Dhjetë të përgëzuarit
“Dhjetë të përgëzuarit me Xhenet”
Përmblodhi: Hoxhë Bledar Tefik Haxhiu
01 - Ebu Bekër Sidiku
Falënderimi i takon vetëm Allahut, Mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e Profetëve Muhamedin, familjen e tij të bekuar, shokët e tij besnik si dhe të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Gjykimit.
O Zoti ynë Ty të takon falënderimi ashtu sikur është meritë për Madhërinë e pushtetit Tënd! Ty të takon falenderimi derisa të kënaqesh, Ty të takon falenderimi edhe kur je i kënaqur, dhe përsëri Ty të takon falenderimi edhe pasi kënaqesh.
Është mirësi për ne që të jemi pasues të Profetit të fundit, atij i cili u dërgua mëshirë për gjithë njerëzimin. Është mirësi për ne të jemi në karvanin e ndjekësve të tij, të atyre të cilët e besuan dhe e pasuan atë, që e respektuan dhe vlerësuan shokët e tij.
Vëllezër dhe motra Allahu zgjodhi Muhamedin si Profetin e fundit, e bëri atë mik dhe të dashurin e Tij, dhe zgjodhi që ta pasonin dhe ta ndihmonin njerëzit më të mirë, zemrat më bujare, fytyrat më të shndritura dhe bësimtarët më të fortë e më të përkushtuar. Të gjithë ata të cilët e ndoqën, pasuan dhe ndihmuan Muhamedin që në ditët e para kanë vendin dhe pozitën e tyre, të gjithë kanë grada dhe vlera, madje dashuria e tyre është pjesë e besimit tonë, porse ja që është urtësi e Allahu që t’i dallojë disa nga disa të tjerë dhe nga ata të cilët ka dalluar Allahu janë dhe “Dhjetë të përgëzuarit me Xhenet”.
Takimet tona pikërisht do të jenë me këta burra, me këta kolosa dhe yje ndriçues, do të qëndrojmë me çdonjërin prej tyre, për të marrë nektarin e jetës dhe veprës së tyre në mënyrë që të shtojmë dashurinë për ta por njëkohësisht të mësojmë prej tyre.
Përcillet nga Abdurrahman Bin Aufi se Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem, ka thënë: “Dhjetë vetë janë në Xhenet: Ebu Bekri është në Xhenet, Umeri është në Xhenet, Uthmani është në Xhenet, Aliu është në Xhenet, Talha është në Xhenet, Zubejr ibën ebi Auam është në Xhenet, Abdurrahman bin Aufi është në Xhenet, Sad ibën ebi Uekas është në Xhenet, Seid bin Zejd është në Xhenet dhe Ebu Ubejde ibnu Xherah është në Xhenet”. [1]
Pra Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem, veçanërisht i ka përgëzuar këta sahabe për vendin rolin dhe kontributin që kanë dhënë ata për këtë fe. Ndaj mendoj se është me interes të qëndrojmë me ta në disa takime, duke e lutur Allahun që të na bëjë prej atyre të cilët ecin në gjurmët e tyre dhe që do të bashkohen me tan ë Xhenetet e Tij të larta amin.
Ebu Bekër Sidiku
Historia dhe jetshkrimi i Ebu Bekrit dhe jo vetëm i tij, është i mbushur me mësime dhe modele madhështore, ato ushqejnë shpirtërat, si dhe zhvillojnë intuitën dhe të kuptuarit e kësaj feje.
Po ata vërtet janë të tillë, ndaj dhe Allahu thotë për ta: “Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu për ta ka përgatitur kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore!” [2]
Ndërsa Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem për ta ka thënë: “Njerëzit më të mirë të umetit tim janë ata tek të cilët unë u dërgova”.[3]
Nga këta njerëz për të cilët bën fjalë ajeti dhe hadithi është dhe Ebu Bekri, i cili ishte nga të parët që iu përgjigj ftesës së Profetit Muhamed sal-lAllahu alejhi ve selem.
Lindja dhe disa nga emrat e Ebu Bekrit:
Ebu Bekri lindi dy vite e gjashtë muaj pas ndodhisë së Elefantit, emri i tij është Abdullah ibën ebi Kuhafe (Uthman bin Amir) i cili takohet me profetin në prejardhe tek gjyshi i gjashtë.
01 – Është quajtur Atik. Nga emrat të cilat ka marrë Sidiku, Ebu Bekri është dhe emri Atij (I liruar). Me këtë emër Ebu Bekrin e ka quajtur Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem, ai një herë i ka thënë: “Ti je i liruari i Allahut nga zjarri”, ndaj dhe njerëzit i thërrisnin në këtë emër. [4] Ndërsa Aishja përcjell se njëherë Ebu Bekri hyri në shtëpinë e tyre dhe Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem, i tha: “Përgëzohu se ti je i liruari i Allahut nga zjarri”.[5]
02 – Është emërtuar Sidik (Besniku). Emër tjetër me të cilin Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem, e emërtoi Ebu Bekrin ishte dhe Sidik, Enesi përcjell se njëherë Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem, Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani ishin mbi malin e Uhudit dhe ai u drodh, në këtë moment Profeti i ra me këmbë dhe i tha: “Qetësohu o Uhud, sepse mbi ty është Profeti, besniku dhe dy dëshmorë”.[6] Ebu Bekri mori emërtimin Besnik si shkak i besnikërisë që ai kishte ndaj asaj me të cilën e lajmërontë Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem. Kur Profeti bëri udhëtimin e tij të famshëm Isran dhe Miraxhin udhëtimin nga Meka për në faltoren e shenjtë në Kuds e më pas u ngjit në qiellin e shtatë dhe u kthye brenda një nate, idhujtarët filluan të talleshin e ta injoronin këtë informacion, madje shkuan të habitur tek Ebu Bekri duke menduar se edhe ai do ta mohonte sikurse vepruan disa njerëz të dobët. Kur shkuan ke ai, me shumë qetësi dhe besim u tha: A vërtetë e ka thënë një gjë të tillë? Pasi mori përgjigje pozitive prej tyre iu drejtua: Të vërtetën ka thënë atëhere, Unë i besoj atij atë e cila është edhe më larg kësaj, besoj në atë që më përcjell prej Zotit të tij! Ndaj dhe ai u quajt Sidik. [7] Madje i gjithë umeti është bashkuar në mënyrë unanime se Ebu Bekri është i denjë për këtë emër.
03 – Ai është quajtur Sahib (Shok). Me këtë emër atë e ka quajtur dhe e ka përmendur Allahu në Kuran ku thotë: “Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve selem.), Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!” Atëherë, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e ndihmoi me një ushtri të padukshme (engjëjsh) dhe bëri që fjala e mosbesimtarëve të jetë më e poshtëruara, kurse fjala e Allahut të jetë më e lartësuara. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë”.[8] Dijetarët kanë shprehur në mënyrë unanime se shok në këtë ajet ka për qëllim Ebu Bekrin. Madje Enesi përcjell nga Ebu Bekri se ai ka thënë: “Kur isha i fshehur në shpellë me Profetin sal-lAllahu alejhi ve selem gjatë emigrimit, i thashë: “Nëse ndonjëri prej tyre do të ulë shikimin poshtë me siguri që do të na shojë. Ai më tha: “O Ebu Bekër! Po çmendon ti për dy veta i treti i të cilëve është Allahu?”[9]
04 – Është emërtuar i shqetësuari (Euah). Këtë emër Ebu Bekri e ka marrë si shkak i frikës dhe turpit që kishte ndaj Allahut dhe si shkak i mëshirës që kishte për njerëzit, ndaj dhe me të drejtë Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem, ka thënë: “Njeriu më i mëshirshëm për umetin tim është Ebu Bekri, më i ashpëri për atë që i takon Allahut është Umeri, më i turpshmi është Uthman ibën Affani, më miri në leximin e Kuranit është Ubej ibën Kabi, më i miri njohjen e trashëgimisë është Zejd ibën Thabiti, më i miri në njohjen e hallallit dhe haramit është Muadh ibën Xhebeli, çdo popull ka besnikun e vet, e besniku i këtij umeti është Ebu Ubejde ibën Xherrah”. [10]
Etika dhe sjellja e Ebu Bekrit para Islamit:
Tiparet fizike, i ka pershkruar vajza e tij Aishja (radijAll-llahu anhu) ku thote: Ishte i bardhë, i dobët, me pak qime në fytyrë, mish të paktë në fytyrë, me sy të futur pak brenda, me ballë të dalë pak përpara.
Ebu Bekri në injorancë ka qënë nga njerëzit e shquar dhe të njohur në mesin e parisë Mekase, madje ai ishte njëri prej tyre, e njihte mirë gjenealogjinë e arabëve, ishte i dashur për ta, bujar dhe fisnik, madje ai gëzonte shumë cilësi të përbashkëta me Profetin sal-lAllahu alejhi ve selem. Kurrë nuk ka pirë alkool në injorancë, kurrë nuk i ka rënë në sexhde ndonjë idhulli, i respektonte fqinjët, i ndihmonte të varfërit i ruante lidhjet me fisin, saqë Ibën Degine kur Ebu Bekri dëshiroi të emigronte, nuk e lejoi dhe e mori në besën e tij duke i thënë: “nuk i takon një njeriu si ti të përzihet, ti kujdesesh për nevojtarin, e ndihmon të dobëtin, e respekton fqinjin dhe e ruan farefisin.
Islami dhe peripecitë e Ebu Bekër Sidikut:
Ebu Bekri në kohën e injorancës për shka të tregëtisë së tij kish kontaktuar me njerëz të ndryshëm dhe prej atyre që kishte takuar kishte dhe të tillë që e adhuronin Allahun në fenë e pastërt, apo të krishterë të cilët shpreheshin herë pas here se ka ardhur koha që nga arabër të dalë një profet. Ndaj kur Profetit Muhamed iu zbulua shpallja, nga njerëzve që ai ia tregoi këtë ishte dhe Ebu Bekri, sepse ata ishin shokë dhe miq para profetësisë dhe Ebu Bekri gëzonte vend dhe pozitë ke Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem. Kur Profeti e takoi Ebu Bekrin i tha: “Unë jam i dërguar i Allahu dhe profet prej Tij, Allahu më ka dërguar të përçoj mesazhin e Tij; ndaj unë të ftoj në adhurimin e Allahut –Zotit të vërtetë-, Pasha Allahun ai është Zoti i vërtetë, të ftoj o Ebu Bekër në adhurimin e Allahut të vetëm pa shok, të mos adhurosh kënd tjetër veç Tij si dhe të më bindesh mua”.[11] Dhe menjëherë e pa asnjë hezitim Ebu Bekri besoi dhe i dha besën Profetit se do ta ndihmojë dhe vërtet ai e mbajti besën, ndaj dhe Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem ka thënë: “Allahu më dërgoi tek ju dhe ju thatë: gënjeve, ndërsa Ebu Bekri tha: ke thënë të vërtetën, më mbështeti me veten dhe pasurinë e tij, vallë a do ta lini ju shokun tim?” Këtë e përsëriti dy herë. [12]
Pra Ebu Bekër Sidiku ishte burri i parë i cili e pranoi Islamin prej të lirëve, u gëzua për të Profeti dhe ai ishte një thesar i pashtershëm për thirrjen e Profetit. Menjëherë ai filloi misionin e tij dhe menjëherë i korri frytet e kësaj thirrje, që në ditët e para pranuan prej tij islamin një sërë kolosash të kësaj feje dhe prej të përgëzuarve me Xhenet. Prej tij pranoi islamin Uthman bin Afani, Zubejr Bin Auami, Talha bin Ubejdilah, Sad bin Ebi Uekas, Uthman bin Medh’un, Ebu Ubejde bin Xherrah, Abdurrahman bin auf, Ekrem bin Ebi Ekrem etj.
Peripecitë dhe mundimet e Ebu Bekrit
Edhe Ebu Bekri nuk shpëtoi nga peripecitë dhe mundimet, edhe ai sikur Profeti u mundua, u persekutua, i hodhën mbi shpinë dhe mbi kokë pluhur e dhé, madje e qëlluan pranë Qabes me këpucë e shapka, e rrahën, e goditën dhe e torturuan, por ai qëndroi i palëkundur. Një ditë ai i kërkoi me këmbëngulje Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem, që të dilnin në Qabe dhe ta deklaronin hapur Islamin dhe thirrjen e tyre dhe kështu bënë.
Profeti qëndronte i ulur në shkallët e Qabes ndërsa Ebu Bekri ligjëronte duke i ftuar njerëzit në Islam, të Adhuronin Allahun të vetëm e të hiqnin dorë nga adhurimi i idhujve.
Porse idhujtarët iu sulën dhe filluan tu qëllonin të dyve dhe Ebu Bekri u bë mur për të mbrojtur Profetin.
Njerëzit filluan ta qëllonin me këpucë e me shapka aq sa ia përgjakën fytyrën dhe e lanë të shtrirë në tokë pa ndjenja.
Kur e morën kushurinjtë dhe e çuan në shtëpi nuk i dallonin dot fytyrën, saqë për një cast menduan se ai kishte vdekur, porse Allahu kishte shkruar që Ebu Bekri të vazhdonte në heroizmat e tij.
Kur erdhi në vete, nëna po përpiqej që t’i jepte ushqim porse ai hezitonte dhe dhoshte: si është Muhamedi, ç’ka i ngjarë Muhamedit, pasha Allahun nuk ha e as nuk pi derisa të di se ç’ka ngjarë me Muhamedin! Kështu e mbajtën nga Krahu Umu Xhemile dhe nëna e tij e cila në atë kohë ende nuk ishte bërë muslimane dhe shkuan në shtëpinë e Ekremit ku ishte strehuar dhe Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem. Kur hyrën Brenda dhe Profeti e pa iu hodh e pushtoi dhe filloi ta puthte, pas tij filluan ta puthnin dhe muslimanët e tjerë.
Në këto moment Ebu Bekri filloi ta qetësonte Profetin se ai nuk kishte gjë dhe më pas i tha: O i Dërguar i Allahut kjo është nëna ime e cila është e sjellshme me birin e saj dhe ti je i begatshëm, ftoje atë për në adhurimin e Allahut dhe lute Allahun për të ndoshta Allahu do ta shpëtojë atë nga zjarri për shkakun tënd. Profeti e ftoi në islam, iu lut Allahut për të dhe ajo pranoi islamin (u bë muslimane).
Një herë Ali ibën ebi Talib hipi në minber dhe po i ligjëronte njerëzve dhe u tha: “A e dini se cili është njeriu më i guximshëm?” Ti je o Prijës i besimtarëve, ia kthyen njerëzit! Është e vërtetë se nuk është ndeshur dikush me mua, vetëm se e kam shtrirë për tokë, porse më i guximshmi është Ebu Bekri.
Një herë ne pregatitëm një ndenjëse për Profetin prabë Qabes dhe thamë: kush do të qëndrojë me Profetin që të mos i vërsulesh kush nga kurejshët? Pasha Allahun nuk iu afrua atij kushm veçse Ebu Bekri qëndronte me shpatë të zhveshur mbi kokën e tij! Ky është njeriu më i guximshëm.
Pastaj vazhdoi e tha: Një herë e pash Profetin që po e shtynin dhe po e mundonin kurejshët dhe nuk iu afrua askush tjetër veç Ebu Bekrit i cili her i shtynte e herë kacafytej me ta e u thoshte: Mjerë për ju, vallë po e vrisni këtë njeri se thotë Zoti im është Allahu?! Më pas Aliu ngriti xhyben e tij dhe filloi të qante derisa iu lag mjekra. Më pas u drejtua nga njerëzit e u tha: U kërkoj për hir të Allahut të më thoni: cili është më i mirë, besimtari nga familja e faraonit, apo Ebu Bekri? Njerëzit heshtën dhe askush nuk foli. Aliu atëhere tha: Pasha Allahun, një cast nga jeta e Ebu Bekrit është më e mirë dhe më me vlerë se e gjith jeta e besimtarit nga familja e faraonit. Sepse ky e fshehu besimin ndërsa Ebu BEkri e shfaqi atë”.[13]
Shpenzimi që bënte Ebu Bekri për të liruar skllevërit
Nuk ka dyshim se thirrja Islame përhapej me shpejtësi dhe për afro tre-katër vite islamin e pranuan njerëz të shtresave të ndryshme të shoqërisë, nga ana tjetër edhe mundimi dhe persekutimi kurejsh u bë edhe më i ashpër.
Një persekutim të madh përjetonin ata të cilët ishin të dobët dhe pa mbështetje, sidomos skllevërit në mënyrë që të ishin mësim për të tjerët.
Një nga ata të cilët u munduan shumë ishte dhe Bilali, robi i Umeje bin Halefit i cili kur mori vesh se ai ishte bërë musliman e torturoi, e la pa ngrënë e pa pirë, madje e nxorri në shkretëtirën përvëluese në pikun e nxehtësisë, mbi gjoks i vendos një gurë të madh dhe i kërkon të braktisë fenë islame, ndërsa Bilali me atë pak fuqi dhe ndjenjë që i kish mbetur shpreh fjalën më të rëndë për umejen, fjalë e cila shkatërronte çdo ëndërr për ta: Ahadun ehad.
Me të marrë vesh Ebu Bekri për këtë ngjarje shkoi dhe filloi të bindte Umejen që t’ia shiste atij Bilalin dhe ai në vend të tij t’i jepte një skllav tjetër më të fuqiahëm se ai, ndërsa në një transmetim tjetër thuhet se e bleu atë për dyzet monedha ari. Pasi e bleu Bilalin ai e liroi në mënyrë që ta adhuronte Allahun i lirë, kështu jetoi Bilali pjesën tjetër të jetës së tij i lirë dhe duke shoqëruar Profetin Muhamed e duke qënë muezini i tij.
Porse Ebu Bekri nuk qëndroi me kaq, porse ai vazhdoi ta praktikonte politikën e blerjes së skllevërve e më pas u jepte atyre lirinë.
Prej atyre që ka liruar ka qënë Amir bin Fuhejra nga luftëtarët e Bedrit dhe Uhudit, liroi Umu Ubejs, Zenijren, Nehdijen dhe bijën e saj etj.
Hixhreti i Ebu Bekrit me Profetin sal-lAllahu alejhi ve selem.
Ebu Bekri në mejdanin e luftërave.
Në Tebuk Ebu Bekri dha sadaka të gjithë pasurinë dhe kur e pyeti Profeti se çkishte lënë për shtëpinë e tij ai tha: Kam lënë Allahun dhe të dërguarin e tyre.
Qëndrimi i Ebu Bekrit pas vdekjes së Profetit.
Pas Haxhit të lamtumirës Profetit iu rëndua gjendja dhe më në fund atij ju dha zgjedhja që të jetonte ose të shkonte në shoqërinë e Mëshiruesit, dhe Profeti zgjodhi atë që gjendej ke Allahu i lartësuar, ndaj dhe më 12 të muajit Rabiul Euel ai ndërroi jetë pikërisht në dhomën e vajzës së Ebu Bekrit dhe njeriut më të dashur ke Profeti, në dhomën e Aishes dhe i mbështetur në kraharorin e saj.
Në këto situate të vështira për besimtarët, u krijua një tronditje e madhe aq sa disa e humbën toruan, Umeri thërriste me të madhe në mës të xhamisë se Profeti nuk ka vdekur, dhe se ai do të kthehet përsëri, Aliu shkoi dhe u mbyll në shtëpinë e tij me Fatimen ndërsa Uthmani nuk gjente fjalë se çtë thoshte. Pra në këtë moment u bë një kaos i vërtetë.
Shoku më i ngushtë i Pejgamberit alejhi selam, Ebu Bekri, nuk ishte prezent në momentin kur i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve selem ndërroi jetë në shtëpinë e gruas së tij Ajshes, vajzës së Ebu Bekrit. Kur i erdhi lajmi për vdekjen e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve selem), Ebu Bekri shpejtoi për në shtëpinë e pikëllimit.
Hyri brenda në dhomë e zbuloi fytyrën e bukur e të shndritshme të Profetit, më pas tha: “Sa e bekuar ishte jeta jote dhe sa hyjnore është vdekja jote”, përshpëriti Ebu Bekri duke ia puthur ballin shokut të tij të dashur dhe mësuesit të tij, i cili tashmë nuk ishte.
Kur Ebu Bekri doli jashtë dhe e shpalli lajmin për vdekjen e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve selem, mosbesimi dhe trondtja i kaploi muslimanët e Medines. Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve selem ishte udhëheqës, udhëzues dhe transmetues i Shpalljes Hyjnore përmes së cilit ata u larguan nga idhujtaria dhe barbarizmi dhe u udhëzuan në rrugën e Zotit.
Si është e mundshme që ai (sal-lAllahu alejhi ve selem) të vdes? Derisa edhe Umeri, një prej më të fortëve dhe më trimave nga shokët e Pejgamberit alejhi selam, nuk mundi të përmbahej dhe nxorri shpatën e tij duke u kanosur se do ta mbys çdo njeri i cili pohon se Pejgamberi alejhi selam ka vdekur.
Ebu Bekri me butësi e largoi anash, filloi të ngjitet shkallëve të xhamisë dhe iu drejtua njerëzve me fjalët: “O njerëz, me të vëtetë ata të cilët adhuruan Muhamedin (sal-lAllahu alejhi ve selem), ta dini! Muhamedi me të vërtetë ka vdekur. Por, ata të cilët adhurojnë Allahun, ta dini! Allahu është Gjallë dhe nuk vdes kurrë.”
Dhe pastaj vazhoi duke lexuar ajetin nga Kur´ani:
“Muhamedi nuk është tjetër veçse i Dërguar. Tashmë vërtetë shumë të Dëruar kanë kaluar para tij. Në qoftë se ai vdes apo vritet, atëherë a do të ktheheshit menjëherë prapa (si mosbesimtarë)?” 3:144
Pas dëgjimit të këtyre fjalëve, njerëzit u qetësuan. U largua dëshpërimi përmes besimit dhe qetësisë së tyre. Kaloi ky moment kritik aq sa Umeri pohoi se edhe pse e kishin mësuar këtë ajet iu duk sikur e dëgjonin për herë të parë atë.
Nga ana tjetër ishte sërisht Ebu Bekri ai i cili i dha zgjidhje shqetësimit të rradhës se ku duhet ta varrosnin Profetin sal-lAllahu alejhi ve selem duke thënë: Kam dëgjuar Profetin të thotë: “Ne profetët varrosemi atje ku vdesim”. Kështu që e varrosën pikërisht në dhomën e Aishes, atje ku dhe ai ndërroi jetë.
Zgjedhja e Ebu Bekrit si Halife.
Pas vdekjes së Profetit shoqëria muslimane ballafaqohej me një problem serioz: zgjedhjen e udhëheqësit.
Pas një diskutimi në mes të Sahabëve, të cilët ishin mbledhur për të zgjedhur një udhëheqës nga mesi i tyre, u bë e qartë se asnjëri nuk ishte më i përshtatshëm se Ebu Bekri për të marrë këtë përgjegjësi.
Madje Ebu Bekri fillimisht u tregua modest ai pasiqë tregoi vlerën dhe mirësinë e ensarëve tha: Jam i kënaqur që të zgjidhni njërin prej këtyre dy burrave, jepjani besën cilit të doni dhe mori dorën e Umerit dhe të Ebu Ubejdes duke u bërë me dije ensarëve se Profeti ka thënë: “Prijësat duhet të jenë prej Kurejshëve”. Ndërsa Umeri radijAll-llahu anhu mori fjalën dhe tha: O ju ensarë, a mos valle harruat që Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem urdhëroi Ebu Bekrin tu printe njerëzve në namaz, pra kujt i pëlqen të dalë para Ebu Bekrit” ensaret thanë: I kerkojmë Allahut te na ruaje nga kjo” [14] dhe vazhdoi t`i përkujtonte njerëzit me mirësitë e Ebu Bekrit derisa kërkoi prej tij që t`i zgjaste dorën dhe ia dha besën, më pas ia dhanë besën muhaxhirët pastaj edhe ensarët, duke qenë të bindur për përparësinë që kishte Ebu Bekri për tu bërë halife dhe u mjaftoi perkujtimi i Umerit per kete.
Por cilët ishin disa parashenja dhe shkaqe që çuan sahabet të vendosnin si Halife Ebu Bekrin?
Të gjithë e dimë se kur Pejgamberi alejhi selam u sëmur për vdekje e urdhëroi t’ua falë njerëzve namazin.
Në këtë ka argument se Pejgamberi alejhi selam ua bëri me dije njerëzve dëshirën e tij për të qënë Ebu Bekri udheheqës pas tij.
Këtë argument e përdori dhe Umeri në zgjedhjen e Ebu Bekrit.
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Xhabir Bin Mut’im se një grua i kshte ardhur Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ve selem dhe e kishte urdhëruar qe (pas një kohë) të kthehet prapë tek Pejgamberi. Gruaja tha: Më trego çfarë të bëj nëse nuk të gjej ty? Me këtë sikur e kishte për qëllim vdekjen e Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ve selem. Tha: Nëse nuk më gjen mua atëherë shko tek Ebu Bekri.
Në këtë po ashtu ka argument se Pejgamberi alejhi selam e favorizoi atë ndaj të gjithë sahabëve. Pastaj Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve selem u fal duke qenë Ebu Bekri imam i tij dhe muslimanëve.
Kur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve selem vdiq, Umeri u ngrit me shpate në dorë dhe kërcënonte me vdekje çdo ke qe thote se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve selem ka vdekur. Pas pak erdhi Ebu Bekri dhe pasi qe pa se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve selem kishte vdekur i tha Umerit: Hesht! Umeri nuk heshte. Ebu Bekri filloi te flase ndersa njerzit e braktisen Umerin dhe iu drejtuan Ebu Bekrit. Ne kete poashtu ka argument se Ebu Bekri ishte me meritori prej sahabeve dhe ishte me i respektuari ne mesin e tyre sikurse që ka argument te fuqishem për vendosmërine e tij ne fatkeqësi dhe kohëra të liga.
Punët që ndërmori Ebu Bekri (radijAll-llahu anhu)
Ebu Bekri (radijAll-llahu anhu) realizoi qëllime të mëdha, arriti fitore madhështore dhe ditët e tij ishin të mbushura me mirësi, megjithëse ato ditë nuk zgjatën më shumë se dy vjet e tre muaj.
Prej punëve më të rëndësishme ishin: Nxjerrja e ushtrisë së Usameh bin Zejd ne betejen qe kishte caktuar Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem pak para vdekjes se tij, luftimi i dezertorëve, grumbullimi i Kuranit në një mus’haf (liber) të vetëm, çlirimet e tokave të reja.
01. Ushtria e udhëhequr nga Usameh bin Zejd.
Profeti (sal-lAllahu alejhi ve selem) kishte përgatitur një ushtri pak para vdekjes së tij dhe kishte caktuar si komandant të saj Usameh bin Zejdin.
Kjo ushtri e cila përmbante njerëzit më të mëdhenj dhe më të zgjedhur të sahabëve do të ecte drejt rrethinave të Shamit, por kjo ushtri nuk arriti te dilte nga Medineja për shkak të sëmundjes së Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem.
Qëndroi kjo ushtri në gatishmëri derisa vdiq Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem dhe mori halifatin Ebu Bekri. Pas vdekjes së Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem shumë fise arabe dezertuan nga islami, prandaj duke u nisur nga kjo, Usama dhe shumë prëj sahabëve e pane të përshtatshme që kjo ushtri të mos dilte derisa të stabilizohej situata. Mirëpo Ebu Bekri e refuzoi këtë gjë dhe urdhëroi për nxjerrjen e saj duke thënë: “Nuk më takon të filloj me diçka tjetër para zbatimit të urdhërit të Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem”.
Doli Usame me ushtrinë e tij drejt tokave të Shamit, luftoi fisin Kudaah që kishin dezertuar dhe e ashpërsoi luftën ndaj tyre derisa i shpartalloi ata dhe u debuan në periferi të Mu’tes. Pasiqë kreu detyrën e tij me sukses të plotë u kthye shëndoshë e mirë brenda 40 netësh.
02. Dezertuesit nga islami (ata qe braktisen fene)
Ata që dezertuan nga islami mund t`i ndajmë ne tre grupe:
• Grupi i parë: Ata që u kthyen në adhurimin e idhujve.
• Grupi i dytë: Ata që ndoqën profetët e rrejshëm.
• Grupi i tretë: Ata që refuzuan dhe mohuan dhënien e Zekatit duke thënë se zekati ishte për sa kohë që Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem) ishte gjallë.
Grupi i tretë dërguan një delegacion në Medine për të dialoguar me sahabët.
Shumë prej sahabëve polemizuan me Ebu Bekrin në këtë çështje (ne luftimin e kesaj kategorie), midis këtyre sahabëve ishte Umeri radiallahu anhu, Ebu Ubejde, Salimi robi i Ebu Hudhejfes, etj.
Megjithate Ebu Bekri (radijAll-llahu anhu) e refuzoi këtë gjë dhe këmbënguli në vendimin e tij duke thënë fjalën e tij të njohur dhe madhështore: Uallahi sikur ata të refuzonin dhënien e një litari që ia jepnin Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem do t`i luftoja për këtë.” Umeri i tha Ebu Bekrit: Si do t`i luftosh ata, kur Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem ka thënë: “Jam urdhëruar që t`i luftoj njerëzit derisa të thonë La ilahe il lallah, e kush e thotë këtë e ka të siguruar veten e tij dhe pasurinë e tij, vecse me të drejtën e islamit, ndërsa llogaria e tij është tek Allahu”. Ebu Bekri tha : Uallahi do ta luftoj cdokënd që ndan mes namazit dhe zekatit, sepse me të vërtetë zekati është obligimi i pasurisë. Uallahi sikur ta refuzojnë dhënien e një keci të vetëm do t`i luftoja për të.” [15]
Kështu, pra ishte mendimi i Ebu Bekrit se islami është i tërësishëm dhe nuk mund të copëtohet ashtu që të lihet një pjesë prej tij dhe të zbatohet një pjesë tjetër. Zekati është ligji më i rëndësishëm dhe kryesor në sistemin ekonomik islam, është kusht prej kushteve të fesë dhe dhenia e zekatit është ibadet.
Mendimi i sahabëve të tjerë ishte që në këtë rast të silleshin me butësi dhe me të mire me ate kategori, Umeri tha: O zëvendësi i Profetit! Sillu urtë e butë me njerëzit. Ebu Bekri (radijAll-llahu anhu) iu përgjigj duke i thënë: Shpresoja në ndihmën tënde kurse ti më vjen i përulur dhe i nënshtruar?! A ishe i fortë dhe i ashpër në injorancë kurse tregohesh frikacak në islam?! Është ndërprerë shpallja dhe është plotësuar feja, a mos pret që të pakësohet diçka prej fesë duke qenë unë gjallë? A nuk ka thënë Profetisal-lAllahu alejhi ve selem: “Veçse me të drejtën e islamit” dhe prej të drejtës se islamit është falja e namazit dhe dhënia e zekatit. Uallahi sikur të gjithë njerëzit të më lënë ne balte unë do t`i luftoja ata me veten time”. [16]
Enes bin Maliku tha: Sahabet nuk donin t`i luftonin ata që frenuan dhënien e zekatit sepse i konsideronin muslimanë, atëeherë Ebu Bekri mori shpatën dhe doli i vetëm. Kur panë këtë, sahabet nuk kishin zgjidhje tjetër vecse ta pasonin.
Ibn Mesudi ka thënë: Nuk e pëlqyem diçka të tille fillimisht por më pas e lavdëruam për këtë iniciativë.
Ebu Bekr bin Ajash ka thënë: E kam degjuar Ebu Husajnin duke thene: Nuk ka lindur pas profeteve njeri më i mirë se Ebu Bekri i cili luajti rolin si të ishte një profet nga profetët atëherë kur luftoi dezertorët. [17]
Ebu Bekri (radijAll-llahu anhu) nxorri një mesazh të përgjithshëm drejtuar dezertoreve në të gjithë anët e gadishullit Arabik dhe para se të niste ushtritë në një vend dërgonte njerëz atje që t`i lexonin atij populli këtë mesazh, ashtu që tu jepte mundësi të ktheheshin tek e vërteta, si dhe të hiqte nga vetja obligimin e komunikimit që kishte para se të fillonte lufta. [18]
Si rezultat i kësaj ndodhën përleshje dhe beteja mes ushtrive muslimane dhe rebeleve dezertorë, ku ushtarët muslimanë dhanë maksimumin e tyre dhe shpenzuan gjithë forcat që kishin për zhdukjen e fitores së dezertorëve, gjë e cila u arrit brenda një viti.
03. Tubimi i Kuranit ne nje mus-haf (liber) te vetem.
Ky mendim ishte i Umerit (radijAll-llahu anhu) siç transmeton Buhariu nga Zejd bin Thabiti i cili tha: Më thërriti Ebu Bekri (radijAll-llahu anhu) pas luftës së Jemames dhe kur shkova, gjeta Umerin aty. Ebu Bekri me tha: Umeri erdhi tek unë dhe më tha se në luftën e Jemames u vranë shumë prej hafizave, lexuesve të Kur’anit. Kam frikë se nqs vazhdon vrasja e hafizave në beteja të tjera do të humbasim shumë pjesë prej Kuranit dhe e shoh të përshtatshme të urdhërosh për grumbullimin e Kur’anit. dhe vazhdoi të më bindte derisa Allahu ma hapi zemren per ta pranuar dhe rashë dakort me mendimin e Umerit. Pastaj e urdhëroi Zejdin që të grumbullonte Kur’anin, i cili i mblodhi të gjitha gjërat në të cilat ishte shkruar Kur’ani si psh: lëkurë bagëtish, degë hurme, levozhgë pemësh, gurë të rrafshët, si dhe nga memoria e vetë sahabëve.
04. Clirimet e reja
Pasi u forcua pushteti i Ebu Bekrit dhe u zhduk fitneja e dezertorëve, Ebu Bekri vendosi që të realizonte një qëllim madhështor: Të lartësonte fjalën La ilahe il-lallah Muhamedun Rasulullah në vise te reja. Ishte koha e përshtatshme për përhapjen e thirrjes Islame dhe për çlirimin e tokave të reja jashtë gadishullit Arabik. Këto çlirime kishin dy fronte kryesore: atë të persëve dhe atë të bizantinëve.
Fronti i parë, ai i persëve në lindje.
Pasiqë kreu luftën me dezertorët, Halid bin Uelijdi u caktua nga Ebu Bekri në krye të ushtrisë për të luftuar persët të cilët refuzuan të futeshin në Islam. Beteja e parë që u zhvillua midis dy ushtrive ishte në Kadhimeh ku u mundën persët, u vra komandanti i tyre dhe muslimanët morën plaçka të shumta lufte. Vazhduan fitoret e njëpasnjëshme të muslimanëve në një sërë betejash që u zhvilluan derisa nën sundimin e muslimanëve u futën shumica e tokave në perëndim të lumit Eufrat dhe si qendër e tyre u caktua qyteti Hajrah. Në muajin Sefer të vitit 13 h, Ebu Bekri urdhëroi Halidin që të drejtohej me një pjesë të ushtrisë drejt Shamit për t`i ardhur në ndihmë ushtrisë muslimane atje që po ndeshej me bizantinët.
Fronti i dytë, ai i bizantëve në veri.
Ebu Bekri drejtoi një ushtri drejt rrethinave të Shamit, ku në krye të saj vendosi Halid bin Seid bin As i cili kur hasi në forcat bizantine i dërgoi një letër Ebu Bekrit në të cilën i kërkonte ndihmë dhe mbështetje. Menjëherë Ebu Bekri (radiallahu anhu) përgatiti katër ushtri për t`i ardhur në ndihmë: Në krye të ushtrisë së parë caktoi Amru bin el As të cilin e drejtoi për në Palestinë, në krye të ushtrisë së dytë caktoi Sherahbil bin Haseneh të cilin e drejtoi për në Jordani, në krye të ushtrisë së tretë caktoi Jezid bin Ebi Sufjan të cilin e drejtoi për në Belka, në krye të ushtrisë së katërt caktoi Ebu Ubejde bin Xherrah të cilin e drejtoi për në Hims (qytet në Siri). Ushtritë muslimane arritën në rrethinat e Shamit dhe në Palestinë në fillim të vitit 13 h. Në fillim kishte duele të shumta mes muslimanëve dhe bizantëve të cilat u pasuan me disa beteja të mëdha, prej tyre përmendim:
A) Beteja e Axhnadinit, viti 13 H.
Pas disa përleshjesh mes dy ushtrive mbreti bizantin Herakliu përgatiti një ushtri të madhe për të luftuar muslimanët. Ushtria muslimane kërkoi ndihmë prej Ebu Bekrit (radiallahu anhu) i cili urdhëroi Halid bin Uelidin që të drejtohej nga Iraku për në Sham. Halid bin Uelidi kapërceu shkretëtirën me një shpejtësi të paparë ndonjëherë në histori për t`i ardhur në ndihmë ushtrisë muslimane. Pasi që mori komandën e ushtrisë dhe e rregulloi atë në një mënyrë të përsosur, u bashkua me Amru bin el As i cili po përballej me ushtrinë e madhe bizantine në vendin e quajtur Axhnadin në Palestinë. Pasi që u takuan dy ushtritë dhe u zhvillua një luftë e ashpër, kjo betejë mbaroi me humbjen e bizantinëve dhe fitoren e bujshme të muslimanëve.
B) Beteja e Meraxhus-Sufr, viti 13 H.
Kjo betejë u zhvillua në jug të Damaskut, me forcat bizantine të cilat kishin ardhur nga qyteti i Himsit në Veri për tu ndeshur me muslimanët në Jug. Kjo ushtri e dërguar nga Herakliu përbëhej nga ushtarët më të fortë dhe më të ashpër bizantin dhe kishte si detyrë për të ndihmuar sundimtarin e Damaskut, qytet ky që mbahej i rrethuar nga muslimanët. Halid bin Uelidi dhe Ebu Ubejdeh të cilët drejtonin ushtrinë muslimane e panë të domosdoshme t`i dilnin përpara kesaj ushtrie dhe të përballeshin me të, ushtri e cila numëronte më shumë se dhjete mijë ushtarë. Kur Halid bin Uelidi e pa numrin e madh të bizantinëve e rregulloi ushtrinë me të njëjtën mënyrë që përdori në Axhnadin. Kjo betejë ndodhi në vendin e quajtur Meraxhus-Sufr, beteje e cila përfundoi si ajo e para, me fitoren e muslimanëve dhe vrasjen e shumicës së bizantëve.
Sëmundja e Ebu Bekrit dhe vdekja e tij
Shkaku i sëmundjes së Ebu Bekrit ishte larja e tij në një ditë të ftohtë, ku e zuri nje grip i rëndë. Qëndroi 15 ditë i sëmurë, nuk dilte fare as për namaz dhe kishte urdhëruar Umer bin el Hatabin që tu printe njerëzve në namaz.
E vizitonin sahabët vazhdimisht në shtëpinë e tij dhe Uthmani (radijAll-llahu anhu) ishte ai që i qëndroi tek koka në mënyrë të pandërprerë. Sëmundja erdhi duke u përkeqësuar derisa vdiq natën e martë të datës 21 Xhumadel Ahirah të vitit 13 H ne një moshe të njëjtë me atë të Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem, 63 vjecare, duke zgjatur halifati i tij 2 vjet, 3 muaj e 10 ditë. La si porosi që ta lante gruaja e tij Esma bint Amijs dhe u qefinos në dy copa ose në tre te tilla. Umeri (radijAll-llahu anhu) ia fali namazin e xhenazes dhe u varros në krah të shokut te tij, Profetit (sal-lAllahu alejhi ve selem), ia vendosën kokën e tij paralel me supin e Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem duke qenë kështu shoku i pandarë i Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem, si në jetë ashtu dhe në vdekje, Zoti e mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur prej tij.
[1] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesai, Ibnu Maxhah dhe Ahmedi.
[2] – Sure Teube: 100.
[3] – Muslimi.
[4] – Ibën Hibani hadithi është i saktë.
[5] – Tirmidhiu e ka saktësuar Albani.
[6] – Buhari.
[7] – Hakimi i cili e ka saktësuar dhe e ka mbështetur Dhehebiu.
[8] – Sure Teube: 40.
[9] – Buhariu.
[10] – Ahmed, Tirmidhiu, Ibnu Maxhah, Nesai. Hadithi është i mirë saktësoi Ahmed Shakir, Albani dhe Shuajb Arnauti.
[11] – Bidaje ue Nihaje imam Dhehebi.
[12] – Buhari.
[13] – Bidaje ue Nihaje: 3/271.
[14] – Transmeton Ahmedi ne Musnedin e tij 2/133.
[15] – Transmeton Buhariu nr 7284 dhe Muslimi nr 20.
[16] – Marre nga libri Tarihul islami fq 68, Mahmud Shakir.
[17] – Keto tre ethere jane marre nga libri Mearixhul Kabul 3/1333, hafidh
[18] – Teksti i ketij mesazhi gjendet ne librin el Bidajeh uen-nihajeh.
02 - Umer bin Hatab
Falënderimi i takon vetëm Allahut, Mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e Profetëve, Muhamedin (sal-lAllahu alejhi ve selem), familjen e tij të nderuar, shokët e tij besnik dhe të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.
Sot do të flasim për një tjetër prijës të besimtarëve, madje të parin i cili u emërtua me këtë emër. Do të flasim për të dytin në listën e të përgëzuarve me Xhenet, për njërin nga kolosët e muslimanëve, prej të cilit u frikësuan të bardhët e të verdhët, të kuqtë e të zinjtë. Sot do të flasim për Umer bin Hatabin, radijAll-llahu anhu.
Përcillet nga Abdurrahman bin Aufi se Profeti Muhamed (sal-lAllahu alejhi ve selem), ka thënë: “Dhjetë vetë janë në Xhenet: Ebu Bekri është në Xhenet, Umeri është në Xhenet, Uthmani është në Xhenet, Aliu është në Xhenet, Talhai është në Xhenet, Zubejr ibn Auami është në Xhenet, Abdurrahman bin Aufi është në Xhenet, Sad ibn ebi Uekasi është në Xhenet, Seid bin Zejdi është në Xhenet dhe Ebu Ubejde ibn Xherahu është në Xhenet.”[1]
Edhe Umeri ka një histori të pasur, plot mësime dhe dobi. Në të besimtari gjen personalitetin e fortë, njeriun e nënshtruar, thjeshtësinë e nevojshme dhe mbi të gjitha, besimin dhe bindjen e jashtëzakonshme.
Emri dhe pseudonimet e tij
Ai quhet Umer bin Hatab, Ibn Nufejl, Ibn Abdul uza Kureshij, bashkohet me Profetin (sal-lAllahu alejhi ve selem) te Kab bin Lueji. Prejardhja e tij takohet me Profetin (sal-lAllahu alejhi ve selem) te gjyshi i shtatë, Kab bin Luej.
Epiteti i tij ka qënë Ebu Hafs, ndërsa pseudonimi i tij ka qënë Faruk (Dallues), sepse kur ai shfaqi Islamin në Mekë, Allahu me të dalloi dhe ndau besimin nga jobesimi (mohimi).
Lindja dhe diçka rreth familjes së tij
Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka lindur trembëdhjetë vite pas Ngjarjes së Elefantit, pra trembëdhjetë vjet pas lindjes së Profetit (sal-lAllahu alejhi ve selem). Ka qënë i bardhë, i përzier në të kuqe, me faqe, hundë dhe sy të bukur. Kishte duar dhe këmbë të mëdha dhe njëkohësisht ishte i gjatë dhe i bëshëm.
Umeri ka pasur disa gra në kohën e injorancës dhe pas Islamit, por ndër më të spikaturat është martesa që ai ka bërë me Umu Kulthumin, vajzën e Aliut dhe Fatimes, Allahu qoftë i kënaqur me ta.
Umeri ka pasur gjithsej trembëdhjetë fëmijë, prej tyre Hafsa, e cila ka qënë bashkëshortja e Profetit (sal-lAllahu alejhi ve selem), Fatimja, Abdullahu etj.
Jeta e tij gjatë injorancës
Umeri kaloi në injorancë thuajse gjysmën e jetës së tij. Ai jetonte sikurse të gjithë moshatarët e tij, me përjashtim të një virtyti: dinte të shkruante e të lexonte dhe të tillët në atë kohë kanë qenë shumë pak në krahasim me numrin e popullsisë.
Ka bërë një jetë vërtet të vështirë, madje me vështirësitë është hasur që kur ishte i vogël. Babai e kishte ngarkuar të ruante devetë nëpër kullota dhe Umeri ishte privuar nga jeta e luksit dhe kënaqësive.
Më pas ai u mor me tregti dhe shtegtoi me karvane, gjë e cila e ktheu atë një ndër pasanikët e Mekës dhe njëkohësisht zuri vend dhe pozitë në shoqërinë Mekase të asaj kohe. Umeri jetoi në injorancë, aq sa mundi të njohë mirë realitetin e saj, ndaj dhe është regjistruar prej tij shprehja e njohur: “Islami do të humbë fije-fije, nëse rriten në Islam njerëz të cilët nuk e njohin injorancën.”
Ai pajtonte dhe shuante grindjet te kurejshët, kur ata luftonin me njëri-tjetrin dhe në të njëjtën kohë ishte ambasador i kurejshëve kur hapnin luftë me të tjerët.
Islami dhe hixhreti i tij
Umeri (radijAll-llahu anhu) ishte i fortë, autoritar, i pashëm, me personalitet dhe sillej shumë keq me muslimanët. Thotë Seid bin Zejd (djali i xhaxhait të Umerit): “Uallahi, Umeri është ai i cili më ka lidhur për shkak se kisha pranuar Islamin.” Pra, kështu vepronte Umeri që të largonte muslimanët nga feja e tyre, por ashpërsia e tij e jashtme fshihte pas saj mëshirë dhe butësi.
Rrezja e parë që hyri në zemrën e Umerit, ishte ditën kur ai pa gratë kurejshe, të cilat braktisnin vendin e tyre për të shkuar në një vend të largët, si shkak i mundimeve që përjetonin prej tij dhe idhujtarëve. Kjo skenë ia theu zemrën, filloi ta vriste ndërgjegja, aq sa disave prej tyre ua shpalosi keqardhjen që ndiente për këtë.
Um Abdullah bint Hanteme thotë: “Kur po udhëtonin gjatë shpërnguljes për në Habeshe, erdhi Umeri dhe qëndroi para meje; më para përjetonin prej tij kërcënime, mundime e tortura. Ai më pa dhe më tha: ‘A po shkoni o Um Abdullah?’ I thashë: ‘Po, do të shkojmë në tokën e Allahut! Ju na munduat dhe na torturuat, ndaj ne do të largohemi derisa Allahu të na japë rrugëzgjidhje.’ Umeri i tha: ‘Allahu qoftë me ju!’ Pashë tek ai një dhembsuri dhe butësi, të cilën nuk e kam vërejtur kurrë më parë. Kur erdhi Amir bin Rrabia, bashkëshorti im, i cili kishte shkuar të kryente nevojat e tij, ia tregova këtë ngjarje. ‘Më duket se po shpreson Islamin e Umerit.’ – ma ktheu ai. ‘Po.’ – i thashë. Ai ma preu shkurt e më tha: “Kur të pranojë Islamin gomari i Hatabit, atëhere ka për ta pranuar edhe Umeri.
Dhe vërtet, shumë pak kohë pas kësaj ngjarjeje Umeri pranoi Islamin, por sigurisht edhe për shkak të lutjes që bënte Profeti (sal-lAllahu alejhi ve selem): “O Allahu im, ndihmoje Islamin me njërin prej këtyre të dyve, i cili është më i dashur për Ty: me Umer bin Hatabin ose me Ebu Xhehl bin Hishamin.” Dhe më i dashuri për Allahun e Lartësuar ka qenë Umeri. [2]
Për Islamin e Umerit kanë ardhur edhe transmetime të tjera, megjithëse duhet pohuar se ngjarja e mësipërme ndoshta është dhe shkaku më i fortë dhe real për Islamin e Umerit.
Në një version tjetër qëndron se ai një ditë, doli i ngjeshur me shpatë të mprehtë, për ta realizuar vrasjen e Profetit (sal-lAllahu alejhi ve selem).
Gjatë rrugës e takon Nuajm bin Abdullah el Adevijun, i cili e pyet: “Ku je nisur, o Umer?” Ai përgjigjet: “Dëshiroj ta mbys Muhamedin.” Ky i thotë: “Si do të mbrohesh nga familjet Benu Hashim dhe Benu Zehra, nëse e mbyt Muhamedin?” Umeri i tha: “Kështu mund të flasësh vetëm nëse e ke pranuar fenë e re dhe ke braktisur atë të vjetrën në të cilën ke lindur.” Atëherë njeriu i tha: “Mirë pra, po a dëshiron, o Umer, të të them diçka që ende nuk e di? Do të ishe i befasuar! Motra jote dhe dhëndri yt e kanë ndërruar fenë dhe e kanë braktisur fenë së cilës i takon ti.” Umeri u trondit shumë dhe niset në shtëpinë e tyre. Kur arrijnë, aty hasin Habab bin el Eretin. Në dorë e mbante një faqe të Kuranit ku shkruante “Ta-ha”. Këtë sure ia këndonte këtyre të dyve. Hababi shpesh vinte tek këta për t’ju kënduar Kur’an. Kur dëgjoi zërin e Umerit, u fsheh thellë në shtëpi, ndërsa Fatimja – motra e Umerit – fshehu faqen e Kur’anit. Kur hyri Umeri tek ata, tha: “Çfarë janë ato fjalë që i dëgjova kur arrita këtu?” “Ata u përgjigjën: “Asgjë, ne të dy bisedonim me njëri-tjetrin”. Ai tha: “A mos, vallë ju dy e keni ndërruar fenë?” Dhëndri tha: “O Umer, si mendon, nëse e vërteta është në anën e asaj feje tjetër, e jo në atë tëndën?” Umeri iu vërsul dhe e goditi fuqishëm. Motra e tij ndërhyri dhe e shkëputi nga burri i saj, kurse ai i dha një të shtyrë me dorë në faqe dhe e përgjaku, ajo e hidhëruar, i drejtohet: “O Umer, nëse feja tjetër është e drejtë, dhe e jotja e gabuar, atëherë dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është Pejgamber i Allahut.”
Kur e pa Umeri se çfarë i bëri motrës, së cilës i rridhte gjaku nga plaga në fytyrë, i erdhi shumë keq dhe u pendua. Pastaj ua kurseu jetën e tha: “Ma jepni atë fletë ta lexoj!” Motra i tha: “Ti je i papastër, e këtë nuk e marrin në dorë njerëzit e papastër, shko e pastrohu e pastaj merre Kuranin.” Kur e bëri këtë, e mori fletën dhe lexoi: “Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!” dhe tha: “Sa emra të bukur e të pastër!” dhe vazhdoi të lexojë “Ta-ha”, derisa erdhi tek ajeti: “Vërtet, vetëm Unë jam Allahu, nuk ka Zot tjetër pos Meje, pra vetëm Mua më adhuro dhe fale namazin, që të më kesh gjithnjë ndërmend!” [3] Umeri u ndal dhe tha: “Sa ligjërim i mrekullueshëm, nuk ka fjalë më të bukura se këto! Më dërgoni te Muhamedi!”
Kur Hababi i dëgjoi fjalët e Umerit, i doli para dhe i tha: “Përgëzohu, o Umer, unë do të dëshiroja që lutja, të cilën Profeti e tha të enjten në mbrëmje: ‘O Allahu im, ndihmoje Islamin dhe bëje të famshëm atë me Umer bin Hatabin ose me Ebu Xhehl bin Hishamin!’ në shtëpi në pjesën e ulët të Safasë, të dedikohet ty.”
Umeri mori shpatën, e ngjeshi në brez dhe u nis në shtëpinë e Ekremit, ku gjendej dhe Muhammedi (sal-lAllahu alejhi ve selem.). Trokiti në derë. Nga shtëpia përgjoi një njeri, e pa Umerin të ngjeshur me shpatë, u kthye brenda dhe e njoftoi Muhamedin (sal-lAllahu alejhi ve selem.) për këtë. Të pranishmit në shtëpi u shqetësuan. Hamza pyeti: “Ç’keni?” Thanë: “Umeri!” “E, çfarë nëse është Umeri? Hapjani derën! Nëse ka ardhur me qëllim të mirë, do ta presim mirë, e nëse ka ardhur me qëllim të keq, do ta mbysim me shpatën e tij.” Në shtëpi ishte Resulullahu (sal-lAllahu alejhi ve selem.) duke pranuar Shpalljen nga Allahu Xheleshanuhu. Pastaj kur doli, e hasi Umerin në dhomë. Ia mori pelerinën dhe shpatën, pastaj e përqafoi dhe i tha: “O Umer, a je i përgatitur që Allahu të të shpëtojë nga mjerimi në të cilin gjendesh? O Allahu im! Ky është Umer bin Hatabi! O Allahu im! Ndihmoje dhe bëje të njohur Islamin me Umer bin Hatabin!” Umeri tha: “Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër pos Allahut dhe dëshmoj se ti je Pejgamber i Allahut!”
Umeri pranoi Islamin, kurse të pranishmit filluan të këndojnë tekbire, sa që edhe mushrikët i dëgjuan në mesxhid.
Umer bin Hatabi e pranoi Islamin në muajin Dhulhixhe të vitit të gjashtë të pejgamberllëkut, vetëm tri ditë pas Islamit të Hamzës, ndërkohë që atëhere ishte vetëm njëzet e shtatë vjeç.
Transmeton Muxhahidi nga Ibn Abasi, i cili thotë: “E kam pyetur Umer bin Hatabin si e ka fituar pseudonimin El-Faruk?” Ai tha: “Hamza pranoi Islamin tri ditë para meje.” Pastaj më tregoi se si e kishte pranuar Islamin, e në fund më tha: “Pikërisht, kur pranova Islamin pyeta: “O Resulullah! A jemi në anën e drejtë, qofshim gjallë apo të vdekur?” Më tha: “Po, pasha Krijuesin tim, ju jeni në anën e drejtë, qofshi gjallë apo të vdekur.” Umeri tha: “E përse atëherë jemi duke u fshehur? Pasha Krijuesin, i Cili ta dërgoi të Vërtetën, do të dalim së bashku me ty. Pastaj dolëm jashtë. Hamza para tij, unë pas tij, e ai mes nesh sikurse në rreshta. Hymë në mesxhid. I shikova kurejshitët dhe Hamzën. I kishte kapluar pikëllimi sikurse kurrë më parë. Resulullahu (sal-lAllahu alejhi ve selem.) më quajti El-Faruk.” [4]
Ibni Mesudi, radijallahu anhu, ka thënë: “Kurrë nuk kemi mundur të falemi të qetë në Kabe, gjersa Umeri e pranoi Islamin.” [5]
Transmetohet nga Suhejb Er-Rumiju se ka thënë: “Kur Umeri pranoi Islamin, Islami u forcua dhe ne filluam të ulemi në hallkë rreth Kabes. U ngritëm që publikisht ta bëjmë tavafin rreth Kabes dhe në kalim e sipër takoheshim me ata të cilët na bërtisnin, e edhe ne u përgjigjeshim ashtu siç meritonin.” [6]
Transmetohet nga Abdullah bin Mesudi: “Kemi qenë të ndihmuar dhe të forcuar që kur Umeri pranoi Islamin.”
Ndërsa në lidhje me emigrimin e tij dhe mënyrën se si e ka kryer atë ka disa rrëfime, njëri prej tyre është ai të cilën Umeri e ka treguar vetë, ku ai dhe dy sahabë të tjerë caktuan në mënyrë të fshehtë vendin se ku do të takoheshin në dalje të Mekës dhe kohën kur do të takoheshin.
Nëse dikush prej tyre vonohej, të tjerët duhet të shkonin e të iknin fshehurazi në mënyrë që të mos e kuptonin kurejshët se ata po emigronin dhe kështu do të mund t’i ndalonin.
Dhe ashtu bënë: Umeri dhe Ajashi u gjendën në vendin e caktuar pikërisht ashtu sikur dhe e kishin lënë dhe e kuptuan se shoku i tyre ishte kapur dhe penguar nga kurejshët, ndaj dhe u nisën për në Medinë. Por qëndron edhe versuoni tjetër, se në momentin kur ai vendosi të emigrojë, shkoi në Kabe, e ngjeshi shpatën në brez dhe kur takoi idhujtarët bërtiti me të madhe duke thënë: “Dijeni se unë nesër do të emigroj, kush dëshiron ta lërë gruan të ve, fëmijët jetimë dhe nënën në zi, le të më takojë në filan vend.” Por kur mori rrugën, askush nuk i doli për t’u përballur, kështu që ishte i vetmi i cili emigroi duke e bërë publik emigrimin e tij.
Umeri në Medinë dhe konntributi i tij në të
Umeri ishte një nga figurat kryesore në shoqërinë islame. Atë gjithmonë do ta shihje përkrah Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem, madje ai ishte një ndër konsulentët kryesorë për të pas Ebu Bekrit.
Umeri mori pjesë në të gjithë luftërat që ndërmori Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, madje kontributi i tij nuk ishte i kufizuar vetëm në anën trupore, por ai kontribuoi edhe ekonomikisht në ndihmë të luftës dhe thirrjes islame.
Madje Umeri në shumë nga mendimet e tij ka patur një përputhje të vërtetë me vendimet e Allahut dhe se Allahu shpeshherë ka zbritur ajete të cilat kanë përkrahur konsultat dhe opinionin e Umerit. Nga këto mund të përzgjidhnim aprovomin që Allahu i bëri Umerit në lidhje me mbulesën. Umeri një ditë i tha Profetit: “O i Dërguar i Allahut, në shtëpinë tënde hynë njerëz të ndryshëm, të mirë e të këqinj, përse nuk vë perde mes grave tua dhe burrave të huaj?” dhe nuk zgjati shumë kur Allahu urdhëroi për mbulesën.
Qëndrimi i Umerit në lidhje me lënien e namazit të xhenazes për munafikun. Umeri i tha Profetit, alejhi selatu ue selam, kur dëshiroi t’i falë namazin e xhenazes kryemunafikut, Abdullah bin Ubejit: “Si mund t’ia falësh atij namazin, ndërkohë që ai ka bërë këtë e atë.” dhe filloi t’i përmendte Profetit bëmat e Abdullah bin Ubejit, por Profeti pasi buzëqeshi i tha: “Allahu më la të zgjedh dhe unë zgjodha t’ia fal atij xhenazen, por menjëherë mbas kësaj ngjarjeje vjen shpallja nga Allahu, që e ndalon Profetin të falë xhenazen e hipokritëve si dhe të qëndrojë në varrin e tyre.”
Qëndrim tjetër të cilin Allahu ia mbështeti Umerit, ishte kërkesa që ai i bëri Profetit që të ndalonte njerëzit të hynin në shtëpitë e të tjerëve pa kërkuar leje më parë, dhe Allahu zbriti ajetet ku i urdhëronte besimtarët të kërkonin leje para se të hynin në shtëpitë e të tjerëve.
Ndërsa në një rast tjetër Umeri iu drejtua Profetit duke thënë: “O i Derguari i Allahut, sikur ta marresh mekamin e Ibrahimit vendfaljeje.” Atëherë Allahu zbriti fjalen e Tij: “Merreni mekamin e Ibrahimit vendfaljeje!” (Bekarah, 125).
Umeri, radijallahu anhu, ishte njeri me sedër dhe i ashpër ndaj idhujtarëve. Në luftën e Uhudit, në të cilën muslimanët pësuan disfatë dhe Profeti me besimtarët u tërhoq në malin e Uhudit, Ebu Sufjani pasi pa këtë situatë tha: “A është Muhamedi me ju?” Profeti u tha njerëzve: “Mos u përgjigjni!” Ebu Sufjani pyeti përsërisht: “A është me ju, Ebu Bekri?” Sahabët sërisht nuk folën dhe Ebu Sufjani pyeti për të tretën herë: “A është me ju Umeri?” Sahabët sërisht nuk iu përgjigjën. Ebu Sufjani atëhere tha: “Këta njerëz janë vrarë e kanë vdekur, se po të ishin gjallë, do të përgjigjeshin.” Atëhere Umerit nuk iu durua, thirri me të madhe duke thënë: “Gënjeve o armik i Allahut! Allahu i ka lënë në jetë ata të cilët të bëjnë të dëshpërohesh.”
Pozita dhe vlera e Umerit:
01 – Ka qenë ndër njerëzit e dashur për Profetin, sal-lAllahu alejhi ve selem, (pas Ebu Bekrit) të cilin kur e pyetën se kush ishin njerëzit më të dashur tek ai, Umeri vinte menjëherë pas Ebu Bekrit.
02 – Ka qenë njeri i dijshëm. Njëherë Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, tha: “Ndërkohë që isha në gjumë, pashë sikur po pija qumësht, aq sa vura re se po më kullonte nëpër gishtërinj, pastaj atë (enën) e mori Umeri.” “Si e komenton atë o i dërguar i Allahut?” – e pyetën njerëzit. “Dije.” tha ai. [7] Dhe dija në këtë hadith është udhëheqja e njerëzve me librin e Allahut dhe sunetin e Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem.
03 – Ai ka qenë fetar tejet i madh. Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, njëherë tha: “Ndërkohë që isha në gjumë, pashë disa njerëz që më shfaqeshin para syve dhe ata ishin të veshur me këmisha. Prej tyre pashë që i kishin ato deri në gjoks, madje pashë të tjerë që i kishin edhe më të vogla se aq, ndërkohë kalon Umer bin Hatabi dhe ai kishte një këmishë të gjatë, të cilën e zvarriste nëpër rrugë.” “Si e komenton atë o i Dërguar i Allahut?” – e pyetën njerëzit. Tha: “Feja.” [8] Pra, një njeri tejet fetar.
04 – Shejtani frikësohet prej Umerit. Njëherë Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, i tha: “Pasha atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, kur ti merr një rrugë, shejtani merr një rrugë të ndryshme nga e jotja.” [9] Pra, ky hadith tregon qartë se shejtani nuk gjente dot rrugë që të hynte e të arrinte për tek Umeri.
05 – Umeri ka qenë njeri i inspiruar dhe një gjeni i vërtetë. Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem , ka thënë: “Në çdo popull ka patur njerëz të inspiruar, e nëse do të kishte të tillë në umetin tim, ai është Umeri.” [10]
Nga Ibnu Umeri përcillet se Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, ka thënë: “Me të vërtetë Allahu e ka vendosur të vërtetën në gjuhën dhe zemrën e Umerit.” [11]
06 – Profeti e përgëzon me kështjellë në Xhenet. Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, ndër të tjera ka thënë: “Pashë sikur hyra në Xhenet dhe aty vura re Rumejsan, bashkëshorten e Ebu Talhës dhe dëgjova gjurmë e pyeta se cili është ky. Më thanë se ai është Bilali. Pashë një kështjellë, në oborrin e së cilës gjendej një vajzë dhe pyeta se e cilit është. “E Umerit.” – më thanë. Desha të hyja brenda e ta shihja, por kujtova xhelozinë tënde dhe nuk e bëra.” Umeri ia ktheu: “Kurban t’u bëftë nëna dhe babai im, si mund të kem xhelozi ndaj teje?!” [12]
07 – Profeti e përgëzom sërisht me Xhenet. Ebu Musa el Eshariu rrëfen: “Isha me Profetin në njërin prej kopshteve të Medinës, ndërkohë që erdhi dikush dhe kërkoi leje të hynte. Profeti më tha: ‘Hapja atij derën dhe përgëzoje me Xhenet!’ Ia hapa atij derën dhe pashë se ishte Ebu Bekri.
E lajmërova për atë që tha Profeti dhe ai e falënderoi Allahun. Më pas erdhi dikush tjetër dhe kërkoi leje të hynte. Profeti më tha: ‘Hapja atij derën dhe përgëzoje me Xhenet!’ Ia hapa atij derën dhe pashë se ishte Umeri. E lajmërova për atë që tha Profeti dhe ai e falënderoi Allahun. Sërisht erdhi dikush tjetër dhe kërkoi leje të hynte. Profeti më tha: ‘Hapja atij derën dhe përgëzoje me Xhenet, për shkak të një sprove që do ta godasë!’ Ia hapa atij derën dhe pashë se ishte Uthmani. E lajmërova për atë që tha Profeti dhe ai e falënderoi Allahun. Pastaj tha: ‘Allahu është ndihmuesi më i mirë.’” [13]
Përcillet nga Ebu Seidi se Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, ka thënë: “Me të vërtetë banorët e gradave të larta do të shihen nga poshtë nga ata që janë poshtë tyre, ashtu siç shihet ylli i lartësuar në qiell, dhe me të vërtetë Ebu Bekri dhe Umeri do të jenë prej tyre, madje prej më të mirëve të tyre.” [14]
08 – Atë e donin dhe e çmonin të gjithë besimtarët. Përcillet nga Ibën Ebi Mulejkeh, i cili e ka dëgjuar Ibën Abasin duke thënë: “U vendos Umeri mbi shtratin e tij të vdekjes dhe u mblodhën njerëzit rreth tij duke u lutur për të para se ta ngrinin. Unë isha i pranishëm aty, kur papritmas më befasoi (frikësoi) një njeri që kishte kapur supin tim, e kur shoh pas meje, ishte Ali bin Ebi Talibi, i cili pasi që u lut për Umerin tha: ‘Nuk di njeri më të dashur tek unë, që do të dëshiroja ta takoja Allahun (Xheleshanuhu) me punë të mira si punët e tij, përveç teje. Unë gjithmonë besoja dhe isha i bindur se Allahu do të të bashkonte me dy shokët e tu, sepse më kujtohet se sa shumë e dëgjoja Profetin, sal-lAllahu alejhi ve selem, duke thënë: ‘Shkova unë, Ebu Bekri dhe Umeri’, ‘Hyra unë, Ebu Bekri dhe Umeri’, ‘Dola unë, Ebu Bekri dhe Umeri’.” [15]
Hilafeti i Umerit
Marrja në dorëzim e halifatit dhe besatimi i sahabëve
N.q.s. për Ebu Bekrin ishte Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, ai i cili u bëri shenjë muslimanëve ta pranonin për halife, në rastin e Umerit ishte Ebu Bekri (radijAll-llahu anhu), ai që e la me porosi (me testament) që të zgjidhej Umeri si halife i muslimanëve.
Në radhë të parë Ebu Bekri u konsultua me njerëzit, të cilët ia besuan Ebu Bekrit për të caktuar prijësin e muslimanëve, pastaj ai urdhëroi që të mblidheshin njerëzit dhe u tha atyre: “O ju njerëz, mua më erdhi caktimi i Allahut (Xheleshanuhu), ashtu siç po e shikoni, ndaj patjetër duhet ta keni një njeri, që merr përsipër çështjen tuaj, ju prin në namaz, ju urdhëron për çështjet e ndryshme dhe lufton së bashku me ju kundër armikut tuaj. Prandaj, n.q.s. jeni dakord, unë do t’ju jap mendimin tim. Pasha Allahun, i Cili nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij, n.q.s. unë e di në veten time se diçka është e mirë për ju, nuk jua fsheh atë.” Pastaj filloi të qante dhe së bashku me të edhe ata që ishin të pranishëm. Njerëzit thanë: “O zëvendësi i Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem, ti je më i dituri dhe më i miri prej nesh, prandaj zgjidh për ne kë të duash.” Atëherë Ebu Bekri tha: “Unë do të bëj përpjekjen time që të zgjedh për ju më të mirin tuaj In sha'Allah .” [16] Ebu Bekri thërriti Uthmanin dhe i tha: “Shkruaj:
Bismilahir-Rrahmanir-Rrahim!
Kjo është ajo porosi të cilën Ebu Bekr bin Ebi Kuhafe e la në momentin e fundit të tij nga kjo botë, duke dalë prej saj dhe momenti i parë i tij në lidhje me Ahiretin, duke u futur në të, momenti në të cilin beson edhe ai që është kafir, bindet plotësisht mëkatari dhe i mbushet mendja përgënjeshtruesit.
Unë po ju lë si halife tuajin pas meje, Umer bin el Hatabin, prandaj dëgjojeni atë dhe binduni atij. N.q.s. ai mban drejtësi, ky është mendimi dhe dija që kam unë për të, ndërsa n.q.s. sillet ndryshe, çdo njeri ka përgjegjësi për mëkatet e tij. Unë ju dua të mirën, por nuk e di të fshehtën, më vonë do ta marrin vesh ata që bëjnë padrejtësi se çfarë përfundimi do të kenë, dhe "Es-Selamu Alejkum Ve Rahmetullah Ve Berekatuhu." (paqja, mëshira, bereqeti i Allahut qofshin mbi ju)” [17]
Kur vdiq Ebu Bekri, të gjithë banorët e Medinës i dhane besën Umerit dhe më 23, Xhemedi el Akhir, 13 pas Hixhrit, ai u emërua si Halife i Muslimanëve. Ishte i pari person që u quajt Emirul Muminine.
Pas marrjes së postit, Umeri iu drejtua muslimanëve të Medinës:
01 – “O njerëz, ju posedoni disa të drejta ndaj meje, të cilat mund t’i kërkoni gjithnjë.
02 – Një nga të drejtat tuaja është se nëse ndonjëri prej jush vjen tek unë me ndonjë kërkesë, ai do të kthehet i kënaqur.
03 – E drejtë tjetër e juaja është që ju keni të drejtë të më ndaloni nga përdorimi jo i drejtë i pasurisë së Shtetit.
04 – Ju po ashtu keni të drejtë të kërkoni nga unë, që t’i pëforcoj kufijtë dhe mos t’ju nënshtroj para rrezikut.
05 – Është po ashtu e drejtë e juaja, që në rast se shkoni në luftë, të kujdesem për familjet tuaja, ashtu si kujdeset babai juaj, kur ju nuk jeni të pranishëm.
06 – O njerëz, qëndroni të nënshtruar Allahut (Subhanehu ve Teala), më falni për gabimet dhe më ndihmoni në misionin tim. Më ndihmoni të urdhëroj në të mirë dhe të ndaloj nga e keqja.
07 – Më këshilloni në lidhje me obligimet, të cilat më janë obliguar nga Allahu (Subhanehu ve Teala)”.
Rruga që ndoqi Umeri për drejtimin e shtetit
Umeri (radijAll-llahu anhu) eci sipas së njëjtës mënyrë që ndoqi paraardhësi i tij Ebu Bekri. Kur Ebu Bekri (radijAll-llahu anhu) vdiq, Umeri (radijAll-llahu anhu) u ngjit në minber, ku pasi falënderoi dhe lavdëroi Allahun (Xheleshanuhu) tha: “O ju njerëz, unë do bëj një lutje, prandaj thoni ‘Amin!’. O Zot unë jam i ashpër prandaj më bëj që të jem i butë me ata që të binden ty, duke iu përmbajtur së vërtetës, duke kërkuar fytyrën Tënde, duke kërkuar botën tjetër! O Zot, më bëj të ashpër e të egër kundër armiqve të Tu, kundër munafikëve dhe njerëzve të prishur, pa u bërë padrejtësi atyre nga ana ime! O Zot, unë jam koprrac, prandaj më bëj mua bujar (dorëdhënës) pa e tejkaluar në shpenzime, pa syefaqe dhe mburrje! O Zot, më bëj që të kërkoj me këto vepra fytyrën Tënde dhe botën tjetër! O Zot më mundëso të jem modest e i përulur dhe të jem i butë me muslimanët!” [18]
Pra, në këtë hytbe shihet qartë rruga që do të ndiqte Umeri, hytbe e cila ishte e ngjashme me atë të Ebu Bekrit (radijAll-llahu anhu). U shfaq gjatë halifatit të tij një politikë e mirë, një sistem i rregullt, një mirorganizim i administratës dhe financës. Planifikoi çlirimin e tokave të reja, ndoqi politikën e zonave të hapura (të lira), mundohej të plotësonte sa më shumë interesat e popullit dhe mbante drejtësi mes tyre. Nuk ia lejonte vetes të merrte nga Bejtul Mali (buxheti i shtetit) më shumë sesa një rrobë për dimër, një rrobë për verë, një deve për udhëtim dhe ushqim ditor mesatar, aq sa merrte çdo muhaxhir tjetër. Hytbet e tij, letrat dhe mesazhet që ua dërgonte komandantëve të ushtrive dhe njerëzve të caktuar në krye të vendeve, na tregojnë qartë për ndjenjën e thellë të përgjegjësive, e shoqëruar kjo me mbështetje dhe besim të fortë në Allahun (Xheleshanuhu).
Por megjithëkëtë, prapë Umeri mbeti një njeri i thjeshtë, thjeshtësia dhe modestia e tij bie në sy nga çdokush.
Njëherë Umeri kishte një konflikt me një grua dhe kur dolën para gjykatësit, kur hyri Umeri, gjykatësi u ngrit në këmbë. Umeri i tha gjykatësit: “Kjo është padrejtësia e parë që i ke bërë kësaj gruaje.”
Ndërsa në lidhje me adhurimin ai ishte një njeri që jepte shembull.
Nga historitë që tregohen në lidhje me ibadetin e Umerit: Ai po falej një ditë dhe po lexonte suren “Jusuf”, derisa erdhi tek ajeti: “Une ia paraqes ankesen e mërzisë dhe pikëllimit tim Allahut”, qau shumë, aq sa dhe mjekra ju lag.
Një ditë po falej si imam në namazin e sabahut dhe lexoi ajetin: “Ndalojini aty, sepse do merren në pyetje”, filloi të qante derisa u alivanos përdhe dhe u sëmur një muaj rresht.
Një natë para se të flinte tha me vete: “Sikur t’i falja dy rekate dhe pastaj të fle. Filloi të lexonte nga xhuzi “Ame” ajetin e parë të sures “Nebe”: “Për çfare ata pyesin njëri-tjetrin, për lajmin e madh”, filloi të qante dhe nuk vazhdonte dot më tej në lexim, vazhdoi të qante deri në agim.
Një dite tjeter lexoi suren “Mudethir” derisa arriti tek ajetet: “Përkujto ditën kur do fryhet në Sur, ajo do të jetë Ditë e vështirë, për kafirët nuk do të jetë aspak e lehtë”, atëherë qau derisa u alivanos përdhe.
Punët më të rëndësishme që ndërmori Umeri (radijAll-llahu anhu)
Umeri (radijAll-llahu anhu) filloi të organizonte shtetin me një vullnet të pathyeshëm, gjë e cila e ndihmoi shumë në përballimin e problemeve të jetës, kërkesave të shumta në varësi të situatave të reja, sidomos me zgjerimin e shtetit islam nga të katër anët e horizontit.
Disa nga punët më të rëndësishme janë:
01 – Formimi për herë të parë i regjistrave, si p.sh. regjistri i ushtrisë. i cili në kohën e sotme i përngjan ministrisë së mbrojtjes, regjistri i pasurisë, i cili i ngjason ministrisë së financës.
02 – Themeloi Bejtul Malin (buxhetin e shtetit), caktoi gjykatësit, shkruesit, vuri në përdorim paratë (kartëmonedhat), zhvilloi postën, sistemin e llogarisë, dërgonte njerëz në tokat e çliruara për t’u mësuar njerëzve Islamin, si dhe bëri bazë për fillimin e kalendarit islam emigrimin e Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem, duke qenë se emigrimi i tij ishte fillimi real i ngritjes së shtetit islam.
03 – I kushtonte rëndësi gjendjes së popullit dhe kjo shihet qartë në interesin që tregonte për familjet e varfra dhe udhëtimet e tij natën, për të parë gjendjet dhe shqetësimet e njerëzve.
04 – E pa më të arsyeshme që t’i linte tokat e çliruara në pronësi të banorëve të këtyre tokave, sesa t’ua shpërndante muxhahidëve, me kusht që pronarët e tokave të paguanin haraxhin (taksën e tokës).
05 – Bëri ndarjen e tokave të çliruara në krahina dhe caktoi në krye të çdo krahine një zëvendës në atë vend, përgjegjës i cili paguhej me rrogë nga Bejtul Mali (Arka e buxhetit të shtetit). Për të qenë përgjegjës zgjidheshin njerëz të mirë të devotshëm dhe që ishin të aftë në drejtimin e punëve.
06 – Urdhëroi ngritjen e një sërë qytetesh të reja në tokat e çliruara si p.sh. : Kufe dhe Basra në Irak, qyteti i Fistatës në Egjipt e të tjera qytete si këto, që do të shërbenin si qendra të shtetit islam në këto vende.
Çlirimet në kohën e Umerit
Ndër preokupimete tij kryesore ishte vazhdimi i xhihadit, përhapja e Islamit dhe vazhdimi i çlirimeve, të cilat i filloi Ebu Bekri (radijAll-llahu anhu) në tokat e persëve dhe bizantëve.
Çlirimi i Irakut dhe tokave perse
01) – Pasiqë u qetësua për gjendjen e ushtrisë në Sham, Umeri e përqendroi vëmendjen e tij (radijAll-llahu anhu) në çlirimin e Irakut dhe tokave perse. Aq e rëndësishme ishte për halifen, çlirimi i këtyre tokave, saqë dëshiroi ta drejtonte vetë ushtrinë, mirëpo muslimanët e këshilluan që më mirë ishte të rrinte në Medinë dhe të caktonte njërin prej sahabëve të mëdhenj si komandant. Umeri ra dakort me këtë mendim dhe caktoi si komandant të ushtrisë Sad bin ebi Uekasin.
Beteja e Kadisijes, viti 15 H.
02) – U nis Sad ibn ebi Uekasi drejt Irakut, i cili në atë kohë ishte pjesë e shtetit të madh pers.
Persët e ndjenë rrezikun që po u afrohej, prandaj mbreti i tyre Jerdu Xhurd mblodhi një ushtri të madhe e cila numëronte rreth 80.000 ushtarë të stërvitur dhe pajisur në formën më të mirë.
Si komandant i ushtrisë perse u caktua një ushtarak me përvojë që quhej Rustum, gjithashtu ushtria shoqërohej nga 33 elefantë.
Kur u ballafaquan dy ushtritë me njëra-tjetrën, Rustumi kërkoi nga Sadi ebi bin Uekasi që të dërgonte një burrë të zgjuar e të dijshëm, ashtu që ta pyeste rreth disa çështjeve, sepse ai (Rustumi) çuditej se çfarë i bëri arabët të ndryshonin kaq shumë, kur dihej se më parë ata kanë qenë gjithmonë të nënshtruar dhe pa kurrfarë peshe në krahasim me persët. Sad ibn ebi Uekasi dërgoi disa persona njëri pas tjetrit tek Rustumi, mes të cilëve ishte Ribij bin Amiri. Hyri Ribije te Rustumi, i cili kishte urdhëruar që dhoma ku do bëhej takimi, të zbukurohej me shtroja prej mëndafshi, me jastëkë të qëndisur me flori, mbushur vendi me perla, diamante dhe zbukurime të tjera. Rustumi ishte ulur në një krevat floriri dhe në kokë mbante kurorën e tij, e cila i merrte shikimet e njerëzve. Ndërsa Ribija ishte i veshur me disa rroba të vjetra e të grisura, mbante me vete armët e tij, mburojën, përkrenaren dhe ishte i hipur mbi një kalë të vogël. Kur hyri dhe pa zbukurimet e tyre dhe mburrjen e tyre, deshi t’u tregonte se atij nuk i interesonin aspak dhe as që ua hidhte sytë zbukurimeve të tyre. Prandaj kur hyri brenda me kalin e tij, shkeli mirë e mirë shtrojat e shtrenjta, pastaj zbriti dhe e lidhi kalin e tij te disa jastëkë. U afrua me kokën lart, me hapa të vendosur, me armët ngjeshur. I thanë: “Lëri armët!” Tha plot krenari: “Unë nuk erdha me dëshirën time, jeni ju ata që më thërritët, prandaj më lini kështu ose u ktheva.” Rustumi tha: “Lëreni të afrohet.” U afrua duke u mbështetur me shtizën e tij mbi jastëkët e shtrenjtë, derisa i grisi shumicën e tyre. Rustumi tha: “Çfarë ju ka sjellë këtu?” Tha: “Allahu na ka dërguar që të nxjerrim atë që Ai do, nga adhurimi i njerëzve tek adhurimi i Allahut, nga ngushtica e kësaj bote tek gjerësia e saj, nga padrejtësia e feve në drejtësinë e Islamit. Gjithashtu na ka dërguar te njerëzit që t’i thërrasim ata te feja e Allahut, prandaj kush e pranon këtë fe, ne tërhiqemi prej tij dhe kthehemi mbrapsht, ndërsa kush e refuzon këtë fe, do ta luftojmë derisa të arrijmë premtimin e Allahut.” Tha: Ç’farë është premtimi i Allahut?” Tha: “Xheneti për atë i cili vritet në luftë ose fitorja për atë që ngelet gjallë.” Rustumi kërkoi një afat derisa ta studionin këtë çështje, mirëpo Ribije nuk i dha afat më shumë se tri ditë duke i thënë: “Nuk na ka mësuar Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, që t’i japim afat armikut më shumë se tri ditë kur të ballafaqohemi me të.” Rustumi tha: “A ti je i pari i tyre?” Tha: “Jo, por muslimanët janë si një trup i vetëm.” Ribije bin Amiri u kthye, ndërsa Rustumi mblodhi më të zgjedhurit e popullit të tij duke diskutuar, Rustumi tha: “A keni dëgjuar ndonjëherë fjalë më të mençur dhe më krenare sesa fjala e këtij burri?” Thanë: “Ki kujdes, mos e lër fenë tënde dhe të anosh nga fjala e atij qeni, a nuk e pe se ç’rroba kishte veshur?” Rustumi tha: “Mjerë për ju, mos shikoni rrobat por shikoni fjalën dhe mendimin. Me të vërtetë muslimanët nuk i japin rëndësi veshjes, ushqimit dhe prejardhjes.” Pas kësaj Sad ibn Ebi Uekasi dërgoi një person tjetër, Mugira bin Shubehn. Kur hyri te persët, Rustumi i tha atij: “Ju jeni fqinjët tanë dhe ne gjithmonë ju kemi mbrojtur dhe ju kemi bërë mirë, prandaj kthehuni në vendin tuaj dhe ju premtojmë se nuk do ta pengojmë tregtinë tuaj.” Tha Mugira: “Ne nuk duam jetën e kësaj bote, qëllimi ynë dhe ajo që ne kërkojmë është bota tjetër. Allahu (Xheleshanuhu) ka dërguar te ne profet me fenë e vërtetë, nuk ka person që largohet nga kjo fe veçse poshtërohet.” Pas këtyre debateve u vendos të fillohej lufta. Dy ushtritë u takuan dhe u përplasn ashpër me luftime gjatë gjithë ditës dhe pjesën më të madhe të natës. Kjo gjendje vazhdoi për tri ditë, por ajo që duhet të theksohet është se muslimanët vuajtën shumë nga elefantët, të cilët i frikësonin kuajt arabë që nuk ishin mësuar të shihnin elefantë. Megjithatë luftëtarët trima muslimanë bënë durim dhe luftuan me guxim derisa arritën fitoren me ndihmën e Allahut dhe suksesin e Tij. Dikujt i lindi ideja e goditjes së elefantëve me shigjeta në sy, ashtu që të zmbrapseshin, si dhe ua mbyllën sytë kuajve të tyre, që të mos i shihnin elefantët. Në ditën e katërt Allahu dërgoi një erë të fortë, e cila shkatërroi kampin e mexhusëve persë duke i bërë ata të shpartalloheshin dhe të arratiseshin nga të mundeshin. Në këtë betejë u vranë dhjetë mijë persë, mes tyre dhe komandanti Rustum, ndërsa nga muslimanët ranë shehidë rreth dymijë e pesëqind. Me këtë betejë u forcua pozita e Islamit, u ngrit lart fjala e Allahut, u krijua autoritet i fortë i muslimanëve tek arabët dhe joarabët. Gjithashtu u përhap udhëzimi i Islamit dhe drejtësia e tij duke dëbuar errësirën e kufrit dhe shirkut. [19]
Çlirimi i Shamit
03) – Bizantët e morën vesh për shkeljen e muslimanëve në tokat e tyre, ndaj i shkruajtën Heraklit, i cili ndodhej në Kuds. Ai u tha: “Mendimi im është të bëni kompromis me muslimanët, sepse Uallahi është më mirë t’u jepni gjysmën e Shamit dhe do t’ju mbetet gjysma tjetër së bashku me vendet bizantine, sesa të mposhteni në Sham dhe në gjysmën e vendeve bizantine. Kjo këshillë i zemëroi komandantët e ushtrisë bizante dhe menduan se kjo fjalë ishte pasojë e dobësisë në karakterin e Perandorit bizant. Herakli, kur pa këtë qëndrim të ushtrisë, u dorëzua para vendimit të tyre dhe hyri në luftë duke mbledhur të gjitha forcat dhe u përqendrua në qytetin e Himsit, ku përgatiti ushtri të madhe dhe të pajisur mirë.” [20]
Beteja e Jermukut (viti 15 h)
04) – Pasi që Herakliu pa fitoret e njëpasnjëshme të muslimanëve, mblodhi të gjithë ushtarët që kishte në dispozicion për t’u përplasur me ushtrinë muslimane. Këto forca ishin nën komandën e vëllait të Heraklit, i cili e përqendroi ushtrinë pranë lumit Jermuk, njërit prej lumenjve të vegjël që furnizon lumin Jordan. Ndërsa ushtria muslimane, e cila ishte nën komandën e Ebu Ubejdes, zbriti dhe u vendos përballë bizantëve. Duke parë numrin e madh të bizantëve, Ebu Ubejde ngarkoi Halid bin Uelidin që të organizonte ushtrinë në formacion lufte.
Halid bin Uelidi i bëri ushtrisë një rregullim që nuk ishte parë kurrë nga arabët. Sulmuan kalorësit muslimanë me trimëri të rrallë derisa arritën të ndanin ushtrinë bizantine në dy pjesë, kalorësit veç dhe këmbësorët veç. Kjo ndarje si dhe goditjet e kalorësve muslimanë, bënë që kalorësia bizante të tërhiqej duke lënë mijëra të vrarë në fushëbetejë. Pas kësaj e gjithë ushtria muslimane u hodh mbi këmbësorinë bizante, të cilët ose binin në tokë të vrarë, ose mbyteshin në lumë. Ishte kjo fitore e bujshme e muslimanëve goditja kryesore shkatërruese e Perandorisë Bizantine. Në këtë betejë u vranë më shumë se njëqind mijë bizantë dhe rreth tre mijë shehidë nga muslimanët.
Çlirimi i Egjiptit
05) – Egjipti në atë kohë ishte nën sundimin bizant dhe me besim të krishterë si bizantët. Megjithëse ishin të së njëjtës fe, bizantët i shtypnin egjiptianët dhe u vendosnin taksa nga më të ndryshmet, saqë edhe n.q.s. donin të varrosnin të vdekurit duhet të paguanin gjobë. U nis Amru bin Asi në krye të katër mijë ushtarëve muslimanë nga Shami për në Egjipt. Me gjithë vështirësitë që hasën në kalimin e dunave të rërës, arritën në qytetin Arish, të cilin e hapën pa rezistencë. Kjo ndodhi në fund të vitit 18 H. Pastaj vazhduan drejt qytetit Ferma, të cilin e çliruan pas një muaji e gjysmë rrethimi, pra në fillim të vitit 19 H. Në çlirimin e këtij qyteti muslimanët u ndihmuan nga egjiptianët, të cilët ishin mërzitur nga regjimi bizantin. Pastaj vazhdoi përpara Amru bin Asi derisa arriti në qytetin Belbis, të cilin e çliroi pas një lufte të ashpër e të pandërprerë, e cila zgjati një muaj rresht. Pastaj eci drejt qytetit Umu Denin, ku u ndez një luftë e egër, pasi bizantët ishin të mbyllur në kala mbrojtëse që njiheshin si më të fortifikuarat e asaj kohe, por me ndihmën e Allahut u bë i mundur çlirimi i këtij qyteti. Vazhdoi çlirimi i qyteteve të njëpasnjëshme derisa Egjipti u bë krahinë muslimane. [21]
Historia e shehidllëkut të Umer bin el Hatabit
Umeri (radijAll-llahu anhu) u vra nga dora e Feiruzit ose si quhej ndryshe Ebu Lulueh, skllavi i Mugira bin Shubehs. Ky mexhus ishte sjellë nga Iraku për t’i mësuar muslimanëve disa lloje zanatesh që ai posedonte si p.sh. : zdrukthëtarinë, gdhendjen, kovaçanën etj. Ai kishte përgatitur një thikë të veçantë me dy maja e të helmosur, për të vrarë halifen e muslimanëve, gjë të cilën e arriti në një namaz sabahu, pasi kishte filluar namazi. Ai e goditi Umerin gjashtë herë, njëra prej këtyre goditjeve ishte poshtë kërthizës, e cila u bë shkak për vdekjen e tij. Kjo ndodhi më 23 Dhulhixhe të vitit 23 H. Bashkë me Umerin vrasësi theri edhe 13 burra gjatë ikjes së tij mes safeve, ku shtatë prej tyre vdiqën. Në fund ky kriminel, kur e kuptoi se do të kapej, u vetëvra. Pas kësaj Umeri jetoi edhe tri ditë të tjera e ndërroi jetë më datë 26 të muajit Dhulhixhe. E lau, e qefinosi dhe ia fali namazin djali i tij, Abdullahi, dhe u varros pranë dy shokëve të tij. Halifati i tij zgjati dhjetë vjet e gjashtë muaj. Transmeton Buhariu nga Amru bin Mejmuni, i cili thotë: “Isha në këmbë afër Umerit (radijAll-llahu anhu), ku mes meje dhe tij ishte vetëm Abdullah bin Abasi, në mëngjesin e asaj dite në të cilën u vra. Ishte Umeri (radijAll-llahu anhu) që kalonte mes safeve dhe u thoshte: ‘Drejtohuni!’, derisa nuk shikonte boshllëqe, e atëherë dilte përpara dhe merrte tekbir. Lexoi në rekatin e parë suren ‘Jusuf’ ose ‘Nahl’, ashtu që të priste njerëzit derisa të vinin. Kur mori tekbir (për ruku) e dëgjova të thoshte në momentin e therjes: ‘Më vrau qeni.’. Pastaj vrasësi u tërhoq duke kaluar mes safeve dhe therte kë të gjente majtas e djathtas, duke therur kështu 13 burra, shtatë prej të cilëve vdiqën. Duke parë këtë situate, një burrë prej muslimanëve i hodhi një rrobë përsipër kriminelit. Vrasësi, kur u bind se do kapej, vrau veten. Ndërkohë Umeri (radijAll-llahu anhu) kapi për dore Abdu Rrahman bin Aufin dhe e nxori përpara. Ata që ishin prapa Umerit e panë se ç’ndodhi, ndërsa ata që ishin në cepa nuk morën vesh gjë, biles filluan të thonë Subhanallah, kur humbi zëri i Umerit. Abdu Rrahman bin Aufi e plotësoi namazin shpejt e shpejt, dhe kur mbaruan Umeri tha: ‘O Ibn Abas, shiko se kush më vrau.’ Pas pak erdhi Ibn Abasi dhe tha: ‘Ishte robi i Mugiras.’ Umeri tha: ‘Zoti e vraftë, El- hamdulilah që nuk ishte vrasësi im ndonjë musliman.’
“Pas kësaj u vendos në shtëpinë e tij, pas pak i dhanë një lëng që ta pinte por i doli nga plagët; iu dha qumësht, por përsëri i doli nga vrimat, e aty u kuptua se do vdiste. Filluan ta vizitonin njerëzit dhe t’i shprehnin lavdërime nga më të ndryshmet, derisa erdhi një djalosh dhe tha: ‘Përgëzohu o Emir i besimtarëve, me përgëzimin e Allahut, ti që shoqërove Profetin, sal-lAllahu alejhi ve selem, ti që ke pozitë të veçantë siç e di dhe vetë, e more halifatin dhe mbajte drejtësi, ndërsa tani je shehid.’ Tha Umeri (radiallahu anhu): ‘Do doja të dilja nga kjo botë as për mua e as kundër meje.’ Kur djaloshi iku, Umeri (radiallahu anhu) e pa rrobën e tij poshtë zogut të këmbës dhe tha: ‘O djalosh, ngrije rrobën tënde, sepse kjo është më e mirë për rrobën tënde dhe më e devotshme për Zotin tënd.’ Tha: ‘O Abdullah, shiko se sa borxhe kam.’ Pasi i bënë llogarinë, gjetën se borxhi i tij arrinte 86.000 dirhemë. Pasi la porosi ta shlyenin borxhin, i tha Abdullahut: ‘Shko tek Aishja, bëji selam prej meje, dhe mos i thuaj nga Emiri i besimtarëve, sepse unë sot nuk jam më emir, por thuaji: ,Të kërkon leje Umeri, biri i Hatabit, që të varroset pranë dy shokëve të tij., Hyri Abdullahu tek Aishja, e gjeti atë duke qarë e i tha asaj: ‘Të çon selam Umeri dhe të kërkon leje për t’u varrosur pranë shokëve të tij!’ Tha Aishja: ‘E kisha ruajtur atë vend për vete, por sot do t’i jap përparësi Umerit ndaj vetes sime.’ Erdhi Abdullahu, i tregoi për lejen e Aishes dhe Umeri tha: ‘Elhamdulilah, nuk kisha gjë më të dashur sesa këtë. Kur unë të vdes, më mirrni dhe më çoni atje, kërkojini leje përsëri Aishes, radiallahu anha, e nëse jep leje, më varrosni, nëse jo, më ktheni në varrezat e muslimanëve.’ Pasi u përshëndet me njerëzit për herë të fundit dhe la porosinë e tij në lidhje me halifatin, vdiq Umeri (radiallahu anhu), halifja i dytë i muslimanëve, shoku i dytë i ngushtë i Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem, Zoti e mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur prej tij!
Umeri vdiq në javën e parë të muajit Muharrem, 24 H.
[1] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxhja dhe Ahmedi.
[2] – Tirmidhiu.
[3] – Sure Taha: 1-14.
[4] – Tarihu Umer b. Hattab, f. 6.7.
[5] – Muhtesar Siretu-r-Resul nga En-Nexhdi, f. 103.
[6] – Tarihu Umer b. El-Hattab, f. 13.
[7] – Buhariu, 3681 dhe Muslimi.
[8] – Muslimi, 2390.
[9] – Buhariu: 3683, Muslimi.
[10] – Buhariu: 3689, Muslimi.
[11] – Tirmidhi me saktësim të Albanit
[12] – Buhariu: 3680, Muslimi.
[13] – Buhariu: 3690.
[14] – Transmeton Ibn Maxheh, nr. 96, e saktësoi Albani.
[15] – Transmeton Buhariu, nr. 3685 dhe Muslimi, nr. 2389.
[16] – Marrë nga libri El Imameh ues-sijaseh, 1/25 te Dijneuriju.
[17] – Marrë nga libri El Hulefa er-rashidun, fq. 46 te Eminul Kudah.
[18] – Marre nga libri el Akdul ferid 4/65 te Ibn AbduRabuh el Andalusij
[19] – Marrë nga libri El Hulefa er-Rashidun ued-deuletul emeuijeh, botim i universitetit “El Imam” në Rijad.
[20] – Marrë nga libri Xheuleh tarijiheh fi asril hulefa, fq. 58, të Muhamed Sejid Uekilit.
[21] – Marrë nga libri el Hulefa er-Rashidun ued-deuletul emeuijeh, botim i universitetit El Imam në Rijad
03 - Uthman bin el Afan
(23, H. – 35, H.)
Personi i tretë i përgëzuar me Xhenet është Utman bin Afani, halifja i tretë i muslimanëve dhe më i miri ndër ta pas Ebu Bekrit dhe Umerit.
Përcillet nga Abdurrahman Bin Aufi, se Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, ka thënë: “Dhjetë vetë janë në Xhenet: Ebu Bekri është në Xhenet, Umeri është në Xhenet, Uthmani është në Xhenet, Aliu është në Xhenet, Talha është në Xhenet, Zubejr ibn Auami është në Xhenet, Abdurrahman bin Aufi është në Xhenet, Sad ibn ebi Uekasi është në Xhenet, Seid bin Zejdi është në Xhenet dhe Ebu Ubejde ibn Xherahu është në Xhenet.” [1]
Emri dhe pseudonimi i tij
Ai është Uthman bin Afan bin Ebil As bin Umeje bin Abdi Menaf bin Kusaje bin Kilab el Kurashij el Emeuiju, halifja i tretë i drejtë, i cili quhet ndryshe edhe Ebu Amër apo me pseudonimin e tij Dhun-nurejni (poseduesi i dy dritave). E mori këtë emër pasi ishte martuar me dy vajzat e Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem. Në fillim u martua me Rukajen, e cila vdiq pas luftës së Bedrit, pastaj u martua me Umu Kulthumin, e cila vdiq gjatë jetës së Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem.
Islami dhe roli i tij gjatë jetë së Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem
Uthmani (radijAll-llahu anhu) e pranoi Islamin në moshën 34 vjeçare. Ai është njëri prej dhjetë të parëve që pranuan Islamin dhe njëri prej dhjetë të përgëzuarve me Xhenet. Islami i tij ishte si fryt i thirrjes që i bëri Ebu Bekri, i cili në fillim u bënte thirrje fshehurazi atyre, te të cilët kishte besim. Ata që pranuan Islamin nga kjo thirrje e fshehtë ishin: Zubejr bin Auami, Uthman bin Afani, Talha bin Ubejdillahu, Sad bin ebi Uekasi, AbduRrahman bin Aufi, të cilët shkuan së bashku me Ebu Bekrin te Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, dhe dëgjuan prej tij pjesë nga Kurani, u njohën me të vërtetën e Islamit dhe që nga ajo ditë ishin ndër besimtarët e parë muslimanë.
Uthmani, radijAll-llahu anhu, ishte nga ata të cilët emigruan të dy emigrimet, atë në Habeshe dhe atë në Medine, madje ai emigroi me bashkëshorten e tij (bijën e Profetit) dhe ishte familja e parë e cila emigronte në Islam.
Uthmani po ashtu ka marë pjesë në të gjitha luftërat që ka bërë Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, me përjashtim të luftës së Bedrit, sepse qëndroi në Medine duke kuruar bashkëshorten e tij, me lejen e Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem.
Ndërsa gjatë udhëtimit për në umren që Profeti dhe sahabët nuk arritën ta kryenin dot si shkak i pengimit që u bënë kurejshët, dhe pikërisht kur arritën në vendin e quajtur Hudejbije, Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, dërgoi Uthmanin si mesazher për te kurejshët, në mënyrë që t’u bënte me dije atyre qëllimin e Profetit dhe se ai nuk kishte për qëllim luftën. Por Uthmani u vonua dhe Profetit i erdhën lajme se kurejshët e kishin burgosur, madje se e kishin vrarë, ndaj dhe ai ua mori besën të gjithë sahabeve që ishin me të nën një pemë, duke u zotuar se ata do të luftonin e do të mernin hakun e Uthmanit. Profeti shtrëngoi duart e të gjithë atyre që ia dhanë besën, e në fund vuri dorën e tij mbi dorën tjetër dhe tha: “Kjo është dora e Uthmanit.”.
Uthmani, radijAll-llahu anhu, kur dëgjoi nga Profeti – në një kohë thatësire për Medinen dhe banorët e saj – të nxiste për hapjen e pusit të Rumijes, menjëherë ndërmori hapjen e tij dhe e la sadaka atë për muslimanët.
Po ashtu, ai përgatiti ushtrinë e vështirësisë në luftën e Tebukut për të luftuar romakët me pasurinë e tij, duke ia mbushur prehrin Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem, me flori.
Është pikërisht Uthmani, radijAll-llahu anhu, ai i cili i përgjigjet kërkesës së Profetit për të blerë tokën anash xhamisë, në mënyrë që t’i shtohej xhamisë. Kur ai dëgjoi Profetin të thotë: “Kush e blen tokën e filanit dhe ia dhuron atë xhamisë, do të ketë Xhenetin.”, shpejtoi për t’iu përgjigjur kësaj thirrjeje dhe e bleu atë me njëzet e pesë mijë derhem dhe ia dhuroi xhamisë. [2]
Përshkrimi që kemi për Uthmanin, radijAll-llahu anhu, është ai i një njeriu të thjeshtë, të ndershëm, të butë, bujar dhe të sjellshëm, sidomos i dalluar për modestinë dhe devotshmërinë e tij. Ai shpesh kalonte një pjesë të natës duke u falur, agjëronte çdo të dytën apo të tretën ditë, bënte haxhin çdo vit dhe përkujdesej për nevojtarët e tërë komunitetit. Përkundër pasurisë së tij, ai jetoi një jetë shumë të thjeshtë dhe flinte në zall në oborrin e xhamisë së Pejgamberit, sallallahu alejhi ue selam. Uthmani e dinte tërë Kuranin përmendësh dhe kishte një dituri të afërt mbi kontekstin dhe rrethanat që kishin të bënin me secilin ajet.
Disa hadithe rreth vlerës dhe cilësive të tij
Uthmani, radijAll-llahu anhu, ishte njeri me natyrë të butë, shumë bujar dhe nuk kishte njeri më të turpshëm se ai, saqë edhe Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, turpërohej prej tij.
01 – Ai ka qënë ndër sahabët më të dashur për Profetin, sal-lAllahu alejhi ve selem. Përcillet nga Ibn Umeri (radiallahu anhu), i cili thotë: “Në kohën e Profetit nuk krahasonim askënd me Ebu Bekrin, pastaj me Umerin, pastaj me Uthmanin, pastaj linim shokët e Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem dhe nuk bënim dallim mes tyre.” [3]
02 – Profeti e ka përgëzuar se do të jetë shehid. Përcillet nga Enesi, radiallahu anhu, se Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, u ngjit në Uhud së bashku me Ebu Bekrin, Umerin dhe Uthmanin dhe papritmas Uhudi u drodh. Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, tha: “Qëndro o Uhud, se mbi vete ke një Profet, një të sinqertë dhe dy shehidë.” [4]
03 – Profeti ka dëshmuar se ai do të jetë në Xhenet. Përcillet nga AbduRrahman bin Aufi, që ka thënë se Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, tha: “Ebu Bekri është në Xhenet, Umeri është në Xhenet, Uthmani është në Xhenet…”. [5]
04 – Utmani ka qënë njeri tejet i turpshëm, madje aq i turpshëm sa dhe melaiket dhe Profeti turpëroheshin prej tij. Transmetohet nga Enesi, radiallahu anhu, se Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, ka thënë: “…njeriu më i turpshëm i umetit është Uthmani.” [6]
Ndërsa nga Aishja, radijAll-llahu anhu, transmetohet se ka thënë: “Ishte Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem i shtrirë në shtëpinë time dhe kishte zbuluar kërcinjtë e këmbës apo kofshët e tij. Erdhi Ebu Bekri dhe kërkoi për të hyrë. I dha leje dhe qëndroi në atë gjendje që ishte. Filluan bisedën dhe pas pak erdhi Umeri, i cili kërkoi leje për të hyrë. I dha leje dhe qëndroi në të njëjtën gjendje. Vazhduan bisedën dhe pas pak erdhi Uthmani, i cili kërkoi leje për të hyrë. Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, u ngrit ulur, i drejtoi rrobat e tij, pastaj i dha leje për të hyrë. Pasi mbaruan bisedën dhe dolën, Aishja e pyeti Profetin, sal-lAllahu alejhi ve selem, duke i thënë: “Hyri Ebu Bekri dhe ti nuk lëvize dhe as nuk i dhe rëndësi (ndryshimit të qëndrimit), pastaj hyri Umeri dhe ti nuk lëvize dhe as nuk i dhe rëndësi, kur hyri Uthmani u ngrite ulur dhe drejtove rrobat e tua!” Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, tha: “E si të mos kem turp nga një person prej të cilit kanë turp edhe engjëjt.” [7]
06 – Profeti e përgëzon se gjatë sprovës që do ta godasë, ai do të jetë në të drejtën dhe duhet të durojë, madje nuk duhet t’u përgjigjët kërkesave të arrogantëve dhe hipokritëve. Përcillet nga Kab bin Uxhrah, i cili ka thënë: “Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, na përmendi një fitne që do ndodhte së afërmi. Aty pranë nesh kaloi një burrë me kokën të mbuluar, Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, tha: ‘Ky njeri në atë kohë do të jetë në të drejtën.’ E kapa këtë person dhe ia zbulova kokën, ai ishte Uthmani. U drejtova nga Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, dhe thashë: ‘A ky është?’ Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, tha: ‘Po, ai është.’” [8]
Transmetohet nga Aishja, e cila tha: “Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, tha: ‘O Uthman, nëse Allahu ta ngarkon përsipër këtë çështje (halifatin) dhe do duan munafikët të ta heqin këtë këmishë që Allahu (xheleshanuhu) ta veshi, ti mos e hiq derisa të takohesh me mua (e përsëriti këtë tri herë).’” [9]
Përcillet nga Ibnu Umeri, i cili tha: “Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, na përmendi një fitne dhe tha: ‘Do të vritet ky person në këtë fitne padrejtësisht.’ dhe kishte fjalën për Uthmanin.” [10]
Po ashtu përcillet nga Aishja, radiallahu anha, e cila tha: “Profeti. sal-lAllahu alejhi ve selem. në sëmundjen e tij tha: ‘Do doja të kisha pranë ndonjërin prej shokëve të mi.’ Thamë: ‘O i dërguari i Allahut, a ta thërrasim Ebu Bekrin?’ Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, heshti. Thamë: ‘A ta thërrasim Umerin?’ Përsëri heshti. Thamë: ‘A ta thërrasim Uthmanin?’ Tha: ‘Po.’ Uthmani erdhi, u veçua me të Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem dhe filloi të bisedonte. Gjatë bisedës ndërroi fytyra e Uthmanit. Tregon shërbëtori i Uthmanit se ai, ditën në të cilën u vra, ka thënë: ‘Profeti. sal-lAllahu alejhi ve selem ka marrë prej meje një zotim dhe unë do t’i përmbahem atij zotimi, do të duroj.’”[11]
10 – Uthmani (radiallahu anhu) ishte prej shembujve më të rrallë që mund të gjejmë për sa i përket sakrificës dhe dhënies sadaka në rrugë të Allahut. Transmeton Tirimidhiu nga Abdu Rrahman bin Semurah, i cili tha: “Erdhi Uthmani te Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, me një mijë dinarë, të cilat i hodhi në prehrin e Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem, për të përgatitur ushtrinë e vështirësisë.” Thotë AbduRrahmani: “E pashë Profetin, sal-lAllahu alejhi ve selem, duke i rrotulluar ato dinarë në prehrin e tij dhe duke thënë: ‘Le të bëjë çfarë të dojë Uthmani pas kësaj dite!’ duke e përsëritur dy here.” [12]
Uthmani ishte ai që hapi pusin e Rumes dhe e bëri sadaka për muslimanët, pasi dëgjoi fjalën e Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem: “Kush e hap pusin e Rumes, atij i takon Xheneti.” [13]
Në një vit, të gjitha puset u thanë, përveç një pusi që e posedonte një çifut dhe ishte Uthmani ai që e bleu këtë pus me një çmim shumë të shtrenjtë dhe e bëri sadaka për muslimanët, siç e fali pusin e Rumes.
Uthmani gjatë kohës së Ebu Bekrit
Utmani, radijallahu anhu, ka qënë njëri ndër konsulentët kryesorë në qeverinë e çdonjërit prej të dyve, Ebu Bekrit dhe Umerit, shpeshherë i mernin mendimin rreth çështjeve madhore, ai ishte i dyti pas Umerit në shtetin e Ebu Bekrit. Umeri ishte Ministri i hilafetit, ndërsa Uthmani ishte Sekretari i Përgjithshëm dhe ai që mbante protokollet.
“Në kohën e Ebu Bekrit ndodhi një thatësirë e madhe, aq sa njerëzit u mblodhën para shtëpisë së halifes dhe po i ankoheshin se qielli nuk po pikonte, toka nuk po mbinte dhe njerëzit ishin në vështirësi të madhe. Ebu Bekri u tha: “Shpërndahuni dhe duroni, se në mbrëmje Allahu ka për t’jua sjellë inshallah zgjidhjen.” Nuk ndejtë shumë kur pamë punëtorët e Uthmanit që ktheheshin me karvan nga Shami, në të cilin gjendeshin plot njëqind deve me ushqim. Njerëzit u mblodhën përpara shtëpisë së tij dhe filluan t’i ankoheshin, tregtarët po i qanin hallin dhe vështirësinë dhe po e nxisnin t’u shiste ushqimin që kish sjellë nga Siria. Ai u tha: “Sa më jepni?” “Për çdo dhjetë dinarë të japim dymbëdhjetë.” Uthmani ua ktheu: “Më kanë dhënë më shumë se kaq.” Ata i thanë: “Për çdo dhjetë dinarë të japim pesëmbëdhjetë.” Ai u tha sërisht: “Më kanë dhënë më shumë se kaq.” Tregtarët të habitur ia kthyen: “O Uthman, nuk ka tregtarë të tjerë në Medine, të gjithë jemi këtu, cili është ai që të ka dhënë më shumë?” Ai u tha: “Allahu më ka dhënë për çdo dinar dhjetë dinarë. Dëshmoj para jush se ushqimin e këtij karvani e kam dhënë sadaka për fukarenjtë e Medines.” [14]
Uthmani gjatë kohës së Umerit
Edhe në kohën e Umerit, Uthmani, radijallahu anhu, kishte një vend dhe pozitë të lartë: sa herë që sahabët dëshironin t’i kërkonin diçka Umerit, e bënin atë nëpërmjet Uthmanit, sepse e dinin pozitën e tij te halifja. Uthmani për Umerin ishte i njëjtë me pozitën e Umerit për Ebu Bekrin.
Themelimi i regjistrave
Thuhet se ideja e krijimit të regjistrave iu parashtrua Umerit nga Uthmani, i cili i kërkoi Umerit të ndërtonte regjistra, në të cilat do të shënohej pasuria e njerëzve, kujt i jepej nga buxheti i shtetit etj., në mënyrë që të lehtësohej sa më mirë puna për t’u arritur ndihma atyre që ishin të varfër. Dhe vërtet kjo ide i pëlqeu Umerit dhe e vuri në zbatim menjëherë. [15]
Kalendari sipas hixhrit
Ka ardhur në disa transmetime se ai që e orientoi Umerin ta fillonte kalendarin hixhrij nga muaji Muharrem, ishte pikërisht Uthmani. Pasi vendosën ta fillonin llogaritjen e viteve nga hixhreti i Profetit, i cili ishta dallues i së vërtetës nga e kota, ata nuk po binin në ujdi se nga ç’muaj duhet ta fillonin llogaritjen dhe këtu Uthmani dha versionin e tij, që më pas u pëlqye nga të gjithë, se duhet të fillonte nga muaji Muharrem. Këtë e argumentoi: “Sepse ai është muaj i shenjtë, është muaji i parë në llogaritje dhe është muaji që vjen pas haxhit.” [16]
Marrja e halifatit në dorëzim dhe betimi i sahabëve
Kur u vra Umeri, radiallahu anhu, disa muslimanë kërkuan prej tij që të zgjidhte një person të përshtatshëm për të marrë përsipër drejtimin e halifatit. Umeri, radiallahu anhu, tha: “Unë nuk shoh më të meritueshëm për këtë çështje, sesa këta persona ndaj të cilëve ishte i kënaqur Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, kur vdiq.” dhe përmendi Aliun, Uthmanin, Abdurrahman bin Aufin, Sad bin Ebi Uekasin, Zubejr bin Auamin dhe Talha bin Ubejdullahin. Umeri kërkoi prej tyre që të mblidheshin pas vdekjes së tij dhe të zgjidhnin njërin prej tyre si halife. Umeri tha: “E porosis atë që do të jetë halife pas meje, të sillet mirë me muhaxhirët e parë, t’ua njohë atyre vlerat që u takojnë, t’i respektojë ata. Po ashtu e porosis të nderojë ensarët, ata që përgatitën vendbanimin e emigrimit, të pranohet e mira nga bamirësi prej tyre dhe të falet gabimi i gabimtarit. Po ashtu e porosis të sillet mirë me muslimanët nëpër kufinj, sepse ata janë mburoja e Islamit, mbledhësit e pasurive dhe mllefi i armiqve, të mos u merret atyre përveç tepricës, me miratimin e tyre. E porosis të sillet mirë me beduinët arabë, sepse ata janë origjina e arabëve dhe baza e Islamit. T’u merret pasuria (zekati) të pasurve të tyre dhe t’u jepet të varfërve të tyre. E porosis të ruajë besën e Allahut dhe të Dërguarit dhe ta përmbushë atë!” [17]
Pasi vdiq dhe u varros Umeri, radiallahu anhu, u mblodhën këta gjashtë persona dhe filluan diskutimet, Abdurrahmani tha: “Le t’ia caktojmë këtë çështje secili njërit prej ju të treve.” Zubejri tha: “Unë heq dorë dhe them t’ia caktojmë Aliut.” Talha tha: “Unë heq dorë dhe them t’ia caktojmë Uthmanit.” Sadi tha: “Unë heq dorë dhe them t’ia caktojmë Abdurrahman bin Aufit.” Abdurrahmani tha: “Kush prej jush tërhiqet dhe t’ia caktojmë tjetrit këtë përgjegjësi?” Të dy heshtën. Abdurrahmani tha: “A ma lini mua në dorë që të zgjedh më të mirin prej jush me ndihmën e Allahut?” Të dy thanë: “Po.” Ai e mori secilin veçmas dhe i tha: “Ti ke afërsi me Profetin dhe pozitë në Islam që edhe ti vetë e di, të kërkoj në emër të Allahut që nëse të zgjedh ty të mbash drejtësi, por nëse zgjedh tjetrin do bindesh dhe do e dëgjosh.” Pasi Abdurrahman bin Aufi u konsultua me Uthmanin dhe Aliun, dhe pasi mori premtimin e tyre që të binin dakord me zgjedhjen që ai do bënte, tha: “Ngrije dorën o Uthman.” Aty Abdurrahmani ishte i pari që ia dha besën, Aliu dhe pastaj të tjerët me rradhë [18] duke rënë të gjithë dakord se me të vërtetë Uthmani e meritonte të jetë halifja i tretë i muslimanëve. [19] Madje Abdurrahmani, para se të merte këtë vendim, u konsultua me të gjithë sahabët, muhaxhirët dhe ensarët, si dhe me komandantët e ushtrive, me gratë dhe robërit, dhe shumica e tyre ishin për Uthmanin.
Madje ka përmendur imam Buhariu, se Abdurrahman bin Aufi, pas namazit të sabahut në ditën e tretë që kishin në dispozicion, e mblodhi këshillin e konsulencës (prej gjashtë vetësh) pranë minberit dhe iu drejtua Aliut duke i thënë: “O Ali, i pyeta njerëzit dhe ata nuk vënë askënd përpara Uthmanit.” dhe kështu ia dhanë besën atij. Aliu ishte i pari që ia dha besën Uthmanit pas Abdurrahmanit. [20]
Duhet të theksojmë se hilafeti i Uthmanit ka marrë pëlqimin dhe unanimitetin e të gjithë muslimanë, përfshi këtu edhe vetë Aliun, sikurse dhe e pohuam. Madje përcillet nga imam Ahmedi se ka thënë: “Nuk janë bashkuar muslimanët në zgjedhje ndonjëherë, ashtu sikurse u bashkuan për Uthmanin.”[21]
Ndërsa Ibn ebi Shejbe përcjell nga Hrith bin Mudribi, se ka thënë: “Kam bërë haxhin gjatë prijësisë së Umerit dhe njerëzit nuk dyshonin se më me meritë për të qënë halife pas Umerit, është Uthmani.” [22]
Madje Shejhul Islam bin Tejmije ka thënë: “Ehli Suneti beson bindshëm se halifja pas Profetit është Ebu Bekri, pastaj Umeri, pastaj Uthmani, pastaj Aliu dhe kush kundërshton në hilafetin e ndonjërit prej tyre është më i humbur se gomari i tij.” [23]
Punët më të rëndësishme që ndërmori Uthmani (radiallahu anhu)
Tubimi i Kuranit sipas leximit kurejshit
Me përhapjen e Islamit dhe zgjerimin e tokave të çliruara, u futën në Islam popuj të shumtë dhe të ndryshëm joarabë.
Kjo gjë bëri që të frikësohen disa sahabë, se mund të ndodhnin mosmarrëveshje në leximin e Kuranit, apo mund të ndodhte ndryshim i ndonjë pjese prej tij.
Kjo gjë u vu re për herë të parë nga Hudhejfe bin el Jemani në çlirimin e Armenisë dhe Azerbajxhanit, ku ushtria përbëhej nga banorët e Shamit, të cilët kishin leximin e tyre sipas Mikdad bin el Esuedid dhe Ebu Derdasë, dhe nga banorët e Irakut, të cilët kishin lexim tjetër sipas Ebu Musa el Eshariut dhe Ibn Mesudit.
Ky ndryshim në lexim çoi në lindjen e mosmarrëveshjeve të ashpra mes dy palëve të ushtrisë, ku secili mendonte për grupin tjetër se është në gabim. Duke parë këtë, Hudhejfja shkoi tek Uthmani dhe i propozoi që ta shuante këtë keqkuptim mes atyre që nuk e dinin se lejohet të lexohet Kurani sipas shtatë dialekteve [24] (gjuhëve) të arabëve. Uthmani (radiallahu anhu) mblodhi sahabët dhe pasi u konsultua me ta, arriti në përfundimin se ishte më mirë të shkruhej Kurani sipas një dialekti të vetëm dhe të gjithë njerëzit kudo që ndodheshin, të ecnin sipas këtij leximi, ashtu që të zhdukej mosmarrëveshja mes muslimanëve në leximin e Kuranit. Kurani që u grumbullua në kohën e Ebu Bekrit gjendej te Hafsa, vajza e Umerit (radiallahu anhu), prej së cilës kërkoi që t’ia sillte këtë Kuran. Pasi e mori atë, urdhëroi Zejd bin Thabitin, Abdullah bin Zubejrin, Seid bin el Asin dhe Abdurrahman bin Harith bin Hishamin, që të shkruanin Kuranin duke u bazuar në Kuranin e Hafses dhe u tha: “Nëse keni mospajtim rreth ndonjë ajeti, shkruajeni sipas dialektit kurejsh, sepse sipas asaj gjuhe është zbritur.” Pastaj urdhëroi që të shumëfishohej ky Kuran dhe të shpërndahej në të gjitha vendet, që më pas të kopjohej prej tyre, kështu që dërgoi një në Sham, një në Egjipt, një në Basra, një në Kufe, një në Mekë dhe një e mbajti në Medine. Gjithashtu urdhëroi që çdo Kuran i ndryshëm nga ky të digjej, që të mos ngelte më vend për keqkuptim. [25] Transmeton Ebu Bekr bin Ebi Daud es-Sixhistani [26] nga Suejd bin Gafleh, se ai tha: “Më ka thënë mua Aliu në kohën kur Uthmani dogji mushafet dhe i bashkoi njerëzit në një të vetëm: ‘Nëse nuk do e bënte ai, do e bëja unë pas tij.’”
Themelimi për herë të parë i flotës muslimane
Valiu (përgjegjësi) i Shamit, Muavije bin Ebi Sufjani, kërkoi leje nga Uthmani (radiallahu anhi) për të formuar një flotë detare, e cila do shërbente për zmbrapsjen e sulmeve të flotës bizante në brigjet e Shamit dhe të Egjiptit. Pasi mori lejen e halifes, Muavija ngriti një flotë të fortë dhe të përgatitur mirë, e cila bëri të mundur çlirimin e ishujve të Qipros dhe Rodosit, të cilët iu nënshtruan xhizjes. Pas kësaj, në vitin 34 H., flota muslimane u përball me flotën bizante, e cila ishte më e madhe në numër dhe më e përgatitur. Kjo betejë u zhvillua në afërsi të Aleksandrisë dhe përfundoi me fitoren e muslimanëve, [27] duke u bërë kështu forcë dominuese edhe në det. Profeti, salallahi alejhi ue selem, ka thënë “Ushtria e parë që do të luftojë në det, e meriton (Xhenetin).”
Çlirimet në kohën e halifes Uthman bin Afan (radiallahu anhu)
a) Çirimi i tokave perëndimore dhe Sudanit. Përparuan ushtritë muslimane në kohën e Uthmanit deri në Sudan dhe jug të Egjiptit, duke i çliruar këto toka dhe duke e zgjeruar shtetin islam. Vazhduan çlirimet muslimane duke përfshirë të gjitha tokat perëndimore (Libi, Algjeri, Marok, Mauritani) derisa mbërritën në brigjet e Tunizisë, ku u ndeshën me forcat bizante duke i shkatërruar ato dhe duke i futur këto zona nën sundimin e halifatit islam. [28]
Çlirimi i tokave perse
b) U zgjeruan kufinjtë e shtetit islam në kohën e Uthmanit (radiallahu anhu), derisa arritën në detin Kazuin dhe vazhduan ta përzënë mbretin pers Jezduxhurd, derisa e vranë në atdheun e tij Marvu (Irani i sotëm, në kufi me Afganistanit). Me vdekjen e mbretit pers pushoi së ekzistuari njëherë e përgjithmonë perandoria perse.
Shehidllëku i Uthmanit (radiallahu anhu)
Uthmani (radiallahu anhu) posedonte vlera fisnike dhe morale të larta, ishte i butë, i mëshirshëm, bujar, i dashur etj. Mirëpo këto cilësi nuk i penduan munafikët dhe armiqtë e fesë islame që të thurnin plane dhe komplote për vrasjen e halifes. Në krye të tyre ishte Abdullah bin Sebe, një çifut, armik i betuar i muslimanëve, i cili pranoi Islamin sa për sy e faqe në kohën e Uthmanit, radiallahu anhu. Ky munafik çifut filloi të sillej nëpër tokat muslimane duke përhapur shpifjet e tij, gjoja se Uthmani, radiallahu anhu, po bënte padrejtësi, po i shtypte muslimanët, shtirej sikur gjendja ishte tepër e rënduar dhe se Aliu (radiallahu anhu) ishte ai që e meritonte halifatin në vend të Uthmanit (radiallahu anhu). Shpifjet e këtij munafiku zunë vend në Kufe, Basra dhe Egjipt, të cilët dërguan nga një delegacion në Medine për t’u marrë vesh me Uthmanin (radiallahu anhu). Këto delegacione që kryesoheshin nga Abdullah bin Sebe u takuan me Uthmanin dhe Aliun (radiallahu anhu). Ata u sqaruan atyre se çdo gjë ishte në rregull dhe se këto ishin shpifje dhe u premtuan atyre se do ndreqnin çdo parregullsi. Pasi mbaruan misionin e tyre, delegacionet dolën nga Medina për t’u kthyer në vendet e tyre. Abdullah bin Sebe, kur e pa këtë situatë, trilloi një letër të cilën pretendonte se e dërgonte Uthmani (radiallahu anhu) te valiu i Egjiptit dhe e urdhëronte që të vriste delegacionin që po kthehej. Abdullah bin Sebe e dërgoi këtë letër me një korrier që i u sillej para e mbrapa delegacionit egjiptian, të cilët u shqetësuan dhe e kapën këtë person duke i zbuluar letrën e fshehur. Pas kësaj ata u kthyen përsëri në Medine duke lajmëruar edhe delegacionet e tjera që të ktheheshin dhe rrethuan shtëpinë e Uthmanit duke mos e lejuar që të dalë jashtë. Megjithëse Uthmani (radiallahu anhu) u mundua t’u shpjegonte të vërtetën dhe t’i bindte se ajo letër nuk është e vërtetë duke kërkuar verifikimin e saj, ata nuk pranonin asnjë lloj sqarimi dhe u mjaftuan me thënien: “Allahu e ka lejuar gjakun tënd për këtë veprim.”. Ata e rrethuan dhe Uthmani (radiallahu anhu) qëndroi i rrethuar në shtëpinë e tij dyzet ditë. Në fillim e lejonin që të dilte vetëm për namaze, pastaj ia ndaluan edhe namazet përveç xhumasë ku mbante dhe hutben. Kur vendosën ta pengonin edhe për namazin e xhumasë, filluan ta gjuanin në hutbe me gurë të vegjël duke i thënë: “Zbrit, zbrit o plak!”. Aty i morën shkopin e Profetit që përdorte në hutbe dhe e thyen. Pas kësaj ia ndërprenë edhe ujin që i vinte në shtëpi. Kur e pa këtë gjendje, Uthmani (radiallahu anhu) kërkoi një takim me drejtuesit e revoltës, ku u tha atyre: “Po ju pyes në emër të Allahut dhe të Islamit, a e dini se kur Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, erdhi në Medine nuk kishte ujë të pijshëm përveçse pusit të Rumes, për të cilin Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, tha: ‘Kush e blen pusin e Rumes dhe e bashkon kovën e tij me kovat e muslimanëve (e bën sadaka ujin e pusit), Allahu do t’ia zëvendësojë me një pus më të mirë në Xhenet.’ dhe unë e bleva atë, ndërsa ju sot më ndaloni mua që të pi prej tij [29] dhe më lini të pi ujë të kripur?” Ata thanë: “Po, ashtu është.” Uthmani (radiallahu anhu) tha: “Po ju pyes në emër të Allahut dhe Islamit, a e dini se kur xhamia nuk mjaftonte më për njerëzit dhe Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, tha: ‘Kush e blen tokën e filanit që t’ia shtojë xhamisë dhe Allahu (xheleshanuhu) do t’ia zëvendësojë me më të mirë në Xhenet.’, unë e bleva atë me pasurinë time, kurse ju sot më ndaloni që të falem në të, qoftë dhe dy rekate?” Ata thanë: “Po, ashtu është.” Uthmani (radiallahu anhu) tha përsëri: “Po ju pyes në emër të Allahu dhe Islamit, a e dini se unë jam ai që përgatita ushtrinë e vështirësisë, për të cilën Profeti tha: ‘Kush i përgatit ata, Allahu do ia falë atij mëkatet.’?” Ata thanë: “Po, ashtu është.” [30] Tha: “Po ju pyes në emër të Allahut dhe Islamit, a e dini se Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, ishte mbi mal së bashku me Ebu Bekrin, Umerin dhe mua, kur u trondit mali, të cilin e goditi me këmbë dhe i tha: ‘Qëndro se ke mbi vete një Profet, një të sinqertë dhe dy shehidë.’?”. Ata thanë: “Po, ashtu është.” Atëherë Uthmani (radiallahu anhu) tha: “Allahu Ekber, pasha Zotin e Kabes, dëshmoni për mua se unë jam shehid (tre herë).” [31]
Sahabët ishin të mbledhur rreth Uthmanit (radiallahu anhu) të gatshëm për ta mbrojtur [32] dhe luftuar, mirëpo ai e dinte se sido që të shkonin punët, do të vritej padrejtësisht, pasi kështu e kishte lajmëruar Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, prandaj nuk donte që të vritej askush për të dhe i urdhëroi të gjithë sahabët që të shpërndaheshin nëpër shtëpitë e tyre. [33] Një natë para se të vritej kishte vendosur të agjëronte të nesërmen. Aty nga fundi i natës pa në ëndërr Profetin, sal-lAllahu alejhi ve selem, duke i thënë: “A të kanë rrethuar o Uthman? A të kanë ndaluar ujin o Uthman? Nëse ti dëshiron mund të fitosh ndaj tyre ose të çelësh iftar këtu te ne.” dhe i dha një enë me ujë. Më pas, kur u zgjua, bashkëshortja e tij iu afrua dhe i solli ujë që të pinte, por ai tha: ”Unë jam agjërueshëm.” dhe se Profeti i kishte ofruar ujë për iftar. [34] Mëngjesin e asaj dite u futën munafikët në shtëpinë e Uthmanit ndërkohë që ai po lexonte Kuran. Iu afrua një burrë egjiptian që quhej Xhebleh nga fisi Benu Sedus, i cili i gjuajti me shpatë, mirëpo Uthmani u mbrojt me njërën dorë të cilën ia këputi goditja e shpatës dhe gjaku rrodhi mbi ajetin Kuranor: “Allahu të mjafton ty ndaj tyre.” (Bekare 137). [35] Atëherë mushafi i ra nga dora dhe tha: “Uallahi, kjo është dora e parë e cila i ka shkruar suret e pjesës së shtatë të Kuranit,”, [36] sepse siç dihet Uthmani ka qenë prej shkruesve të shpalljes, bile i pari që ka shkruajtur drejtpërdrejt nga Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem. Erdhi gruaja e tij që ta mbronte nga një goditje tjetër, e cila i këputi asaj gishtat e dorës, e mori Kuranin dhe e vendosi në prehërin e saj dhe pas kësaj erdhi goditja vdekjeprurëse, e cila e vrau Uthmanin (radiallahu anhu). Atëherë e shoqja e tij u hodh mbi të. Dikush prej tyre tha: “Allahu e vraftë këtë grua, sa të mëdha i ka të pasmet e saj.” Ajo tha: “Aty u binda se këta e bënë gjithë këtë vetëm për interes dunjaje.” [37] Kjo ndodhi në ditën e xhuma, në 18 Dhulhixhe të vitit 35 H., duke zgjatur kështu halifati i tij 12 vjet, në moshën 82 vjeçare. [38] Allahu e mëshiroftë prijësin e muslimanëve që u vra padrejtësisht dhe qoftë i kënaqur me të deri në ditën që do ta takojë!
[1] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibnu Maxhah dhe Ahmedi.
[2] – Nesaiu: 2/766. Sahih
[3] – Transmeton Buhariu, nr. 3697.
[4] – Buhariu: 3695.
[5] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibnu Maxhah dhe Ahmedi.
[6] – Fadail Sahabe Imam Ahmed: 1/604. Hasen.
[7] – Muslimi: 2401.
[8] – Musned: 5/33. Ka dhe rrugë të tjera që e forcojnë.
[9] – Fadail Sahabe Imam Ahmed: 1/631, Sahih.
[10] – Fadail Sahabe Imam Ahmed: 1/551. Hasen.
[11] – Fadail Sahabe Imam Ahmed: 1/605, Sahih.
[12] – Transmeton Ahmedi, 5/63 me zinxhir të saktë, Tirmidhiu, nr. 3701 dhe e konsideroi hadith hasen.Të njëjtin gjykim ka dhe Albani.
[13] – Buhariu.
[14] – Rrikatu ue Buka Ibn Kudame: 190.
[15] – Tarijh Taberi: 5/203.
[16] – Uthman bin Afan Muhamed Salabi: 57.
[17] – Fethul Bari, 7/78, hadithi nr. 3700.
[18] – Fethul Bari, 7/79, hadithi nr. 3700.
[19] – Transmeton Lalekai në Sherhu usulil itikad, nr. 2553, se Abdurrahman bin Aufi ka thene: “Jam konsultuar me të gjithë në lidhje me zgjedhjen e halifes dhe të gjithe thoshin: ‘Uthmani eshte me i mire se Aliu.’” Në një transmetim tjetër të tij, nr. 2552, Abdurrahmani ka thënë: “Uallahi nuk ia kam dhënë besën Uthmanit pa u konsultuar më parë edhe me fëmijët që mësonin Kuranin, të cilët thoshin: ‘Uthmani është më i mirë se Aliu.’”
[20] – Buhariu: 7207.
[21] – Sunetu Lil Halal: 320, Minhaxh Es Suneti: 3/166.
[22] – Musanif: 14/577.
[23] – Mexhmu Fetava: 3/101-102.
[24] – Këto dialekte janë: 1) Dialekti i fisit Kurejsh. 2) Dialekti i Jemenit. 3) Dialekti i fisit Hudhejl. 4) Dialekti i fisit Temim. 5) Dialekti i fisit Heuazin. 6) Dialekti i fisit Kinaneh. 7) Dialekti i fisit Thekif.
[25] – Transmeton Buhariu, nr. 4987.
[26] – Në El Mesahif, fq. 19 dhe Sujutij e Musned Alij, nr. 295.
[27] – Marrë nga libri Tarihul Islam ue uefejatul meshahir uel ealam ahdel hulefai rashidin, fq. 420 të imam Dhehebiut.
[28] – Marrë nga libri Tarihul Islam ue uefejatul meshahir uel ealam ahdel hulefai rashidin, fq. 318 të imam Dhehebiut.
[29] – Transmeton Ahmedi, 1/75, Tirmidhiu, nr. 3703 dhe Nesaiu, 6/235.
[30] – Transmeton Ahmedi, 1/70, Nesai, 6/46, Ibn Ebi Asimi, nr. 1303.
[31] – Transmeton Tirmidhiu, nr. 3703 dhe tha: Hasen. Të njëjtin gjykim ka dhe Albani.
[32] – Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 763 nga Ibn Auni, nga Nafiu, i cili tha: “Ibn Umeri e ka veshur dy herë këmishën e hekurt (është përgatitur për luftë) ditën e vrasjes së Uthmanit.”
[33] – Transmeton Lalekai në Sherhu usulil itikad (7/1430), nr. 2568 nga Ebu Habibeh se ai ka thënë: “Më dërgoi Zubejri tek Uthmani, kur ai ishte i rrethuar. Shkova në një ditë të nxehtë vere. E gjeta të ulur në karrige dhe pranë tij qëndronin Husejn bin Aliu, Ebu Hurejra, Abdullah bin Umeri, Abdullah bin Zubejri. I thashë: ‘Më ka dërguar te ti Zubejr bin Auami, i cili të dërgon selamet e tij dhe thotë: ‘Unë jam akoma nën urdhrat e tua dhe nuk ka ndryshuar asgjë tek unë, nuk e kam thyer besën e dhënë. Nëse dëshiron, vij te ty në shtëpi dhe jam përkrah teje. Fisi Beni Amr bin Auf më ka premtuar se janë të gatshem të mblidhen tek unë dhe të veprojnë si t’i urdhëroj.’.’ Uthmani, kur e dëgjoi mesazhin tha: “Allahu ekber, falënderimi i takon Allahut, që e ka ruajtur vëllain tim nga kjo. Ktheja selamin prej meje dhe thuaji se nëse do jesh ketu, do jesh një nga te vrarët, ndaj qëndrimi yt atje ku je, është me i dashur për mua, shpresoj që me ty Allahu të mbrojë nderin tim pas vdekjes sime.” Më pas Uthmani tha: “Unë kërkoj vendosmërisht nga çdokush që më bindet, që të mos luftojë për mua.”
[34] – Të ngjashëm me këtë tekst e transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 810 dhe Lalekai në Sherhu usulil itikad, nr. 2577, Hakimi, 3/103, i cili tha: “Isnadi është i saktë.” dhe ia miratoi Dhehebiu.
[35] – Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 766.
[36] – Nga surja “Kaf” deri në fund.
[37] – Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 765.
[38] – El Isabeh, 4/224 të Ibn Haxherit dhe Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 778.
04 - Ali bin Ebi Talib
(35 h – 40 h)
Falënderimi i takon vetëm Allahut, Mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e Profetëve Muhamedin, familjen e tij të bekuar, shokët e tij besnik si dhe të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Gjykimit.
O Zoti ynë Ty të takon falënderimi ashtu sikur është meritë për Madhërinë e pushtetit Tënd! Ty të takon falenderimi derisa të kënaqesh, Ty të takon falenderimi edhe kur je i kënaqur, dhe përsëri Ty të takon falenderimi edhe pasi kënaqesh.
Përcillet nga Abdurrahman Bin Aufi se Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem, ka thënë: “Dhjetë vetë janë në Xhenet: Ebu Bekri është në Xhenet, Umeri është në Xhenet, Uthmani është në Xhenet, Aliu është në Xhenet, Talha është në Xhenet, Zubejr ibën ebi Auam është në Xhenet, Abdurrahman bin Aufi është në Xhenet, Sad ibën ebi Uekas është në Xhenet, Seid bin Zejd është në Xhenet dhe Ebu Ubejde ibnu Xherah është në Xhenet”. [1]
Personi i katërt me të cilin do të qëndrojmë, është një ndër të parët në islam, djaloshin më të guximshëm, dhëndrin e Profetit dhe djalin e xhaxhait të tij Ali ibën ebi Talibin, si dhe babain e zotërinjve të djelmoshave të Xhenetit.
Lindja, emri dhe disa epitete të tij
Ai ishte Ali bin ebi Talib, djali i xhaxhait të Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem. U martua me vajzën e Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem është halifeja i katërt i drejtë, një prej dhjetë të përgëzuarve me xhenet. U lind dhjetë vjet para shpalljes, [2] babai i tij ishte Ebu Talib bin Abdul Mutalib bin Hashim bin Abdi Menaf.
Aliu (radiallahu anhu) njihet me pseudonimin Ebu Sibtejni (babai i dy nipave të Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem, Hasanit dhe Husejnit) dhe pseudonimi tjetër i tij është Ebu Turab, pseudonim të cilin ia vendosi Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem, madje ai gëzohej kur dikush e thërriste me të. Shkaku i këtij pseudonimi është se Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem, shkoi tek Fatimja (vajza e tij) dhe nuk e gjeti Aliun në shtëpi, i tha Fatimes: ku është djali i xhaxhait tënd? Ajo iu përgjigj: ndodhi një keqkuptim mes meje dhe tij dhe nuk më tha gjë se ku do të shkonte. Profeti dërgoi dikënd ta gjente dhe ai i erdhi e i tha se Aliu ishte i shtrirë në xhami. Kur shkoi Profeti, e gjeti të shtrirë në tokë, pelerine i kishte rënë nga supi dhe ai kishte prekur dheun, Profeti filloi t’ia pastronte dheun nga supi e i thoshte: Çohu o Ebu Turab”. [3]
Islami i tij
Aliu ishte i pari që pranoi islamin nga fëmijët dhe jetonte nën kujdestarinë e Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem i cili mori përsipër ta rriste dhe edukonte ashtu që ta lehtësonte xhaxhin e tij. Kur i erdhi shpallja Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem, ai e ftoi Aliun (radiallahu anhu) në islam i cili iu përgjigj thirrjes dhe ia vërtetoi fjalën Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem, [4] kjo ndodhi në moshën 8 ose 10 vjeçare.
Gratë dhe fëmijët e tij
Bashkëshortja e parë e Aliut ishte Fatimja e bija e Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem e cila i lindi atij Hasanin dhe Husejnin dhe pas vdekjes së saj ai u martua dhe me disa gra të tjëra, të cilat lindën shumë fëmijë.
Thuhet se Aliu ka patur katërmbëdhjet djem dhe shtatëmbëdhjet vajza (pra tridhjet e një fëmijë) ku prej tyre veç Hasanit dhe Husejnit spikasin djemtë e tij Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani, [5] dhe kjo tregon për dashurinë që kishte Aliu për këta sahabe Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata.
Disa cilësi të tij
Aliu (radiallahu anhu) ishte i dijshëm, i zgjuar, i jepte rëndësi të veçantë përmbushjes dhe respektimit të premtimeve, u bë i njohur për karakterin, oratorinë dhe trimërinë e tij. Ai ishte larg nga lakmia e kësaj bote dhe bukurive të saj, e donte natën për shkak të ibadetit që bëhej në të, nuk i jepte rëndësi ushqimit dhe veshjes, i madhëronte muslimanët, i mbante afër të varfrit dhe thoshte duke iu drejtuar kësaj bote: Koha jote është e shkurtër qëndrimi me ty është i nënçmuar dhe rreziku yt është i vogël. [6] Ah, ah, sa pak po përgatitemi për një udhëtim të largët dhe sa rrugë e vështirë që është”. [7] Gjithashtu në një fjalë tjetër thotë: “Po ikën kjo botë duke na kthyer shpinën dhe po na afrohet bota tjetër, ku çdonjëra prej tyre do të ketë banorët e saj. Prandaj bëhuni prej banorëve të botës tjetër dhe mos u bëni banorë të dhënë pas kësaj bote, dhe dijeni se sot është koha e punës (e angazhimit dhe veprave) dhe nuk ka llogari, ndërsa nesër është koha e llogarisë dhe nuk ka më mundësi për vepra”.[8]
Aliu (radiallahu anhu) nuk kursente asgjë për në rrugën e Allahut duke sakrifikuar gjithë çfarë kishte, derisa pranoi të flijonte edhe veten, duke u shtrirë në shtratin e Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem natën e hixhretit të tij megjithëse e dinte se kurejshët do të vinin atë natë për të vrarë Profetin sal-lAllahu alejhi ve selem në shtratin e tij. Gjithashtu ka marrë pjesë me Profetin sal-lAllahu alejhi ve selem në të gjitha luftërat përveç asaj të Tebukut. [9]
Pjesmarrja e tij në luftra dhe kontributi i tij në kohën e Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem
Në luftën e Bedrit Aliu radijallahu anhu ishte një ndër protagonistët kryesorë. Para se të fillonte lufta, Utbe bin Rrabia vëllai i tij shejbe bin Rrabia dhe djali i tij Uelid bin Utbe kërkuan dyluftim me njerëz nga fisi i tyre, djemtë e Mutalibit. Profeti u drejtua nga sahabet dhe tha: Dil o Ali, çohu Hamza edhe ti Ubejde bin Harith bin Abdulmutalib dhe në këtë dyluftim u vranë të tre idhujtarët dhe u plagos Ubejde. [10]
Ndërsa në luftën e Uhudit lufta filloi me dyluftimin mes Aliut dhe Talha bin Uthmanit i cili ishte në anën e idhujtarëve madje mbante dhe flamurin e luftës së tyre. Aliu iu dretua atij duke i thënë: Pasha atë në dorën e të cilit gjendet shpirti im, nuk do të lë derisa të çojë Allahu nëpërmjet shpatës time në zjarr, ose të më çojë mua nëpërmjet shpatës tënde në Xhenet. Filloi dyluftimi dhe Aliu e goditi në këmbë dhe Talha ran ë tokë, iu zbulua aureti dhe ai iu drejtua Aliut duke thënë: Të kërkoj për hir të Allahut dhe për shkak të lidhjes tonë familjare të më mëshirosh. Dhe Aliu e la e nuk e vrau.[11]
Pasi u ndez lufta ai luftoi në anën e djathtë të ushtrisë dhe pasi u vra Mus’ab bin Umejri mori flamurin e Muslimanëve dhe në këtë luftë vrau shumë idhujtarë. Madje kur u hap lajmi se Profeti u vra, ai e theu këllufin e shpatës dhe me një vendosmëri tha: Atëhere jeta nuk ka më vlerë pas vdekjes së tij dhe u sul sikur luan në rreshtat e armiqve, kur para tij më pas del Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem.
Aliu në luftën e Hajberit.
Në luftën e Hajberit Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem rrethoi kështjellat e çifutëve të cilët e thyen paktin dhe luftuan Profetin, pas ditësh të tëra rrethimi ai tha: “Do t’ia jap nesër flamurin dikujt që e do Allahun dhe Profetin dhe e do atë Allahu dhe Profeti”. Njerëzit atë natë gdhinë duke pritur se kush do ta kishte këtë nder. Në mëngjes Profeti tha: “Ku është Aliu?” Ai është në çadrën e tij vuan nga sytë o i dërguar i Allahut. Profeti urdhëroi t’ia sillnin dhe ai u lut për Aliun, bështyu në sytë e tij, dhe atij iu shëruan sytë sikur të mos kishte vuajtur kurrë më parë. Pastaj i tha: “Ec i qetë derisa të arrishë tek ata e më pas ftoi në Islam dhe të drejtat e Allahut ndaj tyre, sepse nëse Allahu udhëzon dikënd nëpërmjet teje është më mirë se devetë e kuqe”. [12]
Ndërsa në luftën e Tebukut Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem, e la Aliun si mëkëmbës të Medines, Aliu iu drejtua dhe i tha: O i dërguar i Allahut, a po më len me pleqtë dhe fëmijët? Atëhere Profeti i tha: “O Ali! A nuk dëshiron të jeshë tek unë sikur pozita e Harunit me Musain, veçse nuk ka Profet pas meje”.[13] Në realitet Aliu ia kërkoi këtë gjë Profetit pasi dëgjoi fjalë fyese për të nga hipokritët.
Aliu Allahu qoftë i kënaqur me të në momentin e vdekjes së Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem, pati nderin që të lante trupin e pastërt të Profetit dhe ta varroste atë duke hyrë vetë në varrin e tij.
Aliu në kohën e Halifeve
Thuhet se Aliu radijallahu anhu u vonua në dhënien e besës Ebu Bekrit po ashtu eshe Zubejr bin Auami, porse në të vërtetë ai që shikon ngjarjet dhe rrjedhën e tyre e kupton se ai nuk është vonuar dhe se aid he Zubejri ishin të justifikuar. Aliu dhe Zubejri u morën me kujdesjen e xhenazes së Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem, larjen dhe pregatitjen e varrit të tij, ndaj dhe ai nuk ishte në momentin kur njerëzit i dhanë besën Ebu Bekrit. Kur Ebu Bekri hipi në member, hodhi një vështrim ndër njerëz dhe nuk i zuri syri Aliun dhe Zubejrin, dërgoi njerëz t’i gjenin dhe ata erdhën në xhami dhe i dhanë besën Ebu Bekrit”.[14] Madje vet Aliu tregon kur mban hytbe në Kufe, pasi lavdëroi Ebu Bekrin dhe Umerin tha: “Muslimanët ua dhanë besën atyre të kënaqur dhe unë isha i pari nga bijtë e Mutalibit që ia dhashë besën”.[15] Aliu më pas ishte një ndër konsulentët e Ebu Bkerit, Umerit dhe Uthmanit, ai qëndroi në krah të tyre qoftë në luftën kundër dezertorëve dhe qoftq në luftërat çliruese të cilat u ndërmorën në kohën e Umerit dhe Uthmanit Allahu qoftë i kënaqur me ta.
Madje Umeri e ka lënë Aliun si mëkëmbës të tij në Medine disa herë. Ndërsa Aliu e martoi vajzën e tij Umu Kulthumin me Umerin dhe kjo ishte një shenjë miqësisë, respektit dhe vlerësimit që kishin me njëri-tjetrin.
Po ashtu Umeri e zgjodhi Aliun për të qenë tek të gjashtë sahabet që meritonin për të qënë halife i muslimanëve pas tij.
Ai po ashtu ndogji të njëjtën politikë edhe me Uthmanin dhe hilafetin e tij, madje ishte konsulent i afërt i Uthmanit, ishte i dyti që i dha besën atij, e mbështeti Uthmanin në nismat e tij si mbledhja e Kuranit në një dialect të vetëm, luftërat e tij çliruese në afrikë etj.
Madje kur ndodhi fitnja e vrasjes së Uthmanit ai para se të vritej Uthmani, dërgoi një mesazh tek ai ku i thoshte: Unë kam njerëz që janë mbledhur rreth meje dhe janë të gatshëm të luftojnë për të mbrojtur ty, sepse ti je në të drejtën. Por Uthmani e dinte që do të vritej, ndaj kërkoi prej të gjithëve që të mos merrnin luftë në medine dhe se ky ishte urdhër i tij për të gjithë ata që e dëgjonin.
Madje bijtë e Aliut edhe pas vdekjes së Uthmanit patën lidhje martese ndërmjet tyre, dhe pikërisht Eban bin Uthman u martua Umu Kulthum vajzën e Xhaferrit. Po ashtu bija e Husejnit u martua me nipin e Uthmanit.
Disa hadithe rreth vlerës së Aliut radijAll-llahu anhu
Vlerat dhe mirësitë e Aliut radillahu anhu janë të shumta, prej tyre: Ishte i pari prej fëmijëve që pranoi islamin, ishte ai që thërriti kurejshët të grumbulloheshin rreth Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem, kur u bëri ftesë për në islam, pranoi të flijonte veten e tij për Profetin sal-lAllahu alejhi ve selem natën e hixhretit, ishte një prej tre muslimanëve që dolën në duel në luftën e Bedrit. Ishte ai që vrau Amru bin Udin, mushriku kurejsh që arriti të kalonte kanalin në luftën e Hendekut, ishte prej atyre që mbrojtën Profetin sal-lAllahu alejhi ve selem me trupin e tyre në luftën e Uhudit, ishte personi që mbajti flamurin e çlirimit në luftën e Hajberit, ishte ai të cilin e urdhëroi Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem, tu komunikonte njerëzve në haxh suren Teube, si dhe një prej atyre që përgatitën xhenazen e Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem.
01 – Nga Zejd bin Erkami thotë: U ngrit Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem një ditë dhe mbajti hytbe në një vend mes Mekës dhe Medines, tek një ujë që quhet Hamen ku pasi që falenderoi Allahun (xheleshanuhu) dhe e lavdëroi Atë, këshilloi dhe përkujtoi, dhe më pas tha: “O ju njerëz unë jam njeri dhe pritet që të më vijë i dërguari i Zotit tim (meleku i vdekjes) e unë t’i përgjigjem atij, prandaj unë po ju lë juve dy gjëra: E para gjë është libri i Allahut në të cilën gjendet udhëzimi dhe drita, prandaj kapuni pas librit të Allahut (xheleshanuhu) dhe shtrëngohuni fort pas tij”. Vazhdoi të nxiste për tu kapur pas librit të Allahut e pastaj tha: “U porosis dhe në lidhje me anëtarët e familjes time (Ehli Bejtin). U përkujtoj me Allahun (xheleshanuhu) në lidhje me anëtarët e familjes time, (tre herë).”[16]
02 – Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem ka thënë: “Kë e kam dashur unë, edhe Aliun do ta ketë të dashur”.[17]
03 – Nga Aliu radiallahu anhu, përcillet se ka thënë: Më dërgoi mua Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem në Jemen kur isha djalosh në moshë të re, thashë: O i dërguari i Allahut, ti po më dërgon mua tek një popull me ngjarje të shumta mes tyre dhe unë jam një djalë në moshë të re. Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem tha: “O Allah udhëzoje zemrën e tij dhe forcoje gjuhën e tij. O Ali! Mos gjyko mes dy palëve derisa të dëgjosh prej njërit siç dëgjove prej tjetrit”. Aliu radiallahu anhu thotë: Pas kësaj fjale nuk kam pasur mëdyshje në gjykimin mes dy personave.[18]
04 – Nga Sehl bin Sadi thotë: Hyri Aliu radiallahu anhu tek Fatimeja, pastaj doli dhe u shtri në xhami. Pas pak erdhi Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem dhe pyeti Fatimen: “Ku është djali i xhaxhait tënd? Tha: Është në xhami. Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem doli dhe e pa që i kishte rënë rroba e tij nga shpina dhe i ishte ngjitur dheu në shpinë. Filloi t’ia fshinte dheun duke i thënë: “Ngrihu o Ebu Turab (dy herë)”.[19]
05 – Nga Hubshij bin Xhunadeh thotë: Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem ka thënë: “Aliu është prej meje dhe unë jam prej tij”.[20]
06 – Nga Ziri përcillet se tha: Aliu radiallahu anhu ka thënë: “Më ka dhënë Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem, një premtim (zotim) se nuk më do mua veçse ai që është besimtar dhe nuk më urren mua veçse ai që është munafik”.[21]
07 – Umeri radiallahu anhu ka thënë: “Vdiq Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem duke qenë i kënaqur ndaj tij (Aliut)”.[22]
08 – Nga Mus’ab bin Sadi nga babai i tij i cili ka thënë: Doli Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem, për në luftën e Tebukut dhe la si zëvendës Aliun. Aliu radiallahu anhu tha: A po më lë të qëndroj me gratë dhe fëmijët? Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem tha: “A nuk je i kënaqur që të jesh në lidhje me mua ashtu siç ishte Haruni me Musain përveç faktit se pas meje nuk ka më profet”.[23]
09 – Nga Sehl bin Sadi përcillet se Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem në ditën e Hajberit tha: “Do t’ia jap nesër këtë flamur një personi nëpërmjet të cilit Allahu do të na japë çlirimin (fitoren), person ky që e do Allahun dhe Profetin e Tij, gjithashtu dhe Allahu dhe Profeti i Tij e duan këtë person. Thotë (Sehli): Atë natë të gjithë njerëzit nuk fjetën duke diskutuar se kujt do t’i jepet. Kur u gdhi mëngjesi, njerëzit u mblodhën rreth Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem duke shpresuar gjithsecili që t’i jepej ky flamur. Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem tha: “Ku është Ali bin Ebi Talib? Thanë: O i Dërguari i Allahut ankohet nga sytë (nuk shikon mirë, ka dhimbje). Tha: “Ma thërrisni”. E sollën Aliun (radiallahu anhu), Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem ia bëri sytë me pështymën e tij të bekuar dhe e luti Allahun (xheleshanuhu) që ta shëronte dhe u shërua sikur mos të kishte pasur kurrë dhimbje dhe ia dha flamurin. Aliu (radiallahu anhu) tha: “O Rasulullah do t’i luftoj derisa të bëhen si ne (muslimanë). Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem tha: “Vazhdo në atë që je nisur derisa të zbresësh në tokën e tyre pastaj thërriti në islam dhe lajmëroi për detyrat që kanë ndaj Allahut (xheneshanuhu). Vallahi sikur Allahu të udhëzojë nëpërmjet teje një person të vetëm kjo është më e mirë për ty se sa të kesh një kope me deve të kuqe”.[24]
10 – Nga Dahak bin Muzahim përcillet se ka thënë: Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem ka thënë: “O Ebu Turab, a dëshiron të të tregoj për dy njerëzit më të këqinj (më të prishur) të të gjitha kohërave! Tha: Patjetër o i dërguari i Allahut. Tha: “Uhejmiri, i popullit Themud, ai i cili theri devenë dhe ai i cili do të të godasë ty këtu (bëri me shenjë ballin e Aliut) derisa të laget kjo (mjekra) nga gjaku”.[25]
11 – Nga Sefijneh bin Ebi Abdurrahman ka thënë: Kam dëgjuar Profetin sal-lAllahu alejhi ve selem duke thënë: “Halifati (i drejtë) pas meje do të jetë 30 vjet, pastaj do të jetë sundim (mbretëri)”. Sefineh thotë: Ebu Bekri e mbajti halifatin dy vjet, pastaj Umeri dhjetë vjet, pastaj Uthmani dymbëdhjetë vjet dhe më pas Aliu gjashtë vjet”.[26]
12 – Nga Ebu Seidi transmetohet se ka thënë: Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem ka thënë: “Do të vritet Amari nga pala zullumqare, ai i thërret ata për në Xhenet ndërsa ata e thërrasin për në zjarr”.[27] Tha Amari: Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga fitnet. Amari ishte pjesëtar i ushtrisë së Aliut radiallahu anhu).[28]
Marrja e halifatit dhe besatimi i sahabëve
Pas vrasjes së Uthmanit radiallahu anhu, muslimanët zgjodhën si prijës të tyre Aliun (radiallahu anhu) i cili në fillim nuk pranoi, por kur pa këmbënguljen e sahabëve e mori përsipër halifatin ashtu që t’i jepte fund fitneve dhe t’i largonte rebelët, komplotistët të cilët kishin në dorë Medinen. Këta të fundit u dhanë ultimatum sahabëve se n.q.s. nuk zgjidhnin një halife brenda dy ditëve atëherë do të vrisnin anëtarët e konsultimit (shuras), sahabët e mëdhenj: Aliun, Talhan, Zubejrin dhe kë të mundnin tjetër. Duke parë këtë gjendje u mblodhën muhaxhirët dhe ensarët rreth Aliut i cili e pa si obligim ta merrte përsipër drejtimin e halifatit, kështu që në datën 19 Dhulhixheh Aliu doli në xhami, hipi në minber dhe aty ia dhanë besën muhaxhirët, ensarët dhe kush ishte tjetër aty, mes tyre ishin Zubejr bin Auam dhe Talha bin Ubejdullah. Allahu (xheleshanuhu) është i Gjithdijshmi, i Urti, i Drejti në caktimin e Tij dhe gjykimin e Tij.
Nga caktimi i Allahut (xheleshanuhu) ishte që të zgjaste fitneja pas vrasjes së Uthmanit (radiallahu anhu) si sprovë me të cilën Allahu i sprovoi muslimanët, fitne kjo që u ripërtëri me ngjarje të reja të organizuara dhe të nxituara nga armiqtë e islamit me në krye çifutin Abdullah bin Sebe.
Punët më kryesore që ndërmori Aliu (radiallahu anhu) pasiqë mori halifatin
01 – Aliu (radiallahu anhu) ndërroi disa përgjegjës të kohës së Uthmanit prej të cilëve njerëzit ankoheshin, si dhe largoi çdo përgjegjës i cili nuk pajtohej me politikën e tij.
02 – Aliu (radiallahu anhu) e pa më të arsyeshme që ta vononte ndëshkimin e vrasësve të Uthmanit derisa të forcohej pushteti i tij dhe të mblidheshin rreth tij muslimanët e vendeve të tjera (të largëta). Shumë prej këtyre përgjegjësve iu përgjigjën urdhrit të Aliut, por një pjesë prej tyre refuzuan t’i përgjigjen urdhrit të tij. Në krye të atyre që nuk iu përgjigjën ishte Muavije bin Ebi Sufjan. Shkak për këtë mos përgjigje ishte këmbëngulja e Muauies (radiallahu anhu) për domosdoshmërinë e ndëshkimit urgjent të vrasësve të Uthmanit para se t’i jepej besa Aliut (radialllahu anhu) dhe ky ishte fillimi i mosmarrëveshjeve. Ajo e cila ndodhi mes Aliut dhe Muauies ishte e ndërtuar mbi ixhtihadin e gjithsecilit prej tyre prandaj ehlu suneh uel xhemeah kanë vendosur se: çdonjëri prej atyre dyve është i shpërblyer (ka sevape), ai që ia ka qëlluar të vërtetën ka dy shpërblime ndërsa ai që ka gabuar ka një shpërblim siç thotë dhe Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem: “Kur përpiqet gjykatësi (dijetari) dhe gjykon, nqs ia qëllon të vërtetës ka dy shpërblime ndërsa nqs gabon ka një shpërblim”.[29]
Shejh Ibën el Uthejmin në shpjegimin e librit Akidetul Uasitijeh thotë: Ajo çfarë ndodhi mes Aliut dhe Muauies ishte ndërtuar në bazë të ixhtihadit (përpjekjes për të gjetur të vërtetën) mirëpo nuk ka dyshim se Aliu (radiallahu anhu) ishte më afër të vërtetës se sa Muauia (radiallahu anhu) bile për pak sa nuk mund të themi në mënyrë të prerë se Aliu (radiallahu anhu) ishte në të vërtetën. Si argument që na tregon se Aliu (radiallahu anhu) ishte më afër së vërtetës, është fjala e Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem: “Mjerë për Amarin, do të vritet nga pala zullumqare” dhe dihet se Amari (radiallahu anhu) u vra nga ushtarët e Muauies, ndaj arrihet në përfundimin se pala e Muauies ishte pala zullumqare të cilët dolën kundra imamit (prijësit), mirëpo ata e bënë këtë në bazë të ixhtihadit (prandaj mëkati i tyre është i falur). Duke qenë se Allahu (xheleshanuhu) i ruajti duart tona nga pjesëmarrja në këto fitne, atëherë le t’i ruajmë dhe gjuhët tona që të mos flasim rreth tyre atë që nuk është e vërtetë.
Si rezultat i këtyre mos marrëveshjeve të cilat u shfrytëzuan nga armiqtë e islamit ndodhën dy luftëra të padëshiruara, keq ardhëse ku secila palë mendonte se ishte në të vërtetën.
– Lufta e parë: Beteja e xhemelit (devesë 36 H)
Shkak i kësaj lufte ishte dalja e Aishes (radiallahu anha) së bashku me Talhan, Zubejrin dhe shumë njerëz të tjerë të cilët u nisën për në Basra me nijetin e mirë për të qetësuar gjendjen, për të afruar zemrat e për të pajtuar mes njerëzve, duke pasur parasysh fjalën e Allahut (xheleshanuhu): “Nuk ka dobi në shumë biseda të fshehta që bëhen përveç ata që urdhërojnë për sadaka apo vepra bamirësie apo pajtim mes njerëzve” (Nisa 114).
Kur Aliu (radiallahu anhu) dëgjoi për daljen e Aishes drejt Basras, mori ushtrinë e tij dhe doli të takohej me ta duke dëshiruar edhe ai pajtimin dhe përmirësimin. Kjo gjë shihet qartë me dialogun që zhvilloi me disa njerëz të tij, kur u pyet: Për ku je nisur o emiri i besimtarëve? Jemi nisur për pajtim dhe përmirësim nqs pranon Aishja dhe ata që janë me të. I thanë: Po nqs ata nuk përgjigjen ashtu siç dëshiron ti? Tha: I lëmë ata në justifikimin e tyre, u japim hakun që u takon dhe vazhdojmë në rrugën tonë. I thanë: Po n.q.s. nuk kënaqen me këtë? Tha: Do t’i lëmë (rehat) për aq kohë sa ata na lënë neve. I thanë: Po n.q.s. nuk na lënë? Tha: Atëherë do të mbrohemi.
U takuan dy palët, Aliu (radiallahu anhu) bisedoi me Aishen (radiallahu anha) dhe u arrit mirëkuptimi mes tyre, duke kaluar kështu të dy ushtritë një natë të mirë dhe të qetë. Mirëpo nxitësit e fitnes (Abdullah bin Sebe me shokët e tij) ia kishin frikën kësaj marrëveshjeje dhe këtij mirëkuptimi sepse do të zbulohej çështja e tyre dhe do të vriteshin, prandaj aty rreth mëngjesit u ndanë këta munafikë në dy grupe ku secili grup sulmoi kampin e tjetrit duke krijuar idenë se u shkel marrëveshja dhe secila ushtri po sulmonte tjetrën. Kjo bëri që njerëzit të merrnin armët dhe të fillonte lufta. Kjo luftë u ndërpre vetëm pasi që u vra deveja e Aishes (radiallahu anha) dhe ajo u rrëzua, ky fakt shënoi fundin e kësaj beteje. Aliu (radiallahu anhu) përgatiti udhëtimin e kthimit të Aishes së bashku me të vëllanë e saj Muhamed bin Ebi Bekr dhe i shoqëroi vetë në Medine.
– Lufta e dytë: Beteja e Sifinës (37 H)
Edhe kjo betejë si ajo e para ishte rezultat i nxitjes së munafikëve të cilët shfrytëzuan mosmarrëveshjen që ekzistonte mes Aliut dhe Muauies (shkaqet e kësaj mosmarrëveshjeje i kemi sqaruar më lartë). Pala e Aliut kishte nënshkruar një marrëveshje me palën e Muauies në të cilën përcaktohej një periudhë 6 mujore për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, gjë kjo e cila tregon se të dyja palët e urrenin luftën dhe kërkonin zgjidhje me mirëkuptim. Mirëpo edhe kjo gjë nuk çoi në zhbllokimin e situatës ku si pasojë filloi lufta. Në fillim u zhvilluan ca përleshje të vogla për shkak të ujit i cili gjendej nën zotërimin e ushtrisë së Muauies. Ushtarët e Aliut (radiallahu anhu) dolën fitimtarë dhe i përzunë ushtarët e Muauies, mirëpo Aliu (radiallahu anhu) urdhëroi ushtarët e tij që të merrnin ujë aq sa kishin nevojë dhe t’ia linin ujin përsëri ushtarëve të Muauies. Vazhdoi lufta mes dy ushtrive pa një epërsi të dukshme nga asnjëra palë, megjithëse fitorja anonte më shumë nga ana e Aliut.
Ndalimi i gjakderdhjes mes ushtrisë së Irakut dhe asaj të Shamit
U shqetësuan shumë disa besimtarë të sinqertë dhe kishin frikë se me këto luftëra muslimanët do shkatërronin njëri-tjetrin, prandaj duhej ndërprerë lufta sa më parë. Një nga këta besimtarë të sinqertë ishte Amru bin el As i cili propozoi çështjen “E gjykimit”. Ky propozim i pëlqeu Muauies prandaj urdhëroi ushtrinë e tij që t’i ngrinin lart mus’hafët (Kuranat) si shenjë për ndalimin e luftës. Kur ushtarët e Aliut (radiallahu anhu) e panë këtë, u ndalën dhe e ndërprenë luftimin. çështja e “gjykimit” kishte si parim të zgjidhej një përfaqësues nga ana e Aliut dhe një përfaqësues nga ana e Muauies. Këta të dy do të diskutonin me njëri – tjetrin dhe të arrinin një marrëveshje të kënaqshme për të dyja palët. Aliu (radiallahu anhu) zgjodhi si përfaqësues të tij Ebu Musa el Esharij, ndërsa Muauia (radiallahu anhu) zgjodhi Amru bin el As. Dy përfaqësuesit e palëve ranë dakord që të mblidheshin vitin e ardhshëm dhe të gjykonin këtë çështje pas një shqyrtimi të hollësishëm. U mblodhën përfaqësuesit e dy palëve dhe u përpoqën që të pajtojnë mirëpo pa rezultat. Mos arritja e një marrëveshje e bëri të pavlefshme çështjen e gjykimit dhe si pasojë vazhdonte gjendja ashtu siç ishte. Pas një farë kohe ata vendosën tu riktheheshin përsëri bisedimeve ku si përfundim ranë dakord që Aliu të sundonte Irakun ndërsa Muauia të sundonte Shamin.
Ngjarja e Nehrauanit
Pas çështjes së gjykimit u kthyen ushtritë për në vendet e tyre. Kur Aliu (radiallahu anhu) iu afrua Kufes, një pjesë e ushtrisë së tij (rreth 12 mijë vetë) u shkëput duke urrejtur dhe qortuar disa gabime që sipas tyre i kishte bërë Aliu (radiallahu anhu). Këta njerëz ishin hauarixhët. Aliu (radiallahu anhu) dërgoi Abdullah bin Abasin që të diskutonte me ata dhe t’i bindte se ishin në gabim. Si rezultat i këtij diskutimi u kthyen shumica e tyre (rreth 8 mijë) ndërsa pjesa tjetër vazhduan në humbjen e tyre.
Këta (hauarixhët) filluan të bënin shkatërrime në tokë, derdhnin gjaqet, ndërprisnin rrugët dhe shkelnin shenjtërinë e muslimanëve. Ndër ata të cilët u vranë nga hauarixhët ishte Abdullah bin Habab së bashku me gruan e tij (të cilës ia canë barkun dhe i nxorrën foshnjen që kishte) dhe tre gra të tjera. Këto ngjarje e tronditën Aliun (radiallahu anhu) i cili dërgoi një të dërguar tek këta për të vërtetuar lajmet e ardhura, mirëpo i dërguari i Aliut (radiallahu anhu) u vra nga hauarixhët.
Aliu (radiallahu anhu) u nis me ushtrinë e tij drejt hauarixhëve, në fillim kërkoi prej tyre që të dorëzonin vrasësit e Abdullah bin Hababit dhe të dërguarit të tij, mirëpo ata refuzuan duke thënë: Të gjithë ne jemi vrasësit e tyre. Kjo çoi në fillimin e luftës e cila mbaroi me dështimin dhe humbjen e hauarixhëve. Beteja u zhvillua në Nehrauan, një zonë në juglindje të Bagdadit dhe kjo betejë ishte shkaku nxitës i havarixhëve për vrasjen e Aliut (radiallahu anhu).
Shehidllëku i Aliut (radiallahu anhu)
Aliu (radiallahu anhu) ra shehid ditën e 17-të të muajit Ramazan të vitit 40 hixhrij. Ai që e vrau ishte Abdurrahman bin Mulxhim, një hauarixh i cili besonte se duke vrarë Aliun (radiallahu anhu) po afrohej tek Allahu (xheleshanuhu). Ky hauarixh sëbashku me dy shokët e tij u mblodhën duke përkujtuar ngjarjet dhe fitnet dhe thanë: Ah, sikur t’i vrisnim kokat e fitnes dhe të humbjes ashtu që të rehatoheshin njerëzit prej tyre. Ibën Mulxhimi tha: Unë marr përsipër të vras Aliun (radiallahu anhu). Berëk bin Abdullahi tha: Unë vras Muauien. Amër bin Bekri tha: Unë e vras Amru bin el Asin. Ranë dakort që t’i kryenin vrasjet brenda një nate të vetme, Ibën Mulxhimi arriti që ta vriste Aliun (radiallahu anhu) me një shpatë të helmuar kur ai po shkonte në xhami për namaz të sabahut duke thërritur: Namazi, namazi, ashtu që t’i zgjonte njerëzit. Ndërsa dy të tjerët nuk arritën të vrisnin Muauien dhe Amru bin el Asin. Allahu e mëshiroftë Aliun, prijësin e besimtarëve dhe qoftë i kënaqur prej tij deri në ditën e gjykimit.
Viti i Bashkimit viti 41 H
Pas vrasjes së Aliut banorët e Irakut ia dhanë besën Hasanit (radillahu anhu) i cili menjëherë bëri gati ushtritë për të luftuar Muauien (radiallahu anhu), gjithashtu edhe Muauia u përgatit. Transmeton Buhariu në Sahihun e tij se Hasan el Basri tha: Uallahi ka ardhur Hasani (radiallahu nahu) dhe është vënë përballë Muauies me divizione ushtarake të mëdha si malet. Kur i pa këto, Amru bin el As tha: Me të vërtetë unë shoh se këto ushtri nuk do të kthehen pa e vrarë kundërshtarin e tyre. Muauia tha: O Amër, nqs ata na vrasin ne dhe ne i vrasim ata atëherë çfarë përfitova unë apo njerëzit? Çfarë përfituan bijtë e muslimanëve? Prandaj Muauia (radiallahu anhu) dërgoi dy burra nga kurejshët, Abdurrahman bin Semurah dhe Abdullah bin Amrin ashtu që t’i kërkonin Hasanit (radiallahu anhu) paqe dhe mirëkuptim. Këta të dy i kërkuan paqe dhe marrëveshje Hasanit, i cili pasi mori zotimet dhe garancitë e tyre jo vetëm që pranoi paqen dhe marrëveshjen por bile hoqi dorë nga halifati duke ia dorëzuar pushtetin Muauies (radiallahu anhu). Kjo ngjarje shënoi zhdukjen e fitneve dhe mosmarrëveshjeve njëherë e përgjithmonë mes muslimanëve. Kjo ndodhi në zbatim të fjalës së Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem ashtu siç transmeton Buhariu: “Me të vërtetë ky djali im (nipi im, Hasani) është zotëri dhe shpresohet që Allahu (xheleshanuhu) të pajtojë me të dy grupe të mëdha muslimane”.
[1] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesai, Ibnu Maxhah dhe Ahmedi.
[2] – El Isabeh 4/269 dhe Fet-hul barij 7/91 te Ibnu Haxherit.
[3] – Muslimi: 2409.
[4] – Sirah nebeuijeh 1/229 te Ibnu Hishamit.
[5] – Tabakat Kubra: 3/20. Dhe Alij bin Ebi Talib Muhamed Salab: 36-37.
[6] – Dmth: veshtiresite dhe lendimet qe hasen ne dynja jane te paperfillshme me denimin qe i kanoset njeriut ne Ahiret.
[7] – Marre nga libri el Hulefa er-rashidun fq 87 te Eminul Kudah.
[8] – Transmeton Ahmedi ne Fedailu es-sahabeh nr 881.
[9] – Sijra nebeuijeh 2/91 te Ibnu Hishamit dhe el Isabeh 4/270 te Ibnu Haxherit.
[10] – Alij bin Ebi Talib Muhamed Salab: 96.
[11] – Esijretu el Halebije: 2/497.
[12] – Muslimi: 3406.
[13] – Buhari: 2404.
[14] – Mustedrek: 3/76, dhe Sunen Kubra: 8/143. Zinxhirat e tyre janë të saktë.
[15] – Esed el Gabe: 4/166.
[16] – Transmeton Muslimi.
[17] – Transmeton Tirmidhiu nr 3713, etj. Albani e konsideroi te sakte. Ibn Haxheri ka thene: Ky hadith eshte me rruge te shumta transmetimi, saqe Ibën Ukdeh i ka mbledhur ne nje liber te vetem, ku disa nga keto rruge transmetimi jane sahih ndersa disa te tjera jane hasen.
[18] – Transmeton Ahmedi nga Fedailu es-sahabeh nr 984 , nr 1212 me zinxhir te sakte, Nesaiu ne veçorite e Aliut, me zinxhir hasen.
[19] – Transmeton Buhariu nr 3703 dhe Muslimi 4/1874.
[20] – Transmeton Buhariu. Fet-hul Barij 7/89, Tirmidhiu nr 3719, Albani e konsideroi hasen.
[21] – Transmeton Muslimi 1/86, Tirmidhiu nr 3736, Albani e konsideroi sahih.
[22] – Transmeton Buhariu. Fet’hul Barij 7/89.
[23] – Transmeton Buhariu nr 4416 dhe Muslimi 4/1870.
[24] – Transmeton Buhariu nr 3701 dhe Muslimi 4/1872.
[25] – Transmeton Ahmedi ne Fedailu es-sahabeh nr 953, Nesai ne Vecorite e Aliut fq 39, Begaui nr 301. Albani e konsideroi hasen.
[26] – Transmeton Ahmedi 5/220, Ebu Daudi nr 4647, Tirmidhiu nr 2226 dhe tha hadith: Hasen. Ndersa Albani e vleresoi hadithin te sakte. Hafidh el Hakemij ne Mearixhul Kabul 3/1380 ka thene: Sefineh, veproi siç ishte zakoni i arabeve duke i rrumbullakosur shifrat, sepse llogarite e viteve te kater halifeve nuk i plotesojne 30 vitet e permendura ne hadith, perveçse nese i shtojme dhe gjashte muajt e sundimit te Hasan bin Aliut. Me pas ai u be shkak i pajtimit mes dy paleve ne konflikt, duke u dorehequr nga pushteti per Muavijen. Kjo i bashkoi njerezit ne nje halife te vetem, ndaj dhe u quajt viti i bashkimit, duke qene Muavija mbreti i pare ne islam dhe me i miri i te gjitha koherave pas halifatit profetik.
[27] – Transmeton Buhariu nr 447.
[28] – Fet-hul Barij 7/95.
[29] – Buhari.
05 - Abdurrahman bin Aufi
“Allahu të bekoftë e të begatoftë në atë çka solle. dhe Allahu të bekoftë e të begatoftë në atë çka le (për familjen tënde).”
(Nga duaja e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve selem. për të)
Abdurrahman bin Aufi është një ndër sahabët e mëdhenj, ka lindur dhjetë vjet pas ngjarjes së elefantit. Ky është njëri prej tetë të parëve që përqafuan fenë islame…
– Njëri prej të dhjetëve të përgëzuar me Xhenet..
– Njëri prej gjashtë sahabëve që morën pjesë në konsultim në ditën e zgjedhjes së halifes së muslimanëve pas vdekjes (vrasjes) së Umerit.
– Njëri prej atyre që jepnin “fetva” në Medinë dhe i Dërguari i Allahut ishte ende i gjallë në mesin e muslimanëve.
Emri dhe pseudonimet e tij
Ai quhet Abdurrahman bin Auf, bin abd Auf, prej kurejshëve nga fisi Zuhra. Para shpalljes (në kohën e injorancës) quhej Abdu Amrin, e pasi e përqafoi fenë islame, Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) e quajti Abdurrahman. Ai ishte një ndër sahabët e pasur, i cili u kujdes për bashkëshortet e Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem, pas vdekjes së tij.
Abdurrahmani ishte një djalë i bukur, i gjatë, i hollë, me sy të bukur, i bardhë dhe me shpatulla të gjera.
Islami i tij
Ky pra është Abdurrahman ibnu Avfi – radijAll-llahu anhu. Fenë islame e pranoi vetëm dy ditë pas Ebu Bekrit. dhe pak para se të hyjë i Dërguari i Allahut (Xheleshanuhu.) në shtëpinë e Erkamit. [1]
I përjetoi mundimet dhe torturat më të mëdha, vetëm për hir të fjalës së Allahut, ashtu siç i përjetuan edhe muslimanët e parë, por ishte i qëndrueshëm, duroi dhe nuk u ligështua, sepse ishte i sinqertë në besimin e tij. Pas gjithë këtyre peripecive, u detyrua që të shpërngulet në Abisini së bashku me shumë muslimanë të tjerë, vetëm e vetëm që ta ruajë fenë dhe fjalën e Allahut Xheleshanuhu. E pasi të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve selem.) iu lejua hixhreti në Medinë, ishte në grupin e muhaxhirëve të parë që u shpërngulën atje.
Abdurrahman bin Aufi në Medine
Kur Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) filloi t’i vëllazërojë muhaxhirët (mekasit) dhe ensarët (medinasit), atë e vëllazëroi me Sad ibnu Ebi Rebian. Pas disa kohësh, Sadi i tha Abdurrahman ibnu Aufit: “O vëllai im! Unë jam ndër më të pasurit e Medinës. I kam dy kopshte, urdhëro e shiko se cili po të pëlqen dhe merre! “ Abdurrahmani i tha vëllait të vet: “Allahu të dhëntë bereqet e të begatoftë në pasurinë tënde, por të lutem ma trego tregun më të afërt…” Ai filloi të tregtojë, të shesë, të blejë, të fitojë dhe ta shtojë pasurinë. Pas një kohe të shkurtër e përgatiti mehr-in (dhuratën e nusërisë) u martua dhe i kënaqur e i disponuar shkoi te Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.).
– Ç’kemi të re? – e pyeti Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.).
– U martova – tha Abdurrahmani.
– E çfarë i dhurove bashkëshortes si mehr? – pyeti prapë Resulullahu.
– I dhurova peshën e 5 dërhemëve të arit – ia ktheu ai.
Atëherë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) u lut për të duke thënë: “Allahu të begatoftë në pasurinë tënde…”
“Prej atij momenti – thotë Abdurrahman ibnu Aufi – m’u hapën dyert e të mirave të kësaj bote, saqë ma merrte mendja se në çdo gur, po ta lëvizja nga vendi i vet, do të gjeja ar ose argjend.”
Në luftën e Bedrit, Abdurrahman ibnu Aufi luftoi me një heroizëm të rrallë e trimëri të pashoqe, duke mbytur njërin prej armiqve më të mëdhenj të Islamit, Umejr ibn Uthman ibnu Kab et‑Tejmijin.
Në luftën e Uhudit qëndroi i paepur dhe i paluhatshëm, në çastet më të vështira, atëherë kur filloi t’u dridhet toka nën këmbë muslimanëve dhe as nuk u tund e as nuk u frikësua kur disa filluan të ikin. Nga beteja doli me njëzet e ca plagë, disa prej të cilave ishin aq të thella, saqë dora e njeriut mund të hynte në to.
Mirëpo, prapëseprapë, kontributi i tij luftarak ishte i vogël në krahasim me kontributin e tij në pasuri.
Një ditë prej ditësh, Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) dëshironte të përgatiste një ekspeditë luftarake dhe iu drejtua sahabëve me fjalët: “Urdhëroni, jepni diçka (nga pasuria), sepse duam të dërgojmë një ekspeditë (kundër armiqve).” Atëherë, Abdurrahman ibn Aufi nxitoi me të shpejtë në shtëpinë e tij dhe, kur u kthye, tha: “O i Dërguar i Zotit, kam me vete katër mijë derhemë, dy mijë po i jap në rrugën e Allahut e dy mijë po ua lë fëmijëve të mi (familjes sime).”
“Allahu të bekoftë e të begatoftë në atë që solle… dhe Allahu të bekoftë e të begatoftë në atë çka ndale (për familjen tënde).” – ia ktheu Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.).
Gjatë luftës së Tebukut
Gjatë luftës së Tebukut, e cila është lufta e fundit në të cilën luftoi (dhe mori pjesë) Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ve selem.), ndihej nevojë e madhe për njerëz dhe për pasuri në përgatitjen e ushtrisë muslimane. Në anën tjetër, ushtria romake numerikisht ishte shumë më e madhe dhe më e përgatitur në armatim në krahasim me ushtrinë muslimane.
Atë vit në Medinë mbretëronte një thatësi e madhe, e rruga deri në Tebuk ishte shumë e gjatë. Rezervat e ushqimit ishin të pakta e ndihej mungesë e madhe edhe në kafshët mbartëse.
Një grup besimtarësh, të cilëve u digjej e përvëlohej zemra nga dëshpërimi për shkak të pamundësisë së shkuarjes në luftë, sepse nuk kishte deve të mjaftueshme për t’i çuar të gjithë deri në Tebuk, shkuan te Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) duke e lutur me lot në sy që t’u gjejë edhe atyre ndonjë vend. Mirëpo, i Dërguari i Allahut me keqardhjen më të madhe u detyrua t’i refuzojë. Ata, të dëshpëruar e me sy të përlotur, filluan të kthehen duke qarë me dënesë e me ngashërim, saqë i quajtën “Të përloturit”, kurse ushtrinë e thirrën “Ushtria e vështirësisë”.
Kur e pa këtë skenë rrëqethëse e të prekshme, Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) i urdhëroi shokët e vet që ta hapnin zemrën dhe të jepnin në rrugën e Allahut atë çka kishin mundësi.
Muslimanët me nxitim iu përgjigjën thirrjes së Resulullahut, e ndër të parët, si zakonisht, Abdurrahman ibnu Aufi, i cili ndihmoi ushtrinë muslimane me dyqind okë ar, saqë Umeri i tha Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve selem.): “Më duket se Abdurrahmani ka bërë mëkat në këtë rast, sepse familjes së tij nuk i ka lënë asgjë.”
Atëherë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) iu drejtua Abdurrahman ibn Aufit duke i thënë:
– A le diçka për familjen tënde, – o Abdurrahman?
– Po – ia ktheu ai, – u lashë më shumë sesa kishin.
– Sa dhe çfarë? – e pyeti prapë i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem.).
– Atë që u ka premtuar Allahu (Xheleshanuhu.) dhe i Dërguari i Tij nga furnizimi, të mirat dhe shpërblimet – tha Abdurrahman ibnu Aufi.
Ushtria vazhdoi rrugën për në Tebuk dhe këtu Allahu (Xheleshanuhu.) e nderoi dhe e fisnikëroi Abdurrahman ibn Aufin me një nder, me të cilin nuk u nderua e as nuk u fisnikërua askush prej muslimanëve.
Kishte hyrë koha e namazit dhe i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem.) nuk ishte aty pranë në ato çaste. Atëherë Abdurrahmani doli imam i muslimanëve në namaz. Pak para se të përfundojë rekati e parë, arriti i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem.) dhe u lidh në namaz pas tij. A thua, a mund të ketë nder dhe vlerë më të madhe sesa dikush të bëhet imam i krijesës më të vlefshme – Imamit të të gjithë Pejgamberëve – Imam i Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ve selem.)?
Madje kur Profeti e dërgoi Abdurrahmanin në një ekspeditë me një çetë, ia dha flamurin me dorën e tij.
Abdurrahmani në kohën e halifeve
Pasi kaloi Resulullahu (sal-lAllahu alejhi ve selem.) në Ahiret pranë mëshirës së lartë hyjnore të Allahut (Xheleshanuhu.), Abdurrahman ibnu Aufi u vu në shërbim dhe përkudesje të “nënave të besimtarëve”.
Cilësitë e larta morale dhe veprat e tij fisnike bënë që “nënat e besimtarëve” të kenë besim tek ai.
Prej mirësive të tij ndaj muslimanëve e në veçanti ndaj “nënave të besimtarëve”, përmendet se kishte shitur një pjesë të tokës për 40 mijë dinarë dhe tërë këtë pasuri ua ndau: fisit Benu Zehre (fisit të Eminesë, nënës së Pejgamberit), të varfërve, muhaxhirëve dhe grave të Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve selem.). Kur i dërgoi pjesën që i kishte takuar Aishes, ajo pyeti:
– Kush i dërgoi tërë këto të holla?
– Abdurrahman ibnu Aufi. – i thanë.
– Ka thënë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.): “Pas meje, askush nuk do të bëjë mirësi ndaj jush, përveç durimtarëve. – tha ajo.
Duaja e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve selem.) për Abdurrahman ibnu Aufin, që Allahu t’ia begatojë pasurinë e tij, e përcolli gjatë tërë jetës, derisa u bë më i pasuri ndër sahabët. Tregtia e tij sa vinte e shtohej. Karvanet e tij shkonin e vinin pandërprerë duke transportuar grurë, miell, vaj, enë, rroba, erëra (parfume) dhe çkado që ndihej nevoja për të, ndër banorët e Medinës.
Një ditë arriti në Medinë karvani i Abdurrahman ibnu Aufit me 700 (shtatëqind) deve. Po, po, 700 deve, me ushqim, veshmbathje dhe sende të ndryshme!
Me të hyrë në Medinë, nga zhurmat e gëzimit, dukej se edhe toka po dridhej.
– Ç’është kjo zhurmë? – pyeti Aisheja.
– Është karvani i Abdurrahman ibnu Aufit me 700 e ca deve me ushqim, – i thanë.
– Zoti e begatoftë në atë që i ka dhënë prej të mirave të kësaj bote, – tha Aishja, – por të mirat e tij në Ahiret janë edhe më të mëdha. E kam dëgjuar të Dërguarin (sal-lAllahu alejhi ve selem.) duke thënë: “Abdurrahman ibnu Aufi do të hyjë në Xhenet gjunjazi.”
Ky lajm përgëzues nga “nëna e besimtarëve”, Aishja, i arriti menjëherë në vesh Abdurrahamnit, madje edhe para se devetë të ulen e të pushojnë. Shkoi me vrap tek ajo dhe i mallëngjyer nga ndjenjat e emocionet, që i kishin përshkuar tërë trupin, tha: “Oj nënë, a vërtet e ke dëgjuar këtë nga i Dërguari i Allahut?”
– Po, – ia ktheu ajo.
Atëherë Abdurrahamn ibnu Aufi nga gëzimi i papërshkrueshëm tha: “Sikur të kisha mundësi të zgjidhja, do të hyja në Xhenet në këmbë, por dëshmo, o ‘nënë’, se ky karvan, me tërë atë që ka: devetë, ushqimi dhe veshmbathja, prej këtij momenti janë dhuratë për të varfrit, vetëm për hir të Allahut (Xheleshanuhu.).”
Prej asaj dite që mori lajmin përgëzues, Abdurrahmanit i ndriçoi fytyra me një nur hirësie. Filloi të shpërndajë edhe më shumë pasuri për të varfrit, me të djathtën dhe me të majtën, fshehurazi e haptazi. Shpërndau në emër të sadakasë 40 mijë derhem argjend, e menjëherë pas tyre 40 mijë dinarë ar. Nuk vonoi shumë e shpërndau edhe 200 okë ar.
I ndihmoi luftëtarët në rrugën e Allahut me 500 kuaj dhe 1500 deve.
Para se t’i vijë momenti i vdekjes, liroi shumë robër. La porosi që çdo luftëtari të betejës së Bedrit t’i jepen nga 400 dinarë ari, e atëbotë ishin ende gjallë 100 prej tyre.
Pastaj la amanet që çdo “nëne të besimtarëve” t’i ndahet nga një pjesë e konsiderueshme e pasurisë, saqë Aishja lutej shpeshherë për të dhe thoshte: “Allahu ia shoftë etjen me ujët e krojeve të Xhenetit Selsebil!”[2]
Përveç tërë kësaj, familjes së vet i la trashëgim pasuri që nuk mund as të numërohej. Prej tyre: 1000 deve, 100 kuaj dhe 3000 krerë dele. Trashëgimtarëve të tij u la ar dhe argjend të shumtë, saqë duart e atyre që ndanin filluan të lodhen. E tërë kjo ishte fryt i duasë së Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve selem.) që Zoti t’ia shtojë dhe bekojë pasurinë e tij.
Mirëpo, edhe përkundër tërë kësaj pasurie të madhe, kjo aspak nuk e luhati e as nuk e ndryshoi Abdurrahman ibnu Aufin nga qëndrimet e tij, saqë njerëzit nuk mund ta dallonin atë në mesin e shërbëtorëve të vet.
Një ditë, derisa agjëronte, për iftar i sollën ca ushqime. E shikoi atë me buzë në vaj dhe tha: “Kur u vra Musab ibnu Umeri, i cili ishte njeri më i mirë se unë, nuk mund të gjenim qefin të mjaftueshëm për ta mbuluar. Kur ia mbulonim kokën, i zbuloheshin këmbët, e kur ia mbulonim këmbët i zbulohej koka… Ne Allahu na furnizoi me të mirat e Tij në këtë dynja, prandaj po kam frikë se mos shpërblimi ynë është shpejtuar dhe s’do të kemi asgjë për botën e ardhshme.”
Pas kësaj filloi të qajë e të dënesë me ngashërim derisa ushqimi u tha.
I lumi Abdurrahman ibn Aufi me një mijë lumturi…
E përgëzoi me Xhenet mbartësi i fundit i shpalljes hyjnore, Muhammedi (sal-lAllahu alejhi ve selem.).
Në përcjelljen e fundit, xhenazen ia mbajti daja i Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve selem.), Sad ibnu Ebi Vekasi.
Namazin e xhenazes ia fali “pronari i dy dritave”, Uthmani, kurse prej tij i fundit u nda Aliu, me fjalët: “Allahu të mëshiroftë! E arrite dëlirësinë e kësaj feje para se të fillojnë përçarjet dhe ngatërresat!”.
[1] – “Shtëpia e Erkamit” – Një shtëpi në Mekë, në të cilën i Dërguari i Allahut thërriste në Islam. Kjo shtëpi quhej edhe “Shtëpia e Islamit”. I Zoti i saj ishte Erkam ibnu Abdu Menaf el‑Mahzumi.
[2] – Selsebil – emër i një kroi në Ahiret.
06 - Ebu Ubejde Ibnul Xherrahu
“Secili popull ka besnikun e vet, e besniku i këtij populli është Ebu Ubejde.” (Muhammedi sal-lAllahu alejhi ve selem.)
Ebu Ubejde ishte një burrë me fytyrë të pastër, pamje të bukur, shtathedhur, i gjatë e shpatullgjerë. Syri gëzohej me pamjen e tij, shpirti kënaqej dhe zemra qetësohej në takimin me të.
Përveç këtyre, ai kishte sjellje të mirë, ishte modest dhe i turpshëm. Mirëpo, nëse ashpërsohej situata dhe e kërkonte momenti, ai bëhej si luani.
Ai i përngjante tehut të shpatës në shkëlqimin e bukurisë së saj, si dhe në ashpërsinë e të rënave të saj.
Ky pra është besniku i umetit të Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ve selem.), Amër ibnu Abdullah ibnul Xherrah el‑Fihri el‑Kureshi, i njohur me pseudonimin Ebu Ubejde.
Abdullah ibnu Umeri e përshkroi atë e tha: “Tre vetë nga kurejshët janë me fytyra më të bukura, me moral më të lartë dhe janë më të turpshmit; kur të flasin, nuk të gënjejnë dhe nëse ti u flet, nuk të përgënjeshtrojnë: Ebu Bekr es‑Sidiku, Uthman ibnu Afani dhe Ebu Ubejde ibnul Xherrahu.”
Ebu Ubejde ishte prej të parëve që pranoi fenë islame. Ai e pranoi Islamin në ditën e dytë, menjëherë pas Ebu Bekrit. Fenë islame e pranoi nëpërmjet duarve të vetë Ebu Bekër es‑Sidikut. Pastaj së bashku me të, Abdurrahman ibnu Aufin, Uthman ibnu Madhunin dhe El‑Erkam ibnul Ebi Erkamin shkuan te Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) dhe para tij e shqiptuan dëshminë e së vërtetës. Këta ishin shtyllat e para në të cilat u sendërtua kështjella e fortë e Islamit.
Ebu Ubejde e përjetoi përvojën e jetës së hidhur të muslimanëve në Mekë, prej fillimit deri në përfundimin e saj. Së bashku me muslimanët e tjerë, ai i përjetoi të gjitha peripecitë, vuajtjet, mundimet dhe pikëllimet, të cilat nuk i përjetoi asnjë ithtar i ndonjë feje tjetër në sipërfaqen e tokës, por megjithatë ata u mbetën besnikë parimeve islame.
Mirëpo, sprovimi i Ebu Ubejdes në ditën e Bedrit, me vrazhdësinë e vet tejkaloi çdo parashikim dhe çdo imagjinatë.
Ditën e Bedrit, Ebu Ubejde u vërsul në mesin e radhëve të armikut pa pasur frikë fare. Madje, armiqtë ia kishin frikën atij. Çante radhët e tyre pa e pasur frikë vdekjen. Prandaj i ruheshin kalorësit kurejshë dhe i shmangeshin ballafaqimit me të.
Mirëpo, vetëm një njeri e përcillte Ebu Ubejden si hije e i dilte përpara në çdo anë, por Ebu Ubejde ia lëshonte rrugën dhe nuk e dëshironte ballafaqimin me të. Edhe pse ky njeri i shpeshtoi sulmet e njëpasnjëshme, Ebu Ubejde i shmangej sa ishte e mundur takimit me të. Por më në fund, ai ia mbylli të gjitha rrugët Ebu Ubejdes dhe e pengonte për t’i luftuar armiqtë e Allahut. Dhe më në fund, kur e shpenzoi tërë durimin, nuk i mbeti tjetër veçse t’ia presë kokën me shpatë, të cilën ia ndau në dy pjesë dhe njeriu ra i vdekur para tij.
Lexues i nderuar, mos u mundo të vrasësh mendjen se kush mund të jetë njeriu i vdekur!
A nuk të thashë se sfida e shëmtuar tejkaloi çdo parashikim dhe kapërceu çdo imagjinatë? Ndoshta do të të duket e pabesueshme kur të mësosh se njeriu i vdekur ishte Abdullah ibnul Xherrahu, babai i Ebu Ubejdes.
Ebu Ubejde nuk vrau babanë e vet, por politeizmin, mosbesimin në personalitetin e babait të tij.
Rreth çështjes së Ebu Ubejdes dhe babait të tij, Allahu (Xheleshanuhu.), në Kuranin Famëlartë thotë: “Nuk gjen popull që e beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, e ta dojë atë që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, bijtë e tyre, vëllezërit e tyre ose farefisi i tyre. Ata janë që në zemrat e tyre (Ai) ka skalitur besimin dhe e ka forcuar me shpirt nga ana e Tij dhe ata do t’i shpjerë në Xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Aty janë përgjithmonë. Allahu ua ka pëlqyer punën e tyre dhe ata janë të kënaqur me shpërblimin e Tij. Të tillët janë palë (grup) e Allahut. Ta dini pra, se ithtarët e Allahut janë ata të shpëtuarit.”(58:22)
Ky veprim i Ebu Ubejdes nuk na habit, sepse fuqia e besimit të tij në Allahun, sinqeriteti ndaj fesë dhe besnikëria ndaj umetit të Muhamedit, kishin arritur kulmin e tyre.
Muhamed ibnu Xhaferi rrëfen e thotë:
– Erdhi një delegacion i krishterë te Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) e i thanë: “O Ebul Kasim! Dërgoje me ne njërin prej sahabëve të tu më të afërt të gjykojë mes nesh për disa kontestime të ndarjes së pasurisë sonë, të cilat nuk mundëm t’i zgjidhim vetë. Ju muslimanët te ne keni respekt të veçantë.”
Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) u tha:
– Ejani tek unë në mesditë e unë do ta dërgoj me ju një njeri të fuqishëm dhe besnik.
Umeri thotë:
– Shkova herët për ta falur namazin e drekës. Asnjëherë nuk e kam dashur postin më shumë se atë ditë, duke shpresuar të kem fatin të jem i zoti i atij atributi.
Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.), posa e fali me ne namazin e drekës, filloi të shikojë djathtas e majtas. Unë ngrihesha sa mundesha që t’i bija në sy. Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) vazhdoi ashtu ta hedhë shikimin e tij në mesin tonë, derisa pa Ebu Ubejde ibnul Xherrahun, të cilin e thirri e i tha: “Shko me këta dhe gjyko në mes tyre me drejtësi rreth kontestimeve të tyre.” Atëherë unë thashë me vete: “E mori atë nder Ebu Ubejde!”
Ebu Ubejde nuk shquhej vetëm me besnikëri, por tek ai bashkohej fuqia dhe besnikëria. Kjo fuqi u manifestua në shumë raste.
Ajo u manifestua ditën kur Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) dërgoi një grup prej sahabëve të tij për t’i dalë në rrugë një karvani të kurejshëve dhe për udhëheqës të grupit caktoi Ebu Ubejden. Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) u dha me vete një shportë me hurma, sepse nuk kishte pasur asgjë tjetër. Ebu Ubejde ua jepte secilit prej sahabëve të tij çdo ditë nga një hurmë dhe çdonjëri prej tyre e thithte ashtu sikurse e thith foshnja gjirin e nënës. Pastaj pinin ujë dhe kështu kjo u mjaftonte tërë ditën deri në mbrëmje.
Ndërsa ditën e betejës në Uhud, atëherë kur muslimanët u mundën dhe njëri nga idhujtarët filloi të çirrej: “Më tregoni se ku është Muhamedi. Më tregoni se ku është Muhamedi.”, Ebu Ubejde ishte njëri nga dhjetë personat të cilët e kishin rrethuar Pejgamberin (sal-lAllahu alejhi ve selem.) dhe e mbronin me kraharorët e tyre, të cilët i kishin drejtuar kah shigjetat e pabesimtarëve.
Kur mbaroi beteja, Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve selem.) i ishin thyer dy dhëmbët e parmë, i ishte lënduar balli, ndërsa dy hallka të parzmores së tij i kishin hyrë në mollëzat e syrit. Ebu Bekri deshi t’ia nxjerrë ato nga mollëzat, por kur e vërejti këtë Ebu Ubejde i tha: “Pasha Allahun, ma lër mua këtë punë!” Ebu Bekri ia la. Ebu Ubejde u frikësua se nëse ia nxjerr hallkat me dorë, Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) do të ndjente dhimbje, prandaj ia kafshoi të parën me tërë fuqinë me dhëmbët e parmë dhe e nxori, por i ra edhe dhëmbi i tij. Pastaj e kafshoi të dytën me dhëmbin e tij të dytë, e nxori atë, por me të i ra edhe dhëmbi tjetër.
Lidhur me këtë, Ebu Bekri thotë: “Ebu Ubejde ishte prej njerëzve më të pashëm pa dhëmbët e parmë.”
Ebu Ubejde së bashku me të Dërguarin e Allahut mori pjesë në të gjitha betejat, prej fillimit të shoqërimit me të e derisa vdiq.
Me rastin e zgjedhjes së Ebu Bekrit si halife të muslimanëve në “Sekif”, Umer ibnul Hatabi i tha Ebu Ubejdes: “Shtrije dorën të të pranoj ty si halife, sepse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: ‘Secili ka besnikun e vet, e ti je besniku i këtij umeti.’”
Ebu Ubejde u përgjigj: “Nuk mund t’i dal para atij njeriu të cilin e urdhëroi Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) të na prijë neve në namaz dhe ne u falëm pas tij derisa i Dërguari i Allahut ishte gjallë.”
Pasi Ebu Bekri u zgjodh halife i muslimanëve, Ebu Ubejde ishte njëri prej këshilltarëve dhe ndihmësve të tij me të afërt dhe më të sinqertë në vërtetësi dhe ndihmës i pakursyeshëm në mirësi.
Pas Ebu Bekrit, halifati iu besua Umer ibnul Hatabit, të cilit gjithashtu iu bind Ebu Ubejde dhe asnjëherë nuk e kundërshtoi, përveçse në një rast.
A e di se për cilën çështje nuk e dëgjoi Ebu Ubejde halifen e muslimanëve?
Ai nuk e dëgjoi atëherë kur ndodhej në Sham në krye të ushtrisë muslimane, të cilën e udhëhiqte prej fitores në fitore, derisa nën komandën e tij u çlirua i tërë Shami dhe arriti deri te lumi Eufrat në lindje dhe në Azinë e Vogël në veri.
Në atë kohë, në Sham, ishte përhapur me të madhe sëmundja e kolerës, saqë nuk mbahej mend që ndonjëherë të kishin vdekur aq shumë njerëz.
Halifeja i muslimanëve – Umer ibnul Hatabi – nga frika se nga kjo sëmundje mund ta pësojë edhe Ebu Ubejde, nxitoi dhe e dërgoi një mesazhjer tek ai me një mesazh në të cilin thuhej: “Unë kam nevojë të madhe për ty, për çka nuk mund të të zëvendësojë askush. Nëse të mbërrin mesazhi im natën, kërkoj prej teje që mëngjesi të të gjejë tek unë. E nëse letra ime të arrin ditën, kërkoj prej teje që mbrëmja të të gjejë tek unë.”
Posa e lexoi Ebu Ubejde letrën e halifit, tha: “E kuptova nevojën e prijësit të muslimanëve për mua. Ai dëshiron ta mbajë në jetë atë që nuk mund të mbahet.” Pastaj iu përgjigj letrës së tij me këtë fjalë:
“O prijës i muslimanëve! Unë e kuptova nevojën tënde për mua. Unë gjendem në mesin e ushtrisë muslimane dhe jam njëri prej ushtarëve të saj. Nuk dëshiroj ta ruaj veten prej asaj që mund t’u ndodhë atyre. Nuk dëshiroj të ndahem prej tyre, derisa Allahu ta çojë në vend urdhrin e Vet për mua dhe për të tjerët. Kur të arrijë letra ime, më lejo të mbetem këtu ku jam!”
Posa i arriti Umerit letra e Ebu Ubejdes, e lexoi me një frymë e pastaj qau derisa iu enjtën sytë. Disa nga sahabët që ishin të pranishëm, kur panë mallëngjimin e tij të madh, e pyetën: “Mos ka vdekur Ebu Ubejde, o prijës i besimtarëve?”
Umeri u përgjigj: “Jo. por ai është në prag të saj.”
Supozimi i Umerit nuk ishte larg. Nuk shkoi pak kohë dhe Ebu Ubejde u sëmur nga kolera. Kur vërejti se i ishte afruar vdekja, i porositi ushtarët e tij me këto fjalë:
“Unë jua lë një porosi, nëse i përmbaheni, do të jeni mirë:
“Faleni namazin, agjërojeni muajin e Ramazanit, jepni sadakanë, bëni haxhin dhe umren, këshilloni njëri‑tjetrin në mirësi, dëgjoni prijësit tuaj e mos i tradhtoni. Kini kujdes të mos iu mashtrojë dynjaja, sepse njeriu, sikur të jetojë edhe një mijë vjet, patjetër do të vijë në këtë gjendje në të cilën më shihni mua.
“Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin me ju!”
Pastaj u drejtua kah Muadh ibnu Xhebeli e i tha: “O Muadh, priju njerëzve në namaz!”
Nuk vonoi e shpirti i tij i pastër u shpërngul në Ahiret. Pastaj u ngrit Muadhi dhe tha:
“O njerëz! Ju jeni të pikëlluar me humbjen e këtij njeriu. Betohem në Allahun, nuk di të kem parë njeri më zemërmirë e më të largët nga veprat e këqija, e as më këshilldhënës të mirë për të gjithë. Lutuni për të, Allahu ju mëshiroftë!”
Është thënë për Ebu Ubejden:
Njëherë Umeri ishte ulur mes njerëzve dhe u tha atyre: “Shprehini dëshirat tuaja.” Dikush tha: “Do dëshiroja që kjo dhomë të ishte e mbushur me perla e ta jepja sadaka në rrugë të Allahut.” Umeri sërisht tha: “Shprehini dëshirat tuaja.” Një tjetër tha: “Do dëshiroja që kjo dhomë të ishte e mbushur me margaritarë, xhevahire dhe perla e t’i jepja sadaka për hir të Allahut.” Umeri sërisht tha: “Shprehini dëshirat tuaja.” Por të pranishmit ia kthyen: “Nuk dimë çfarë dëshire të shprehim o prijës i besimtarëve.” Atëhere Umeri tha: “Do të dëshiroja që kjo dhomë të ishte e mbushur me burra si Ebu Ubejde bin Xherrahu, Muadh bin Xhebeli, Salm dhe Hudhejfe bin Jemani.”[1]
Ibn ebi Mulejke ka thënë: “E kam dëgjuar Aishen, që kur e pyetën se kë mendonte se do të zgjidhte Profeti si halife nëse do ta bënte një gjë të tillë, të thoshte: ‘Ebu Bekrin.’. ‘Po pastaj kë?’ – e pyetën njerëzit. ‘Umerin.’ – u përgjigj Aishja radijAll-llahu anhu. ‘Po pastaj kë?’ – e pyetën sërisht. ‘Ebu Ubejde bin Xherrahun.’ – tha ajo dhe me kaq heshti.” [2]
[1] – Hakimi në Mustedrek: 3/226. Ibn Asakiri në Tarijh. Ky transmetim është i mirë.
[2] – Ibn Rrahauejhi në Musned-in e tij: 152.
07 - Sad ibnu ebi Uekasi
“Gjuaj o Sad, gjuaj! Babë e nënë kurban i bëfsha për ty!”
(Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve selem. me këto fjalë e nxiste Sadin në luftën e Uhudit)
“Ne njeriun e kemi urdhëruar për sjellje të mira ndaj prindërve të vet, sepse nëna e vet e mbarti me mundime të shumta dhe pas dy vjetësh ia ndau gjirin. (E porositëm) Të jesh mirënjohës ndaj Meje, ndaj dy prindërve të tu, sepse vetëm tek Unë është kthimi juaj.” (Llukman, 14)
Lidhur me zbritjen e këtyre ajeteve fisnike përshkruhet një ngjarje e rrallë dhe e mrekullueshme. Këto ajete shkaktuan një ndeshje ndjenjash dhe emocionesh në shpirtin e një djaloshi trupnjomë, ku ngadhënjyes dolën e mira ndaj së keqes dhe imani ndaj kufrit.
Kryeheroi i këtij tregimi është njëri prej djemve më fisnikë të Mekës, nga prejardhja, i cili mburrej gjithmonë me dashurinë e madhe ndaj prindërve të vet. Ky i ri është Sad ibnu ebi Vekasi.
Kur shkëlqeu drita e pejgamberisë në Mekë, Sadi ishte një djalë në lulen e rinisë, i butë nga ndjenjat dhe kishte një sjellje të shkëlqyer ndaj prindërve, e posaçërisht ushqente dashuri të madhe ndaj nënës së tij.
Edhe pse Sadi në atë kohë ishte në prag të së shtatëmbëdhjetave, dinte t’i logjikonte gjërat me arsyen e mendjes së tij si ndonjë plak i urtë. Ai nuk gjente dot prehje në argëtimet e ndryshme si moshatarët e tij, por merrej me riparimin e shigjetave, shtizave, harqeve dhe ushtronte përdorimin dhe mënyrën e hedhjes së tyre, sikurse ta dinte se po përgatitej për një çështje të madhe e të rëndësishme. Atij nuk i flinte zemra as në besimin e kotë të popullit të tij, sikurse po priste që t’i zgjatej ndonjë dorë e fortë, e vendosur dhe e sjellshme që ta nxirrte nga kjo errësirë e thellë.
Gjersa ai ishte në këtë gjendje, deshi Allahu që ta fisnikërojë tërë njerëzimin me këtë “Dorë të Mëshirës”. Kjo “dorë” ishte ajo e krijesës më të lavdishme, e Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ve selem.), e në pëllëmbën e tij një yll i shkëlqyeshëm, libri i Allahut, Kurani i Madhëruar!
Nuk vonoi shumë e Sadi iu përgjigj thirrjes dhe udhëzimit të vërtetë. Njihet si i treti prej burrave që e pranuan Islamin dhe i katërti ndër të parët në përgjithësi.
Për këtë mburrej dhe me plot krenari thoshte: “Qëndrova shtatë ditë, e unë i treti në Islam.”
Gëzimi i Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve selem.) për Islamin e Sadit ishte i papërshkrueshëm, sepse tek ai shihte shenjat e fisnikërisë dhe të pjekurisë, të cilat paralajmëronin se kjo “hënë e re” së shpejti do të bëhej “hënë e plotë”.
Shpresonte se prejardhja fisnike e Sadit dhe familja e tij e pastër e autoritative ndoshta do të ngjallin ndjenjat e xhelozisë te të rinjtë e Mekës, që edhe ata ta ndiqnin rrugën e tij.
Mbi të gjitha këto, Sadi ishte prej dajallarëve të Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve selem.), sepse ishte nga fisi Benu Zehre, prej të cilit ishte edhe Eminia, e bija e Vehbit, nëna e Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ve selem.). Pejgamberi gjithnjë mburrej me këtë afërsi.
Transmetohet se Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ve selem.), një ditë prej ditësh, gjersa ishte ulur me disa prej sahabëve, e pa Sad ibnu ebi Vekasin duke ardhur dhe u tha shokëve: “Ky është daja im! Ky është daja im! A ka kush prej jush dajë më të mirë?”.
Megjithatë, përqafimi i Islamit nga Sad ibnu ebi Vekasi nuk ishte i lehtë e pa brenga. Ky djalosh besimtar iu ekspozua sprovave më të rënda e më të vështira që mund të ekzistojnë, saqë edhe Allahu (Xheleshanuhu.) zbriti ajete nga Kurani enkas për çështjen e tij.
Le t’ia japim fjalën vetë Sadit që të na rrëfejë për këtë sprovë të rrallë:
“Tri netë para se të pranoj Islamin, pashë në ëndërr sikur isha fundosur në thellësitë e errësirave të pafundme të detit, e ndërsa vazhdoja ende të fundosesha në këto thellësira të errëta, para meje ndriçoi një dritë, së cilës i shkova pas. I pashë disa njerëz që kishin arritur tek ajo dritë para meje e prej tyre dallova Zejd ibnu Harithin, Ali ibnu ebi Talibin dhe Ebu Bekër Sidikun.”
– Sa kohë jeni këtu? – i pyeta.
– Ka ca kohë, – më thanë ata.
“Pasi agoi dita e nesërme, mora vesh se i Dërguari i Allahut, Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ve selem.), është duke thërritur në Islam fshehtazi dhe e kuptova se Allahu me mirësitë e Tij dëshiroi që të më nxjerrë nga errësira në dritën e amshueshme.”
“Me nxitim shkova te Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ve selem.), derisa e takova atë në luginën Xhijad.[1] Pasi Resulullahu e fali namazin e ikindisë, e përqafova para tij Islamin, e nuk e kishte pranuar askush tjetër para meje, përveç atyre të treve që pashë në ëndërr: Zejdi, Aliu dhe Ebu Bekri.”
Sadi vazhdon më tej rrëfimin e tij dhe thotë:
“Pasi nëna ime dëgjoi se unë kam përqafuar fenë islame, u zemërua dhe u hidhërua shumë me mua. Mirëpo, meqë unë isha djalë fort i sjellshëm dhe i kujdesshëm ndaj nënës, asaj nuk iu durua pa më pyetur:
– O Sad, ç’është kjo fe të cilën e pranove e që të shtyu ta lësh fenë e prindërve të tu? Ose lëre këtë fe të re, ose unë as nuk do të ha e as nuk do të pi derisa të vdes. Ty pastaj do të të copëtohet zemra nga pikëllimi, do të pendohesh për atë që ke bërë dhe do të jesh gjithmonë i turpëruar para njerëzve derisa të jesh gjallë.
– Mos e bë këtë, oj nënë e dashur, – i thashë unë, – se për Zotin kurrë nuk do ta lë këtë fe të pastër që e zgjodha, për asnjë çmim!
“Mirëpo ajo vazhdoi kërcënimet e saj. E refuzoi ushqimin disa ditë me radhë, derisa iu ligështua trupi dhe i humbi tërë fuqia.
– Unë, – thotë Sadi, – çdo ditë shkoja tek ajo duke e lutur që të hajë ose të pijë bile diçka, por ajo refuzonte me ngulm duke u betuar se nuk do të fuste gjë në gojë derisa të vdiste ose unë ta braktisja fenë islame.
“Atëherë i thashë:
– Oj nëna ime e shtrenjtë! Unë të dua shumë, por Allahu dhe i Dërguari i Tij janë më të dashur e më të shtrenjtë për mua dhe për Zotin, sikur ti, oj nëna ime, t’i kishe një mijë shpirtra e ata të të dilnin njëri pas tjetrit, unë kurrë nuk do ta lë këtë fe!
“Kur e pa seriozitetin dhe vendosmërinë time, lëshoi pe dhe filloi të hajë e të pijë, edhe pse pa dëshirën e saj.”
Kjo ishte arsyeja që Allahu (Xheleshanuhu.) të zbresë në lidhje me ne ajetin kuranor:
“E nëse ata të dy (prindërit) tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata (në këtë çështje), por në çështjet e jetës së kësaj bote të kesh mirëkuptim ndaj tyre” … (Llukman, 15)
Dita në të cilën Sad ibnu Ebi Vekasi pranoi Islamin, ishte ndër ditët më të lumtura për muslimanët dhe ndër më të frytshmet për fenë islame.
Në luftën e Bedrit, Sadit dhe vëllait të tij, Umejrit, i lidhet një ngjarje e rrallë që nuk harrohet. Umejri atëbotë ishte një djalë i ri, i cili sapo kishte arritur moshën madhore.
Kur i Dërguari i Allahut e rreshtoi ushtrinë muslimane para betejës, Umejri, vëllai i Sadit u fsheh në radhët e tyre nga frika se do ta shihte i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem.) dhe do ta kthente për shkak të moshës së tij të re. Mirëpo, megjithatë, Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) e vërejti dhe e ktheu.
Atëherë Umejri i ri filloi të qajë me ngashërim, saqë preku thellë ndjenjat e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve selem.) dhe zbuti zemrën e tij, kështu që më në fund e lejoi që të jetë në mesin e luftëtarëve.
Sadi u gëzua pa masë për këtë, saqë ia lidhi këllefin e shpatës së tij Umejrit të vogël dhe që të dy vëllezërit u nisën për të marshuar në luftë për lartësimin e Fjalës së Allahut si dy luanë sypatrembur.
Pas përfundimit të luftës, Sadi u kthye në Medinë i vetëm, ndërsa Umejrin e kishte lënë dëshmor në tokën e Bedrit, duke e lutur Allahun (Xheleshanuhu.) për mirëqenien dhe fatbardhësinë e tij në Ahiret.
Sadi njëherë u sëmur shumë, aq sa mendoi se ky ishte fundi i tij dhe në atë kohë kishte vetëm një vajzë, kur erdhi për vizitë tek ai Profeti (sal-lAllahu alejhi ve selem.) e ai i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë jam në gjendjen që e sheh dhe vetë, pasuria ime është e madhe dhe nuk kam tjetër veç një vajze, a ta jap pasurinë time sadaka të gjithë?” Profeti tha: “Jo, sepse është shumë.” Tha: “Mirë, të jap gjysmën?” “Jo.” – tha sërisht Profeti. “Mirë, të jap çerekun?” – tha Sadi. “Mirë, jep çerekun, – iu përgjigj profeti (sal-lAllahu alejhi ve selem.), por edhe çereku është shumë. Që t’i lësh pasardhësit e tu të pasur është më mirë se t’i lësh ata të kenë nevojën e njerëzve, e ndoshta ti jeton më gjatë se shokët e tu dhe për çdo lëmoshë që jep, do të kesh shpërblim për të.”
Në luftën e Uhudi, kur muslimanëve filloi t’u dridhej edhe dheu nën këmbët, askush nuk mbeti afër Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve selem.), përveç një grupi të vogël prej 10 vetash. Në mesin e tyre ishte edhe Sad ibnu ebi Vekasi duke mbrojtur të Dërguarin me harkun e tij. Sa herë që gjuante me shigjetë, idhujtarët binin të vdekur në vend para tij.
Kur e pa i Dërguari i Allahut këtë akt trimërie, filloi ta trimëronte, t’i jepte shtiza dhe ta nxiste edhe më shumë Sadin duke thënë: “Gjuaj, o Sad, gjuaj! Babë e nënë kurban i bëfsha për ty!”.
Gjatë gjithë jetës së tij Sadi mburrej e krenohej me këto fjalë të Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve selem.) për të në ditën e Uhudit.
Mirëpo, kulmin e famës, Sadi e arriti atëherë kur Umeri vendosi që të hynte në luftë kundër persianëve, që të shkatërrojë përfundimisht perandorinë e tyre dhe t’i çrrënjosë njëherë e përgjthmonë rrënjët e idhujtarisë në sipërfaqen e tokës.
Ai lëshoi një dekret përmes të cilit thirri të gjithë ata që kishin armë, kuaj, mburoja, që ishin të guximshëm, të mençur dhe që kishin ushqim të mjaftueshëm për t’i përballuar vështirësitë e udhëtimit dhe të luftës.
Nuk vonoi shumë dhe në Medinë, nga të gjitha anët, filluan të arrijnë njerëzit grupe‑grupe. Atëherë, kur u tubuan, Umeri filloi konsultimet me sahabët se kujt t’ia besojë udhëheqjen dhe komandën e ushtrisë.
Të gjithë qenë njëzëri për luanin sypatrembur, Sad ibnu ebi Vekasin. Umeri e thirri Sadin, ia dorëzoi komandën mbi ushtrinë dhe në të dalë të Medinës u ndal dhe e këshilloi me këto fjalë:
“O Sad! Mos u bëj mendjemadh kur të thonë ‘daja i Pejgamberit’, sepse Allahu nuk e heq të keqen me të keqe, por e heq me të mirë.
“O Sad! Askush nuk mund të krenohet me afërsi te Zoti përveçse me respekt. Të gjithë njerëzit janë të barabartë tek Allahu. Allahu është Zoti i tyre e ata janë robërit e Tij, të cilët dallohen prej njëri‑tjetrit vetëm me devotshmëri dhe respekt ndaj Tij. Prandaj shiko dhe vepro ashtu siç ka vepruar Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.), sepse ajo është rruga më e drejtë!”
Ushtria e bekuar muslimane vazhdoi rrugën dhe në përbërjen e saj ishin 99 pjesëmarrës të luftës së Bedrit, 319 që kishin qenë prezentë në besëlidhjen “Bejatu Rriduan”, 300 që kishin marrë pjesë në çlirimin e Mekës me Pejgamberin (sal-lAllahu alejhi ve selem.) dhe 700 prej djemve të sahabëve.
Muslimanët arritën në Kadisije [2], e në ditën e fundit të luftës së tyre me persianët, ditë e quajtur “Jeumu herir” (Dita e vringëllimit të shpatave), ata vendosën që përfundimisht t’i japin fund luftës. E rrethuan armikun nga të gjitha anët duke depërtuar thellë në radhët e tyre me brohoritjet: La ilahe ila Allah, Allahu Ekber, derisa arritën që kokën e prerë të komandantit të ushtrisë persiane, Rrustumit, ta ngrejnë lart në shtizat e tyre. Kur e panë ushtarët persianë këtë pamje trishtuese, në zemrat e tyre u fut frika dhe llahtaria, saqë nuk dinin më nga t’ia mbanin.
Çdo shenjim i muslimanëve mbaronte me goditjen dhe vrasjen e ushtarëve persianë, madje shpeshherë edhe me vetë armët e tyre.
Mjafton të përmendim se vetëm viktimat e fundosura në radhët e armikut ishin mbi 30 mijë.
Gjatë hilafetit të Umerit, ai e vendosi dhe e caktoi Sadin si Veliun e Kufes, kështu qëndroi deri në vdekjen e Umerit, madje edhe në kohën e Uthmanit qëndroi për një kohë të gjatë, më pas Uthmani kërkoi prej tij të shkonte në Medinë.
Disa nga vlerat e Sadit
Sad ibn ebi Uekasi ishte nga të vetmit sahabë për të cilët Profeti i bashkon të dy prindërit, në thënien e tij gjatë luftës së Uhudit: “Qëllo o Sad! Kurban u bëfshin për ty nëna dhe babai im!”[3]
Aishja përcjell se Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, një natë qëndroi vonë. Ajo ishte përbri tij, e në këtë moment i tha: “Çfarë të shqetëson o i Dërguar i Allahut?” “Ah sikur ndonjë burrë i mirë nga shokët e mi të më ruantë këtë natë.” “Ndërkohë dëgjova zëra armësh.” – tregon Aishja. “Kush është?” – pyeti ai. “Sad ibn Malik.” “Përse ke ardhur?” – e pyeti Profeti. “Erdha të të ruaj ty, o i Dërguar i Allahut.” Profeti fjeti aq sa dëgjova hikërrimën e tij.”[4]
Sadi, radijallahu anhu, ka qënë njeri të cilit i plotësohej duaja dhe kjo si shkak i lutjes së Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem, për të. Kajsi ka përcjellë se Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, ka thënë: “O Allah! Përgjigjju Sadit, nëse të lutet.”[5]
Madje përcillet se disa nga banorët e Kufes u ankuan padrejtësisht për Sadin tek Umeri dhe aq të humbur ishin, saqë pati prej tyre që supozonin se Sadi nuk dinte as të falej si duhet, ndërsa ai, kur shkoi tek Umeri, i tha: “Unë u falja atyre namazin e Profetit.” “Ky ishte mendimi im për ty o Sad.” – ia ktheu Umeri. Po ashtu, dikush tjetër tha për të se ai nuk ishte i drejtë në ndarje, nuk mbante drejtësi në popull dhe nuk dilte për të luftuar me çetat. Kur dëgjoi këto fjalë, Sadi tha: “O Allah! Nëse ky njeri po gënjen, verboje atë, varfëroje, vonoja vdekjen dhe bëje të përballet me sprova!” Dhe vërtet ky burrë u verbua dhe ecte anash mureve, u varfërua aq sa filloi të lypte dhe e zuri fitnia, nga e cila dhe vdiq, madje thoshte se e zuri lutja e Sadit.[6]
Abdullah bin Umeri përcjell se ishin ulur pranë Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem, dhe ai tha: “Do t’ju hyjë nga kjo derë një njeri që është prej banorëve të Xhenetit.” Kur ja, aty hyn Sad bin ebi Ukasi, radijallahu anhu.[7]
Sad ibn ebi Uekasi ka qënë i pari nga muslimanët që ka qëlluar me hark. Ai përcjell e thotë: “Unë jam i pari arab që kam qëlluar me hark në rrugë të Allahut.”[8]
Sad ibn ebi Uekasi, radijallahu anhu, ishte njëri ndër ata që u larguan nga sprova që i gjeti muslimanët. Ai nuk mori pjesë në asnjërën prej luftërave që ndodhën mes tyre, madje njëherë, kur i erdhi djali i tij që e nxiste të kishte rol në zgjidhjen e këtij problemi, ai tha: “O biri im! A po më kërkon të jem kokë (njeri me përgjegjësi) në kohë fitnesh? Jo, pasha Allahun, nuk e bëj, vetëm nëse më jepet një shpatë, e cila nëse godas me të një musliman (duke mos e ditur se është i tillë), të mënjanohet prej tij e të mos e vrasë, e nëse godas me të ndonjë jobesimtar, ta vrasë. Unë kam dëgjuar Profetin të thotë: ‘Vërtet Allahu e do robin e pasur, të fshehur dhe të devotshëm.’”[9]
Madje Aliu, radijallahu anhu, kur hipi njëherë në minberin e Kufës, ndër të tjera tha: “Sa pozicion të mirë që zgjodhi Sad ibn ebi Uekasi dhe Abdullah bin Umeri. Pasha Allahun, nëse është vepër e keqë, ajo padyshim është e vogël dhe e falshme, por nëse është e mirë, ajo është shpërblim i madh dhe e lavdëruar.”[10]
Sadi jetoi një jetë të gjatë, ku Allahu i dhuroi pasuri të madhe, mirëpo, kur i erdhi momenti i vdekjes, e afroi pranë vetes një pelerinë të leshtë, të vjetër e të grisur dhe tha: “Më mbështillni me të, sepse me të kam luftuar kundër idhujtarëve në Bedër dhe me të dua ta takoj Allahun (Xheleshanuhu.) në Ahiret!”
Sadi ishte i fundit nga të përgëzuarit me Xhenet, që vdiq.
[1] – Njëra prej luginave të Mekës.
[2] – Vend afër Kufes, në të cilin u zhvillua beteja vendimtare ndërmjet muslimanëve dhe persianëve, në të cilën ngadhënjyen muslimanët me një fitore madhështore. Kjo luftë u zhvillua në vitin 16, Hixhrij.
[3] – Ahmedi në Musned: 1/92, Buhariu dhe Muslimi.
[4] – Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu.
[5] – Tirmidhiu dhe Hakimi, i cili ka thënë se është hadith i saktë dhe e ka aprovuar Dhehebiu.
[6] – Ibën Asakiri në Tarijh Dimeshk :9/263 dhe Dhehebiu në Sijer Alam Nubela: 3/81.
[7] – Hakimi në Marifetu Sahabe: 3/6117.
[8] – Ibën Sad dhe Ibën Ebi Asim. Zinxhiri i tij është i saktë.
[9] – Muslimi dhe Ahmedi.
[10] – Dhehebiu në Sijer Alam Nubela: 3/75.
08 - Seid Ibnu Zejdi
“O Zoti im, nëse më privon mua nga kjo dhunti, mos privo nga ajo birin tim, Seidin.”
(Zejdi, i ati i Seidit)
Emri i tij
Seid ibn Zejd bin Amru bin Neufel prej Kurejshëve, babai i tij ishte Amru bin Neufeli, i cili i refuzoi idhujt që para se të dërgohej Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem.
Zejdi ibnu Amër ibnu Nufejli u ndal larg nga turma e njerëzve dhe shikonte kurejshët se si festonin një festë të tyre. Ai vuri re se njerëzit ishin mbështjellë me çallma të shtrenjta, të qëndisura me pëlhura të mëndafshit e me ar. Ata krekoseshin me pelerina të gjata, të shtrenjta të Jemenit.
I shikonte gratë me fëmijë, të cilat kishin veshur rroba të shkëlqyeshme, me stoli të bukura. Ai shikonte shtazët, të cilat i sillnin pasanikët, pasi i kishin stolisur me lloj-lloj stolish, për t’i therur në mes të idhujve të gdhendura.
Ai mbështeti shpinën te shtylla e murit të Qabes dhe tha:
– O ju kurejshë! Bagëtinë e ka krijuar Zoti. Ai ka zbritur shiun nga qielli, ndaj edhe ato janë ngopur. Atyre u ka rritur bar nga toka, me të cilin ushqehen. E ju po i therni ato jo në emrin e Tij. Unë ju trajtoj si popull injorant!
Pas këtyre fjalëve, kundër tij u ngrit xhaxhai i vet, Hatabi, babai i Umer ibnul Hatabit, i ra me shuplakë dhe i tha:
– Të gjettë e liga! Ende po dëgjojmë prej teje këtë budallallëk. Të kemi toleruar gjersa na humbi durimi.
Pastaj e sulmuan budallenjtë e fisit të tij, të cilët e keqtrajtuan. Ata vazhduan ta keqtrajtojnë gjersa u katandis të largohet nga Meka dhe të strehohet në kodrën Hira.
Hatabi angazhoi një grup kurejshësh që ta pengojnë të mos hyjë në Mekë. Ai hynte në Mekë vetëm fshehurazi. Më pas, Zejd ibnu Amër ibnu Nufejli i ftoi në një takim, pa e ditur fare kurejshët, Vereka ibnu Neufelin, Abdullah ibnu Xhahshin, Uthman ibnu El Harithin, Umejmete bint Abdul Mutalibin, hallën e Muhamedit, të birit të Abdullahut. Ata zunë të rikujtojnë kujtime për ato gjëra si pasojë e së cilave arabët devijuan në rrugë të gabuar.
Zejdi u tha shokëve të tij:
– Vërtet ju, për Zotin, e dini fare mirë se fisi juaj s’ka asgjë me vlerë. Ai e ka shtrembëruar fenë e Ibrahimit dhe po e kundërshton. Pra, kërkoni për vete një fe së cilës t’i përmbaheni, nëse dëshironi të gjeni shpëtim.
Të katër burrat shkuan te priftërinjtë e hebrejve dhe të krishterëve dhe te paria e komuniteteve të tjera, duke kërkuar tek ata fenë e vërtetë (islame) të Ibrahimit (sal-lAllahu alejhi ve selem.). Sa i përket Vereka ibnu Nufejlit, ai u bë i krishter.
Ndërkaq Abdullah ibnu Xhahshi dhe Uthman ibnu el Harithi nuk arritën gjë.
Sa i përket Zejd ibnu Amër ibnu Nufejlit, për të është tregimi të cilin do ta na e rrëfejë në vazhdim.
Zejdi thotë: “U ndala te Judaizmi dhe Krishterimi e i hodha poshtë, pasi nuk gjeta gjë diçka që ma qetëson shpirtin. Unë zura të hulumtoj për komunitetin religjioz të Ibrahimit (sal-lAllahu alejhi ve selem.) në vende të ndryshme, gjersa arrita në Siri. Atje një prift më përmendi një pjesë nga Libri i Shenjtë. Unë shkova tek ai dhe ia tregova hallin tim, e ai më tha:
Siç po vërej, t’i dëshiron të dish diçka nga feja e Ibrahimit, o vëlla Mekas.
– Po, këtë gjë kërkoj.
– Ti po kërkon një fe që sot nuk ekziston, por shko në vendin tënd, se Allahu do të dërgojë nga populli yt një njeri që do ta përtërijë fenë e Ibrahimit dhe nëse e arrin, mos iu ndaj atij njeriu.
Zejdi u nis për t’u kthyer në Mekë, përfundimisht, duke shpejtuar hapat e tij në kërkim të Pejgamberit të premtuar.
Derisa rrugëtonte, Allahu e dërgoi Pejgamberin e Vet, Muhamedin (sal-lAllahu alejhi ve selem.), për t’i thërritur njerëzit në fenë e udhëzimit dhe së vërtetës, por Zejdi nuk e takoi atë, ngase atij i doli në rrugë një grup arabësh dhe e vrau para se të arrinte në Mekë. Atij i skuqeshin sytë nga dëshira e flaktë për të parë të Dërguarin e Allahut. Ndërsa Zejdi nxirrte frymën e tij të fundit, ktheu shikimin nga qielli dhe tha: “O Zoti im, nëse më privove mua nga kjo dhunti, mos e privo birin tim, Seidin!”
Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, ka thënë për të: “Ai do të ringjallet sikurse një umet, edhe pse është i vetëm.” Pra, Profeti dha një garanci për të se si do të ringjallet me besimtarët.
Islami i Seidit
Deshi Allahu i Madhëruar që t’i përgjigjet lutjes së Zejdit dhe sapo ia filloi i Dërguari i Allahut t’i ftojë njerëzit në fenë islame, Seidi u gjend në grupin e atyre që besuan në Allahun dhe dëshmuan misionin e Pejgamberit të Tij.
S’është çudi, pasi Seidi u rrit në një shtëpi që e urrente atë që i kishte çuar kurejshët në humbje. Ai u edukua në prehrin e babait, i cili e çoi jetën duke kërkuar të vërtetën.
Ai vdiq i etshëm, duke rendur pas të vërtetës.
Fenë islame nuk e pranoi vetëm Seidi, por edhe gruaja e tij Fatime bint el Hatabi, e motra e Umer ibnul Hatabit.
Jeta e tij në Mekë
Djaloshi kurejsh përjetoi keqtrajtime nga fisi i tij, veprime këto të cilat nuk ishin të denja për ta larguar nga feja e vet. Në vend që ta largojnë atë nga feja islame, ai dhe gruaja e tij arritën të nxjerrin nga radhët e kurejshëve një njeri më të rëndë nga pesha dhe më të rrezikshëm…
Që të dy ishin shkaktarë që Umer ibnul Hatabi të pranojë fenë islame. Seid ibnu Amri e vuri në shërbim të fesë islame tërë energjinë djaloshare, sepse ai e pranoi fenë në kohën kur ende nuk i kishte mbushur të njëzetat.
Seid ibnu Zejd në shoqërinë e Medines dhe kontributi i tij në të
Ai mori pjesë me të Dërguarin e Allahut në të gjitha luftërat, përveç Luftës së Bedrit. Mungoi nga kjo luftë meqë duhej të kryente një detyrë që i kishte caktuar Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.).
Mori pjesë me muslimanët në operacionin luftarak për përmbysjen e fronit të Kisrasë dhe shpartallimin e pushtetit të tij.
Mbase beteja më e shkëlqyeshme që zhvilloi ai, ishte ajo e Jermukut. Pra, në vazhdim, po citojmë një fjalë të tij, ku rrëfen për një pjesë të ngjarjes së asaj dite.
Seid ibnu Amër ibnu Nufejli thotë:
– Në e Betejën e Jermukut ne ishim njëzet e katër mijë veta, apo afro njëzet e katër mijë. Bizantinët na dolën përpara me njëqind e njëzet mijë luftëtarë. Ata afroheshin në drejtimin tonë me hapa të rëndë, thuajse brigjet po lëkundeshin nga ca duar të fuqishme misterioze. Para tyre ecnin peshkopët, patriarkët dhe priftërinjtë duke mbajtur kryqe dhe duke kënduar psalme, të cilët i përcillte ushtria, zëri i së cilës jehonte si të ishte zë i murmurimës!
Kur muslimanët i panë ata në këtë gjendje, u rrënqethën nga numri i tyre dhe në zemrat e tyre hyri një lloj frike. Në këtë moment, Ebu Ubejde ibnul Xherrahu zuri t’i nxiste muslimanët për të luftuar dhe tha:
“O ju robër të Zotit! Ndihmoni Zotin, e Ai ju ndihmon ju dhe ju forcon këmbët tuaja…
O ju robër të Zotit! Kini durim, se durimi ju shpëton nga mosbesimi, ju afron te kënaqësia e Zotit dhe ju mbron nga sjelljet e turpshme. Pra, hidhni shtizat, vini mburojat dhe mos flisni fjalë tjetër përveç lutjes së Zotit (Xheleshanuhu) në heshtje, gjersa t’ju urdhëroj, në dashtë Allahu.”
Seidi vazhdoi:
– Me të dëgjuar fjalën e tij dhe kur pashë se si po e tërhiqte shpatën dhe si shkonte për t’u ballafaquar me armiqtë e Zotit, unë u hodha rrufeshëm në tokë dhe rashë në gjunjë. Hodha shtizën time dhe godita kalorësin e parë që u afrua, pastaj iu vërsula armikut, e Allahu më hoqi çdo frikë që kisha në zemër. Muslimanët nisën luftën kundër bizantinëve dhe luftuan vazhdimisht gjersa Allahu ua mundësoi muslimanëve ta përfundojnë luftën me fitore.”
Seid ibnu Zejdi mori pjesë edhe në çlirimin e Damaskut. Duke qenë se muslimanët e respektonin Seidin, Ebu Ubejde e emëron guvernator të Damaskut. Ai njëherazi ishte guvernatori (veliu) i parë musliman i Damaskut.
Në kohën e Emevive, Seid ibnu Zejdit i ndodhi një ndodhi për të cilën medinasit zunë të flasin një kohë të gjatë. Kjo ndodhi ngjau për arsye se Ervaja, e bija e Uvejsit, mendoi se Ibnu Zejdi kishte uzurpuar një pjesë të tokës së saj. Ajo zuri ta përmendte këtë në mesin e muslimanëve dhe fliste vazhdimisht lidhur me të. Pastaj këtë çështje e paraqiti te Mervan ibnul Hakemi dhe në Medinë. Lidhur me këtë rast, Mervani i dërgoi Seidit njerëz që të merren vesh për këtë çështje.
Shokut të të Dërguarit të Allahut i vinte vështirë ta zgjidhte këtë problem dhe u tha njerëzve:
“Po thonë se i bëj të padrejtë asaj?! Si t’i bëj të padrejtë?! Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: ‘Kush ia merr dikujt një pëllëmbë toke padrejtësisht, atij njeriu do t’i lidhet një zinxhir në fyt dhe do të shafitet shtatë pash në dhé Ditën e Gjykimit.’
“O Allah! Ajo ka supozuar se i kam bërë të padrejtë, e nëse ajo gënjen, verboja sytë dhe hidhe në gropën e saj, të cilën e konteston, nxirre të drejtën në shesh, që muslimanët ta dinë se unë nuk i kam bërë asaj padrejtësi!”
Pas pak kohe vërshoi lugina Akik me një vërshim si kurrë më parë dhe u duk shenja që kontestohej nga të dy dhe u pa se Seidi ishte i drejtë.
Nuk kaloi më shumë se një muaj kur gruaja u verbua. Ndërsa sillej rreth tokës së saj, ajo ra në pusin e saj.
Abdullah ibnu Umeri ka thënë: “Kur ne ishim të rinj, dëgjonim një njeri kur i thoshte tjetrit: ‘Allahu t’i verboftë sytë, siç e ka verbuar Ervanë!’.”
Kjo edhe s’është çudi, meqë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) ka thënë: “Kini frikë prej lutjes së njeriut ndaj të cilit është bërë padrejtësi, se në mes tij dhe Allahut nuk ka perde.”
E si mos të jetë kjo kështu, kur ai që iu bë padrejtësi është Seid ibnu Zejdi, njëri ndër dhjetë personat e përgëzuar me Xhenet!
Seid bin Zejdi vdiq në Medinë, pikërisht në pronat e tij në Akik dhe përgatitjen e xhenazes së tij e mori përsipër Sad bin ebi Uekasi, i cili dhe ia fali namazin e xhenazes.
09 - Talha ibn Ubejdilah Et‑Tejmij
“Ai që dëshiron të ketë kënaqësinë për të parë një njeri që ecën mbi faqen e dheut dhe që e ka vënë në jetë zotimin e dhënë, le ta shikojë Talha ibn Ubejdilahin.” (Muhamedi sal-lAllahu alejhi ve selem.)
Talha është një nga të përgëzuarit me Xhenet, është një nga shtatë të parët që pranuan Islamin si dhe ishte një ndër gjashtë personat që propozoi Umeri për të qënë halife pas tij.
Emri dhe disa cilësi të tij
Ai është Talha bin Ubejdilah, bin Uthman Kureshij nga fisi Temim, që njihej me pseudonimin Ebu Muhamed.
Ishte një njeri me trup normal, me flokë të shpeshta as kaçurrela dhe as të shtrira, ishte me fytyrë të bukur dhe i shpejtë në ecje. Kishte një veti, që nuk e ndryshonte ngjyrën e flokëve.
Islami i Talhës
Talha udhëtonte me një karvan të kurejshëve për të bërë tregti gjer në vendet e Shamit. Kur karvani arriti në qytetin Busra,[1] u hodhën tregtarët kurejshë në tregun e ndërtuar dhe filluan të bënin tregti.
Edhe pse Talha ishte në moshë të re dhe i mungonte përvoja në tregti, ishte mendjemprehtë dhe largpamës, gjë që i jepte shans edhe atij për t’u bërë konkurencë atyre dhe të siguronte fitimin e vet me meritë.
Gjersa Talha shkonte në tregun që gumëzhinte nga njerëzit që kishin ardhur nga çdo vend, atij i ndodhi një e papritur, e cila jo vetëm që ishte shkak për ndërrim të rrjedhave të tij jetësore në tërësi dhe diçka më tepër, por ishte edhe përgëzuese dhe lajmëtare për ndryshimin e rrjedhave të mëtejme historike në tërësi.
Talha thotë:
“Ndërkohë që ne ishim në tregun e Busras, kur ja, një prift i krishterë po thërriste në mes të njerëzve:
– O ju tregtarë, pyesni njerëzit e këtij sezoni tregtar se a ka në mesin e tyre ndonjë njeri nga Meka.
“Unë qëllova pranë tij, nxitova drejt tij e i thashë:
– Po, unë jam prej banorëve të Mekës.
“Ai më pyeti:
– A është paraqitur në mesin tuaj Ahmedi?
– Kush është Ahmedi?! – e pyeta.
– Ai është i biri i Abdullahut të ibnu Abdul Mutalibit. Ky është muaji i tij, në të cilin ai do të paraqitet. Ai është Pejgamberi i fundit. Ai do ta lëshojë tokën tuaj, Mekën, dhe do të shpërngulet në një vend, një tokë me gurë të zinj, me hurma dhe tokë kripore, nga e cila rrjedh ujë.
Talha ka thënë: “Fjalët e atij prifti lanë gjurmë të thellë në zemrën time, e atëherë shkova me nxitim te deveja ime, e ngarkova atë, kurse mbrapa lashë karavanin dhe me ngut ia mësyva Mekës.
“Kur arrita në Mekë, pyeta familjen time:
– A pati ndonjë ndodhi prej kur e kemi lënë Mekën?
– Po. Muhamedi, i biri i Abdullahut, është ngritur dhe pretendon se është profet e tashmë e ka mbështetur dhe pasuar atë Ibnu ebi Kuhafe (kanë për qëllim Ebu Bekrin).
Pastaj Talha tregon dhe thotë: “E kam njohur Ebu Bekrin, ai ishte njeri i thjeshtë, i dashur dhe i butë. Ai ishte një tregtar i moralshëm dhe i drejtë, njerëzit e donin dhe ia pëlqenin kuvendimet e tij, për shkak se ai dinte për të kaluarën, historinë e kurejshitëve dhe se mbante në mend prejardhjet familjare të tyre. Shkova tek ai dhe e pyeta:
– A është e vërtetë se Muhamedi, i biri i Abdullahut është shpallur Pejgamber dhe se ti e ke mbështetur dhe pasuar atë?
– Po. – m’u përgjigj Ebu Bekri dhe filloi të më tregonte lajmin e vet, si dhe dëshironte që të më tërhiqte për të hyrë me të në Islam, kurse unë i dhashë lajmin mbi priftin. Atëherë u çudit për këtë dhe më tha:
– Eja me mua që të shkojmë te Muhamedi që ta njoftosh për këtë lajm dhe të dëgjosh se ç’do të thotë. që të hysh në fenë e Zotit.
“Atëherë, unë dhe Ebu Bekri shkuam te Muhamedi, i cili ma paraqiti Islamin, lexoi diçka nga Kurani dhe më përgëzoi për të mirat e Dynjasë (kësaj bote) dhe të Ahiretit (të jetës në botën e amshueshme). Allahu pajisi zemrën time me fenë islame, e unë ia tregova lajmin e priftit të Busras. Ai u gëzua pa masë dhe ky gëzim pikasej edhe në fytyrën e tij. Pastaj dëshmova para tij se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se vërtet Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Isha i katërti që pranova Islamin, me insistimin e Ebu Bekrit.
Kur dëgjoi familja dhe farefisi i djaloshit kurejsh se ai ka kaluar në fenë islame, iu duk sikur u ra rrufeja. Nëna e tij më së tepërmi u brengos dhe u dëshpërua pse djali i saj kishte pranuar fenë islame, sepse ajo dëshironte që ai të mbizotëronte popullin e tij, për shkak se ai zotëronte karakter fisnik dhe virtyte të larta.
Peripecitë e Talha bin Ubejdilahut
Populli i tij nxitoi tek ai që ta kthejë dhe ta nxjerrë nga feja islame, por e gjeti si një bjeshkë madhështore e cila nuk lëkundet dot.
Pasi u demoralizuan, duke tentuar që ta bindin me të mirë, atëherë u përpoqën ta bëjnë me anë të ndëshkimit dhe dhunës.
Në lidhje me këtë, Mesud ibnu Harashi thotë:
“Gjersa isha duke vrapuar ndërmjet Safasë dhe Mervesë, ndërkohë që një grumbull njerëzish ndiqnin një të ri me duar të lidhura gjer te fyti, kurse ata nxitonin mbrapa tij duke e shtyrë dhe duke i rënë mbi kokë., ndërkaq një grua plakë e shante dhe i bërtiste. Atëherë pyeta:
– Si është puna e këtij djaloshi?!
– Ky është Talha ibnu Ubejdilahu, i cili është larguar nga feja e vet dhe ka pasuar djaloshin nga fisi Benu Hashim.
– Kush është kjo plakë që shkon mbrapa?
– Ajo është nëna e djaloshit…
Pastaj Neufel ibnu Huvejlidi, i quajtur “luani i kurejshëve” u ngrit dhe shkoi te Talha ibnu Ubejdilahu dhe e lidhi atë me një litar, me të cilin e lidhi edhe Ebu Bekër es‑Sidikun, i afroi së bashku dhe ua dorëzoi të poshtërve të Mekës për t’u dhënë ndëshkimin më të ashpër.
Për këtë shkak, Talha ibnu Ubejdilahu dhe Ebu Bekr es‑Sidiku janë quajtur “dy të lidhurit”.
Ditët kalonin, ngjarjet ndodhnin njëra pas tjetrës, kurse Talha ibnu Ubejdilahu përsosej. Sprovat në rrugën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij rriteshin dhe intensifikoheshin, ndërsa vetëmohimi ndaj Islamit dhe muslimanëve gjithnjë shtohej saqë muslimanët e quanin “Dëshmori i gjallë”, kurse i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ve selem.) e quante “Talha i mirësisë, i bujarisë dhe i fisnikërisë”.
Për secilin nga këta tituj ekziston nga një tregim i veçantë, e secili prej tyre shkëlqen më tepër se tjetri.
Kontributi i Talhës në Medinë
Talha bin Ubejdilahu vazhdoi edhe pas emigrimit për në Medinë të merrej me tregti, dhe ai në kohën kur Profeti realizoi luftën e Bedrit, gjendej për tregti në Sham dhe për këtë ai u mërzit shumë (pra, sepse nuk kishte marrë dot pjesë në këtë luftë), megjithatë Profeti i ndau edhe atij pjesë nga plaçka e luftës, sikur të kishte marrë pjesë.
Përse është quajtur “Dëshmori i gjallë” mësojmë nga ngjarja në betejën e Uhudit, kur muslimanët e braktisën Pejgamberin e Zotit dhe me të mbetën vetëm njëmbëdhjetë veta nga ensarët dhe Talha ibnu Ubejdilahu nga muhaxhirët.
Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) ngjitej kodrës së bashku me ata të cilët kishin mbetur me të, e prapa iu vu një grup politeistësh, të cilët dëshironin ta mbysnin. Atëherë ai tha:
– Kush i zmbraps këta, ai do të jetë shoku im në Xhenet.
– Unë, o i Dërguar i Zotit, – tha Talha.
– Jo, ti qëndro në pozitën tënde!
Atëherë u paraqit njëri prej ensarëve dhe tha:
– Unë, o i Dërguar i Zotit.
– Po, ti! – i tha pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem).
Ensariu luftoi gjersa u vra. Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) ngjitej kodrës së bashku me shokët e tij, kurse politeistët i ndiqnin pas, e atëherë ai tha:
– A nuk ekziston njeri që u del përballë këtyre?!
Talha nxitoi përsëri dhe tha:
– Unë, o Resulullah.
Jo, qëndro në pozitën tënde.
Pastaj u paraqit një tjetër nga ensarët e tha:
– Unë o Resulullah.
Resulullahu i tha:
– Po ti. – e ai luftoi gjersa u vra.
Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) i ngjitej kodrës vazhdimisht, kurse armiqtë e ndiqnin mbrapa. Ai përsëriste fjalët e mëparshme e Talha i përgjigjej gjithnjë, por Pejgamberi e ndalonte vazhdimisht, derisa u vranë të gjithë ensarët dhe nuk mbeti askush përveç Talhës, i cili atëherë tha:
– E tani, po.
Tashmë Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ve selem.) i ishte thyer dhëmbi i syrit, i ishte gërvishur balli dhe i ishte lënduar buza e gjaku i rridhte nëpër fytyrë. Pejgamberin (sal-lAllahu alejhi ve selem.) e kishte kapur lodhja, kurse Talha sulmonte politeistët gjersa i zmbrapste e pastaj kthehej te Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) dhe i ndihmonte Atij për t’iu ngjitur kodrës pak nga pak, e mbështeste atë dhe përsëri i sulmonte politeistët.
Kështu vazhdoi Talha derisa i zmbrapsi dhe i largoi ata nga Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.)
Lidhur me këtë, Ebu Bekri ka thënë: “Unë dhe Ebu Ubejde ibnu el Xherrahu kemi qenë larg nga Pejgamberi në ato çaste, e kur arritëm tek ai dëshironim t’i ndihmonim atij, por ai na tha:
– Më lini mua e shkoni te shoku juaj (kishte për qëllim Talhanë)!
Në atë moment ne pamë Talhanë duke i shkuar gjaku rrëke, kurse në trupin e tij kishte mbi shtatëdhjetë plagë të shkaktuara nga shpata, shtiza apo shigjeta. I ishte prerë edhe shuplaka e dorës dhe ra në një gropë i alivanosur…
Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) pas kësaj ngjarjeje thoshte:
– Cilin e gëzon fakti që ta shikojë një njeri që ecën mbi sipërfaqe të tokës, dhe që e ka realizuar besën (zotimin) e dhënë, le ta shikojë Talha ibnu Ubejdilahun.”[2]
Po ashtu, Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, tha për Talhën: “E meritoi Xhenetin Talha.”[3]
Ebu Bekri, kur përmendej Uhudi, thoshte: “Ajo ditë e tërë i takonte Talhasë…”
Ky ishte shkaku përse është quajtur Talha “Dëshmori i gjallë”, kurse për epitetin e tij “Talha i mirësisë, i bujarisë dhe i fisnikërisë” ekzistojnë njëqind e një tregime.
Njëri prej tyre është fakti që Talha ishte tregtar dhe kishte pasuri të madhe, e cila kishte arritur në 700 derhemë, kurse ai kaloi një natë i frikësuar, i mërzitur dhe i brengosur.
Bashkëshortja e tij Umu Kulthumi (bija e Ebu Bekrit) hyri tek ai dhe i tha:
– Ç’është me ty o Talha (o Ebu Muhamed)?! Mos të ka goditur ndonjë e keqe nga ana jonë?!
– Jo, vërtet ti je gruaja më e mirë e burrit musliman. Unë kam menduar gjatë tërë natës dhe kam thënë: “Cili është mendimi i një njeriu në Allahun e tij nëse flen e kjo pasuri gjendet në shtëpinë e tij?!
Ajo e pyeti:
– Çka të mundon ty ajo (pasuria)?! Ku je ti për nevojtarët nga populli yt dhe miqtë e tu?! Kur të zgjohesh, ndaju atyre.
Atëherë ai tha:
– Të mëshiroftë Allahu, vërtet ti je e lumtur (fatbardhë), bijë e të lumturit (fatbardhit).
Të nesërmen, posa u zgjua nga gjumi, nxori pasurinë nga arka dhe ua ndau të varfërve prej muhaxhirëve dhe ensarëve.
Transmetohet gjithashtu, se një njeri ka ardhur te Talha ibnu Ubejdilahu dhe kërkonte ndihmë prej tij duke ia përmendur një lidhje familjare që e afronte me të, e atëherë Talha i tha:
- Këtë lidhje nuk ma ka thënë askush më parë, por unë kam një tokë të cilën Uthman ibnu Afani dëshiron ta paguajë 300 mijë. Atëherë, në qoftë se dëshiron, merre atë, apo po e shes për atë çmim dhe shumën e saj do të ta jap ty?
Njeriu tha se do ta merrte shumën e paguar për të. Talha ia dha atë atij.
Me gëzim i qoftë Talhas së mirësisë, Talhas bujar dhe fisnik, ky epitet që ia dha Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve selem.).
I kënaqur qoftë me të Zoti ynë dhe ia ndriçoftë varrin e tij!
Talha dhe halifet e drejtë
Talha ishte njëri ndër personat që i zgjodhi Umeri për në këshillin konsultativ për zgjedhjen e halifes pas tij, Ai votën e tij e dha për Uthmanin, radijallahu anhu, dhe pasi ndodhi sprova e Uthmanit, Talha ia dha besën Aliut, por në zemrën e tij kishte brengë dhe e shqetësonte fakti, se përse ai nuk e ndihmoi Uthmanin kundër kryengritësve, të cilët dhe e vranë atë.
Talha më pas qëndroi në Medinë dhe ai vendosi të dilte së bashku me Aishen dhe Zubejrin të takonin ushtrinë e Aliut dhe të arrinin pasjtimin midis muslimanëve, por për shkak të kurthit dhe dredhisë që përdorën hipokritët, të dyja grupet u gjetë në befasi dhe u përleshën me njëri-tjetrin. Në këtë luftë Talha u vra dhe ra dëshmor. Kur Aliu e pa të shtrirë në tokë, zbriti, i pastroi mjekrën nga pluhuri dhe tha: “Të shoh të shtrirë në lëndinë nën yjet në qiell. Allahut ia paraqes dhimbjen dhe trishtimin tim.”[4] Pra, e tha këtë për shkak të dhimbjes që ndjeu kur pa Talhën të vrarë.
Madje Aliu, kur dëgjoi dikënd të fliste keq për Talhën, iu kthye e i tha: “Hëngërt goja jote dhé, hëngërt goja jote dhé, shpresoj që unë, Zubejri dhe Talha të jemi ndër ata që ka thënë Allahu: ونزعنا ما في صدورهم من غل إخوانا على سرر متقابلي- “Ne kemi larguar nga zemrat e tyre urrejtjen, ata janë vëllezër të cilët do të jenë në shtretër përballë njëri-tjetrit.”
Madje thuhet se Aliu, kur pa Talhën të shrirë në tokë të vdekur, i pastroi mjekrën, dërgoi rrahmet për të e tha: “Ah, sikur të kisha vdekur dhjet vjet para se të ndodhte kjo.”[5]
[1] – Busra – njëri nga qytetet e Shamit, tani ajo është në krahinën Huran të Sirisë.
[2] – Muslimi.
[3] – Ahmedi në Musned. Hadithi është hasen.
[4] – Muhtesar Tarih Dimeshk.
[5] – Hakimi në Marifetu shabe, mursel.
10 - Zubejr bin Auam
Emri dhe jeta e tij
Ai është Zubejr bin Huejlid Kureshij, djali i hallës së Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem, Safije bint Abdulmutalibit, dhe ndihmësi i tij. Ai ishte njëri ndër të përgëzuarit me Xhenet, si dhe njëri ndër gjashtë personat që i caktoi Umeri për të qënë halife pas tij.
Ai njihej me pseudonimin e tij Hauari Resul, mbështetësi, ndihmuesi i Profetit dhe thirrej edhe me epitetin Ebu Abdullah.
Virtytet e tij
Zubejr bin Auami ishte i gjatë, trim, sypatrembur, modest dhe i thjeshtë. Tregonte shumë kujdes për amanetet, saqë merakosej se ku t’i fshihte amanetet që i besonin. Merrej me tregti dhe bujqësi. Numërohej si njëri nga më të pasurit e Medinës. Thuhet se kishte një mijë skllevër dhe një pasuri shumë të madhe. Përveç tokave që kishte rreth Medinës, ai kishte edhe shumë prona në Basra, Kufe dhe Egjipt. Në dhënien e zekatit ishte i rregullt. Përpiqej shumë për t’i siguruar jetesën fukarenjve rreth vetes dhe çdokujt që i kërkonte para borxh, i jepte. Megjithë pasurinë e madhe që kishte, ai bënte një jetë të thjeshtë. Vetëm armën e kishte pikë të dobët. Kjo është arsyeja pse këllëfi i shpatës së tij, ishte i veshur me argjend.
Zubejri ishte një djalosh i gjatë, saqë kur hipte në kalë, thuajse këmbët i preknin në tokë, ishte i bukur dhe me pak mjekër.
Islami i tij dhe peripecitë që Zubejri kaloi
Zubejri, radijallahu anhu, e pranoi Islamin nga të parët dhe në atë kohë ai ishte thuajse në një moshë me Aliun; shkak për Islamin e tij u bë Ebu Bekri, radijallahu anhu.
Kur vdiq babai i Zubejrit, xhaxhai i tij, Neufeli, mori përsipër kujdestarinë e tij. Në moshë të vogël e jetim, Zubejrin e rrihte shumë nëna. Ndërsa xhaxhai i tij i dilte në krah gjithnjë duke e mbrojtur nga të rrahurat. Mirëpo kur Zubejri u rrit dhe u bë musliman, kjo dashuri e xhaxhait për të, u kthye në zemërim; deri aty sa e lidhte dhe e torturonte me tymin e zjarrit. Propozimit të xhaxhait: “Mos u trego inatçi, kthehu në fenë e baballarëve tanë!”, Zubejri i përgjigjej: “Kurrsesi, nuk kthehem në mohim! Zoti është Një. Nuk adhuroj idhujt, të cilët nuk bëjnë as dobi, as dëm. La ilahe ilallah, Muhamedun Rasulullah!”. Kështu, përballë këtyre torturave të mëdha, ai tregonte durim dhe rezistencë.
Kur Profeti filloi të thërishte publikisht, Zubejr bin Auami dëgjoi se kurejshët kishin marrë Profetin për ta torturuar, ndaj ai mori shpatën, e zhveshi dhe doli me vrap jashtë shtëpisë, që të kërkonte ata të cilët e kishin marë Profetin dhe në ata kohë Zubejri ishte rreth të dybmëdhjetave. Njerëzit që e shihnin të vraponte me shpatën zhveshur, habiteshin me të. Por duke vrapuar ai pa Profetin, i cili i tha: “Për ku kështu o Zubejr?” “Më thanë se idhujtarët të kishin kapur ty o i Dërguari i Allahut.” “Po çfarë do të veproje ti në këtë rast?” “Unë do ta vrisja atë që e kish bërë o i Dërguari i Allahut.” Profeti u lut për të dhe shpatën e tij.
Në vitin 615, Zubejri së bashku me muslimanët nga Meka, emigroi në Etiopi. Atje muslimanët jetuan të qetë dhe mirë. Më vonë, kur sahabët emigruan nga Meka në Medinë edhe grupi i Etiopisë emigroi e u drejtua për atje. Zubejr bin Auami, kur emigroi për në Medinë, ishte rreth të shtatëmbëdhjetave. Profeti Muhamed (sal-lAllahu alejhi ve selem.) e vëllazëroi Zubejr bin Auamin me Kab bin Malikun. Sipas një transmetimi tjetër e vëllazëroi me Seleme bin Selame bin Vakshin.
Kontributi i Zubejrit në shoqërinë e Medinës
Zubejr bin Auami qëndroi pranë Profetit, sal-lAllahu alejhi ve selem, duke ndihmuar atë dhe fenë islame; ai mori pjesë në luftën e Bedrit, madje në të gjitha luftërat që ndërmori Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem. Kur ndodhi lufta e Bedrit, ai ishte diku te tetëmbëdhjetë vjeç.
Në luftën e Bedrit ushtria islame përbëhej nga treqind luftëtarë, ndër të cilët ishin vetëm dy kalorës: Zubejr bin Auami, i cili qëndronte në të djathtë të ushtrisë dhe Mikdad bin Esuedi, i cili qëndronte në të majtë. Në këtë luftë Zubejri kishte veshur një çallmë të verdhë dhe thuhet se edhe melaiket e ndihmës që prezantuan në Bedër, kishin çallma të tilla.[1]
Lufta ishte ndezur fort
Profeti ynë (sal-lAllahu alejhi ve selem.), në luftën e Bedrit, pasi e caktoi Zubejrin komandant të krahut të djathtë, tha:
“Engjëjt kanë shenjat e tyre. Edhe ju vendosni ndonjë shenjë!” Menjëherë pas kësaj fjale të pejgamberit, Zubejr bin Auami mbështolli rreth kokës një copë (beze) të verdhë dhe u hodh në luftë. Në këtë betejë muslimanët kishin vetëm disa kuaj. Njëri nga këto ishte edhe kali i Zubejrit, i quajtur Jasub. Atë ditë ai kishte vrarë shumë mushrikë dhe njëri prej tyre ishte xhaxhai i tij Neufeli, i njohur si “Luani i Kurejshëve, luani i bijve Mutalibë”. Një aspekt të kësaj lufte Zubejr bin Auami e përcjell si më poshtë:
“Ditën e Bedrit unë u përballa me Ubejde bin Saidin. Ai ishte mbi kalë i armatosur nga koka te këmbët, vetëm sytë i dukeshin. Me një lëvizje të menjëhershme ia ngula heshtën në sy dhe ai ra përtokë i vdekur. Kur ia nxorra heshtën me fuqi, pashë se dy krahët e saj ishin shtrembëruar.”
Lufta e Bedrit, në të cilën merrnin pjesë edhe engjëjt, po kalonte shumë e ndezur. Hz. Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ve selem.) po i lutej Allahut pa pushim duke i kërkuar ndihmë.
Trimëritë që tregoi Zubejri në luftën e Bedrit ishin kolosale. Nuk i kishte mbetur vend në trup pa u plagosur. Kishte marrë tri goditje të mëdha shpate dhe njëra nga këto ishte në qafë. Lufta e Bedrit përfundoi me fitoren e muslimanëve. Në këtë luftë ranë dëshmorë 14 sahabë, u vranë 70 mushrikë (politeistë) dhe po aq u zunë rob.
Rrëzoje atë në tokë
Mushrikët e Mekës nuk e harruan këtë humbje dhe pas një viti marshuan përsëri drejt Medinës. Në luftën e Uhudit, dy ushtritë u gjendën përsëri përballë njëra-tjetrës. Zubejr bin Auami dhe Mikdat bin Esuedi e shpartalluan kalorësinë nën komandën e Ikrimes. Zubejri vrau flamurtarin e mushrikëve dhe së bashku me shtatë shokë u betuan të mos ndahen për asnjë çast nga Profeti, deri sa të bien dëshmorë.
Në fillim të kësaj lufte, një mushrik i Mekës kërkoi duel dhe e përsëriti këtë tri herë duke pretenduar që të gjithë do të tërhiqen nga kjo kërkesë e tij. Zubejr bin Auami mbështolli rreth kokës një beze të verdhë dhe doli në shesh. Menjëherë u hodh sipër devesë së mushrikut dhe e kapi për fyti. Gjatë përleshjes, Profeti (sal-lAllahu alejhi ve selem.) i thotë: “Rrëzoje atë në tokë!”. Zubejr bin Auami e rrëzoi atë në tokë dhe e vrau. I dërguari i Allahut, në lidhje me këtë çështje, tha: “Nëse Zubejri nuk do t’i dilte përballë atij, atëherë do të luftoja unë.”.
Në luftën e Uhudit, kur shigjetat fluturonin mbi kokat muslimanëve, Zubejri bashkë me shokët e tij u bënë gardh rreth Profetit duke e mbrojtur atë nga shigjetat e panumërta të armiqve.
Zubejr bin Auami në luftën e Hendekut
Xhabir bin Abdullahu transmeton:
“Kur puna filloi të vështirësohej në ditën e Hendekut, i Dërguari i Allahut na pyeti: ‘A nuk ka njeri që të shkojë për të mësuar sjelljet dhe qëndrimin e Beni Kurejdhes?’ Zubejr bin Auami (radijAll-llahu anhu.) u ngrit dhe tha: ‘Shkoj unë.’ dhe e mbajti fjalën, duke mësuar atë që Profeti kishte kërkuar.
Kur punët përsëri u vështirësuan, Profeti (sal-lAllahu alejhi ve selem.) kërkoi të njëjtën gjë nga sahabët. Përsëri Zubejr bin Auami tha: “Shkoj unë të mësoj qëndrimin e tyre.” Pasi mësoi gjithçka rreth tyre, ia paraqiti gjendjen Profetit (sal-lAllahu alejhi ve selem.): ‘O i Dërguari i Allahut! I pashë ata duke rikonstruktuar kalatë e tyre dhe duke u stërvitur për luftë.’ Pas kësaj Profeti tha: ‘Çdo pejgamber ka një ndihmës dhe ndihmësi im është Zubejri.’”[2]
Ndërsa në çlirimin e Mekës, Profeti, sal-lAllahu alejhi ve selem, i dha Zubejrit flamurin e Sad bin Ubades dhe ai hyri në Mekë duke mbajtur dy flamuj.
Zubejri në kohën e Halifëve
Zubejri, radijallahu anhu, dha një kontribut të vyer gjatë hilafetit të Ebu Bekrit; ai u gjend çdo herë në krah të ushtrisë islame, atje ku i drejtonte halifja i Profetit.
Ndërsa në kohën e Umerit, ai ishte njëri ndër komandantët dhe heronjtë kryesorë të luftërave që ndërmorën muslimanët.
Në luftën e Jermukut ai tregoi heroizëm të pashembullt. Me vete kishte djalin e tij, Abdullahin, i cili ishte dhjetë vjeç. Kur pa ushtrinë bizante në numër të madh dhe mendoi se ndoshta muslimanët do t’i kapte paniku, e mori djalin e tij, e hipi në kalë, ia dha frerët e kalit që ta drejtonte, ndërsa vetë mori dy shpata, e kështu u sul i vetëm ndaj ushtrisë bizante, i çau rreshtat derisa doli në anën tjetër, e më pas u kthye sërisht duke bërë të njëjtën gjë. Duke parë këtë skenë, muslimanët morën zemër dhe u hodhën të gjithë si luanë kundër ushtrisë bizante duke i shkaktuar humbje kolosale ushtrisë së tyre.
Kur Umeri dërgoi Amër bin Asin për të çliruar tokat e Egjiptit, ushtria islame hasi një ushtri të madhe në numër, pra, bizantët ishin shumë më tepër se muslimanët, ndaj dhe Amru bin Asi kërkoi nga Umeri që të dërgonte përforcime.
Këstu që Zubejr bin Auami (radijAll-llahu anhu.), edhe në çlirimin e Egjiptit ka luajtur një rol të rëndësishëm. Në vitin 642, kalifi Umer e dërgon atë së bashku me një fuqi prej 11.000 vetash si përforcim për Amr bin Asin, gjatë rrethimit të kalasë Babil të Egjiptianëve. Edhe qendra e qeverisë së Egjiptianëve e quajtur Heliopolis, është marrë nga Zubejri.
Madje kur Zubejri u nis për në Egjipt, dikush i tha: “Mos shko atje, sepse ka rënë një epidemi dhe kam frikë se do të të godasë kolera.” Ai ia ktheu: “Unë kam dalë vetëm që të goditem.” dhe hyri në Egjipt e atje u plagos në ballë e shpëtoi prej kolerës.
Madje Umeri e zgjodhi Zubejrin, si njërin ndër gjashtë personat e këshillit konsultativ, prej të cilëve duhet të zgjidhej halifja i muslimanëve.
Ndërsa kur Egjiptianët ngritën krye dhe u rebeluan ndaj Uthmanit (radijAll-llahu anhu.) e marshuan për në Medinë, dhe deri në rënien e tij (Uthmanit) dëshmor, Zubejri nuk është aktivizuar vetë në këtë çështje. Sipas disa transmetimeve, ka dërguar djemtë e tij për të mbrojtur veten, Aliun dhe Uthmanin (radijAll-llahu anhu.).
Dhënia e besës Aliut (radijAll-llahu anhu.)
Pasi ra dëshmor Uthmani (radijAll-llahu anhu.), një pjesë e mirë e sahabëve i dhanë besën Aliut (radijAll-llahu anhu.). Mes tyre ishte Zubejri dhe Talha, madje Zubejri ishte prej atyre, të cilët që pas vdekjes së Umerin, kur i zgjodhi në këshill, ia dhanë votën Aliut.
Megjithatë, ai qëndroi në Medinë dhe nuk shkoi në Kufe, ishte i mendimit se ata e kishin anashkaluar çështjen e rebelëve që vranë padrejtësisht halifen, dhe se tashmë duhej që këta të ndëshkoheshin dhe të vihej në vendin e duhur nderi i Uthmanit.
Megjithatë Zubejri kurrë nuk ishte i mendimit se duhet të luftonte apo të përballej me Aliun dhe ushtrinë e tij, madje edhe dalja e tij nga Medina për të shoqëruar njerëzit që iu bashkangjitën nënës së besimtarëve, Aishes, të cilët kërkonin një marrëveshje dhe pajtim me Aliun, në lidhje me atë se çduhet të bënin.
Por që të dy kampet, të gjetur në befasi nga kurthi i ndërtuar nga Abdulla bin Sebe dhe ithtarët e tij që u ndanë në çdo kamp dhe sulmuan në fshehtësi dhe befasi, nuk patën rrugë tjetër në ato rrethana, veç mendimit se ata ishin tradhëtuar, e kështu ndodhi përplasja mes dy palëve, përplasje e cila pushoi vetëm atëherë kur u vra deveja në të cilën gjendej nëna e besimtarëve, Aishja, radijallahu anha.
Pas kësaj ngjarjeje, Aliu dërgoi Aishen për në Medinë, si dhe diskutoi edhe me Zubejr bin Auamin.
Pas kësaj bisede, Zubejri tërhiqet nga lufta dhe Amr bin Xhurmuzi, duke gjetur një rast të përshtatshëm, në vendin e quajtur Uadi Siba, e vret. Zubejr bin Auami (radijAll-llahu anhu.) ra dëshmor në moshën 66-67 vjeç. Kur Aliu dëgjoi për vdekjen e tij, u dëshpërua shumë dhe thuhet se vetë ai ia fali namazin e xhenazes. Madje, kur i erdhi lajmi për vrasjen e Zubejrit, ai qau dhe i tha vrasësit: “Përgëzohu me zjarr, sepse Zubejri ka qënë Mbështetësi i Profetit.”.
[1] – Taberani në Kebir: 230. Mursel.
[2] – Muslimi dhe Imam Ahmedi.