Cilësitë e gruas së mirë
Cilësitë e gruas së mirë
01. Cilësitë e gruas së mirë
(Parathënie)
Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abad (Allahu e ruajttë!)
Burimi: Sifetuz-Zeuxhetus-Salihah, fq. 5-9
Të gjitha lavdërimet janë për Allahun. Ne e lavdërojmë Atë, ndihmë dhe falje kërkojmë prej Tij dhe pendohemi tek Ai. Ne kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga e keqja e shpirtrave tanë dhe nga veprat e këqija! Atë që e udhëzon Allahu, askush nuk mund ta lajthitë dhe atë që e lajthitë Allahu, askush nuk mund ta udhëzojë. Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër që meriton adhurimin përveç Allahut të Vërtetë dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij.
Qëllimi i këtij punimi me këtë titull: “Cilësitë e gruas së drejtë”, nuk i dedikohet vetëm femrës së re, e cila është para martesës dhe dëshiron ta dijë se cilat cilësi duhet t’i ketë gruaja, në mënyrë që të përgatitet për t’i përmbushur dhe plotësojë ato.
Po ashtu, nuk i dedikohet vetëm gruas së martuar, e cila dëshiron t’i posedojë këto cilësi, apo me qëllim që t’i ruajë dhe t’i realizojë në jetën e saj.
Gjithashtu, nuk i dedikohet vetëm gruas, e cila ka mangësi të shumta, në mënyrë që ajo të jetë në gjendje t’i trajtojë të metat e saj, duke e korrigjuar veten dhe martesën e saj.
Por, në fakt, ky është një përkujtim më gjithëpërfshirës se kaq. Është një këshillë për babanë, i cili dëshiron që bijat e tij dhe gratë, mbi të cilat ai ka autoritet, të kenë jetë të lumtur dhe të ndershme, duke jetuar një jetë bashkëshortore ashtu siç ka porositur Allahu dhe i Dërguari i Tij salallahu alejhi ue selem. Përmes këtij shkrimi, shpresojmë t’ua kujtojmë atyre rregullat e sheriatit dhe cilësitë, që femra myslimane duhet t’i posedojë dhe jetësojë.
Gjithashtu, është përkujtim edhe për nënën e cila është përgjegjëse, edukatore dhe udhëzuese e fëmijëve të saj, ngase shumica e vajzave rriten dhe edukohen nga edukata që kanë marrë nga nënat e tyre.
Është përkujtim edhe për thirrësit në fe, në mënyrë që t’i kushtojnë rëndësi kësaj çështjeje, të kujdesen për këtë dhe të luftojnë për t’i përhapur këto cilësi fisnike, edukatë e lavdërueshme dhe veçori të bekuara, në mënyrë që këto që i përmendëm, të jenë përgjithmonë veçori shoqëruese të vajzave dhe grave, ashtu si në shtëpitë islame po ashtu dhe në shoqërinë e cila posedon iman/besim.
Kjo që thamë, ka rol më të rëndësishëm atëherë kur me të madhe shohim se si sulmohet femra myslimane, pa shembull paraprak përgjatë historisë. Dhe e gjithë kjo po bëhet përmes revistave të ndryshme, programeve televizive të ndryshëm e me metoda të tjera nga më të ndryshmet, me të vetmin qëllim: humbjen e dëlirësisë, bujarisë, pozitës së saj që islami ia jep, edukatës, moralit dhe që të gjitha mësimeve të tjera të mira, të fituara nga islami i pastër.
Në kohët e hershme, ishte shumë e vështirë që femra të bjerë në kontakt me propagandën shkatërruese, epshet djallëzore dhe ideologjitë e fëlliqura, përveç nëse ajo ka pasur shoqe të këqija, e të ngjashme. Kurse, në ditët e sotme, femra e ka shumë të lehtë t’i afrohet gjërave të ulëta, poshtërsive e degjenerimit nga tërë anët e botës, edhe pse ajo qëndron në shtëpinë e saj. Për të tilla gjëra, madje ajo nuk ka nevojë të dalë jashtë shtëpisë, mjafton të ulet para televizorit në dhomën e saj, ta përdorë internetin apo të blejë revista amorale, përmes të cilave ajo e ushqen trurin, zemrën dhe të menduarit me të gjitha gjërat negative e shkatërruese.
Femra myslimane ka nevojë që të jetë e mirë, e moralshme dhe e bindur ndaj Allahut Subhanehu ue Te’ala. Ajo duhet t’i mbyllë të gjitha rrugët, shtigjet dhe daljet drejt së keqes dhe shkatërrimit.
Femra është një përgjegjësi shumë shumë e madhe e mashkullit. Prandaj, kini kujdes të shtuar ndaj tyre, sepse çështja është shumë e rëndësishme dhe ka nevojë t’i kushtohet tepër vëmendje. Nën hijen e kësaj gjendjeje dhe mungesës së paralajmërimeve dhe paralajmëruesve, po thuajse kanë humbur cilësitë e imanit dhe cilësitë e mira që duhet t’i posedojë femra myslimane. Ndërsa, shumë prej tyre janë bërë të brishta dhe të dobëta. Në mesin e tyre gjen lloje të ndryshme të mangësive dhe rrugë të ndryshme të gabimeve e lëshimeve.
Pra, kjo broshurë, përbën- siç thamë- disa mësime rreth cilësive të gruas së drejtë. E lus Allahun, Zotin e Arshit Madhështor, që kjo broshurë të jetë çelës i së mirës dhe pengesë e së keqes! Ta bëjë atë udhëzim të zemrave, përmirësim të shpirtit dhe lidhje me Zotin e botëve, në mënyrë që ta arrijmë kënaqësinë dhe dashurinë e Zotit Subhanehu ue Te’ala dhe të largohemi nga ajo që e hidhëron atë!
02. Parime të dobishme në lidhje me gruan e mirë
Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abad (Allahu e ruajttë!)
Burimi: Sifetuz-Zeuxhetus-Salihah, fq. 9-12
Kur flasim për cilësitë e gruas së mirë dhe drejtësinë, nuk duhet ta injorojmë një parim madhështor, e që në fakt është një parim themelor për arritjen e drejtësisë, i cili është: drejtësia nuk mund të arrihet pa dy faktorë:
- Faktori i parë: suksesi nga Allahu Xhela ue ‘Ala, udhëzimi, ndihma, lehtësimi dhe mundësia.
Allahu është Ai që udhëzon, është vetëm Ai që jep sukses.Çdo gjë që është në dorën e Tij Xhela ue ‘Ala.
Allahu Te’ala ka thënë:
مَن يَهْدِ اللَّهُ فَهُوَ الْمُهْتَدِي وَمَن يُضْلِلْ فَلَن تَجِدَ لَهُ وَلِيًّا مُّرْشِدًا
“Atë, që Allahu e udhëzon në rrugë të drejtë, pikërisht ai është i udhëzuari. Ndërsa atë, që Ai e lë në humbje, ti, me siguri, nuk do të mund t’i gjesh mbrojtës që ta udhëzojë.” 18:17
Dhe thotë Allahu:
وَاللّهُ يَدْعُو إِلَى دَارِ السَّلاَمِ وَيَهْدِي مَن يَشَاء إِلَى صِرَاطٍ مُّسْتَقِيمٍ
“Allahu i thërret njerëzit për në Shtëpinë e shpëtimit (Xhenet) dhe udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.” 10:25
Udhëzimi, drejtësia dhe suksesi, qëndron pra në dorën e Tij. Atë që Ai dëshiron, ajo bëhet. Atë që Ai nuk dëshiron, ajo nuk ka për të ndodhur kurrë.
- Faktori i dytë: njeriu vetë të përpiqet ta arrijë drejtësinë dhe t’i marrë shkaqet që shpien në të.
Profeti salallahu alejhi ue selem i ka kombinuar këta dy faktorë, kur ai salallahu alejhi ue selem ka thënë në hadithin autentik:
احرص على ما ينفعك و استعن بالله
“Bëhu i zellshëm pas asaj që të sjell dobi, pastaj mbështetu në Allahun.” Muslim (2664)
- Kuptimi i “Bëhu i zellshëm pas asaj që të sjell dobi…” dmth të marrësh rrugët e shëndosha, të cilat të sjellin dobi dhe po ashtu mjetet për të arritur drejtësinë dhe përmes tyre arrihet udhëzimi.
- Kuptimi “…pastaj mbështetu në Allahun”, pra, t’i mbështetesh vetëm Allahut, të kërkosh ndihmën e Tij dhe të shpresosh se Ai Subhanehu ue Te’ala do të të japë sukses, mbarësi dhe stabilitet dhe se Ai do të të ndihmojë që ta arrish drejtësinë dhe veprimin e duhur.
Ky është një parim madhështor që përfshin të gjitha mirësitë.
Ekziston një tjetër parim që duhet t’i kushtohet vëmendje, i cili është themeli i drejtësisë, dija për të dhe rruga që të shpie drejt saj, e ai është Libri i Allahut dhe Sunneti i Profetit të Tij salallahu alejhi ue selem.
Prandaj, është e detyrueshme për çdo thirrës që përkujton e thërret në drejtësi dhe korrigjon, që këto t’i bazojë në Librin e Allahut Azze ue Xhel dhe në Sunnetin e të Dërguarit të Tij fisnik salallahua lejhi ue selem.
Allahu Te’ala në lidhje me Kuranin, thotë:
إِنَّ هَذَا الْقُرْآنَ يِهْدِي لِلَّتِي هِيَ أَقْوَمُ
“Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira …” 17:9
Profeti salallahu alejhi ue selem në lidhje me Sunnetin dhe udhëzimin e tij, ka thënë:
تركت فيكم شيئين لن تضلوا بعدهما : كتاب الله و سنتي
“Jua kam lënë dy gjëra, pas të cilave nuk do të devijoni kurrë: Librin e Allahut dhe Sunnetin tim.” el-Hakim (1/172).
Autentik sipas Imam Albanit në ”Sahihul-Xhami’” (2937).
Ekziston një parim i tretë, mbi të cilin ndërtohen të gjitha adhurimet, mbi të cilin ngrihen të gjitha virtytet dhe përsosjet morale, e që është realizimi i frikës/devotshmërisë ndaj Allahut.
Frika ndaj Allahut është themeli i virtyteve pozitive, themeli i mirësisë dhe lumturisë në të dy jetët.
Gruaja myslimane duhet të kuptojë se, ajo gjatë gjithë jetës është në adhurim ndaj Allahut dhe përmes plotësimit të këtyre gjërave, ajo fiton kënaqësinë e Tij e shpërblim.
Nga ana tjetër, e humb atë në varësi se sa ajo ka mangësi në këto cilësi.
Kjo do të ceket edhe më tej, kur të flasim për këtë çështje, inshaallah.
03. Raporti i gruas së mirë me Allahun
Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abad (Allahu e ruajttë!)
Burimi: Sifetuz-Zeuxhetis-Salihah, fq. 12-19
Unë do të filloj me atë që është thënë në lidhje me cilësitë e gruas së drejtë në suren en-Nisa:
فَالصَّالِحَاتُ قَانِتَاتٌ حَافِظَاتٌ لِّلْغَيْبِ بِمَا حَفِظَ اللّهُ
“Gra të mira janë ato të dëgjueshmet, që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu.” 4:34
Në këtë pjesë të ajetit, Allahu jep një përshkrim të plotë të të gjitha tipareve të shkëlqyeshme dhe fisnike që gruaja e drejtë duhet t’i ketë.
Ky tekst fisnik dhe i bekuar, na tregon se gruaja e drejtë zotëron dy karakteristika:
- Cilësia e parë: raporti i saj me Zotin,
- Cilësia e dytë: raporti i saj me bashkëshortin e saj.
Raporti i saj me Zotin shprehet qartazi në Fjalën e Allahut Subhaneh “…të dëgjueshmet…”.
Kjo do të thotë që ajo në vazhdimësi duhet t’i bindet Allahut, të kujdeset për adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut, t’i kushtojë vëmendje obligimeve të Islamit dhe të mos i lejë pas dore ato në asnjë çast.
Të gjitha këto hyjnë tek Fjalët e Allahut Subhaneh: “…të dëgjueshmet…”.
Pjesa e dytë e fjalëve të Tij Subhanehu ue Te’ala “…që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu”, kjo do të thotë që ajo kujdeset për të drejtat e bashkëshortit të saj në fshehtësi dhe haptazi, ajo kujdeset për pasurinë e tij, në dhomën e gjumit, të drejtat e tij dhe detyrimet ndaj tij.
Pra: “…që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu.”
Pastaj, me suksesin e Allahut Subhanehu ue Te’ala ajo mund ta përmbush këtë cilësi. Ai është i Cili ia lehtëson këtë gjë.
Prandaj, Allahu tha: “…që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu.” - d.m.th. se ajo nuk ka arritur ta bëjë atë për shkak se vetvetiu është e zonja, mendjemprehtë dhe e zgjuar, por sepse Allahu është Ai i Cili lejon që ajo ta bëjë këtë dhe Ai ia lehtëson.
Kjo na kujton atë që kam përmendur më herët, domethënë se mirësia dhe drejtësia është për shkak të suksesit të Allahut, lehtësimit dhe ndihmës.
Në fjalët e Allahut Subhanehu ue Te’ala: “…të dëgjueshmet…”, ndër të tjerash ka për qëllim edhe gruan që kujdeset ndaj obligimeve islame.
Ka disa hadithe nga Profeti salallahu alejhi ue selem që janë transmetuar lidhur me këtë temë.
Ndër të tjera, Ibn Hibbani në Sahihun e tij, e transmeton hadithin që përcillet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu, se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë:
إذا صلت المرأة خمسها وصامت شهرها وحصنت فرجها وأطاعت بعلها دخلت من أي أبواب الجنة شاءت
“Nëse një grua fal pesë namazet farze, agjëron muajin e Ramazanit, e ruan nderin dhe i bindet burrit të saj, do të futet në Xhenet nga cila portë që ajo dëshiron.”
Transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij nga Abdurr-Rrahman bin ‘Auf radijallahu anhu, se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë:
إذا صلت المرأة خمسها وصامت شهرها وحفظت فرجها وأطاعت زوجها قيل لها ادخلي الجنة من أي أبواب الجنة شئت
“Nëse një grua fal pesë namazet farze, agjëron muajin e Ramazanit, e ruan nderin dhe i bindet burrit të saj, i thuhet asaj: “Futu në Xhenet nga cila portë që dëshiron!”
E përgëzojmë gruan myslimane për këtë premtim të çmuar dhe këtë virtyt gjithëpërfshirës dhe mirësinë që Allahu Subhanehu ue Te’ala ia ka premtuar asaj.
Bëhet fjalë për katër vepra që ajo mund t’i numërojë në gishtat e njërës dorë. Nëse ajo përmbush katër vepra, i thuhet asaj në Ditën e Gjykimit: “Futu në Xhenet nga cila portë që dëshiron!”
A nuk duhet që gruaja, e cila ia dëshiron vetes të mirën, t’i kushtojë vëmendje dhe të kujdeset për këto cilësi e tipare, të kujdeset për këto veprime?
Ajo duhet të kujdeset për namazin e saj, agjërim, dëlirësinë dhe të drejtat e burrit, për të fituar këtë premtim të bekuar dhe këtë virtyt gjithëpërfshirës dhe mirësinë, në mënyrë që t’i thuhet asaj në Ditën e Gjykimit: “Futu në Xhenet nga cila portë që dëshiron!”
Baza e drejtësisë tek gruaja është në mirësinë e saj tek Zoti, kur ajo i bindet Atij, i afrohet Atij dhe kujdeset në adhurimin ndaj Tij.
Kjo drejtësi dhe ndershmëri është fshehtësia pas triumfit të saj, lumturisë dhe suksesit në jetën e saj, duke përfshirë martesën, fëmijët dhe pasardhësit e devotshëm, të bekuar, të rehatshëm e të shëndetshëm.
Prandaj, është e rëndësishme për atë që ia dëshiron vetes të mirën dhe kujdestarët të cilët ia duan vajzave të tyre të mirën, që t’i edukojnë ato në atë që është e mirë, e drejtë, e ndershme, në adhurim të duhur, në kryerje të obligimeve islame dhe në veçanti faljen e pesë namazeve dhe agjërimin e Ramazanit, duke u larguar nga çdo gjë që ndikon në dëlirësin dhe nderin e saj.
Kjo është ajo që shpjegohet në pjesën e hadithit: “…e ruan nderin …”
Dëlirësia e ruajtur kërkohet edhe nga vetë ajo dhe nga kujdestari i saj, i cili duhet t’i mbyllë të gjitha dyert që e shkatërrojnë atë, që atë e shpien drejt së keqes dhe shkaktojnë mëkate.
Kjo është një gjë shumë madhështore, që kushdo që ia dëshiron të mirën vetes së tij, duhet të sigurohet që të rritet me të.
Ajo duhet të sigurohet që gjithmonë të jetë e bindur, ta adhurojë Allahun dhe t’i afrohet Allahut Subhanehu ue Te’ala me fjalë të mira dhe të drejta dhe me veprat që e kënaqin Atë.
Nëse Allahu ia jep asaj një burrë të aftë dhe të mirë, ajo duhet t’i frikësohet Allahut lidhur me të drejtat e burrit të saj që nga fillimi i martesës.
Kjo gjë na bën që t’ua kujtojmë një gjë, në të cilën po gabojnë shumë njerëz, edhe atë me të madhe.
- E ky gabim është: “Të shpenzuarit e tepërt dhe dhënia pas gjërave të liga natën e martesës.”
Kjo gjë ka pasoja shumë të mëdha dhe sjell dëme të pamohueshme. Shumë prej femrave, përqendrohen si femrat e tjera kanë vepruar kur janë martuar, duke thënë filan femra kur është martuar ka vepruar kështu, në dasmën e asaj kanë bërë këtë gjë.
Pra, në këtë formë shkon çështja deri tek shpenzimet e tepërta e të panevojshme. Kjo gjë bën që shpenzimet të jenë të mëdha, pasuria të nëpërkëmbet dhe të harxhohet pa të drejtë.
E jo rrallë raste ka që ndodhin edhe mëkate e ndalesa. Kështu qysh në fillim të martesës, shkohet tek jo bekimi, jo begatia dhe mirësia e paktë në martesë.
Në të kundërtën e kësaj, nëse femra e cila martohet dhe familja e saj qëndron larg këtyre gjërave, duke u larguar nga teprimi në shpenzime, largohen nga mëkatet dhe gjynahet përgjatë martesës, këtu realizohet mirësia dhe vetëm këtu vjen begatia.
Është një hadith autentik në Sunenin e Ebu Davudit që transmetohet nga ‘Ukbe bin ‘Amir, se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë:
خير النكاح أيسره
“Martesa më e mirë është ajo më e thjeshta.”
Në një hadith tjetër thuhet:
أعظم النساء بركة أيسرهن مؤنة
“Gratë më të begata janë ato të cilat janë të thjeshta në furnizim (kërkojnë pak).”
Prandaj, gratë më të mira janë gratë e thjeshta.
Prandaj, femra dhe prindërit e saj duhet të sigurohen që martesa dhe dasma të lehtësohet e jo të vështirësohet, të jenë sa më modeste e jo arrogante e të larta, e këndshme dhe e qetë e jo të kota dhe ekstravagante.
E gjithë kjo ndikon në jetën e martesës në mirësi dhe në ligësi të mëtejshme.
Nëse martesa është e thjeshtë e pa teprime, ajo është e prirë për të qenë e bekuar, e begatë dhe të ketë në të mirësi.
Nëse martesa është me teprime, luks të tepruar dhe me mëkate, këto janë disa nga arsyet kryesore që të mungojë bekimi, begatia e mirësia në martesë. Allahu na ruajttë!
04. Gruaja e mirë dhe qëndrimi i saj në lidhje me shejtanin
Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abad (Allahu e ruajttë!)
Burimi: Sifetuz-Zeuxhetis-Salihah, fq. 19-23
Një tjetër cilësi që duhet ta ketë gruaja e mirë, është që ajo të largohet nga shejtani i mallkuar. Misioni i shejtanit në këtë jetë është shkatërrimi. Ai shkatërron fenë, moralin, marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, bashkëjetesën, vëllazërinë dhe gjithçka tjetër që përmban mirësi. Çdo ditë ai dërgon dërgues dhe ushtarë për të përmbushur detyrat me të cilat ai i ngarkon. Medito mbi hadithin që e transmeton Muslimi në Sahihun e tij nga Xhabir bin Abdilah radijallahu anhuma, se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë:
إن إبليس يضع عرشه على الماء ثم يبعث سراياه فأدناهم منه منزلة أعظمهم فتنة يجيء أحدهم فيقول : فعلت كذا و كذا فيقول : ما صنعت شيئا ثم يجيء أحدهم فيقول : ما تركته حتى فرقت بينه و بين امرأته فيدنيه منه و يقول : نعم أنت
“Me të vërtetë Iblisi e vendos fronin e tij mbi ujë, pastaj dërgon grupet e tij në drejtime të ndryshme. Ai që ka pozitën më të afërt tek ai, është ai që bën sprovën më të madhe. Kur njëri prej tyre vjen tek ai dhe i thotë se kam bërë këtë gjë dhe atë gjë, ai i thotë: “Ti nuk ke bërë asgjë.” Kur një tjetër vjen dhe thotë: “Unë nuk lash atë derisa e bëra që të ndahet nga gruaja e tij”, ai e merr atë pranë vetes dhe i thotë: “Sa i mirë je!” Muslim (2813).
Prandaj ai dërgon ushtarët dhe emisarët e tij për të bërë shkatërrime. Ai që bëhet më i afërti i Iblisit, është ai që shkakton probleme më të mëdha mes njerëzve.
El-A’mesh ka thënë se shejtani e përqafon dhe e afron ushtarin, i cili ndan mes gruas dhe burrit të saj.
Gruaja e drejtë duhet ta ketë parasysh dhe ta kuptojë këtë fakt. Të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe burri. Që të dy duhet ta kuptojnë se ekziston një armik i tyre i fshehur. Ai të sheh ty, por ti nuk mund ta shohësh atë. Ai ecën brenda teje sikurse gjaku në venat tuaja. Ai pështyn dhe pëshpërit, ai bën komplote dhe planifikon. Ai bën të gjitha këto, ndërsa ti nuk e sheh atë. Ai e bind zemrën tënde dhe zemrën e saj. Ai vjen me dyshime që shpien në urrejtje. Ai ka shumë mënyra me të cilat vepron.
Prandaj Sunneti ka ardhur me rregullat që e mbrojnë njeriun nga shejtani, kur njeriu hynë në shtëpinë e tij, kur bën marrëdhënie seksuale, kur ushqehet, kur zemërohet dhe në të gjitha çështjet e tjera, në të cilat njerëzit janë në nevojë për t’u mbrojtur nga shejtani, në mënyrë që ai të mos ketë hyrje dhe ndikim në familjet tuaja, në shtëpitë dhe pasardhësit e tuaj. Prandaj, çdonjëri duhet të mbrojë veten e tij me lutje të ndryshme, me lexim të Kuranit fisnik, nëpërmjet lutjeve të transmetuara në Sunnet, duke i shoqëruar këto me bindje të plotë ndaj Allahut dhe me adhurim të duhur ndaj Tij.
Prandaj, gruaja e mirë duhet të qëndrojë larg nga komplotet e shejtanit, dyshimet e tij dhe planet që ai kurdis në shpirtrat e njerëzve përmes së cilave shkatërrohen marrëdhëniet bashkëshortore dhe prishet jeta brenda familjes.
Sa familje dhe shtëpi kanë pësuar ndarje mes vete, për shkak se i janë bindur shejtanit dhe kanë pasuar dyshimet e shtyra nga ai! Nëse secili prej bashkëshortëve të kërkonte mbrojtjen e Allahut nga shejtani i mallkuar dhe t’i shmangej komploteve dhe pëshpëritjeve të tij, nuk do të kishin ndodhur problemet e lartpërmendura.
Sa shtëpi janë shpartalluar për shkak se i janë bindur shejtanit! Pastaj, ky shejtan shkon tek Iblisi për t’u afruar tek ai, duke iu rrëfyer se si ai i ka ndarë dy bashkëshortët.
Është një gjë e dobishme që duhet ta kesh kujdes: “Ky armik i fshehur që të sheh ty dhe që ti nuk mund ta shohësh, ka eksperiencë të madhe. Kur flitet sot rreth disa punonjësve të korporatave dhe për eksperiencën e tyre, bëhet fjalë për më së shumti pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë vite eksperiencë. Ndërsa, eksperienca e shejtanit për t’i devijuar njerëzit, për t’i tërhequr nga rruga e Allahut dhe për të përhapur armiqësi ndërmjet tyre, është mijëra vjeçare. Sa shumë njerëz kanë vdekur dhe janë varrosur pasi të kenë qenë të burgosurit e shejtanit dhe pasi të kenë rënë në shkatërrimin dhe devijimin e tij! Prandaj, familjet myslimane duhet të mbrohen dhe të qëndrojnë larg nga shejtani i mallkuar.”
05. Gruaja e mirë duhet ta lumturojë burrin e saj
Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abad (Allahu e ruajttë!)
Burimi: Sifetuz-Zeuxhetis-Salihah, fq. 23-27
Prej cilësive të gruas së mirë, është që ajo ta gëzojë/lumturojë burrin e saj kur ai e sheh atë, në pamjen (fytyrën) e saj, dukjen dhe veshjen e saj. Ajo duhet të jetë e gatshme që t’i bindet atij dhe t’i përmbush obligimet e tij pa shprehur mospëlqim dhe arrogancë. Medito mbi hadithin që transmetohet në Sunenin e Nesaiut nga Ebu Hurejra radijallahu anhu, i cili ka thënë se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem është pyetur në lidhje për gruan më të mirë, ndërsa ai u përgjigj:
التي تسره إذا نظر ، و تطيعه إذا أمر ، و لا تخالفه في نفسها و مالها بما يكره
“Ajo që e kënaq burrin e saj kur ai e sheh atë, i bindet atij kur ai e urdhëron dhe nuk bën asgjë me veten dhe pasurinë e saj nëse është kundër vullnetit të tij.”Autentik sipas Imam Albanit në “Es-Sahihah” (1838).
Aji kështu duhet të jetë në lidhje me dukjen, formën dhe pamjen e saj. Pra, gruaja duhet t’i kushtojë rëndësi të madhe pamjes dhe formës së saj kur ajo është në prani të bashkëshortit. Po ashtu, ajo duhet të kujdeset dhe t’i kushtojë rëndësi të madhe përmbushjes së urdhëresave, dëshirave dhe nevojave të tij. Kjo gjë duhet të jetë brenga dhe kujdesi i saj ditor.
Për fat të keq, shumë gra e njohin zbukurimin dhe stolisjen vetëm atëherë kur ato dalin nga shtëpia për të prezantuar në ndonjë festë apo ndejë. Por, kur burri i saj vjen në shtëpi, ajo qëndron aty me rroba të këqija dhe i vjen erë jo e mirë, flokë-prishur dhe e pakrehur. Ajo ka cilësitë që e bëjnë burrin të largohet prej saj. Pastaj, ai gjithmonë tronditet kur ajo zbukurohet çdo herë kur ajo del nga shtëpia dhe ai nuk e sheh në atë pamje as sa një e dhjeta e këtij zbukurimi. Çfarë është ajo që e bën zemrën e burrit të tërhiqet nga kjo grua? Çfarë lloji të dashurisë mund të ketë për një grua të tillë? Kjo sjellje e tillë, dëshmon për budallallëkun e gruas dhe mendjen e pazhvilluar të saj në aspektin e plotësimit të përsosmërisë së jetës së saj bashkëshortore dhe në realizimin e lumturisë dhe të nderit të saj.
Përveç kësaj, ka shumë gra që janë të pabindura dhe nuk dëgjojnë fare. Ato injorojnë bashkëshortët dhe i zemërojnë. Ka shumë ankesa rreth sjelljeve të tyre ndaj bashkëshortëve dhe ndaj tjerëve. Kjo grua bën që në atë shtëpi të mbretërojë jeta e keqe, mjerimi dhe ligësia dhe kjo gjë e gërmon varrin e saj.
Muslimi transmeton në Sahihun e tij përmes Xhabirit radijallahu anhu, se Profeti salallau alejhi ue selem ka thënë:
إذا قدم أحدكم ليلا فلا يأتين أهله طروقا
“Nëse ndonjëri prej jush arrin natën në shtëpi, le të mos hyjë tek familja e tij befasishëm.”
Pra, ai nuk duhet ta befasojë gruan gjatë natës. Pse jo? Sepse Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë:
حتى تستحد المغيبة و تمتشط الشعرة
“Në mënyrë që t’i heq qimet (në vendet e turpshme) dhe të ketë mundësi t’i rregulloj flokët.”
Këtu kemi një kërkesë fisnik për gruan, pra ajo duhet ta mirëpresë burrin e saj me pastërti të plotë, pamje të bukur dhe me një pritje të mirë. Kjo vlen veçanërisht në qoftë se bashkëshorti ka munguar ose ka qenë në udhëtim. Pra, kërkohet që gruaja të përgatitet dhe të bëhet gati, e kjo përfshin edhe rregullimin dhe pamjen e shtëpisë. Nëna e besimtarëve Aishja radijallahu anha ka transmetuar:
قدم رسول الله من سفر و قد سترت بقرام لي عبى سهوة لي فيها تماثيل ؛ فلما رآه رسول الله هتكه ة قال : أشد الناس عذابا يوم القيامة الذين يضاهون بخلق الله. قالت : فجعلناه وسادة أو وسادتين
“I dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem kishte ardhur në shtëpi nga një udhëtim. Nga harresa kisha vënë një perde me imazh. Kur i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem e pa atë, ai e shqeu atë dhe tha: “Njerëzit të cilët do të dënohen më së rëndi në Ditën e Gjykimit, janë ata të cilët e sfidojnë krijimin e Allahut.” Pastaj, nga ajo bëmë një apo dy jastëk.” Buhariu(5954) dhe Muslimi (2107).
Pse ajo e vuri perden? Sepse ajo dëshiroi që ai salallahu alejhi ue selem të vijë në shtëpi dhe ta gjejë shtëpinë dhe vetë atë me pamje të bukur.
Nga ky hadith mësojmë se gruaja duhet ta rregullojë shtëpinë dhe ta zbukurojë atë, në të njëjtën mënyrë ashtu siç duhet të rregullohet sa më bukur dhe ta takojë burrin e saj në mënyrë të bukur. Sunneti i Profetit salallahu alejhi ue selem, të gjitha këto cilësi ia ka mësuar femrës dhe gruas, e cila do të jetë e mirë.
Prej tyre është edhe ajo që transmeton Taberani në “El-Mu’xhemul-Eusat” nga Enes bin Maliku radijallahu anhu, i cili thotë se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:
ألا أخبركم بنسائكم في الجنة ؟
“A mos t’ju tregoj në lidhje me gratë tuaja në Xhenet?”
Kjo është gruaja që ka cilësi të lavdërueshme dhe tipare të bekuara, të cilat ia japin të drejtën për të hyrë në Xhenet. Ai vazhdoi duke thënë:
كل ودود ولود ، إذا غضبت أو أسيء إليها أو غضب زوجها ، قالت : هذه يدي في يدك لا أكتحل بغمض حتى ترضي
“Çdo grua e dashur dhe frytdhënëse, kur ajo zemërohet, kur trajtohet keq ose kur burri i saj zemërohet, thotë: “Dora ime është në dorën tënde. Unë nuk do t’i mbyllë sytë e mi, derisa ti të jesh i kënaqur.” Teberani (1743). Autentik sipas Imam Albanit në “Sahihah” (3380).
Do të thotë, ajo nuk do t’i mbyllë sytë e saj, nuk do të bie për të fjetur ose të ndjehet e lumtur, derisa ai të jetë i lumtur me të.
Për fat të keq, ka gra që flenë pa u mërzitur se burrat e tyre janë të zemëruar një natë, dy net, tre net, dhjetë net apo një muaj të tërë. Dhe bëjnë sikur kjo të mos jetë fare punë e tyre. Është sikurse ajo nuk do të dalë para Allahut Subhanehu ue Te’ala dhe të japë përgjegjësi për atë që ajo vepron.
06. Gruaja e mirë duhet të jetë e bindur, frytdhënëse, e harmonishme dhe inkurajuese
Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abad (Allahu e ruajttë!)
Burimi: Sifetuz-Zeuxhetis-Salihah, fq. 27-34
Prej cilësive të gruas së mirë, është transmetuar në Sunnenin e Bejhakiut nga Ebu Udhejneh, i cili tregon se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:
خير نسائكم الودود الولود المواتية المواسية ، إذا اتقين الله ، و شر نسائكم المتبرجات المتخيلات و هن المنافقات ، لا يدخل الجنة منهن إلا مثل الغراب الأعصم
“Gratë më të mira janë të dashura, frytdhënëse, të harmonishme dhe inkurajuese, nëse ato e kanë frikë Allahun. Gratë më të këqija janë ato që tërheqin vëmendjen dhe arrogantet, e këto janë hipokrite. Asnjëra prej tyre nuk do të hyjë në Xhenet përveç ato që janë sikurse sorrat me pika të bardhë në krah e kthetra.” [1]
Shikoni këto cilësi të gruas së mirë:“…të dashura…” - Dashuria është një cilësi fisnike dhe tipar i lavdëruar i gruas së mirë si bashkëshorte e begat. “…të dashura…” - do të thotë se ajo dashuron dhe të jep dashuri.
Më meritorët në këtë gjë janë bashkëshortët. Gruaja duhet ta bëjë burrin e saj, që ai ta dojë atë, të ngjall emocionet e tij, të krijojë simpatinë dhe tërheqjen me fjalë dhe biseda të bukura. Gjithashtu, ajo duhet ta bëjë burrin që ta dojë atë, duke u sjellë mirë me të mirë dhe duke u zbukuruar për të.
Pra, “…të dashura…” - duhet të jenë me anë të të folurit, qëndrimit, dukjes, veprave dhe moralit e karakterit që kanë.
“… frytdhënëse…” - Fjala është për atë që lind shumë fëmijë. Kjo është një cilësi e lavdërueshme tek gruaja, e tilla është nga gratë më të mira. Nëse ajo nuk mund të ketë fëmijë për shkak të ndonjë sëmundjeje, apo të ndonjë problemi tjetër, nuk do të thotë se ajo nuk është e tillë.
Allahu nuk do ta gjykojë në lidhje me këtë dhe kjo gjë nuk e dëmton aspak; si shkak i kësaj, kjo nuk do të thotë se ajo nuk është e mirë.
Mirëpo, në rast se ajo është frytdhënëse dhe parandalon shtatzëninë dhe nuk do që të ketë më shumë pasardhës, në këtë rast vije në shprehje dëmtimi i saj.
Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë:
تزوجوا الودود الولود ؛ فإني مكاثر بكم الأمم يوم القيامة
“Martohuni me gra të dashura dhe frytdhënëse. Unë do të garoj me ju ndaj popujve të tjerë në Ditën e Gjykimit.” [2]
Prandaj, gruaja duhet të luftojë t’i marrë shkaqet e duhura për të pasur fëmijë, t’i edukojë, të kujdeset dhe t’i ruajë ata ashtu siç duhet. Për këtë gjë, ajo duhet të shpresojë në shpërblimin e Allahut, ngase me veprimet e tilla ajo bën që shoqëria të ketë fëmijë të mirë, e të nesërmen do të jenë thirrës të drejtë dhe përmirësues të shoqërisë.
Kjo gjë, qysh në fillim të martesës duhet të gjejë vend tek ajo, duke thënë me vete: “Shpresoj që Allahu të më nderoj duke më dhënë fëmijë, të cilët në të ardhmen do të jenë imamë udhëzues, dijetarë të myslimanëve ose thirrës në të mirë!” Për këtë qëllim, asaj i shkruhet shpërblim i madh, duke mos lënë anash edhe shumëfishimin e shpërblimit kur ajo përkujdeset dhe i ruan ata ashtu siç duhet.
“…harmonishme…” - kjo do të thotë se ajo nuk duhet të jetë e vrazhdë dhe e ashpër, duhet të dëgjojë e të bindet, nuk duhet të jetë arrogante dhe kryelartë ndaj burrit, nuk duhet ta nënçmojë atë e as nuk duhet të jetë e pabindur dhe sfiduese.
“… inkurajuese …” - kjo do të thotë se ajo e ngushëllon burrin e saj dhe i del në krah atij, e ndihmon në mirësi, në bindje ndaj Allahut dhe në çdo gjë që sjell lumturinë dhe suksesin ndërmjet tyre.
“… nëse ato e kanë frikë Allahun” - kjo do të thotë se këto cilësi janë të dobishme vetëm kur gruaja ka frikë Allahun Xhele ue ‘Ala. Nëse është e dashur, frytdhënëse, e harmonishme dhe inkurajuese për shkak të qëllimeve të kësaj bote dhe jo nga frika ndaj Allahut, ajo nuk përfiton nga këto cilësi. Këto cilësi sjellin dobi vetëm nëse i bën këto që ta arrijë kënaqësinë e Allahut Xhele ue ‘Ala dhe ta jetësojë frikë ndaj Tij.
“Gratë më të këqija janë ato që tërheqin vëmendjen…” - do të thotë se tërheq vëmendjen me zbukurimin e saj dhe del nga shtëpia e stolisur, e rregulluar, duke i shfaqur bukuritë e saj, e parfumuar dhe zbukuruar. Në këtë mënyrë, shejtani mund t’i shkojë pas dhe përmes saj ta shkatërrojë shoqërinë. Gruaja e cila tërheq vëmendjen, e cila del jashtë shtëpisë, në këtë mënyrë, vërtetë ajo është nga ushtaret e Iblisit dhe është ndihmësja e tij në shkatërrim e motivi i tij (shejtanit), që përmes saj të përhap sprova dhe veprime amorale në mesin e besimtarëve.
“…arrogante …” - do të thotë mendjemadhe, ngase arroganca është prej mendjemadhësisë. Ekziston një lidhje mes tërheqjes së vëmendjes dhe arrogancës, sepse gruaja e cila del nga shtëpia dhe ecën rrugëve e dyqaneve në një formë që ua tërheq njerëzve vëmendjen me zbukurimin e saj, parfumin dhe rregullimin, nuk mund të jetë njëkohësisht modeste dhe e përulur para Allahut Te’la. Përkundrazi, ajo në atë rast është kryelartë, famëdashëse dhe mendjemadhe, e dashuruar në veten e saj, dukjen dhe pamjen e saj. Pra, ekziston një lidhje mes tërheqjes së vëmendjes së të tjerëve dhe arrogancës, në të njëjtën mënyrë siç ekziston një lidhje midis të qenët e turpshme dhe modeste.
Gruaja modeste është përplot me turp. Pra, zemra e saj gjithnjë ndjen turpin. Gruaja e cila tërheq vëmendjen, ajo veçse ka larguar petkun e turpit dhe në vend të saj ka veshur atë të mendjemadhësisë, vetëdashurisë, së kotës dhe arrogancës. Kjo e dëmton atë, martesën dhe tërë jetën e saj. Prandaj, është e përshkruar si gruaja më e keqe. Profeti salallahu alejhi ue selem tha:
“…Gratë më të këqija janë ato që tërheqin vëmendjen dhe arrogantet, e ato janë hipokrite. Asnjëra prej tyre nuk do të hyjë në Xhenet përveç ato që janë sikurse sorrat me pika të bardhë në krah e kthetra.”
Kur sheh një sorrë me pika të bardha në krahë dhe në kthetra në mesin e sorrave të zeza? Është jashtëzakonisht e rrallë ta gjesh një sorrë të tillë. Zakonisht sheh vetëm sorra të zeza. Fjalët e profetit salallahu alejhi ue selem: “…Asnjëra prej tyre nuk do të hyjë në Xhenet përveç ato që janë sikurse sorrat me pika të bardhë në krah e kthetra” do të thotë se vetëm disa nga këto gra do të hyjnë në Xhenet, sepse ky lloj sorrëze është jashtëzakonisht i rrallë.
Ky hadith është i ngjashëm me fjalët e Profetit salallahu alejhi ue selem:
يا معشر النساء ! تصدقن و أكثرن الاستغفار ، فإني رأيتكن أكثر أهل النار
“O ju gra! Jepni sadaka dhe kërkoni falje shumë, ngase me të vërtetë kam parë se ju përbëni shumicën e banorëve të Zjarrit.” [3]
Përse ai pa se shumica e banorëve të Xhehenemit ishin gra? Kur sheh në Sunnet në lidhje me cilësitë me të cilat janë përshkruar banorët e Xhehenemit, vëreni se shumë gra i injorojnë dhe nuk ia vënë mendjen atyre cilësive. Është sikur ajo nuk e kujton se një ditë do të dalë para Allahut dhe do të japë llogari për veprimet e saj. Ajo mund ta dijë çështjen në fjalë dhe rrezikun që përmban, por asaj i intereson vetëm epshi dhe dëshira e saj.
Ka shumë hadithe nga Profeti salallahu alejhi ue selem që flasin për cilësitë e këqija që mund t’i ketë gruaja. Ibën Umeri radijallahu anhu ka thënë:
لعن النبي صلى الله عليه و سلم الواصلة و المستوصلة ، و الواشمة و المستوشمة
“Profeti salallahu alejhi ue selem e mallkoi gruan që ia zgjat flokët grave tjera dhe gruan që kërkon t’i zgjaten flokët, gruan që bën tatuazh dhe gruan që kërkon t’i bëhet tatuazh.” [4]
Ibn Abbasi radijallahu anhu ka thënë:
لعن رسول الله صلى الله عليه و سلم المتشبهين من الرجال بالنساء ، والمتشبهات من النساء بالرجال
“I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem i ka mallkuar burrat të cilët u ngjasojnë grave dhe gratë që iu ngjasojnë burrave.” [5]
Dhe:
لعن النبي صلى الله عليه و سلم المترجلات من النساء
“Profeti salallahu alejhi ue selem i ka mallkuar gratë mashkullore.” [6]
Këto janë vetëm disa prej haditheve që mallkojnë gratë për shkak të cilësive të veçanta, megjithatë ju shihni se sa shumë gra i kanë dëgjuar këto hadithe, të cilët mallkojnë dhe përmendin përjashtimin nga mëshira e Allahu për ato që i posedojnë këto cilësi dhe nuk brengosen fare. Nuk brengosen se një Ditë do të qëndrojnë përpara Allahut Subhanehu ue Te’la dhe nuk do të pyeten për veprimet e tyre. Ato veprojnë, sikurse nuk do të vijë një ditë kur atë do të shtrihen në varr e t’u hedhet dheu mbi trup dhe se nuk do të përjetojnë trishtime në të. Ajo i injoron të gjitha këto. Kjo nuk është asgjë për të cilën ajo mendon. Ajo kujdeset vetëm se si të stoliset dhe të zbukurojë veten e saj, edhe në qoftë se ajo është e pabindur ndaj Allahut, nuk e përfill urdhrin e Tij dhe ekspozon veten për hidhërimin dhe zemërimin e Tij.
Siç dhe e theksua, ka cilësi të këqija që Sunneti ia ka shpjeguar grave, në mënyrë që gruaja e mirë të ruhet. I vetmi qëllim që gruaja të ketë dije mbi këto cilësi, është shmangia ndaj tyre. Një nga poetët thonë:
“Kam mësuar të keqën në mënyrë që t’i shmangem asaj e jo për ta vepruar atë.
Dhe ai që nuk e bën dallimin në mes së mirës dhe të keqes, do të bie në të.”
_____________________________________________________________________
[1] - 7/82. Autentik sipas Imam Albanit në “es-Sahihah” (3380).
[2] - Ahmedi (12613) nga Enesi radijallahu anhu. Autentik sipas Imam Albanit në “Iruaul-Galil” (1784).
[3] - Buhariu (304) nga Ebu Said el-Hudri radijallahu anhu dhe Muslimi (79) nga Ibn Umeri radijallahu anhuma.
[4] - Buhariu (5947) dhe Muslimi (2124).
[5] - Buhariu (5885).
[6] - Buhariu (5886).
07. Gruaja e mirë duhet t’i përmbushë të drejtat e burrit
Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abad (Allahu e ruajttë!)
Burimi: Sifetuz-Zeuxhetis-Salihah, fq. 35-36
Prej cilësive të gruas së mirë është përmbushja e të drejtave të burrit. Gruaja duhet t’i japë rëndësi shërbimit ndaj atij dhe të mundohet maksimalisht në këtë.
Të shohim në atë që ka transmetuar Nesaiu në “Es-Sunnenul-Kubra” nga Husajn bin Mihsan, nga halla e tij, e cila ka treguar se ajo shkoi tek i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem për një kërkesë të saj. Kur ajo përfundoi këtë gjë, ai tha:
أذات زوج أنت؟ قالت: نعم؛ قال: فكيف أنت له؟ قالت: ما آلوه إلا ما أعجز عنه ؛ قال: انظري أين أنت منه! فإنه جنتك و نارك
“A je e martuar?” Ajo tha: “Po.” Ai pyeti: “Si sillesh me të?” Ajo u përgjigj: “Bëj gjithçka që mundem për të.” Ai tha: “Shiko se si sillesh ndaj tij, sepse në të gjendet Xheneti yt dhe Zjarri yt.” [1]
Kur gjendet Xheneti i gruas tek burri dhe kur zjarri? Këtu gruaja duhet ta kuptojë këtë fakt dhe këtë çështje madhështore: “Si sillesh me të?” Ti ke obligime dhe je robëreshë e Allahut.
Ekziston një Xhenet dhe një Xhehenem. Allahu të ka urdhëruar dhe të ka obliguar që t’i përmbushësh të drejtat e burrit tënd. Përmbushi ato.
Bëji ato në mënyrën më të mirë, në emër të bindjes ndaj Allahut Subhaneh dhe të arritjes së kënaqësisë së Tij. Përmbushe obligimin tënd dhe kërko nga Allahu atë që është për ty:
“Sepse në të gjendet Xheneti yt dhe Zjarri yt.”
___________________________________________________________________
[1] - 8913 dhe Ahmedi (19003). Autentik sipas Imam Albanit në “Es-Sahihah” (2612).
08. Gruaja e mirë nuk duhet t’i krijoj burrit të saj vështirësi në shpenzime
Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abad (Allahu e ruajttë!)
Burimi: Sifetuz-Zeuxhetis-Salihah, faqe. 36-38
Prej cilësive të gruas së mirë është që ajo të mos e ngushtoj burrin e saj, duke i kërkuar atij shpenzime të tepërta dhe shkapërderdhje të pasurisë, por ajo duhet të jetë mesatare. Thotë Allahu Subhanehu ue Te’ala:
وَالَّذِينَ إِذَا أَنفَقُوا لَمْ يُسْرِفُوا وَلَمْ يَقْتُرُوا وَكَانَ بَيْنَ ذَلِكَ قَوَامًا
“…dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes.” 25:67
Le të meditojmë në këtë kapitull atë çfarë ka transmetuar Ebu Saidi dhe Xhabiri radijallahu anhuma se Profeti salallahu alejhi ue selem njëherë ishte duke mbajtur një fjalim në hutbe, fjalim të cilin e kishte zgjatur. Në të ai kishte folur në lidhje me çështjet e dynjasë dhe ahiretit, ku ndër tjerash ai tha:
أول ما هلك بنوا إسرائيل أن امرأة الفقير كانت تكلفه من الثياب أو الصيغ – أو قال : من الصيغة- ما تكلفه امرأة الغني ، فذكر امرأة من بني إسرائل كانت قصيرة و اتخذت رجلين من خشب و خاتما له غلق و طبق و حشته مسكا ، و خرجت بين امرأتين طويلتين أو جسيمتين ، فبعثوا إنسانا يتبعهن ، فعرف الطويلتين و لم يعرف صاحبة الرجلين من خشب
“Ajo që për herë të parë i shkatërroi benu israilët ishte se, gruaja e të varfrit kërkonte nga burri i saj rroba dhe bizhuteri ashtu siç kërkonte gruaja e të pasurit. Ishte një grua nga benu israilët e shkurtër e cila përdori dy këmbë prej druri dhe kishte një unazë me kapak dhe të shtupuar të cilën e mbushte me parfum. Ajo ecte në mes të dy grave të gjata apo trupmëdha. Ata dërguan një burrë që të shkonte pas tyre. Ai i njohu dy gratë e gjata ndryshe nga gruaja me këmbë druri.” [1]
Kur Izraelitët së pari u shkatërruan kur gruaja e të varfërit filloi të kërkojë prej burrit të saj bizhuteri dhe stoli siç kërkon gruaja e të pasurit nga burri i saj. Shikoni se si gruaja e shkurtër shkapërderdhi, shpenzoi paratë pa nevojë, mashtroi dhe nuk u pajtua me atë që Allahu Subhanehu ue Te’ala kishte caktuar për të. Gratë që veshin këpuca me taka të lartë të kujtojnë këtë grua.
Komisioni i Përhershëm për Kërkime Shkencore dhe Fetva, dhanë fetvanë e cila vijon si më poshtë, tekstualisht:
“Nuk lejohet bartja e këpucave me taka. Kjo mund të jetë shkak që ajo të rrëzohet e të lëndohet, ndërsa sheriati islam urdhëron njeriun që t’i shmanget lëndimeve të mundshme. Allahu Te’ala ka thënë:
وَلاَ تُلْقُواْ بِأَيْدِيكُمْ إِلَى التَّهْلُكَةِ
“…dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim…” 2:195
وَلاَ تَقْتُلُواْ أَنفُسَكُمْ
“…dhe mos e vritni veten.” 4:29
Pos kësaj kjo bën që gjatësia e gruas dhe ana e prapme e saj të vihen në dukje më shumë se sa ato janë në realitet. Kjo në vetvete është mashtrim i qartë, duke mos anashkaluar edhe shfaqjen e zbukurimeve të cilat janë të ndaluara të shfaqen.”
___________________________________________________________________
[1] - Ibn Huzejmeh në “Kitabut-Teuhid” (487). Autentik sipas Imam Albanit në “es-Sahihah” (591).
09. Gruaja e mirë nuk duhet të jetë mosmirënjohëse ndaj burrit të saj
Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abad (Allahu e ruajttë!)
Burimi: Sifetuz-Zeuxhetis-Salihah, faqe. 38-39
Prej cilësive të gruas së mirë është që ajo nuk është mosmirënjohëse/përbuzëse ndaj dhuratave që Allahu Tabarake ue Te’ala ia ka dhënë asaj përmes burrit. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë:
لايشكر الله من لا يشكر الناس
“Nuk e ka falënderuar Allahun ai që nuk i falënderon njerëzit.” [1]
Transmeton Buhariu “El-Edebul-Mufrad” [2] nga Esma bint Jezid el-Ensarijeh e cila ka thënë: “Profeti salallahu alejhi ue selem kaloi pranë meje ndërsa unë isha me një grup grash bashkëmoshatare. Ai na dha selam dhe na tha:
إياكن و كفر المنعمين . قلت : يا رسول الله ، و ما كفر المنعمين ؟ قال : لعل إحداكن تطول أيمتها من أبويها ثم يرزقها الله زوجا و يرزقها منه ولدا فتغضب الغضبة ؛ فتكفر فتقول : ما رأيت منك خيرا قط
“Ua tërheq vërejtjen që të mos jini mosmirënjohëse ndaj atyre që dhurojnë dhurata.” Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë do të thotë mosmirënjohës ndaj atyre që dhurojnë dhurata?” Ai u përgjigj: “Ndoshta dikujt prej jush i vonohet martesa, pastaj Allahu ia dhuron një burrë me të cilin ajo ka fëmijë. E kur ajo një herë të zemërohet me të (burrin e saj) ajo bëhet mosmirënjohëse duke thënë: “Unë kurrë nuk kam parë diçka të mirë tek ti”.”
Transmeton Nesaiu në “Sunnenul-Kubra” [3] nga Abdullah bin ‘Amr radijallahu anhu i cili tha se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:
لا ينظر الله إلى امرأة لا تشكر لزوجها ، و هي لا تستغني منه
“Allahu nuk e shikon gruan që nuk e falënderon burrin e saj, ndërsa ajo nuk mund të rrijë pa të.”
__________________________________________________________________
[1] - Ahmedi (7939) dhe Ebu Davudi (4811) përmes Ebu Hurejrës radijallahu anhu. Autentik sipas Imam Albanit në “es-Sahihah” (416).
[2] - 1048 Autentik sipas Imam Albanit në “es-Sahihah” (823).
[3] - 9135 Autentik sipas Imam Albanit në “es-Sahihah” (289).
10. Gruaja e mirë duhet ta respektojë burrin e saj
Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abad (Allahu e ruajttë!)
Burimi: Sifetuz-Zeuxhetis-Salihah, fq. 39-41
Prej cilësive të gruas së mirë, është të respektuarit e bashkëshortit dhe të njohurit e pozitës dhe të drejtave që ai ka. Në lidhje me këtë pikë, ka hadithe të shumta, njërin prej të cilëve e transmeton Taberaniu në librin e tij “el-Mu’xhemul-Kebir” nga Ibn Abasi radijallahu anhu, i cili tha se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:
لا آمر أحدا أن يسجد لأحد ، و لو أمرت أحدا أن يسجد لأحد لأمرت المرأة أن يسجد لزوجها
“Unë nuk e urdhëroj askënd që t’i bëjë sexhde dikujt tjetër. Po të kisha urdhëruar dikë që t’i bëjë sexhde dikujt tjetër, do ta kisha urdhëruar gruan që t’i bëjë sexhde burrit të saj.” [1]
Teberani transmeton në “El-Mu’xhamul-Kebir” nga Zejd bin Erkam, i cili tregon se Muadhi ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Pasuesit e Librit i bëjnë sexhde ipeshkëve dhe patriarkëve të tyre, a të mos biem ty edhe ne në sexhde?” Ai u përgjigj:
لو كنت آمرا أحدا أن يسجد لأحد لأمرت المرأة أن يسجد لزوجها ، و لا يؤدّي المرأة حق زوجها حتى لو سألها نفسها على قتب لأعطينه
“Sikur të kisha urdhëruar dikë që t’i bëj sexhde dikujt tjetër, do ta kisha urdhëruar gruan që t’i bëj sexhde burrit të saj. Gruaja nuk ka kryer obligimin ndaj burrit të saj, edhe nëse i kërkohet që të ketë marrëdhënie përderisa ajo është duke lidhur kërpeshet e devesë dhe i përgjigjet atij.”
E drejta e burrit dyfishohet nëse është i mirë, i devotshëm, fetar dhe kujdeset në adhurim dhe bindje ndaj Allahut. Transmeton Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh nga Muadh bin Xhebeli radijallahu anhu, i cila ka treguar se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:
لا تؤذي امرأة زوجها في الدنيا إلا قالت زوجها من الحور العين : لا تؤذيه قاتلك الله ! فإنما هو عندك دخيل ، يوشك أن يفارقك إلينا
“Çdo grua që e shqetëson burrin e saj në këtë jetë, gruaja e tij nga Hurul-‘Aiin thotë: “Mos e shqetëso atë, Allahu të vraftë! Ai është vetëm një mysafir tek ti. Së shpejti ai do të braktisë ty dhe do të na bashkohet neve”.” [2]
Dijetarët thonë se në këtë hadith ka një kërcënim të ashpër ndaj grave që shqetësojnë bashkëshortët e tyre.
__________________________________________________
[1] - 11/356. Autentik sipas Imam Albanit në “Es-Sahihah” (3490).
[2] - Tirmidhiu (1174) dhe Ibn Maxheh (2014). Autentik sipas Imam Albanit në “Es-Sahihah” (173).
11. Gruaja e mirë duhet të jetë e drejtë dhe e paanshme me fëmijët e saj
Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abad (Allahu e ruajttë!)
Burimi: Sifetuz-Zeuxhetis-Salihah, fq. 41
Prej cilësive të gruas së mirë, është që nëse asaj Allahu i jep fëmijë, ajo është e drejtë me ta. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë:
ادلوا بين أولادكم ، ادلوا بين أولادك
“Bëhuni të drejtë dhe të paanshëm me fëmijët tuaj! Bëhuni të drejtë dhe të paanshëm me fëmijët tuaj!”
Hadithin e transmeton Ebu Davudi [1] dhe ka disa hadithe me domethënie të ngjashme.
________________________________________________________________
[1] - Ebu Davudi (3544). Transmeton Nu’man bin Beshir radijallahu anhu. Autentik sipas Imam Albanit në “Es-Sahihah” (1240).
12. Gruaja e mirë duhet të qëndrojë në shtëpi
Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abad (Allahu e ruajttë!)
Burimi: Sifetuz-Zeuxhetis-Salihah, fq. 41-42
Prej cilësive të gruas së mirë, është të qëndruarit e saj në shtëpi dhe të mos dalë e të hyjë nga shtëpia gjatë gjithë kohës. Ajo duhet të dalë nga shtëpia vetëm nëse kjo gjë është e nevojshme. Ajo nuk duhet të dalë jashtë e zbuluar dhe duke i shfaqur bukuritë e saj. Duhet të ulë shikimin dhe të ruajë moralin e vet. Më herët veçse kemi përmendur disa nga hadithet, që ndër tjerash, porosisin edhe këtë që e theksuam tani. Prej haditheve të tilla, është hadithi që transmeton Teberani në “El-Eusat” [1] nga Salim bin Abdil-lah bin Umer, nga babai i tij, i cili tha se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:
المرأة عورة ، و إنها إذا خرجت استشرفها الشيطان و إنها لا تكون أقرب إلى الله منها في قعر بيتها
“Gruaja është auret. Kur ajo del nga shtëpia, gjatë gjithë kohës shejtani e përcjell atë [2]. Më së afërmi Zotit të saj është atëherë kur ajo qëndron në shtëpinë e vet.”
______________________________________________________________
[1] - 2890 dhe 8096 Autentik sipas Imam Albani në “Es-Sahihah” (2688).
[2] - E bën qëllim të tijin (v.a.), duke bërë që njerëzit të tërhiqen në drejtim të saj-e shikojnë atë (v.p.).
13. Gruaja e mirë nuk duhet të zbulojë sekretet e burrit të saj (dhe intimitetin bashkëshortorë)
Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abad (Allahu e ruajttë!)
Burimi: Sifetuz-Zeuxhetis-Salihah, faqe 42-44
Prej cilësisë së gruas së mirë është: Të mos i përhap sekretet e burrit të saj dhe të mos i përhapë çështjet të cilat janë vetëm për burrin dhe gruan. Kështu duhet të veprojë edhe nëse ndodh ndarje mes tyre apo nuk ka harmoni të mirëfilltë bashkëshortore. Është obligim si i burrit ashtu edhe i gruas që të kenë frikë ndaj Allahut ‘Azze ue Xhel në këtë çështje shumë të rëndësishme.
Këtu kemi një transmetim të cilin e gjejmë në Musnedin e Imam Ahmedit që transmetohet nga Esma bint Zejd radijallahu anha se ajo ishte prezent tek i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem në një mexhlis dhe aty kishte edhe burra dhe gra tjera prezentë, e ndër tjerash ai salallahu alejhi ue selem tha:
لعل رجلا يقول ما يفعل بأهله ، و لعل امرأة تخبر بما فعلت مع زوجها ، فأرم القوم ؛ قلت إي و الله ؛ يا رسول الله ، إنهن ليقلن و إنهم ليفعلون ، قال : لا تفعلوا ؛ فإنما ذلك مثل الشيطان لقي شيطانة في طريق فغشيها و الناس ينظرون
“Ndoshta një burrë thotë atë që ai bëri me gruan e tij dhe ndoshta një grua thotë atë që ajo ka bërë me burrin e saj.” Sahabët u heshtën, ndërsa unë thashë: “Po pasha Allahun, o i Dërguari i Allahut! Gratë e bëjnë këtë, por edhe burrat e bëjnë njashtu.” Ai tha: “Mos e bëni këtë. Kjo i ngjason shejtanit i cili gjen një shejtane në rrugë dhe bëjnë marrëdhënie intime kurse njerëzit i shikojnë.” [1]
Ajo tha: “Gratë e bëjnë këtë, por edhe burrat e bëjnë njashtu.” Ajo fillimisht i përmendi gratë, ngase kjo gjë është e përhapur më shumë në mesin e tyre ndërsa më pakë në mesin e burrave. Të tilla gjëra intime, gruaja i flet në mesin e shoqeve të saj, kolegeve e bashkëmoshatareve dhe në mesin e grave që janë të veçanta tek ajo. Pra, shumë prej grave, janë të pakujdesshme dhe nuk iu vjen keq që të përmendin fshehtësitë, sekretet dhe gjërat intime të burrave të tyre. Profeti salallahu alejhi ue selem në hadithin paraprak tha:
“Mos e bëni këtë. Kjo i ngjason shejtanit i cili gjen një shejtane në rrugë dhe bëjnë marrëdhënie intime kurse njerëzit i shikojnë.”
Do të thotë se, gruaja dhe burri që kanë këtë cilësi, që zbulojnë intimitetin bashkëshortorë janë si shejtani i cili gjen një shejtane në rrugë dhe bëjnë marrëdhënie intime me të ndërsa njerëzit i shikojnë.
________________________________________________________________
[1] - 27583. Autentike përmes haditheve të tjera sipas Imam Albanit (Rahimullah) në “Sahihut-Tergib uet-Terhib” (2022). Shih “Irua’ul-Galil” (2011).
14. Përfundimi i broshurës “Sifetuz-Zeuxhetis-Salihah”
Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abad (Allahu e ruajttë!)
Burimi: Sifetuz-Zeuxhetis-Salihah, faqe 44-45
Këto janë disa nga cilësitë e gruas së mirë, të bazuara në Librin e Allahut ‘Azze ue Xhel dhe nga Sunneti fisnik i Profetit salallahu alejhi ue selem. E bëra përmbledhjen e kësaj broshure, me shpresën që t’u bëj dobi atyre që Allahu dëshiron prej robërve të Vet.
Lus Allahun Xhel-le ue ‘Ala me Emrat e Tij të bukur dhe Cilësitë e Tij të Larta që të gjithëve të na udhëzojë në rrugën e drejtë, të na bëj mësimet që ne i marrim të jenë në argument në të mirën tonë dhe jo në dëm tonin.
Gjithashtu, të na begatojë në kohën që e kalojmë, të na begatojë fjalët tona, veprat, familjet, pasardhësit, pasurinë dhe në të gjithë jetën tonë. E Lusim Allahun që të na përmirësoj fenë në të cilën e kemi tërë çështjen tek ajo, dynjanë në të cilën po e jetojmë dhe ahiretin në të cilin është kthimi ynë.
E lusim Allahun që jeta jonë në vazhdim, të jetë për ne shtesë në vepra të mira, ndërsa vdekja të jetë edhe përfundim i vuajtjeve dhe të këqijave.
O Allah, përmirësoji gratë myslimane dhe bijat e tyre, udhëzoji ato në rrugën e drejtë dhe bëji që ato të kthehen tek Ti me kthim të mirë.
O Allah, ruaji ato nga të gjitha sprovat, qofshin ato të dukshme apo të padukshme.
O Zot, udhëzona të gjithë neve në çdo mirësi që Ti e do dhe je i kënaqur me të. Me të vërtetë Ti je Dëgjues i lutjeve, vetëm tek Ti kemi shpresën dhe vetëm tek Ti mbështetemi.
Dhe lutjet tona i përfundojmë duke falënderuar Allahun, Zotin e botëve. Ndërsa salavatet dhe selamet, begatitë e mirësitë qofshim mbi robin dhe të Dërguarin e Tij të zgjedhur, Muhamedin të birin e Abdullahut, familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij.