Këshilla rreth Davetit
Këshillat e Shejkh Ibn Bazit rreth Davetit
Kapitulli i Parë: Vlera e Daues dhe Dauistëve
Çdokush që ka pakëz dije e njeh vlerën e lartë të daues, e di se ajo është një çështje madhështore dhe e di se ky ka qenë misioni i të Dërguarve (paqja qoftë mbi ta).
Allahu e ka lartësuar pozitën e dauistëve (njerëzit që ftojnë të tjerët në Islam) dhe i ka lavdëruar ata tej mase.
Allahu thotë në Kur'an (përkthimi i kuptimit të ajetit):
“Dhe kush është më fjalëmirë sesa ai që fton drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: Unë jam nga Muslimanët.” [Fussilet, 33]
Nuk ka dyshim se ky lavdërim shërben për të nxitur vendosmërinë, për të gjallëruar ndjenjat, për të lehtësuar barrën e daues (që mund të ndiejë ai që bën daue) dhe thërret për të garuar në interes të daues me të gjitha forcat dhe energjitë. Është transmetuar nga Hasan el-Basri, Rahimullah, se ai lexoi këtë ajet (përkthimi i kuptimit të ajetit):
“Dhe kush është më fjalëmirë sesa ai që fton drejt Allahut…” [Fussilet, 33]
dhe tha: “Ky person është i afërt tek Allahu, i dashuri i Tij, i zgjedhuri i Tij dhe është më i dashur tek Ai nga të gjithë njerëzit në tokë. Ai i është përgjigjur thirrjes së Allahut dhe i fton njerëzit tek po e njëjta thirrje të cilës iu përgjigj edhe ai vetë. Ai punon vepra të mira duke iu përgjigjur thirrjes (së Allahut) dhe thotë: “Vërtet unë jam nga Muslimanët…”
Ka shumë ajete të tjera Kur’anore dhe hadithe në të cilat përmendet vlera e daues dhe dauistit (ai i që fton të tjerët në Islam). Poashtu, ka shumë hadithe që flasin rreth dërgimit të dauistëve nga Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem), të cilat janë të mirënjohura për dijetarët. Nga këto ajete është ajeti (përkthimi i kuptimit të ajetit):
“Dhe kush është më fjalëmirë sesa ai që fton drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: Unë jam nga Muslimanët.” [Fussilet, 33]
Ky ajet fisnik i lavdëron ata njerëz që bëjnë daue duke thënë se nuk ka ndonjë njeri më fjalëmirë sesa ata. Këta dauistë udhëhiqen nga të Dërguarit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) dhe pastaj nga ata që vijnë pas tyre sipas gradës së tyre në dauen që bëjnë, në dije dhe në vlera. Kështu pra, a nuk është nder i madh për ty o robi i Allahut që të ndjekësh të Dërguarit dhe të jesh prej atyre që janë përmendur në këtë ajet të bukur?!
Pra, mësuam se askush nuk është më fjalëmirë sesa dauisti sepse ai i fton njerëzit tek Allahu, i udhëzon ata drejt Tij dhe punon sipas asaj që thërret.
Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kushdo që udhëzon dikë për të bërë mirë, ai fiton po të njëjtin shpërblim sikurse ai që e bëri këtë të mirë.”
Ky hadith është tek Sahijhu i Muslimit dhe na tregon se ai që i fton njerëzit që të bëjnë vepra të mira dhe i udhëzon ata tek kjo, merr shpërblim të njëjtë me atë që punon vepra të mira. Me të vërtetë kjo është një vlerë shumë e lartë që i është dhënë daues dhe një nder madhështor për dauistët (ata që i thërrasin të tjerët për në Islam) sepse Allahu i Lartësuar i jep dauistit një shpërblim të ngjashëm siç i jep atij që Ai e udhëzoi nëpërmjet duarve të tij. Çfarë mirësie, çfarë vlere dhe çfarë pozite që gëzon ai! O vëllai im i dashur thirr për tek Zoti yt, për tek Feja jote, për bindje ndaj Profetit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) dhe fito po të njëjtin shpërblim si ai që udhëzohet nga duart e tua, ky është virtyt dhe bekim madhështor.
Këtu është inkurajimi dhe nxitja e dauistëve që të bëjnë daue dhe të tregohen të duruar në të. Nëse nëpërmjet këtyre mjeteve je i aftë që të fitosh të njëjtin shpërblim që merr ai që e udhëzon Allahu me duart e tua, atëherë është më mirë për ty që të arrish aftësitë, të përgatitesh dhe të nxitosh që të bësh daue dhe të jesh i duruar në të sepse aty ka një përfitim të shumë të madh.
Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë, siç transmetohet në Sahijhun e Muslimit se: “Kushdo që thërret për në udhëzim do ta ketë shpërblimin njësoj me personin që e ndjek atë pa iu pakësuar atij (pasuesit) shpërblimi aspak.” Me të vërtetë, është një begati e madhe për atë që thërret për në udhëzim sepse fiton të njëjtin shpërblim si ai që e ndjek atë në udhëzim. Kjo është njësoj si hadithi i mësipërm se: “Kushdo që e udhëzon dikë për të bërë mirë, ai fiton po të njëjtin shpërblim sikurse ai që e bëri këtë të mirë.”
Përveç kësaj, një nga mirësitë madhështore të Allahut mbi thirrësin mashkull është se ai bëhet sebep për udhëzimin e babait, mamasë, gruasë dhe fëmijëve të tij. Poashtu, një nga mirësitë madhështore të Allahut mbi gruan është se ajo bëhet sebep për udhëzimin e burrit, babait, mamasë dhe fëmijëve të saj. E mësojmë këtë nga ajeti i bukur që thotë se pranimi i prindërve, grave dhe fëmijëve në Xhenet me të afërmit e tyre vjen si rezultat i mirësisë dhe drejtësisë së tyre. 1
1 - Këtu bëhet fjalë për ajetin Kur'anor (përkthimi i kuptimit të ajetit):
“Kopshtet e Begatë të Përhershëm të Xhenetit të Adnit në të cilin do të hyjnë ata dhe (gjithashtu) ata të cilët punuan mirësi prej baballarëve, grave dhe pasardhësve të tyre… [Ra’d, 23]
_____________________________________________________________________
Kapitulli i Dytë: Gjykimi i Përgjithshëm i Daues
Për sa i përket gjykimit të saj, argumentet që gjenden në Kur'an dhe në Sunet tregojnë për obligueshmërinë e kryerjes së daues (thirrjes) për tek Allahu dhe se ai (daueti) është nga detyrat themelore që janë bërë obligim. Nga këto argumente janë thëniet e Allahut të Lartësuar:
“Le të dalë nga ju një grup njerëzish të përkushtuar që të ftojnë njerëzit te mirësia, të urdhërojnë el-Ma’ruf (të mirën) dhe të ndalojnë el-Munker (të keqen) dhe këta janë fitimtarët.” [Ali-Imran, 104]
“Thirri njerëzit në Udhën e Zotit tënd me urtësi dhe me thirrje të ndershme dhe të bukur dhe bisedo me ta në mënyrën më të mirë.” [Nahl, 125]
“Dhe thirr për tek Zoti yt dhe mos ji prej Mushrikëve (ata që i bëjnë shok Allahut në adhurim).” [Kasas, 87]
“Thuaj: Kjo është Udha ime; unë ju ftoj drejt Allahut (Teuhijdit të Tij) me dije të sigurt, unë dhe kushdo që më ndjek mua (duhet të ftojnë në Islam, në Teuhijdin e Allahut, me dije të sigurt).” [Jusuf, 108]
Kështu pra, Allahu i Lartësuar na sqaron se pasuesit e Profetit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) janë ata që thërrasin për tek Allahu dhe janë njerëzit me dije të sigurtë, me kuptim të thellë (basijra) dhe me përgjegjësi. Kur një person i tillë dëgjon diçka nga Profeti (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem), ai i bindet atij dhe ndjek metodologjinë e tij (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem).
Allahu i Lartësuar thotë në Kur'an:
“Me të vërtetë që tek i Dërguari i Allahut ju keni një shembull mjaft të mirë për ta ndjekur për atë që shpreson (në Takimin me) Allahun dhe në Ditën e Fundit dhe që e kujton Allahun shumë.” [Ahzab, 21]
Dijetarët ka thënë në mënyrë të qartë se daueti për Allahun është një detyrë (obligim) kolektiv (farz kifaje) për sa i përket vendeve ku janë të pranishëm dauistët. Pra, është një detyrë (obligim) kolektiv. Nëse një numër i mjaftueshëm e bëjnë dauetin, atëherë bie obligimi i tij nga të tjerët. Në këtë rast, ai konsiderohet si një Sunet i veçantë (i rëndësishëm) dhe një vepër e mirë dhe fisnike.
Megjithatë, nëse njerëzit e një vendi të caktuar nuk e përmbushin detyrën e dauetit ashtu siç duhet, kjo konsiderohet si gjynah për çdo person dhe përgjegjësia i ngelet çdonjërit prej tyre, ku të gjithë duhet të bëjnë daue sipas aftësive dhe mundësive që kanë.
Për sa u përket vendeve në përgjithësi, duhet që të formohet një organ i veçantë që të marrë përsipër kryerjen e daues (thirrjen) për tek Allahu i Gjithëfuqishëm dhe i Madhërishëm, anë e mbanë botës, duke transmetuar mesazhin e Allahut dhe duke shpjeguar urdhërat e Tij me të gjitha mjetet që janë në dispozicion [në përputhje me Sheriatin, sh.p]. Sepse me të vërtetë i Dërguari (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) çoi thirrësa (dauistë), u dërgoi letra njerëzve, mbretërve dhe prijësave dhe i thirri ata për tek Allahu i Gjithëfuqishëm dhe i Madhërishëm.
Daueti tek Allahu është dy llojësh:
- lloji i parë është obligim individual (farz ajn) dhe:
- lloji i dytë është obligim kolektiv (farz kifaje). (1)
Është farz ajn atëherë kur askush nuk i merr përsipër përgjegjësitë si urdhërimin e të mirës dhe ndalimin e të keqes. Nëse je në një shtet të tillë, në ndonjë vend apo tek ndonjë fis ku askush nuk po bën daue për t’i thirrur për tek Allahu, nuk i urdhëron për mirësi dhe nuk i ndalon nga i keqja, nëse ke dije, (atëherë) është obligim për ty si person që të bësh daue, t’i udhëzosh njerëzit tek të drejtat e Allahut, t’i urdhërosh tek e mira dhe t’i ndalosh nga e keqja. Megjithatë, nëse aty janë të pranishëm ata që bëjnë daue, i mësojnë njerëzit dhe i udhëzojnë, kjo bëhet Sunet dhe nuk është obligim për të tjerët të cilët gjithashtu kanë dije nga Sheriati.
Po kështu është edhe çështja e xhihadit. Ai është farz kifaje kur ka një numër të mjaftueshëm që e kryen atë. Pra, xhihadi, urdhërimi i të mirës, ndalimi i të keqes dhe daueti nuk janë më obligim për pjesën që mbetet, por një Sunet i veçantë (i rëndësishëm). Sidoqoftë, kur është një numër i pamjaftueshëm njerëzish, (atëherë) xhihadi, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi i të keqes bëhet obligim për të gjithë.
1 - [Sh.p]: Farz ajn është ajo detyrë fetare e cila është obligim për çdo individ, si p.sh. falja e namazit pesë herë në ditë, agjërimi i muajit të Ramazanit etj.
- Farz kifaje është ajo detyrë fetare e cila është obligim por nëse kjo detyrë kryhet nga një pjesë e Muslimanëve, atëherë pjesa tjetër lirohen nga përgjegjësia. Ndërsa kur askush nuk e kryen këtë detyrë, atëherë të gjithë Muslimanët janë gjynahqarë. Obligime të këtij lloji janë p.sh. namazi i xhenazes, thirrja e ezanit për lajmërimin e faljes së namazit në xhami, mbajtja e hytbes në ditën e Xhmua etj.
_____________________________________________________________________
Kapitulli i Tretë: Gjykimi i Dauetit për Kohën e Sotme
Në kohën kur numri i dauistëve është i pakët, kur e keqja është mjaft e përhapur dhe mbizotëron injoranca (sikurse është gjendja jonë sot), daueti bëhet farz ajn, d.m.th. obligim për çdo njeri sipas aftësive të tyre. Nëse është ndonjë vend i izoluar apo i mbyllur, si për shembull ndonjë fshat a ndonjë qytet etj… dhe aty ka disa njerëz që e kanë marrë përsipër këtë detyrë, aktivizohen në daue dhe e përcjellin urdhërin e Allahut, atëherë kjo është e mjaftueshme dhe përcjellja e të vërtetës kthehet në Sunet për pjesën tjetër të njerëzve. Kjo ngaqë e vërteta është thënë dhe urdhëri i Allahut të Lartësuar është zbatuar nga ata njerëz.
Sidoqoftë, për sa i përket pjesës tjetër të botës dhe njerëzve të tjerë, është obligim për dijetarët dhe prijësit që ta çojnë mesazhin e Allahut me çdo mënyrë që të mundin. Kështu, daueti është farz ajn për ta në varësi të aftësive dhe mundësive që kanë.
Nga kjo pikëpamje (sipas asaj që u përmend më lart), kuptohet se daueti që të bëhet farz ajn apo farz kifaje është një çështje që ndryshon dhe nuk është e njëjtë (në çdo rast). Kështu, ai mund të jetë farz ajn për sa u përket grupeve dhe individëve të caktuar dhe mund të jetë Sunet për grupe dhe individë të caktuar për shkak të pranisë së një numri të mjeftueshëm njerëzish të cilët po e kryejnë dauen në vendin e tyre.
Duke patur parasysh përhapjepjen e propagandës drejt ideologjive shkatërrimtare dhe ateizmit, mohimit të (ekzistencës së) Zotit, mohimin e Shpalljes, Botës Tjetër dhe përhapjen e daues së Krishterë në shumë vende; duke patur parasysh të gjitha këto, kryerja e dauetit për tek Allahu Azze ue Xhel sot është bërë një detyrë e obliguar përgjithësisht.
Është detyrë mbi të gjithë dijetarët dhe pushtetarët që praktikojnë dhe dëshmojnë Islamin, që ta përhapin dhe ta përcjellin Fenë e Allahut sipas fuqisë dhe mundësisë që kanë. Ata duhet të thërrasin për tek Allahu i Lartësuar nëpërmjet shkrimeve të tyre, fjalimeve publike, emisioneve dhe me çdo rrugë dhe mënyrë të mundshme. Ata nuk duhet të heqin dorë nga dhënia e daues ose të mbështeten tek të tjerët që të bëjnë daue.
Nevoja emergjente sot, ose më saktë domosdoshmëria që është për bashkëpunim, pjesëmarrje dhe unifikim tek kjo çështje madhështore është më e madhe se kurrë ndonjëherë. Për arsye se armiqtë e Allahut janë bashkuar tashmë në solidaritet me njëri-tjetrin dhe po bashkëpunojnë me çdo mënyrë që munden për t’i larguar të tjerët nga rruga e Allahut, po hedhin dyshime në Fenë e Allahut dhe po i thërrasin njerëzit drejt asaj që do t’i nxjerrë ata nga Feja e Allahut të Lartësuar. Prandaj është e domosdoshme që njerëzit e Islamit t’i luftojnë këto aktivitete heretike me aktivitetin Islamik dhe dauen Islame në të gjitha nivelet me të gjitha mjetet dhe rrugët e mundshme. Ky është zbatim i detyrës së thirrjes për tek Allahu, të cilën Allahu na i ka bërë obligim.
Sot mund të shohim se çështja e Xhihadit është dobësuar sepse Muslimanët kanë pësuar ndryshime dhe janë ndarë në shumë grupe. Për pasoje, fuqia dhe armët kanë rënë në duart e armiqve tanë. Muslimanët sot interesohen vetëm për pozitën e tyre, epshet dhe pasuritë e kësaj dynjaje, përveç atyre që dëshiron Allahu. Dhe nuk ka asnjë lëvizje, asnjë forcë apo pushtet përveç se nga Allahu i Lartësuar.
Gjëja e vetme që mbetet për këtë kohë është përhapja e daues dhe udhëzimi i njerëzve në Islam. Islami është përhapur në shumë vende me anë të daues: në Lindje, Perëndim, Afrikën Qendrore, Evropë, Amerikë, Japoni, Kore dhe në vende të ndryshme në të gjithë Azinë. Kjo është për shkak të daues që u përhap pjesërisht nga tregëtarët që udhëtonin atje (të cilët e morën Islamin kudo që shkuan) dhe nga ata që bëjnë daue, të cilët udhëtojnë për hir të saj (për hir të daues) dhe janë të specializuar për këtë.
_____________________________________________________________________
Kapitulli i Katërt: Qëllimi i Daues
Qëllimi i daues është që t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë dhe t’i udhëzojë ata tek e vërteta derisa të kapen fort pas saj dhe të jenë të shpëtuar nga Zjarri i Xhehenemit dhe Zemërimi i Allahut; t’i nxjerrë mosbesimtarët nga errësira e kufrit në dritë dhe udhëzim, për ta nxjerrë injorantin nga errësira e injorancës në dritën e dijes dhe për ta nxjerrë të pabindurin nga errësira e mosbindjes në dritën e bindjes.
Ky është qëllimi i daues, sikurse thotë Allahu në Kur'an:
“Allahu është Ueli (Mbrojtësi, Ruajtësi) i atyre që e besojnë Atë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë.” [Bekare, 257]
Pejgamberët u dërguan me qëllim që t’i nxirrnin njerëzit nga errësira në dritë. Poashtu edhe thirrësat për tek e vërteta bëjnë daue dhe janë të angazhuar me të me qëllim që t’i nxjerrin njerëzit nga errësira në dritë, t’i shpëtojnë ata nga Zjarri i Xhehenemit, nga bindja ndaj shejtanit dhe t’i shpëtojnë ata nga bindja e epsheve në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij.
Qëllimi i daues dhe xhihadit nuk është derdhja e gjakut, marrja e pasurisë apo robërimi i grave dhe fëmijëve, këto gjëra ndodhin rastësisht, por nuk janë këto qëllimi. Këto ndodhin atëherë kur mosbesimtarët refuzojnë që ta pranojnë të vërtetën, insistojnë në mosbesim dhe nuk pranojnë që të jenë të nënshtruar e të paguajnë xhizjen (taksën që duhet ta paguajnë ata që nuk janë Muslimanë por që jetojnë nën sundimin e Muslimanëve) kur kjo u kërkohet atyre. Në këtë rast, Allahu i ka urdhëruar Muslimanët që t’i vrasin ata, ta marrin pasurinë e tyre si plaçkë lufte dhe t’i robërojnë gratë dhe fëmijët e tyre; ti përdorin ata si ndihmesë për t’iu bindur Allahut, për t’u bërë të ditur atyre ligjin e Allahut dhe në këtë mënyrë ata do të mund të shpëtojnë nga shkaqet e dënimit dhe ankthit (nga Zjarri i Xhehenemit). Gjithashtu, nëpërmjet saj Muslimanët shpëtojnë nga kurthet dhe sulmi i atyre që i luftojnë, shpëtojnë nga pengesat që vendosin ata në rrugën drejt përhapjes së Islamit me qëllim që kjo daue të mos arrijë në zemrat e njerëzve dhe tek mbarë popujt në përgjithësi.
Nuk ka dyshim se e gjithë kjo është nga cilësitë dhe virtytet më të larta të Islamit, të cilën njerëzit që kanë drejtësi, aftësi për të kuptuar dhe mendjemprehtësi dëshmojnë nëse ata janë pasuesit e saj apo armiqtë e saj. Është nga Mëshira e Allahut, Më të Urtit, të Gjithëditurit, i Cili e bëri këtë fe një fe të mëshirës, butësisë, drejtësisë dhe barazisë që është e përshtatshme për çdo kohë e për çdo vend dhe qëndron më lartë se çdo ligj apo sistem.
Edhe sikur mendjet e të gjithë njerëzimit të bashkoheshin për të ndihmuar njëri-tjetrin që të sjellin një gjë të ngjashme me Islamin apo më të mirë se ai, ata kurrë nuk kanë për të qenë të aftë për ta bërë këtë.
I lartësuar është Ai që ka vendosur këtë fe, sa i Urtë dhe i Drejtë është Ai! Sa e thellë është dituria e Tij mbi mirëqenien e robërve të Tij! Sa larg prej marrëzisë dhe shakasë qëndrojnë mësimet e tij ! Sa afër mendjeve të zgjuara e të shëndosha dhe natyrës njerëzore (fitrah) janë mësimet e Tij.
_____________________________________________________________________
Kapitulli i Pestë: Nevoja Urgjente për Daue
Dihet mjaft mirë nga të gjithë ata që kanë sadopak dije apo aftësi për të kuptuar se bota Islame sot, madje e tërë bota, ka shumë nevojë për dauen e pastër Islame. Ka nevojë për dauen e cila ua shpjegon njerëzve realitetin e Islamit, gjykimet dhe vlerat e tij, si dhe u shpjegon atyre kuptimin e dëshmisë La ilahe il-lAllah (askush nuk meriton të adhurohet përveç Allahut) dhe dëshminë Muhamedur-Rasulullah (se Muhamedi është i Dërguari i Allahut). Me të vërtetë, pjesa më e madhe e njerëzimit nuk i kanë kuptuar ashtu siç duhet këto dy dëshmi. Ata i kanë bërë Allahut shok në adhurim dhe janë larguar nga Ai. Nuk ka dyshim se këto dy dëshmi në thelbin e tyre janë rrënjët e kësaj Feje, janë baza e besimit dhe themeli ku ngrihet Islami.
Sot ka një nevojë urgjente për Muslimanët dhe për krejt botën që të kuptojnë Fenë e Allahut, t’u tregohet mirësia e saj dhe t’u sqarohet e vërteta dhe realiteti i saj. Betohem në Allah se sikur njerëzit dhe e gjithë bota ta njihnin realitetin e saj, atëherë ata do të hynin me siguri në Fenë e Allahut turma-turma ashtu siç hynë në të pasi që Allahu e bëri ngadhënjimtar Pejgamberin e Tij në Mekke (në rimarrjen e Mekkes).
Shoqëria ka nevojë serioze për përmirësim, qoftë ajo shoqëri Muslimane apo jo-Muslimane.
Sidoqoftë, shoqëria Muslimane në mënyrë të veçantë ka më shumë nevojë që të kapet pas metodologjisë (menhexhit) të saktë dhe të ndërmarrin rrugët apo mjetet të cilat sjellin përmirësim. Ata duhet të ndjekin rrugën që ndoqi njeriu më i mirë i këtij Umeti, i dashuri i Mëshirëplotit, më i mirë nga të gjithë robërit e Tij, Pejgamberi më i madh, Muhamedi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem)
Prandaj, çdo studenti të dijes i është bërë e qartë se daueti është një nga çështjet më të rëndësishme dhe se Umeti ka shumë nevojë, ose më saktë, ai është i domosdoshëm për të në çdo kohë dhe vend. Kjo për shkak se xhihadi nuk ekziston në pjesën më të madhe të botës dhe njerëzit kanë shumë nevojë për thirrësa dhe udhëzues të cilët janë që të gjithë në dritën e Kur'anit dhe Sunetit. Kështu që është obligim për njerëzit e dijes, kudo qofshin ata, që ta përcjellin dauen dhe të tregohen të duruar në të. Veç kësaj, thirrja e tyre për tek Allahu dhe Islami duhet të jenë të bazuar në Librin e Allahut, në rrugën e të Dërguarit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) dhe të Shokëve të tij (radijAll-llahu anhu) dhe në metodologjinë (menhexhin) e të Parëve të Devotshëm (Selefus-Salih).
_____________________________________________________________________
Kapitulli i Gjashtë: Nëse njerëzit tregohen armiqësorë me davetçiun dhe shmangen prej tij, atëherë ai duhet të përpiqet akoma më shumë në dauen e tij
Kjo gjendje është vërtetimi i asaj çfarë na ka thënë Pejgamberi dhe i Dërguari ynë (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) në një hadith të saktë:
“Islami filloi si diçka e huaj dhe do të kthehet si i huaj, kështu që përgëzojini të huajt.”[Transmetuar nga Muslimi]
Në një transmetim tjetër është thënë: “O i Dërguari i Allahut, kush janë të huajt?” Ai (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) u përgjigj: “Janë ata që janë të palëkundur tek mirësia ndërkohë që njerëzit prishen.” [Transmetuar nga Tahaui në el-Mushkil, 298/1]
Dhe në një version tjetër ai (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Janë ata që e rregullojnë Sunetin tim të cilin e kanë prishur njerëzit.” [Transmetuar nga Tirmidhiu (2765), Taberani në el-Kebir (16/17), Bezzari (3287) dhe të tjerë.]
Dhe ky hadith fisnik u bën të qartë njerëzve që kanë intelekti se të thërrasësh në të vërtetën dhe të refuzosh atë që kanë futur njerëzit në Fe – në një kohë kur Islami është i huaj – konsiderohet si përmirësimi për të cilin Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) i inkurajoi dhe i lavdëroi njerëzit.
Gjithashtu, ky hadith madhështor i bën të qartë lexuesit se është obligim mbi njerëzit që ndjekin të vërtetën – atëherë kur Islami bëhet i huaj – që të bëhen më aktivë në shpjegimin e gjykimeve që ka Islami, në dhënien e daues, përhapjen e meritave dhe vlerave të Islamit dhe luftimin e çdo të keqeje. Është gjithashtu e domosdoshme që ata të jenë të palëkundur tek kjo rrugë derisa të bëhen nga njerëzit më të mirë në atë kohë kur shthurja mbizotëron dhe të jenë ata që i largojnë ligësitë që bëjnë njerëzit.
Vërtet Allahu është Dhënësi i suksesit. I lartësuar qoftë Ai.
_____________________________________________________________________
Kapitulli i Shtatë: Ndikimi i Da’ues në Përhapjen e Islamit
E vërteta është përhapur vazhdimisht nëpërmjet da’uetit të saktë Islamik, e që më pas është ndihmuar nga Xhihadi sa herë që dilte dikush për t’i prerë rrugën. Ne e kemi parë se si Muslimanët i nxorrën Romakët nga rrethinat e Shamit, pushtuan Perandorinë Persiane dhe kështu Islami u përhap në Jemen dhe në vendet e tjera të gadishullit Arabik. E gjithë kjo ishte si rezultat i da’uetit dhe xhihadit të sinqertë për hir të Allahut të Lartëuar dhe kështu u hoqën të gjitha pengesat nga rruga e daues.
Nga kjo çfarë u tha kuptojmë se përhapja e Islamit u arrit plotësisht nëpërmjet daues. Xhihadi me shpatë u përdor vetëm për të mbrojtur të vërtetën dhe për t’i dhënë fund shkatërrimit dhe ligësive në kohën kur njerëzit kundërshtuan dhe e penguan rrugën e daues. Kështu që, ishte xhihadi bashkë me da’uen që ndihmuan në hapjen e portës së fitoreve. Kjo për arsye se njerëzit nuk i përgjigjen da’ues në fillim, pasi mësimet e tij bien në kundërshtim me epshet e tyre dhe dashurinë për gjërat e ndaluara dhe sundimin e çthurur dhe tiran. Prandaj erdhi Xhihadi që t’i ndalonte këta njerëz që ishin një pengesë e madhe në rrugën e da’ues dhe t’i largonte ata nga pozitat që kishin.
Në këtë mënyrë Xhihadi e ndihmon Da’uen, realizon qëllimet e saj dhe i ndihmon thirrësat që ta përmbushin detyrën e tyre.
Që nga koha e Ademit (alejhis-selam) e deri kur u shpall Teurati, ka patur shumë të Dërguar që thërrisnin për tek Allahu (duke bërë da’ue) por nuk kishte Xhihad. Në këtë mënyrë Islami u përhap nëpërmjet da’ues, thirrjes dhe nëpërmjet Librave që zbrisnin nga Qiejt. Kështu, Feja e Allahut u përhap nëpërmjet da’ues së Pejgamberëve (alejhimus-selam) dhe duke paralajmëruar njerëzimin. Kjo vazhdoi që nga koha e Ademit (alejhis-selam) e deri në kohën e Musait (alejhis-selam).
Me të vërtetë Islami është Feja e Allahut, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në Kur'an:
“Me të vërtetë Feja (e pranuar) tek Allahu është Islami.” [Ali-Imran, 19]
Islami është Feja e të gjithë të Dërguarve dhe popujve pasi Allahu përmend se Nuhu (‘alejhis-selam) ka thënë:
“Dhe unë jam urdhëruar që jem prej Muslimanëve.” [Neml, 91]
_____________________________________________________________________
Kapitulli i Tetë: Metodologjia e Saktë në Da’ue
Asgjë nuk ka për ta përmirësuar pjesën e fundit të këtij Umeti përveç se ajo me të cilën u përmirësua pjesa e parë e tij; kjo është ajo çfarë kanë thënë njerëzit e dijes dhe imanit. Mes tyre është Imami i famshëm Malik bin Enes, Imami i Medines në kohën e tij dhe Fekihu i mirënjohur. Ai ishte njëri nga katër Imamët, i cili e ka thënë këto fjalë. Njerëzit e dijes gjatë kohës së tij si dhe ata që erdhën pas tij u pajtuan që të gjithë me këto fjalë dhe i pranuan ato. “Fundi i këtij Umeti nuk ka për t’u përmirësuar përveç se nga ajo me të cilën u përmirësua pjesa e parë e tij.”
Kjo do të thotë se ajo që i përmirësoi brezat e parë të Muslimanëve, që ishte ndjekja e Librit të Allahut dhe Suneti i të Dërguarit fisnik (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), kjo është ajo që ka për t’i përmirësuar edhe brezat që do të vijnë pas tij deri në Ditën e Ringjalljes.
Kushdo që dëshiron ta përmirësojë shoqërinë Islame apo çdo shoqëri tjetër në këtë botë duke përdorur metoda të tjera në vend të asaj që përmirësoi brezat e parë, atëherë ai është në një gabim që duket sheshit dhe është shumë larg nga e vërteta. Dhe nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç rrugës së brezave të mëhershëm.
Vërtet, rruga drejt përmirësimit të njerëzve dhe udhëzimin e tyre në rrugën e drejtë është nëpërmjet ndjekjes së shtegut në të cilin ishte Pejgamberi ynë (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe Sahabët e tij (radij-Allahu ‘anhum) dhe ata që i ndoqën në mirësi deri në kohën e sotme. Kjo rrugë është rruga e ndjekjes së Kur'anit Madhështor dhe Sunetin e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), thirrjes së njerëzve në Kur'an dhe Sunet dhe në studimin e ligjeve të tyre; në përhapjen e Kur'anit dhe Sunetit mes njerëzve, duke patur dije dhe basira (kuptim të qartë e të plotë të kësaj dije) dhe duke sqaruar Akijden e saktë e themelore që na mësojnë këto dy burime të Shpalljes.
Dihet mjaft mirë se rrugët nëpërmjet të cilave mund të përmirësohen shoqëritë Islamike e ato jo-Islamike, janë vetëm ato të cilat vuri në përdorim prijësi i të gjithë të Dërguarve, vula e të gjithë Profetëve, Muhamedi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Sahabët e tij i përdorën këto rrugë, në krye të së cilave ishin Khalifët e Udhëzuar: Ebu Bekr es-Sidik, ‘Umer el-Faruk, ‘Uthman Dhun-Nurajn, ‘Ali Ibn Ebi Talib Ebul-Hasen el-Murteda; dhe pastaj ata që ishin me ta. Qofshim edhe ne prej atyre që i ndjekin ata në mirësi.
Çdo bidat, devijim dhe metodologji (minhaxh) që kundërshton ligjin e Allahut duhet të hidhet poshtë. Të gjithë duhet të ndjekin metodologjinë (minhaxh) në të cilën ka qenë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), pastaj Sahabët e tij (radij-Allahu ‘anhum) dhe Khalifët e Udhëzuar (Kulefa’i Rashidin) që e ndoqën atë (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe pastaj Imamët e Udhëzuar dhe Selefus-Salih (të Parët tanë të Mirë) që i ndoqën ata. Ata ishin të gjithë në metodologjinë e saktë dhe në rrugën e drejtë (siratal-mustekijm).
Kjo është metodologjia që duhet të mabjë dhe të kapet fort çdo njeri, të jetë i palëkundur në të dhe t’i thërrasë njerëzit drejt saj; dhe çdo gjë që njerëzit kanë futur në Fe që e kundërshton atë, duhet të hidhet poshtë dhe të refuzohet.
_____________________________________________________________________