Këshillë për besimtarët
Këshillë për besimtarët dhe hoxhallarët.
Përmbajtja:
01 - Njeriu i sinqertë e mirëpret këshillën dhe nuk i frikësohet qortimit.
02 - Kujt i bëhet haku i qartë dhe pastaj flet me batil, ai është prej njerëzve të bidateve dhe epsheve.
03 - Njihe hakun që t’i njohësh pasuesit e tij.
04 - Mos ji fanatik për askënd!.
05 - Nëse shejkhu yt gabon, mos u bëj fanatik pas tij.
06 - Çfarë dënimi ka ai që e di hakun, porse nuk e pranon dhe nuk punon me të?!
07 - Llojet e njerëzve në lidhje me qëndrimin e tyre ndaj hakut dhe batilit (të pavërtetës)
01 - Njeriu i sinqertë e mirëpret këshillën dhe nuk i frikësohet qortimit.
Autor: Shejkh Muhamed bin Ibrahim el-Uezijr (775-840 H)
Burimi: Er-Rraudul Basim Fidh-Dhebbi ‘an Sunneti Ebil-Kasim, fq,17.
Ai që synon Fytyrën e Allahut, nuk ka frikë që të kritikohen gabimet në fjalët e tij, e as nuk druhet që dikush të tregojë për kotësinë e fjalëve të tij, porse e do hakun ngado që t’i vijë. E pranon udhëzimin e atij që e udhëzon, madje ashpërsia me hak dhe këshilla, është më e dashur për të sesa lajkat që i bëjnë për fjalët e fëlliqura.
Shoku yt është ai që është i vërtetë me ty dhe ta thotë të vërtetën kur ti gabon, e nuk është shok i vërtetë ai që ta bën qejfin kur ti je në gabim. Nga fjalët e shquara dhe urtësitë e veçanta është fjala:
“Shoqërohu me atë që të paralajmëron të mos humbasësh shpresën nga mëshira e Allahut dhe të paralajmëron nga rebelimi në bërjen e gjynaheve, dhe ruhu nga ai shok që (kur ti je në gabim) të thotë: Nuk ka problem! Mos u mërzit!”
02 - Kujt i bëhet haku i qartë dhe pastaj flet me batil, ai është prej njerëzve të bidateve dhe epsheve.
Autor: Shejkh Rabij’ Ibën Hadij el-Medkhalij
Burimi: Behxhetul-Kaarij bi-Feua`id Menhexhijjeh ue Duruus Terbeuijjeh min Kitaab el-Iëtisam bil-Kitabi ues-Sunneh min Sahiih el-Bukharij, fq.76-78
I këshilloj të rinjtë që të kenë frikë Allahun për vetet e tyre dhe t’i mësojnë vetet e tyre që ta njohin hakun dhe që të bëjnë dallim midis hakut (e vërteta) dhe batilit (e pavërteta), si dhe në këto mosmarrëveshjet që kanë ndodhur mes Ehli Sunetit, sepse ka mundësi që mosmarrëveshja të jetë midis Ehli Sunetit dhe bidatçijve, ose ndonjëri ka qenë prej Ehli Sunetit dhe hyri në bidat dhe vazhdoi në të me kokëfortësi. Prandaj në këtë rast ky s’duhet të merret si mosmarrëveshje midis Ehli Sunetit, sepse disa njerëz kanë bidate të shumta, kanë devijime, kanë poshtërsi, gënjeshtra, tradhti, krime e gjëra të ndryshme, pastaj thonë: ai është prej Ehli Sunetit dhe kjo është mosmarrëveshje për çështje personale! E gjithë kjo është prej gënjeshtrave dhe metodave të njerëzve të batilit, që të përhapin batilin e tyre dhe të mashtrojnë atë që ka sadopak selefizëm.
Kështu që, nëse ti has ndonjë mosmarrëveshje, mos fol, kërko hakun dhe mos u fut tek këto çështje derisa të mësosh se kush është në hak dhe kush është në gabim, atëherë e ke detyrë që të mbash qëndrim me hakun, sepse kjo është ndihmesë për Islamin dhe ndihmesë për hakun. Kurse të rrish gjithmonë i heshtur dhe të jesh gjithmonë neutral, kjo është tradhti ndaj hakut. Prandaj, nxënësi i dijes e ka detyrë që të kërkojë me dritën e Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, si dhe me kuptimin e drejtë të Selefëve dhe me menhexhin e tyre, derisa t’i shfaqet haku i qartë si dielli. Mbas kësaj, ai duhet të flasë me këtë hak. Ama nëse atij i bëhet i qartë haku dhe pastaj flet me batil, atëherë ai është prej njerëzve të bidateve dhe epsheve, sepse të ndihmosh atë që i është bërë zullum është çështje që e kanë detyrë Muslimanët. Ka thënë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
انْصُرْ أَخَاكَ ظَالِمًا أَوْ مَظْلُومًا
“Ndihmoje vëllain tënd kur bën zullum edhe kur i bëhet zullum.” [1]
Nëse vëllait tënd i bëhet zullum, ti e ke detyrë që ta ndihmosh atë kur bëhet fjalë për dunjanë e tij, po si është atëherë kur bëhet fjalë për fenë e tij? Atij iu bë zullum për shkak të fesë dhe u sprovua për shkak të fesë dhe u dëmtua për shkak të fesë, pastaj sorollaten, bëjnë sehir dhe thonë: kjo është mosmarrëveshje për çështje personale, është mosmarrëveshje mes Ehli Sunetit?!!
Pra, hyr me dije, me fakte dhe argument, e mos hyr me idiotësi, mendjelehtësi dhe me pasim qorrazi, se disa njerëz pasojnë qorrazi edhe në batil dhe zullum. Jo kështu, mundohu që të mësosh hakun me argumentin e tij dhe ta adhurosh Allahun me të, dhe atëherë ti e ke detyrë që të mbash qëndrim duke mbrojtur hakun dhe duke e hedhur poshtë të pavërtetën.
Besimtari i sinqertë nuk miqëson e nuk armiqëson vetëm se në hak, në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe në rrugën që ndoqën Selefët. Kurse disa njerëz pretendojnë që janë prej Ehli Sunetit dhe nga ana tjetër miqësojnë dhe armiqësojnë në batil. Ata u ngjajnë Tatarëve qafira e kriminelë. Ka thënë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
“Kush vritet duke ndjekur një flamur pështjellues, thërret për klanin e tij dhe lufton për klanin e tij, ai është vrarë ashtu siç vriteshin në kohën e Xhahilijetit.” [2]
Ky është fanatizmi i verbër klanor.
Fundnotë:
[1] - Hadithin e ka transmetuar Bukhari (në Sahihun e tij): libri “el-Medhalim”; kapitulli: “Ndihmoje vëllain tënd kur bën zullum dhe kur i bëhet zullum (2311)”, nga Enes Ibën Malik – radijAllahu ‘anhu –.
[2] - Hadithin e ka transmetuar Muslimi (në Sahihun e tij): libri “el-Imarah”; kapitulli: “Urdhërimi për t’u kapur mbas Xhematit, kur të shfaqen fitnet (4898)”, nga Xhundub Ibën ‘AbdIlah – radijAllahu ‘anhu –.
03 - Njihe hakun që t’i njohësh pasuesit e tij.
Autor: Shejkh Abdullah Eba Betin
Burimi: ed-Dureru Sunnijeh, 10/400-401
Kur njeriut i bëhet e qartë e vërteta, nuk zmbrapset nga numri i pakët i atyre që janë në pajtim me të vërtetën dhe nga numri i madh i kundërshtarëve të së vërtetës, sidomos në fund të kësaj kohe. Kurse fjala e injorantit “Sikur kjo të ishte e vërtetë, nuk do t’i fshihej filanin e fistekut!” Ky ishte pretendimi i kufarëve në fjalën e tyre:
لَوْ كَانَ خَيْرًا مَّا سَبَقُونَا إِلَيْهِ
“Sikur të ishte kjo ndonjë e mirë, ata nuk do të na kishin tejkaluar në këtë.” El-Ahkaf, 11
أَهَـؤُلَاءِ مَنَّ اللَّـهُ عَلَيْهِم مِّن بَيْنِنَا
“A këta i paska begatuar Allahu nga mesi jonë?” el-En’am, 53
Aliju – Allahu qoftë i kënaqur me të – ka thënë:
اعرف الحق تعرف أهله
“Njihe hakun që t’i njohësh pasuesit e tij.”
E sa për atë që është i pështjelluar dhe i hutuar, çdo dyshim ka për ta çoroditur atë. Kështu që, sikur të ishin shumica e njerëzve në të vërtetën sot, Islami nuk do të ishte i huaj, kurse ai sot – pasha Allahun – është në kulmin e huajësisë.
04 - Mos ji fanatik për askënd!.
Autor: Shejkh Rabij’ Ibën Hadij el-Medkhalij
“Këshilla ime për ju është që të studioni; nëse flitet për ndonjë person, studiojeni çështjen e tij, merrini fjalët e kritikuesve dhe kuptojini ato dhe sigurohuni për saktësinë e tyre. Nëse ju bëhet e qartë, atëherë të gjykohet njeriu bazuar në kuptim të drejtë dhe bindje, e jo duke i bërë taklid (pasim i verbër) këtij apo atij, as duke qenë fanatik për këtë apo për atë. Lërini personat, filanin apo fistekun, këtë merreni parim dhe përcilluani atyre kundërshtarëve që ta kuptojnë realitetin, vetëm ta kuptojnë hakun dhe t’i nxjerrin vetet e tyre nga grumbulli i fanatikëve të batilit (të pavërtetës). Unë nuk kënaqem nga çdokush që është fanatik për mua, kurrë! Nëse gaboj, le të më thotë ai që kapi gabimin tim “Gabove!” – Allahu u bekoftë – dhe të mos jetë fanatik për askënd, as për këtë e as për atë, të mos jetë fanatik për gabimin e Ibën Tejmijes apo të Ibën ‘Abdul-Uehhabit apo të Ahmed Ibën Hanbelit apo të Shafiut apo të çdokujt, porse të jetë entuziast për hakun dhe të respektojë hakun, si dhe e ka detyrë që ta urrejë gabimin dhe ta urrejë batilin.”
Burimi: [Shkëputur nga kaseta me titull “Khutuuratul-Kedhibi ue Athaaruhu es-Seji`eh ue Meukif el-Islam minhu”]
Ka thënë gjithashtu Shejkh Rabij’ - hafidhahUllah -:
“Dikush thotë se ne jemi fanatikë për Albanin. Ne nuk jemi fanatikë as për Albanin as për Ibën Tejmijen as për ndonjë Sahab dhe as për ndonjë tjetër. Ne jemi fanatikë për fenë e Allahut dhe për menhexhin e Tij të vërtetë, dhe i gjykojmë me këtë menhexh Sahabët, Tabi’inët, Ibën Tejmijen, Ibën ‘Abdul-Uehabin, Ibën Bazin, Albanin… ne i gjykojmë ata me këtë menhexh. Ne i respektojmë njerëzit e Sunetit dhe jemi të edukuar me ta. Mirëpo nga edukata që duhet të kemi me Allahun dhe respekti për fenë e Tij, ne i sqarojmë gabimet e tyre për njerëzit, që ata të mos i marrin si fe këto gabime.”
Burimi: [Shkëputur nga kaseta: TakuaAllahi ue Athaaruha et-Tajjibeh]
05 - Nëse shejkhu yt gabon, mos u bëj fanatik pas tij.
Autor: Shejkh Rabij ibën Hadi el-Medkhalij
Burimi: Shpjegim i kapitullit të Imanit në Sahihun e Bukhariut, kaseta 3, min. 07:06
I këshilloj të rinjtë që të kenë vëllazëri në mes tyre. Të mos bëjnë dallim në mes Sauditit, Jemenasit, Pakistanezit, Sindit, Amerikanit, të gjithë janë vëllezër për hir të Allahut. Të gjithë ata i lidh lidhja e Islamit dhe lidhja e këtij menhexhi. I këshilloj ata që merren me edukim dhe mësim: t’i edukojnë nxënësit e tyre në këtë menhexh, të kenë dashuri për çdo selefij në Lindje dhe Perëndim. Të mos ketë fanatizëm për shejkhun e tij, kurrësesi! Nuk lejohet fanatizmi ndaj një grupi apo personaliteti përveç personalitetit të Muhamedit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe as ndaj një grupi përveç shokëve të Muhamedit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.
I Dërguari kishte fanatizëm për personalitetin e tij sepse haku ishte me të nga do që të ishte. Kihet fanatizëm për Sahabët sepse ata kapeshin pas hakut ngado që ishte haku. Kurse të tjerët, siç janë Tabi’inët e deri në kohën tonë, mos u bëj fanatik pas ndonjë personi as pas ndonjë grupi vetëm se për hir të hakut. Nëse shkon pas hakut, do ta gjesh atë tek Ehli Sunneti, nëse ata bashkohen dhe largohen nga epshet.
Andaj, i këshilloj të rinjtë që të kenë vëllazëri në mes veti, s’ka dallim në mes atyre që janë nga Rijadi, Medineja, Karaki, Delhi, Amerika, të jenë vëllezër për hir të Allahut – të Madhëruar e të Lartësuar.
Ata i lidh lidhja e Islamit të vërtetë dhe i këshilloj edukatorët që dalin në krye për t’i edukuar të rinjtë selefij kudo qofshin ata, t’i edukojnë të rinjtë e tyre me këtë frymë të mirë që është larg fanatizmit dhe grupimit. UAllahi (fjalë e paqartë) përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë pos Tij, në Medine nuk gjen studentë të filanit apo studentë të filanit, të gjithë janë një gjë e vetme. Në Mekke po ashtu, në Veri (të Arabisë Saudite si: Xhezani, sh.p.) po ashtu nuk e gjen këtë fanatizëm, porse kjo dukuri mbetet e pranishme në Rijad dhe ndoshta gjendet edhe në vendet tjera.
Kjo dukuri duhet zhdukur. Selefijtë – qofshin dijetarë apo nxënësa dije – të gjithë janë vëllezër si një trup i vetëm, nëse një gjymtyrë sëmuret, i gjithë trupi i përgjigjet me pagjumësi dhe temperaturë. Kjo është ajo që e do Allahu për neve.
Nëse shejkhu yt gabon dhe e kritikon një shejkh tjetër, dhe haku është me këtë shejkhun tjetër, atëherë ji me këtë tjetrin dhe këshilloje shejkhun tënd. Këshilloje atë! Mos u bëj fanatik. Nuk të lejohet që të kesh fanatizëm për të. Nëse ti je fanatik pas tij, Shejkhul-Islam ibën Tejmije i përngjason këto cilësi (fanatizmin) me Tatarët. Këto janë fanatizma të xhahilijetit.
Islami dhe menhexhi selefij janë larg tij (fanatizmit) dhe ne në këtë edukojmë, dhe distancohemi tek Allahu nga edukimi i cili e kundërshton edukimin që Allahu është i Kënaqur me të për neve dhe e ka ligjësuar atë për neve. Nëse gabon Ibën Bazi, Ibën Tejmije dhe e kritikon atë ndonjë me hak, atëherë mos u zemëro. Ai e ka kritikuar me dije dhe argumente për hir të Fytyrës së Allahut – të Plotfuqishmit dhe të Lavdëruarit. Mos thuaj: “UAllahi, ky flet për Ibën Bazin dhe për Ibën Tejmijen.”
Nëse (refuzimi) është me hak, edukatë dhe respekt, sepse synimi (i refuzimit) është lidhja e njerëzve me menhexhin e Allahut dhe nuk i lidhim ata me gabimet e njerëzve kushdo qoftë ai. Edhe në qoftë se gabon një Sahabij, nuk e pranojmë gabimin e tij, nuk e pranojmë gabimin e tij. Njëri nga Sahabët gaboi në çështjen e tejemmum-it dhe mendonte se nëse njeriu është i papastër (xhunub), nuk i lejohet atij që të falet me tejemmum aspak derisa të lahet. Selefët thanë: “Jo!” Siç ishin Sahabët, Tabi’inët, e morën mendimin Ammarit dhe e lan mendimin e Umerit dhe Ibën Mes’udit. Si dhe shumë çështje të tjera si kjo (çështje ixhtihadi) që kanë ndodhur tek Sahabët, Tabi’inët dhe imamët.
Shafiu e refuzoi shejkhun e tij Malikun, megjithëkëtë askush nuk e respektonte Malikun ashtu siç e respektonte Shafiu, dhe thoshte: “Nëse përmenden dijetarët, Maliku është ylli me shkëlqim të fortë.” Megjithatë, ai e kritikonte atë. Po ashtu, edhe Lejthi e kritikonte dhe i shkruante (Malikut), kurse ai e donte dhe e lavdëronte atë – Allahu ju bekoftë.
Kështu ata shkëmbenin këshilla me njëri-tjetrin dhe për këtë nuk hidhëroheshin pasuesit, përveç se pasuesit e Malikut, të cilët kishin fanatizëm. Ata u bënë fanatikë kundër Shafiut dhe vazhduan me këtë fanatizëm të papërmbajtur deri në ditët tona, gjë që është shumë për të ardhur keq. Kur filloi kjo gjë, u përhap fryma e fanatizmit.
Darakutnij dhe të tjerët e kritikonin Bukhariun, uAllahi, askush nuk kishte fanatizëm për Bukhariun, ndërsa ai ishte Emirul-Muminin (prijësi i besimtarëve) në Hadith. Përse?! Sepse Ehlul-Hadithi ishin të pasionuar pas menhexhit të të Dërguarit dhe menhexhin e Selefu-Salih. Ebu Hatim dhe Ebu Zur’ah e kritikuan Bukhariun përafërsisht për 700 transmetues që gjenden në librin e tij “et-Tarikh”, megjithëkëtë, nuk gjen dikë që të jetë fanatik pas Ebu Hatimit dhe as pas Ebu Zur’as. E kështu me radhë.
Nëse vëllai jot të kritikon me hak, përpara kësaj këshillohet (fjalë të paqarta) nëse e pranon, mirë, e nëse nuk pranon, thuaj atij: “Më justifiko”. Dhe thuaj: “Do t’u sqaroj njerëzve se ti ke qenë gabim”. Ai sqaron me edukatë dhe respekt për vëllain e tij – Allahu ju bekoftë –, kjo s’ka gjë të keqe, kjo është luftë kundër fanatizmit injorant – Allahu ju bekoftë.
Këto forma dhe këto epshe që ekzistojnë – Allahu ju bekoftë – nuk i kemi njohur. I kemi njohur tani pas përhapjes së grupeve hizbije kurthngritëse ndaj këtij vendi, u përhap kjo frymë. Edhe tek disa selefijin e gjen këtë. Andaj, ne themi: Kjo (kritika, refuzimi) ndaj tyre është nga aspekti i vëllazërisë, nga aspekti i këshillës dhe se ata janë të rinj dhe nuk e kanë mbërritur historinë e Ehli Sunnetit dhe Xhematit as edhe në këtë kohë – Allahu ju bekoftë.
Ju e kuptuat se si Albani, Ibën Bazi dhe Ibën Uthejmini shkëmbenin dashuri dhe vëllazëri, ndihmë dhe këshillë të ndërsjellë në të njëjtën kohë. Albani e kritikoi Ibën Bazin në mënyrë shumë të hidhur rreth çështjes së vendosjes së duarve në gjoks (pas ngritjes nga rukuja) dhe e quajti bidat vendosjen e duarve në gjoks pas ngritjes nga rukuja, e quajti bidat. Ibën Bazi nuk u zemërua, ata vazhduan me ixhtihadin e tyre, por ai nuk e luftoi Albanin dhe nuk u zemërua me të, e lavdëronte atë, e nderonte, i shkruante letra, e donte, e ndihmonte, e mbronte atë. Po kështu vepronte edhe Albani, edhe Ibën Uthejmini – Allahu ju bekoftë. Ata janë shëmbëlltyra më e afërt për ne, kurse Selefët ishin akoma në gjendje më të mirë: ata kapeshin edhe pas gjërave më të vogla nga ato që i keni ndjerë në këto kohët e fundit.
Po e them këtë dhe po e përsëris: Lëreni fanatizmin e marrosur. Unë di se një person në shtetet e Gjirit – nuk dua ta përmend shtetin me emër – nëse nxënësit e tij udhëtojnë për te dijetarët e këtij vendi (Arabisë Saudite), ai zemërohet dhe thotë: “Si më braktisni mua e shkoni!? A dyshoni tek unë!? Ju jeni kështu e ashtu!”
O mendjelehtë! Një person i vetëm nga imamët e hadithit kishte njëmijë apo dymijë shujukhë (mësues). Me sa mbaj mend Ibën Hibbani kishte dymijë shujukhë që nga lindja e Azisë e deri në perëndim të saj. Kështu që, numri i shumtë i shujukhëve është shenjë se i përkushtohet vetëm Allahut dhe se kërkon hakun. Dhe shujukhët e tij (Ibën Hibbanit) asnjëri nga ata nuk largohej nga tjetri, madje e furnizonte atë (studentin) që të mbërrijë e të udhëtojë deri tek vëllai tjetër i tij. Kurse ky (personi nga njëri prej shteteve të Gjirit) thoshte: “Mos shko tek dijetarët (e tjerë në Saudi) sepse ti dyshon tek unë!”
Ky është fanatizëm i marrosur dhe injorancë (xhahilijeh) e tërbuar. Është detyrë që ky fanatizëm të luftohet vazhdimisht dhe është detyrë që të rrëzohen njerëzit e fanatizmit nëse refuzojnë t’i kthehen rrugës së qartë – Allahu ju bekoftë.
Ju porosis që të keni vëllazëri për hir të Allahut – të Madhëruar e të Lartësuar – dhe ta doni njëri-tjetrin për hir të Tij, të bashkëpunoni me njëri-tjetrin në punë të mira dhe në devotshmëri dhe t’i asgjësoni këto dukuri të fëlliqura të cilat janë futur tinëzisht tek radhët e Ehli Sunnetit dhe i kanë përçarë ata përmes tij (fanatizmit) – Allahu ju bekoftë.
Ata (Ehli Sunneti) i luftojnë këto dukuri dhe Ehli Sunneti janë në shënjestër nga çdo fraksion i devijuar dhe nga të gjitha grupet e liga në mënyrë që t’i përçajnë ata (Ehli Sunnetin). Sepse ata (grupet e devijuara) kanë parë se nuk i sqarojnë gabimet dhe nuk paralajmërojnë kundër tyre vetëm se Ehli Sunneti; i gjetën ata në një menhexh të vetëm në Lindje dhe Perëndim, andaj nxituan që t’i copëtojnë, t’i përçajnë e t’i ndajnë saqë e gjen këtë dukuri edhe te Arabët dhe të huajt për shkak të sulmeve, kurtheve, komploteve dhe grackave të armiqve të këtij menhexhi.
Andaj, hapni sytë, merrni mësim nga ajo që ndodhi, zgjohuni dhe kthehuni rrugës së drejtë. Edukoni vetet tuaja, nëse bëheni nga njerëzit e dijes, edukoni të rinjtë me këtë frymë; frymën e dashurisë, vëllazërisë ndaj Muslimanëve të mëhershëm, bashkëkohorëve dhe atyre që do vijnë më vonë.
رَبَّنَا اغْفِرْ لَنَا وَلِإِخْوَانِنَا الَّذِينَ سَبَقُونَا بِالْإِيمَانِ وَلَا تَجْعَلْ فِي قُلُوبِنَا غِلّاً لِّلَّذِينَ آمَنُوا رَبَّنَا إِنَّكَ رَؤُوفٌ رَّحِيمٌ
“Zoti ynë, na fal ne dhe vëllezërit tanë që na kanë paraprirë në iman (fe) dhe mos lë në zemrat tonë urrejtje për ata që besuan. Zoti ynë, Ti je Mëshirues i Madh.” El-Hashr, 10
Tani, selefijt e urrejnë njëri-tjetrin për shkak të veprave të kujt? Për shkak të veprave të armiqve të këtij menhexhi. Disa mendje të dobëta ndikohen nga këto kurthe dhe u nënshtrohen atyre dhe si rrjedhojë kanë pasoja nga këto kurthe, dhe kështu i sheh këto gjurmë tek ata.
Andaj, e ka për detyrë që të zgjohet ai që ka rënë në diçka si kjo - Allahu ju bekoftë – dhe të pendohet te Allahu dhe të kthehemi që të gjithë në rrugën e drejtë dhe të ecim drejt një udhe të vetme duke ngritur një menhexh të vetëm, një flamur të vetëm për hir të Fjalës së Allahut – të Madhëruar dhe të Lartësuar.
E lus Allahun që të na jap sukses neve dhe juve në atë që e do Ai dhe kënaqet.
06 - Çfarë dënimi ka ai që e di hakun, porse nuk e pranon dhe nuk punon me të?!
Autor: Shejkh Salih el-Feuzan
Burimi: http://ar.alnahj.net/audio/1600
Një njeri e di hakun, por është dhënë pas të gabuarës për shkak të ndonjë gjëje, ose për shkak të ëndjes që ka në shpirt ose për shkak të kokëfortësisë, ose mendjemadhësisë. Ky ka nevojë për këshillë dhe paralajmërim, që ta frikësosh me Allahun (duke ia përmendur Atë) – Azze ue Xhel-le - dhe ti thuash atij: Ti o filan! E din se kjo gjë për të cilës ti kapesh është gabim. Ki frikë Allahun – Azze ue Xhel-le! Pendohu tek Allahu! Mos i ndiq ëndjet e tua apo të të shtyjë arroganca që të zhytesh në më shumë mëkate, dhe kështu të këmbëngulësh në gabim, kur ti tashmë e din hakun. Ti e din që ajo për të cilën kapesh ti është gabim. Ki frikë Allahun!
Kështu ia përkujton Allahun – Azze ue Xhel-le – dhe ia përmend dënimin që ka për atë që e njeh të vërtetën dhe nuk e ndjek atë; me çfarë dënohet; çfarë e godet atë në këtë botë dhe në ahiret. Ngaqë Allahu e ka kërcënuar atë që e njeh hakun dhe nuk punon me të, e ka kërcënuar me dënimin më të rëndë. Kërcënimi më i madh me të cilin e ka kërcënuar është se Ai ia prish zemrën e tij.
I Lartësuari ka thënë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اسْتَجِيبُوا لِلَّـهِ وَلِلرَّسُولِ إِذَا دَعَاكُمْ لِمَا يُحْيِيكُمْ ۖ وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّـهَ يَحُولُ بَيْنَ الْمَرْءِ وَقَلْبِهِ
“O ju që besoni. Përgjigjuni Allahut (duke iu bindur Atij) dhe të Dërguarit kur ai ju thërret drejt asaj që do t’ju japë jetë (e që është imani dhe braktisja e kufrit) dhe ta dini se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij.” El-Enfal, 24
Ai që nuk e pranon hakun pasi që e ka mësuar atë, Allahu ndërhyn midis tij dhe zemrës së tij (njeriut), kështu e devijon zemrën e tij. Pas kësaj, ai nuk do ta pranojë më hakun.
وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّـهَ يَحُولُ بَيْنَ الْمَرْءِ وَقَلْبِهِ وَأَنَّهُ إِلَيْهِ تُحْشَرُونَ
“...dhe ta dini se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij. Dhe vërtet tek Ai ju të gjithë do të mblidheni.” El-Enfal, 24
Po ashtu, i Lartësuari ka thënë:
وَنُقَلِّبُ أَفْئِدَتَهُمْ وَأَبْصَارَهُمْ كَمَا لَمْ يُؤْمِنُوا بِهِ أَوَّلَ مَرَّةٍ وَنَذَرُهُمْ فِي طُغْيَانِهِمْ يَعْمَهُونَ
“Ne do t’i rrotullojmë zemrat e tyre si dhe shikimet e tyre (nga besimi në Allahun), ashtu siç nuk besuan herën e parë (kur i dëgjuan ajetet e Kuranit dhe argumentet e tij) dhe Ne do t’i lëmë ata të enden verbërisht në humbejn e tyre.” El-En’am, 110
Kur atyre ju bëhet e qartë e vërteta dhe e mësojnë atë, nuk punojnë me të, kështu, për shkak të kësaj, Allahu i rrotulloi zemrat dhe sytë e tyre.
Po ashtu i Lartësuari ka thënë:
وَإِذْ قَالَ مُوسَىٰ لِقَوْمِهِ يَا قَوْمِ لِمَ تُؤْذُونَنِي وَقَد تَّعْلَمُونَ أَنِّي رَسُولُ اللَّـهِ إِلَيْكُمْ ۖ فَلَمَّا زَاغُوا أَزَاغَ اللَّـهُ قُلُوبَهُمْ ۚ وَاللَّـهُ لَا يَهْدِي الْقَوْمَ الْفَاسِقِينَ
“Dhe (përkujto) kur Musa i tha popullit të tij: “O populli im! Përse po më mundoni, kur ju e dini mirë se unë me të vërtetë jam i Dërguari Allahut te ju?!” Kështu që, kur ata u larguan (nga rruga e Allahut), Allahu ua devijoi zemrat e tyre (nga rruga e drejtë). Allahu nuk e udhëzon popullin e prishur (të pabindur dhe rebelë)” Es-Saff, 5
Pra, populli i Musait e mundonin atë duke e ditur fort mirë se ai është i Dërguari i Allahut. Allahu i dënoi ata me devijimin e zemrave, sepse e braktisën hakun pasi që e njohën atë.
فَلَمَّا زَاغُوا أَزَاغَ اللَّـهُ قُلُوبَهُمْ
“Kështu, kur ata u larguan (nga rruga e Allahut), Allahu ua devijoi zemrat e tyre (nga rruga e drejtë).” Es-Saff, 5
Për këtë arsye, në lutjen e besimtarëve që e ka përmendur Allahu në suren Ali-Imran:
رَبَّنَا لَا تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا
“O Zoti ynë, mos na devijo zemrat tona (nga e vërteta) pasi që na udhëzove.” Ali-Imran, 8
Njeriu ka frikë për veten e tij, nëse e merr vesh të vërtetën dhe nuk punon me të, atëherë ai ka frikë për veten e tij nga devijimi.
Kështu e këshillon dhe e përkujton personin i cili e njeh të vërtetën dhe nuk nxiton që ta pranojë atë, e përkujton me këtë këshillim të mirë.
وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ
“...dhe me këshillim (përkujtim) të mirë.” En-Nahl, 125
Ky është këshillimi i mirë.
07 - Llojet e njerëzve në lidhje me qëndrimin e tyre ndaj hakut dhe batilit (të pavërtetës)
Autor: Raid Ali Tahir
Burimi: Tahdhiru es-Selefij en-Nebil min Telbisati Ehlil-Irxhafi ue et-Takhdhil, fq. 8
(Paralajmërimi për Selefijun Fisnik nga Pështjellimet e Njerëzve të Shpifjeve dhe Tradhëtisë)
Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=138184
Njerëzit janë të llojllojshëm për sa i përket ndihmës së hakut dhe refuzimit të batilit, në varësi të synimeve, tendencave, sjelljeve dhe mentalitetit të tyre:
1. Prej tyre ka që është i ditur, i rrënjosur, muxhahid dhe trim, e flet të vërtetën duke mos patur frikë e as druajtje, nuk mashtron e as tradhton. Këta janë trashëguesit e Pejgamberëve nga njerëzit dhe janë pala e ndihmuar si dhe ndihmuesit e hakut.
2. Ka prej tyre që është i dobët në vullnet dhe dituri, apo është frikacak dhe i tmerruar, i cili nëse thirret për të bërë xhihad kundër njerëzve të pavërtetës dhe të demaskohen të devijuarit, ai arsyetohet me lloj-lloj arsyetimesh të paqena. Dhe realiteti është se ai është i dobët në ballafaqim, dhe nuk e ka mësuar veten e tij që të dalë haptazi duke e folur hakun, ngase ai ka frikë nga dëmet e njerëzve të batilit dhe ai vëzhgon vazhdimisht akuzat e akuzuesve.
3. Ka prej tyre që dihasin pas dynjasë kalimtare dhe tregtisë së shfrenuar, kështu që largohet nga këto çështje dhe nuk i ndjek refuzimet dhe nuk merr pjesë në to. Atyre nuk ju intereson diçka tjetër vetëm se dinari dhe dirhemi, ngritja e pallateve dhe zaptimi i pronave, ngritja e vetes dhe familjes së tij në këtë dynja.
4. Prej tyre ka që ia kthejnë shpinën këtij xhihadi - ndëra ata kanë mundësi ta bëjnë këtë dhe njerëzit kanë nevojë për të - me pretendimin se është i zënë me punë të tjera, me dijet sheriatike, mësimdhënie, d’auet, ligjërata dhe kurse, apo me adhurime, aktivitete dhe punë.
Këta tre llojet (e para të njerëzve) janë prej tradhtarëve:
1. Prej tyre ka që lemerisen nga batili dhe pamja e tij e jashtme dhe shtimi i tij. Dhe për shkak të fuqisë së kundërshtarëve dhe ndikimit të tyre, ai i lavdëron ata para njerëzve të hakut dhe i paraqet njerëzit e hakut si të dobët, të poshtëruar, të mposhtur, që nuk kanë fuqi për t’u përballur me batilin dhe njerëzit e saj. Kështu që, (ai thotë se) është e nevojshme t’u bëjmë lajka atyre dhe të heshtim për ta dhe të kënaqemi me gjendjen aktuale. Mu këta janë të lëkundurit.
2. Prej tyre ka që përpiqen t’i mbyllin gojët e njerëzve të hakut dhe muxhahid dhe t’ua thyejnë lapsat e tyre dhe t’i shuajnë zërat e tyre. Mu këta janë tradhtarët.
3. Prej tyre ka që flasin për çështjet e dijes duke mos patur baza të sakta dhe përpikëri në Menhexh dhe nuk bëjnë dallim në mes asaj që është e ligjësuar (meshru’) dhe e ndaluar (memnu’) dhe nuk bën dallim në mes parimeve të pabaza (batile) dhe bazave të Selefizmit. Mu këta janë pështjelluesit dhe rrëmujaxhinjtë.
4. Prej tyre ka që u shfaqen Selefijve me atë që nuk e kanë përbrenda dhe flasin për gjëra që nuk kanë dije, dhe kanë dy fytyra dhe dy gjuhë, nëse takohen me njerëzit e hakut, thonë: “Ne jemi me juve,” e nëse vetmohem me njerëzit e së kotës, thonë: “Ne jemi me ju, por jemi tallur me ta.” Këta janë munafikët. Ai që merr rrugën e tyre, ai është nga lajkatarët si dhe nga ata që bëjnë lojëra dhe që është i lëkundur.
5. Prej tyre ka që ndikohen prej fjalëve të tyre dhe e dëgjon çdo gënjeshtar dhe tradhtar. Kështu që, gjendja e tij nuk përmirësohet dhe ai është i lëkundur në qëndrime. Këta janë ata që dëgjojnë shumë (çdo njeri që ju flet, sh.p).
6. Prej tyre ka që flasin me të kotën (batil), e ato janë parime, baza dhe metodologji dhe ai u shpall luftë pasuesve të hakut dhe D’auetit të tyre. Ai e ka shitur Fenë e tij për shkak të lekëve të hizbijve dhe lakmisë për dynja dhe për synime personale dhe përfituese. Andaj, ai shoqërohet me të devijuarit dhe ulet me ta si dhe i mbron ata dhe polemizon për ta duke i arsyetuar dhe duke iu dalë në ndihmë atyre. Këta janë armiqtë e Sunnetit, kundërshtues të qartë.
Këta janë llojet e njerëzve gjatë sprovave dhe këta janë qëndrimet e tyre ndaj konflikteve që po ndodhin në mes hakut dhe batilit. Le të shikojë çdonjëri prej nesh se tek cili lloj bën pjesë?! Atë që do Allahu e udhëzon në Rrugën e Drejtë.
Përktheu: Muhamed Kallashi
Përktheu: Jeton Shasivari
Përktheu: Alban Malaj