i Teksteve (nga Kurani dhe Sunneti) të cilat flasin për ruajtjen e organeve të turpshme (nga imoraliteti), ruajtjen e linjës familjare, ndalimin e cenimit të nderit, dhe ndalimin e rrugëve që dërgojnë deri te këto gjëra të ndaluara. Prej këtyre Teksteve është edhe hadithi i lartcekur, në të cilin lejimi i hyrjes (te gruaja e vetmuar) kushtëzohet nëse ekziston më shumë se një burrë, në mënyrë që të mënjanohet El Hulve (vetmia mes një burri dhe gruaje), të largohen dyshimet dhe të realizohet siguria për të mos lindur ndonjë joshje mes tyre”.
Kjo fetua u shënua nga komisioni në përbërje me: AbdulAziz bin Baz, AbduRrezak Afifi dhe Abdullah bin Gudejan. Sh.p.
[2] Ibën Huzejme ka definuar këtë sa 12 milje Hashimi. Çdo milje Hashimi është 4000 kut (një kut: 60 cm), ose 2.4 km, ose 1.5 mi. Andaj, një berid është përafërsisht 18 milje angleze.
[3] Një qytezë në Sham, në veri të Damaskut.
7 – Përgjegjësia financiare
Kemi parë më herët se gruaja e bart përgjegjësinë e mirëqenies financiare të shtëpisë së saj.
Ruajtja e posedimeve të tij
Një e drejtë e madhe që ka burri ndaj gruas së tij është që ajo ta ruajë pronën e tij në mungesë të tij. Allahu (subhanehu ue teala) thotë:
“Gratë e mira janë ato të dëgjueshmet (ndaj Allahut), që në mungesë (të burrave të tyre) ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu (nderin e burrave të tyre, pronën, fshehtësitë etj)” [En-Nisa 4:34]
Përmbushja e këtij obligimi është një vepër e mirë të cilën e ka lavdëruar i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Ibën Abasi, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) njëherë deshi të martonte një grua nga Kurejshët, Ummu Hani bint Ebi Talibi, e cila kishte pesë ose gjashtë djem të vegjël me burrin që i kishte vdekur. Ajo e refuzoi propozimin e të Dërguarit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) duke thënë:
“O i Dërguar i Allahut! Ti je krijesa më e dashur e Allahut te unë, dhe je më i dashur te unë sesa dëgjimi dhe shikimi im. Por do të urreja për ty bezdisjen nga këta djem mëngjes e mbrëmje. Dhe, me të vërtetë e drejta e burrit është e madhe. Andaj, unë kam frikë se nëse e drejtoj kujdesin tim ndaj burrit, do të bëhem e pakujdesshme ndaj fëmijëve të mi; dhe nëse e drejtoj kujdesin tim ndaj fëmijëve, do të shpërfilli të drejtat e burrit”.
Ndërsa, i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha:
“Gratë më të mira që ngasin devetë janë Kurejshitet; ato janë më të kujdesshmet ndaj fëmijëve të tyre në fëmijëri, dhe më të kujdesshmet ndaj burrave të tyre për sa i përket ruajtjes së pronës së tyre”. Transmetuar nga Ahmedi dhe Ibn Sa’d. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihah nr. 2523). Teksti i fjalëve të të Dërguarit të Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) po ashtu transmetohet nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë, nga Ebu Hurejra dhe Muavija, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre (shih Sahihah nr. 2524)
Të shpenzuarit me lejen e tij
Gruaja nuk duhet të shpenzojë prej pasurisë së burrit të saj pa lejen e tij, apo një miratimi që vetëkuptohet nga ana e tij, qoftë edhe për bamirësi. Abdullah Ibën Amër, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Nuk i lejohet gruas të japë ndonjë kontribut, pa lejen e burrit të saj’’. Transmetuar nga Ebu Davudi. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 7626 dhe Sahihah nr. 825).
Ushqimi është pjesë e besimit
Ushqimi është lënë në besimin e gruas, të cilin ajo nuk duhet ta jap si lëmoshë pa lejen e burrit të saj. Ebu Umame el Bahili, radijAll-llahu anhu, dhe të tjerë kanë treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem) në një fjalim gjatë haxhit lamtumirës pati thënë: “Allahu ka caktuar për çdo njeri të drejtën e tij të duhur; andaj, asnjë trashëgimi nuk duhet të bëhet për trashëgimtarin (e zakonshëm). Dhe gruaja nuk mund të shpenzojë asgjë nga shtëpia e saj pa lejen e burrit të saj”.
Dikush e pyeti: “O i Dërguar i Allahut! As edhe ushqimin?”.
Ai u përgjigj: “Ajo është pasuria jonë më e mirë”. Transmetuar nga Ebu Davudi, Ibën Maxhe dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahih Ebi Davud nr. 3044)
Shpërblimi i përbashkët
Nëse gruaja jep lëmoshë nga pasuria e burrit të saj, duke e ditur se ai nuk e kundërshton këtë, ajo do të marrë gjysmën e shpërblimit dhe ai do të marrë gjysmën tjetër.
Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Kur gruaja jep lëmoshë nga fitimet e burrit të saj, pa porosinë e tij, ai merr gjysmën e shpërblimit”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë. Po ashtu Ebu Hurejra, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Nuk i lejohet gruas të agjërojë pa lejen e burrit të saj, kur burri i saj është prezent përveçse në Ramazan. E as nuk i lejohet asaj ta lejojë dikë në shtëpinë e tij pa lejen e tij. Dhe çdo lloj lëmoshe që ajo jep pa porosinë e tij, ajo merr gjysmën e shpërblimit”. Transmetuar nga Buhariu.
Aisha, radijAllahu anha, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sallAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur gruaja jep (lëmoshë) nga ushqimi i shtëpisë së saj, pa shkaktuar dëm (për familjen), ajo merr shpërblim për shpenzimin e saj, dhe burri i saj merr shpërblimin e tij sepse ai e ka siguruar (ushqimin)”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.
Përdorimi i parave të saj
Islami i jep gruas të drejtën e posedimit të pasurisë, dhe burri nuk ka të drejtë të marrë nga pasuria e saj (duke përfshirë këtu stolitë e saj, prika, rrobat, etj) pa lejen e saj. Megjithatë, për të ruajtur harmoninë dhe rregullin në familje, duke qenë se burri është drejtues, islami ka përcaktuar disa kufizime për gruan për mënyrën e shpenzimit të parave të saj. Sikur gruaja ta ketë lirinë e shpenzimit të parave të saj sipas dëshirës së saj dhe pa kurrfarë miratimi nga ana e burrit, konfliktet mund të lindin shpejtë kur shpenzimet e saj bien ndesh me disa nga vendimet e burrit të saj, gjë që shkakton nënvlerësim të autoritetit të tij. Një shembull i thjeshtë do të ishte
rasti kur burri vendos të mos i blejë veturë djalit të tij adoleshent, mirëpo gruaja ndërhyn duke thënë: “Unë do t’ia blej atë me paratë e mia”.
Andaj, Allahu i lartësuar, më i Mençuri, ka përcaktuar që gruaja të mos shpenzojë nga pasuria e saj pa lejen e burrit të saj (ose një pëlqimi që vetëkuptohet).
Abdullah Ibën Amër dhe Ka’b Bin Maliki, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, kanë treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Gruas nuk i lejohet të jap nga pasuria e saj, që nga momenti që ajo martohet, përveçse me lejen e burrit të saj”. Transmetuar nga Ahmedi, Ibën Maxhe dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 7238).
Abdullah Ibën Amëri, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Nuk i lejohet gruas që (në mënyrë të pavarur) të shpenzojë nga paratë e saj – prej kur burri i saj merr mbikëqyrjen ndaj saj (në martesë)”. Transmetuar nga Ebu Davudi dhe Hakimi. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 7625 dhe Sahihah nr. 825).
Uathiletu, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Nuk i lejohet gruas të shpenzojë nga pasuria e saj veçse me lejen e burrit të saj”. Transmetuar nga Taberani (në El-Kebir) dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 5424 dhe Sahihah nr. 775).
Islami kundërshton ligjet joislame
Këtu është i nevojshëm një shënim i rëndësishëm sa u takon myslimanëve që jetojnë në vendet joislame. Pa marrë parasysh se cili nga dy bashkëshortët ka paguar për shtëpinë apo diçka tjetër të rëndësishme, ligjet e shteteve, siç janë Shtetet e Bashkuara detyrojnë që pasuria të ndahet baras mes dy bashkëshortëve. Kjo nuk është e drejtë, dhe nuk i lejohet asnjërit të marrë atë që nuk i takon. Andaj, nëse gruas i jepet gjysma e pasurisë së burrit, kur ai vdes apo ndahen, ajo nuk duhet të mendojë se ka të drejtë në këtë pasuri. Më saktë, ajo duhet të kërkojë pjesën e saj që i takon sipas Islamit dhe të japë çdo gjë tjetër përveç asaj, duke kujtuar Ditën kur ajo do të qëndrojë para Allahut (subhanehu ue teala) dhe Ai do të gjykojë drejtë mes asaj dhe të gjithë atyre ndaj të cilëve ajo ka mëkatuar.
8 – Evitimi i shtirjeve dhe pohimeve të rrejshme
Gratë, shpesh pëlqejnë të nxjerrin në publik atë që kanë apo të pretendojnë se kanë gjëra të cilat realisht nuk i kanë. Kjo është një formë gënjeshtre e cila është e ndaluar në Islam. Një grua e drejtë është si pasqyrë e pastër që reflekton pikturë të mirë.
Esma, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, ka thënë:
“O i Dërguar i Allahut! Kam një ortake. A është gabim nëse unë pretendoj se kam gjëra përveç atyre që mi ka dhënë burri (për ta ngacmuar atë)?
Ai u përgjigj:
“Njeriu që pretendon të ketë atë nuk e ka është sikur ai që vesh dy rroba të dinakërisë (hiles)”. Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi
9 – Përkujdesja ndaj fëmijëve
Përkujdesja ndaj fëmijëve është një përgjegjësi e përbashkët e bashkëshortëve. Megjithatë, kjo shtë më e theksuar te gruaja sepse ajo zakonisht kalon më shumë kohë me fëmijët dhe është në pozitë të tillë që ushtron më shumë mbikëqyrje dhe udhëzime për ta.
Rritja e tyre në pajtim me Islamin
Fëmijët janë fryti më i madh i martesës. Ata janë demonstrim për suksesin apo dështimin e martesës. Ruajtja e fëmijëve nga dëmet dhe rritja e tyre bazuar në mësimet e mira të Islamit është siguria e vetme për mbrojtje nga shejtani dhe zjarri. Allahu (subhanehu ue teala) thotë:
“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar”. [Et-Tahrim 66:6]
Rritja e fëmijëve është një nga përgjegjësitë më të mëdha të gruas. Përmbushja e saj sjell kënaqësi dhe gëzim në zemrën e saj dhe të burrit. Ajo duhet ta mbajë këtë përgjegjësi sinqerisht dhe të mos e braktisë kurrë atë për hir të fituarit të pak parave jashtë shtëpisë ose të shikuarit e kanaleve të pavlefshme televizive.
Dhënia e gjirit fëmijëve
Gruaja ka për obligim t’i japë gji fëmijëve të saj deri në moshën dy vjeçare. Allahu (subhanehu ue teala) thotë:
“Nënat, ato që duan ta plotësojnë gjidhënien, janë të obliguara t’u japin gji fëmijëve të vet dy vjet të plota”. [El Bekare 2:233]
Gruaja nuk guxon ta braktisë këtë obligim të rëndësishëm përveç nëse ka një arsyetim i cili pranohet në Islam, siç është ndonjë problem mjekësor serioz. Gratë të cilat ua mohojnë të drejtat fëmijëve të tyre janë të rrezikuara me dënim në varr dhe në botën tjetër.
Ebu Umame el Bahili, radijAll-llahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Kur po flija, dy burra (engjëj) erdhën te unë, më mbajtën duart sipër, dhe më dërguan te një kodër e gurtë.
Ata thanë: “Hip.”
Unë u thashë, “Nuk mund të ngjitem.”
Ata thanë: “Do ta bëjmë të lehtë për ty.”
Ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) vazhdoi:
“U ngjita deri kur arrita një vend të lartë në kodër.
Dëgjova të qara të dhimbshme dhe pyeta:
“Çfarë janë këto të qara?”
Ata u përgjigjën:
“Kjo është ulërima e njerëzve të zjarrit.”
Ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) vazhdoi:
“Vazhduam deri sa pashë njerëz të varur nga tejzat e këmbëve, faqet e tyre të prera me gjak të shpërthyer.
Pyeta:
“Kush janë këta?”
Ata u përgjigjën:
“Këta janë ata që prishin agjërimin para se të jetë e lejuar”.
Ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) vazhdoi:
“Vazhduam deri sa pashë njerëz të cilit ishin të ënjtur në mënyrë të frikshme, dhe kishin erën më të ndytë dhe dukjen më të shëmtuar.
Pyeta:
“Kush janë këta?”
Ata u përgjigjën:
“Këta janë jobesimtarët që kanë vdekur (në fushëbetejë).”
Ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) vazhdoi:
“Vazhduam deri sa pashë njerëz të cilit ishin të ënjtur në mënyrë të frikshme, dhe kishin erën më të ndytë – era e tyre ishte sikur e nevojtores.
Pyeta:
“Kush janë këta?”
Ata u përgjigjën:
“Këta janë zinaqarët femra dhe meshkuj”.
Ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) vazhdoi:
“Vazhduam deri sa pashë gra me gjarpërinj duke ua kafshuar gjinjtë.
Pyeta:
“Çfarë nuk është në rregull me këto?
Ata u përgjigjën:
“Këto janë gratë që ua mohojnë fëmijëve të tyre qumështin.”
Ai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) vazhdoi:
“Vazhduam deri sa pashë djem duke luajtur mes dy lumenjsh.
Pyeta,
“Kush janë këta?”
Ata u përgjigjën,
“Këta janë pasardhës të besimtarëve (që vdesin para pubertetit).” Transmetuar nga Ibën Huzejme (nr. 1986), Ibën Hibani dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahih ut Targib nr. 991).
Përfundim
Çdo grua myslimane duhet të përpiqet të arrijë cilësitë e gruas së mirë duke iu bindur Allahut dhe të Dërguarit të Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), rrugë kjo e cila padyshim dërgon në Xhennet. Njashtu, me implementimin e këtyre cilësive, martesa e saj do të jetë me shumë lumturi. Këshilla më e mirë për secilën motër myslimane është evitimi i metodave të jomyslimanëve. Në vend të ndërtimit të familjes në fe, jomyslimanët e ndërtojnë atë në epshe. Ata injorojnë dallimet bazike mes meshkujve dhe femrave dhe i trajtojnë ata njëjtë në çdo aspekt, gjë që ka rezultuar në prishjen e familjeve dhe shkatërrimin e lidhjeve.
Në Islam, burrat dhe gratë kanë role të ndryshme. Detyrat më ‘publike’ i janë caktuar burrit, ndërsa gratë kanë më shumë ndikim në çështjet e brendshme familjare dhe në rritjen e fëmijëve, pasardhësve të ardhëm të shoqërisë. Andaj gruaja myslimane duhet të kalojë më shumë kohë me fëmijët e saj, krahasuar me burrin. Nëse familjet nuk janë të ndërtuara në themelet që i ka urdhëruar Allahu, ato do të udhëhiqen nga mizëria, urrejtja, përçarja, dhe çoroditja. Allahu pa dyshim se do ta bekojë atë martesë në të cilën burri dhe gruaja i binden Atij dhe përmbushin obligimet ndaj njëri-tjetrit.
Kjo temë është shkëputur nga libri: “Familja Muslimane – Të drejtat dhe obligimet mes bashkëshortëve në Islam”