Xhamia e Haxhi Ymerit
Gjakovë

Bashkëpjesëmarrje e drejtë


Bashkëpjesëmarrje e drejtë.

 

 

1 – Hyrje

 

Detyrim themelor

Martesa është një lidhje e cila mbahet bashkë nga të drejta të ndërsjella dhe përgjegjësi për secilin bashkëshort. Është bashkëpjesëmarrje mes tyre, dhe të dy janë të obliguar të luajnë rol aktiv në këtë bashkëpjesëmarrje.

Burri është i caktuar si udhëheqës i familjes, dhe gruaja si ndihmëse e përkrahëse, ekspertiza e së cilës në shume fusha nuk mund të arrihet nga burri. Disa gra që janë infektuar nga idetë perëndimore duan të jenë udhëheqëse të familjes. Mirëpo, vetëm kaosi do të jetë rezultat në atë familje ku pozicionet korrekte dhe natyrale të bashkëshortëve ndërrohen.

Të dy, si burri dhe gruaja kanë të drejtat dhe detyrat e tyre. Martesë e lumtur dhe e suksesshme arrihet nëse që të dy i përmbushin detyrat e tyre dhe i respektojnë të drejtat e njëri-tjetrit. Shkelja e këtyre të drejtave është rrugë e sigurt drejt mizërisë dhe dështimit.

Obligimet e përbashkëta dhe shpërblimet e përbashkëta

Disa përgjegjësi dhe obligime vlejnë njëjtë për burrin dhe gruan. Për shembull, obligimi i të besuarit në Allahun (subhanehu ue teala) dhe në pasimin e urdhrave të Tij është e njëjtë për të dy. Njashtu, të dy janë përgjegjës dhe llogariten për veprat e tyre. Të dy njëjtë janë të obliguar ta mësojnë fenë e drejtë, ta adhurojnë Allahun, dhe të thërrasin në rrugën e Tij. Standardet e moralit janë të njëjta për burrin dhe gruan, ashtu siç janë shumë rregulla të sjelljes ndaj të tjerëve. Burri dhe gruaja marrin shpërblime të njëjta për bindje ndaj Allahut (subhanehu ue teala) dhe dënim të njëjtë për mosbindje ose mëkatim. Allahu (subhanehu ue teala) thotë:

“Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë”. [En-Nahl 16:97]

Dhe Allahu (subhanehu ue teala) thotë:

“Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim)”. [Al ‘Imran 3:195]

Në mes të barazisë dhe drejtësisë

Në krahasimin mes burrit dhe gruas, duhet ta vërejmë se Islami nuk barazon mes atyre që janë të ndryshëm në bazë. Ka çështje në të cilat burrave u është dhënë përparësi ndaj grave, dhe e kundërta. Këto përparësi rrjedhin nga dallimet në aftësitë e tyre për të bërë punë të caktuara. Andaj, në vend që të barazohen ata që kurrë nuk mund të jenë të barabartë, brenga jonë i drejtohet drejtësisë në sjelljet ndaj tyre. Allahu (subhanehu ue teala) thotë:

“Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët: meshkujt do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar e po ashtu edhe femrat do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar. Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e Tij. Vërtet, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë”. [En-Nisa 4:32]

Dallimet natyrale

Nga këto që thamë më sipër, arrijmë më përfundim se rregullat Islamike për sa i përket qenieve njerëzore vlejnë njëjtë për burrat dhe gratë. Por kjo nuk do të thotë se burrat dhe gratë janë të njëjtë në çdo gjë. Ka disa rregulla të cilat në mënyrë të rreptë vlejnë për gratë për shkak të natyrës së tyre femërore, dhe disa tjera të cilat rreptë vlejnë për burrat për shkak të natyrës së tyre mashkullore.

Prej udhëzimeve më të rëndësishme të lidhura me gjininë, ishte një nga fjalimet e fundit të Dërguarit të Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Amër Bin el-Ehuas elXhushami, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) në Haxhin Lamtumirës (në Arafat) duke e lavdëruar dhe lartësuar Allahun, duke u përkujtuar dhe tërhequr vërejtjen njerëzve, dhe pastaj duke thënë:

“Vini re! Kujdesuni mirë për gratë, sepse ato pa dyshim janë robër nën përkujdesjen tuaj, dhe ju nuk posedoni nga ato asgjë më shumë se ky (nënshtrim), përveç kur ato bëjnë ndonjë mëkat që duket qartë. Nëse e bëjnë këtë, braktisni në shtrat dhe rrihni lehtë ato. Nëse ju binden, mos përdorni dënim tjetër mbi to. Vini re! Ju keni të drejtë mbi gratë e juaja, dhe ato kanë të drejtë mbi ju. E drejta e juaj mbi to është që ato nuk duhet të ulin në shtretërit tuaj ose të lejojnë të hyjë në shtëpi dikë që ju nuk e pëlqeni. Vini re! Dhe e drejta e tyre mbi ju është që ju t’i trajtoni ato mirë për sa i përket ushqimit dhe veshjes”. Transmetuar nga Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibën Maxhe. U verifikua si i mirë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 7880 dhe Iruaul Galil nr. 2030).

Kjo tregon qartë se ka disa të drejta specifike për gratë mbi burrat e tyre, dhe disa të drejta tjera për burrat mbi gratë e tyre. Duke pasur këtë në mendje, theksojmë se tema e këtij kapitulli është diskutimi i të drejtave dhe obligimeve të përbashkëta, duke lënë të drejtat gjinore dhe obligimet për kapitujt pas këtij.

 

2 – Përgjegjësia dhe dhënia e llogarisë

 

Duke qenë udhëzues të familjes, të dy, burri dhe gruaja mbajnë përgjegjësinë e madhe të themelimit dhe edukimit të njësisë familjare. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Çdonjëri nga fëmijët e Ademit është udhëheqës. Burri është udhëheqës i familjes së tij, dhe gruaja është udhëheqëse e shtëpisë së saj”. Transmetuar nga Ibën us-Suni dhe Ebu Bek’r il-Mukri. U verifikua si i mirë nga Albani (Sahihah nr. 2041 dhe Sahihul Xhami nr. 4565).

Duke qenë udhëheqës dhe mbajtës të përgjegjësisë, të dy, burri dhe gruaja do të japin llogari para Allahut (subhanehu ue teala) për këtë përgjegjësi. Ibën Umeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Çdonjërit nga ju i është besuar një përgjegjësi, dhe çdonjëri nga ju do të japë llogari për të. Udhëheqësi është përgjegjës (për njerëzit e tij), dhe do të japë llogari për përgjegjësinë e tij. Burri është përgjegjës për familjen e tij, dhe do të japë llogari për përgjegjësinë e tij. Gruaja është përgjegjëse për shtëpinë e burrit të saj, dhe do të japë llogari për përgjegjësinë e saj. Shërbëtori është përgjegjës për pronën e kujdestarit të tij, dhe do të japë llogari për përgjegjësinë e tij. Dhe burri është përgjegjës për pasurinë e babait të tij, dhe do të japë llogari për përgjegjësinë e tij. Andaj, çdonjëri nga ju ka përgjegjësi, dhe çdonjëri nga ju do të japë llogari për këtë përgjegjësi”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Është shumë me rëndësi që burrat dhe gratë ta kuptojnë dhe ta kenë të qartë përgjegjësinë e madhe që bie mbi krahët e tyre. Kjo do t’i bënte ata që të punojnë shumë dhe të bashkëpunojnë mirë për të përmbushur misionin e tyre dhe të përgatisin përgjigjet e tyre për Ditën kur do të japin llogari për mënyrën me të cilën kanë bartur përgjegjësitë e tyre.

 

3 – Sjelljet e mira

 

Cilësia e shkëlqyer e sjelljeve të mira

Pjesë e përgjegjësisë së madhe për të dy palët, burrat dhe gratë brenda shtëpisë, është që të tregojnë sjellje të mira dhe të veprojnë me to. Sjelljet e mira janë karakteristika të veçanta në fenë Islame. Me pak fjalë, ato janë shkak i misionit të Dërguarit të Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Unë jam dërguar (nga Allahu) për të kompletuar sjelljet e mira”. Transmetuar nga Ibën Sadi, Hakimi dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 2349 dhe Sahihah nr.45).

Vërejmë këtu se “sjellje të mira” në Islam nuk janë vetëm sinqeriteti, butësia, zemërgjerësia dhe veçori tjera që zakonisht njihen si përfaqësuese të sjelljeve të mira. Më saktë, “sjelljet e mira” përfshijnë sjellje të mira me Allahun (subhanehu ue teala) që shfaqen me besim të vërtetë në Të dhe bindje ndaj Tij, sjellje të mira me të Dërguarin (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) që manifestohen me pasimin e vërtetë të tij, dhe sjellje të mira me njerëzit e tjerë.

Sjelljet e mira më së miri u demonstruan nga i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), të cilin Allahu (subhanehu ue teala) e përshkroi me këto fjalë:

“Me të vërtetë ti posedon një moral të lartë”. [El-Kalem 68:4]

Njerëzit më të mirë pas të Dërguarit të Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) janë ata me sjelljet më të mira. Abdullah Bin Amër, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Padyshim, më të mirët prej jush janë ata me sjelljet më të mira”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Dhe, Abdullah Bin Amër, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Më të mirët nga besimtarët janë ata me sjelljet më të mira”. Transmetuar nga Ibën Maxhe dhe Hakimi. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 1128 dhe Sahihah nr. 1374).

Myslimani duhet të shfaqë sjellje të mira në të gjitha punët e tij. Kjo do t’i siguronte atij pozitë më të dalluar ndër myslimanët e tjerë. Aisha, radijAllahu anha, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Padyshim, besimtari e arrin (në Xhennet) për shkak të sjelljeve të tij të mira, shkallën e atij që agjëron dhe ngrihet (për namaz të natës)”. Transmetuar nga Ebu Davudi dhe Ibën Hibani. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 1932).

Sjelljet e mira e bëjnë myslimanin meritor për dashurinë e të Dërguarit të Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) dhe afërsinë me të në Xhennet. Xhabir Bin Abdilahi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Padyshim, nga ata që janë më të dashurit te unë dhe që do të ulen më së afërmi me mua në Ditën e Ringjalljes janë ata me sjelljet më të mira”. Transmetuar nga Tirmidhiu. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 2201 dhe Sahihah nr. 791).

Dhe Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Gjërat që kryesisht i bëjnë njerëzit të hyjnë në Xhennet janë përulja ndaj Allahut dhe sjelljet e mira. Dhe ato që kryesisht i bëjnë njerëzit të hyjnë në Zjarr janë goja dhe pjesët intime”. Transmetuar nga Tirmidhiu, Ahmedi dhe Ibën Maxhe. U verifikua si i mirë nga Albani (Sahihah nr. 977).

Sjelljet e mira nuk duhet të jenë të kufizuara me sjelljet ndaj njerëzve të largët. Më saktë, ato duhet të plotësohen më së miri me të afërmit. Më me rëndësi, të dy bashkëshortët duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në mënyrën më të mirë të mirësjelljes. Zakonisht karakteri i vërtetë i njeriut shfaqet brenda familjes, sepse aty njeriu është i lirë nga formaliteti dhe nxjerrja në pah e sjelljeve të mira, siç bën jashtë në publik me njerëzit e tjerë. Si rrjedhim, veprimi i sjelljeve të mira është një e drejtë dhe detyrë e përbashkët mes dy bashkëshortëve; theksohet nga afërsia e tyre ekstreme, dhe është e nevojshme për mirëqenien e lidhjes. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Besimtarët me imanin më të plotë, janë ata me sjelljet më të pastra. Dhe më të mirët nga ju janë ata që janë më të mirët me gratë e tyre”. Transmetuar nga Tirmidhiu dhe Ibën Hibani. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 1232 dhe Sahihah nr. 284).

Andaj, në sjelljet me bashkëshortin, njeriu duhet të tregojë sjellje të mira në çdo aspekt. Diskutimi i hollësishëm i kësaj do të ishte jashtë temës së këtij libri. Sidoqoftë, në nëntitujt në vijim do të flasim për disa nga tiparet më të rëndësishme të karakterit, të cilat duhet të vihen re në sjelljet brenda njësisë familjare.

Sinqeriteti/Çiltërsia

Allahu (subhanehu ue teala) lavdëron të sinqertit në disa vende në Librin e Tij, dhe e konsideron sinqeritetin cilësi të besimtarëve. (Shembull: Allahu (subhanehu ue teala) thotë: “O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!” [Et-Teube 9:119]). Ai gjithashtu i dënon gënjeshtarët dhe e konsideron gënjeshtrën si cilësi të hipokritëve. Allahu (subhanehu ue teala) thotë: “Kur vijnë tek ti hipokritët, thonë: “Ne dëshmojmë se ti je vërtet i dërguari i Allahut!” Allahu e di se ti je i dërguari i Tij, por Ai dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë!” [El-Munafikun 63:1]).

Njashtu, i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e ka lavdëruar sinqeritetin dhe ka treguar se ai dërgon në Xhennet, dhe e ka dënuar gënjeshtrën dhe ka treguar se ajo dërgon në Zjarr. Abdullah Bin Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Padyshim, sinqeriteti shpie në ndershmëri/drejtësi, dhe ndershmëria/drejtësia shpie në Xhennet. Padyshim, njeriu do të vazhdojë të praktikojë sinqeritetin derisa të shënohet te Allahu si sidik (më i sinqerti). Dhe padyshim, gënjeshtra shpie në imoralitet, dhe imoraliteti shpie në Zjarr. Padyshim, njeriu do të praktikojë dhe ushtrojë gënjeshtrën deri sa të shënohet te Allahu si gënjeshtar”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Sinqeriteti sjell besim dhe siguri mes bashkëshortëve, të cilat janë elemente të nevojshme për suksesin në çdo bashkëpjesëmarrje, duke mos përjashtuar këtu edhe martesën. Gënjeshtra dhe mashtrimi, në anën tjetër, përbëjnë rrugë të pasigurt dhe të dyshimtë që mund të shpie deri te shkatërrimi i shpejtë. Disa njerëz kanë idenë e gabuar se është e lejuar të gënjehet bashkëshorti pa limite. Kjo ide e gabuar rrjedh nga keqkuptimi i haditheve të mëposhtme. Gruaja e Abdurrahman Bin Auf, Ummu Kulthum Bint Ukbe, radijAllahu anha, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nuk e konsideroj gënjeshtër nga ana e tij: njeriun që vë paqe mes njerëzve (që nuk pajtohen) dhe shqipton diçka (të pavërtetë) për hir të pajtimit; burri i cili thotë (armikut) diçka (të pavërtetë) gjatë luftës; dhe burri i cili flet me gruan e tij, ose gruaja që flet me burrin e saj”. Transmetuar nga Ebu Davudi. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihah nr. 545 dhe Sahihul Xhami nr. 7170)

Esma Bint Jezidi, radijAllahu anha, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Gënjeshtra nuk është gjë e duhur veçse në tri raste: kur burri flet me gruan e tij për ta kënaqur atë, të gënjyerit (e armikut) në luftë, dhe të gënjyerit për të pajtuar njerëzit (që nuk janë të pajtuar)”. Transmetuar nga Tirmidhiu dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihah nr. 545 dhe Sahihul Xhami nr. 7723).

Është e qartë nga dy hadithet e mësipërme se gënjeshtra mes bashkëshortëve është e kufizuar në biseda të këndshme/të dashura. Kjo mund të jetë në situata si për shembull burri t’i thotë gruas së tij që ajo ka gatuar ushqimin më të mirë ose ka fustanin më të mirë, ose gruaja t’i thotë burrit të saj se dhurata që i ka dhuruar është më e dashura për të, ose të treguarit njëri-tjetrit ngjarje zbavitëse imagjinare, e kështu me radhë. Edhe në këto raste, është më mirë që gënjeshtra të zëvendësohet me ma’arid, të cilat janë thënie që kanë kuptime të dyfishta, ku të paktën njëra nga të cilat është e vërtetë.

Modestia/Thjeshtësia

Modestia është karakteristikë e nevojshme në mesin e myslimanëve. Allahu urdhëron madje edhe të Dërguarin e Tij (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tu tregojë modesti besimtarëve. Allahu (subhanehu ue teala) thotë:

“Dhe bëhu i butë me besimtarët që të pasojnë ty!” [Esh-Shu’era 26:215].

Ijad Bin Himari, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Padyshim, Allahu më ka shpallur që ju duhet të tregoni modesti, që asnjëri nga ju të lavdërohet mbi dikë tjetër, dhe që asnjëri nga ju të shkel /mëkatoj kundër dikujt tjetër”. Transmetuar nga Muslimi, Ebu Davudi dhe të tjerë.

Kjo duhet të kuptohet mirë nga bashkëshortët. Ata duhet të tregojnë modesti ndaj njëri-tjetrit, dhe të evitojnë mburrjen/lavdërimin me pasurinë, statusin social, inteligjencën, bukurinë, të afërmit, paraardhësit, ose ndonjë mirësi tjetër që Allahu u ka dhënë. Të qenit mburracak, posaçërisht gjatë fjalosjeve, është shenjë e injorancës dhe papjekurisë, të cilën të dy duhet të ndjejnë neveri ta bëjnë.

Mëshira dhe butësia

Të dy bashkëshortët duhet të tregojnë mëshirë e dhembshuri maksimale ndaj njëri tjetrit. Ata gjithmonë duhet të jenë të gatshëm të mos venë sy mbi gjithçka, të falin dhe të udhëzojnë njëri-tjetrin. Siç u cek më herët në këtë libër, dhembshuria është një fryt i rëndësishëm i martesës, dhe kurrë nuk duhet lejuar të humbasë. Njeriu i mëshirshëm e meriton mëshirën e Allahut. Abdullah Bin Amër, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem) ka thënë:

“Të mëshirshmëve u është garantuar mëshirë nga më i Mëshirshmi (subhanehu ue teala). Tregohuni të mëshirshëm ndaj atyre që janë në tokë, dhe Ai që është mbi qiej do të jetë i mëshirshëm ndaj jush”. Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Davudi dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 3522 dhe Sahihah nr. 925).

Njëjtë, Allahu, më i Dashuri/i Miri, e do butësinë dhe e shpërblen atë bujarisht. Sa herë që butësia zbatohet në një situatë, ajo e përmirëson dhe e ndihmon atë, për dallim nga ashpërsia. Aisha, radijAllahu anha, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) i kishte thënë asaj:

“O Aisha, padyshim, Allahu është i Butë, dhe e do butësinë në çdo çështje. Ai jep për butësi gjëra që nuk do t’i jepte për ashpërsi apo për diçka tjetër. O Aisha! Tregohu e devotshme ndaj Allahut dhe e butë, sepse padyshim, kurrë nuk është butësia në një gjë, vetëm se e zbukuron atë, dhe kurrë nuk hiqet nga ndonjë gjë, vetëm se e njollos atë”. Ky është transmetim i kombinuar, transmetuar nga Buhariu, Muslimi, Ahmedi dhe të tjerë (Sahihul Xhami nr. 7920, 7921 dhe 7927).

Padyshim, një person pa butësi dhe mëshirë i bën dëm vetes para se t’i bëjë dikujt tjetër. Ky person ia mohon vetes mëshirën dhe faljen e Allahut. Xherir Bin Abdilahi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Atij që i është mohuar butësia, vërtet që i janë mohuar të gjitha format e të mirës”. Transmetuar nga Muslimi, Ahmedi dhe të tjerë.

Ebu Hurejra, Ebu Seid el Hudriu dhe Xherir Bin Abdilahi, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, kanë treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Ai i cili nuk tregon mëshirë, mëshira nuk do t’i tregohet atij (nga Allahu)”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Është obligim për të dy bashkëshortët të ushqejnë butësi dhe mëshirë në familjen e tyre. Kjo do të ishte shërimi i parë që do ta aplikonin kur shfaqen probleme dhe dallime mes tyre. Kjo, jo vetëm që do të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve, por gjithashtu do t’u dhuronte dashurinë dhe mëshirën e Allahut, siç ceket në hadithet e mësipërme.

Falja

Myslimani nuk duhet të ketë qëndrim hakmarrjeje dhe të “bërjes barazi”. Kjo do të shkaktonte urrejtje në mes të myslimanëve dhe do të largonte ndjenjat e dashurisë dhe sigurisë. Myslimani gjithmonë duhet të jetë i gatshëm të falë, posaçërisht kur është fjala për bashkëshortin dhe të afërmit. Të treguarit e faljes e bën njeriun të meritojë faljen e Allahut. Në një transmetim të hadithit të mësipërm nga Xherir Bin Abdilahi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Ai që nuk tregon mëshirë, mëshira nuk do t’i tregohet atij (nga Allahu). Dhe ai që nuk fal, nuk do të falet”. Transmetuar nga Ahmedi dhe Teberani (në el-Kebir). U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 6599 dhe 6600).

Kemi një shembull të shkëlqyer te i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem), i cili kurrë nuk morri hak për veten e tij. Aisha, radijAllahu anha, ka treguar: “Kurrë nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) të marrë hak kur i bëhej e padrejtë, përveç në rastet kur ndonjë ndalesë e Allahut kalohej. Kur kalohej ndonjë nga ndalesat e Allahut, ai bëhej shumë i inatosur. Gjithashtu, kur i jepej mundësi zgjedhjeje mes dy çështjeve, ai zgjidhte më të lehtën nga ato dyja, përveç kur ajo përmbante mëkat në vete. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Evitimi i padrejtësisë

Të dy bashkëshortët duhet të jenë të barabartë dhe të drejtë në raportet me njëritjetrin. Ata duhet të evitojnë padrejtësinë e njëri-tjetrit në çdo mënyrë. Ata nuk duhet të keqpërdorin të drejtat e tyre, ose të abuzojnë njëri-tjetrin përmes cilësive të tyre. dalluese. Shtypja është ndalur nga Allahu (subhanehu ue teala) madje edhe mbi Veten e Tij! Ebu Dherr, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Allahu (subhanehu ue teala) thotë, “O robërit e mi! Me të vërtetë e kam ndaluar padrejtësinë mbi Veten time dhe e kam bërë të ndaluar mbi ju, që të mos e shtypni njëri-tjetrin”. Transmetuar nga Muslimi.

Shtypja është mëkat i madh që meriton zemërimin e Allahut dhe sjell dënimin e Tij në të dy jetët. Xhabir Bin Abdilahi dhe Abdullah Bin Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, kanë treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Evitojeni padrejtësinë, sepse shtypja do të rezultojë në errësirë të thellë në Ditën e Ringjalljes”. Transmetuar nga Muslimi dhe të tjerë.

Në një transmetim tjetër, Xhabir bin Abdilahi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Evitojeni padrejtësinë, sepse shtypja do të rezultojë në errësirë të thellë në Ditën e Ringjalljes; dhe evitojeni koprracinë, sepse koprracia i ka shkatërruar ata që ju kanë paraprirë juve”. Transmetuar nga Muslimi, Ahmedi dhe të tjerë.

Të mos lejohet që ndjenja e epërsisë dhe zotërimit të hyjë në zemrën e ndonjërit prej bashkëshortëve, dhe si pasojë të tregohet i padrejtë ndaj tjetrit duke menduar se kështu ka arritur deri te një fitore e merituar. Të dy të mendojnë rreth haditheve të mësipërme, dhe të ruhen nga ndonjë mallkim i fshehtë që mund të rrjedh nga zemra e rënduar e atij që i është bërë padrejtësi. Enes Bin Maliki, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Ruaju prej lutjes së atij që i është bërë padrejtësi, edhe nëse ai është kafir, sepse nuk ka pengesë mes saj dhe Allahut”. Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Ja’la dhe të tjerë. U verifikuar si i mirë nga Albani (Sahihah nr. 767 dhe Sahihul Xhami nr. 119).

Padrejtësia nuk harrohet kurrë, dhe kurrë nuk shpëton pa u dënuar. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kushdo që i ka bërë padrejtësi vëllait të tij për sa i përket nderit apo pasurisë duhet të kërkojë falje sot, para se t’i kthehet ajo atij në një ditë ku nuk do të ketë dinar e as dërhem. Nëse ai ka vepra të mira, disa nga ato do të merren në sasinë e padrejtësisë së tij, dhe nëse ai nuk ka vepra të mira, disa nga mëkatet e shokut të tij (që i është i bërë padrejtësi) do të merren dhe ngarkohen mbi të”. Transmetuar nga Buhariu dhe Ahmedi.

Evitimi i gjuhës së ndytë

Lidhja martesore duhet të ngelet e pastër nga ndyrësitë dhe gjërat e turpshme të rrugës. Ajo duhet të jetë shembullore fillimisht në mes të bashkëshortëve, e pastaj edhe para fëmijëve, duke thënë fjalë që e kënaqin Allahun, të Dërguarin e Tij (sallAll-llahu alejhi ue sel-lem), dhe besimtarët. Aisha, radijAllahu anha, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) e këshilloi atë:

“O Aishe, mos u bëj e pahijshme. Me të vërtetë Allahu nuk e do njeriun e ndyrë që pëlqen ndyrësitë”.

Dhe kështu ishte i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), siç e përshkroi Aisha, radijAllahu anha:

“I Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) nuk ishte i papastër (në fjalor), e as nuk e pëlqente ndyrësinë, e as nuk ngrinte zërin në tregje. Ai nuk dënonte për asnjë dëm (personal), mirëpo falte”. Transmetuar nga Tirmidhiu, Ahmedi dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Muhtesar Shemail fq. 182).

Evitimi i diskutimeve dhe grindjeve

Diskutimet dhe grindjet e shpeshta duhet të evitohen seriozisht, sepse janë rrugë e sigurt drejt gërmimit të lidhjes mes çiftit të martuar. Secili bashkëshort duhet ta ketë në mendje se nuk është gjithmonë vitale ta mbrojë mendimin e tij (apo saj) dhe të jetë gjithmonë fitues në çdo diskutim. Allahu ka premtuar një shtëpi në Xhennet për ata që u shmangen polemikave (të panevojshme), edhe nëse kanë të drejtë. Ebu Umame, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAllllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Garantoj shtëpi në periferi të Xhennetit për atë që braktisë diskutimet, edhe nëse ai ka të drejtë; dhe një shtëpi në mes të Xhennetit për atë që e braktisë gënjeshtrën, edhe nëse është duke bërë shaka; dhe një shtëpi në vendin më të lartë në Xhennet për atë që ka sjellje të mira”. Transmetuar nga Ebu Davudi, dhe ed-Dija ul-Makdisi. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 1464 dhe Sahihah nr. 273).

Në anën tjetër, Allahu urren kokëfortit dhe njerëzit e grindjeve. Aisha, radijAllahu anha, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Njeriu më i urryer te Allahu është ai që grindet në mënyrë këmbëngulëse”. Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi.

Zgjidhja e problemeve miqësisht

Gjithmonë ka mundësi për keqkuptime ose mospajtime mes dy bashkëshortëve. Disa nga këto dallime mund të shtyjnë njërin apo tjetrin, t’ia kthejë shpinën tjetrit dhe të kërkojë zgjidhje të nxituar, e cila mund të rrezikojnë martesën. Mirëpo, është e preferuar për ta që fillimisht të përpiqen të pajtohen, gjë që Allahu (subhanehu ue teala) e sheh si rrugën më të mirë:

“Nëse gruaja druan nga burri i saj se do të sillet keq ose nuk do ta përfillë, atëherë nuk ka gjynah për ata, nëse pajtohen ndërmjet tyre. Pajtimi është më i mirë. Njerëzit janë të prirur nga koprracia. Por në qoftë se ju silleni mirë dhe ruheni prej të këqijave, Allahu e di mirë çfarë veproni”. [en-Nisa 4:128].

 

4 – Komunikimi dhe shoqërimi

 

Rëndësia e komunikimit

Të dy bashkëshortët duhet të mbajnë nivel të mirë të komunikimit mes vete. Ata duhet ta ndajnë gëzimin, brengat dhe dhimbjet. Kjo e ruan lidhjen e tyre të dashurisë dhe mëshirës, dhe e përmbush domethënien e “strehës” që duhet të krijohet mes tyre.

Ishte praktikë e rregullt e Pejgamberit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) t’i vizitonte të gjitha gratë gjatë natës e të bisedonte me to para se të shkonte te ajo radha e së cilës ishte atë natë. Hadithi i gjatë i Ummu Zer (që do të vijojë në një kapitull tjetër të këtij libri) është shembull i mirë i bisedave të dobishme që kishte Pejgamberi (sal-lAllllahu alejhi ue sel-lem) me gratë e tij.

Rregullat e braktisjes

Ka disa raste kur është e lejuar të braktiset një mysliman si formë ndëshkimi. Si shembull, do ta diskutojmë lejueshmërinë (në Islam) e braktisjes së shtratit të gruas arrogante, e gjithashtu do të shohim rastet kur Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) i braktisi disa, ose të gjitha gratë e tij.

Megjithatë, braktisja e myslimanit nuk duhet të bëhet përveç pasi të jenë provuar metoda më të lehta, dhe pasi të jetë kuptuar se kjo po përdoret si trajtim i përkohshëm. Braktisja afatgjate sjell neveri dhe fortësi për zemrën, andaj dhe është e ndaluar.

Ebu Hurejra, Ibën Umeri, Ebu Ejubi, dhe disa sahabë tjerë, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, kanë treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nuk i lejohet myslimanit ta braktisë vëllanë e tij për më shumë se tre ditë”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.

Në shumë hadithe, Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) theksoi seriozitetin e braktisjes së myslimanit. Si shembull, Hisham bin Amër, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem) duke thënë:

“Nuk i lejohet një myslimani ta braktisë një mysliman tjetër për më shumë se tri net. Me të vërtetë, të dy humbasin nga rruga e drejtë përderisa e vazhdojnë braktisjen. Sa i përket inicimit të pajtimit nga njëri, ky inicim do të fshinte mëkatin e tij pa dyshim. Dhe me të vërtetë, nëse ata vdesin në atë gjendje (të mospajtimit), ata kurë nuk do të hyjnë në Xhennet. Dhe nëse njëri nga ta i jep selam tjetrit, por tjetri refuzon të pranojë selamin dhe paqen e tij, një engjëll do t’ia kthejë të parit (selamin), ndërsa një shejtan do t’ia kthejë tjetrit (për shkak të heshtjes së tij).” Transmetuar nga Ahmedi, Buhariu (në el-Edeb el-Mufrad) dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Irvaul Galil nr. 2029).

 

5 – Të ndihmuarit e njëri tjetrit

 

Obligimi i ndihmës së ndërsjellë

Duke qenë të përbetuar, të dy bashkëshortët duhet të bëjnë çdo gjë që është e mundur brenda mundësisë së tyre për të ndihmuar njëri-tjetrin, dhe për ta bërë lidhjen e tyre të suksesshme. Kjo përfshin përkrahjen fizike, ekonomike dhe emocionale.

Kur njëri nga bashkëshortët është duke bërë një vepër të lejuar, është e këshillueshme për bashkëshortin tjetër ta ndihmojë atë sa më shumë që ka aftësi. Dhe kur njëri nga bashkëshortët është duke e bërë një obligim, është e detyrueshmepër bashkëshortin tjetër që ta ndihmojë sa më shumë që ka aftësi. Allahu (subhanehu ue teala) thotë:

“Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe e armiqësi! Frikësojuni Allahut, se Ai dënon ashpër.” [El-Maide 5:2]

Njeriu nuk duhet të ndihmohet në mosbindje ndaj Allahut

Në anën tjetër, nga ajeti i mësipërm arrijmë në përfundim se kur njëri nga bashkëshortët është duke bërë një vepër mekruh (të papëlqyer), atëherë është e papëlqyer për bashkëshortin tjetër ta ndihmojë atë. Dhe kur njëri nga bashkëshortët është duke bërë një vepër të ndaluar, është e ndaluar për bashkëshortin tjetër ta ndihmojë atë. Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Nuk lejohet bindja ndaj qenies njerëzore, nëse ajo përfshin mosbindje ndaj Allahut. Bindja bëhet vetëm në gjëra të mira”. Transmetuar nga Buhariu, Muslimi dhe të tjerë. Një hadith i ngjashëm transmetohet nga Ahmedi dhe të tjerë nga Imran Bin Husejn, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe u verifikua si i saktë nga Albani (Sahihah nr. 179, 180).

Të ndihmuarit e njëri-tjetrit në vepra adhurimi dhe bindjeje

Individi nganjëherë dobësohet dhe e zvogëlon kryerjen e disa veprave të adhurimit. Ndihma dhe përkrahja e mirë do t’ia shtonte atij vetëbesimin dhe vendosmërinë. Dhe kush është më i përshtatshëm për të dhënë këtë përkrahje sesa bashkëshorti? Një shembull i mirë për këtë është dhënë nga Pejgamberi (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) për sa i përket namazit të natës. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka treguar se i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:

“Allahu e mëshiroftë atë burrë që zgjohet natën dhe falet, dhe e zgjon gruan e tij për tu falur, dhe nëse ajo kundërshton, e spërkat lehtë fytyrën e saj me ujë, dhe Allahu e mëshiroftë atë grua që zgjohet natën dhe falet, dhe e zgjon burrin e saj për tu falur, dhe nëse ai kundërshton, e spërkat lehtë fytyrën e tij me ujë”. Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Davudi dhe të tjerë. U verifikua si i saktë nga Albani (Sahihul Xhami nr. 3494)

Duhet vënë re në këtë hadith mënyrën e dashur dhe të këndshme për të zgjuar bashkëshortin. Në mes të gjumit, një person pa dyshim se do të shqetësohej nëse dikush papritur e tund ose i hedh shumë ujë të ftohtë mbi, gjë që do ta bënte atë të mos dojë të bashkëpunojë me personin që ia ka shkaktuar atij këtë bezdi dhe shqetësim. Në anën tjetër, një qasje e mirë dhe e dashur do të rezultojë në bashkëpunim të mirë.


Kjo temë është shkëputur nga libri: “Familja Muslimane – Të drejtat dhe obligimet mes bashkëshortëve në Islam”

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free