Roli i femrës në përmirësimin
Roli i femrës në përmirësimin e shoqërisë
01. Roli i femrës në përmirësimin e shoqërisë
Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (Rahimullah)
Burimi: “Deurl-Mer’eti fi Islahil-Muxhteme’”, faqe 3-4.
Roli i femrës në përmirësimin e shoqërisë është shumë i madh, ngase përmirësimi i shoqërisë arrihet nëpërmjet 2 rrugëve të pandashme njëra me tjetrën. Dhe ato janë:
- Përmirësimi i dukshëm/i jashtëm. – Kjo realizohet në treg, në xhami etj., është fjala në vende të hapura. Në këtë pikë, shumica i takon meshkujve. Ngase, ata janë të cilët i frekuentojnë më së shumti vendet e tilla.
- Përmirësimi i brendshëm, brenda katër mureve. – Kjo realizohet në shtëpi. Dhe në shumicën e rasteve, përgjegjëse në këtë pikë janë femrat, ngase ato janë zonjat e shtëpive, siç thotë Allahu Te’ala:
وَقَرْنَ فِي بُيُوتِكُنَّ وَلَا تَبَرَّجْنَ تَبَرُّجَ الْجَاهِلِيَّةِ الْأُولَى وَأَقِمْنَ الصَّلَاةَ وَآتِينَ الزَّكَاةَ وَأَطِعْنَ اللَّهَ وَرَسُولَهُ إِنَّمَا يُرِيدُ اللَّهُ لِيُذْهِبَ عَنكُمُ الرِّجْسَ أَهْلَ الْبَيْتِ وَيُطَهِّرَكُمْ تَطْهِيرًا
“Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e injorancës! Falni namazin, jepni zekatin dhe binduni ndaj Allahut e të Dërguarit të Tij! O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.” 33:33
Prandaj, nëse themi se, përmirësimi i gjysmës së shoqërisë apo i shumicës, varet nga femra. Kjo ndodh për shkak të dy arsyeve:
Femrat janë të njëjta në numër me meshkujt, mos më shumë. Siç edhe e konfirmon këtë gjë Sunneti profetik. Mirëpo kjo dallon nga një vend në një vend tjetër, apo prej një kohe në një kohë tjetër. Për shembull, në një vend mund të gjesh numrin e femrave më të madh sesa të meshkujve dhe anasjelltat në ndonjë vend tjetër. Apo, në ndonjë kohë mund të ndodhë që femrat të jenë më shumë në numër sesa meshkujt dhe anasjelltas. Por, sido që të jetë, femra ka rol të madh në përmirësimin e shoqërisë (ngase ajo është gjysma apo shumica e popullatës).
Ardhja e gjeneratave të reja fillon mu nga femra dhe edukata e brezave të rinj, del nga prehri i saj. Dhe, kjo është e mjaftueshme që të jetë për ne më se e qartë vlera e rolit të femrës në përmirësimin e shoqërisë.
_____________________________________________________________________
02. Disa veçori në mënyrë që femra të jetë faktor kyç në përmirësimin e shoqërisë
Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (Rahimullah)
Burimi: “Deurl-Mer’eti fi Islahil-Muxhteme’”, faqe 5-7.
Në mënyrë që të diktohet roli i femrës në përmirësimin e shoqërisë, është e patjetërsueshme që ajo t’i posedoj disa veçori, dhe ato janë:
Që vetë ajo të jetë e mirë.
Vetëm me këtë gjë familja do të jetë e mirë, femra do të jetë shembull për femrat e tjera.
Mirëpo, si do të jetë femra e mirë? Le ta dijë çdo femër se, nuk ka mundësi të jetë e tillë përveçse përmes portës së dijes. Ajo që kam për qëllim të them, është dija e sheriatit islam. Pa e marrë parasysh se, a e arrin ajo këtë gjë përmes librave, apo përmes gojës së dijetarëve – dijetarëve burra apo femra si ajo.
Në kohët e sotme, është shumë më e lehtë që femra të marr dije nga goja e dijetarëve, dhe kjo përmes audio-inçizimeve. Këto audio-inçizime, luajnë rol të madh në vetëdijesimin e shoqërisë në atë që është e mirë dhe e hajrit, në rast se shfrytëzohen pozitivisht. Pra, është e detyrueshme që femra të merr dije fetare-që ka të bëj me sheriatin, në mënyrë që ajo të jetë e mirë.
Që ajo të jetë oratore dhe gojëtare.
Pra, është e detyrueshme që, femra të mund të shpreh atë që ka në brendi, atë që ajo e di, ta shpreh në mënyrë të duhur dhe ta tregoj diturinë e saj. Edhe pse, shumë njerëz mund të kenë dije mbi diçka të caktuar, por ja që jo çdokush mund të shprehet lirshëm, apo jo çdokush mund të shprehet ashtu siç duhet dhe siç njerëzit e kuptojnë. Në të kundërtën, nuk arrihet qëllimi i kërkuar.
Duke perceptuar këtë fakt, lind pyetja e rëndësishme: Çfarë e sjell këtë gjë që e cekëm më lartë?
Përgjigja është: Femra duhet të ketë dije të thellë në gjuhën gjuhën arabe, sintaksë, morfologji e retorikë [1]. Kur të ndodh kjo, atëherë femra duhet të mbajë ligjërata qofshin ato të pakta në numër. Vetëm kështu ajo mund të shpreh atë që ajo e di, dhe ta shpreh në mënyrën më të mirë dhe në mënyrën e duhur, duke pasur mundësi që të përcjell mesazhin e saj tek femrat të cilave ajo u drejtohet me fjalim.
Urtësia.
Femra duhet të ketë urtësi/mençuri në thirrje. Të ketë urtësi në mënyrë që të dijen ta përcjellë ashtu siç duhet tek femrat e tjera, të ketë urtësi në mënyrë që të vë çështjet në vendin e duhur. Këtë gjë e thonë të gjithë dijetarët islam. Padyshim se kjo është mirësi dhe dhuratë nga ana e Allahut për robin e Vet. Thotë Allahu ‘Azze ue Xhel:
يُؤتِي الْحِكْمَةَ مَن يَشَاء وَمَن يُؤْتَ الْحِكْمَةَ فَقَدْ أُوتِيَ خَيْرًا كَثِيراً
“Ai ia jep urtësinë kujt të dojë. Atij që i është dhënë urtësia, vërtet që i është dhënë një mirësi e madhe.” 2:269
Sa e sa herë ndodh që të humb qëllimi i duhur dhe ndodhin gabime e rrëshqitje, dhe kjo ndodh në mungesë të urtësisë! Dhe, padyshim se, prej urtësisë në thirrje (da’vet), është që thirrësi të ketë parasysh situatën dhe gjendjen e atyre që u drejtohet. Nëse u drejtohet atyre që janë injorantë në çështje të fesë, atëherë përdor fjalor që i përshtatet atyre, e në rast se ka të bëj me të ditur, por ja që i lënë gjërat pas dore dhe nuk interesohen aq shumë, atëherë prapë ua përshtat atyre fjalorin që ata e kuptojnë. Të njëjtin kujdes dhe të njëjtin mund duhet të jap edhe ndaj atyre që kanë paksa dije për fenë, por ja që janë të goditur pakë nga mendjemadhësia e refuzimi i të vërtetës.
Pra, njerëzit janë në tri kategori (për nga aspekti i dijes): Injorant, të ditur koprracë dhe të ditur kokëfortë. Që të tri këto kategori nuk mund t’i barazojmë mes tyre, por është e detyrueshme që çdo njerin ta klasifikojmë në kategorinë në të cilën ai gjendet. Prandaj, kur i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem e dërgoi Muadhin radijallahu anhu në Jemen, i tha:
إنك تأتي قوما من أهل الكتاب
“Ti po shkon tek një popull që janë ithtarë të librit.”
I Dërguari i Allahu salallahu alejhi ue selem, ia përkujtoi atij këtë fakt, në mënyrë që ta dijë se më kë ka të bëj atje. Në mënyrë që të sillet me ta dhe të flas në mënyrën që i përshtatet atyre (në mënyrën e duhur).
__________________________________________
[1] - Dhe kur është fjala për shoqëritë joarabe, atëherë kësaj i shtohet edhe gjuha me të cilën bëhet thirrja (d’veti).
_____________________________________________________________________
03. Disa shembuj nga përdorimi i urtësisë në thirrjen e Profetit salallahu alejhi ue selem
Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (Rahimullah)
Burimi: “Deurl-Mer’eti fi Islahil-Muxhteme’”, faqe 7-11.
Shembulli: i parë
Për të argumentuar përdorimin e urtësisë gjatë thirrjes në fe, kemi ngjarje reale të cilat i ka jetësuar krijesa më e drejtë në thirrje, dhe ai është Profeti Muhamed salallahu alejhi ue selem. Andaj, ne po përmendim disa shembuj të kësaj pike:
01 - Transmeton Buhariu, Muslimi dhe të tjerët nga Enes bin Malik radijallahu anhu, se një beduin hyri në xhami dhe urinoi në një pjesë të saj! Në këtë rast, sahabët u vërsulën dhe deshën ta sulmonin. Ndërsa i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem të cilit i ishte dhënë urtësi në thirrjen në islam, tha:
لا تزرموه
“Mos ia ndërpritni urinimin.”
Dhe kur beduini përfundoi kryerjen e nevojës, Profeti salallahu alejhi ue selem urdhëroi që të hedhet një kovë ujë dhe ta derdhnin mbi vendin ku ishte urinuar më parë nga ai. Pastaj, e thirri atë dhe i tha:
إن هذه المساجد لا يصلح فيها شيء من الأذى و إنما هي للصلاة ، و قراءة القرآن ، و ذكر الله عز و جل
“Këto janë xhami të cilat nuk janë që në to të bëhen vepra të pahijshme (apo të ndyta), por janë për namaz dhe lexim të Kuranit.”
Ndërsa, në transmetimin e Imam Ahmedit, shtohet pjesa ku beduini thotë:
اللهم ارحمني و محمدا و لا ترحم معنا أحدا
“O Allahu im! Më mëshiro mua dhe Muhamedin dhe askënd tjetër përveç nesh!”
Nga ky tregim, marrim disa mësime:
- Sahabët radijallahu anhum ishin nevrikosur andaj reaguan në atë mënyrë. Nga kjo pikë mësojmë se, nuk është e lejuar që të mbesim të qetë ndaj të keqes, por është obligim që sa më shpejtë të reagojmë ndaj vepruesit të asaj të keqeje. Mirëpo, nëse reagimi ndaj asaj të keqeje shpie në një të keqe edhe më të madhe se ajo, atëherë është obligim që të sillemi me maturi derisa ta mënjanojmë këtë të keqe më të madhe. Prandaj, Profeti salallahu alejhi ue selem i ndaloi sahabët nga reagimi i asaj forme.
- Profeti salallahu alejhi ue selem, pranoi një të keqe, në mënyrë që të mënjanoj një të keqe edhe më të madhe se kjo. Ajo që u pranua në këtë rast, bëri që beduini të vazhdoj urinimin brenda xhamisë në vendin ku ai veçse filloi këtë veprim. Ndërsa, ajo e cila konsiderohet e keqe edhe më e madhe se veprimi i beduinit, nuk shpëton nga njëri prej dy gjendjeve:
- 01 ) Po të ishte ngritur beduini nga vendi ku filloi urinimin, do t’i zbulohej avreti dhe urina doemos do të përhapej në një masë më të gjerë në dyshemenë e xhamisë. Këtu pra, kemi të bëjmë me dy të këqija.
- 02 ) Edhe nëse nuk do të zbulohej avreti i tij, dhe po supozojmë se do të mbulohej menjëherë, atëherë kjo do të shpinte që rrobat e tij të prekeshin nga urina.
Për shkak të këtyre dy të këqijave (në këtë gjendje), Profeti salallahu alejhi ue selem lejoi beduinin vazhdimin e urinimit brenda xhamisë, sepse, qysh në fillim dyshemeja në xhami ishte zhytur. Dhe me ndërprerjen e kësaj, e keqja nuk do të ishte larguar, përkundrazi, ajo do të përhapej edhe më shumë. Prandaj, në qoftë se pengimi/largimi i së keqes do të shkaktonte një të keqe edhe më të madhe, atëherë është obligim që të qëndrojmë të qetë në mënyrë që të mos ndodh dëmi edhe më i madh. Kjo mesele, ka bazë edhe në Librin e Allahut. Thotë Allahu Te’ala:
وَلاَ تَسُبُّواْ الَّذِينَ يَدْعُونَ مِن دُونِ اللّهِ فَيَسُبُّواْ اللّهَ عَدْوًا بِغَيْرِ عِلْمٍ
“Mos i shani idhujt që ata i adhurojnë në vend të Allahut, në mënyrë që ata të mos e shajnë Allahun armiqësisht nga padija.” 6:108
Ndërsa, të gjithë ne e dimë se, t’i shajmë zotat e idhujtarëve është diçka të cilën e do Allahu ‘Azze ue Xhel. Mirëpo, pasi që ky veprim shpie që edhe ata të shajnë Atë i cili nuk e meriton të shahet, Allahu ‘Azze ue Xhel, atëherë Allahu Subhaneh ka ndaluar veprimin e tillë.
- I Dërguari i Allahut salallahu alejhi eu selem, shpejtoi në largimin e së keqes, sepse vonimi nga kjo mund të shkaktojë pasoja të paparashikueshme. Ka pasur mundësi që të mos shpejtohet pastrimi i vendit ku kishte urinuar beduini derisa të vij koha e namazit, mirëpo, ajo që duhet vepruar është që të shpejtohet në këtë veprim ngase më vonë njeriu mund të harroj apo të mos ketë mundësi. Kjo është pikë shumë e rëndësishme, pra, që të shpejtohet në largimin e së keqes për shkaqet e lartpërmendura. Shembull nga kjo kemi:
Në rast se petkun me të cilin falet njeriu, apo nuk falet me të, preket nga ndonjë ndyrësirë, më së miri është që petku të pastrohet sa më parë e të mos vonohet. Ngase, ka mundësi që njeriu të harroj, apo rast se e vonon, me kalimin e kohës të mos ketë mundësi ose për shkak të mungesës së ujit apo për arsye të tjera.
Prandaj, kur Profeti salallahu aleji ue selem, morri një foshnje në prehër, ndërsa ai urinoi mbi petkun e tij salallahu alejhi ue selem, atëherë i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem kërkoi ujë dhe e pastroi petkun nga urina e foshnjës. Pra, edhe në këtë rast nuk e vonoi pastrimin e petkut deri në ardhjen e kohës së namazit për arsyet e lartcekura.
- I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem i tregoi beduinit në fjalë për qëllimin e xhamive, se ato janë ndërtuar për tu falur, për të lexuar Kuran, për të bërë dhikr, e jo për të bërë veprime të pahijshme apo të ndyta! Pra, xhamitë duhet të nderohen, të mbahen pastër, të lahen e të mos veprohet në to asgjë përveçse asaj me të cilën është i kënaqur Allahu.
- Kur njeriu e thirr dikë në fenë e Allahut me urtësi, me butësi dhe ëmbëlsi, padyshim se do të arrij sukses edhe më shumë sesa do të shpresonte të arrij me dhunë dhe egërsi. Në këtë shembull, shihet qartë se si beduini u bind plotësisht me këshillën Profetit salallahu alejhi ue selem, dhe kjo shihet qartë me shprehjen e tij, kur ai tha:
اللهم ارحمني و محمدا و لا ترحم معنا أحدا
“O Allahu im! Më mëshiro mua dhe Muhamedin dhe askënd tjetër përveç nesh!”
Po shihet qartë se, Profeti alejhis-salatu ues-selam me këtë njeri përdori butësinë dhe humanitetin, ngase, shihet qartë se ky ishte injorant. Dhe dihet qartë se, njeriu i ditur të mos dijë për atë që ndalohet një veprim i tillë brenda xhamisë, se është obligim nderimi i saj dhe se nuk është veprim i mençur të urinohet në vende dhe pozita të tilla; ndër tjerash, problemi qëndron edhe në prezencën e njerëzve.
_____________________________________________________________________
04.Disa shembuj nga përdorimi i urtësisë në thirrjen e Profetit salallahu alejhi ue selem
Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (Rahimullah)
Burimi: “Deurl-Mer’eti fi Islahil-Muxhteme’”, faqe 11-13.
Shembulli i dytë: Sahabiu i cili bëri marrëdhënie intime me gruan e tij
Buhariu transmeton hadithin e Ebu Hurajras radijallahu anhu se një njeri erdhi tek i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, jam shkatërruar!” Ai i tha: “Çfarë të ka shkatërruar?” Ai tha: “Kam bërë marrëdhënie intime me gruan në Ramazan përderisa unë isha duke agjëruar!” - Padyshim se kjo është një mëkat i madh, pra, që njeriu ta bëj me qëllim këtë vepër. Por, le të shohim njëherë se si u sill me të Profeti alejhis-salatu ues-selam? A e qortoi atë? A foli diçka kundërt tij? A e poshtëroi?
Jo! Ngase, ky njeri erdhi i penduar, dhe pishman! Dhe nuk erdhi kryelartë, duke bërë shaka e duke mos u bërë merak për veprimin e tij. Kështu Profetin salallahu alejhi ue selem e pyeti atë: “A ka rob që ai ta liroj, si kompensim për veprimin e tij?” Ai u përgjigj: “Jo.” Më pastaj, e pyeti se, a ka mundësi që të agjëroj dy muaj radhazi? Ai u përgjigj që nuk kishte mundësi një gjë të tillë. Më pastaj, e pyeti se a ka mundësi që të ushqej gjashtëdhjetë të varfër? Ai prapë u përgjigj që nuk kishte mundësi këtë.
Më pastaj, njeriu u ul, ndërsa Profeti salallahu alejhi ue selem solli ca hurma dhe i tha atij: “Merri, dhe jepi këto si sadaka.” Do të thotë si kompensim. Ai tha: “T’ua jap atyre që janë më të varfër se unë o i Dërguar i Allahut? Brenda mureve të shtëpisë sime, janë familja ime të cilët janë më të varfër se unë.” Në atë rast, i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem buzëqeshi derisa iu dukën dhëmballët, pastaj tha: “Ushqeje me këtë familjen tënde.”
Nga ky tregim mësojmë disa mësime; ndër to është se, Profeti salallahu alejhi ue selem nuk u soll dhunshëm me të, nuk e akuzoi, nuk e qortoi dhe nuk e poshtëroi, sepse ai erdhi i penduar dhe pishman. Ka dallim ndërmjet të qenit kryelartë/refuzues dhe i penduar i cili kërkon të pastrohet nga mëkati i bërë. Prandaj, Profeti salallahu alejhi ue selem u sill me të në këtë mënyrë, duke bërë që ai të kthehet tek familja e tij me ushqim (hurma) të cilin e morri nga i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem. Dhe se këto hurma duhej të jepeshin për gjashtëdhjetë të varfër, edhe pse ai personalisht nuk ishte i varfër.
_____________________________________________________________________
05.Disa shembuj nga përdorimi i urtësisë në thirrjen e Profetit salallahu alejhi ue selem
Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (Rahimullah)
Burimi: “Deurl-Mer’eti fi Islahil-Muxhteme’”, faqe 12-13.
Shembulli i tretë: Burri i cili teshtitë në namaz
Hadithin e Mu’auijeh bin el-Hakem radijallahu anhu. Përderisa njerëzit ishin në namaz, njëri nga sahabët teshtiu dhe tha: “el-hamdulilah”, ndërsa Mu’auijeh ia ktheu: “jarhamukellah”. Kur e panë njerëzit këtë veprim të tij, i bënë me sy duke i dhënë shenjë që kjo nuk duhej vepruar. Ndërsa ai tha: “Mos më pastë nëna ime!” ndërsa, sahabët i goditnin kofshët e tyre me shuplaka, në mënyrë që të ndalej e të mos fliste më! Kështu ai heshti. Kur i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem e përfundoi namazin, e thirri atë dhe i tha:
إن هذه الصلاة لا يصلح فيها شيء من كلام الناس إنما هو التسبيح والتكبير وقراءة قراّن
“Ky është namaz dhe nuk duhet folur në të fjalë të njerëzve! Ndërsa namazi përbëhet nga tesbihu, tekbiri dhe leximi i Kuranit.”
Thotë Mu’auijeh: “Pasha Allahun, nuk kam parë mësues që mëson të tjerët më mirë sesa ai. Pasha Allahun as nuk më qortoi dhe as nuk më përuli.”
Shembulli i katërt: Burri i cili bartte unazë të arit
I Dërguari i Allahut e kishte sqaruar më herët se përdorimi i arit nga meshkujt është e ndaluar. Është më se i njohur hadithi:
يعمد أحدكم إلى جمرة من نار فيضعها في يده
“Dikush prej jush e pranon gacën e zjarrit dhe e vendos në dorën e tij.”
Më pastaj, i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ia hoqi unazën nga gishti me dorën e vet dhe e hodhi atë. Kur u largua ai, njerëzit i thanë atij: “Merre unazën dhe përfito nga ajo!” Ai tha: “Pasha Allahun, nuk e marrë unazën të cilën e hodhi Profeti salallahu alejhi ue selem.”
Në këtë sjellje, ndoshta mund të shohim pak vrazhdësi nga Profetit salallahu alejhi ue selem. Por, nga shprehja e Profetit, nënkuptohet se sahabiu e kishte dëgjuar ndalesën për bartjen e arit nga meshkujt. Prandaj, i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem u soll me të pak më vrazhdë sesa e pamë në shembujt e mëhershëm.
Prandaj, themi se, është e detyrueshme që thirrësi-ja të diktoj të gjitha situatat dhe me secilin të sillet sipas asaj që i përshtatet. Ngase në përditshmëri, kemi të bëjmë me injorant rreth çështjeve të caktuara, apo kemi të bëjmë me dikë që e di çështjen, porse nga përtacia apo nga moskujdesi vepron diçka që nuk duhet vepruar dhe kemi të bëjmë me dikë të ditur, por që vepron të ndaluarën nga mendjemadhësia apo nga kundërshtimi ndaj së vërtetës. Prandaj, me secilin duhet pasur parasysh sjelljen e cila ndikon dhe i bën atij dobi.
_____________________________________________________________________
06.Disa veçori në mënyrë që femra të jetë faktor kyç në përmirësimin e shoqërisë
Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (Rahimullah)
Burimi: “Deurl-Mer’eti fi Islahil-Muxhteme’”, faqe 13-14.
Edukata e mirë
Kjo do të thotë që, gruaja t’i edukoj mirë fëmijët e saj. Ngase, fëmijët e saj janë e ardhmja e burrave dhe e grave të umetit. Kur njeriu të dal në këtë jetë, përfitimet e para i kanë nga nëna e vet, prandaj, kur nëna ka moral dhe edukatë të mirë, ka sjellje të mira, e edukon fëmijën ashtu siç duhet dhe e mëson atë çfarë duhet të mësohet, padyshim se ajo do të ketë ndikim shumë të madh në përmirësimin e umetit në gjeneratat e ardhshme.
Prandaj, është e obligueshme që gruaja e cila ka fëmijë, që të kujdeset denjësisht për fëmijët e saj, t’i edukoj ata ashtu siç është e detyrueshme dhe të kërkoj ndihmën e dikujt prej familjarëve nëse nuk mund ta bëj këtë e vetme. Të kërkoj ndihmën e burrit të saj apo dikujt tjetër nëse nuk e kanë fëmijët babanë prezent apo u ka vdekur babai. Pra, le të kërkoj ndihmën e vëllezërve, xhaxhallarëve të fëmijëve, nipërve apo kujtdo qoftë prej të afërmve.
Femra nuk duhet të bie preh e ndryshimeve të kohës. Nuk duhet të thotë se, njerëzit janë bërë të tillë dhe unë nuk mund të ndryshoj asgjë. Ngase, sikurse të gjenim të gjithë ne arsye të tilla, të dorëzoheshim ndaj ndryshimeve të kohës, atëherë kurrë nuk do të ishim përmirësuar.
Sepse, përmirësimi/rregullimi, duhet të jetë përmes rrugëve të duhura. Dhe është e patjetërsueshme që, ajo që është e mirë e rregulluar, të shndërrohet në diçka që është edhe më e mirë dhe edhe më në rregull.
Duke mos lënë anash se, dorëzimi përpara ndryshimeve (prishjeve/lajthitjeve) të kohës, nuk bën pjesë në sheriatin islam. Për këtë arsye, kur u dërgua Muhamedi alejhis-salatu ues-selam profet për umetin të cilët adhuronin idhuj, të cilët nuk i mbanin lidhjet farefisnore, bënin padrejtësi, bënin zullum, ai kurrë nuk iu dorëzua atyre në këto lajthitje. Jo vetëm kaq, por Allahu ‘Azze ue Xhel, nuk ia lejoi një gjë të tillë, kur i tha atij:
فَاصْدَعْ بِمَا تُؤْمَرُ وَأَعْرِضْ عَنِ الْمُشْرِكِينَ
“Ti prediko haptazi atë që të është urdhëruar dhe largohu nga mushrikët.” 15:94
Në këtë ajet, shohim se si Allahu ‘Azze ue Xhel e urdhëron të Dërguarin e tij salallahu alejhi ue selem që ta paraqes të vërtetën haptazi, të largohet njëherë e përgjithmonë nga mushrikët dhe ta heq nga mendja armiqësinë e tyre ndaj tij derisa të vijë momenti i duhur. Në realitet kjo ishte ndodhi. Dhe lirisht mund të themi se, prej urtësisë është që të ndodh ndryshimi, por jo me shpejtësinë që mbetet vetëm dëshirë individuale, sepse, shoqëria e kësaj kohe janë larg të vërtetës dhe përmirësimit në të cilin duhet të jenë. Në gjendjen e këtillë, është e detyrueshme që njeriu t’i jap përparësi gjërave që janë më të rëndësishme ndaj gjërave që janë në kategori më të ulët se ajo. Pra, duhet që njeriu të filloj përmirësimin nga gjërat e rëndësisë më të lartë, e më pastaj të kaloj në gjërat që janë të rëndësishme sipas radhës dal nga dalë, derisa të arrihet ajo që duhet të arrihet.
_____________________________________________________________________
07.Disa veçori në mënyrë që femra të jetë faktor kyç në përmirësimin e shoqërisë
Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (Rahimullah)
Burimi: “Deurl-Mer’eti fi Islahil-Muxhteme’”, faqe 14-15.
Të bërit da’vet (thirrja në islam dhe mësimi i fesë)
Është fjala që, femra të ketë ndikim/peshë në emancipimin islam të femrave të tjera, dhe kjo të arrihet përmes vendeve publike (aty ku femrat kanë frekuentimin më të shpeshtë). Pa e marrë parasysh se, a bëhet kjo në shkollë, në universitet, apo nëpër studime të larta post-diplomike. Duke mos lënë anash as tubimet e rastit, apo vizitat ndërmjet femrave, ku padyshim se mund të fliten fjalë të dobishme.
E falënderojmë Allahun, ka gra të cilat kanë dhënë kontribut të madh në rrethet ku ato jetojnë në lidhje me da’vetin. Ka prej tyre që mbajnë ligjërata të posaçme në lëmi të ndryshme të sheriatit islam dhe gjuhës arabe. Padyshim se kjo është diçka shumë pozitive, që duhet falënderuar dhe vlerësuar lartë, e të mos harrohet se për këtë ajo do ketë shpërblim insha-Allah edhe pas vdekjes, sepse i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:
إذا مات الإنسان انقكع عمله إلا من ثلاث : إلا من صدقة جارية ، أو علم ينتفع به ، أو ولد صالح يدعو له
“Kur vdes njeriu, i ndërpriten të gjitha punët (sevapi i tyre vazhdon t’i shkojë), përveç tre gjërave: lëmosha e vazhdueshme (që ai ka dhënë), dija me të cilën njerëzit përfitojnë (edhe pas vdekjes së tij) dhe fëmija i mirë i cili lutet për të.”
Prandaj, nëse femra është aktive në përhapjen e da’vetit në rrethin e saj, nëpërmjet vizitave që ajo i bën, apo në universitet apo shkollë ku ajo punon apo mëson dhe në vende të tjera, ajo do të ketë ndikim shumë të madh dhe do të luaj rol shumë të rëndësishëm në përmirësimin e shoqërisë.
Kjo është çfarë unë tani për tani më kujtohet të them në lidhje rolin e femrës në përmirësimin e shoqërisë.
_____________________________________________________________________